-Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet/
*PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN/
*KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT/
PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë, në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, u mbajt Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KRYEPARLAMENTARI VESELI: KRENARË PËRKRAH SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Kryeparlamentari Veseli tha gjatë fjalës së tij se 15 vite më parë bota pa me sy dhe ndjeu me zemër një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore – sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.
“Atë ditë, anë e kënd botës, u tronditën zemrat njerëzve nga të gjitha kombet e racat, kulturat dhe religjionet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto
vlera supreme, të cilat, sot, tek Shtetete Bashkuara të Amerikës gjejnë garantuesin kryesor”, tha kryeparlamentari Veseli.
Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.“Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndihemi krenarë duke qenë populli më proamerikan në botë. Kjo nuk është as oportunizëm, as servilizëm. Përkundrazi, është mirënjohje morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda të tij”, tha Veseli.Kryetari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA-të.“Zërat individualë që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të adhmes së saj. Ne nuk mund t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.
Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet.
PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’: Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.
Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.
KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha.
Kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.
“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.
Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.