Nga Frank Shkreli/Në më pak se dy javë e gjysëm, pas dy mandateve, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama i dorëzon çelsat e Shtëpisë së Bardhë Presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Politika e jashtëme amerikane dhe roli i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare në përgjithësi dhe politika e jashtme e administratës së Presidentit Obama gjatë 8-viteve të fundit, në veçanti — ishte subjekt i debateve të ashpëra gjatë fushatës elektorale për president të SHBA-ave, gjatë vitit të kaluar. Kandidati republikan, Trump ka kritikuar politikën e jashtme të administratës Obama duke thënë se roli i Amerikës në botë ka rënë dukshëm gjatë qeverisjes së Presidentit Obama, por pa dhënë hollësi se çfarë roli ndryshe do të luaj Amerika, në arenën ndërkombëtare, gjatë mandatit të tij si prresident i Shteteve të Bashkuara. Politika e ardhëshme dhe cili do të jetë roli amerikan në botë, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, mbetet për tu parë, megjithse ekspertë të ndryshëm të politikës së jashtëme si dhe disa antarë të Kongresit amerikan, përfshirë edhe disa senatorë të njohur republikanë, kanë kritikuar ashpër tanimë deklaratat e Donald Trump-it në lidhje me politikën e jashtme që ai mund të ndjekë, me të filluar nga detyra me 20 Janar. Ndonëse nuk dihet se ç’drejtim do të marrë politika e jashtme amerikane dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë në të ardhmen, nën drejtimin e administratës Trump – politika e jashtme e 8-viteve të kaluara të administratës Obama ka filluar të analizohet dhe rënja e rolit të Amerikës në botë — gjatë kësaj periudhe — të kritikohet nga ekspertë të politikës së jashtme dhe nga akademikë.
Njëri prej këtyre akademikëve është Profesori Robert J. Lieber i çështjeve qeveritare dhe i politikës ndërkombëtare pranë Universitetit të njohur jezuit Georgetown në Washington, autor i 16 librave mbi marrëddhëniet ndërkombëtare dhe mbi politikën e jashtme amerikane dhe këshilltar në këtë fushë pranë disa dikastereve të qeverisë amerikane. Në librin e tij të fundit, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror”, botuar disa muaj më parë, Profesori Lieber konsideron se roli ndërkombëtar i Amerikës është zvogëluar dukshëm në botë gjatë 8-viteve të fundit dhe njëkohsisht mbron tezën për një rol më të fortë amerikan në botë. Ai beson se megjith këtë rënie të rolit amerikan në botë gjatë viteve të fundit, sipas tij, heret ose vonë, Amerika do të detyrohet t’i këthehet rolit udhëheqës në botë, sepse tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga roli i saj tradicional i pothuaj 100-viteve të kaluara, do të ketë pasoja, jo vetëm për botën, por edhe për vet Amerikën dhe sigurimin kombëtar të saj. Ai pohon se vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara, “Janë tërhequr nga roli udhëheqës historik në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë që Administrata e Presidentit Obama është përpjekur të pajtojë kundërshtarët e Amerikës, ndërsa ka treguar një indiferencë ndaj aleatëve të saj. Presidenti Obama kishte paralajmëruar mos shkeljen e ‘vijave të kuqe’ dhe pastaj s’bëri asgjë për të mos lejuar shkeljen e tyre, siç ishte rasti i përdorimit të armëve kimike nga Presidenti i Sirisë Bashar Al Assad.” Ishte ky një rast, që sipas Profesorit Lieber, tregoi qartë të vërtetën e pakëndshme në lidhje me angazhimet e Amerikës ndaj aleatëve dhe vuri në pikëpyetje përdorimin e forcës ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara. Administrata e Presidentit Obama, shkruan Profesori amerikan, preferonte që Shtetet e Bashkuara të luanin rolin e ‘udhëheqsit nga mbrapa’, përballë luftës katastrofale civile në Siri, përballë barbarizmave të ISIS-it në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, përballë politikave grabitqare të Rusisë në Europën Lindore dhe sjelljeve të Kinës në Azinë lindore”.
Profesori Robert Lieber shprehet në librin e tij, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror”, se “Pasojat e këtij eksperimenti ‘realist’ të administraës Obama, “Kanë qenë tepër të dëmshme, kanë shkaktuar vuajtje dhe njëkohsisht kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të humbnin kredibilitetin e tyre, jo vetëm me miqtë por edhe me armiqtë e tyre.” Megjithëkëtë, ai shkruan se “Amerika e ka mundësinë për të udhëhequr, por nëqoftse në të ardhmen ajo nuk merr përsipër luajtjen e një roli më të madh dhe më të fortë në botë, ka të ngjarë që gjëndja ndërkombëtare të bëhet edhe më e rrezikshme se ç’është tani, me kërcënime në shtim e sipër, jo vetëm ndaj stabilitetit rajonal dhe rendit ndërkombëtar por edhe me pasoja serioze për vetë interesat kombëtare të Amerikës”, thekson Profesori i Universitetit Georgetown.
Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në botë është unik, sipas Profesorit Robert Lieber. Për këtë — nënvijon ai — historikisht, kanë qenë dakort si elementët liberalë ashtu edhe ata konservatorë të dy partive kryesore politike të Amerikës. Ata, shkruan ai, mund të kenë patur ndryshime midis tyre në lidhje me mënyrën e zbatimit të këtij roli, se ku dhe si duhej të angazhoheshin Shtetet e Bashkuara ndërkombëtarisht, por ama ata gjithmonë kanë rënë dakort, ashtu siç është shprehur edhe ish-Presidenti Bill Clinton, “Amerika mbetet një vend i pazëvëndsueshëm për botën”, thekson Profesori Lieber. Ai shkruan se në të kaluarën, Amerika “Ka shërbyer efektivisht, jo vetëm në rolin udhëheqës në botë dhe si mbështetëse dhe promovuese e demokracive liberale dhe e ekonomive të tregut, por edhe si ruajtëse dhe mbrojtëse e rregullave dhe normave të rendit ndërkombëtar.”
Profesori Lieber thekson në librin e tij të fundit, se pa një ri-angazhim të tillë ndaj rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë, dera mbetet e hapët për kundërshtarët e Amerikës dhe të aleatëve të sajë, që të ushtrojnë influencën e tyre, pasojat e të cilave kanë qenë tragjike, si ishte rasti i krizës në Siri dhe në Libi, pasoja këto që janë shtrirë dhe kanë prekur stabilitetin politik dhe ekonomik të Europës. “Një Evropë stabile, e begatë dhe demokratike, historikisht, ka qenë dhe është në interesin kombëtar të Amerikës”, pohon Profesori Lieber. “Por vështirsitë me të cilat përballet sot Evropa janë përkeqësuar nga mos vullneti i Amerikës për të ndërhyrë fillimisht në krizën e Sirisë.” Për më tepër, në lidhje me shtetet baltike dhe me Ukrainën, shkruan Profesori Lieber, përgjigja e ngadaltë dhe jo efektive e Amerikës ndaj ndërhyrjes dhe ndaj agresionit rus, përbëjnë një kërcënim ndaj rendit botëror, pikërisht si përfundim i mungesës së një angazhimi të Shteteve të Bashkuara ndaj organizatave siç është aleanca NATO.
Profesori Robert Lieber bën thirrje për një politikë të jashtme më aktive nga ana e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që paralajmëron presidentin e ardhëshëm të Shteteteve të Bashkuara që t’i kushtojë një vëmendje të posaçme rëndësisë që ka kredibiliteti i udhëheqjes amerikane në botë, ndërkohë që administrata e re fillon përpilimin e politikës së ardhëshme të Shteteve të Bashkuara në fushën ndërkombëtare. Profesori i Universitetit Georgetown, Robert Lieber përfundon duke thënë se vitet e fundit, “janë shtuar kërcënimet ndaj Amerikës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, rend të cilin ne kemi bërë aq shumë për ta ndërtuar”, gjatë dekadave. “Si përfundim”, shkruan ai, “Presidenti që fillon nga detyra më 20 Janar do të përballet me një detyrë të rëndë për të rivendosur aftësitë dhe kredibilitetin amerikan nga të cilat varet, jo vetëm sigurimi dhe vlerat e Amerikës, por edhe sigurimi i miqëve dhe i aleatëve tanë”.
