NGA PËLLUMB GORICA*/
Të shkruash për poetët është si t’i ngjitesh qiellit ngarkuar me një kal Pegasi. Kjo ndodh, sepse pena e tyre tret retë e mbarsura me rrebeshe e stuhi, shkrin dëborën që gufon përrenjtë e ndjenjave me fllad prilli, për të gjetur rrugën e bukur të krijimit shpirtëror.
“Era s’fryn si më parë”. Kështu e titullon vëllimin e tij poetik Qazim Muska. Fjala erë, nuk është thjeshtë një lëvizje ajri, por sintetizon në vetvete një simbolikë kuptimi epokal “para erës sonë”, pas “erës sonë “ e deri tek rrymat e reja ideologjike dhe filozofike, që lindin në një shoqëri të caktuar. Era s’fryn si më parë, do të thotë për poetin se po fryjnë erëra të reja; në shoqëri, në dashuri, në ekonomi, në filozofi e ideologji. Poeti sikur ka fuqinë dhe dëshirën e madhe që t’ua ndryshojë drejtimin erërave, të cilat fryjnë në një univers mendimesh dhe ndjesish. Kërkon të hap portat e një ere tjetër me vargjet e tij. Ndaj, ai është i shkrirë trup, mendje e ndjenjë me poezinë dhe në çdo kohë është një grimcë e pandalshme e saj, duke përcjellë shqetësimet dhe problematikat e saj. “Jam mali që barkun ma zbrazën me abort/ Jam deti që më prenë me gërshërë si letër/ jam pylli që më dogjën dhe ndezën cigar/ jam lumi që qaj për shtratin e vjetër”.
Në faqen 25 të vëllimit poetik“Era s’fryn si më parë”, të Qazim Muskës, ka një poezi të bukur ku qëmtimi i detajit të befason me simbolikën e përzgjedhur fëminore, që rrallë poet mund të ketë të tillë gjetje. Në funksion të përcjelljes së mesazhit artistik në këtë poezi, poeti përmend personazhe e autorë veprash shumë të dashur për fëmijë si Guliveri, Xhon Silveri, Tom Sojeri, Zhyl Verni, Anderseni dhe kur e lexon atë, pavarsisht nga mosha, gjithësecili bëhet për disa çaste fëmijë.
Poezitë e Qazim Muskës të ngjajnë si copra kronikash të shkëputura nga një jetë që gjallon paprerë, që mbartin edhe vuajtjet, kërkojnë dashurinë e sinqertë, dhe gjakosen për të drejtën, e cila nuk e shuan kurrë shpresën. Ndaj dehet nga një aromë luleje, kënaqet kur puth në gushë të dashurën, por jeton edhe me shqetësimin e madh të kohës. Më shkurt dhe më dhimbshëm nuk ka se si shkruhet më. Një përgjithësim i fuqishëm me një mesazh të qartë. Me këto vargje ky poet arrin të zjarrmojë çdo zemër rinore: “Kjo puthje nën gushë dogji dy buzë/ tek i fryu zjarrit të dashurisë shpuzë”. Ai rrok çdo grimcë të kësaj jete, me kafshët e njerëzit, me të mirët e të këqinjët, me sakatët e të verbërit, që të gjithë së bashku mbajnë në këmbë konturet e një poezia që rreket të ëndërrojë për një të ardhme më të mirë. Shumë prekëse në këtë drejtim është poezia për të verbërit.“Prej verbërisë suaj turpërohet drita/ Drita njerkë që s’iu ledhatoi kurrë”.
Durimi, shpresa, qetësia, admirimi, dashuria janë flladitje zemrash e mendjesh, që poeti i përdor për shtytjen e anijes drej lumturisë, ardhmërisë e ndjesisë njerëzore. Nga një ditë plot shqetësim e dashuri, nga imazhi i një vashe që puthet me të dashurin, tek Gërdeci shkatrrimtar, që mban fshehur dhimbjen, nga ushtari që rreshtin s’e mësoi dot, tek ikja e Eskilit dhe akrepat e orës, poeti sikur bën kapërcime të pakuptueshme, por në fakt është një kapërcim i këndshëm, se ai përdor natyrshëm si një urë ndërlidhjeje një ndjenjë të qelqtë, gjithmonë me një intimitet të brendshëm, duke e shkrirë atë bëhet një në madhështinë e të thjeshtës, e shprehur me plot ndjesi: “Ulem në prehërin e paqtë/Flutur mbi lule nektari/ Ti livadhi në pritje/ e unë blerimi në fije bari”. Shfleton faqet e lexon vargjet e këtij vëllimi dhe, për një çast, të duket vetja sikur je ulur në tavolinën plot, bashkë me tre shokët e tij, e pastaj ai ngrihet e vazhdon udhën, i përmallur nga dashuria për vashën që ka larg, dhe, duke qenë i shkrirë organikisht me ndjenjën e fuqishme të dashurisë, si themel dhe pregatitje të ripërtëritës së jetës, i kësaj jete sado të vështirë, shkruan: “Ndodh e ç’nuk ndodh me këtë jetë cinike/ aq sa më i tmerrshmi labirinth mund të mbesë/ E prap i dashuruar me këtë “armike/ Në dashuri si një dashnor dua të vdes”.
Poeti s’do t’i verë në peshore dashurinë me hipokrizinë, të mirën dhe të keqen, sepse është i vetëdijshëm për atë që ka zgjedhur dhe i përket e ardhmja, ndaj shkruan: “Se mësova dot sa peshonte dashuria/Hipokrizia sa peshonte se mësova kurrë/Ndaj mbeta udhëkryqit pa tabela/Barkë pa spirancë dhe flamurë”. Ai e ndjen veten njeri të palodhur të kohës, të zhvillimit, të progresit: “Aty jemi unë dhe ti/Një pikë një germë a një presje”. Poezia e Qazim Muskës është e ndjeshme, prekëse, frymëzuese, sepse materiali me të cilin është gatuar brumi i saj është mbledhur kudo, mes njerëzve të thjeshtë e zemrave plot dashuri, nën rrezet e argjendta të hënës dhe dallgëve përkëdhelëse të detit, në fijet e barit e zjarret prometeane, në ashpërsinë e meshkujve dhe delikatesën e vajzave e, kësisoj, ai nuk e shuan kurrë frymëzimin. Pra mielli me të cilin gatuhet ky brum është mali dhe fusha, gëzimi dhe trishtimi njerëzor, yjet dhe retë, shiu e rëra, gjethi e lulja, lisi e shkurrja, e shkuara dhe e ardhmja, dhe vetë poeti është një qelizë e tyre. Kryesorja për poetin është të ruhen themelet e pastra e të shëndosha, dhe të mbahet gjallë shpresa, se këto janë dy shtylla, që sjellin vetëm ripërtëritje, prill të përhershëm. Duke e quajtur prillin si simbol të shpërthimit të ndjenjave dhe ripërtëritjes, poeti shkruan aq bukur: “Prilli më dehu/por puthja jote ish gota e fundit/ që piva i etur/dhe dehur mbeta përherë”.
Qazim Muska dashuron, ëndërron, shpreson, dhe e sheh ngadhnjyes veten nëpërmjet ndeshjes së të kundërtave, duke i parë ato gjithmonë si burim zhvillimi. Duke parë se e kaluara është një histori plot trazira e marrëzira, zmadhime e dështime, poeti merakoset e kërkon që të mos trazohet ajo, dhe të mos merret me keqdashje asnjë me të. Aq më keq mos ngacmo dashurinë e kaluar, se ajo djeg përherë si prushi: “Të thashë mos i fryj zjarrit të fikur/ prushit të vjetër të ftohur disi/se ndodh të ketë mbetur ndonjë shkëndijë/ Mbuluar me hirin dhe pak marrëzi’’. Poeti ka një merak që e realizon ndjeshëm në poezinë e tij: Të jetë pjesëtar aktiv i kësaj kohe plot trazira. Ai me mish e shpirt kërkon të jetë pjesë e gëzimeve dhe dështimeve, i problemeve dhe fitoreve, i të rinjve dhe i pleqëve, i asaj kohe që iku dhe kësaj që jeton, ndaj kërkon të mbruhet me të gjitha dashuritë dhe urrejtjet dhe t’i shkarkojë ata për çdo njeri që i meriton. Ai kërkon që të mos e gjejë në gjumë asnjë e papritur, që të mos “ta vrasë koha ngadalë”. Ai asnjëherë nuk do të lodhet e përkulet, përveçse para mirësisë: “Prej dëlirësisë malin çoj në këmbë/dhe diellin lind nga dashuria/ në u përkulsha, në ndodhtë ndonjëherë/përkulem veç nga mirësia”.
Të tillë janë poetët, me mirësi, me ndjenjë, me natyrë, me dhimbje e me dashuri më shumë se të tjerët.
*Shenime per Vëllimin poetik “Era s’fryn si më parë” nga Qazim Muska
KALI LEGJENDAR I SULOVËS
NGA PËLLUMB GORICA/
Njeriu si pjesë e botës së gjallë ka zgjedhur me kujdes aleatët e vet në sigurimin dhe zhvillimin e jetës, duke zbutur e përshtatur kafshët për interesat ekonomike e të rëndësishme shoqërore. Por midis shumë kafshëve të zbutura si: qenin, macen, lopën, dhinë, delen, ai kalin e ka pas krah, dhe shok me të cilin qan hallet e jetës, duke e konsideruar atë si pjestar familje. Kali është kafshë e butë dhe e fuqishme, duke shërbyer më së miri edhe në situatat luftarake, të lidhura ngushtë me etapat e kaluara historike. Ishin të famshme kavaleritë e fuqishme të çdo ushtrie në shekuj. Ato përbënin pjesën më vitale, më të fortë dhe më shpresëdhënëse për fitore të sigurt se të gjitha pjesët e tjera të formacioneve luftarake.
Pegaso, kali fluturues, simbol i frymëzimit poetik
Në bashkëjetesën e kalit me njeriun, kali ka qënë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qënë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhësore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximëshme të ndenjave njerzore. Pegasi përfytyrohet si një kalë me fletë që fluturonte, me të cilin thuren shumë legjenda. Lindi nga gjaku i Meduzës kur e vrau Perseu. E ka përdorur Seusi për të transportuar rrufetë. Seusi e vendosi atë në qiell, në formën e yjësisë së Pegasit. Në një tjetër legjendë thuhet se mbi të hipnin Muzat. Si rezultat i lidhjeve me Muzat u bë për poetët e vjetër, por edhe ata të rinj, simbol i frymëzimi poetik. Kjo të bën të besosh për një traditë të lashtë, e faktuar edhe në dokumenta historike, botime të ndryshme, gdhëndje artistike në dru, gur, nw thurjet e qendisjeve, nw toponimet e shumta dhe histori gojore. Kali përmendet edhe në legjendat e mëpasëshme. Mjafton të përmendim Gurakën kalin, që e çoi profetin Muhamet lart në qiell, ku takoi Zotin.
Traditë dhe histori
Edhe në krahinën e Sulovës ka kushte të favorshme për mbashtrimin e kuajve. Që nga kohët e vjetra sulovarët e kanë çmuar kalin, më shumë se nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar. Studiuesi Petrit Basha thotë se “çdo sulovar ka në zemër një qoshe dashurie për kalin, ashtu siç çmon shumë gruan, dhe pendën e qeve, tri gjëra jetësore: Jeta (dashuria), Buka dhe kafshët, që e kanë shoqëruar në jetë.”
Në Enciklopedinë “Elbasani” është shkruar: “ Krahina e Sulovës është e njohur edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali i Sulovës’’. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që ze kjo kafshë fisnike, në Sulovë. Ato janë të shumta në vendbanimet e Sulovës si: Samari i Kalit, Qafa e Kalit në Kamuna; Sheshi i Pelave në Floq prej faktit që aty kullosnin gjithmon tufë pelash; Gropa e Kalit në Selitë; Gjurma e Mushkës në Qafë; Kalaj në Mollas, ku thuhet se dikur kalonte nje rrugë kuajsh; Guri i Kalit në Dasar, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierakike, sepse të mbaje kalë në Sulovë patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhëndjet e lashta në vendbanimet e Sulovës: Qyrkan, Qafë, Topojan, Dragot, në toponimet: Shkëmb, Goricë e Çalës, Goricë e Çobanit, Kllapë e Kuqe, Klos, Shkëmbi i Bletës etj, ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndenjë adhurimi dhe simpatie. Shumë nga ato janë shkatërruar pas viteve ‘90 nga babëzia e njerëzve, me mendimin se aty ku gjendeshin ato mos ndoshta fshihen thesare. Me interes ishte një gur i emërtuar “Gjurma e Mushkës”, diku në fund të Qafës së Madhe, afër një vendbanimi të lashtë për të cilën tregohet edhe një legjendë mistike, që ka ka ardhur e plotë deri në ditët tona, e lidhur me kalanë antike të Qafës në Sulovë. Ajo thotë: “Në kohën e pushtimit turk, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, për t’i shpëtuar turqve kur rrethuan muret, dhe kur e pa se nuk ishte në gjendje të mbrohej me luftëtarët e saj para asaj ushtrie të madhe në numër, kërcen së bashku me mushkën dhe fluturoi nga kalaja në një pllakë shkëmbore. Për të vërtetuar se ky kërcim, nuk ishte përrallë, dëshmon gjurma që ka lënë mushka gjatë kërcimit mbi këtë gur. Nga gjurma e dikurshme fatkeqësisht s’ka mbetur asgjë vetëm shenja të shkatërrimit.
Në krahinën e Sulovës, si gjithandej me kuaj zhvilloheshin gara, në gëzime familjare, në festa popullore, duke krijuar kështu një traditë vazhdimësie, edhe në kohë lufte ndër shekuj ato nuk ndërpriteshin. Këto lojëra të bukura luheshin në sheshe, kodra, pyje, e mjedise të tjera të vendbanimeve. Nga tematika kanë pasur karakter argëtues, edukues, shkathtësie dhe luftarake. Lojrat ia arrinin qëllimit në argëtime e pjesëmarrësve që sa më shumë të ishin, aq më të bukura zhvilloheshin . Ato kishin edhe si qëllim përgatitjen e të rinjve për të qenë të zotë në luftë. Të njohura ishin lojrat: Gjuajtja me pushkë majë kalit në vrapim, duke pasur si nishan vezë apo një gurë të vogël; kush arrin i pari largësinë e caktuar në vrapim; garë kush e merr kapelën në tokë nga kali, duke vrapuar etj. Këto lojëra në të vërtet se ç’kishin diçka të këndshme, ata lodheshin, e ndonjëherë dëmtoheshin, por ndjenin një lloj kënaqësie. Me kalimin e viteve këto lojra thuajse janë harruar.
Por kuajt përveç të tjerave janë përdorur në detyrimet shtëpiake, për punë të ndryshme në lëmenj, mulli, drutë e zjarrit, duke qënë se plotësonin edhe transportimin e materialeve luftarake, të sendeve të domosdoshme të tregëtimit në pazaret e kohës, në udhëtimet e gjata për të arritur kohën, si një mjet me leverdi të lëvizjeve nga njëri vendbanim në tjetrin, të lidhjeve me krahinat e largëta për halle, gëzime dhe miqësi. Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Sulovë zakonisht preferohej kal i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Sulovës nga pozicioni gjeografik që ka, kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje si Dumrenë, Vërçën, Shpatin, Myzeqenë, por ndahet prej tyre nga lumi Devoll, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvisnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Sulovari, Fatmir Miraka tregon një histori për Lame Darzezën, që kaloi nusen në lumin Devoll, të rrëmbyeshëm nga shirat dhe e çoi atë në krahinën e Vërçës pa krushq, se ishte ditë nusje, dhe këtë e bënte vetëm ai me kalin e tij. Po ashtu kujtohet pela e Sulë Kryemadhit në fshatin Zgjupë, që ishte një notare e shkëlqyer, edhe kur Devolli rrithte sasi të madhe uji.
Në përvojën e gjatë popullore për kalin si kafshë shtëpiake, të moshuarit shprehen: Kali, kur rrëzohej i zoti, kishte hije të lehtë, dhe nuk vritesh shumë. Ai ndalon menjëherë sikur të jetë me frena hidrualike. Ndodhte shumë herë që rrëzoheshin nga gomari e mushka, se ecin më shpejt, duke e dëmtuar të zotin, që thyente krahët a këmbët. Kështu që kush bie nga kali nuk vritet, ndërsa kush bie nga gomari dhe vdes. Kali nuk bëhet shejtan, ndërsa gomari dhe mushka, po. Kali e do të zotin e tij. Ai sa arrin te lum, i ul kokën e pi ujë, që të pakësojë ujin e lumit për të ruajtur të zotin. Nërsa gomari e mushka thonë se sa arrijnë te lumi, futen në të e bëjnë ujët e hollë, që të shtojnë ujin, e ai të mbysi të zonë. Kalin përherë e përkëdhelnin me emra të bukur: Doriu; Cilo; Balash, Kuqo etj. Kali merrte shpejt reflekset e të zotit, kur i thërriste në emër, kur i tregonte rrugën, vaun e lumit, por më interesant është ai i të ecurit revan si mënyra më komode e vrapimit pa u tronditur fare kalorësi. Ajo mësohej, duke i lidhur këmbët në një mënyrë që ai të vrapoj jo ‘’zdronkthi’’, e tronditëse, por me hap të vogël e të shpejtë. Ja ç’tregojnë burrat e moçëm të Sulovës për një nga pinjollët e fisit Cerriku, Çeçin. “Ai dilte gjithmonë fitimtar në të gjitha garat me kuaj. I hipte kalit dhe e bënte të fluturonte, duke i lënë pa mend të gjithë me guximin, shkathtësinë e tij. Po si çdo pasion tjetër kërkonte sakrifica. Ndaj sado të egër të ishin kuajt, ai dinte t’i nënshtronte”. Është i njohur kontributi dhe gadishmëria e tij, kur në vitin 1914 së bashku me 150 luftëtarë sulovarë, të gjithë hipur në kuaj u gjenden brenda tre orëve nga Sulova në Berat përballë ushtarëve shovinist grekë. Tregonin se kali i X apo Y ecte aq mirë revan sa i zoti pinte kafen në filxhan kaluar në kal dhe filxhani nuk derdhej. Ky refleks nuk ishte i lehtë, por qefliu për kal këmbëngulte aq shumë, duke e mësuar deri sa e realizonte, dpër të fituar zilin e të tjerëve. Vdekja e burrit dhe ngordhja (vdekja) e kalit, nuk dihen. Kali është ëngjëll, që e do zoti. Prandaj kali ka marrë urimet ose si me thënë bekimin e perëndisë. Kali është korrjer shumë i mirë, ngado që të jetë, kur i ndodh një gjë të zotit dhe ai mbetet vetëm kthehet shpejt në shtëpi dhe është sinjal se diçka ka ndodhur. Kali është bari shumë i mirë dhe për kopenë e bagëtiv, ai drejton dhe i ruan ato nga egërsirat, si dhe bëhet ortak edhe me qentë e tufës. Kali gjithashtu është paralajmërues i fatkeqësive, të ndryshimeve klimaterike. Ai ka shpëtuar njerëz e kafshë të tjera nga nepërka, lumi i rrëmbyer, guri në lëmë, nga furtunat, etj.
Kur të ruan hyqymeti*
Në një botim të kohëve të fundit lexon një episod interesant që ka lidhje me kalin në Sulovë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1914, në ditët e Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme.
‘‘Një sulovari i kishte humbur kali dhe ia kërkonte atë hyqymetit (pushtetit). Sulovarin e thirrën para këshillit të shtetit dhe e pyeti vetë Haxhi Qamili:
– Qysh të humbi kali?
