• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Urimi i Papës për Krishtlindje

December 25, 2018 by dgreca

Urimi i Papës për Krishtlindje: vëllazërim ndërmjet kombeve e feve të ndryshme!/

1 a Papa mesazh

Në mesazhin e Krishtlindjes “Urbi et Orbi”. Papa Françesku kujtoi vendet e ndryshme të botës, që kanë nevojë për paqe e pajtim. Një mendim i posaçëm, për të krishterët që e kremtojnë Krishtlindjen në rrethana armiqësore, duke uruar që të gjitha pakicave t’u njihet liria fetare.Uroi vëllazërim për mbarë botën Papa, duke i drejtuar sot Mesazhin tradicional të Krishtlindjes, në përfundim të të cilit dha Bekimin Apostolik:“Ju, besimtarë të Romës, ju shtegtarë e ju të gjithëve, që jeni lidhur sot me Romën, nga të katër anët e botës, ju kujtoj rishtas kumtimin gazmor të Betlehemit: “Lumni Hyjit në më të lartin qiell/ e përmbi tokë paqe njerëzve , që ai i ka për zemër” (Lk, 2,14).

Ashtu si barinjtë rendën të parët tek Shpella, rrimë të mahnitur para shenjës që na dha Zoti: “Një ferishte e lidhur në fasha, e vendosur mbi një grazhd” (Lk 2,12). Në heshtje, gjunjëzohemi dhe  e adhurojmë.

E ç’na thotë ky Fëmijë, që lindi për ne nga Virgjëra Mari? Cili është mesazhi universal i Krishtlindjes? Na thotë se Zoti është Atë i mirë e ne jemi të gjithë vëllezër.

Kjo e vërtetë është në bazë të vizionit të krishterë të njerëzimit. Pa vëllazërinë, që na e dhuroi Jezu Krishti, përpjekjet tona për një botë më të drejtë janë frymëshkurtëra. E edhe projektet më të mira rrezikohen  të katandisen në struktura pa shpirt.

Prandaj urimi im i Krishtlindjes, është urim vëllazërimi.

Vëllazërim ndërmjet njerëzve të çdo kombi e kulture!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me ide të ndryshme, por të aftë  ta respektojnë e ta dëgjojnë tjetrin!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me besime të ndryshme! Jezusi  erdhi t’ua dëftojë fytyrën e Zotit të gjithë atyre, që e kërkojnë.

E fytyra e Zotit u duk në një fytyrë njerëzore konkrete. Nuk u duk në një engjëll, por në një njeri, lindur në një kohë e në një vend të caktuar. E kështu, me mishërimin e Tij, Biri i Zotit na tregon se shëlbimi kalon  përmes dashurisë, mikpritjes, respektit për këtë natyrën tonë të varfër njerëzore, të përbashkët, me një mori etnishë, gjuhësh, kulturash… por të gjithë vëllezër, sepse njerëz!

Atëhere ndryshimet tona nuk janë dëm, as të rrezik, janë pasuri. Si puna e artistit, që dëshiron të bëjë një mozaik: është më mirë të ketë gurë me shumë ngjyra, sesa me pak!

Na e mëson këtë përvoja e familjes: vëllezërit e motrat ndryshojnë nga njëri-tjetra e jo gjithnjë merren vesh, por  kanë një lidhje të pazgjidhshme që i bashkon e dashuria e prindërve i ndihmon ta duan njëri-tjetrin. E njëjta gjë vlen për familjen njerëzore. Veçse këtu “prindi” është Zoti, themeli dhe forca e vëllazërimit tonë.

Kjo Krishtlindje premtoftë t’i zbulojmë lidhjet vëllazërore, që na bashkojnë si njerëz e i lidhin mbarë popujt. Izraelitëve e palestinezëve u ndihmoftë të rifillojnë dialogun dhe udhën e paqes, që i jep fund konfliktit i cili prej 70 vjetësh e copëton Tokën e zgjedhur nga Zoti, për t’i treguar botës fytyrën e tij të dashurisë.

Krishti fëmijë premtoftë që Siria e dashur të rigjejë vëllazërimin, pas gjithë këtyre viteve lufte. Bashkësia Ndërkombëtare bëftë përpjekje të vendosura për një rrugëzgjidhje politike, e cila i lë mënjanë interesat e palëve, që kështu populli sirian, posaçërisht ata, që u detyruan të largohen nga tokat e  tyre e të kërkojnë strehë gjetiu, të mund të rikthehen e të jetojnë në paqe, në atdheun e tyre.

Mendoj për Jemenin, duke shpresuar se armëpushimi i arritur me ndërmjetësinë ndërkombëtare do të mundë, më në fund, t’u sjellë lehtësim fëmijëve të shumtë e popullsive të  raskapitura  nga lufta dhe zija e bukës.

Mendoj, pastaj, për Afrikën, plot me refugjatë e të shpërngulur, që kanë nevojë për ndihmë humanitare e sigurim ushqimor. Krishti Fëmijë, Mbret i Paqes, premtoftë të heshtin armët e të lindë një agim i ri vëllazërimi në mbarë Kontinentin, duke bekuar përpjekjet e të gjithë atyre, që përpiqen të hapin shtigje të reja pajtimi, në nivel politik e shoqëror.

Krishtlindja i forcoftë lidhjet vëllazërore, që bashkojnë Gadishullin Korean, ndihmoftë të vijojë udha e nisur e afrimit e të gjinden rrugëzgjidhje të pranueshme për të dyja palët, që u sigurojnë të gjithëve zhvillim e mirëqenie”.

Në këtë kohë bekimesh, e ndihmoftë Venezuelën të rigjejë harmoninë ndërmjet gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, që të punojnë vëllazërisht për zhvillimin e vendit dhe për mbrojtjen e shtresave më të ligshta të popullsisë.

Zoti i lindur, e ngushëlloftë Ukrainën e dashur, në pritje të ankthshme për  rifitimin e paqes së qëndrueshme, e cila po vonon të vijë. Vetëm me paqen, që respekton të drejtat e çdo kombi, vendi mund të marrë frymë lirisht, pas vuajtjeve të mëdha të pësuara e të rikrijojë kushte dinjitoze jete për qytetarët e vet. Jam pranë bashkësive të krishtera të këtij Rajoni e lutem  që të mund të krijojnë lidhje vëllazërimi e miqësie.

Përballë Krishtit Fëmijë, i rizbulofshin lidhjet vëllazërore banorët e Nikaraguas së dashur, që të mos kenë epërsi  përçarjet e  mospërkimet, por të gjithë të përpiqen për pajtim e për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë e vendit.

Dëshiroj të kujtoj popujt, që pësojnë kolonizime ideologjike, kulturore dhe ekonomike, duke parë si nëpërkëmbet liria dhe dinjiteti i tyre e si vuajnë  nga uria dhe mungesa e shërbimeve edukative dhe shëndetësore.

Një mendim i posaçëm shkon tek vëllezërit dhe motrat, që e kremtojnë Lindjen e Zotit në rrethana të vështira, për të mos thënë armiqësore, posaçërisht atje, ku bashkësia e krishterë është pakicë, nganjëherë e ligshtë dhe e papërfillur. Zoti u dhashtë atyre dhe të gjitha pakicave, hirin të jetojnë në paqe  e t’u njihen të drejtat, posaçërisht, liria fetare.

Krishti Fëmijë, që dridhet nga e ftohta, të cilin e kundrojmë sot në grazhd, i mbrojtët të gjithë fëmijët e tokës e çdo njeri të ligshtë, të pambrojtur, të flakur rrugëve nga shoqëria. U dhashtë të gjithëve paqen dhe ngushëllimin, që vjen nga Shëlbuesi e, duke e ndjerë se duhen nga i vetmi Atë qiellor, të takohen e të jetojnë si vëllezër.

25 dhjetor 2018, 12:50

Filed Under: Featured Tagged With: per Krishtlindje, Urimi i Papa Francesku

Presidenti uron shqiptarët për Krishtlindje

December 25, 2016 by dgreca

Nishani:: Të mposhten urrejtjet, vlerat njerëzore të mbizotërojnë kudo/

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Krishtlindjeve.“Me rastin e Festës së shenjtë të Krishtlindjes, kam kënaqësinë dhe privilegjin të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen! Një ditë e tillë aq e veçantë që përkujton lindjen e Krishtit, shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, e cila për nga veçantia e saj i ka përcjellë mbarë njerëzimit për më shumë se dy mijë vjet mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e më të sigurt në paqe dhe në begati.

Si çdo vit, edhe sivjet, ky kremtim i shenjtë përjetohet e festohet nën tingujt e ëmbël të kambanave, në dritën flakëruese të qirinjve si dhe përmes lutjeve të përdëllyera të besimtarëve si zanafilla e një të ardhmeje më të shndritshme e më optimiste, e cila u jep jetë fryteve të dashurisë njerëzore e shpirtërore, të paqes, të durimit, të besimit, të vëllazërisë e të dhembshurisë për më të pafatët e të vobektit. Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste të veçantë, në cilësinë e Kreut të Shtetit uroj që ato të triumfojnë jo vetëm në kisha dhe vende të shenjta apo në jetën tonë të përditshme, por edhe anembanë botës me qëllim të mposhten urrejtjet e pajustifikuara, ekstremizmat e ndasitë fetare të pabaza, në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!

Ju uroj nga thellësia e zemrës një Festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”

Filed Under: Politike Tagged With: per Krishtlindje, presidenti Nishani, uron shqiptaret

GAZETA”DIELLI” URON BESIMTARËT E KRISHTERË ME RASTIN E KRISHTLINDJES

December 24, 2014 by dgreca

GËZUAR KRISHTLINDJEN!
MERRY CHRISTMAS!
Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni, në trojet arbërore apo në mërgim:
Gëzuar Krishtlindjen!
MERRY CHRISTMAS!
PS:Kartolina e urimit është e autorit Sergio Bitici,ish zevendes/kryetar i vatres, nje nga vatranet e palodhur,i cili është bashkëunëtor i rregullt i Diellit dhe në cdo numër boton grafika.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, editori, Gazeta Dielli, per Krishtlindje, Segio Bitici, Urim

Artikujt e fundit

  • Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare
  • “The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson
  • SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT