WASHINGTON, 8 dhjetor /– Kandidati në krye të garës së paraparakeve republikane për zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, Donald Trump kërkoi nëpërmjet një komunikate ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA.
“Donald Trump kërkoi ndalimin total dhe të plotë të hyrjes së myslimanëve në SHBA derisa të zgjedhurit e vendit tonë të kuptojnë se çfarë po ndodh”, shkruan ekipi i tij i fushatës në një komunikatë të titulluar “Komunikatë e Donald Trump për të penguar imigracionin mysliman”.
Deklarata nuk saktëson nëse myslimanët amerikanë janë gjithashtu të parashikuar.
Por, duke përmendur një sondazh të realizuar me myslimanët që jetojnë në SHBA, Donald Trump konfirmoi se shumë myslimanë kanë urrejtje për amerikanët.
“Nga ku vjen gjithë kjo urrejtje, ne duhet ta përcaktojmë. Derisa ne të jemi të aftë të përcaktojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin që përbën, vendi ynë nuk mund të jetë viktimë e sulmeve të tmerrshmenga ana e njerëzve që besojnë vetëm në xhihad dhe nuk kanë asnjë respekt për jetën njerëzore”, deklaroi Donald Trump në këtë komunikatë.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Shtëpisë së Bardhë që i dënoi me forcë deklaratat e kandidatit republikan, Donald Trump duke i vlerësuar këto deklarata kundër vlerave të Kushtetutës amerikane.
“Deklaratat e Trump janë totalisht kundër vlerave tona si amerikanë”, deklaroi për CNN, Ben Rhodes, këshilltar i presidentit amerikan, Barack Obama.
“Respektimi i lirisë së besimit është shkruar në Deklaratën tonë të të Drejtave (Bill of Rights)”, nënvizoi ai.
Edhe Franca u shpreh e indinjuar nga deklarata për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në SHBA bërë nga miliarderi amerikan, Donald Trump, favorit në parapraket e republikanëve për Shtëpinë e Bardhë.
Edhe kryeministri britanik, David Cameron e gjykoi sot të gabuar dhe të një natyre për të nxitur përçarje deklaratën e Donald Trump për myslimanët.