• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZEMRA E BARDHË, PËRBALLË GJAKMARRJES

March 20, 2014 by dgreca

Gjakmarrja, plagë e traditës, që shërohet atje ku lind, në        familje dhe,  me ndihmën e opinionit shoqëror, por sidomos me ligje te duhura shtetërore, që zbatohen rigorozisht/

Shkruan: Prof. Dr. Hektor Veshi/

Qysh kur u rishfaq, para mbi njëzetë vjetëve, kjo plagë gati e harruar në shkallë vendi, por sidomos ku ka vepruar e shfaqet më dëndur, edhe përpjekjet për ta  kundërshtuar kanë qënë të mëdha, të shumëllojshme, madje rezultative. Përmendim edhe nismën e fundit nga shoqëria civile, me ndihmat ekonomike  dërguar familjeve të ngujuara, posaçërisht  fëmijëve dhe arsimimin e tyre; kulmore ka qënë përfshirja në këtë veprim  e autoriteteve të larta, deri te ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep  Meidani e, kohët e fundit, edhe e  Ministres së Arsimit eSporteve, znj. Lindita Nikolla; publikimi me forcë i gjendjes, plagë e pashëruar, duke organizuar, së paku, dy emisione televizive, nga kanali i njohur kombëtar “Top Channel”,  me drejtimin e gazetares së afirmuar,  Rudina Xhunga. Aty u tërhoq e u dëgjua në to mendimi i specialistëve të policisë dhe i gazetarit rajonal, që e njeh nga afër gjendjen; në ato emisione u muar, gjithashtu, mendimi  i personaliteteve  kulturore e fetare nga Kosova, si dhe e një qytetari (pedagog). U permend shembull i lartë për faljen e tre gjaqeve- humbjes së tre vëllezërve të tij, thjesht e vetëm  në zbatim të vendimit mbarëshoqëror atje për faljen e të gjitha gjaqeve, të bartura nga e kaluara ose të krijuara në errësirën e luftës e të pushtimit serb, në përgjigje të mesazheve dhe veprimtarive të pandalura, që nisi e realizoi  me popullin, veprimtari i palodhur, i pavdekshmi prof. Anton  Çeta. Në ato emisione, u pa me dhimbje gjendja ekonomike e familjeve dhe u dëgjua me mallëngjim dëshira e tyre më e madhe, që të mos ketë më gjakmarrje e ata të shëtisin të lirë…Si një nga mundësitë për zgjidhje të shpejtë  e me frytshmëri të problemit,  u shpreh besimi se rinia, sidomos ajo studentore, ka mundësi e synim, që të japë ndihmesë vendimtare për shuarjen e plagës ende të hapur, në gjirin e popullit. E pamë se studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës shprehën  gadishmëri për të ndihmuar, krahas gjithë të tjerëve, persona e shoqata, që kanë punuar e vaxzhdojnë pa u lodhur, si   komisionet e pajtimit të gjaqeve  në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë, Kurbin etj.

Natyrshëm, lindë pyetje: Po në Shqipëri, përse nuk është arritur ende rezultati i njohur dhe i admirueshëm i Kosovës, që është shembull për t’u ndjekur nga ne, në Shqipëri?

Renditen shumë faktorë, të cilët nuk mund t’i analizojmë në temën kushtuar   7-Marsit 2014, Ditës Kombëtare të Mësuesit, në Tiranë. Megjithatë, gjykojmë se na takon ta ngremë fuqishmë zërin,  duke goditur me të gjitha mundësitë faktorët kryesorë, që e ushqejnë këtë  plagë jetëmarrëse të burrave, në lule të moshës (por edhe të grave e djelmoshave shkollarë?!) Ta bëjmë këtë në solidaritet me  mësuese  Lilianën, mësuesen-pishtar  vullnetare të fëmijëve në vatrat e izoluara të Malësisë së  Madhe e të Shkodrës, që nuk e harron dot vrasjen e nxënësit të saj, vëtëm 12-vjeçar, mu përpara derës së shkollës?! E, sa e sa ngjarjeve të tjera tragjike të hidhura ka, që nuk përshkruhen dot!

Dy faktorë, si kryesorë, po të rendisim këtu, që  janë:

I pari, tradita e pathyer ose, më mire, e pashlyer nga kujtesa e secilit, e kultivuar rreth vatrës e hak-gjakmarrjes, e cila vë në sedër, fshehtas, si një e keqe e pashmangshme çdo burrë e familje, që rastësisht bie pre e kësaj tradite,  vrasjes së njeriut edhe për një ngacmim ose ngjarje fare të parëndësishme. E përse, përse, përse?… -Se ashtu e gjykoj unë e nuk pyes askënd! As për pasojën ndaj vetes e familjes, për armiqësimin me  familjen tjetër dhe, sidomos, plotësisht në kundërshtim me ligjin e shtetit, për të drejtat dhe mbrojtjen e jetës së personit në Shqipëri.

I dyti, mbetet e mbartet, si nëpërkë e  nënëgurëve, nxitja e kësaj mendësie e tradite, sidomos nga disa të moshuar. Ata gjejnë mënyra  për ta lëshuar helmin e tyre, sidomos në grupime  familjare e tubime më të mëdha, si festa e takime rajonale. Jo pak ndikojnë edhe disa të rinj, të ashtuquajtur “të fortët e mëhallës”, që lehtë bëhen drogmenë, trafikantë femrash, grabitës pasurish etj.

Përballë kësaj situate nuk duhet vepruar “nga lart”, me leksione e mbledhje të mëdha. Madje, pak rezultat jep edhe ashpërsimi i ligjeve për ndëshkime. Fjala është për shuarjen e gjakmarrjes si mendësi! (Më 25 Shkurt 2014, u tha në një lajm se, në rrethin e Krujës, janë pajtuar rreth dyqind  familje në gjak. Por lajmi u dha për të treguar se ishin cënuar dy familje në  Nikël, ku ende  këto ditë katër familje jetojnë në izolim dhe fëmijët nuk mund ta ndjekin shkollën…) Pra, gjarpëri i nëngurit, nëpërka, siç e karakterizon populli veprimin e fshehtë rrezikues të jetës, vazhdon të veprojë!

Shënojmë se, kur familjet hyjnë ose fatalisht ndodhen  në qerthullin e kësaj të keqeje të madhe, edhe pse të dyja ato duan të dalin sa më shpejt e me pak pasoja mbi jetën e familjeve të veta, nuk e gjejnë dot rrugën- faljen dhe  shpëtimin nga e keqja, që iu zë frymën gjithë  degëzimeve të gjakut, sidomos nga krahu i babait, burrit të shtëpisë. E ka trajtuar këtë temë, qysh në rininë e vet edhe pinjolli i familjes së të mëdhenjve të familjes Frashëri, Mit’hati, në një tregim letrar. Sipas tij, gjakësi,  i ikuri për shumë kohë larg vendit, familjes e fshatit, një ditë kthehet, i përvëluar nga malli, i lodhur, i trembur, por edhe i gatshëm të përdorë pushkën,  në se i del përpara dikush nga hasmi. Etja për ujë e çon  drejt burimit të tij- burimit të jetës, do të theksonim ne! Ndërsa, për habi të tij, i del përpara atje, pikërisht njeri nga familja  “në gjak”. Mbeten ballë për ballë, për pak minuta, të dy armëngrehur. Por asnjeri nuk e tërheq këmbëzën e armes së vet!! … Pranë ujit jetëdhënës të njeriut e çdo gjallese mbi tokë, djemtë ulen e bisedojnë, duke i treguar njeri-tjetrit, se çfarë i kishte penguar ta gjenin fjalën, si atëherë, kur  iu kishte lindur konflikti, por edhe më  pas, për një kohë të gjatë, sa djali kurbetli e kishte quajtur të mjaftueshme kohën për ta kapërcyer të keqen, midis familjeve të tyre… Por koha kishte pritur atë çast, atë mendësi, dashuri e mall për bashkëfshatarin e vendin dhe… për pajtimin  e shumëpritur ndërmjet familjeve!     Po, si do të veprohej në  Shqipëri, në kushtet e sotme, me popullsi të rralluar në territoret malore, ku vepron më fuqishëm kjo traditë  e helmët e së kaluarës?

Gjykojmë se kryesorja e më frytdhënësja formë pune mbetet ajo për ndryshimin e mendësisë së familjeve, ku me biseda rastësore lind ose krijohet problem, si mendësi e të rriturve, fillimisht, që në mënyrë të pakujdesshme(edhe për  atë gjënë e  vogël ) iu transmetohen fëmijëve  me fjalë, inate, hakërrime, betime e përbetime, se do veproj ashtu e kështu; se ai tjetri, edhe për një gjë të vogël, e ka hak plumbin, etj etj. Shmangia e këtyre qëndrimeve do të shërbente si profilaksi, që do të parandalonte ngjarje të kobshme më pas, atëherë kur  i riu burrërohet në trup, por jo në pjekuri për gjykime   të matura.  Është e kuptueshme se sa mire do të ishte edukimi, madje si riedukim, i disa prindërve, pasi do të pasohej me shmangien e nxitimit, gjykimin vetëm sipas traditës së keqe, duke i hapur rrugë  gjykimeve e veprimeve gjakftohta, të mirëpeshuara, në fund të fundit, shpëtuese nga sakrifikimi edhe i njerëzve të pafajshëm, gjë që  në fakt i hap rrugë  zgjerimit te persona të tjerë dhe zgjatjes  kohore të hakmarrjes, si gjakmarrje!

Atëherë, kush mund ta ndalë  ortekun  fillestar të zemërimit nga dhimbja, “turpi” sipas traditës e, siç thotë populli, t’i shtrojë  të lënduarit për të gjykuar e arsyetuar, me sa më shumë mature, për të gjetur se kush mund të jetë fajtori,  në çfarë rrethanash ndodhi, madje edhe  si mund të ngadalësohet ose  ndalet  veprimi i rrëmbyer (kundërveprimi) kërcënues dhe me pasoja të rënda?

E realizon këtë gjë vetëm fjala- melhem e njeriut autoritar e të mënçur të fisit, e mikut të dashur e të mençur, që menjëherë i ndodhet pranë familjes së goditur; e atij, që ndihmon të bëhen bashkë edhe përfaqësuesi i pushtetit, plaku i zakonit, madje edhe vajtojca e mençur dhe i riu ose e reja, me horizont e mirësi të shfaqur, që mund të ndodhen afër etj. Pas dallgës së parë të dhimbjes, ka vend t’i jepet ndihmë familjes edhe nga larg, duke i shkuar në shtëpi miqtë, por edhe persona me ndjenja  të thella njerëzore e kulturë, që mundet t’ju flasin në telefon, t’ju shkruajnë, të venë në lëvizje  specialistë  të njohur për zgjidhje konfliktesh etj.  Të gjithë së bashku,  me synimin që e keqja të kufizohet, sa më shpejt e pa dëm tjetër.

Afërsisht, kjo ka qënë linja e trajtimit të problemit edhe nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë,  gjatë periudhës sa është shfaqur plaga e gjakmarrjes.

Po e përvijojmë fare shkurtimisht këtë çështje, pasi me dokumente tregohet në një permbledhje publicistike-letrare, që është përgatitur dhe mendohet të publikohet për të ndihmuar çdo njeri të forcojë bindjet për pasojat dhe përpjekjet për ta zhdukur, si mendësi gjakmarrjen e hakmarrjen.

Dihet se, fillimisht, iu bë thirrje popullit përmes shtypit që  ta ndalte gjakmarrjen, duke e quajtur atë kuçedër, që duhej lënë  të vdiste, d.m.th të mos rrëmbente më jetë njerëzish, siç pat filluar. Më tej, kur në raste të tilla zbulimi i të vërtetave  vonohej edhe nga paaftësia e shtetit dhe në qendrat e banuara krijohej situatë e frikshme te kushdo dhe dyshuese për këdo, u shkrua tregimi me titull “E përbindëshme”,  si kritikë e thirrje për organet shtetërore. Ai u publikua në një libër letrar dhe kaloi pa u vënë re, siç vlerësohen sot te ne librat  letrare  edhe kur përmbajnë vlera të veçanta.

Por një letër  ngushëllimi  e një qytetari nga larg, që iu dërgua një familjeje të përgjakur,me porosi që të uleshin gjakrat në gjykim për të mos i hapur rrugë gjakmarrjes, ( natyrisht mendim i pranuar edhe nga njerëz të tjerë me ndikim atje) rezultoi shumë dobiprurës,  u shpëtua një njeri i afërt i asaj familjeje, mbi të cilin binin të gjitha dyshimet. Kur pikëllimi fillestar i familjes, për humbjen e njeriut të vet kishte kaluar dhe e vërteta po zbulohej, dikush e falënderoi autorin e letrës për ndihmën e çmuar. Artistikisht ose me gjuhën letrare, kjo ngjarje u shtjellua në tregimin me titull “Letra nga larg dhe pushka për gjakmarrje”, nga i cili mund të tërhiqen përfundime të vyera për çdo lexues.

Së fundi, në tregimin me titull “Mençuri gjysmake”, marrë nga jeta e shkollës,  nënvizohet kriza e mendimit dhe qendrimi indiferent ndaj kësaj plage të rëndë  dhe kritikohet shabllonizmi në vlerësimin a-priori të një shprehjeje objektivisht dëshpëruese,  si “sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët”, si koncept i krijuar në situatë dëshpërimi ose gjykimi  të cekët, pasi  njeriu në çdo rrethanë mbetet krijesa vlerashumë dhe i pakrahasuar me asnjë qënie tjetër, që merr frymë mbi tokë.

Me këtë parashtrim të shkurtër, sot para jush, mësues të nderuar dhe edukatorë të çmuar të brezave të rinj në Tiranë e gjetkë, duam të theksojmë edhe një herë nevojën  e ruajtjes dhe ngritjes sa më lart, deri në frymën e fundit, të rolit përçues edukativ te brezat më të rinj dhe nipërit e mbesat, të ndjenjave më të thella të dashurisë e respektit për të tjerët. Pasi edhe sikur një jetë të shpëtohet, fitorja është e madhe; kurse po të ndalohet gjakmarrja në familje, në fshat, krahinë e më gjerë në tërë vendin, mirënjohja ndaj kujdo  bëhet e pakufishme.

Tiranë, mars 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Hektor Veshi, PËRBALË GJAKMARRJES, ZEMRA E BARDHË

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT