Vecojmë nga Protesta e Federatës Panshqiptare të Amerikës për lirimin e ish Kryeministrit Ramush Haradinaj para Ambasadës Franceze në Washington D.C me 9 Janar 2017/Njeriu që shikoni në qendër të fotos është Shaqir Salihu. Këtë flamur që mban në duar ai e valviti i pari në Kosovë, në vitet e vështira, kur simboli i shenjtë kuq e zi ndalohej nga regjimi serb. Por ai e valviti. E valviti i pari në demonstratat e vitit 1968. Pastaj në Itali dhe në Amerikë me dhjetra, për të mos thënë qindra herë dhe nuk po ndalet. Sot, në vitin e 75-të të lindjes, Shaqiri ende e valvit flamurin e Skënderbeut. Të hënën, më 9 janar, ai erdhi para ambasadës së Francës në Uashington me këtë flamur kombëtar në duar, për të protestuar kundër arrestimit të ish-Kryeminstrit të Kosovës dhe ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj. Shaqiri është betuar për këtë flamur; ai dëshiron t’u thotë bashkatdhetarëve në Kosovë se, ndonëse sot askush nuk të ndalon ta valvisësh atë, ky flamur ka një kuptim të madh: Ai i fton të gjithë për vigjilencë dhe për të mos harruar sakrificën e gjakut që u derdh për Kosovën dhe për trojet shqiptare.
PS: Shaqir Salihu është anëtar i Vatrës në Degën e Washingtonit.