• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe përmasat e efektivit të ushtrisë së tij.”

May 3, 2023 by s p

Paulin Zefi/

Aty nga muaji maj i vitit 1444, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizoi një ushtri të përhershme, e cila përbëhej nga 8.000 trupa, që mund të plotësoheshin me një forcë rezervë prej 10.000 burrash, kryesisht kalorës të lehtë dhe të armatosur me shpata, heshta, shtiza dhe harqe me shigjeta, të cilët mund të mobilizoheshin me shpejtësi në kohë krize. Ushtarët më me përvojë ishin 6.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë të lehtë. Kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm, zakonisht forcat ushtarake arrinin nga 18.000 deri në 20.000 burra, por në raste të veçanta, numri total shkonte nga 30.000 deri në 35.000 veta. Kurse për çlirimin e kështjellës së Sfetigradit, më 1449, sipas Murgut Anonim Rus, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mblodhi një ushtri prej 38.000 vetash. Po i njëjti autor thotë se në betejën e zhvilluar me Sinan Pashën dhe më pas me Hasan Pashën, në Mokër (27 gusht 1462), ai mblodhi rreth 50.000 ushtarë. Këta dy njoftime nuk gjenden te asnjë autor tjetër apo në ndonjë burim dokumentar dhe natyrisht që në këtë rast, kemi të bëjmë me hiperbolizim. Grupimet e ushtrisë arbëre, që krijoi menjëherë pas zgjedhjes së tij si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë nga Lidhja e Lezhës, asnjëherë nuk kanë qenë të njëllojta në përbërje dhe në madhësi. Në varësi të situatës, terrenit dhe kushteve meteorologjike, ato përbëheshin herë prej 4.000 deri në 6.000 ushtarë, kur vepronin në dy drejtime dhe 10.000 deri në 15.000 kur veprohej vetëm në një drejtim. Në raste të caktuara, si për shembull në betejën e parë të Mokrës (1445), ka angazhuar vetëm 3.000-3.500 ushtarë, 2.000 prej të cilëve kalorës dhe ndërsa në betejën e Talmiranës (1448) vetëm 3.100 ushtarë: 2.800 këmbësorë dhe 300 kalorës. Grupimet e vendosura nëpër kështjella përbëheshin nga garnizone prej 400 deri në 2.000 këmbësorë dhe artilerë. Kur e kishin pyetur për numrin e vogël të ushtarëve që angazhonte nëpër beteja, sipas M.Barletit, ai ishte shprehur se: “Kapedani apo komandanti, që nuk di ta thyejë armikun me 8.000 ushtarë ose 12.000 e shumta, ai s’ka sesi t’ia arrijë me asnjë mënyrë fitores me forca shumë më të mëdha, sepse moria e forcave dhe mizëria e ushtarëve, kanë qenë më të shumën e herës shkak rrëmuje dhe pengesë për fitoren.” Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe te J.C.L.Simonde de Sismondi, C.C.Moore, A.K.Brackob dhe shumë historianë të tjerë. Edhe P.Giovio vëren se Kastrioti pohonte se fitoret nuk përgatiten me numër të madh, por me ushtarë të sprovuar dhe të përzgjedhur. Po ashtu, filozofi i madh i Rilindjes Franceze dhe një ndër personalitetet më me ndikim në Europën Perëndimore dhe më gjerë, Michel de Montaigne (1533–1592), shkruan se: “Skendërbeu, një gjykatës i mirë dhe shumë ekspert (bon iuge & tres-expert), ishte mësuar të thoshte se 10.000 ose 12.000 luftëtarë besnikë (dix ou douze mille combattans fideles) duhej të ishin të mjaftueshëm për një udhëheqës ushtarak, mbi të cilët ai do të bazohej për të garantuar reputacionin e tij me fuqinë e plotë të nevojës ushtarake.” Në fakt, edhe Sun Tzu shkruan, se: “Në luftë, të pasurit e një ushtrie të madhe në numër nuk përbën në vetvete një avantazh.” Në bazë të njoftimeve të shumta bashkëkohore, mund të arrihet në konkluzionin se Heroi jonë Kombëtar vlerësonte drejt sasinë dhe cilësinë e ushtrisë dhe në pamundësi për të shtuar numrin e efektivit ushtarak si rezultat i kushteve në të cilat ndodhej vendi jonë, ai i kushtoi një rëndësi të veçantë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përgatitjes politike-morale dhe luftarake të efektivit ushtarak që kishte në dispozicion. “Gjithmonë me një grusht njerëzish, ai vuri në arrati trupa të panumërta”, shkruan avokati francez dhe shkrimtari poligraf i shek. XVIII, Jean-Antoine Guer (1713-1771), i cili shton se: “Trimëria dhe forca e tij janë të njohura në mbarë botën.” Të gjitha fitoret kundër turqve osmanë, por edhe venecianëve (1447-1448) dhe anzhuinëve (1461-1462) u arritën kryesisht falë tmerrit që shkaktoi emri i tij në rradhët e ushtrive armike dhe ishte pikërisht ky emër i lavdishëm, i cili përbënte armën kryesore dhe më të fuqishme në arsenalin e ushtrisë arbëre. Prandaj është shumë i drejtë konstatimi i Jean René Durdent, i cili thekson se: vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, personalisht, vlente sa një ushtri. Ndërsa, Rev. F.X.McGowan, thotë se: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte një hero emri i të cilit vlente më shumë se një ushtri. Pra, si përfundim, mund të thuhet se ashtu si Aleksandri i Madh i Maqedonisë (356-323 p.k.) dhe gjenerali i shquar ilir i Perandorisë Romake të Lindjes, Flavius Belisarius (500-565), i cili njihet si një ndër “Ultimus Romanorum (I fundmi i Romakëve – P.Z.)”: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu demonstroi se njësitë e vogla ushtarake, të stërvitura mirë, të disiplinuara, shumë të lëvizshme, të sigurt në pajisjet e tyre dhe me besim të plotë në aftësitë e veta, por sidomos te udhëheqësi i tyre, janë përbërësit kryesorë, që garantojnë fitoren në luftë edhe kundër një kundërshtari shumë më të madh në aspektin numerik.

Filed Under: Rajon Tagged With: Paulin zefi

“Lufta Arbëro-Turke (1370-1571)”, një ndër luftërat më të gjata në historinë botërore!

April 13, 2023 by s p

Paulin Zefi/

(Një vështrim i shkurtër historik).

Për herë të parë, Arbëria u përgjak nga turqit selxhukë në vitin 1336 kur ata erdhën si forca mercenare të perandorit bizantin, Andronikut III Paleologu, për të shtypur kryengritësit arbër (1). Ndërsa ushtritë e para të turqve osmanë që shkelën vendin tonë, ishin ata që sulmuan Kosovën në vitin 1370, duke vijuar më vonë me repartet ndihmëse të jeniçerëve me të cilët princi serb, Marko Kraljeviç, sulmoi më 1375 qytetin e Kosturit, që asokohe e zotëronte Andrea Muzaka, por që vetëm falë ndërhyrjes ushtarake të princit të fuqishëm arbër, Gjergji I Balsha, rrethimi u ça dhe ushtria serbo-turke pësoi disfatë (2). Burimet lindore flasin për një fushatë osmane të zhvilluar në Arbëri po në vitin 1375, fushatë në të cilën kishte një tepricë aq të madhe skllevërish saqë, mbi plaçkën e tyre të rregullt, sulltani i dhuroi çdo ushtari turk një skllav arbër, pasi ai vetë kishte marrë një të pestën, siç urdhërohej nga Kurani dhe në imitim të profetit Muhamet (3). Ndërsa inkursioni i parë i madh osman, që depërtoi në thellësi të vendit tonë ishte ai i zhvilluar në Jug të Arbërisë në vitin 1380. Kjo ushtri osmane, e cila robëroi zotërimet e Gjin Zenebishit dhe Çamërinë, komandohej nga Isaimi i njohur si Shahin Beu ose Lala Shahini, që ishte thirrur për të shtypur arbërit nga despoti serb i Janinës, Thoma Preljuboviç, i njohur me pseudonimin famëkeq “Αλβανοκτόνος (Shqiptarovrasësi)” (4). Pushtimi osman i Arbërisë, në ndryshim nga pushtimi i shumë vendeve të tjera, nuk u realizua pas një fushate të vetme ushtarake, por ishte një proces i tejzgjatur në kohë, i cili siç u tha më lart, nisi në vitin 1370 dhe u mbyll vetëm në vitin 1571 me pushtimin e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, fuqisë më të madhe ushtarake të kohës iu deshën plot 201 vite luftë e stërmundimshme për të nënshtruar Arbërinë, çka e bën Luftën Arbëro-Turke një ndër konfliktet ushtarakë më të gjatë dhe më të përgjakshëm në historinë botërore. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se në kohën kur Europa doli nga Mesjeta dhe hyri në epokën e lulëzuar të Rilindjes, Arbëria u zhduk nga harta e shteteve të lira dhe u fundos nën zgjedhën e pamëshirshme të një fuqie barbare si Perandoria Osmane (5). Andej nga fundi i shek. XV, Arbëria e Mesme dhe ajo Veriore qenë shkretuar aq shumë nga dekada mësymjesh osmane e fushatash të mëdha sulltanore, saqë “Kultura e saj e lulëzuar katolike” e humbi bazën e vet qytetëse dhe u prapësua ndër male (6). Tregtia kaloi në stanjacion, qytetërimi u asgjësua dhe çdo lloj komunikimi me botën e jashtme u ndërpre (7). Me mijëra banorë të fushave u detyruan të kërkojnë strehë në malësitë e Veriut dhe kështu lindi një ekonomi blegtorale dhe një sistem i ri fisnor (😎. Kështjellat dhe qytetet, që kishin lulëzuar në epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me pallate dhe monumente të shumta, si: Petrela, Petralba, Stellushi, Sfetigradi, Tornaçi, Sarda, Drishti, Danja dhe Ulpiana, u zhdukën krejt (9). Ndërsa qytetet e tjera, si: Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Kanina, Berati dhe Gjirokastra e humbën rëndësinë e mëparshme dhe mbetën si hije të madhështisë së tyre të dikurshme (10). Po ashtu, vihet rè se pushtimi osman preku kryesisht popullatën që jetonte në zotërimet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe në viset e kontrolluara prej Republikës Veneciane, teksa Jugu u kursye prej shkatërrimit dhe për këtë arsye ndarja strukturore midis Veriut dhe Jugut të Arbërisë gjatë sundimit osman të vendit tonë do të kishte pasoja më afatgjata në shekujt në vijim (11). Për ta hedhur Arbërinë në këtë greminë, duke e shkëputur atë një herë e mirë nga “Respublica Christiana”, Perandorisë Osmane, siç u tha më lart, iu deshën plot 2 shekuj luftë e përgjakshme, ku në krye të fushatave të mëdha pushtuese apo atyre ndëshkimore u vendosën edhe vetë sulltanët, duke nisur nga Murati I, Mehmeti I, Murati II, Mehmeti II dhe deri te Bajaziti II dhe Sulejmani I ose Sulejmani i Madhërishëm. I pari, sulltan Murati I, e pagoi shkeljen e truallit arbër me jetën e vet, sepse u vra gjatë ose pas betejës së parë të Fushë-Kosovës (15/28 qershor 1389) prej bujarit arbër nga Drenica, Millosh Kobiliq/Kopiliqi/Obilić (12). Murati II dhe Mehmeti II, gjatë fushatave perandorake të zhvilluara në Arbëri kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 1448, 1450, 1466 dhe 1467, shpesh herë nga rrethues, u kthyen në të rrethuar. Ndërsa, sulltan Bajaziti II në vitin 1492, në Tepelenë (13), dhe sulltan Sulejmani I më 1537, në Himarë, ranë pre e atentateve të ndërmarra nga luftëtarët arbër dhe i shpëtuan vdekjes vetëm për një fije peri (14). Pavarësisht të gjithë këtyre përpjekjeve titanike të monarkëve osmanë për ta nënshtruar Arbërinë me çdo kusht, ata kurrsesi nuk mundën të realizojnë pushtimin e saj të plotë, sepse disa rajone malore dhe të populluara nga njerëz shumë luftarakë e të mirëorganizuar, si: Mirdita, Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Mërturi, Himara dhe Suli, arritën ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe të vetëqeverisen sipas normave të veta zakonore. Këtë fakt, përpos vetë burimeve osmane, e pohojnë në mënyrë të njëzëshme edhe shumë historianë perëndimorë, sipas të cilëve: kontrolli osman mbi malet e “Land of eagles (Vendit të shqiponjave)” do të mbetej indirekt dhe relativisht i lehtë (15). Po ashtu, edhe për ta mbajtur vendin tonë nën zgjedhën e robërisë deri në vitin 1912, Perandorisë Osmane iu desh të përballej me plot 65 kryengritje, shumica prej tyre lokale, por ata që morën përpjestime më të mëdha, rrezikuan ta çojnë këtë perandori të fuqishme deri në zgrip të rrokullimës. Midis viteve 1370-1571, kur Arbëria u përgjak vazhdimisht nga inkursionet dhe fushatat e panumërta të turqve osmanë, epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1443-1468) shënon fazën kulmore, më të përgjakshme, më dramatike dhe më të lavdishme të kësaj lufte të gjatë dhe heroike për liri dhe pavarësi. Heroi jonë Kombëtar dhe Mbrojtësi i pathyeshëm i Qytetërimit Perëndimor, arriti t’i përballojë dhe t’i shpartallojë njëra pas tjetrës të gjitha ushtritë turke të dërguara kundër tij apo të komanduara personalisht nga dy sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Murati II Kodja dhe sidomos Mehmeti II Fatih, në një kohë kur këto ushtri me përmasa të hatashme ishin në gjendje të gllabëronin të gjithë Italinë dhe shumë pjesë të tjera të kontinentit Europian. Vetëm falë tij, Perandoria Osmane ndeshi në Arbëri kufirin “nec plus ultra” përtej të cilit nuk mundi të shtrihej më tej drejt Perëndimit….

Bibliografia:

1)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 45-46; K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 215-216 & 223-226.

2)- K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra, f. 35-36.

3)- R.Ibrahim, Defenders of the West: The Christian Heroes Who Stood Against Islam, f. 238.

4)- K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 246; Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh: Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, f. 13-14.

5)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

6)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

7)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

8)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

9)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137-138.

10)- Ibid. f. 138.

11)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

12)- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 91-116.

13)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530: Burime osmane, f. 261.

14)- I.Zamputi, Rrethanat historike në të cilat u krye ekspedita e Bajazitit II në Shqipëri më 1492, në: Skënderbeu dhe epoka e tij, Tiranë: Naim Frashëri, 1967, f. 99.

15)- J.Tolan, H.Laurens & G.Veinstein, Europe and the Islamic World: A History, f. 134.

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin zefi

MUZEU I AT GJERGJ FISHTËS DO LARTËSOHET NË MADHËSHTINË E POETIT KOMBËTAR

September 10, 2020 by dgreca

Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore Lezhë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, punën e jashtëzakonshme për ndërtimin Muze të shtëpisë ku ka jetuar Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta, punën për restaurimin e Kishave dhe monumenteve të tjera në Lezhë. Me Paulin Zefin bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA.


MUZEU I AT GJERGJ FISHTËS, NGA HARRESA TE DALJA NË DRITË

Përsa i përket Shtëpisë ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht, përgjegjës për lënien e këtij objekti në harresë të plotë janë të gjitha qeveritë pas vitit 1991 dhe sidomos “Ministrat e Kulturës”. Nga viti 1991 dhe deri më 2008, ky objekt ka patur statusin si Monument Kulture i kategorisë së parë, por ende nuk kam arritur ta kuptoj arsyen ose qëllimin dashakeqës të vendimit që është marrë më 5 qershor 2008, duke i dhënë statusin si Monument Kulture i kategorisë së dytë. Megjithatë, ky vendim nuk është asgjë në krahasim me lënien kriminale në harresë për 29 vite me rradhë! Unë personalisht, duke nisur nga viti 2014, krahas fushatës mediatike intensive, lobimit nga të gjitha anët, dërgimit të projekteve dhe kërkimit të donatorëve, jam kujdesur me financat e mia modeste edhe për mirëmbajtjen e këtij objekti, hapësirës muzeale dhe 150 m rrugë, e cila e lidh shtëpinë me rrugën e asfaltuar. Siç e kam theksuar vazhdimisht në Media dhe po e perifrazoj, për periudhën 2014-2020, ka munguar vetëm leja nga ana e Ministrisë së Kulturës, sepse financat nuk kanë qenë kurrë problem. Edhe pronarët e objektit, të cilët i kam ndihmuar personalisht për të siguruar dokumentacionin e objektit në vitin 2015, kanë qenë gjithmonë dakord. Më janë vetëofruar me dhjetra donatorë dhe shumë të tjerë të cilëve u kam kërkuar ndihmë. Me to mundet të kisha restauruar dhe ndërtuar edhe 50 shtëpi dhe jo vetëm këtë objekt. As projektet sʼkanë munguar (dihet). Projektin e parë ma kanë kthyer mbrapsht në tetor 2014, kurse ky fundit që është miratuar me 18 shtator 2019 është konceptuar fillimisht nga unë, projektuar nga arkitekti-projektues, Dodë Zhuba, dhe preventivuar nga ing. Sokol Toma. Fati im i madh dhe sidomos i këtij Monumenti ishte se ish-Kryetari i Bashkisë, Z.Fran Frrokaj, me ka caktuar si koordinator i Bashkisë Lezhë për të bashkëpunuar me Qeverinë Shqiptare në lidhje me “Projektin e 100 fshatrave”, ku bëjnë pjesë Fishta dhe Ishulli i Lezhës. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2019, kam qenë i angazhuar personalisht me grupin e punës së bashku me Profesorë dhe studentë të Universitetit Polis, për punën në terren dhe hartimin e projekteve. Projektin për restaurimin e shtëpisë e kam dërguar dorazi në Ministri të Kulturës në mars 2019, por në muajin maj është përjashtuar nga prioritetet e Qeverisë dhe pas lobimit të vazhdueshëm pranë Ministres Elva Margariti dhe ndërhyrjes së Kryetarit të Bashkisë, Z.Pjerin Ndreu, ky projekt u rikthye sërish në vëmendje. Në terren erdhën specialistët e I.M.K. dhe hartuan variantin final, i cili është miratuar në K.K.R. më 18.09.2019. Pastaj e kam bërë publike më 23 tetor 2019, me rastin e 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës dhe lajmi u përhap me një shpejtësi të rrufeshme, duke ngrohur zemrat e shumë patriotëve, por sidomos të adhuruesve të të madhit “FISHTA”. Përsa i përket financimit të projektit, unë kam qenë gjithmonë i gatshëm nëpërmjet donacioneve, por Ministria e Kulturës vendosi të pranojë një donacion tjetër, atë të kompanisë “4A-M”, me president Z.Ardit Metaliaj, të cilin e falenderoj shumë. Pra, Ministria ka dhënë vetëm lejen, por financimin dhe punën po i kryen kompania “4A-M”. Procesi i punimeve tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe falë angazhimit intensiv të ing.Sokol Toma, me të cilin kam një bashkëpunim të shkëlqyer, po kryhet një punë shumë cilësore. Modestisht e them se në këtë objekt kanë kontribute deçizive vetëm 4 persona: 1) unë që jam angazhuar me të gjitha format prej 6 vitesh me rradhë, 2) Z. Pjerin Ndreu, i cili ka ndërhyrë për rikthimin e projektit në vëmendje, 3) Znj. Elva Margariti për miratimin e projektit dhe 4) Z. Ardit Metaliaj, i cili po financon dhe po kryen të gjitha punimet me paratë e veta. Të tjerët, i falenderoj shumë vetëm për mbështetjen e tyre morale, por mirënjohjen time më të thellë do ta kem gjithmonë për përfaqësuesit e Medias vizive dhe asaj të shkruar, e sidomos për gazetarët e nderuar të Lezhës, të cilët më kanë mbështur dhe vazhdojnë të më mbështesin në mënyrë të pakursyer. 

26 MONUMENTET E KULTURËS NË LEZHË

Brenda hapësirës integrale të Bashkisë Lezhë kemi 26 objekte të cilat gëzojnë statusin si Monumente Kulture, që në bazë të rëndësisë dhe vlerave historike e arkitekturore janë vlerësuar kryesisht si Monumente Kulture të kategorisë së parë. Natyrisht që në këtë territor kemi edhe shumë objekte të tjera, që janë asete shumë të çmuara të Trashëgimisë sonë Kulturore Kombëtare, të cilat nuk janë bërë ende pjesë e listës së objekteve të mbrojtura nga Shteti Shqiptar, por falë një fushate të cilën e kam nisur që në vitin 2014, kësaj liste i janë shtuar dhe do të vazhdojnë ti shtohen edhe shumë objekte apo site arkeologjike që i plotësojnë kriteret për ta fituar një status të tillë. Lezha ka një fat shumë të madh, madje mund ta konsideroj si një qytet të përkëdhelur nga fati, sepse përveç pozicionit të favorshëm gjeografik dhe peisazhit natyror, në zemër të qytetit ka disa asete me vlera të paçmueshme siç është Parku Arkeologjik i Lezhës, brenda të cilit përfshihen jo vetëm strukturat murale antike ilire të Lissusit të Sipërm, atij të Mesëm dhe atij të Poshtëm ose Breglumor, por gjithashtu edhe Nekropoli mesjetar, Kështjella jonë e hijshme dhe Katedralja mesjetare e Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut etj. 

LEZHA, NJË FSHAT NJË MONUMENT KULTURE

Pothuajse në çdo njërin prej 65 fshatrave të Lezhës, kemi Monumente Kulture ose Monumente Natyrore të mbrojtura nga Shteti, por edhe site arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme siç janë Tumat Ilire në Malin e Rrencit në Shëngjin dhe ato në Fushën e Papërdhokut në fshatin Kaluer. Po ashtu, kemi me dhjetra objekte kulti, duke nisur nga Bazilikat Paleokristiane dhe deri te Kishat e shumta mesjetare, por edhe me qindra kulla karakteristike të malësive të Veriut të Shqipërisë, banesa popullore qytetare apo fshatare etj. Për fat të keq pjesa më e madhe e këtyre aseteve dhe sidomos objektet e mbrojtura nga Shteti Shqiptar, si rezultat i mungesë së vëmendjes nga ana e institucioneve përgjegjëse kanë arritur një shkallë të lartë amortizimi, disa prej tyre janë rrënuar dhe shumë të tjera po rënkojnë që nga themelet. Në vitin 2014 kur unë mora detyrën si Përgjegjës i S.K.K.-Lezhë në D.R.K.K.-Shkodër, ndërmora menjëherë një fushatë intensive sensibilizimi në Media dhe me këtë rast falenderoj nga zemra të gjithë gazetarët e Lezhës dhe TV kombëtare e lokale. Paralelisht me fushatën mediatike u angazhova me të gjitha mundësitë për mirëmbajtjen e Monumenteve të Kulturës, duke nisur nga ato që ndodhen në vendlindjen time si: Shtëpia ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht, Kisha mesjetare e Shën Shtjefnit në Blinisht, Ura e Madhe ose Ura e Shkinës në Blinisht, udhëhoqa një ekspeditë arkeologjike me autorizim të Ministrisë së Kulturës në truallin ku ndodhej kulla në të cilën ka lindur At Gjergj Fishta dhe më pas, falë mbështetjes së miqve të mi donatorë vijova ndërhyrjet pranë Urës së Plakut Gjon në Rraboshtë, çlirova nga vegjetacioni dhe mbeturinat inerte e plastike rrënojat e Kishës mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit në qytetin e Shëngjinit (kjo nuk është M.K.), largova grumbullin e madh të mbeturinave të depozituara prej 27 vitesh pranë banesës popullore qytetare të Sali Bajram Zekës në lagjen Varosh (Lezhë), realizova ndërhyrjet e para mirëmbajtëse pranë banesës popullore qytetare të Esat Mlikës në lagjen Skënderbeg (Lezhë), po ashtu restaurova Teqenë N’Sulti, në Malësinë e Lezhës, fillimisht me financat e mia dhe i përfundova ato falë mbështetjes financiare nga miqtë e mi të nderuar donatorë. 

BUSTI I AT FISHTËS NË SHTËPINË E TIJ

Më 30 dhjetor 2014, falë një donacioni, ngrita bustin e At Gjergj Fishtës pranê shtëpisë ku ai ka jetuar periodikisht dhe gjatë intervalit kohor mars 2014 – tetor 2015, kam çliruar nga vegjetacioni i lartë dhe nga mbeturinat e depozituara në vite, të gjitha Monumentet e Kulturës që ndodhen në territorin e Bashkisë Lezhë. Të gjitha këto ndërhyrje i kam realizuar me 0(zero) mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, sepse raportet e mia me ish-Ministren e Kulturës, Znj.Mirela Kumbaro, janë karakterizuar vetëm përplasje të vazhdueshme, të cilat nisën për Shtëpinë ku At Gjergj Fishta ka jetuar periodikisht dhe kulmuan pasi kundërshtova vendosjen dhe bëra të mundur heqjen e pllakatit të sulltan Sulejmanit të madhërishëm nga porta kryesore (lindore) e Kështjellës së Lezhës, veprime, të cilat më kushtuan me largimin tim nga detyra më 16 tetor 2015. Fatmirësisht më 13 janar 2017, ish-Kryetari i nderuar i Bashkisë Lezhë, Z.Fran Frrokaj, të cilit do ti jem gjithmonë mirënjohës, më besoi detyrën e Përgjegjësit të Sektorit të Trashëgimisë Kulturore pranë Bashkisë Lezhë, detyrë të cilën e ushtroj edhe sot. Menjëherë pas emërimit në këtë pozicion kam nisur fushatën mediatike për rehabilitimin e plotë të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe me hartimin e projektit. Varianti i parë ka përfunduar në muajin mars 2017 dhe variantin e dytë, më të plotë, të konceptuar nga ana ime dhe të punuar nga ing. Sokol Toma, e kam dërguar dorazi në I.M.K. më 21 dhjetor 2017. Brenda pak ditësh ka ardhur në vend një grup pune nga I.M.K. dhe kanë nisur punën për hartimin e variantit final. I vetmi problem ka qenë mosrealizimi i plotë i disa ndërhyrjeve të parashikuara në projekt, sepse duke u arsyetuar për mungesë fondesh, Ministria e Kulturës “i cungoi” gjatë rrugës, dhe për këtë arsye unë u jam drejtuar për ndihmë donatorëve, duke bërë të mundur rehabilitimin e portës kryesore ilire të qytetit antik të Lissus-it, rindërtimin e plotë të  “Varrit simboli” në zemër të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe trajtimin e të gjitha objekteve prej bronzi.

MUZEU ETNOGRAFIK I LEZHËS

Përsa i përket ndërtimit të Muzeut Etnografik Lezhë pas 28 vitesh mungesë, i cili është një muze model në vendin tonë, realizimin e tij ja kam kërkuar Kryetarit të nderuar aktual të Bashkisë Lezhë, Z.Pjerin Ndreu, pikërisht që në ditën e parë kur ai ka marrë detyrën. Falë tij, i cili angazhoi menjëherë Zv/Kryetarin e Bashkisë Lezhë e mikun tim të nderuar, Z.Ermal Pacaj, stafin e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Drejtorisë së Shërbimeve pranë Bashkisë Lezhë, u bë e mundur një bashkëpunim dhe punë me të vërtetë e shkëlqyer, të cilën e finalizuam në një kohë rekord dhe ceremoninë e inaugurimit e kemi mbajtur pikërisht më 23 tetor 2019, në kuadrin e 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Impakti i krijuar në komunitet, media dhe në opinionin publik ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse njerëz të panumërt më përgëzonin dhe më falenderonin si brenda në muze, ashtu edhe në zyrë, në rrugë, në rrjetet sociale etj. Merita kryesore për ndërtimin e këtij muzeu, i takon pikërisht Kryetarit të Bashkisë, Z.Pjerin Ndreu. 

KISHA MESJETARE E SHËN BARBULLËS NË PLLANË 

Gjatë vitit 2019-2020 është bërë e mundur restaurimi i plotë i dy Monumenteve shumë të rëndësishëm: Kisha mesjetare e Shën Premtes në Balldre dhe Kisha manastirore e Shën Lleshdrit (Shën Aleksandrit) në Pruell, Spiten, e para falë donacioneve dhe angazhimit të klerikut katolik dhe studiuesit, Dom Nikë Ukgjini, dhe e dyta falë vetë banorëve të fshatit dhe angazhimit të klerikut katolik italian e famulliarit, Don Alessandro. Ndërsa aktualisht, po vijojnë punimet pranë Kishës mesjetare të Shën Barbullës në Pllanë, ku financimet ashtu si në rastin e Kishës së Shën Premtes në Balldre, janë siguruar nga Dom Nikë Ukgjini. 

PUNËT E MËDHA NË VAZHDIM

Prioritetet e mia për të ardhmen janë: 1) vendosja e shtatores monumentale të Heroit tonë Kombëtar, në Sheshin Gjergj Kastrioti, shtatore, të cilën së bashku me realizuesin e saj dhe skulptorin duarartë, Ardian Pepa, e kemi magazinuar në Tiranë dhe ka plot 18 muaj që po presim miratimin e lejes nga Ministria e Kulturës, 2) ndërtimi i një kompleksi muzeal te trualli i kullës ku ka lindur At Gjergj Fishta, 3) rikonstruksioni i plotë i Kishës mesjetare të Shën Shtjefnit në Blinisht, 4) ringritja e Kishës mesjetare të Shën Gjonit në Shëngjin ku e kam gjetur donatorin, por do ta bëj publike kur gjithçka të jetë gati për nisjen e punimeve, 5) rikonstruksion i Kishës mesjetare së Shën Gjon Pagëzorit në Mërqi, 6) rikonstruksioni i “Ndërtesës së Qelës” në Kashnjet dhe 7) konservimi e restaurimi i Urës së Plakut Gjon në Rraboshtë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Muzeu i At Gjergj Fishtes, Paulin zefi, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT