Nga Albana M.Lifschin*/
Shkalla e Poezisë Zotëri, bujarisht, nga ai fron perëndie ku qëndroni Ju , më lëshuat një shkallë. Ngjitu, më thatë. Por a mundem? Tek ju shoh Ju aq lart, Ndjej të më merren mend. (2010) Si e njoha unë Ali Podrimjen… Ka qenë fund tetori i vitit 2009 kur mora mesazhin e parë elektronik nga Ali Podrimja ku më shkruante se kishte lexuar dy herë librin tim me poezi ”Dje preva flokët” dhe se përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer mjaft poezitë e shkurtra. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte që të ndiqja rrugën e poezisë eliptike. ” Unë e respektoj një artikulim të tillë dhe e përkrah sepse aty është edhe mëncuria krijuese si dhe bukuria e artikulimit. Mendoj se kësaj rruge duhet të ecni dhe këtë ta bëni për hir të vet poezisë, e cila duhet të jetë një filigranizëm. Ndiqni rrugën e poezisë eliptike, filigramit zonjë. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe” Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar, por askush si Podrimja deri atë kohë, s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjsisë që duhet të kemi kur vëmë penën në letër. Në mesazhin e Poetit dërguar në postën time në e-mail, në 31 dhjetor 2009, lexova: “Ajo që më gëzon është se poezia juaj gjithnjë e më pak ka fjalë të tepërta. E shoh se Ti dallon shumë nga poetet e tjera të hapësirës shqiptare. Artikulimi yt poetik sa vjen e bëhet më interesant për lexuesit. Urime poeteshë dhe suksese gjatë vitit që po trokasim.” Mendoj që këshilla e tij “për të hedhur tej nga trupi i poezisë fjalët e tepërta” ishte një mesazh që i drejtohej të gjithë poetëve. Në faqet e Jetës së Re në 60 vjetorin e saj, në mbyllje të vitit, qenë botuar disa poezi të miat. Atë kohë jam frymëzuar e kam shkruar poezinë kushtuar Ali Podrimjes “Shkalla e poezisë”. Ai më dërgoi një mesazh falenderimi me mirënjohje ku shprehej se kishte mbetur ‘pa tekst’, “sepse lexoja një poezi të rallë”. Në letrën e 26 Janarit 2010, Ali Podrimja, më shkruante: “Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë Tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të ekliptizmit dhe kjo më gëzon. Ju lutem filloni t’i sistemoni nëpër cikle dhe ta krijoni librin e ri të cilin do t’ma dërgoni para botimit.” Dhe kështu ndodhi që unë pata fatin që Ali Podrimja, Poeti ynë kombëtar, të përgatiste për botim vëllimin tim poetik “Ka gjithmonë diku” duke shkruar edhe parathënien e tij. Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për të inkurajuar poetët. Koha është e çmueshme për të gjithë, por edhe më e çmueshme për përfaqësuesit e vlerave tona kombëtare. Ne ua respektojmë kohën atyre. Por Ali Podrimja nuk e përdorte atë vetëm për poezine e tij . Ai jepte kohë nga koha e tij edhe për krijuesit e tjerë, të rinj apo të vjetër qofshin, dhe kënaqësia që i jepte kontributi për ta ishte e madhe. Kështu mund ta përjetojë vetëm ai që ka shpirt fisnik. Ali Podrimja ishte vazhdimisht në kërkim të së bukurës në letërsi duke e ndjerë si “obligim ndaj poetëve, por edhe si guxim moral” ndërkohë që na udhëhiqte si POET dhe si NJERI. Ali Podrimjen e njoha personalisht pas botimit të librit, kur shkova në Prishtinë për ta falenderuar e shprehur mirënjohjen time. Nuk e kisha parë asnjëherë. Më priste ne aeroport bashkë me kolegen e Radios Vera Pelaj. Kisha lexuar kryeveprën e tij Lum Lumin, dhe kisha mbetur sa e drithëruar aq edhe e mrekulluar. Kisha lexuar esetë tek “Sfida e harrimit “ kisha parë kulturën, artistin e fjalës dhe fisnikërinë e shpirtit. Duke përfunduar këtu, desha të citoj kritikun Bashkim Kuçuku kur tha:”Ali Podrimja, nuk jeton vetëm poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe. Për dhjetra vjet duke punuar si redaktor në Shtëpinë botuese ‘Rilindja’, Podrimja ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe ngritjen cilësore të saj….në vëllimet e shumtë që ka redaktuar, të disa brezave, është edhe inkurajimi, “ndërhyrja’ apo qortimi mjeshtëror i tij…. Me këto ndihmesa, krahas poezisë së vet është bërë poeti më autoritar dhe më i përkujdesshëm ndaj krijimtarisë së poetëve të tjerë, sidomos të rinjve. Nuk është e rastit që pikërisht Ali Podrimja, ka patur dhe vazhdon të ketë dishepuj, më tepër se çdo poet tjetër i ditëve të sotme.” Ali Podrimja u largua papritur nga ne tre vjet më parë, por Poeti i Madh vazhdon e do të vazhdojë të lëshojë shkallë inkurajimi për krijuesit ,siç shprehej ai ”për hir të poezisë , për hir të letrave shqipe”.
- U shkrua në kohëpërcjelljen e poetit kur ndërroi jetë. Botohet me rastin e 5 vjetorit te largimit nga jeta te poetit/