Kongresisti Eliot Engel: Edhe një konfirmim se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë/
Në një deklaratë, Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se përgëzon Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve, tha zoti Kerry, kërkoi kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët, dhe unë përshëndes qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për marrjen e vendimeve të vështira që do t’i sjellin ato më afër qëllimeve të tyre të integrimit evropian.
Shtetet e Bashkuara, tha zoti Kerry në deklaratë, do të mbeten thellësisht të angazhuara për të parë popullin e Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit të realizojnë aspiratat e integrimit të tyre në një Evropë të Lirë, të pandarë dhe në paqe.
Ai inkurajoi të dy vendet që të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më sot për një të ardhme më paqësore dhe të begatë.
Zoti Kerry përgëzoi zonjën Eshton për lehtësimin e bisedimeve midis kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Roli udhëheqës dhe përkushtimi i saj ishin me rëndësi të dorës së parë për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, tha Sekretari i Shtetit John Kerry në deklaratën e tij.
Kongresisti Eliot Engel: Edhe një konfirmim se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë
Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka uruar Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes. Në një komunikatë për shtyp, zoti Engel ka veçuar guximin dhe gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për marrjen e vedimeve të rënda dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, për pragmatizmin e tij dhe për vizionin përparimtar.
“Ky është edhe një konfirmim i faktit se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë”, citohet të ketë thënë kongresisti amerikan, duke shtuar mes tjerash se marrëveshja e sotme nënvizon faktin se rajoni do të mund të prosperojë vetëm atëherë kur të gjitha shtetet e Ballkanit t’i jenë bashkuar familjes evropiane.
“Bashkimi Evropian, sikundër që i ofron Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim në BE, duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që vendeve të tjera në Ballkan u është dhënë tashmë: Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për të udhëzuar orientimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovë të drejtën për të udhëtuar në Bashkimin Evropian”.
“Vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – duhet ta njohin tash sovranitetin e Kosovës. Dështimi i tyre për ta njohur Kosovën do të vonojë jo vetëm përparimin e Kosovës drejt BE-së, por edhe të Serbisë”, thuhet në komunikatën e kongresistit Engel, i cili megjithëse vlerëson ditën e sotme si një shenjë të mirë për të ardhmen e Ballkanit, megjithatë tërheqë vërejtjen se ka ende shumë punë për t’u bërë. (a.v.)