Me rastin e 19 vjetorit të harresës/
Nga Abdurahim Ashiku/
Nëntëmbëdhjetë vjet pa Ata, pa djemtë e Maqellarës, Grevës, Melanit, Brezhdanit, Reçit, Grevës, Rashnapojës…, djem në moshën më të bukur të jetës që më 9 mars të vitit 1996 lanë brigjet e detit të Vlorës për të mos arritur kurrë në brigjet e ëndrrës së tyre, brigjet Italisë.
Një plagë e madhe që Dibra e mban të mbyllur pa vullnet e dëshirë ta hapë, një plagë që nuk e di pse s’bëzan, pse nuk thërret e bërtet për të vërtetën e zhdukjes pa lënë gjurmë, një plagë që asokohe pushteti dhe shteti politik ia bllokoi gurmazin që të mos dalë zë.
Le të mblidhemi në breg të Drinit apo në breg të detit për tu përcjellë djemve të Dibrës tufa me lulet e verës, mbledhur në kodrat e Maqellarës, Grevës, Melanit, Rashnapojës, Brezhdanit, Reçit…
T’ia përcjellim detit, dallgëve që mbajnë dhimbjen e madhe shqiptare…
Në kujtim të tyre po shkëpus një shkrim të Q. Hamzajt bërë publik më 15 maj 1996…
* * *
KU BIE SANTA MAQELLARA?…
14 marsi, dita kur fëmijët bëjnë ritet e Ditës së Verës, kur nuset dhe vajzat e reja sjellin në shtëpi ujin e kristaltë të krojeve, ky 14 mars, këtë vit, fushën e Maqellarës e gjeti nën dëborë. Poshtë saj nxinte toka e mbi të rëndonte i plumbtë qielli…Por më i zi e i rëndë se plumbi erdhi në familjen e Ziaudin Qokut në Kllobçisht lajmi i kobshëm se djali i tij 20 vjeçar, Sulejmani, i sapomartuar, humbi jetën në det, duke kaluar me skaf për në Itali…
Djemtë e Maqellarës, mjeshtër në bujqësi e punëtorë të fronteve më të vështira në minierë e gjeologji, mbetur pa punë, u janë drejtuar rrugëve të kurbetit, rrugëve të Maqedonisë, Greqisë, Italisë. Vetëm në një vend në rrethinat e Napolit punojnë më shumë se njëmijë maqellaras. Vendi ku punojnë më shumë thirret Santa Maqellara, se sa me emrin e vet, Santa Maria.
Dhe ndodhin ngjarje të kobshme…
E prapë emigrimi vazhdon. Rendin të rinjtë maqellaras drejt shpresës së madhe si fluturat drejt dritës, ndonëse si fluturat edhe digjen. Mjaft prej tyre kthehen me ndihmat e bashkëkombësve, me ndihmat e qytetarëve të mirë italianë. Listat, me emrat e njerëzve nga e gjithë Shqipëria, lexuar nën lotët çurkë para varreve, sa vijnë e shtohen. Djemtë kthehen në arkivole druri e metali. Ndodh që nuk kthehen as të vdekur…
Trupi i pa jetë i Sulejmanit u preh në gjirin e vendlindjes.
Për djelmoshat e tjerë, 29 a më pak, kryesisht maqellaras, që ishin në të njëjtin skaf, asnjë lajm, asnjë shenjë. Dikush tha se i ka marrë një anije e huaj. Dikush thotë se janë burgosur në një vend të huaj. TVSH, tepër thatë, dy javë më pas njoftoi vdekjen e S. Qokut dhe të një viktime të pa identifikuar. Tha se ekspertët shqiptarë më 18 mars kanë shkuar në Itali për të ndriçuar ngjarjen.
Që atëherë heshtet…
Ankth dhimbjeje dhe pritjeje, vegim shprese në familjet e 2 vëllezërve në Burim, të 2 vëllezërve Elezi në Vojnikë, të njerëzve të një gjaku e të një moshe në Kllobçisht, Majtarë, Burim, Vojnikë, Maqellarë, Grevë, Melan, Trepçë, Rashnapojë, Brezhdan…
Dhembje pritjeje e pranishme në çdo familje dibrane…
Emigrantët në Itali pyetjen e parë për ikanakët e kanë “Mos jeni ato të skafit të 9 marsit…”
15 maj 1996…