Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Fushata zgjedhore në Kosovë po arrin në finish. Liderët politikë po bëjnë një fushatë të kultivuar, pa sharje dhe fyerje. Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit shihet si dështim i plotë sa i përket luftës kundër korrupsionit, ndërtimit të shtetit ligjor dhe uljes së papunësisë e varfërisë. Aktualisht Kosova është një Lager në Europë dhe fakti se ishte viktima e fundit e një konflikti barbar nuk e ka zbutur aspak cinizmin e Europës e cila paçka se tani e tregon me gisht Hashim Thaçin për bëmat e tij – me të pati një romancë shtatëvjeçare. Nga ana e tij, Hashim Thaçi që nuk e çau kokën të kryejë detyrat e shtëpisë – në dukje ai ka mbajtur një raport loyal me SHBA.
Sipas të gjitha gjasave Hashim Thaçi do ta pësojë ashtu si Sali Berisha në zgjedhjet e qershorit të shkuar. Për ta parandaluar këtë disfatë Thaçi ka marrë masat e tij. Një segment i PDK-së sot gjendet i katapultuar tek VV. Si për të përgatitur aleancën e re që Thaçi ka në mendje – bashkë me AKR, partinë e Behxhet Pacollit.
Për aleanca po përgatitet edhe AAK, partia e Ramush Haradinajt. Për Haradinajn, zgjedhjet e 8 qershorit, janë të parat ku ai udhëheq fushatën e partisë së tij në gjendje të lirë, pas një gjykimi tepër të vështirë dhe të gjatë disavjeçar. Ai ishte kryeministër i zgjedhur nga Ibrahim Rugova në zgjedhjet e 2004, kur ndaj tij nisi procesi gjyqsor i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 2005. Vjet, kur u kthye nga Haga, u miklua prej Hashim Thaçit duke treguar gatishmëri për të hyrë me të në alanca qeverisese. Por Thaçi e mashtroi. Tani nga intervista që ka dhënë tek Zëri i Amerikës mësohet se ai sheh si aleatë LDK ose VV.
Nga ana e saj LDK – e ka provuar çmimin që i kushtoi aleanca me Hashim Thaçin më 2007, por edhe përjashtimi i aleancave në zgjedhjet e 2010.
Ndërsa bojkoti dhe abstenimi nga 45% – 55% i popullit të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 2007 dhe atyre të 2010 – është një fakt tronditës që tregon se populli e beson pak klasën politike në Kosovë dhe një kambanë alarmi për 8 Qershorin e 2014.
Isa Mustafa ka shans që të bëhet kryeministër i Kosovës duke llogaritur se i duhet të ndërtojë shtetin ligjor. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm duke mbajtur rreth vetes figura të pastra dhe me integritet. Isa Mustafa duhet të synojë fitoren e LDK-së, sepse humbja e tretë jo vetëm do ta shpartallonte partinë, por nuk do të ishte në të mirë të interesave kombëtare të Kosovës.
LDK ka burime njerëzore të pafundme. Ndërkohë raportet me SHBA dhe BE duhet të jenë në të njëjtën valë që i ka lënë Ibrahim Rugova. Kosova është vend në zemër të Europës dhe shqiptarët e Kosovës tek SHBA kanë Aleatin e tyre jetik.
Në këtë situate ku ndodhet sot Kosova, LDK-ja ka shansin që të jetë partia e parë. Zemrat e elektoratit rugovian LDK mund t’i tërheqë permes një imazhi të ri me figura të reja. Emrat e rinj dhe angazhimi i Donika Gërvallës është shans i LDK-së. Ndërsa projektimi aleancës – me cilën parti apo koalicion do të qeverisë – për LDK është obligative.
LDK ka të drejtë legjitime të përjashtojë VV, sepse Albin Kurti nuk e ka njohur kurrë rolin e Ibrahim Rugovës, pra është në pozita thellësisht ekstremiste. Po ashtu LDK ka të drejtë të përjashtojë edhe AKR, si aleatin e ngushtë të Hashim Thaçit.
Aleancë e PDK-së dhe VV është e dëmshme për Kosovën. E dëmshme dhe aspak e shëndetëshme për Kosovën edhe aleanca e AAK dhe VV. Në këtë kontekst LDK mund të hyjë në Aleancë me AAK, për ta vazhduar rrugën e nisur në 2004 nga Ibrahim Rugova.
Por të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova do të qeveriset vetëm me duar të pastra, pa klane, pa bajraqe, pa klientelizëm, pa intriga, pa politikanë me hipoteka, pa despotizëm. Isa Mustafa duhet ta administrojë mirë rolin që ka, të Njëshit të partisë, duke mos pranuar që të dalë në hije nga kasta e vjetër.
Zgjedhjet e parakohëshme, me një media të pushtuar nga oligarkët, e bëjnë shumë të vështirë komunikimin midis kandidatëve me Sovranin, por gjendja kritike e bën popullin e Kosovës që të jetë largpamës e t’i sfidojë të gjitha barrierat, për ta sfiduar të keqen – që Kosova të bëhet e të jetë ajo që meriton.