Stuhia tropikale ‘Arthur’, i formuar në Atlantik, tashmë është klasifikuar si uragan i kategorisë së dytë dhe kërcënon të gjithë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Me erëra që i kalon 100 km në orë, “Arthur” uragani i parë për këtë sezon, vjen në një kohë kur sot SHBA-të festojnë Ditën e Pavarësisë, 4 korrikun.
Pasi kaloi në Karolinën e Veriut uragani po vazhdon në drejtim të veriut dhe mund të godasë Nju Jorkun në orët e ardhshme. Shërbimi meteorologjik ka njoftuar se një shi i rrëmbyer ka rënë në disa qytete gjatë pasdites së të enjtes dhe për pasojë ka pasur përmbytje. Pas kalimit të stuhisë në Karolina nuk ka pasur njoftime për viktima, por dëme materiale janë raportuar në disa zona.
Shumë persona në zonat bregdetare të SHBA janë evakuuar. Uragani Artur që pritet të godasë SHBA-të, vjen pas uraganit Sandy në 2012 që shkaktoi dëme të mëdha, të cilat vlerësoheshin në 70 miliardë dollarë.
Si pasojë e Uraganit, parashikohet të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Është paralajmëruar për mbylljen e lokaleve dhe ambienteve të tjera publike,ndërsa pritet të ketë edhe përmbytje.
Gjithsesi sipas qëndrës kombëtare të uraganeve, stuhia pritet të lëvizë në det të hapur në orët në vijim në drejtim Veri-Lindje të SHBA-ve dhe kështu do të dobësohet, ndaj dhe nuk do të përbëjë rrezik serioz, gjithsesi banorëve I është bërë thirrje të shmangin daljet dhe festimet në të gjithë bregun lindor.