• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova lidere në rajon për shpërblimin e medalistëve

July 29, 2021 by dgreca

Nga Bekim Bislimi*

Të gjithë sportistët e Kosovës, të cilët kanë arritur rezultate kulmore në disiplinat sportive, qoftë në kampionate evropiane, botërore apo lojëra olimpike, do ta kenë përkujdesjen e shtetit, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat po mbahen sivjet me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë fituese të medaljeve të arta olimpike.

Bazuar në Ligjin për sportin, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, të dyja këto sportiste, por edhe trajnerin e tyre Driton Kuka, ka detyrim t’i shpërblejë në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore.

Shpërblime financiare dhe mbështetje pas moshës 45-vjeçare

Ibër Alaj, udhëheqës i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, sqaron se cilat do të jenë shumat monetare të shpërblimeve, por edhe përfitimet tjera që kanë sportistët që kanë fituar medalje olimpike.

Sipas tij, medalistja e artë merr vlerën prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri merr vlerën prej 50 mijë euro. Po të njëjtit – ata që arrijnë normë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike – marrin mbështetje të përhershme financiare pas moshës 45-vjeçare.

“Mendoj dhe konsideroj që në këto pika, Republika e Kosovës edhe me buxhetin e varfër të saj, ka siguruar që sportistët, të cilët arrijnë rezultate të tilla, të mbështeten në mënyrë financiare dhe të kenë një status të veçantë në shoqërinë e Kosovës”, tha Alaj.

Bazuar në rregulloren për shpërblime shtetërore, përveç medaljes së artë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike, e cila shpërblehet me 100 mijë euro, medalja e argjendit shpërblehet me 60 mijë euro, ndërkaq ajo e bronzit, shpërblehet me 40 mijë euro.

Gjithashtu edhe sportistët e moshave të reja, të cilët garojnë në lojërat e të rinjve, siç janë edhe Lojërat evropiane të të rinjve, marrin shpërblimin financiar prej rreth 25 për qind, në krahasim me sportistët seniorë, varësisht nga medalja që kanë fituar dhe kategoria ku kanë garuar.

Krasniqi: Mbështetje e përjetshme financiare për medalistët

Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili aktualisht po qëndron në Tokio për të ndjekur pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në olimpiadën e sivjetme, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se organizata që ai drejton fillimisht ua siguron kampet stërvitore të gjithë garuesve potencialë për lojëra olimpike, si dhe i mbështet ata përmes bursave prej 200 deri në 1.000 euro, varësisht nga kategorizimet.

Për më shumë, sipas tij, shpërblimet dhe përfitimet tjera, të cilat marrin sportistët që kanë siguruar medaljet olimpike, por edhe në kampionatet evropiane apo botërore, janë stimulim i mirë për të rinjtë që t’i qasen disiplinave sportive me shumë seriozitet.

“Padyshim që është stimulim shumë i mirë dhe kjo duhet të bëhet më shumë publike, sepse mbase disa të rinj nuk e dinë këtë stimulim që e ofron shteti i Kosovës. Pas 45 vjetëve, kur sportisti e arrin atë moshë, e kanë një të ardhur (financiare) nga shteti, të përjetshme. Por, e kanë ata që arrijnë deri te rezultati. Pa konkurrencë nuk ka as rezultate të mira. Konkurrenca i shtyn të kenë rezultate të mira të gjithë sportistët”, tha Krasniqi.

Çka pas tërheqjes?

Por, bazuar në Ligjin për sportin dhe rregulloren për shpërblimet shtetërore, përveç mbështetjes financiare pas moshës 45-vjeçare për sportistët që kanë fituar medalje në disiplinat sportive përkatëse, qoftë në kampionate ballkanike, mesdhetare, të Evropës apo botërore, e që aktualisht është 800 euro, të gjithë ata marrin një shpërblim tjetër në formë të pagës edhe për katër vjetët vijuese, pas marrjes së medaljeve. Shuma e kësaj mbështetjeje financiare shkon deri në mbi 1.000 euro, varësisht nga kategorizimi i sportistëve.

Sipas Ibër Alajt, dhënia e kësaj mbështetjeje financiare ndërpritet në momentin që sportistë të caktuar tërhiqen nga aktiviteti sportiv garues ose pensionohen. Kjo vlen edhe për fituesen e medaljes së parë të artë për Kosovën, në Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio de Xhaneiro, xhudisten Majlinda Kelmendi. Ajo gjithashtu ishte edhe kampione botërore e xhudos në vitin 2013, si dhe kampione evropiane e xhudos, në vitin 2015.

Kelmendi, pas përfundimit të pasuksesshëm të garës në Olimpiadën Tokio 2020, ka deklaruar se do të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në gara dhe se synon të jetë një trajnere e ardhshme e xhudos.

“Në momentin që deklarohet se nuk merret aktivisht me xhudo, atëherë asaj i pushojnë të ardhurat nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, në moshën 45- vjeçare, asaj i aktivizohet shpërblimi i përhershëm, sipas meritave paraprake që ka pasur”, theksoi Alaj.

Por, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Krasniqi thotë që Majlinda Kelmendi pas tërheqjes nga garat, mund të jetë një trajnere mjaft e suksesshme, ndërkaq që institucionet kompetente sportive nuk do ta lënë anash.

“Tash, Kosova duhet ta shfrytëzojë eksperiencën e saj, të cilën e ka gjatë gjithë kësaj kohe sa ka marrë pjesë në shumë gara të ndryshme evropiane, botërore, olimpiada dhe të tjera”, theksoi Krasniqi.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se Kosova është një ndër 13 shteteve që më së miri mbështesin në mënyrë financiare sportistët fitues të shpërblimeve në gara sportive.

Shpërblimet në vendet e rajonit

Shpërblimet që japin shtete e rajonit për sportistët e tyre që marrin medalje olimpike, përgjithësisht janë më të vogla se ato të Kosovës.

Shqipëria shpërblen për medalje të artë olimpike, me 82 mijë euro, të argjendit me 57 mijë euro, ndërkaq, të bronzit me 41 mijë euro.

Serbia shpërblen për medalje të artë olimpike me 70 mijë euro, të argjendit me 60 mijë euro dhe të bronzit me 50 mijë euro.

Mali i Zi shpërblen për medaljen e artë me 35 mijë euro, të argjendit me 30 mijë euro dhe të bronzit me 25 mijë euro.

Kroacia shpërblen për medaljen e artë me 27.600 euro, të argjendit 17.300 euro dhe të bronzit 12.200 euro.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk e kanë të rregulluar çështjen e shpërblimit të sportistëve që fitojnë medalje, por një vendim i tillë merret në mënyrë ad-hoc.

Shembull, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën ka vendosur që ta shpërblejë sportistin Dejan Georgievsi me 30.000 euro, pasi ai në Tokio fitoi medaljen e argjend në sportin e tekvondosë.

*Kortezi-Evropa e Lire

Filed Under: Politike Tagged With: Bekim Bislimi, Medalistet e Kosoves

KOSOVE-A do të ‘izolohen’ liderët institucionalë?

January 9, 2018 by dgreca

Lideret e KosovesNga Bekim Bislimi/

Një udhëtim i anuluar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të mos lëshimit të vizës, ka nxitur debate në Kosovë, nëse lidershipi i këtushëm mund të përballet me masa izolimi pas disa përplasjeve me përfaqësuesit ndërkombëtar.

Mospërfillja e vazhdueshme e thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nisma në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga analistë vendorë ishin vlerësuar se mund të përcillen me pasoja për Kosovën dhe liderët e saj.

Së fundit, ishte një zyrtar nga Garda Nacionale në Ioëa të SHBA-së i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marr vizën”.

Kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i Gardës së Iowa-s, ka thënë se Haradinaj pritej të merrte pjesë ditën e enjte në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marr vizën dhe të jetë së bashku me ne”.

“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka thënë kolonel Greg Hapgood

Sipas tij, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Ditëve të fundit, në mediet vendore në Kosovë, është përfolur se kryeministrit Haradinaj i është refuzuar viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në “Lutjet e mëngjesit”, organizim ky i përvitshëm në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Por, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se viza e kërkuar nga kryeministri për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara nuk ka të bëj fare me “Lutjet e mëngjesit”.

Në anën tjetër ftesën për “Lutjet e mëngjesit” e ka marrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Por nga kabineti i tij kanë thënë se lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë organizim, “do të ketë koordinim me agjendën e përcaktuar”.

Ndërkaq, zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse një ftesë për “Lutjet e mëngjesit” e ka edhe presidenti.

Ndryshe, zvarritja e çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, si dhe së fundmi tentimi që para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dërgohet kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës speciale për krime të luftës në Kosovë, në masë të madhe kanë ndikuar në acarimin e raporteve ndërmjet drejtuesve të lartë institucional të Kosovës dhe ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë, Një acarim i tillë i raporteve është reflektuar sidomos në reagimet e ambasadorëve të vendeve të Kuintit.

Por, a ka ndikuar dhe a do të ndikojë acarimi i këtyre raporteve edhe në çështjen e dhënies ose jo të vizave nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zyrtarët e lartë të Kosovës?

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se çështja e vizave është rregulluar në secilin shtet veç e veç dhe ftesat e caktuara nuk e garantojnë me automatizëm edhe marrjen e vizës. Por, sipas tij, në rastin e protokolleve diplomatike, ekziston procedurë krejt tjetër, por kjo duhet parë në parim dhe jo në raste të veçanta.

“Ajo që e them unë ka të bëj me politika parimore. Një vend hyn nën sanksione ose një udhëheqësi hyn nën sanksione për çështje të caktuara dhe gjithashtu mund të jetë edhe lista me emra të përveçëm ose konkret, jo pse ka dallime politike, por sepse ka veprime antidemokratike dhe antiligjore. Në këtë çështje, duhet të diskutohet se në cilën fazë është udhëheqja e Kosovës dhe sa është në kundërshtim me interesat e popullit ose me vullnetin e popullit, nga i cili i kanë marrë votat”.

Udhëheqësit e Kosovës, sipas politologut Tahiri, kanë marrë obligime ndërkombëtare dhe ato duhet t’i realizojë. Në të kundërtën vendi, por edhe vet liderët institucional do të ballafaqohen me pasoja.

“Pas pushimeve të Krishtlindjes do të shihet se deri ku mund të tolerohen që të mos zbatohen vendimet që kanë qenë obligim dhe me të cilat këta e kanë marrë edhe pushtetin. Këto nuk janë të fshehta, por këto veprime do të jenë shumë konkrete dhe do të thuhen publikisht, edhe mospajtimet që i ka në këtë rast Bashkimi Evropian me politikën e Kosovës dhe me bartësit institucional, por gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës si dhe në ndërtimin e saj institucional”.

Siç kanë thënë më herët njohësit e çështjeve juridike dhe politike moszbatimi i obligimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, mund t’i përkeqësoj ndjeshëm raportet e vendit me aleatët ndërkombëtarë. Kjo, sipas tyre, do ta vinte Kosovën përballë pasojave të shumëfishta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Bislimi, Izolimi i Liderve

Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

July 13, 2017 by dgreca

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë”, tha Mazreku.

Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën.

Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme.

“Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë ‘jo’, por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është ‘për’ proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë.

“E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar – në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale – e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Ne Foto: Liderët evropian dhe ata të Ballkanit në Samitin e Triestes/

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi ekonomik i Ballkanit, Bekim Bislimi, i pafavorshëm, per Kosoven

“Vendimet e vështira”, para apo pas zgjedhjeve?

April 1, 2017 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/

Liderët politikë dhe institucionalë të Kosovë kanë marrë mesazhe të qarta nga zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, se çështjet e rëndësishme që janë në proces, duhet të përfundojnë, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Çështjet e rëndësishme, për të cilat duhet të merren vendimet, siç thonë ata, janë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe sqarimi i çështjes së transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Por, megjithëkëtë, ata besojnë që, duke u bazuar në qëndrimet e partive politike dhe gjendjen e krijuar në skenën politike, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht pikëpamjeve që ka shprehur diplomati amerikan Yee, se zgjedhjet e parakohshme “do të kenë si efekt vonimin e vendimeve të vështira”.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth këtyre tri çështjeve, nuk japin shumë shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e kundërshtive.

“Partitë politike kanë marrë qëndrime të ashpra dhe të qëndrueshme, në secilën nga këto pika, dhe nuk besoj që do të arrijnë ta tejkalojnë vetveten për të arritur një marrëveshje, e cila do të mund t’i kalonte këto tri çështje dhe të prisnin për orarin, cili parashihet në vitin 2018, të zgjedhjeve, sidomos partitë opozitare”.

“Ato gjithmonë do të jenë të interesuara të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, këtë po e vërejmë tani edhe nga partitë në pushtet. Prandaj, po besoj që kushtet dhe sentimenti politik është gjithmonë duke u pjekur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme”, thotë Ibrahimi.

Analisti Ibrahimi, shton se megjithatë, mesazhi i diplomatit amerikan Yee, nuk ishte i prerë lidhur me zgjedhjet eventuale.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Imer Mushkolaj. Duke folur për Radion Evropa e lirë, ai thekson se e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që të përfundojnë çështjet e rëndësishme që janë në proces.

“Besoj që mesazhet e zyrtarit amerikan ishin të qarta. Por, pavarësisht kësaj, fushata e partive po vazhdon – sidomos e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës – dhe konsideroj që ata do të përpiqen që gjatë muajit të ardhshëm të provojnë ta kalojnë Demarkacionin, si dhe të provojnë – pasi është kthyer Lista serbe në institucione – që të punojnë në themelimin e Asociacionit, respektivisht për miratimin e statutit të Asociacionit. Pastaj, megjithatë, të vendosin që të shkojnë në zgjedhje”, thekson Mushkolaj.

Ai shton se edhe për çështjen e Ushtrisë së Kosovës, mesazhet tashmë janë të qarta që të punohet që kjo të realizohet brenda këtij viti.

Sipas tij, në rast se çështjet e rëndësishme nuk mund të kryhen brenda pak kohësh, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Nëse nuk kryhet, natyrisht që nuk e besoj që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, për shkak se janë disa obligime që janë marrë nga partnerët e koalicionit. Ky koalicion është themeluar apo krijuar, pikërisht me idenë që të kalohen disa të ashtuquajtura çështje të mëdha dhe këto, për të cilat po bisedojmë, natyrisht se janë çështje të mëdha, të cilat duhet të votohen në Parlament”,vlerëson Mushkolaj.

Por, analisti Ibrahimi shpreh mendimin se zgjedhjet e parakohshme duken të pashmangshme. Në të kundërtën, sipas tij,çështjet për të cilat është kërkuar zgjidhje nga diplomati amerikan Yee, do të mund të zgjidheshin vetëm në rast se në zgjedhje do të shkohej sipas orarit, në vitin 2018.

“Nëse do të kishim një mandat të plotë deri në vitin 2018, atëherë nuk është edhe e pamundur që të tria këto çështje të kalojnë, sepse, në fund të fundit, partitë politike bëjnë kompromise dhe pazare me njëra-tjetrën. Nëse bëhet kompromis me një çështje, atëherë merret me një çështje tjetër dhe këtu duke e përfshirë edhe Listën Serbe, e cila i ka interesat e veta”.

“Atëherë, nëse me të vërtetë nuk do të kemi zgjedhje këtë vit, por presim deri në vitin 2018, atëherë është një mundësi që me anë të kompromiseve të ndryshme, të arrihet që të paktën disa nga këto çështje të mund të kalohen nga parlamenti”, shton Ibrahimi.

Sido që të jetë, kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë një dinamikë të re në proceset që ndërlidhen me votat e tyre, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.(REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: “Vendimet e vështira”, apo pas zgjedhjeve?, Bekim Bislimi, para

Kosova nuk e kushtëzon BE-në për dialogun

January 20, 2016 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/
Ende mbetet e pasigurt nëse brenda muajit janar do të mund të ketë raund të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe po ashtu mbetet i pasigurt edhe niveli i përfaqësimit në një takim eventual, në qoftë se ai caktohet tash e tutje, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë, ata kanë hedhur poshtë pohimet e disa medieve në Kosovë, të cilat, siç thonë ata, kanë theksuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk do të marrë pjesë në një takim eventual në fund të janarit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në rast se Kosova nuk merr përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, janë të ndërtuara mbi bazën e partneritetit dhe jo mbi bazën e kushtëzimeve.
“Çështja e liberalizimit të vizave është çështje shumë e rëndësishme, të cilës kryeministri i Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe, por edhe qeveria”.
“Ne besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët e Kosovës tu jepet mundësia, si gjithë qytetarëve tjerë të komunitetit evropian. Megjithatë, ne nuk do të zhvillojmë marrëdhënie kushtëzimi me Bashkimin Evropian, por marrëdhënie partneriteti”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj.
Megjithatë, zëvendësministri Gecaj, nuk ka pohuar as mohuar nëse kryeministri i Kosovës, Mustafa do të marrë pjesë në takimin e parë të sivjetshëm në Bruksel me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ka theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel do të vazhdojë, ndonëse nuk dihet kur, për shkak se, sipas tij, ende nuk është konfirmuar ndonjë datë e takimit të ardhshëm eventual e as niveli i përfaqësimit.
“Nuk është e konfirmuar ende se do të ndodhë takimi në fund të këtij muaji. Por, dialogu do të vazhdojë. Se kur do të ketë takime, do të shohim, megjithëse ai dialog mund të vazhdojë në nivele të ndryshme. Pra, nuk është e sigurt se do të ketë takim në fund të këtij muaji, të kryeministrave. Tash për tash nuk është i konfirmuar takimi i nivelit më të lartë”.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike Imer Mushkoloaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, përkujton se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë kushtëzuar dialogun me Serbinë edhe më parë, por sipas tij, vetëm në mënyrë deklarative.
Sipas tij, një kushtëzim deklarativ nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ishte bërë edhe lidhur me shuarjen e strukturave jolegale serbe në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës ose zyrtarët e saj – ndonëse, mund të mos ketë dalë si qëndrim zyrtar në ndonjërën nga mbledhjet e qeverisë – kryesisht deklaratat e tilla i kanë bërë për konsum të brendshëm, por që nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë”.
“Nuk është se duhet të merren seriozisht edhe nëse vinë si të tilla. Aq më pak, nuk duhet të merret seriozisht ose të konsiderohet serioze ndonjë deklaratë eventuale që mund të jetë e tipit se ne nuk do të vazhdojmë dialogun për shkak se ende nuk janë liberalizuar vizat për kosovarët”.
Analisti Mushkolaj, ka shprehur mendimin se, deri më tash, Qeveria e Kosovës është dashur që në mënyrë të vendosur të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me Serbinë, në shumë raste, për shkak obstruksioneve të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sipas dinamikës së paraparë.
Në anën tjetër, sipas tij, nëse shihen me kujdes hapat që ka bërë Serbia në drejtim të integrimeve evropiane, atëherë shihet qartë se Serbia ka përfituar nga dialogu në Bruksel.(Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Bislimi, Kosova nuk e kushtëzon BE-në, për dialogun

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pritje spektakolare për Kryeministrin Albin Kurti në Vatër
  • ALBANOLOGU KROAT MILAN VON SUFFLAY SIPAS DOKUMENTEVE MË TË REJA NGA ARKIVI SHTETËROR HISTORIK I DUBROVNIKUT
  • UKRAINA 2022 : Fushë  beteje në  mes dy qytetnimesh : Demokraci liberale Europiane versus  Autokraci tradicionale Ruse
  • Heronjtë që na duhen, por që nuk i meritojmë
  • Shqipëria po qanë…
  • Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj
  • LAMTUMIRË DR. GJON LEKË BUÇAJ
  • KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS 
  • BOSTONI, VIZITA E RRADHËS E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS ALBIN KURTI
  • Kombi shqiptar dhe politikat e sigurisë në ditët e sotme
  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT