• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA PËRGATITET PËR ZGJEDHJE

May 15, 2017 by dgreca

-Qeveria në detyrë pas mocionit të mosbesimit zhvillon mbledhjen e pare/

*QEVERIA E KOSOVËS, 4.944.900 EURO PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE NË 11 QERSHOR /

2 qeveria kosove

 -Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovë, Kryesia në mbledhjen e pare/ 
 -KQZ në mbledhjen e dytë për përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit/
-PERIUDHA E APLIKIMIT PËR REGJISTRIM PËR VOTIM JASHTË KOSOVËS
15 MAJ – 22 MAJ 2017/
 
 PRISHTINË, 15 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Për miratimin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 145-të, të 20-tën në 2017-tën, ndërsa të parën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh.
Mbledhja e qeverisë së Kosovës ishte paralajmëruar për të hënën e para një jave, të 8 majit, por u shty derisa në kohën e nisjes nuk kishin shkuar zëvëndëskryeministri e ministrat nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK, e lideri i saj e kryeparlamentari Kadri Veseli ndodhej në takim me liderin e partisë së dytë të koalicionit, LDK, kryemunistrin Isa Mustafa.
“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bëhej e ditur para një jave në komunikatën për shtyp nga Kryeministria.
 Por, në mbledhjen e sotme të qeverisë nuk ishte në axhendë Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e as procedimi i tij, pasi votimi me shumicë pro mocionit të mosbesimit ishte edhe vetëshpërndarje e Kuvendit. Menjëherë pas seancës së mosbesimit ndaj qeverisë, shpërndarja e Legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës u dekretua në 10 maj nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi,  i cili më tej, pas konsultimieve me partitë në 11 maj dekretoi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për t’u mbajtur pas një muaji – në 11 qershir 2017.
Caktimi i datës së zgjedhjeve menjëherë mobilizoi për përgatitjet Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës, i cili zhvilloi mbledhje edhe sot.
Ndërsa, sipas vendimit të KQZ-së të 11 majit për caktimin e afateve të aktiviteteve, aplikimi i  subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhje ka nisur që atë ditë dhe përfundon për një javë në 19 maj 2017.
Afati i tërheqjes së shortit për renditjen në fletëvotim do të jetë 27 maji 2017.
Afati për të caktuar kufizimin e shpenzimeve për fushatë filloi në 11 maj dhe mbaron në 15 maj 2017.
Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë në 31 maj dhe do të përfundojnë në 9 qershor 2017.
Dorëzimi i kërkesave për akreditimin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhgueseve me fillim në 11 maj përfundon në 4 qershor 2017.
Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon në 15 maj dhe do të përfundojë në 22 maj 2017.
Për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u mbështetur në ligj, mori vendim që të shkurtojë afatet kohore në përputhje me rrethanat, miratoi Planin Operacional dhe Planin e Buxhetit në vlerën 4 milionë e 944 mijë e 900 euro.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 do jenë të gjashtat në liri, të tretat në pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në deklarata e biseda para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës një nga alternativat ishte që nëse koalicioni qeverisës nuk do qëndronte deri në fund të mandatit në vitin 2018, zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen përnjëherë edhe në 2017-tën, ashtu si kanë ndodhur edhe më parë para 10 viteve,  në 17 nëntor 2007, që kështu të kishte edhe kursim buxheti, që mos të mbahen njëherë të parat e pastaj të dytat brenda një viti, në pak muaj distancë.
Tash në largim pas mocionit të mosbesimit, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e 10 majit 2017 me shumë debate, replika e përplasje, me votat edhe të grupit parlamentar të partisë më të madhe e koalicionit qeverisës PDK miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga tre grupet parlamentare opozitare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur me nënshkrime nga 42 deputetë.
 
PERIUDHA E APLIKIMIT PËR REGJISTRIM PËR VOTIM JASHTË KOSOVËS
15 MAJ – 22 MAJ 2017 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se Periudha e Aplikimit për Regjistrim për Votim jashtë Kosovës ka filluar sot, 15 maj dhe do të përfundojë më 22 maj 2017.
Gjatë kësaj periudhe, keni mundësi të aplikoni për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, përmes tri mundësive: përmes postës; përmes e-mailit dhe përmes fax-it.
Nëse ju aplikoni për tu regjistruar përmes e-mailit, aplikacionin duhet ta dërgoni vetëm për veten tuaj, përmes llogarisë elektronike personale (e-mail) dhe më së shumti, ju njoftojmë se aplikacioniet mund t’i dërgoni për rrethin e ngushtë familjarë dhe jo për personat tjerë.
Për më shumë informacione vizitojeni faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org
 
PAS SHPËRNDARJES SË KUVENDIT TË KOSOVË, KRYESIA NË MBLEDHJEN E PARË
 
Kryesia e Kuvendit të Kosovës zhvillon sot mbledhjen e parë pas mocionit të mosbesimit për qeverinë e shpërndarjes së legjislaturës së pestë në seancën e fundit plenare të mërkurën e javës së kaluar.
Në njoftimin e dërguar nga Kuvendi nuk bëhet e ditur axhenda. Edh pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës vazhdojnë funksionet në kryerje të detyrës kryeparlamentari dhe Kryesia.

QEVERIA E KOSOVËS, 4.944.900 EURO PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE NË 11 QERSHOR /

-Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt/

PRISHTINË, 15 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 145-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ndarjen e mjeteve financiare për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, në vlerë prej 4.944.900 euro, të cilat janë të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve më 11 qershor.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe koncept-dokumenti për qasje në dokumentet publike, që ka për qëllim të ofrojë informata të mjaftueshme për problemet që janë hasur në këtë fushë dhe mënyrën se si do të rregullohet kjo fushë. Është rregulluar në plotni edhe qasja në dokumente publike në përputhje të plotë me politikat qeveritare.

Në këtë koncept-dokument propozohet edhe ndryshimi i dy ligjeve të tjera: Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. “Jam i bindur se në hartimin e plotë të këtyre dy projektligjeve, do të merren parasysh edhe opinionet e rekomanduara nga grupi i ekspertëve, të cilët do të mundësojnë një transparencë të plotë dhe qasje në dokumente publike për qytetarët tonë”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë për Barazi Gjinore.

Ky Agjencion funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ka për qëllim që të bëhet një sistematizim më i mirë i kësaj Agjencie, me qëllim që të përcaktojë qartë misionin, qëllimin dhe përgjegjësitë, si dhe strukturën organizative të Agjencionit për Barazi Gjinore.

Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.10/104 të datës 10.08.2016 për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, mori miratimin e kabinetit qeveritar.

Kabineti qeveritar miratoi edhe koncept-dokumentin për Organizimin e Administratës Publike të Republikës së Kosovës, i cili vendos opsione për zgjidhjen e problemeve që janë identifikuar në aspektin e organizimit të Administratës Publike, duke i mundësuar Qeverisë në këtë rast që të vendos për zgjidhjen më të mirë të shpalosur në pjesën e rekomandimeve të këtij koncept dokumenti.

Koncept-dokumenti propozon zgjidhje në katër segmente kryesore:

1) Vendosjen e rregullave për themelimin e agjencive të pavarura sipas Nenit 142 të Kushtetutës, kuadrin e përgjegjshmërisë për institucionet kushtetuese të pavarura dhe agjencitë e pavarura dhe rregulla minimale për organizimin e brendshëm të këtyre institucioneve e të cilat mundësojnë zbatimin e ligjit të shërbimit civil dhe të pagave;

2) Rregulla për administratën shtetërore në aspekt të vendosjes së parimeve themelore, themelimin e organeve në varësi të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, organizimit të brendshëm, organizimit territorial, mbikëqyrjen dhe delegimin;

3) Rregulla për administratën komunale që përfshinë organizmin e brendshëm, ofrimin e shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetarë dhe delegimin;

4) Rregulla për menaxhimin e tranzicionit.

Me rekomandimet e këtij koncept-dokumenti mëtohet të bëhet qartësimi dhe zgjidhja më e mirë për organizimin e administratës publike, siç janë: themelimi, përgjegjshmëria, organizimi, standardet dhe llogaridhënia.

Miratimin e kabinetit qeveritar, e mori edhe koncept-dokumenti për Shërbimin Civil, i cili propozon zgjidhje për qartësimin e fushëveprimit të shërbimit civil si dhe vendosjen e rregullave minimale për të punësuarit tjerë në sektorin publik, rregulla më të mira për rekrutimin dhe përfshirjen e rekrutimit në grup dhe në mënyrë të centralizuar për degën e ekzekutivit, rregulla për ngritjen e trupës së nivelit të lartë drejtues, përmirësimin dhe qartësimin e mëtutjeshëm të rregullave për karrierën dhe klasifikimin e vendeve të punës, menaxhimin e burimeve njerëzore, vlerësimin e rezultateve në punë, ngritjen e kapaciteteve, pezullimin e marrëdhënies së punës, disiplinës dhe mënyrës së zgjedhjes së ankesave.

Kryeministri Isa Mustafa tha se të dy këto koncept-dokumente janë të lidhura me kërkesat nga Bashkimi Evropian për pakon e ligjeve që ndërlidhet pastaj edhe me ligjin për pagat, ndërkohë që ministritë mund të punojnë në përgatitjen e tyre dhe pasi të bëhet konstituuimi i Qeverisë së re të procedohet.

Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve financiare për Shoqatat Familjare të të Zhdukurve të Kosovës. Për Shoqatën e Krushës së Vogël, u ndanë 3.000 euro, për Shoqatën “Thirrjet e nënave” në Gjakovë, 2.000 euro dhe për Shoqatën “Ngritja e Zërit” në Skenderaj, 500 euro.

Qeveria mori vendim edhe për ndarjen e mjeteve në shumë prej 90.499 euro për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për realizimin e procesit ankimor lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVA PËRGATITET, për zgjedhje

Kosovë- Të gjithë të gatshëm për zgjedhje

March 27, 2017 by dgreca

Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në një proces zgjedhor të ri, të parakohshëm, përfshirë edhe subjektet në koalicionin qeverisës, megjithëse këto të fundit kanë kërkuar që vendi “t’i përfundojë proceset e nisura”.

Mundësia e zgjedhjeve të reja në Kosovë u përmend posaçërisht në fund javën e kaluar, pas Konventës së tetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kur u shpreh gatishmëria për t’u futur në garën zgjedhore.

Përmes deklarimeve për mospërmbushje të obligimeve karshi, siç thonë, qytetarëve të vendit, partitë në koalicionin qeverisës kanë shtuar kritikat ndaj njëra tjetrës ‘për ngecje të proceseve të nisura, e në veçanti në rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës’.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova ndodhet përpara proceseve të rëndësishme dhe mbajtja e zgjedhjeve, sipas tij, do të pamundësonte përfundimin e tyre.

Por, Pajaziti tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, në raste se mbahen ato.

“Ne si PDK mendojmë se i gjithë spektri politik me përgjegjësin e vet duhet t’i kryejë punët dhe detyrimet karshi qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare, e para. Ndërsa ne si subjekti më i madh politik, në kohën e fundit kemi pasur edhe aktivitete partiake në të cilat kemi vlerësuar se jemi të gatshëm për të gjitha proceset. Jemi të gatshëm të përballemi me sfidat në institucione, në Kuvend e më tutje. Po ashtu, nëse veç krijohen rrethana të zgjedhjeve, ne po ashtu jemi të gatshëm edhe për zgjedhje“, tha Pajaziti.

Por, partneri në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe mandati i përcaktuar me marrëveshjen e arritur me PDK-në duhet të zbatohet deri në fund.

Megjithkëtë, Haki Rugova nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse rrethanat krijohen që të shkohet në zgjedhje, LDK-ja është e gatshme për këtë proces.

“Nuk besoj se do të ishte mirë [të shkohet në zgjedhje] për shkak të situatave, për shkak të rrethanave politike që janë. Ne duhet t’i shtyjmë agjendat politike që ka koalicioni LDK- PDK. Unë mendoj se ka rezultate të mira e pozitive në qeverisje dhe ato duhet të shkojnë si dhe të realizohen premtimet. Agjenda politike që është konceptuar që në fillim si projekt të shkojë deri në fund të mandatit”, tha Rugova.

Koalicioni qeverisës PDK-LDK u krijua pas zgjedhjeve të vitit 2014 dhe një bllokade politike prej gjashtë muajsh, që e futi vendin në një krizë të thellë institucionale.

Dy partitë u përballën me reagimin e fuqishëm të opozitës në Kuvend, në disa situata, përfshirë edhe atë të diskutimeve për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zgjedhjet e reja u përmenden shumë herë në dy vitet e funksionimit të koalicionit, ndërkohë që opozita i ka quajtur të, siç thotë, ‘pa kredibilitet’ institucionet e vendit dhe mekanizmat e tyre, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet do të ndryshonin gjendjen.

Organizimi i zgjedhjeve thonë në opozitën e Kosovës, nuk duhet të varet nga disponimi i partive në pushtet, por ‘nga gjendja reale në të cilën ndodhet vendi’.

Dardan Molliqaj sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë se nevoja për zgjedhje të reja të lira dhe demokratike ka qenë shumë më e hershme, por një gjë e tillë nuk është praktikuar. Sipas tij Vetëvendosje është e gatshme për procesin zgjedhor.

“Tendenca e partisë në pushtet, përkatësisht PDK-së, ka disa muaj që është duke u përgatitur për ta çuar vendin në zgjedhje. Normalisht krejtësisht për interesa personale të grupit të ngushtë edhe të Kadri Veselit edhe interesave të klaneve brenda PDK-së”. 

“Asgjë për interesa të shtetit. Se a do të ketë zgjedhje të parakohshme apo jo në këtë pjesë të vitit, kjo veçse varet nga faktori vendor, kushtimisht partitë në pushtet. Po ashtu varet edhe nga faktori ndërkombëtar dhe për ne këta dy faktor janë të panjohur”, tha Molliqaj.

Megjithëse e ka cilësuar të rëndësishëm faktin se Kuvendi nuk i ka votuar Demarkacionin dhe Asociacionin, Molliqaj ka thënë se “mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës” është, siç e quan, “papërgjegjësi e disa qeverive të vendit”.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë, ndërkohë, thonë se partitë politike ‘po kërkojnë mënyra më të lehta për t’iu ikur përgjegjësisë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova’.

Koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së me pjesëmarrjen edhe të komuniteteve pakicë, vlerësohet të ketë arritur mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, për përfundimin e një numri çështjesh përfshirë krijimin e Gjykatës Speciale dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë, përmes zbatimit të marrëveshjeve, njëra nga të cilat është edhe ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. (REL)

Filed Under: Politike Tagged With: koment per zgjedhjet, Kosovë- Të gjithë, për zgjedhje, të gatshëm

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT