Nga Fatmir Terziu/
Kur në qiell të andrrës sime prek/
Me duer të brishta,/
Zgjohen vegime të ylberta mallesh./
Engjuj me brerore drite zbresin/
Mbi meloditë e dhimbjes/
Qi s’ ka të sosun./
E duer akordesh të çuditshme/
Ndalojnë flutrim’n e kohës./
Etja më merr për nji delir të blertë./
Perceptimi gjeometrik i hapësirës së prodhuar si produkt i ndjesisë dhe recencës mendore, jo pak herë ka qenë dhe mbetet një postulat indjeshëm poetik. Në këtë perceptim gjeometrik frymëzimi i autorit Anton Çefa, shihet si një sferë më vete. Them kështu pasi mjaft krijime të tij ngjajnë me traditën e krijimtarisë poetike bashkëkohore, por që në thelb kanë gjuhën popullore dhe të folurën e thjeshtë. Poezi si grupi i poezive nën titullin “Tubëz lirike” natyrshëm flasin për një gërshetim të tillë dhe një frymëzim që autori gjen në këtë perceptim. Hapësira, pikëlidhja, trysnia përditësore, argumenti dhe koha janë elemëntë që vijnë si një bosht tematik në këtë perceptim gjeometrik.
Në larminë fakt-detaj, ku “etja për nji delir të blertë” vjen si një model në këtë perceptim, natyrshëm kalon në disa hapësira poetike të shkelura e të pashkelura më parë. Në pamje të parë, dhe pikërisht nga gjuha këto poezi ngjajnë me një ‘juctapozicion’ thurës dhe tematik të mbrusur nga krijimtaria e hershme shqiptare, sidomos tipikja e zonës ku autori ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Por në pamjen kryesore dhe në atë që vjen si shkak dytësor më pas, figuracioni është kryengritës dhe shënon diferencën ose tiparin vecues. Autori ka një lajtmotiv frymëzues të lidhur në mjedisin e aspekteve jetike, nëse na lejohet të shprehemi për figuracionin që ai e shkëput për të baraspeshuar ‘vegime të ylberta mallesh’ duke sfiduar ‘me duer të brishta’ pikërisht atë veprim që ne e shijojmë teksa ‘teksa engjuj me brerore drite zbresin’.
Në këtë perceptim unë e lexoj ngjashëm autorin. Poezinë e tij e shoh si një akt mitik dhe si një alteracion kohësh, vendesh dhe aspektesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këtu kjo ndërlidhje gërshetohet edhe me sintaksën poetike që siglohet nën peshë fjalish poetike të sistemuara bukur. Poetika e Cefajt natyrshëm në këtë ndërlidhje funksionon si një etje, tamam sic edhe vetë autori poetikisht e shpreh: “Etja më merr për nji delir të blertë”.
Duke parë ndërlidhjen funksionuese në detaj, bie në sy edhe koloriti poetik. Ky kolorit shpeshherë merr pamjen e tij reale dhe shpesh ngjyrohet me nocione të përafërta. Përshembul ‘delir i blertë’ është një përdorim i tillë. Në anën tjetër koloriti poetik i autorit fsheh disi ngjyrimin real për të stigmuar me figuracion, si ‘mendimi n’ballë’, ‘fjala n’buzë’, ‘dritë që troket’ etj, ku ngjyra reale nuk është vënë në pah, por ngjyrimi figurative kryen rolin kryesor.
* Botuar ne librin e ri te Anton Cefes” Bardhesi me Zdritje Bore”