Nga deklaratat e deri tanishme të presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të këshilltarëve të tij të politikës së jashtme, nuk është e qartë se cila do të jetë politika e jashtme e administratës së ardhëshme dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në botë gjatë mandatit të tij. Pikëpamjet e tija mbi politikën e jashtme nuk janë të qarta dhe kjo vihet në dukje edhe nga një sondazh i kohëve të fundit nga rrjeti televiziv amerikan CBS, ku, sipas të cilit, vetëm 46 për qind e amerikanëve shprehen se besojnë që Z.Trump i ka aftësitë të menazhojë një krizë ndërkombëtare, ndërkohë që 47 thonë se besojnë në aftësitë e tija për të përdorur forcën ushtarake ku dhe kur të jetë e nevojshme. Historikisht, sipas këtij rrjeti televiziv, sondazhi tregon se Z. Trump fillon nga një pozitë e dobët në këtë fushë. Por është tepër heret të bëhet një vlerësim dhe mbetet për tu parë se cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare gjatë katër viteve të ardhëshme të administratës Trump.
Prandaj, në këtë periudhë pasigurie të rolit amerikan në botë, mbetet shpresa tek Kongresi i Shteteve të Bashkuara për të ruajtur sado pak një balancë në këtë fushë, për të siguruar aleatët dhe për të paralajmëruar kundërshtarët, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndër mendë të tërhiqen nga roli i tyre historik në botë. Ky, në të vërtetë, ishte edhe mesazhi i tre senatorëve republikanë, John McCain, Lindsey Graham dhe Amy Klobuchar, të cilët bënë një turne në Evropë ditët e fundit, ndërsa vizituan shtetet baltike, Ukrainën dhe Gjorgjinë, me qëllim për të siguruar vendet aleate dhe partnerët se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin ato, pa marrë parasyshë deklaratat e Donald Trump-it për Putinin dhe dyshimet që ai mund të ketë shprehur në lidhje me organizatën NATO. Senatori veteran John McCain theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kundërshtojnë Vladimir Putinin dhe politikat e tija agresive ndaj vendeve fqinje, ndërsa senatori Lindsey Graham u shpreh gjatë asaj vizite në Evropë se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin më shumë sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste. Nepërmjet një deklarate të senatorit Graham, tre senatorët republikanë të Amerikës, u përpoqën të sigurojnë aleatët në Evropë për një rol më të fortë amerikan në politikën e jashtme duke theksuar se, “Mesazhi ynë për mbarë rajonin është se shpresojmë që në 2017-ën Amerika të bëjë më shumë. Do të bëjë më shumë në frontin ekonomik dhe ushtarak…Ne do të bëjmë më shumë kundër Rusisë. Ata u përpoqën të ndërhyjnë në zgjedhjet tona, ata po minojnë demokracitë në mbarë rajonin. Më shumë sanksione në sektorët energjetik dhe financiarë për t’u lënë të kuptojnë se ka arritur kulmi.”
Në librin e tij, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror” shkruan se, “Diplomacia është shumë më efektive kur mbështetet nga forca dhe nga vullneti për të përdorur forcën.” Gjuha e forcës është e vetmja gjuhë që kuptojnë tipat e Vladimir Putinit. Shpresojmë që Kongresi amerikan të insistojë në këtë të vërtetë dhe të rivendosë rolin amerikan në botë, ndërkohë që administrata e Presidentit Trump përpilon politikën e saj të jashtme dhe rolin që do të luajnë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare në muajt dhe vitet e ardhëshme. Është provuar herë pas here, gjatë shekullit të kaluar, se roli i Shteteve të Bashkuara në botë nuk mund të zëvendësohet nga askush tjetër. Shëmbulli më i mirë për këtë të vërtetë është rasti i Kosovës!