Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/
Ashtu, me hapa të ngadaltë nga vitet e moshës që mbaj mbi supe, nuk janë pak, 94 vite jetë me gëzime e hidhërime, eca si zakonisht drejt vatrës së zjarrit.
Drutë e thata në zjarr digjen duke lëshuar disa shkëndija që përhapen pa formë. Flaka ngjitet në brendësi të oxhakut të madh. Është shtëpi karakteristike; muret janë të ndërtuara prej guri të skalitur. Oda e zjarrit është e madhe dhe mezi ngrohet në ditë netët e ftohta të dimrit, por, kur shikojmë flakën dhe prushin në vatër, ngrohtësinë e ndjejmë në gjithë qënien tonë.
Plaka, kështu i thërrasë unë gruas, bashkëshortes sime, ma ka ndaluar tymosjen e duhanit në odën e zjarrit. E dua atë të flamosur helm, nikotinën e cigares, nuk mund të jetoj dot pa cigare që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime. Dal jashtë në verandën e madhe me parmakë prej druri nga ku sodis oborin e shtëpisë që plaka i tregon kujdes të madh mirëmbajtjes së luleve; ulem në karriken e madhe të drunjtë dhe atje tymos, dy, tre cigare radhazi, pa u fikur njëri, filloj e ndez tjetrin.
I ulur në një qilim me flokë, apo flokje siç i thonë, me fletoren dhe lapsin që i mbaj gjithmonë në xhep, hedh kujtimet e mija.
Kujtimet më çojnë larg, shumë larg; çdo gjë, çdo ngjarje e kaluar e trishtë apo e gëzuar, më shfaqet përpara syve, në mendjen time, si një ëndërr që nuk harrohet kollaj.
U linda dhe u rrita në një shtëpi qindravjeçare, atje ku edhe u lindën paraardhësit e mi. Ne ishim dy vëllezër; unë isha vëllai i madh.
Babai na tregonte shpesh për pronat e tij që ai i kishte blerë. Një nga ato prona, është edhe një pjesë kodre e qytetit tonë e mbjellë me ullinj, por që në atë kohë u shtetëzuan dhe ne fatkeqësisht edhe në ditët e sotme akoma nuk na është rikthyer dhe nuk po e gëzojmë pronën tonë.
Eh, çfarë ullinj janë mbjellë në atë kodër dhe sa prodhim të mbarë që japin! Ullinj kokërvogël apo ullinj vajs siç quhen ngaqë nxjerrin sasi të konsiderueshme vaji, dhe ullinj kokërmadh që të kënaq syrin kur e sheh në tryezën e ngrënies.
Ishim një familje e lumtur, e gëzuar. Babai ynë i ndjerë, si tregëtar që ishte, pothuajse pjesën më të madhe të ditës e kalonte jashtë shtëpisë.
Nëna jonë e ndjerë, që kurrë nuk punoi në jetën e saj, ishte grua shtëpiake si shumica e grave të asaj kohe. Ishte grua e urtë dhe gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë atyre që e kishin njohur.
Ishte meraklie e madhe në mirëmbajtjen e shtëpisë. Muret e oborit të shtëpisë sonë shkëlqenin nga bardhësia e gëlqeres.
Shtëpia jonë nuk ishte ndërtuar nga babai ynë, ajo ishte trashëgim nga të parët tanë. Në atë shtëpi ishte lindur dhe ritur edhe babai, ashtu sikurse edhe ne dy fëmijët e tij.
Si çdo fëmijë edhe ne ndjenim kënaqësinë e madhe kur ishim në shtëpinë tonë, kur mblidheshim në mbrëmje të katër së bashku. Ajo shtëpi na dukej si të ishte shtëpia më e bukur e lagjes.
Unë, fëmija i madh, atëkohë isha 13 vjeç, kur nga një sëmundje e pashërueshme, nëna jonë ndërroi jetë.
Dhimbja e humbjes së nënës sonë ishte shumë e madhe sa nuk mjaftojnë faqe të tëra libri ta shkruaj atë dhimbje.
Ne e ndjemë shumë dhimbjen e humbjes së nënës sonë, por, kur shikonim babain që qante në heshtje dhe mundohej t’i fshihej shikimit tonë, dhimbja për humbjen e nënës së dashur na shtohej më tepër; por, në të njëjtën kohë, ne ndjenim dhimbje të madhe për babain.
Kanë kaluar shumë vite, por kujtimet, ngarjet e asaj kohe të largët i kam shumë të freskëta në mendjen time.
Kishin kaluar tre vjetë nga humbja e nënës sonë, kur babai na tha se kishte vendosur të martohej me një vajzë të re në moshë. Vajza për të cilën i kishin ndërhyrë babait për martesë ishte nga një fshat jo shumë larg qytetit tonë.
Unë dhe vëllai në fillim kur na e tha babai, nuk e mirëpritëm atë çfarë ai kishte vendosur. Nuk e imagjinonim dot se si një vajzë tjetër e huaj, e re në moshë do hynte nuse në shtëpinë tonë, për më tepër të ishte nusja a babait tonë, të flinte në të njëjtin krevat ku para pak vitesh kishte fjetur nëna jonë bashkë me babain.
Oh, ai krevat, sa i bukur, sa i këndshëm na dukej!
Kur babai, siç e thash edhe më sipër, pjesën më të madhe të ditës ishte jashtë shtëpisë, unë dhe vëllai im më i vogël, shkonim dhe shtriheshim në krevatin ku ishte nëna jonë. Oh, sa të ngrohta ishin duart e nënës sonë kur na ledhatonte fytyrat, trupat tanë!
Oh, ajo aromë e këndshme nëne, më e mira aromë, aroma e trupit të nënës sonë kur ne afronim kokat tona dhe ajo ëmbëlsisht na puthte!
Dhe ja, në atë krevat tani me kujtimet e bukura të fëmijërisë sonë, do vinte një grua tjetër dhe do flinte me babain tonë, ndërsa ne dy fëmijët e tij nuk do kishim kurrë mundësinë të shtriheshim atje, si me nënën tonë.
Një ditë, unë i harrova të gjitha këto kujtime dhe nostalgjitë e viteve të shkuara të fëmijërisë sonë kur pash babain në një vend të shtëpisë të përlotur dhe dukej se diçka po mendonte.
Unë kalova rastësisht pranë tij apo bëra sikur rastësisht kalova. Nuk i fola, ndërsa ai, pa e fshehur lagështinë në syt e tij, më tha:
– Duhet të më kuptoni edhe mua, bijt e mi…
Nuk vazhdoi më të flasë. Në grykë i ishte bërë një nyje; ndjeu një si rëndesë në kraharor që nuk e linte të fliste. Lotët iu shtuan edhe më tepër.
U ndjeva i paaftë t’i përgjigjesha babait. Shkova drejt dhomës tjetër tek po rinte vëllai. Edhe ai u prek shumë shpirtërisht kur i tregova ato fjalë ç’më tha babai ashtu si edhe unë që vazhdoja të isha i prekur në shpirt.
Të dy, unë dhe vëllai morëm një vendim të heshtur. Me hapa të ngadaltë si të ndjenim të rënduar peshën e madhe të dhimbjes, shkuam tek babai. E përqafuam. Edhe ai na përqafoi. U mundua të mos e shprehte habinë e veprimit tonë. Ndjemë se po na puthte kokat tona.
– Baba! – fillova unë të flasë: – Të duam shumë, shumë, shumë. Edhe nusen tënde që do vij këtu në shtëpinë tonë dhe që do jetojë bashkë me ne, do ta duam shumë.
Babai, nuk e përmbajti dot veten. Filloi të qajë me ngashërim.
* * *
Gruaja që erdhi në shtëpinë tonë dhe që do ishte bashkëshortja e babait tonë, ne e konsideronim më tepër si motrën tonë edhe pse ajo kishte për të marrë një detyrë shumë të rëndësishme të luante rolin e gruas së shtëpisë, por edhe rolin e mamasë sonë, që për ne do quhej me një fjalë që askush nuk e dëshiron ta ketë në jetë: Njerkë.
Fjala njerkë, tingëllon jo fort mirë në një pjesë të njerëzve dhe kjo për faktin e sjelljes së tyre të pahishme ndaj fëmijëve të bashkëshortëve të tyre.
Ndërsa njerka jonë ishte shumë herë më ndryshe se njerkat që kanë lënë shije të hidhur tek fëmijët e bashkëshortëve të tyre dhe në njerëz të tjerë.
Njerka jonë, që ne e thërrisnim me emrin e saj origjinal, ishte një grua e bukur, shtatshkurtër, pastërtore dhe që gatuante shumë mirë gjellra të llojeve të ndryshme.
Atë mungesë ushqimi për më shumë se tre vjetë që neve na kishte munguar në shtëpinë tonë të gatuhej nga nëna jonë, ne po e rigjenim të gatuhej nga duart e gruas së dytë të babait tonë.
As vetë nuk e kishim menduar se do miqësoheshim kaq shumë shpejt me njerkën tonë. Ajo mundohej që të na falte dashurinë e munguar tre vjeçare të nënës sonë.
Në shtëpinë tonë filluan të hynin njerëzit, komshijet tona si më parë, si atëhere kur jetonte nëna.
Njerka ishte një grua pastërtore sa edhe vetë nëna jonë e ndjerë.
Brenda vitit të martesës së tyre, njerka solli në jetë fëmijën e saj të parë; ishte vajzë.
Edhe ne, unë dhe vëllai im e ndjemë gëzimin e ardhjes në jetë të motrës sonë të vogël. Për herë të parë nga disa të afërmit tanë, ne mësuam, se motra jonë e vogël e porsaardhur në jetë, për mua dhe vëllain tim, quhej motër e ftohtë.
Po të njëjtin fjalë, e ftohtë, ne do e dëgjonim edhe dy vjet të tjera pas ardhjes në jetë të motrës, kur nëna njerkë solli në jetë fëmijën e saj të dyt që ishte djalë. Pra, familja jonë u shtua. Unë dhe vëllai im, tani ishim edhe me një motër të ftohtë dhe një vëlla të ftohtë.
Ne nuk ia dinim kuptimin se çdo të thoshte vëlla i ftohtë, motër e ftohtë. Për ne, ata ishin motra dhe vëllai ynë që ne i donim shumë dhe mundoheshim të kujdeseshim për ta.
Mes gëzimit që familja jonë po shtohej, në familjen tonë ndodhi një e papritur e dhimbshme. Pas disa vitesh, nga një sëmundje, vdes vëllai im që ishte dy vjet më i vogël se unë. Dhimbja ishte shumë e madhe për të gjithë.
Më kujtohet, sa shumë e ndjeu dhimbjen babai ynë i ndjerë, por edhe njerka jonë, e mira njerkë, e mrekullueshmja njerkë, ajo grua e rrallë.
Unë, fëmija i madh mbeta me motrën dhe vëllain më të vegjël të ardhur në jetë nga njerka ime.
* * *
Një ditë, ndërsa ishim në shtëpi, babai më tha të hynim të dy tek oda e miqve. Kështu e quanim ne dhomën e madhe të shtëpisë që prisnim miqtë e ardhur.
Babai filloi të flasë shtruar derisa e solli bisedën aty për të cilën edhe më kishte ftuar të bisedonim. Më tha mendimin e tij që më tepër mua m’u duk si vendim i tij; më propozoi për martesë një vajzë, e cila banonte jo shumë larg shtëpisë sonë.
Ajo ishte një vajzë e vetme, pa motër dhe pa vëlla. Ata jetonin në një shtëpi të madhe ndërtuar me gurrë, shtëpi e bukur karakteristike, tipike për qytetin tonë.
Nuk e kundërshtova babain. I druajtur, me zë të ulët që po më dridhej nga emocionet pranova mendim vendimin e tij si të jetë më mirë të bëhet.
Ndërsa unë kisha pranuar mendim vendimin e tij për martesë, babai më tha edhe diçka tjetër; pasi të martohesha unë me atë vajzë, do jetoja në shtëpinë e saj meqenëse ajo ishte vajzë e vetme, pa motër dhe pa vëlla.
– Oh! Kjo e papritur, ishte një dhimbje tjetër për mua në vend që të gëzohesha. Do martohesha! Po më martonin dhe bashkë me kurrorëzimin e martësës sime, po më dukej se po më dëbonin nga shtëpia ku unë isha lindur dhe isha rritur; nga shtëpia plot kujtime të bukura dhe të hidhura; nga shtëpia me kujtimet e nënës sime të dashur që sa e sa herë sa ishte gjallë ishte kujdesuar ajo për atë shtëpi. Unë duhet të ikja nga kjo shtëpi, dhe do jetoja në një shtëpi tjetër, të huaj që do quhej edhe shtëpia ime.
Sado e madhe që ishte ajo shtëpi, sado e bukur dhe karakteristike, unë do isha gjithë jetën time si një trup i huaj i vendosur artificialisht në një trup tjetër me emrin shtëpi.
Nuk e imagjinoja kurrë se si do largohesha unë nga kjo shtëpi.
Oh! Nuk ka dhimbje më të madhe kur largohesh apo edhe kur të largojnë nga shtëpia e shenjtë, e dashur ku je lindur dhe ku je rritur.
Por unë e pranova, ose ndoshta isha i detyruar ta pranoja të lija shtëpinë tonë dhe të jetoja në shtëpinë e bashkëshortes sime.
Edhe pse krijova familjen time të re në shtëpinë e huaj por që quhej edhe shtëpia ime, ndjeja dhimbje të madhe kur kaloja përpara portës së shtëpisë ku u linda dhe u rrita.
Fati i jetës sime dukej se më kishte dënuar që, jo vetëm për të mos jetuar më në atë shtëpinë tonë të fëmijërisë, por as edhe të shkoja e ta shihja nga brenda.
Bashkëshortja ime, për vetë faktin se ishte vajzë e vetme pa motër dhe pa vëlla e rritur me përkedhelitë e tepruara të prindërve të saj, nga mendjemadhësia, krijoi konflikte me njerkën time. Dhe kjo ndodhi menjëherë pas vdekjes së babait tonë.
Unë asnjëherë nuk u pajtova dhe asnjëherë nuk i dhash të drejtë bashkëshortes sime në pretendimet e saja. Njerka ime ishte grua e dashur, e nderuar nga të gjithë. Gjatë viteve që kishim jetuar së bashku në shtëpinë tonë, ajo grua mundohej të na plotësonte dëshirat dhe kërkesat tona të prindit ndaj fëmijës; të na përshtatej sa më mirë duke na dhënë dashurinë prindërore. Madje edhe pse i martuar që isha dhe jetoja në shtëpinë e gruas sime, ajo asnjëherë nuk na ndau nga dy fëmijët e tjerë të saj.
Por, e kam kuptuar shumë vonë edhe gabimin tim të shpejtuar për vetë moshën time që kisha dhe i parahur me jetën, kur unë dhe bashkëshortja ime morëm vendimin për të mos folur me njerkën time si edhe me motrën dhe vëllain tim të ftohtë. Ne ishim bërë edhe prindër të një djali; i gëzoheshim atij dhe na dukej se e gjithë bota sillej rreth nesh dhe djalit tonë.
Vendimi i gabuar që morëm unë dhe bashkëshortja ime po ndikonte shumë keq tek unë.
Po ndjeja torturë në vetvete, isha gjymtyar shpirtërisht. Me atë vendim, unë isha shkëputur njëherë e përgjithmonë nga shtëpia ime, nga njerka ime, nga vëllai dhe motra ime e ftohtë. Dhimbje! Dhimbje të madhe po ndjeja brenda qenies sime.
Kaloja përpara portës së shtëpisë së fëmijërisë sime me dhimbje të madhe që mbaja në shpirt.
Gjatë viteve në vazhdim, dhimbja shtohej edhe më shumë. Sa herë që kaloja përpara portës së shtëpisë sime shikoja vocërakët e vëllait tim të hynin e të dilnin nga ajo portë, ti gëzoheshin asaj shtëpie si shtëpia e tyre, tek luanin të gëzuar ashtu sikurse edhe unë isha lindur dhe isha rritur, kisha luajtur, e kisha mirëmbajtur atë shtëpi, i isha gëzuar aq shumë vite më parë sa erdhi një ditë që duhet të largohesha me dhimbje.
Ajo shtëpi, trashëgim nga të parët e mi, nuk po quhej më shtëpia ime, por e vëllait tim, e vocrakëve të tij edhe pse njihej edhe si shtëpia me emrin e babait tonë të ndjerë që është babai ynë i përbashkët pavarësisht nënave tona të ndryshme.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar mënyrën dhe me ç’frymë urrejtje u rritën vocrakët e vëllait tim ndaj meje dhe familjes sime. Fjala, urrejtje, është fjalë e rëndë për t’u përdorur, por unë ashtu e mendoja dhe e shikoja në reagimet e tyre në mënyrën se si më shikonin kur shkëmbeheshim në rrugë, apo kur më hidhnintë ndonjë fjalë jo të këndshme si për të gjetur shkak për t’u grindur.
Ndodhi një ditë e nxehtë korriku. Kishte kaluar mesdita. Moti ishte shumë i nxehtë. Në rrugë nuk kishte njerëz; dëgjoheshin vetëm gumëzhitja e gjinkallave që këndonin papushim në pemët pranë oboreve të shtëpijave përreth.
Po kthehesha në shtëpi. Ndjeja lodhje nga vapa e madhe; isha edhe i djersitur. Kur u afrova pranë shtëpisë ku u linda ndalova hapat. U ula në pragun jashtë portës.
Kisha shumë vite pa u ulur në atë prag. Po ndjeja aromën e viteve të shkuara të fëmijërisë, të rinisë. Po ndjeja dashurinë e viteve të shkuara dhe bashkë me to, po ndjeja edhe dashurinë e njerëzve të mi të dashur që nuk jetonin më, të nënës sime, të babait tim, të vëllait të ndjerë.
Po ndjeja kujtimet e bukura dhe të paharuara nga ajo shtëpi. Dhe, ndërsa unë isha i zhytyr i tëri në një botë tjetër, si në ëndërr, dëgjova hapa nga brenda portës. Vazhdova në kënaqësinë e ëndërrimeve dhe kujtimeve të mija, pa treguar interes se kush mund te ishte.
Dhe, në mes të atyre kujtimeve, dëgjoj të hapej porta me një gërvimë dhe më pas dëgjoj një zë të ashpërr djali që nuk ishte më shumëse 15 vjeç. – Largohu nga shtëpia ime dhe nuk dua të të shoh më të ulesh këtu në këtë prag.
Nuk i kushtova rëndësi atyre fjalëve të një djali adoleshent, pavarësisht se ai djalë ishte nipi im, djali i vëllait tim të ftohtë.
Ndjeva keqardhje për atë djalë nip që brenda qënies së tij mbante të ushqyer ndjenjën dhe frymën e urrejtjes ndaj meje me të cilën ishte edukuar, ndjeva dhimbje, sepse kemi gjak dhe mbiemër të përbashkët.
Toni i ashpër i zërit të tij nuk i përshtatej moshës së tij të njomë adoleshente. Nuk e dhash veten; bëra sikur nuk e dëgjova. Po mendoja, por mendimet m’u ndërprenë përsëri. Zëri i djalit nip ishte edhe më i ashpër. Doli jashtë portës, më qendroi përballë. – Të thash, nuk dua të të shikoj më të ulesh në pragun e portës së shtëpisë sime, nuk dua të bëj skandal.
Nuk fola, i hodha një shikim plot dhimbje. E vështrova ngultas. U mundova të sajoja një buzëqeshje, por kuptova se isha i paaftë.
“Largohu nga shtëpia ime! Nuk dua të bëj skandal” Këto dy shprehje të dhimbshme dhe të përvajshme për mua që nga ajo ditë më kanë shoqëruar gjithë jetën time edhe në këtë moshë të thyer që jam tani dhe që po shkruaj këto kujtime.
Dhe unë, për t’i “shpëtuar” atij skandali, sipas djaloshit, u çova në këmbë; vura pëllëmbën e dorës duke u mbajtur në njërën kanatë të portës së shtëpisë.
Veprova me vetëdije, bëra sikur u mbajta në portë. Doja ta prekja atë pjesë porte të shtëpisë. Prekja e portës me dorën time m’u duk se më riktheu një dashuri të humbur, më riktheu ndjenjën e munguar prej vitesh.
Nuk fola. I hodha edhe njëherë syt nga porta e shtëpisë sime, por që nuk ishte më e imja, vazhdova hapat drejt shtëpisë tjetër. Po mbaja brenda qenies sime një dashuri të munguar. Atë dashuri të munguar po e ndjeja të gjithën në pëllëmbën e dorës sime.
Në rrugë nuk kishte njerëz, por jam më se i bindur, nëse dikush do të më shikonte në ato çaste do dallonte në fytyrën time shenjë brengëse dhe pikëllimi, brenga e gjithë viteve që më ka shoqëruar deri edhe në këtë moshë.
Nuk e di se ç’po ndjente në ato çaste brenda qenies së tij nipi im, djali i vëllait tim të ftohtë.
Vallë, po ndjente akoma urrejtjen ndaj meje?! Po ndjente akoma ndjenjën për të bërë skandal me mua?!
Nuk e di se ç’ka menduar, ndërsa unë vazhdoja ecjen drejt shtëpisë dhe po mbaja brengën e madhe për atë shtëpi që është edhe e imja; shtëpia me dashurinë dhe kujtimet e shumta.
Veç, për një gjë jam shumë i sigurtë. Edhe pse ai djalë nipi im është rritur me një tjetër frymë të pamerituar ndaj meje, do t’i vijë një moshë që do t’i kuptojë vetë gjërat, madje do jetë në gjendje të gjykojë edhe vetë veten dhe prindërit e tij me të mirat dhe gabimet e tyre si çdo prind tjetër, pavarësisht se çdo fëmijë e ka të vështirë të pranojë gabimet e prindit.