PSE DEKURAJOHET DIASPORA TË INVESTOJË NË VENDLINDJE?!/
Kohëve të fundit në botën e mediave malaziase po bëhet një fushatë e egër mediale ndaj familjes Mehaj.
Diaspora nga Plavë-Gucia dhe më gjerë me vëmendje është duke vëzhguar se si orkestrohet kjo fushatë me qëllim të caktuar që të dekurajohen vëllezërit Mehaj, por edhe të tjerët, se shqiptarët nuk na qenkan të mirëpritur me kapitalin e tyre që të investojnë në vendlindje.
Vëllezërit Mehaj në SHBA janë dëshmuar të suksesshëm në botën e biznesit, sepse këtu çdo gjë bëhet dhe është rregulluar dhe qartësuar me ligje funksionale dhe të zbatueshme për çdo qytetar.
Po këtë praktikë ata aplikuan edhe në vendlindje duke bërë dhe vepruar ashtu si kërkohet nga ligjet lokale në Plavë-Guci.
Na befason fakti se si vallë tërë ky presion medial bëhet duke tentuar të cënojnë integritetin e investitorit, duke u marrë me fabrikime dhe akuza e shantazhime të nivelit ma të ulët.
Fondacioni Plavë-Guci me seli në New York – SHBA dënon ashpër këto kërcenime ndaj bashkëvendasve tanë vëllezërve Mehaj, të cilët njëkohësisht janë antarë dhe aktivistë të dalluar të komunitetit tonë të fuqishëm në SHBA. Këto veprime janë shembulli ma i keq se si të mirëpriten investimet e mërgatës tonë në vendlindje.
New York, 3 Shtator 2014