Tregim nga Fatos Kongoli/
Një ngacmim i fundit për të marrë pjesë në bisedën e të rriturve më erdhi nga emri Had. Desha ta pyesja njërin prej tyre, nënën ose Sokratin e Rrjedhur, se kush ishte Hadi? Por, edhe nga kjo hoqa dorë. Në një farë menyrë, i dhashë përgjigje vetë. Duhej të ishte një qenie pak a shumë e ngjajshme me Cerberin. Sa herë qëllonte të kryqëzohesha me të në qendrën plot llucë e bajga të fermës, kur shkoja ose dilja nga shkolla, më kujtohej dridhja e dorës së nënës mbrëmjen e mbrritjes sonë në Vilën e Shtrigave, kur më përshkuan të rrënqethura. Unë ende nuk e dija se, ashtu sic nuk e zinte gjumi Hadin pa e parë të vdekur gjyshin, ashtu nuk e zinte gjumi edhe Cerberin pa e cuar drejt vdekjes nënën time. Shpesh me dukej sikur Cerberi kishte pamje të ndryshme, në kohë dhe vende të ndryshme, të të njëjtit person. Rrokullima e nënës nisi pak më vonë. Ajo përkon me mbrritjen e letrës së katërt apo të pestë të tim eti, kur mua zunë të më binin në sy disa ndryshime në sjelljet e saj. Cdo ditë unë nisesha për në shkollë me nënën. Si ecnim afërsisht një orë nëpër rrugën e qerreve, ajo kthehej nga stallat dhe unë vazhdoja më tej, deri në shkollë. Një dite u gdhiva e sëmurë, me merreshin mentë e më vinte për të vjellë. Kjo do të thoshte se nëna s’do të më lejonte të shkoja në shkollë. Në raste të tilla rrija pranë dritares me orë të tëra. Ishte shumë interesante. Nganjëherë shfaqeshin banorët e Vilës së Shtrigave, të cilët i njihja të gjithë dhe ua dija historinë. Fjala vjen, babai i Sergeit ishte një burrë shtatlartë, me ca nofulla të kercyera, ish-oficer. Tani punonte arave dhe, sic thuhej bënte dashuri me një grua nga fshati. Kësaj i kishte vdekur burri dhe ishte shëmtirë. Dija dhe plot histori të tjera të mësuara kur nënës i vinin për vizita gratë. Por ne syte e mi, më enigmatiket mbeteshin banorët përballë nesh; një grua që nuk dilte kurrë në punë së bashku me fëmijët e saj, një djalë e një vajzë, të dy të rritur. Ndonëse banonin përballë nesh, i shihja rrallë. Sipas grave, kjo ishte familja e një personi të fuqishëm të dënuar me burg dhe e shoqja mbahej rëndë, nuk denjonte të ulej në rangun e të tjerëve. Me tej, ato shtonin dicka të pabesueshme, djali bënte dashuri me të motrën. E thoshin nga ligësia, kështu mendoja. Djali dhe vajza ishin të bukur si yje, tërë kohën rrinin bashkë, shpërfillës si e ëma. Atë ditë, kur u gdhiva e sëmurë, përcolla nga dritarja kthimin e tufës. Në fillim mbërritën të bukurit e përfolur, në fund Sokrati i Rrjedhur. Të gjithë të nxirë, mbytur në pluhur. Unë vazhdoja të qëndroja në dritare edhe pas kthimit të Sokratit të Rrjedhur. Tufa nuk ishte kthyer e plotë. Mungonte nëna. Kaloi një orë dhe ajo s’po dukej. Ishte një ditë e zymtë, me ca re të ulëta, nga këneta shkarkoheshin rrufe. Nënën e shqova në fushëtirë kur qielli vetëtiu dhe u përhap një bubullimë e fortë. Tutje dukej brezi i shiut. Nëna zyri të afrohej bashkë me brezin e shiut. Dhe mbërritën njëkohësisht, nëna në dhomë, litarët e rrebeshit në dritare. Gjëja e parë që më ra në sy ishte një send që ajo e mbante nën sqetull, të mbështjellë me gazetë. Më ra në sy gjithashtu se kishte pirë. Kur u përkul të më puthte, ndjeva erë alkooli. Nëna pinte në shtëpi, nuk kishte qëlluar kurrë të kthehej nga stallat me erë alkooli. Në stalla ajo vishej me cizme e kominoshe. Këto i linte atje, megjithatë rrobat e saj sillnin në shtëpi erën e stallave. Ajo më kot ndërrohej përsëri, në dhomën tonë do të gjendej gjithmonë dicka që të clironte erën e stallave. Vetë trupi i saj, tashmë vinte erë stallash. E ndoshta kjo ka qenë arsyeja që nëna, me në fund, vendosi të gjente një rrugë për të shpëtuar nga era e stallave. Por atë ditë mua s’më lindi ndonjë dyshim. Për rrjedhojë, nuk u përpoqa të merja me mend pse atë dita nëna nuk ishte kthyer në shtëpi? Jo me erë stallash, por me erë alkooli. As sendi që ajo mbante nën sqetull të mbështjellë me gazetë, nuk më ngjalli ndonjë dyshim. Ai ishte një radiotransistor i markës “Iliria”. Ne nuk kishim ndonjë radio dhe në Vilën e Shtrigave askush nuk kishte radiotransistor, aq më pak të markës “Iliria”. Nëna e kishte sjellë një të tillë vetëm për mua. Me drita apo pa drita, unë mund të dëgjoja cfarë të doja, sidomos emisionin “Teatri në mikrofon”. Unë vdisja për emisionin “Teatri në mikrofon”. Një herë në javë, cdo të premte pasdite, shkoja tek Sokrati i Rrjedhur. Ai kishte një radio, por kjo nuk zgjati shumë. Bashkë me të, në të njëjtin apartament, banonte një familje me tre djem te rritur. Unë i futa shpejt në kategorinë e cerberëve. Cerberët kishin një turi, brenda ose jashtë “Vilës së Shtrigave”. Si plot të tjerë, ata zunë t’ia nxinin jetën nënës, i dilnin në rrugë, e ndiqnin, vinin deri në shtëpi, trokisnin në derë, e kjo ka qenë një periudhë e zezë për mua dhe për nënën. Më pas nuk e di c’bëri ajo që ata e lanë të qetë?! Atë ditë i drejtova nënës vetëm një pyetje: ku e kishte blerë radiotransistorin? Ajo m’u pergjigj tërthorazi. Nuk e kam blerë më tha, e solla për ty. Përgjigja më mjaftoi. S’kishte rëndësi e kishte blerë apo jo, tashmë isha bërë me radiotransistor. E ndeza, gjeta një stacion, aty jepej muzikë e ndërkaq nëna ishte ndërruar, kishte veshur rrobat e shtëpisë dhe po lexonte një letër. Kjo duhet të ketë qenë letra e katërt apo e pestë e tim eti. Atë ditë, pasi e lexoi letrën, ajo nuk qau. As nuk u ul t’i shkruante menjëherë, sic bënte zakonisht. Ajo e palosi letrën, e futi në zarf, zarfin e vuri s’di se ku. Më kujtohet, në derë u ndien tre trokitje të lehta. Unë shova radion. Dhe nuk vrapova të hapja derën. Nëna ma bëri me shenjë të mos e hapja. Disa ditë më vonë ajo ndryshoi vendin e punën; nga stallat e lopëve kaloi në zyrat e fermës, pastruese. Unë nuk isha në gjendje ta masja këtë ndryshim. As të ngrija pikëpyetje. Vura re vetëm një gjë; nëna zyri t’i kushtonte kujdes paraqitjes së saj. Ne fillim kjo nuk më bëri përshtypje. Kujdesi i nënës m’u kthye në torturë kur në veshin tim mbërriten fjalët, sipas të cilave ajo shihej të hynte e të dilte tek strokfulla e Cerberit. Dhe se radiotransistorin tim të markës “Iliria” banorët e Vilës së Shtrigave e njihnin mirë. E kishin parë në zyrën e Cerberit, sa herë ua sillte puna të paraqiteshin atje. Ata paraqiteshin atje, kur i thërriste Cerberi. Ose kur shkonin të nxirrnin tek ai ndonjë leje për të takuar të afërmit në qytetet prej nga i kishin dëbuar. Të gjitha këto m’i tregoi një ditë Sergei, buzë kënetës. Ne po kërkonim për fole me veze rosash të egra, e përsëri na u shfaqën buajt, e unë u largova, ja nga ato që mësova prej Sergeit për nënën dhe prejardhjen e radiotransistorit, ja nga frika se buajt do të ciftëzoheshin e Sergei do të lëshonte klithmat e tij. Më tej, sa herë e shihja nënën duke u rregulluar para pasqyrës, përfshihesha nga një gjendje e sëmurë. Më shfaqej skena e buajve në kënetë, mashkulli i ngritur mbi këmbët e prapme e të përparme të vendosura në shpinën e femrës, me ato lëvizjet e shëmtuara, kokën që mezi e mbante përpjetë, dhe femra trupvogël nën të, e nënshtruar. E mua më bëhej se ajo ishte nëna ime, e sipër saj Cerberi, që e mbante të mbërthyer midis putrave të tij, e shtypte nën peshën e trupit të madh, e mua me vinte të ulërija, të shkoja t’ia rrëmbeja nënës krehërin nga dora, edhe pasqyrën, t’ia thyeja copë-copë T’i thoja se ishte bërë lavire, tashmë këtë fjalë e kisha mësuar, një lavire jo dosido, lavire e përbindëshit që torturonte banoret e Vilës së Shtrigave dhe ata e tregonin me gisht, e urrenin, sic e urreja dhe unë. Nuk ja theva ndonjëherë nënës as krëhërin, as pasqyrën. Në fillim vuaja përbrenda. Ishte një brejtje sfilitëse, që më shkatërronte nervat. Derisa një ditë, kur dola nga shkolla, unë nuk mora rrugën e qerreve nëpër fushëtire për t’u kthyer tek Vila e Shtrigave. Qëndrova e fshehur pas një gardhi prej nga dukej ngrehina me cati tjegullash e zyrave të fermës, e përballë saj strofulla e Cerberit. Si u larguan të gjithë e në qendër kishte mbetur hapur vetëm berberi, pashë nënën. Ajo doli nga zyrat dhe vajti drejt e tek strofulla e Cerberit. Para syve m’u shfaq skena e kënetës, por në vend të buajve, Cerberi me nënën time. Më hipi të sulesha drejt asaj ngrehine pa e patur të qartë përse, mjafton të sulesha, të futesha brenda e t’ja jepja ulërimës. U largova. U ndjeva e braktisur, e vetme në një botë cerberësh, dhe qeniesh të dobëta si nëna ime. Ata ishin të ngjashëm, Cerberi dhe nëna. Të krahasueshëm me buajt e kënetës. Me breshkat. Me brumbujt. Po të qe e mundur do t’i shndërroja në brumbuj, do t’i vrisja pa pikë mëshire që të dy. Ashtu sic vriste nëna buburrecat e dhomës. Me t’u kthyer në shtëpi gjeta radiotransistorin dhe zura vend në dritare. Me kokën të zbrazur, e shpirtin e tharë. E pazonja të qaja. Në vijën e horizontit u shfaq një pikë e zezë dhe unë mendova se ishte një brumbull. Duke u afruar pika u zmadhua, zuri të merte trajta dhe së fundi, dallova nënën. Kur ajo mbërriti poshtë Vilës, unë e flaka radiotransistorin nga dritarja. Ai vajti e i ra me zhurmë pranë këmbëve të saj. Nëna ngriti kokën dhe unë pashë fytyrën e saj të tmerruar. Kjo më ka mbetur prej nënës, fytyra e tmerruar. Syte tanë u kryqëzuan, por unë nuk ju shmanga. U shmang ajo; u përkul mori në tokë radiotransistorin e thyer. Unë vazhdoja të rrija pranë dritares edhe kur dëgjova rrotullimin e celësit në bravë. Nëna u fut në dhomë pa fjalë. Ndryshe nga c’e prisja, ajo nuk më drejtoi asnjë qortim. E la radion në një qoshe dhe me zë të qetë, si të mos kishte ndodhur asgjë, më pyeti c’dëshiroja të më përgatiste për të ngrënë. Unë ju përgjigja ftohtë dhe shkurt:- nuk dua asgjë! Ajo këmbënguli, më pyeti nëse dëshiroja të më gatuante për atë mbrëmje një trishk. Trishku ishte një ëmbëlsirë që mua më pëlqente shumë dhe dihej që ëmbëlsira ne gatuanim rrallë. Unë përsëri iu përgjigja ftohtë dhe shkurt:-Jo! Nëna u zbeh. Ajo nuk mund të ushtronte kurrfarë autoriteti ndaj meje. Donte vetëm një gjë, të mos ja haja shpirtin. Ndërsa unë isha e vendosur për të kundërtën. Kur më ranë në dorë dhe lexova letrat e tim eti, zbulova një vrasje të pangushëllueshme ndërgjegjeje se, dëshira ime e atyre kohëve për ta bërë nënën të vuante i ngjante asaj të tim eti. I mjeri im atë, duhet të ketë vuajtur tmerrësisht nga xhelozia, sic vuaja unë. Nuk e di c’i shkruante nëna atij, por jam e sigurtë se nga anë të tjera ai duhej të merte letra të nxira për nënën. Derisa vendosi të mos i shkruante më. Vendosi edhe ai ta braktiste, atë që tashmë e kishin braktisur të gjithë. E kështu vjen fundi i saj.
Atëherë në shkollë mua më quanin vajza e kurvës. Unë dilja e para e klasës në mësime, por nuk mungonin ata që më vinin në dukje se lodhesha kot. Bije e një të burgosuri politik dhe vajza e një kurve, njëherazi bijë e një ish-të burgosuri politik me nam, e kishte vendin tek Vila e Shtrigave. Dhe nuk mund të shkonte përtej arave buzë kënetës. Ky ngacmim më gërryente cdo ditë. Kjo qe arsyeja që, më në fund, gjatë një ore mësimi në klasë u drodha nga një përfytyrim i frikshëm:- tek nëna pashë të ardhmen time. Pra, do të vinte një ditë e unë do të martohesha me një burrë si im atë. Ky do të binte në burg dhe mua, kudo që të ndodhesha, më priste Vila e Shtrigave. Ajo ishte e përjetshme, sic ishte i përjetshëm një Cerber. Pa i kërkuar leje mësuesit u ngrita, dola jashtë. Nuk e kisha fort të qartë c’po ndodhte brenda meje. Ndjeja pendesë dhe tmerr. Mbi të gjitha, doja të shkoja te nëna. T’i puthja duart. T’i kërkoja falje. T’i thosha se ishte qenia ime me e dashur. Kështu bëra, vajta drejt e te zyra e fermës, por nënën nuk e gjeta. Një burrë më tha se ajo ishte larguar para një ore.
Ja krisa vrapit nëpër fushëtirë. Me sa më hanin këmbët. Me fytyrën që më digjte nga djersa. Dhe një dëshirë për të mbërritur në shtëpi sa më parë. E me të mbërritur t’i hidhesha nënës në qafë. Ta siguroja se tash e tutje do t’i bindesha për cdo gjë. Nuk do ta lija vetëm. Tash e tutje nuk duhej ta cante kokën që gratë e Vilës së Shtrigave nuk i vinin për vizitë. Tash e tutje do të më kishte mua, kurdoherë pranë saj, si një qen besnik, e gatshme ta mbroja nga rreziqet, të gjakosesha për të, të vdisja për të. Kur mbërrita në shtëpi dhe u gjenda në dhomë, të gjitha këto më ngecën në grykë. Bashkë me nënën ndodhej Sokrati i Rrjedhur. Ajo po rrinte ulur në karrige pranë tryezës. Fytyra e saj ishte e zbehtë. Kurrë nuk e kisha parë një zbehtësi të tillë në fytyrën e nënës. Ajo më hodhi një vështrim, pastaj i hoqi sytë prej meje, i përqëndroi diku, në boshllëk. E mua më përshkuan mornica, mendova se duhej të ishte e sëmurë. Ju afrova, e pyeta c’kishte. Ajo vazhdoi të qëndronte ashtu, pa m’u përgjigjur, e verdhë dyllë, me vështrimin gjithmonë në boshllëk, derisa Sokrati i Rrjedhur më vuri dorën në kokë, më largoi prej saj, pastaj u përkul, më puthi në të dyja faqet e me zërin e mbytur më pëshpëriti në vesh, të mos e lodhja nënën tani. Kishte ndodhur dicka shumë e keqe.
Hollësirat e asaj që kishte ndodhur i mora vesh pak më vonë. Aty për aty mësova se babai im kishte vdekur. Këtë ma bëri të ditur Sokrati i Rrjedhur, kur unë zura vend në divan dhe ai u ul pranë meje. Me qetësi më vuri dorën në kokë, e me zë të mbytur më njoftoi mandatën, pra im atë kishte vdekur. Kështu unë duhej ta mbaja veten, të tregohesha e fortë. E vërteta ishta ca më e ndërlikuar. Babai nuk kishte vdekur nga ndonjë sëmundje. Ai ishte vrarë bashkë me një të dënuar tjetër në një përpjekje për t’u arratisur nga burgu. Hollësirat mbërritën tek Vila e Shtrigave, një javë pas ngjarjes, kur trupi i tij tashmë mbulohej nën dhe, në ndonjë gropë diku, që nuk do ta mernim vesh kurrë ku ndodhej. Mundet që nëna t’i dinte qysh në fillim këto hollësira, por unë nuk i mësova prej saj. Ajo nuk më hapi ndonjë bisedë për vdekjen e tim eti. As për hollësirat e vrasjes së tij. Qysh nga ajo ditë nëna u mbyll. Dhe unë kalova një periudhë të tmerrshme, më të tmerrshmen e jetës sime.
Ajo u paraqit në punë që të nesërmen. Si zakonisht, më mori me vete në mëngjes dhe të dyja përshkuam rrugën e pafund të qerreve. Ajo ecte përpara, unë prapa. Në një heshtje varri. Ky rrugëtim nëpër hapësirën e vdekur të fushëtirës, u kthye për mua në torturë. Ecja prapa saj e sigurtë se, po t’i flisja nuk do të më përgjigjej. Ajo nuk duronte më njeri, as mua. Tashmë edhe Sokrati i Rrjedhur nuk ishte i mirëpritur. Kur vinte ai nëna heshtte, mezi nxirrte ndonjë fjalë, derisa tjetri largohej, e ajo ngucej ta mbyllte derën me shul. Pastaj, ndërsa buburrecat bridhnin pa frikë nga njeri cep i dhomës në tjetrin, guxonin të ngjiteshin dhe mbi tryezë, ajo pinte. Ndonjëherë qante. Dhe unë e shihja me zemër të ngrirë. Nuk guxoja t’i flisja, t’i drejtoja ndonjë pyetje, aq më pak t’i thosha të mos pinte. Njëherë që e bëra këtë, ajo më ulëriu, e unë pata frikë se mos më rrihte, por ajo nuk më rrahu. Mesa më kujtohet, medalionin ma tregoi në një nga këto gjendje të dehura, pas të cilave të nesërmen në mëngjes mezi ngrihej. Po të mos e zgjoja unë rrezik të mos ngrihej fare. Dhe ecnim të dyja në hapësirën e vdekur të fushëtirës, ajo para e unë prapa, dhe ndaleshim tek qendra, kurdohere me baltë e fermës. Ajo kthehej nga zyrat dhe unë vazhdoja me tej deri në shkollë. E kështu cdo ditë, në një mërzi përzier me frikë, që kujtoja se nuk do të merrnin fund kurrë.
Në një nga këto ditë, kur dola nga shkolla, Sergei po me priste jashtë. Atëhere Sergei ishte në klasën e tetë, unë në të katërtën. Ai dukej i hutuar dhe tha se do të më tregonte dicka të rëndësishme. Puna qe kështu: te dera e zyrave të fermës kishin ngjitur një flete-rrufe. Autorët shtronin pyetjen: deri kur drejtoria do të mbante si pastruese një femër të përdalë, bijë dhe grua armiqsh të popullit, ndërsa grave dhe vajzave tona të ndershme u bie bretku arave? Pastaj shtoheshin fjale të tjera, që sipas Sergeit ishin thumba drejtuar Cerberit, ndonëse emri i tij nuk përmendej. Fletë-rrufeja s’më bëri përshtypje. Djalli ishte shumë i zi, nuk mund të nxihej më keq. Kështu duhej të mendonte dhe nëna. Ajo ishte kthyer në shtëpi përpara meje dhe m’u duk e qetë. Fletë-rrufenë nuk e zumë në gojë, pra, as asaj nuk i kishte bërë ndonjë përshtypje.
Atë mbrëmje nëna piu, jo aq sa të dehej. Në shishe nuk kishte mbetur aq raki sa të dehej dhe në mëngjes më tha se nuk ndihej mirë, ndaj rrugën për në shkollë do ta bëja vetëm. Ishte e zbehtë. Cdo mëngjes ajo ngrihej e zbehtë dhe unë nuk kisha ndonjë arsye të merakosesha nga zbehtësia e fytyrës së nënës. Rastisi që me të zbritur poshtë takova Sergein. Ai më propozoi që të mos shkonim fare në shkollë atë ditë. Plani i tij ishte t’ua mbathnim nga këneta, si gjithmonë për të gjetur fole me vezë rosash të egra, ndonëse vazhdimisht kishim dështuar, nuk kishim arritur të gjenim kurrë fole me vezë rosash të egra. Në ato vise rosat e egra nuk dukeshin kurrë. Në vend të tyre na shfaqeshin buajt, e mua kjo kafshë nuk më pëlqente, më dukej tmerrësisht e shëmtuar, pise, dhe e peshtirë. Megjithatë propozimin e Sergeit e pranova, tek e fundit për mua shkolla s’kishte më kuptim, dilja mirë apo keq me mësime.
Nëna i dha fund jetës ndërsa unë bridhja me Sergein, në kërkim të foleve me vezë rosash të egra. Por më kot. Pamë vetëm një gjarpër që ju hodh një bretkose dhe e ndoqëm skenën të fshehur pas kallamishteve, derisa ai e gëlltiti ngadalë, e përpiu të tërën. Më pas kjo skenë më ka munduar vazhimisht. Më mundon edhe sot. Më duket sikur nëna është larguar nga kjo botë, kur unë shihja gëlltitjen e bretkosës nga gjarperi. Në ato caste mendoja se bretkosa duhej të vuante tmerrësisht dhe, nëse do të kishte pasur mundësi të ulërinte, do të lëshonte ca ulërima ngjethëse. Bretkosa nuk mund të ulërinte dhe gjarpëri e gëlltiti në heshtje. E mua më bëhet se edhe nënën e ka gëlltitur një gjarpër?! Në heshtje. Ajo duhet të ketë patur një vdekje të tmerrshme, por askush nuk kishte dëgjuar gjë, qoftë dhe rënkimin më të vogël. U ktheva në shtëpi afër mbrëmjes. Nënën e kishin hequr prej kohësh. Në dhomë gjeta vetëm Sokratin e Rrjedhur. Atë natë ai qëndroi me mua. Qëndroi dhe netë të tjera.
Nëna kishte pirë bar minjsh. Atëherë unë nuk e dija c’ishte bar i minjve. Më dridhet mishi kur mendoj se sa shumë duhet të ketë vuajtur. Më ngushëllon vetëm një gjë:- unë e di ku ndodhet varri i saj. Një ditë do të shkoj atje.Tani prej saj kanë mbetur vetëm kockat, por së paku di ku t’i gjej. Do t’i heq, do t’i varros gjetiu. Në një vend ku të shkoj për ti cuar një buqetë me lule. Të mos e le përjetësisht tek Vila e Shtrigave. Ndërsa për tim atë, s’mund të bëj asgjë. Askush nuk e di ku e kanë kallur.
Nja tre-katër ditë pas varrimit të nënës, më thanë të paraqitesha tek strofulla e Cerberit. Atje më priste një burrë. Ky vinte i dërguar nga gjyshja ime prej babai, dhe Cerberi më bëri të ditur se qysh atë ditë duhej të largohesha, të shkoja me atë burrin. Nuk paraqita nonjë kundërshtim. Nuk kisha arsye të paraqisja dicka të tillë. Kështu u largova nga Vila e Shtrigave dhe vajta të jetoja me gjyshen në qytetin M. Gjithëcka më pas është e rëndomtë, s’ka më asgjë për të rrëfyer…
Përgatiti për botim në “Dielli”, Shefqet Kërcelli