• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KERKOHET PËRKUSHTIM TË JESH VEPRIMTAR I DIASPORËS SË AMERIKËS

July 21, 2013 by dgreca

Opinion nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA/

Nuk është pak të jesh veprimtar i Diasporës së Amerikës. Nuk është e thënë  vetëm të jesh i anëtarësuar në ndonjë shoqatë shqiptaro-amerikane. Rëndësi ka vizioni për të cilin punon, mënyra se si e mbështet dhe e ndihmon me kthjelltësi Çështjen Kombëtare Shqiptare.

Ka shumë veprimtarë që shquhen në Amerikë. Janë me mijëra. Dikush ndihmon financiarisht, dikush lobon, dikush organizon, dikush shkruan një artikull për Diasporën, dikush bën një emision për Diasporën a për ngjarje kombëtare që festohen në Amerikë, dikush punon për mësimin e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptaro-amerikanëve, dikush boton një studim historik me temë Identitetin Kombëtar Shqiptar, dikush krijon lidhje me amerikanët e qeverisjeve vendore, shtetërore dhe federale, dikush krijon lidhje me shoqatat shqiptare të Amerikës, dikush hedh një ide përbashkuese për të gjithë Diasporën e Amerikës, dikush me të zgjedhurit në Kongres dhe Senat, dikush krijon kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare e shumë arsye të tilla.

Disa punojnë privatisht,disa janë punësuar në zyrat e të zgjedhurve amerikanë, disa të organizuar në shoqata shqiptare a institucione fetare. Këta veprimtarë janë nga e gjithë Shqipëria natyrale e trojeve në Ballkan sipas atyre trojeve që u thirrën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kanë lindur në trojet shqiptare në Ballkan, Europë, Australi dhe Amerikë.

Familjet e tyre apo ata vetë kanë rrënjë apo kanë ardhur nga Arbëreshët e Italisë, nga shqiptarët e Ballkanit apo dhe nga mërgata shqiptare e pas Lidhjes së Prizrenit. Kanë bindje politike të kundërta ose të njëjta, por mbi të gjitha edhe bashkohen në një pikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare më shumë në teori se sa në praktikë. Shumë pak veprimtarë janë vërtet të pozicionuar me përkushtim në raport me shifrën gjysmë milionëshe të shqiptarëve të Amerikës, e cila nuk është zyrtare, sepse ne shqiptarët e Amerikës nuk na e ka vërtetuar Censusi qoftë dhe ky i fundit. Kjo më shumë për fajin tonë, apo të shoqatave shqiptare që nuk e kanë shndërruar në faktor Diasporën e Amerikës, kur bëhet fjalë për regjistrimin zyrtar të shtetasve amerikanë, siç jemi edhe ne.

Problem është vërtet puna udhëheqëse me shoqatat shqiptare. Sepse është punë vullnetare e deri diku njerëzit shohin interesin e ngushtë personal. Edhe kur organizon një veprimtari ka siklet të madh, se duan të flasin të gjithë.

Arsye tjetër, është se shqiptaro-amerikanët kanë bindje dhe kapacitete intelektuale të ndryshme, edukime të ndryshme, sepse disa u rritën dhe u edukuan në regjimin komunist të Shqipërisë, disa në regjimin titist të Jugosllavisë dhe të Millosheviçit dhe disa në regjimin demokratik të Amerikës.

Në shoqata apo degë të tyre disa anëtarësohen me fis dhe disa me shoqëri më shumë. Janë dukuri shqiptare që shfaqen dhe këtu në Amerikë.

Ka edhe që vdesin të bëjnë një foto me liderët shqiptarë të shqiptarëve të Ballkanit edhe pse këta të fundit nuk kanë hyrë të gjithë në Shtëpinë e Bardhë!Sepse nuk e kanë drejtuar mirë Shqipërinë apo Kosovën e le më të ndihmonin Diasporën.

Historikisht vetëm Noli, Konica dhe DioGuardi për më shumë se 25 vjet lanë gjurmë lobizmi në Amerikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. DioGuardi edhe pse me rrënjë Arbëreshe është sot për sot misionari i vërtetë i Çështjes Kombëtare Shqiptare. Dhe e kemi për krenari ta dëgjojmë e mbështesim atë.

Diaspora e Amerikës është në vendnumëro përsa i përket ndërgjegjësimit kombëtar për një bashkëkuvendim mbarëkombëtar të shoqatave aktive të qyteteve amerikane. Dhe veprimtarët në tërësi pak bëjnë për këtë. Ose u duket si  i pamundur! U duket i tejkaluar Bashkimi ose i bërë kur nuk në fakt nuk është real! Le që disa nuk duan ta zënë me gojë, fare! Dhe hiqen si atdhetarë të mëdhenj se u botohen fotot në gazeta apo dalin në intervista televizive.

Të përkushtuarit me veprimtarinë atdhetare e kulturore me komunitetin shqiptar do kujdes e sakrificë. Edhe pse shoqatat shqiptaro-amerikane nuk kanë ditur të bashkëkuvendojnë zyrtarisht. Të paktën me ardhjen e shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe me prishjen e Jugosllavisë, me luftën për Çlirimin e Kosovës nuk është bërë asnjë përçapje për Bashkimin e Dytë të shqiptarëve të Amerikës në këtë shekull të Dytë të pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Duket si i bërë Bashkimi i shqiptarëve të Amerikës njëherë me Nolin dhe Konicën.

Ka një heshtje varri. Duket sikur çdo gjë shkon vaj. Më shumë shkruhet për të shkuarën dhe shumë rrallë për të ardhmen e  Diasporës së Amerikës. Por në fakt, gjeografia e organizimit të komuniteteve shqiptare në Amerikë tregon se organizimet shqiptare janë të vendosura sipas qyteteve ku banojnë. Pa ndonjë orjentim nga lart si 100 vjet më parë.

Shqiptarët e Amerikës nuk kanë nevojë sot për sot të kenë një ombrellë përfaqësimi pa bashkëkuvenduar qytet më qytet amerikan ku banojnë shqiptaro-amerikanët. Ata kanë nevojë të kuptojnë se Diaspora e Amerikës nuk ka sot një platformë të përbashkët organizative. Nuk ka një kuvend mbarëkombëtar jo thatë, por me një Draft-Strategji se cilat janë nevojat e komunitetit shqiptar për të mbajtur gjallë Identitetin Shqiptar, cilat janë mundësitë e bashkëpunimit me qeveritë shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës a të qeverisjeve vendore të shqiptarëve të Maqedonisë, Preshevës dhe Malit të Zi, cilat janë përparësitë e organizimeve shqiptare në Amerikë, cilat janë modelet e këtyre organizimeve, cilat janë pikat e përbashkëta, cilat janë mundësitë financiare, cilat janë projektet studimore, shkencore, kulturore a çdo gjë tjetër që kërkon ndihmën e komunitetit shqiptar të Amerikës etj.

Sepse ka udhëheqës si Joseph DioGuardi  i Lidhjes Qytetare New York, që na këshillon të punojmë së bashku se ” Gur-gur bëhet mur”. Ndaj ka edhe veprimtarë, funksionarë vullnetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane si Programi Unik Shqiptar, New York, Shoqata Ana e Malit, New York, Shoqata KOMBI e Worcester,MA, Shoqata Atdhetare Rilindasit e Boston, Shoqata Kosova e Boston apo edhe veprimtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë që mendojnë se është e domosdoshme të bashkëkuvendojmë me të gjitha shoqatat pa përjashtim! Dhe sot a nesër kjo do të ndodhë në Amerikë, sepse vërtet me tërë këtë vendnumëro që shohim do të dalë dikush nga ne që do ta ngrejë zërin në mos këtu në Amerikë edhe në Shqipëri a Kosovë, sepse ne nuk duhet të heshtim pa e përmbushur misionin kombëtar të Rilindasve për ta bërë Çështjen Kombëtare. Në këto rrethana në të cilat na ka ndihmuar Amerika më shumë dhe liderë si Noli, Konica dhe DioGuardi!

Si mund të flesh gjumë duke qënë veprimtar i Diasporës së Amerikës e të lësh pa përmendur përdhosjen e historisë kombëtare me sanksionimin e vendvarrimeve greke në Shqipëri! Dhe themi në Amerikë sipas Nolit:” Mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”!

Ku janë djemtë shqiptarë të Amerikës kur shtetarët shqiptarë përuruan me shtetarët grekë varrezat greke të Këlcyrës që kanë edhe eshtra të shqiptarëve të Kosinës? Po kur Janullatosit që i bekon këto varreza ju dha Urdhri i Skënderbeut nga Presidenti Bamir Topi që harroi në sirtaret e Presidencës të nderonte At Stath Melanin me Urdhrin Nderi i Kombit, sepse nuk e kishëroi se nuk deshi Janullatosi!Sepse kështu kishte vendosur Kisha Greke nga vjen Janullatosi!

Shtetarët shqiptarë vijnë me vrap në Amerikë, sepse i presin mirë veprimtarët e Diasporës së Amerikës si për qoka shtëpie! Sepse klasa politike shqiptare e Tiranës e di se nuk u kërkon kush llogari në Amerikë nga Diaspora as për katrahurën e 1997-ës, as për Shkëmbin Barketa, as për shitjen me tendera skandalozë të pasurisë kombëtare, as për Gërdecin, as për 21 Janarin, as për djegien e të përndjekurve politikë në sy të botës në Tiranë, as për moshapjen e dosjeve të komunizmit, as për ndryshimin e ligjit 7501 për pronësinë e tokës, as për rigjallërimin e mësimit të Gjuhës Shqipe në Amerikë etj. Ja këta jemi si në Shqipëri dhe në Amerikë! Njëlloj, qejfembetur për bindje politike që u ka dalë boja. Dhe ka militantizëm pa vënd dhe këtu në Amerikë! Fatkeqësi. Ju vjen keq më shumë disa veprimtarëve që u humbet partia e zemrës se sa Shqipëria që është në hall, sepse me atë tranzicion u përndoqën mbi një milion shqiptarë nga Shqipëria pas 1990-ës!

Dhe Diaspora vetë këtu as që e di se u abuzua me shqiptarët e pas 1990-ës në Greqi njëlloj si me Çamët në Luftën e Dytë Botërore. Një ksenofobi e paparë! Po Diasporës së Amerikës nuk ju dëgjua zëri! Sepse nuk ishte e organizuar! Ose ishte çalë-çalë! Siç ngjet edhe sot në disa raste.

Daullen e disa veprimtarëve të Diasporës së Amerikës në New York se në Shqipëri ishte rrezik kthimi i komunizmit pas 23 qershorit nuk e dëgjon më kush. Nuk i hanë më këto parrulla shqiptarët e Shqipërisë, le më këtu në Amerikë jo e jo! Por duhet që disa nga veprimtarët që kanë ikur nga Shqipëria e nuk janë kthyer më, është mirë të shkojnë e shohin realitetin.

Shqipërisë i ka mbetur e hapur rruga të bëjë përpara! Në BE. Si dhe Kosovës në OKB, NATO dhe BE! Ka fat Shqipëria sot se ka një mbështetje ndërkombëtare më shumë se me regjimin e Berishës që po ikën si e fundit praktikë komuniste e të drejtuarit të shtetit të shqiptarëve në Ballkan! Sepse Amerika dhe partnerët Europianë dinë të vlerësojnë aspiratën e popullit shqiptar që i ka shkuar tek nuk mban më. Sepse institucionet shqiptare janë tërësisht të varura nga pushteti i sotëm me klane e krushqi e krahinizma e nepotizma që kërkund në bot nuk i gjen.
Edhe shteti i kapur i Berishës u shkërmoq, sepse u bë oborr si i Zogut dhe i Enverit! Dhe Diaspora me fare pak veprimtarë u mundua me shkrime kritike për ta çmontuar regjimin autokratik të Berishës.

Po kush guxon sot në Amerikë veç DioGuardit dhe Forumit për Demokraci të deklarojë gjendjen skandaloze të keqdrejtimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare! Askush! Sepse u mbetet qejfi në Shqipëri atyre që sot po bëjnë gati valixhet apo edhe këtyre që po formatojnë qeverinë e re.

Ka edhe veprimtarë të kthjellët dhe bashkëkohorë, sepse kanë shkollim shqiptar dhe amerikan apo edhe europian. Por është e pafalshme që Diaspora e Amerikës ka përqafuar krahë të politikës shqiptare të Shqipërisë hapur ose ka bashkëpunuar qorrazi pa e ndihmuar atdhetarizmin dhe kjo është parë sheshit edhe në kohën e regjimit komunist edhe tani në Tranzicion. Bile, edhe me një thirrje që ju bë popullit shqiptar për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 mundi shkoi dëm, sepse populli shqiptar nuk i dëgjoi disa veprimtarë që më shumë nuk e njihnin realitetin dhe kjo thirrje tingëllonte më bukur më 1945-ën se sa më 2013-ën! Dhe për këtë kuptohet nuk jep kush llogari as këtu, as në Shqipëri.

Rëndësi ka reflektimi i veprimtarëve të Diasporës së Amerikës për Çështjen Kombëtare Shqiptare! Bindjet politike janë vetëm për në shtëpi. Ato nuk hanë bukë po qe se je në tryezën e bashkëpunimit ku vendoset për veprimtari a organizime të komunitetit shqiptar.

Të bëhemi një për një program të përbashkët kombëtar të Identitetit Kombëtar.Kjo është Çështja! Nuk kemi sot një dokument përbashkues të firmosur nga të gjitha shoqatat aktive shqiptaro-amerikane! Një dokument vizionar për ardhmërinë nuk e kemi! Punë e madhe!,- do thotë dikush!Po si mund të themi që bëjmë veprimtari atdhetare pa një program të përbashkët të Diasporës?

Kam shkruar disa shkrime rresht për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të Diasporës së Amerikës për një Vizion për ardhmërinë e Diasporës së Amerikës, sepse RiBashkimi është i nevojshëm ose do rrëshqasim shumë shpejt siç jemi edhe në disa raste, në folklorizëm! Sepse nuk po celebrohen ngjarjet kombëtare nga të gjitha shoqatat edhe pse këto herë-herë kanë probleme organizative, financiare apo edhe zhvendosje të veprimtarëve për banim nga një qytet në tjetrin.
Vetmburrja nuk ka më vend. Ka kuvende të thata pa një platformë përbashkuese. Askujt nuk i hahet haku për çka të mirë ka bërë për shoqatën aktive ku është anëtar, pak rëndësi ka mosha e shoqatës, sepse të gjitha shoqatat deri diku kanë gati-gati një hall të madh – përbashkimin! Ndaj lindin edhe probleme, sepse shohin që në qytete amerikane ku ka shoqata të vogla me pak kontribut financiar ka aktivitet të gjerë atdhetar dhe kulturor.

Vërej domosdoshmërinë e ngritjes në nivel përfaqësimi të Diasporës në rang Ministrie në Shqipëri për të bërë me themel Regjistrin e Diasporës si dhe forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, sepse deri tani ose ka qënë i pakët, i planifikuar ose nuk ka egzistuar fare në disa komunitete shqiptare të qyteteve amerikane. Sepse shqiptarët e Amerikës, Tirana zyrtare i ka përkufizuar me New York-un. Po shqiptaro-amerikanë nuk ka vetëm New York!

Më vjen mirë që veprimtarë si Sali Bollati, Xheladin Zeneli, Emin Egriu, Bashkim Klloboçishta, Ismet Kurti, Petrit Alibeaj e dhjetëra të tjerë janë përkrah vizionit përbashkues me të gjitha shoqatat aktive për një bashkëkuvendim të të gjitha shoqatave.

Vetëm kështu Diaspora e Amerikës do të jetë vërtetë në shërbim të kombit. Sepse siç jemi sot të parcelizuar në qytete vështirë se do bëjmë më shumë. Prandaj, kemi nevojë për bashkëkuvendim me moton: Një Vizion- Një program kombëtar.

Ndryshe misioni ynë, i veprimtarit të Diasporës së Amerikës do të plotësohet pjesërisht. Ose do venitet siç ka ndodhur në disa dekada!

Kemi më shumë nevojë të shohim përtej pragut tonë, për të ardhmen e Identitetit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare!Pra, le të përbashkohemi me përkushtim!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artur vreka, kerkohet perkushtim, per veprimtaret e Diaspores

Artikujt e fundit

  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT