• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serwer: Shfuqizimi i Speciales me pasoja serioze për Kosovën

January 8, 2018 by dgreca

Nga Arlinda Kqiku/

Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do të përcillet me pasoja serioze për Kosovën, pasi që, sipas tij, marrëdhëniet me SHBA-në dhe me BE-në do të jenë shumë më problematike

Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale do t’i bënte marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe me Bashkimin Evropian (BE) shumë më problematike dhe kjo do të kishte pasoja serioze për vendin.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, duke shtuar se liderët kosovarë po sillen sikur të jenë të kërcënuar nga Gjykata.

Pas dy dështimeve që kjo çështje të procedohet në Kuvend në fund të vitit të kaluar, Serwer shpreson që një përpjekje e tillë të mos realizohet gjatë këtij muaji, ashtu siç po pritet të ndodhë pas kthimit të deputetëve nga pushimet e fundvitit.

Analisti amerikan gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka folur edhe për mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, me ç’rast ka vlerësuar se ky është një veprim i pamatur politik, pasi Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave me BE-në.

Ndërsa sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka thënë se një marrëveshje e tillë duhet zbatuar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij”, ka potencuar Serwer.

Zëri: Z. Serwer, në fund të vitit të kaluar Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka tentuar që ta procedojë në seancë të Kuvendit iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por një gjë e tillë ka dështuar. Gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë pas dy javëve. Si e komentoni rikthimin e kësaj çështjeje përsëri në Kuvend pavarësisht kritikave të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare?

Serwer: Mendoj se nuk është e mençur që Kuvendi ta rihapë këtë çështje, por është një organ i zgjedhur në mënyrë demokratike e sigurisht ka të drejtë ta bëjë këtë gjë.

Liderët kosovarë veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata

Zëri: Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është kritikuar ashpër edhe nga zyrtarët e lartë të BE- së dhe së fundit edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pse mendoni se është tërë ky insistim i liderëve kosovarë në kundërshtim të plotë me partnerët ndërkombëtarë?

Serwer: Duhet t’ua bëni liderëve kosovarë këtë pyetje. Ato veprojnë sikur të jenë kërcënuar nga Gjykata qoftë në mënyrë gjyqësore, apo në mënyrë elektorale.

Zëri: Nëse shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale a rrezikon Kosova t’i ngrijë raportet me SHBA-në dhe me BE-në?

Serwer: Jo, por do t’i bënte ato marrëdhënie shumë më problematike. Nuk ka dyshim se do të ketë pasoja serioze.

Zëri: A mund Këshilli i Sigurisë së OKB- së ta autorizojë këtë Gjykatë nëse Kosova refuzon drejtësinë ndërkombëtare?

Serwer: Ndoshta, por jo si gjykatë e Kosovës.

Zëri: Presidenti Thaçi ka qenë përkrahësi më i madh i kësaj gjykate, ndërsa tashmë është shndërruar në kritikuesin më të madh. Pse ky ndryshim në qëndrime, a ndërlidhet sipas jush me aktakuzat potenciale ndaj liderëve kryesorë?

Serwer: Duhet ta pyesni atë.

Zëri: Cilat do të jenë pasojat për Kosovën nëse këtë muaj shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale?

Serwer: Ju do të duhet të kërkoni përgjigje nga përfaqësuesit zyrtarë të SHBA-së dhe të BE-së në këtë pyetje. Unë mund t’i imagjinoj të gjitha llojet e pasojave, por nuk e di se çfarë planifikojnë të bëjnë Brukseli dhe Uashingtoni.

Zëri: A mendoni që ka gjasa që një tentim i tillë të realizohet apo pritni që të dështojë përsëri?

Serwer: Me të vërtetë nuk e di. Shpresoj që përpjekja të mos realizohet.
Asociacioni, në përputhje me vendimin e Kushtetueses

Zëri: Pavarësisht ftesës së SHBA-së dhe të BE-së, Parlamenti i Kosovën nuk po arrin ta ratifikojë as Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Duke e pasur parasysh që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është kusht për liberalizimin e vizave, si e shihni veprimin politik të palës kosovare?

Serwer: Gjithashtu ky është një veprim i pamatur politik. Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave.

Zëri: A mendoni që Kosova është afër ta marrë liberalizimin e vizave?

Serwer: Sa afër, po aq larg.

Zëri: Asociacioni i Komunave Serbe në anën tjetër është një marrëveshje e arritur me Serbinë, e cila ka stagnuar. Janë serbët në anën tjetër që kërkojnë që kjo marrëveshje të zbatohet sa më parë, si e shihni ju një gjë të tillë?

Serwer: Shpresoj të shoh zbatimin në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Edhe këtu Kosova ka shumë më tepër për të fituar nga zbatimi i programit sesa nga braktisja e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: pasoja serioze, per Kosoven, Serwer: Shfuqizimi i Speciales me

SHBA, rol të pazëvendësueshëm për Kosovën

November 18, 2017 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj verëson lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë/

-Në Bruksel, ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/1 Ramushok

 -Për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është i pazëvendësueshëm/

 -Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel/

 1 ok Bruksel-17 11 2017

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 18 Nëntor 2017/ Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, të mbajtur dje në Bruksel, prej nga u kthye sot në Prishtinë, ndërsa theksoi edhe se për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm.

Në një konferencë shtypi, pasditen e sotme, kryeministri kosovar theksoi se,  “axhenda evropiane e Kosovës ishte tema e takimit” dhe se në Bruksel ka bërë ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit të ri evropian në 17 shkurtin e vitit 2018.Në konferencë u bë e ditur se, në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, i cili u kryesua nga kryeministri, Ramush Haradinaj dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, “është biseduar për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”.

Kryeministri Haradinaj njoftoi edhe për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit,  Johannes Hahn, në të cilat janë paraqitur të arriturat dhe qëndrimet e Kosovës për perspektivën evropiane.

“Është me rëndësi të theksoj se në të gjitha këto takime kemi shfrytëzuar mundësinë të raportojmë për punët e bëra në 22 prej prioriteteve të Axhendës së Reformave Evropiane, njëkohësisht për prioritetet e identifikuara për vitin 2018 dhe për qëndrimet tona në përputhje me temat që janë me rëndësi, siç janë zhvillimet rajonale dhe dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai bëri të ditur se në çdo takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.

“Unë e kam shfrytëzuar rastin të shpreh qëndrimet tona e të cilat janë se vërtetë është krijuar një shpërputhje në rajonin tonë, ku trajtohen në mënyrë më të privilegjuar disa vende dhe ka një vonesë sidomos me Kosovën. Kur vendeve tjera iu lajmërohet edhe viti i anëtarësimit në BE ose procese të përshpejtuara drejt BE-së, Kosova është në fazën më të vonë, vetëm MSA-ja dhe po ashtu është privuar nga e drejta për qarkullim të lirë që është e drejtë e domosdoshme në Kosovë, pra qarkullimi pa viza”, u shpreh kryeministri Haradinaj.Kreu i qeverisë kosovare theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës.“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha kryeministri Haradinaj  në konferencën për shtyp.

 “Këshilli i Stabilizim Asociimit  shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” , e cila “është në thelb të marrëdhënieve midis BE dhe Kosovës”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.
Para nisjes së kryeministrit drejt Brukselit, qeveria e Kosovës të mërkuren e kësaj jave ka miratuar dokumentin për qëndrimin shtetëror në takimin e dytë  për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në  në mbledhjen e 10 nëntorit ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Axhendës Evropiane për vitin 2018”.
“Angazhimi dhe puna e mirë e qeverisë në përmbushjen e Axhendës Evropiane do të krijojnë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri  Haradinaj.
Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka mbajtur takimin e parë në 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të re të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, theksonte komunikata nga Brukseli.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar Komisioner Hahn,

Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,

E nderuar Ambasadore Apostolova,

Kolegë të nderuar,

Ju faleminderit për mirëpritjen tuaj sot në Bruksel në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë fundamentale të procesit të integrimit evropian si interes strategjik shtetëror. Procesi i integrimit evropian gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët tanë që nga vitet e 90-ta.

Dëshiroj të theksoj, ashtu siç edhe kam deklaruar, se Kosova nuk shkon në BE, Kosova bëhet BE.

E nderuara zonja Mogerini, i nderuar Komisioneri Han,

Me 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Jubileu i parë si shtet sovran. Me këtë rast dua që t’ju ftoj që të dy për të qenë pjesëmarrës në festimet tona gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Ftesat zyrtare do t’i pranoni në kohën e duhur.

Qeveria e ka pranuar si parim udhëheqës dhe themelor aderimin në BE. Për më shumë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018. Në këtë veprim ne do të koordinohemi ngushtë me institucionet e BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ishte një hap i rëndësishëm përpara. Me sukses kemi vendosur marrëdhënien kontraktuale që shërben si bazë për reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik; reforma këto që do të jenë me dobi për qytetarët tanë dhe që çojnë drejt marrëdhënieve edhe më të fuqishme me Bashkimin Evropian.

Jam i vetëdijshëm për kapacitetet zbatuese, por jam duke punuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës dhe ato sektoriale me qëllim të funksionalizimit të MSA-së dhe ARE, në mënyrë që të rezultojë me një afat të qartë kohor për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme para se Kosova të marrë Statusin e vendit kandidat për BE. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qartësim të rrugës së integrimeve dhe detyrë e kësaj qeverie është që të rikthejë shpresën tek populli i Kosovës, me qëllim të shmangies së një vale të re të migrimit, të trazirave sociale dhe të dëshpërimit.

Që nga marrja e detyrës, Qeveria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në zbatimin e reformave kyçe të identifikuara në Agjendën e Reformave Evropiane. Jam i përkushtuar për një qeveri që bazohet në performancë, e udhëhequr nga rezultatet dhe llogaridhënia. Prioritetet e mia kryesore janë: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit, Ekonomia, Shëndetësia dhe Arsimi.

Deri më sot, institucionet kanë bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha 22 prioritetet e ARE-së. Duke pasur parasysh se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe me qëllim të përshpejtimit  të reformave në vitin 2018, u kam kërkuar të gjitha ministrive përkatëse që të vendosin një kurs të qartë dhe të matshëm veprimi për vitin 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përparimi ynë në realizimin e reformave të MSA-së do të matet në bazë të veprimeve konkrete.

Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës. Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë,  qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por poashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.

Këtë vit kishim zgjedhjet e para në të cilat votoi për herë të parë gjenerata e lindur pas vitit 1999. Është e paqartë për ta dhe plotësisht e papranueshme se Kosova vazhdon të jetë një çështje e pakryer. Ka konfuzion në mesin e popullatës së Kosovës dhe ekziston një vakum i cili po të mbushej në mënyrë jo të duhur do të kërcënojë stabilitetin. Gjeneratat e reja të Kosovës jetojnë në teh të radikalizimit dhe dëshpërimit.

Jemi fuqishëm të përkushtuar për të çrrënjosur aktivitetet kriminale dhe efektet negative në shoqërinë tonë.

Qeveria e Kosovës ka intensifikuar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri i rasteve të targetuara, ngritjes së aktakuzave, vendimeve të shkallës së parë, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të shqiptuara është rritur vazhdimisht që nga viti 2016, duke dëshmuar vendosmërinë e fuqishme të Kosovës për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:

·         Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;

·         Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;

·         Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;

·         E përgatitëm shoqërinë;

·         Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.

Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet.

Në aspektin rajonal, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet duke synuar avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne i respektojmë fqinjtë tanë dhe presim të njëjtën edhe nga ata. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran dhe të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ne do të sillemi si të tillë. Pa dashur që ta theksojmë asnjë çështje, por ne do të veprojmë vetën si shtet Sovran.

Ne besojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë por fillimisht duhet t’i bëjmë të ditura dy gjëra:

·        E para, ky dialog duhet të ketë një epilog të përcaktuar në kohë,

·         E dyta, duhet të ketë përfshirje të SHBA-së. Ne filluam zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet e 90-ta së bashku me SHBA-në dhe BE-në dhe ne besojmë se duhet të qëndrojmë së bashku deri sa Kosova të bëhet çështje e kryer.

Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, përmes garantimit të dialogut nga BE dhe SHBA. Kosova beson se kjo garanci dhe përcaktimi kohor i dialogut do të përmbyllet me njohjen reciproke nga të dyja vendet.  

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë nuk është vetëm në interes të Kosovës por është imperativ i kohezionit politik, ekonomik e social për të gjithë rajonin.

Me Marrëveshjen për Bashkëpunim Rajonal, Kosova pret që të marrë pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në përgjegjësitë e saj dhe të flas për veten e saj në të gjitha takimet rajonale. Është e papranueshme që të dëgjojmë nga Serbia se si dialogu dhe stabiliteti është me rëndësi për rajonin, ndërkohë që në anën tjetër ajo në mënyrë proaktive lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti në mekanizmat e sigurisë – INTERPOL dhe EUROPOL.

Në këtë rrafsh, në përputhje me Kornizën e Agjendës Evropiane, na kërkohet në vazhdimësi që të ngrisim bashkëpunimin me EUROPOL-in. Deri tani kemi arritur progres të konsiderueshëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale bashkëpunuese. Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL dhe EUROPOL sa më shpejt dhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Serbia duhet menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet që e bllokojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto organizata.

Ne nuk mund të flasim për përparim dhe mirëbesim përderisa Serbia vazhdon me këtë sjellje!

Dhe për fund, më lejoni t’ju falënderoj për bashkëpunimin dhe dialogun tuaj në vitin 2017. Ne kemi përfunduar me sukses të gjitha takimet nën ombrellën e MSA-së. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e paepur të bërë nga ju dhe ekipet tuaja, veçanërisht Ambasadoren Apostolova për sinqeritetin dhe ndihmën e saj praktike ndaj institucioneve të Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen. 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: per Kosoven, Ramush Haradinaj, rol të pazëvendësueshëm, SHBA

GRANT I MADH AMERIKAN PËR KOSOVËN, HARADINAJ PRET OLMSTEAD

September 19, 2017 by dgreca

-Për tri vjetët e ardhshme do të investohet një shumë prej 49 milionë dollarë, që është granti më i madh amerikan që nga paslufta, në fusha shumë të rëndësishme për ekonominë kosovare.Në 13 shtator 2017 presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Kosovës marrëveshjen me  Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për mbështetje me mbi 49 milionë dollar

1 delegacionet ok11 Grant2 Grant ok

Prishtinë, 19 shtator 2017-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të udhëhequr nga udhëheqja e ekipit për Kosovë, Sarah Olmstead dhe koordinatori nacional, Petrit Selimi.Pas takimit, është mbajtur një konferencë e përbashkët për media.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë nënshkrimin e marrëveshjes, që do të ndikoj në kursimin e energjisë, në efiçiencën e energjisë, si dhe në përmirësimin e jetës së të rinjve në Kosovë.

“Është një lajm i mirë për Kosovën nënshkrimi i një marrëveshje për grant për Kosovën, Fondi i Sfidave të Mileniumit. Biseduam për efektet e kësaj marrëveshje që do t’i ketë në Kosovë, veçanërisht për të gjitha ato efekte që do t’i ketë në kursimin e energjisë, në sferën e efiçiencës në energji, por edhe në drejtime të tjera të jetës sonë. Jam i bindur, se me lajme të tilla, do të konfirmojmë që të rinjtë tonë mund ta bëjnë jetën në Kosovë dhe jo të kërkojnë shpresë në vende të tjera”, tha kryeministri Haradinaj.

Udhëheqësja e ekipit të Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë, Sarah Olmstead, është shprehur e lumtur që ky fond i ndarë për Kosovën do të ndihmoj në krijimin e një të ardhme më të mirë dhe rikthimin e besimit në Qeveri.“Dua të shpreh në emër të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Qeverisë së Amerikës, sesa të entuziazmuar  jemi që punojmë me Kosovën. Ky është programi ynë i parë në këtë rajon pas shumë kohësh, dhe mezi po presim të fillojmë punën dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë të cilën kryeministri Haradinaj e përmendi, dhe shpresojmë të ndërtojmë besimin në Qeveri dhe të ndihmojmë në krijimin e një bote më të mirë”, tha Olmstead.Koordinatori nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, tha se fondi do të filloj të themelohet në fund të këtij viti, pra të krijohet një fondacion i cili do të derdh mjete të shumta në fushën e energjisë efiçiente dhe në sundimin e ligjit. “Nuk do të presim shumë vite apo muaj për të themeluar fondin. Zyra e Kryeministrit do të jetë në pozitën udhëheqëse të krijimit të fondit, ndërsa ekipi amerikan një pjesë e të cilëve kanë ardhur, do të jenë këtu për të na ndihmuar”, tha Selimi, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe institucionet tjera për ndihmën e dhënë në 18 muajt e fundit në hartimin e projekteve.Selimi tha po ashtu se për tri vjetët e ardhshme do të investojmë një shumë prej 49 milionë dollarë, që është granti më i madh amerikan që nga paslufta, në fusha shumë të rëndësishme për ekonominë kosovare.Në 13 shtator 2017 presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Kosovës marrëveshjen me  Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për mbështetje me mbi 49 milionë dollar./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: GRANT I MADH AMERIKAN, Haradinaj, per Kosoven, Sarah Olmstead

Çitaku: E ka seriozisht MPJ ruse kur flet për Kosovën

August 7, 2017 by dgreca

Çitaku e pyet nëse e ka seriozisht MPJ-ja ruse kur flet për Kosovën/

1 Vlora Citaku

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një postimi që Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka bërë në profilin e vet zyrtar në rrjetin social Twitter.

“Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aletatët e saj që shkelën ligjin ndërkombëtar duke shkëputur dhunshëm Kosovën nga Serbia”, ka thënë në postimin e vet MPJ-ja ruse, në kuadër të diskutimeve të tensionuara me SHBA-në, pas sanksioneve që kjo e fundit bëri në drejtim të Federatës Ruse, për mbështetjen që po vazhdon tu japë separatistëve prorusë në Ukrainë.

Çitaku ka thënë shkurt “Seriozisht?” duke bërë këtë pyetje me ironi dhe duke ritransmetuar postimin e MPJ-së së Rusisë.Vlora Çitaku është duartrokitur disa herë për paraqitjet e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku përfaqëson Kosovën.

Filed Under: Politike Tagged With: Çitaku: E ka seriozisht, MPJ-ja, per Kosoven, ruse kur flet

Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

July 13, 2017 by dgreca

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë”, tha Mazreku.

Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën.

Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme.

“Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë ‘jo’, por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është ‘për’ proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë.

“E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar – në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale – e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Ne Foto: Liderët evropian dhe ata të Ballkanit në Samitin e Triestes/

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi ekonomik i Ballkanit, Bekim Bislimi, i pafavorshëm, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT