Nga Murat Gecaj/
Në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në kryeqytetin Tiranë, u organizua përurimi i librit publicistik, shkruar nga Harallamb Kota, “Pendat shqiptare dhe shkundja e harresës”. Redaktor është Albert Zholi dhe hyrjen e ka bërë vetë autori. Pjesëmarrës ishin poetë, shkrimtarë e publicistë, kolegë e miq të autorit etj.
Veprimtarinë e hapi moderatori A.Zholi, i cili nënvizoi disa nga vlerat kryesore të këtij libri të ri. Pastaj e mori fjalën historiani, prof. Hysen Kordha, i cili nënvizoi që, me këtë libër, autori na sjell në kujtesë, për mos harresë, ngjarje të rëndësshme dhe figura të ndritura të historisë sonë kombëtare, me mesazhin aktual për t’i njohur sa më mirë dhe për t’i përcjellur brez pas brezi.
Ndërsa folësit shprehnin mendimet e yre rreth këtij botimi, në ekran jepeshin pamje filmike, sidomos nga udhëtimet e autorit H.Kota nëpër vende e pranë simboleve përkujtimore, me rëndësi të veçantë historike kombëtare. Kështu, të tilla ishin: pamjet nga Vendvarrimi i Skëndërbeut, në Lezhë: monumentet e Bajram Currit (Tropojë) e Isa Boletinit (Shkodër), bustet e Vëllezërve Frashëri, Monumenti i Shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë etj.
Në vazhdim, e morën fjalën, poeti e publicisti Çelik Petriti dhe studiuesi Memush Habilaj. Ndër të tjera, siç dëshmohet në këtë libër, ata treguan se edhe gjyshi i autorit, Llambi N.Kota zhvilloi veprimtari të çmuar atdhetare, si ndihmës në punimet e Kongresit I të Manastirit dhe delegat në Kongresin e Dibrës etj. Më parë, H.Kota kishte botuar dhe përmbledhjen poetike, po me këtë tematikë, “Im atë”(Tiranë, maj 2014).
Po kështu, folësit Kastriot Bezati e Bashkim Qeli nënvizuan se autori na e jep të dokumentuar bukur, veprimtarinë atdhetare të familjes së tij, nga Kalaja e Baratit, në vazhdimësinë e katër brezave. Rreth këtij libri u shrehën edhe pjesëmarrës të tjerë, në këtë perurim.
Në mbyllje, autori Harallamb Kota i falënderoi përzemërsisht, si folësit e pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbrësëlënëse dhe nënshkroi mjaft libra, që ua dhuroi atyre me dashamirësi. Po kështu, së bashku morën pjesë dhe i vijuan bisedat në koktejin, që ai kishte shtruar, me këtë rast.
Tiranë, 08.11.2014