Nga Zaim Kuçi, ish-Atashe i Mbrojtjes në Paris/
Në Paris u zhvillua një luftë dhe jo një akt terrorist, këtu duhet të fillojë analiza e atyre “të mëdhenjëve” që sigurojnë botën për një kundërmësymje jo të vonuar, frontale dhe përcaktuese. Për këto tragjedi në Francë normalisht shtrohet pyetja përse terroristët zgjodhën përsëri Parisin? Në një kënd më të gjërë shikimi, ky akt terrorist ka gjerësinë dhe thellësinë e veprimit të dukshme, tashmë të realizuara, por dhe të padukshme (të mbartura) e të paralajmëruara haptazi në hapësirë dhe kohë të shkuar, pra nuk është një situatë e re për sigurinë globale, e afruar dhe e nxitur nga gjeopolitika e vet shteteve të keqmenaxhuar të viteve të fundit.)
Le të analizojmë disa nga shtysat përse Franca u bë target sulmi i terroristëve. A është Franca vërtet e kërcënuar? Po, në vlerësimin tim, në një përgjigje të shkurtër do të thosha se Parisi gjendet për terroristët si një vend i menduar, i duhur për një Show botëror për të demonstruar terrorin, panikun dhe forcën që ata mendojnë se e kanë kundër perëndimit. Në këtë përballje, tashmë të ardhur me urgjencë për zgjidhje, padyshim, vlerat njerëzore botërore do të zgjedhin po Parisin si fundi i tyre.
Çfarë ka ndodhur për francezët? Nuk janë kushtet ekonomike të këtij kontigjenti vrasës, as dhe zëmërimi i tyre nga pjesëmarrja ushtarake franceze e kudo ndodhur në vatrat ku ka luftë, që kanë filluar betejën kundër Parisit, por diversiteti i vlerave. Francezët janë vlerë por edhe i vlerësojnë ato. Vlera dhe antivlera pjellin gjithmonë konfliktualitet, kështu Franca them se vuan nga diferencat në kulturë me botën tjetër. Në vlerësim për sa më lart, situata e krijuar në Paris nuk është problem i brendshëm i francezëve francezë dhe atyre me origjinë myslimane (magrebine), ajo vjen jashtë dhe larg kufijve të Francës që kupton edhe vendet e Evropës dhe më gjerë janë të kërcënuar si dhe Parisi.Sot a nesër: kjo është për t’u vlerësuar. Terroristët kamikazë nuk janë të përzgjedhurit e botës së varfër islamike, ata janë më shumë banorë europian.
Cila forcë njerëzore përgatit qënien – kamikaze. Terroristët islamistë pretendojnë se luftojnë mbi baza teologjike duke vënë në divizën e tyre vargje nga Kurani dhe referime nga bëmat e Profetit, duke kryer operacione vrasëse me vulë islamike. Ne emër të traditës, etnicitetit, përplasjeve historike ata kanë ngritur në ideologji luftën ndaj “armiqve të islamit”, “të pafeve”, “ithtarëve” “tokës së shenjtë” etj. Çdo organizatë terroriste prodhon një mitologji të vetën legjitimizuese, duke stimuluar ndjenjën e krenarisë së të qenit pjesë e kësaj aristokracie dhe te bashkëndarjes së këtij kodi nderi. Ndaj është ky kod nderi që helmon përditë këta njerëz duke prodhuar shumë vetvrasës në emër…. të askujt.
Përballja e perëndimit. Mbetem në gjykimin se kuadri gjeopolitik na thotë se bota është në konfliktualitet të një natyre krejt ndryshe me çfarë ne jemi përgatitur deri më sot. Këtu duhet të ndalet e ardhmja për të parandaluar terrorin. Pas luftës së ftohtë strategjitë ushtarake hoqën dorë nga lufta frontale dhe u duk sikur njerëzimi nuk do të kishte më luftë. Por, 11 shtatori 2001 do të sillte një tjetër formë të bërjes së luftës duke ndërtuar një strategji për të përballuar një luftë asimetrike dhe shtetet luajtën me elementë asimetrikë, më pas invazioni ushtarak u zëvendësua me subversionin ushtarak dhe ndërkohë në sigurinë globale po individualizohen aktorë me peshë gjeopolitikë deri në rrezikun e një lufte botërore. Përdorimi i instrumenteve të subversionit kundër vlerave humane, shtrembërimi i misioneve fetare për interesa gjeostrategjike apo përdorimi i tyre për motive lufte është një kërcënim real dhe i komplikuar. Krizat, rreziqet dhe kërcënimet me karakter ekonomik në këtë pesëvjeçar janë burimi i zhvillimit të tyre. Papunësia në rritje, sidomos tek të rinjtë që janë « të lirë për rekrutim » për akt terrorist, pikërisht edhe këtu duhet të kërkohet zgjidhja e problemit.
Do të ishte viti 2014 ku turma a grupe islamikë, me mijëra luftëtarë, pretendojnë të kenë formëzuar një ekstrashtet (ISIS) me synim për të kapur pushtet politik dhe të bashkojë territore me popullsi myslimane. Në këtë situatë të krijuar bota realisht është e rrezikuar, aktet janë barbare, monstruoze; ato janë të pa fe, më shumë janë një mbeshtetje për një ideollogji. Duket se po kërkohet një 11 shtator tjetër. Për ngjarjet në fjalë, do të ishte çnjerëzore të shfajqësosh këtë akt barbar në emër të besimit fetar: Të vrasësh njerëz të pafajshëm në emër të Allahut është më tepër se akt terrorist, janë pushkatime me listë në dorë të qënieve njerëzore me diversitet besimesh dhe profesionesh, në qendra kulturore si në « Bataclan », në zyra letrash dhe me penë në dorë si« Charlie Hebdo » -…në emër të kujt? Vrasësit vranë në emër të islamit, por islami nuk predikon dhunën dhe aq më pak vrasjen.
A është feja një burim lufte ? Parimisht, jo, por historikisht botën e udhëheqin ideologjitë që padyshim sjellin diktatura, të cilat drejtojnë popujt drejt një lufte. Në interes të kësaj ideologjie « islame » dyshimet shkojnë për një lidhje rrjeti me grupet terroriste, të drejtuar në një shkallë hierkike apo dhe grupe të shkëputura, që luftojnë më shumë në interes të një situate të krijuar. Ankthi është prezent edhe për faktin e vijimit të akteve, më keq se kaq, ata sapo u përgëzuan në rrjetet sociale të ISIS. Pra në këtë kontekst, llogjikisht shoqëria franceze nuk është një shoqëri në luftë, pra Franca nuk duhet të jetë target apo bazë nisjeje për fillimin e një lufte, tashmë të hapur (të pjesës që ka dale në duel),të botës islamike për Europën dhe botën edhe pse Franca është prezente me trupa në gjitha vatrat e nxehta të luftës.
Franca përballë emigracionit. Për një analizë më të zgjeruar, Franca me kohë është një vend mikpritës për emigrantët, më shumë magrebine dhe ka shumë njerëz të besimit islam. Ajo ka pasur shumë koloni në vendet e kontinentit afrikan me besim islam, kohë kur Franca dhe Europa kishin uri për krahë pune. Ata jetojnë sigurisht në periferi të Parisit por do të thoja se infrastruktura në këto lagje ështe (të jetuar gjatë misionit) vërtet e plotësuar dhe në se e krahasojmë me vendet e origjinës të tyre eshtë krejt ndryshe, por dhe dukshëm me qytetet e tjera të Evropës.
Kultura franceze shkon edhe më tej. Francezet janë për një familje të hapur, pa paragjykime, ku myslimanët me shtetësi franceze janë të integruar plotësisht, ndaj ata sot janë ngritur fuqishëm kundër këtij akti edhe më shumë se të tjerët. Atyre nuk iu intereson kjo situatë e re destabilizuese e krijuar qoftë dhe si opinion për bashkëjetesë me francezët. Në Francë, janë tashmë qytetarë francezë në rreth 6 milion myslimane. Shtrohet pyetja, ky komunitet i fortë mysliman, sidomos i përqëndruar në Paris, në këtë situatë të re ekonomike globale, a përbën një problem për sigurinë e francezëve?
Franca vërtet është shtet social që mbledh taksat dhe rishpërndan pasurinë sidomos mes të varfërve nëpërmjet ndihmave sociale. Por këto ndihma janë edhe të pamjaftueshme. Për këtë gategori kërkohen vende pune, që aktualisht tregu i punës edhe në mbarë europën është në vështirësi.
A ka islamofobi në Francë ? Sipas meje nuk është një fenomen i dukshëm i shoqërisë franceze, por ndjeshmëria vjen si rezultat i situatave krizë që krijohen herë pas here në Francë. Francezët e ruajnë si të shënjtë slloganin e tyre të famshëm: -Barazi, Vëllazëri, Liri – kohë që për pjesën tjetër të botës ishte një ëndërr. Kështu, për francezët nuk është mbyllja e kufijve por kontrolli i rrepte I tyre. Franca përfaqëson dhe mbështet vlerat më demokratike të botës.Parisi është vendi i letrave dhe luan me to. Në Francë, sipas meje ka shumë kulte fetare, për vet natyrën e veçantë të praktikës, të riteve të tyre « dukej » sikur Parisi dominohej nga myslimanët… të jetosh në Francë është një shans i arritur. M’u dha rasti ta njoh këtë vend si student dhe diplomat, them se Franca është një perle e lirisë së mendimit, e të shprehurit, e tolerancës e mënyrës së jetesës. I ardhur nga një regjim ndryshe, sipas meje në Francë ka me bollëk liri, gjë e cila në globalizmin e sotëm keqpërdoret …
Por ka një problem, Franca eshte shtet laik që nuk lejon shfaqjen e simboleve fetare ne vende publike. Per shembull, percja eshte e ndaluar ne vende publike ( ne shkolle) ne France prej disa vitesh. Në momentin kur ligji kunder perçes doli ne France (ligj i cili nuk ekziston psh ne Angli, Gjermani apo ne SHBA) Franca u kritikua shume nga bota myslimane. Ajo ligjerisht nuk njeh influencen e feve ne jeten publike, por kjo është e drejta e zgjedhjes të popullit francez.
Në vije të parë për ngjarjet në Paris janë forcat e zbulimit dhe inteligjencia franceze. Normalisht shtrohet pyetja : në këtë situatë tronditëse, a ishin të papërgatitura këto forca? Pas çdo akti terrorist gjithmonë fillohet me vlerësimin për nivelin e zbulimit dhe inteligjenciës, si kanë funksionuar ato dhe, mirë apo keq, dyshimet fillojnë aty. Në këtë rast zbulimi, inteligjencia franceze, FBI dhe sistemi i rrjetëzuar rajonal, europianë dhe ai botëror nuk ishin në gjendje të zbulonin këto akte vrasëse. Fatkeqësisht, në historikun e akteve terroriste të bujshme, të kudo ndodhura në botë në dhjetëvjeçarët e fundit, edhe në shtete me forca e mjete të sofistikuara si në SHBA, Londër, Berlin, Moskë, Finlandë, Japoni e tjerë nuk është mundur të parashikohen këto veprime terroriste edhe pse në përmasa katastrofike, pasi ato zhvillohen ne gjirin e popullates dhe si të tilla mbeten misione teper të veshtira për organet e sigurise kombetare. Teorikisht, analistët vlerësojnë se krimi është gjithmonë kohë më parë zhvillimi se mjetet parandaluese kundër tij. Në analizën time, do të ishte mrekulli të parandalohej kjo tragjedi, përtej kritikës për aftësinë zbuluese të tyre. Gjithsesi nuk kemi të bëjmë me paaftësi zbuluese, por, tashmë ndodhemi në një mjedis të ri gjeostrategjik. Bota është në krizë dhe burimi i kësaj tragjedie kërkohet në formatin ndryshe, duhet një tjetër analizë dhe reflektim për t’u zhvilluar. Shumë konflikte të nisur në lindjen e mesme nuk u mbyllën. Ato mbetën gjatë plagë të hapura. Kështu ato prodhuan « armë helmuese » për perëndimin.
Përveç përdorimit të forcës, me të drejtë koha e ardhur shtron pyetje : a mund të ketë zgjidhje më të moderuar? Sipas meje këtu duhet kërkuar analiza për t’u riparë. Sigurisht, bota po sillet në një situatë të re të gjeopolitikës të saj që, arma më e fuqishme është gjuha e diplomacisë edhe pse kemi një armik të padukshëm, jo frontal. Edhe në një fushë betejë të përgjakshme, palët ndërluftuese kërkojnë « armë-pushim»; në rastin në fjalë armët më të forta mund të jenë –të negociuarit, kompromisi, tërheqja edhe për ato të besimit fetar. Qofshin “Rafalët”, « Mig-ët » dhe “F-të”, tanket dhe nëndetëset nukleare, nuk janë zgjidhje për terroristët, kërkohen armë të tjera më praktike dhe më efikase. Kështu shtetet me fuqi ushtarake të fuqishme duhet avash avash të heqin dorë nga armatimet marramendëse me avione, tanke dhe nendetëse nukleare, por të zhvillojnë kapacitete ushtarake paralizuese për të vepruar lehtësisht në të tilla akte terroriste : pra të parashikojnë situatën per ta parandaluar veprimin, që nënkupton rritjen e kapaciteteve të zbulimit kombëtar, rajonal dhe botëror, kjo duhet të bërë; këtu duhet përqëndruar dhe harxhuar.
Duket sikur bota sot përgatitet për të bërë luftën dhe jo për ta parandaluar atë. Në një shikim të përgjithshëm vlerësohet se, shumë e më shumë është investuar për bërjen e saj duke bërë harxhime marramendëse (ne rreth 1000 Mld $ në vit) për pajisje ushtarake të sofistikuara. Ajo që duhet ndryshuar në botën e sotme është kalimi nga përgatitja për bërjen e luftës në parandalimin e saj.
A ndjehet e kërcënuar RSH? Sigurisht që po. I cilësuar si vend islamik (të paktën kështu na trajton bota islamike) terreni shqiptar për ta lakmohet dhe favorizon zhvillimin e akteve të tilla: për më tepër jemi një vend që akoma kemi nevojë për konsolidimin e strukturave të shtetit. Ndoshta, përse jo dhe një rishikim të kulteve, të shoqatave me misione humanitare paqësore që hyjnë në vendin tonë. Ajo që mbetet siguri për vendin tonë është fakti që ne jemi vend i vogël dhe shumë shpejt, lehtësisht mund t’i paraprijmë këtyre akteve, që në origjinë të lindjes së tyre.
Kohes së terroristeve, botës i duhet nje tjetër doktrinë, ajo e konsolidimit të sistemit të shërbimit të inteligjencias ku rekrutimi i personelit duhet të jetë plotësisht me formim shtetformues dhe thellësisht profesionist ku të bëhen bashkë fushat që plotësojnë panoramën për sigurinë kombëtare. Përmirësimi i këtij sistemi ndoshta do të kërkojë dhe cënimin e privacisë të individit, kjo duhet të sakrifikohet. Këtij shërbimi i shtohet edhe modernizimi i forcave speciale më tepër se modernizimi i armëve nukleare. Për demostrim force, ata kanë edhe si objektiv goditjen e objekteve të mirësurvejuara/mbrojtura, të klasifikuara të rëndësisë së veçantë. Në këtë mjedis lufte, erdhi koha që çdo shtet veças në hapësirën territoriale të tij dhe në bashkërendim/bashkëveprim me fqinjët, të planëzoje forca dhe mjete për veprime më efektive parashikuese për të parandaluar dhe asgjesuar në origjinë të krijimit të tyre.
Aktorët e sigurisë botërore/kombëtare duhet t’i kushtojnë rëndësinë e duhur kësaj lufte: ndryshe terroristët do të jenë të parezistueshëm në përshkallëzimin e tyre planetar, duke krijuar dhe vepruar me forma dhe metoda nga më çnjerëzore; nesër, më të sofistikuar se sot…!
*Së fundmi, përballë kësaj llahtarie vrasëse, ndjej dhimbje për atë që ndodhi në Paris, shpreh solidaritetin tim dhe u shpreh miqve të mi francezë ngushëllimet për familjarët duke qenë shpirtërisht pranë tyre. Je ressens une grande douleur pour ce qui s’est passé en France. En ces moments, je suis, plus que jamais, à coté de mes amis français en leur exprimant mes profondes condoléances !
***
Nous sommes de tout notre cœur avec vous, la France!