-Unë po flija – nis ta sqarojë sulovari dhe kur u zgjova, se pashë më kalin. Nuk e di në ka humbur, apo ma kanë vjedhur.
-Po nuk pe gjë ti, i zoti i mallit, nga ta dijë hyqymeti?- ia ktheu Haxhi Qamili.
-Unë jam popull,- tha njeriu nga Sulova,- dhe kur populli fle, është hyqymeti ai që na ruan.
-Ti qenke njeri i mirë e me mend, – i tha Haxhi Qamili, – prandaj edhe kali do të vijë në shtëpi.
Dhe vërtet, pas dy ditësh ia gjetën dhe ia çuan kalin në Sulovë’’.
*Shkëputur nga libri ‘‘ Princi i gjullurdive’’ të autorit Endri Vajella, faqe 45.
Sulovari dhe kali – Marrëveshje e heshtur
Duke qënë kafshë intelegjente dhe e fuqishme, sulovari është kujdesur në mënyrë të veçantë për të: Në këtë kuptim jo të gjithë e mbanin kalin. Që do të thotë se ai që e mbante, e trajtonte mirë me pajime, e mbathte me patkonj cilësorë, me shalë meshine ose me samar të veshur me qylim, me fre të meshintë e me zingjina prej metali të zbukurur. Ashtu si paja e nuses që ruhej në një arkëz, edhe pajimet e kalit ruheshin në faqen e murit të katoit. Pastaj të mbaje kalë kërkonte që i zoti duhet të shkëlqente në veshje, e cila në përgjithësi dhe në shumicën e rasteve ishte e leshtë, por e dërstilur, dhe e qepur në avëlmend, që i thoshin kostum prej shajaku. Kjo tregonte që sulovari dallohej nga veshja e tij dhe pajimet e kalit, të cilat i kishte të veçanta, dhe binin në sy në çdo pazar ku shkonin, e sidomos të Beratit, Elbasanit, Peqinit, Lushnjës e deri në Korçë. Ishte rregull se, ai që mbante kalin nuk e jepte ta përdorte kushdo, pasi e kishte të shenjtë. Kali nuk ndërronte lehtë padron, vetëm për arsye madhore mund të jepej ai, e kjo ndodhte rrallë, sepse sipas filozofisë popullore kalit të huaj i këputet nënbishtja në ngjitjen përpjetë.
Nga ana tjetër kalin në Sulovë e mbarështronin për racën rezistente. Ndaj, kali i Sulovës preferohej nga karvanxhinjtë, mbasi ishte rracë e fortë, mban ngarkesë të plotë, ecën shpejt dhe ka jetëgjatësi. Ai është trupgjatë, shpatullgjerë, vithegjerë, qimekuq, drejtimin e shpatullave në një nivel me vithet. Shalët e mbrapme të hapura, gjë që i qëndron shumë peshës së rëndë. Kuajt krijonin racën e mushkës, duke kryqëzuar atë me gomarin, për rrjedhojë ato ishin pasardhësit e kalit nga forca dhe puna, por dhe të gomarit si mistrec e hamëspak. Të dyja këto bënin kombinimin me të shkëlqyer të plotësimit të interesave të njeriut e të sulovarit në veçanti.
Disa të dhëna fizike:
– Pesha e gjallë- 300 – 350 kg.
– Gjatësia e trupit- 138 – 158 cm.
– Lartësia- 165 – 170 cm.
– Rrethi i kraharorit – 143 cm.
– Rrethi i kërcimit – 16 cm.
Në vitet moniste, të kolektivizimit bujqësisë, kuajt u shfrytëzuan nga kooperativat në punime toke, transport materialesh, dhe në nevojat e ushtrisë. Është fakt i trishtë se ato nuk mirmbaheshin. Kjo solli që shumë veti të tij të humbasin. Por, me zhvillimin ekonomik e social të vendit, futjen në përdorimin të mjeteve mekanike në bujqësi dhe transportit urban, vlera e kalit ka rënë shumë. Kjo ndodhi edhe në Sulovë, por në kujtesën tonë, ata përsëri kanë mbetur si sinonime besnikërie dhe miqësie të përjetshme me njeriun.
GORA DHE NJERËZIT E SAJ
NGA PËLLUMB GORICA/
Krejt rastësisht më ra në duar gazeta “Beslidhja Gorare”. Organ i Shoqatës Kulturore Atdhetare të krahinës Gorë, Korçë. U befasova për shkrimet interesante dhe ridimensionimin e ri të kësaj gazete për t’i paraqitur në një kënd më të gjerë vlerat atdhetare të kësaj krahine. Ajo ka vite që botohet, si një nisëm e bukur buruese nga shpirti i banorëve plot vlera. E mbushur me copëza reale të jetës së njerëzve të njohur e të thjeshtë dhe të gjitha këto gërshetuar me foto artistike e natyrën mbresëlënëse, që të bëjnë për vete menjëherë. Po e them që në krye, se është guxim të marrësh përsipër të botosh një gazetë, në një kohë të tillë kur realiteti i kësaj bote komerciale dhe të ashpër globale, në rendjen e tij ka një indiferencë dhe shpërfillje, që nganjëherë për çudi shkon në mendime absurde. Ndryshueshmëria midis mendimit dhe realizimit është larg sa ç’është dëshira nga e realja. Por, duhet të guxosh që të bësh diçka e të vlerësohesh. Për fat të mirë, mendimeve progresiste u bëhen gjithmonë pararojë njerëzit adapt, duke gjetur mjetin e duhur për të revokuar traditat, historinë, vlerat, Besimi në vetvete është edhe një aftësi e njeriut që shmang të kundërtat, duke sfiduar opinione, paragjykime. Të nderosh kulturën, thesaret, punën, njerëzit, përpjekjet për liri, pavarësi, arsim, dije, kulturë, patriotizëm, etj, është detyrë tepër fisnike. “Beslidhja Gorare” tashmë është në pjesën e atyre gazetave që e duan të vërtetën, që promovojnë vlerat, ndonëse, përmes modestisë ajo pasqyron historinë e kulturën shpirtërore të krahinës së saj. Natyrisht dhe botimi i saj është mirëpritur dhe ka lënë mbresa në opinionin e gjerë publik, të nisjes së një rrugë të gjatë e pa kthim. Këtu besoj se duhet gjetur shkaku se përse u prit me aq kuriozitet kjo gazetë e vogël e modeste krahinore, duke bërë bujë, pa harruar vështirësitë. Është koha kur sot duhen propaganduar ato, përballë sfidave, që po fshijnë gjithçka pa mëshirë; si të kaluarën e largët, ashtu edhe të tashmen, sepse tek e shkuara dhe e sotmja janë ngulur thellë dhe ushqehen rrënjët. Kështu, në sajë të patriotizmit dhe atdhedashurisë, që rreh në zemrat e banorëve të saj, Gora në çdo etapë të zhvillimeve kombëtare, ka qenë pjesë përbërëse dhe faktor i rëndësishëm i ngjarjeve historike. Ngjarjet e zhvilluara aty e kanë bërë atë të njohur sa më tepër që kalojnë vitet me dëshmitë, dokumentat, dimensionet e legjendave që ngjajnë si të reja. Njëkohësisht për të gjitha këto ngjarje historike, ajo s’harron edhe figurat historike që kanë marrë pjesë me kontributin e tyre të pazëvendësueshëm dhe ndikimin e padiskutueshëm, duke luajtur rol të rëndësishëm si në jetën e krahinës, por edhe në lëvizjet patriotike e ngjarjet historike të kombit. Figura të tilla si: Kajo Babjeni, Ismail Derdusha, Xhelo Selca, Feim Zbogji, Ismail Strelca, Tosun Derdusha, Fetah Goca, Koci Plovishti, Cane Lozhani, Pasho Krushova, Pasho Kolaneci, Asllan Dolaneci, Telha Senishti, Teki Kolaneci etjer e kanë nderuar krahinën e Gorës.
Lashtësinë në krahinën e Gorës e dëshmojnë një numër i konsiderueshëm zbulimesh arkeologjike, mjaft dokumenta të vlefshme historike si dhe një numër i madh toponimesh. Të dhënat për historinë e hershme flasin se në këto troje ka jetuar fisi i Desaretëve, që lidhet me hershmërinë dhe autoktosinë e tyre. Por, historia e kësaj treve ka njohur nëpër shekuj mjaft pushtime, shkatërrime, djegie, shpërngulje, epidemi etj, duke u shndrruar kështu edhe në një shesh lufte mes ushtrive pushtuese. Shumë ndryshime kanë ndodhur në emërtimet, ndarjet administrative, por edhe të juridiksioneve. Këto ndryshime i ndesh edhe në toponimet e mikrotoponimet, të cilat dëshmojnë edhe për vendosjen e ardhacakëve (vllehëve). Por, Gora shquhet edhe për një florë dhe faunë të pasur, e cila pasqyrohet me një reliev të kombinuar me lartësi malesh, përrenj, pllaja, qafa, brigje, kodra. Krahina e Gorës dallohet për temperamentin e saj punëdashës. Blegtoria prej pyjeve dhe kullotave ka qenë mjeshtëria kryesore, sepse banorët përjetë kanë jetuar me mundin dhe me djersën e tyre. Në jetën e përditshme, në Gorë dhe nga gorarët lëvrohen ndenja të bukura për traditat, dashurinë, fisnikërinë, respektin e punës e sa ndenja të tjera të shpirtit njerëzor. Gorës dhe gorarëve asnjëherë nuk ju ka munguar bujaria, dhe mikpritja me krahinat fqinje dhe banorët e tyre, të cilën e ndjen edhe sot, të fortë e të patundur, si dikur gjyshërit e tyre me burimin e gëzimit të sinqertë të jetës, bisedave të ngrohta njerëzore, humorit shpotitës që t’i shkul të qeshurat nga thellësia e kraharorit, nga këngët, që duket sikur nuk shterojnë kurrë. Traditat, që ndër vite e deri më sot kanë ndryshuar e po ndryshojnë në funksion të zhvillimeve në raport me kushtet social ekonomike, kanë tretur çdo ditë e më shumë gjurmët e tyre shekullore. Si bartës të një tradite të pasur kulturore kanë thurur veshjet e tyre me karakteristika të veçanta. Festat e shumta popullore e familjare, si pjesë të kulturës së tyre i kanë bërë gorarët të shquhen. Fejesat, dasmat, dhe lindjen e fëmijëve, ata i kanë konsideruar si ngjarjet më të gëzuara të jetës së tyre, ndaj dhe i kanë kryer gjithmonë me rite të ndryshme, dolli, këngë, lojëra. E kjo u shfaq edhe në ditën e kulturës gorare, të cilën ata e kanë kthyer në traditë. Por, duke u mbledhur shpesh për të qenë pranë njëri –tjetrit me fjalën, këngët e vallet kanë përcjellë jehonën e vendlindjes së tyre, Gorës me histori, kulturë, natyrë e miqësi. Është fakt, që shumica e banorëve të Gorës këto 20 vitet e fundit janë shpërndarë në Shqipëri, por edhe nëpër shtetet e Europës deri në Amerikën e largët. Të detyruar të largohen nga vendi i tyre në kërkim të diçkaje më të mirë, mes vështirësive e mungesës së kushteve më elementare të jetës. Sa më shumë që kalojnë vitet kujtimi dhe malli shtohen për të kaluarën. E kur vitet ikin herë pas here është shkruar në faqet e gazetës “Beslidhja Gorare” me ndjenja të përjetuara e cila po lexohet dhe është mirëpritur, çka përbën padyshim një ndjenjë krenarie për gorarët. Pesë vite më parë me kënaqësinë jo vetëm kur u organizuan, por me gazetën ku komunikojnë, gorarët komentojnë t’u sjellë gëzime edhe të tjerëve e sigurisht ndjehen të lidhur ngushtë. Ndaj, kur lexojnë gazetën “Beslidhja Gorare” mësojnë më shumë për krahinën e tyre, duke marrë informacione të shumta për vendbanimet, ngjarjet, figurat patriotike, kohët e errëta, por edhe histori interesante të ditëve të sotme. Këtu sakrificat dhe kontributet nderohen e nuk harrohen, pa i hiperbolizuar ato, por të shkruara thjesht e bukur në episode, portrete, studime pa tejzgjatje, me një stil të ngrohtë. Një kontribut i veçantë e vlerë shpirtërore që i ngjan unikes në trajtimin e vëzhgimeve të jetës dhe hollësive të saj për gorarët, në hapësirën e duhur të kësaj gazete, duke kryer kështu një mision të rëndësishëm e natyrisht me efektin e vet. Kështu mund të shkruajmë për sesionin shkencor të realizuar për Beslidhjen gorare, të pesëmbëdhjetë kapedanëve të kësaj krahine më 1906. Plot intelektualë gorarë, të respektuar dhe të nderuar e midis tyre edhe Bujar Vila, Bashkim Jahollari, Elisabeta Kamberi, Bujar Bujari, Besim Shyti, Arben Roko, Haki Tahirllari, Adrian Tahiri, Bardhi Skënderi, Kujtim Gora, Albana Tahiri, Abedin Gora, Syrja Jahollari, Gentian Pere, Islam Bakollari, Fari Muçollari, Zane Llazi, Guri Mersinllari, etj, kanë sjellë diçka të re në botëkuptim dhe koncepte. Arti dhe kultura e kësaj krahine vjen e shkruar edhe prej penave krijuese të gazetarëve, poetëve, shkrimtarëve gorarë, të cilët sjellin vazhdimisht mushtin e krijimtarisë së tyre si: Koçi Tahiri, Ymer Nurka, Ergert Cenolli, Celnik Petriti, Zydi Kroi, Agron Agolli, Kozeta Zavalani, Bektazh Konica, Lumturi Ymeri, Nexhip Bashllari, Bardhi Sejdarasi, Qazim Muska etj. Koçi Tahiri për kontributin e tij si drejtues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Beslidhja Gorare” dhe gazetës me të njëjtin emër, patjetër meriton respekt të veçantë. Koçi është një burrë energjik dhe me një vrull si askush tjetër nga Gora. Ai është njëri nga ata gorarë që e ka dashur librin, kulturën, duke u bërë kësisoj autor i kryesor i botimit të saj dhe pesë librave. I njohur për këto aftësi dhe komunikimin që ka me të gjitha moshat, ka reflektuar kulturë përmes portretit gjurmëlënës, duke derdhur kontributin e tij më së shumti veçoritë e krahinës me shpirtin e dashuruar për vendlindjen. Në bisedë me të sigurisht mëson për vështirësitë, angazhimet shoqërore të shoqatës, por edhe të gazetës, e për më tepër që ajo botohet çdo muaj. I shfleton faqet e kësaj gazete, që të tërheqin me tematikën, pasqyrimin e jetës së krahinës, respektin për figurat e ngjarjet që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e kohës, si një dritare revokuese e traditave më të mira të saj. – Ne kemi vlera të shumta si krahinë- pohon Koçi me një krenari të ligjshme,- e duke revokuar ato ne jemi të përqendruar me misionin tonë. Ndaj, gazeta “Beslidhja Gorare” është më afër banorëve të krahinës. Ne mburremi me Gorën dhe kemi pse të mburremi se aty të çlodhen sytë nga gjelbërimi, të mbushen mushkëritë me ajër të pastër, të zgjerohet zemra nga kënaqësia për madhështinë e vlerave -të thotë me modesti
Cilido që është gorar, kënaqet me emrin e mirë të krahinës, me bukurinë e panoramat e saj, romantikën, traditat, përpjekjet për mbijetesë në kohëra dhe shpirtin e tyre, gazetën “Beslidhja Gorare”. Sigurisht është e pamjaftueshme të vlerësosh në këto pak radhë, të shkruara nxitimthi për Gorën, këtë krahinë të njohur e traditave luftarake dhe gazetën e tyre. Nuk mund të mos ndjehesh i kënaqur kur e përmend dhe vlerëson meritat, vlerat e tyre. Kjo tregon se sa mirënjohës do të jenë brezat që do të vijnë e do të shërbejnë për të ardhmen, duke ja rritur emrin më shumë e më mirë kësaj krahine.
ANATOMIA E DASHURISË NË VARGJET E NJË LIBRI ME LIRIKA
NGA PËLLUMB GORICA/
Poetin e metaforës së fuqishme, elbasanlliun Milanov Kallupi, e kam lexuar që herët, në moshë shkollore. Ishte aty nga fundi i viteve shtatdhjetë, kur ai shkroi poemën e bukur “Shmili im, tokë e kuqe” dhe mua më ka mbetur në mendje ai krijim i Milianovit. Jo për faktin e përdorimit të metaforës e të simbolit, për fuqinë shprehëse të vargut, se këto dihen, se janë në stilin e poetit, por për diçka tjetër. Për një gërshetim të bukur e shkrirje të natyrshme të traditave, historisë, shpirtit liridashës të shqiptarit me aktualitetin modern të kohës.
Pavarsisht se vëllimin e tij me lirika e titullon “Bohem”, Milanovi nuk bëri kurrë një jetë bohemi, por e kërkoi të bukurën dhe të mirën kudo. Luftoi dhe sakrifikoi me dinjtet për të dhe e përvetsoi artistikisht, duke i bërë ato pjesë të shpirtit dhe të mendimeve të tij. Në poezitë e tij rrjedh shqetsimi i ndershëm i intelektualit dhe qytetarit të këtij vendi, shqetsim që shtrihet që nga kozmosi e burrat e shtetit e gjer tek njerëzit e thjeshtë e fijet e barit.
Vëllimi “Bohem” ndahet në katër cikle me tituj metaforikë si “Sikur bota të kish veç Hemera”,“Floriri i shpirtit”,“Trillet e erës” dhe “Kurora prej Lari”, të cilat i bashkon në një të vetme mesazhi se “njeriu duhet ta jetojë jetën, me gjithë trillet dhe dinakëritë e saj, me gëzimet dhe lumturinë njerëzore, duke lënë në këtë jetë gjurmët e tij prej humanisti e artisti.’’
Qenia e poetit e shkrirë në gjithë natyrën e ambientin ku jeton, në të cilin mendon dhe merr frymë për gjithcka, që i jep jetë jetës, ku merakoset për dritën dhe të ardhmen, të dashurën dhe shpresën, duke luftuar me shpirt e vargje arrësirën: “Yjet i mbledh të gjithë nëpër duar/ të ndez, të prushuroj trupin tënd o natë !”
Poetit i vjen keq për çka nuk ka mundur të realizojë, ndaj mban ndezur shpresën. E mpreh vargun e tij plot metaforë të ndez me zjarr malli poetët, që të glorifikojnë cdo gjë të bukur e të mirë, përpiqet të ruajë ekulibrin e shekullit dhe të arrijë të zbusë sado pak dhëmbjen e kësaj bote me zërin e tij brilant:“Ku-ku ti qaj. Për ty mëshirë! / ndjej sonte unë që zgjuar rri / brengën që ke, oh kam dëshirë / ta shkul në heshtje me poezi”.
Poeti është i ndërgjegjshëm për praninë në këtë botë të trazuar edhe të të mirit edhe të të ligut, për të janë në lëvizje edhe Hemerat edhe Erebitë, edhe Hiret edhe Eriset, por ai kërkon të gjejë shpirtmadhësinë e njeriut, frymëzimin e poetit, që të mos endet kurrë në një boshllëk, e të mos cënohet kurrë dashuria dhe mirësia, drita dhe bamirësia. Ai ëndërron një ditë të bardhë pa Eris, ndaj shkruan:“Ja që ka dhe në botë Eris/ aq Eris sa mos flerë në Olimp/ të gjithë letrat edashurisë i gris / dhe grindja i sëmbon thellë në shpirt/ A do të vijë ajo ditë që pa Eris / ta kërkojmë ne botën përjetë/ A do rritet njeriu i lire/ Dhe zemrën sa qielli ta ketë”.
Këto janë thjeshtë retorika që poeti kërkon të nxjerrë nga të kundërtat e realitetit , se ai realisht është optimist e patjetër bota kështu duhet të jetë, e bukur, pa sherre, pa grindje, pa shpifje. Ai gërmon në honet e lashtësisë e mitologjisë dhe çmitizon të mitizuarën, bisedon me figura fantastike e mbretër kapriçiozë dhe këmbëngul, që prej tyre të nxjerrë vetëm mezazhe paqeje, dhe dritë zemërbardhësie dhe mirëkuptimi, jo për ta arratisur njeriun në botën e parajsës, por për të ruajtur ekuilibret e këtij shekulli kryeneç.
Mbreti Amfion, Niobën me shtatë vajza e shtatë djem, Dionisi, Laokonti që e mbysin gjarpërinjtë e pabesisë, Agamemnoni e Klorida, të gjithë këto qenie mitologjike, poeti i zbret në sofrën e poezisë, dhe u jep gjak të pastër njerëzor, për t’u dhënë të gjithëve mesazhin e madh, se bota mund të bëhet e të eci përpara vetëm nga njerëzit e mirë e plot shpresa.
Metafora dhe simboli, krahasimi dhe hiperbola janë në funksion të përcjelljes së mesazheve të mirëkuptimit dhe dashurisë, të besës dhe rindërtimit, dhe të bëjnë të jetosh çdo grimcë të kësaj jete dhe të krenohesh me një poet si Milanov Kallupi. Ai shqetsohet për gjithçka, e sikur shkul damarë zemre, kur shkruan i prekur thellë nga eksodi, nga një copë atdheu që ikën:“Bregu qan porsi vajtojca/ flokët shkul e ulërin/ Po më turren gjithë kockat/ Edhe trupi po më ngrin./ Breg o breg, o det i zi/ rrudhesh mplakesh për hata/ o unë krejt ty do të pi/ o fund jeta këtu ka ”.
Nuk ka si të mos jetë i pranishëm në vargjet e poetit, këngëtari i madh elbasanas, Isuf Myzyri, që e shkriu jetën e tij si ashik i këngës së bukur popullore: “E bridhka e qetë sot zemra / përtej … e në dheun e nënës / veç portën të hapur e mbake / Nuk mehet kjo sofër e këngës”.
Thelbi i gjithë mesazhit të librit është poezia “Shpirti i mikut” me të cilën aludohet për jetë bohemi, gjë që ka sintetizuar edhe titullin e librit:“Një raki një gotë verë /me ca njerëz krejt të dlirë / të kujton se ndonjëherë /shpirti bëhet zog i lirë”.
E veçanta është ,se poetit i pëlqen mënyra e brishtë se si e ka ndërtuar jetën e tij secili në këtë botë, poetesha e lashtësisë Safoja dhe Lasgushi i madh, këngëtari e kurbetliu, zogu e flutura, e poetët e çdo stili i kanë kënduar me mënyrën e tyre këtij vorbulli të madh që quhet jetë, dhe që ka të pranishëm edhe arixhofkën, edhe të papunin edhe lypsin edhe zonjën me qen, edhe servilin edhe spiunin, edhe i afti edhe i drejti, ku secili e koncepton jetën dhe e shijon atë ashtu siç i pëlqen dhe siç e mendon: “Jam lart e poshtë visoresh të pafundme/ jam ajër zog nën diejt e nën retë jam gjeth gjethnajash/ hijesh krejt të murrme/ Përmbi shëmtitë jam ëngjëll me dy fletë”.
Ndaj ai e vlerëson dashurinë si më të madhërishmen, kur e krahason të dashurën e zemrës me hyjnitë e magjistricat e legjendave:“Ti më je Venera Afërdita/ Ti më je Driadë ja ç’më je/ Asnjëherë sytë nuk ti shqita/ Të marrosur pas gjithmonë më pe”.
Dashurinë ai e donte konkrete të prekshme, të nxisë botën për përtëritje, ndaj ai zbriste nga qielli Nimfa e Najada, shtojzovalle e Afërdita, dhe dëshiron ta kthejë vargun burim që rrjedh dashuri, se dashuria për poetin është themeli i ripërtëritjes së botës. Ai pasi i ka kërkuar të gjitha qeniet e figurat mitologjike për të krahasuar bukurinë e vajzave,menjëherë i largon ato nga vargu, se mbizotërues bëhet bukuria e vajzave që jetojnë përreth poetit: “Ç’duhen nimfat e ujit e çduhen/ në u dashtë të mbytesh diku/ më mirë mbytesh në sytë e vajzave/ që ecin shpenguar rrugëve këtu”. Dashurinë poeti e cilëson flori të shpirtit, duke bërë një sintetizim shumë domethënës. Ai rrok parametrat që ka një dashuri e vërtetë dhe duke qenë marathonomak këmbëgjakur i saj, e bën atë të matshme e të prekshme: “Syri, yt e dogji diellin/ piu lumin,thau detin”. Dhe të arrish dashurinë e vërtetë, duhet mund e djersë, duhet ndershmëri e zemërkthjelltësi, se sipas poetit “duhen 100 shkallë gjembash mes dhëmbjeve e mundimeve, që të arrish tek dashuria e vërtetë”.
Poeti jetonte me një merak që ishte dëshira e tij e zjarrtë për ta poetizuar jetën deri në qelizat e saj kur shkruante në poezinë “Porosi”: “Si deng hidhëmëni / Në zbrazëtirën e varrit/ Nëse s’jam përgjëruar / Dhe për fijen e barit…”.
Milianov Kallupi mbetet poet i të gjithëve. I tokës e i qiellit, lumenjëve dhe detit, i barit, e i luleve, i luftës dhe i djersës.
EDITH DURHAM – “MIKESHA E PËRJETSHME E SHQIPTARËVE”*
NGA PËLLUMB GORICA/
Krahina e Sulovës, që shtrihet rrëzë malit të perëndive, Tomorrit hijerëndë (në pjesën veriore dhe perendimore të tij) në shekuj nuk i ka shpëtuar syrit të huajve. Udhëtarë, studiues, historianë, ushtarakë të lartë, shkrimtarë, inxhinierë, të kombësive të ndryshme: anglezë, austriakë, italianë, gjermanë, francez, etj. Dhe nuk janë të paktë ata që kanë shkruar: Ami Bue, Pukvili, Johan Georg Fon Hann, Edith Durham, Gjergj Veith, Dayrrell Oaklej Hill, D Thurn etj. Janë interesante përshkrimet e tyre. Një pjesë, duke e përmendur kur ua donte qëllimi apo misioni i caktuar, të tjerë, duke shkruar me mbresa nga natyra, dukuritë, gjëndja sociale e ekonomike. Përshkrimet e Edith Durham flasin për këtë krahinë, me imtësi interesante dhe informacione për gjeografinë, ndërtimet, traditat, karakterin origjinal të banorëve, probleme të kohës siç ishin gjakmarrja, mjerimi i ulur këmbëkryq, për vështirësitë e udhëtimit etj.
Edith Durhami udhëtoi nëpër shumë krahina, fshatra, qytete, male, fusha e lugina lumenjësh të territoreve shqiptare. Asaj i pëlqente të futej në krahina të thella, rrallë të shkelura. Duhet theksuar se ishin udhëtime të rrezikshme e me plot të papritura, dhe sidomos për një grua në vështirësitë e gjëndjen që ndodheshin territoret shqiptare në atë kohë. E frymëzuar nga gjeografia, historia, mikpritja shkroi me simpati për popullin shqiptar, për virtytet e larta morale, të besës, zakoneve dhe trimërive të tyre, por edhe gjëndjen ekonomike, sociale, fetare, etj. Edith Durham ishte realiste me dëshmit e saj për të cilat janë të domosdoshme të dihet më shumë për të kaluarën tonë tragjike. Edith Durhamin e kanë përshkruar si mbretëreshë e pakurorëzuar të çështjes shqiptare. “Mikesha e përjetshme e shqiptarëve.” e cilësonte Faik Konica. Mbreti Zogu i Parë e dekoroi me titull nderi me motivacionin: “Ajo na fali neve zemrën e saj dhe fitoi si këmbim vëmëndjen e malësorëve tanë.”
Po kush ishte Edith Durham? Eksporatore, humaniste antropologjike rreth jetës në trojet ballkanike. Lindi më 1863 në Londër. Ajo rrithte nga një familje e madhe dhe e pasur angleze. Edith ishte më e madhja nga 8 fëmijët e kirurgut Artur Eduart Durham. Pothuajse të gjithë nga shtatë vëllezërit dhe motrat e saj u bënë të njohur në profesione të tilla si mjekë, inxhinier, avokat, mësues. Në moshë të re, shëndetlige, me vullnetin e përkulur, Edith Durham udhëtoi në Ballkan. Ajo bëhet dëshmitare e shumë ngjarjeve historike në Ballkan, rreth të cilave shkroi 7 libra, duke u fokusuar më shumë në çështjet shqiptare. I tregoi qartë botës për Shqipërinë dhe shqiptarët në një kohë kur kombi ynë rrezikohej të shuhej, e kur villej vrer nga armiqtë, e sidomos kur i kanoseshin rreziqe të shumta si në Jug nga shovinistët grekë ashtu dhe në Veri nga serbët e malazezët, që kishin shkelur trojet tona e kryenin masakra ç’njerëzore kundër popullsisë së pambrojtur. Dihet nga historia se në fillim të shekullit XX, dyndja e ushtrive ballkanike dhe ndërluftuesit e Luftës së Parë Botërore e vunë fatin e Shqipërisë në tehun e mbijetesës. Perandoria turke e dobësuar shumë, ndodhej në buzë të greminës dhe në territoret me popullsi shqiptare i kishte ditët e numëruara. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia sipas një marrëveshjeje midis tyre, shfaqën lakmitë grabitqare për përvetësimin e tokave shqiptare.
Edith Durhami udhëtoi nga Berati në Elbasan, brigjeve të lumit Devoll , Sulovë në fillim të shekullit XX(viti 1906), e shoqëruar nga një suvari (xhandar kalorës). Nga botimi “Brengë e Ballkanasve’’ faqe 293-294 po sjellim përshkrimin e saj:
…“U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit, unë me kalin tim më të dobët që kam parë, sepse ai as vraponte, as mundte të ecte, por lëvizte gjithnjë duke u hedhur. Nuk mërzitem nga hedhjet e një mëzi për një farë kohe, por kur kjo zgjat për 12 orë rresht është e lodhshme. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.
Suvaria (xhandar kalorës), një djalë i qeshur i zhdërvjellët i cili e quante udhëtimin tim çështje sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht. Tha se përveç një pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim ai tha që shpresonte që të mos hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu ai shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë ai nuk banonte për gjatë rrugës që do të kalonim në, por po ta shihte njeri mund ti zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.
Të gjithë burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdarë (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatarë me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “veri gishtin kokës, jam unë këtu” Jeta në këtë krahinë është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja të cilat ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kish mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë ? Suvaria nuk e dinte ndoshta kishin armiqësi gjaku. Po të kenë qenë ashtu ata duhet të kenë qenë të marrë që s’kanë qenë të armatosur. Që të dalësh jashtë pa qenë i armatosur në këto rrethana është aq budallëk sa si të dalësh jashtë pa pasur ombrellë në Angli dhe pastaj të ankohesh pse u lage. Gjykatësit i kishin çuar në ferr. Ky një vend paganë, që quhet Myslim, por as kishte as xhami, prift a hoxhë. Nuk gjendet në katundet e shumta të shpërndara nga të gjitha anët.
Në çdo kryqëzim degësh të pemëve gjatë rrugës ka të vendosur nga një gur si shenjë për të përforcuar besimin e njerëzve. Ata vendosën mbi degët që të mos shkelin për çlodhje njerëzit e tyre të vdekur kur kalojnë fluturimthi. Ndër të gjitha rrugët ka shumë nga këta gurë, më duket se edhe qiraxhiu im vendosi një mbi degët e një lisi.
Kur thirren ushtar njerëzit e kësaj krahine shpesh e deklarojnë veten të krishterë për t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksa se jemi myslimanë.
Më në fund zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajua që më dha ky më detyroi të ndjek nga pas pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë, porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim në mes qiparisave që na dukej se nuk do të mundeshim ti aviteshim kurrë…”
Duhet të shkruhet e të rifreskohet kujtesa për miken tonë të madhe Edith Durhamin, për këtë zonjë të devotshme, që vështroi deri në imtësi e admirim të vërtetën e popullit tonë të vuajtur, por fisnik dhe fatin e tij tragjik nga shumë padrejtësi të mëdha ndaj kombit tonë në fillim të shekullit XX.
*“Mikesha e përjetshme e shqiptarëve.” Thënie e Faik Konicës
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »