-Para 3 vitesh ndërroi jetë Bajram Rexhepi, kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë
-Tituj nga deklarata e intervista: Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi; Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm
-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 21 Gusht 2020/ Para 3 vitesh ka ndërruar jetë kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë, Bajram Rexhepi, i cili më parë pas luftës ishte edhe kryetar i parë bashkie në Mitrovicë.
Në të njëjtën ditë e votim në Kuvend kur u zgjodh Ibrahim Rugova president i parë i Kosovës edhe i pas luftës, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër në 4 mars 2002 pas zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë që u mbajtën në 17 nëntor 2001. “Gjithçka në Kosovë është me përparësi”, theksonte ai në deklaratën e parë si kryeministër.
“Natyrisht, nuk duhet harruar kurrë se ne duhet t’i ndërtojmë institucionet tona demokratike dhe të krijojmë kushte të domosdoshme që statusi final i Kosovës në fund të jetë aq i lartë”, theksonte kryeministri Rexhepi duke u përgjigjur në pyetjet që të sapozgjedhurve që ua bëra si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, pasi fillimisht urova për zgjedhjen, në 4 mars 2002, pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua. “Presidenti Rugova dhe Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen”, ishte paralajmërimi në ballinë. Gjatë viteve kisha intervista ekskluzive.
Në një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e botuar në 13 shkurt 2003 me titullin “Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm”, kryeministri Rexhepi theksonte se Pavarësia, çështja më madhore për të ardhmën e Kosovës, kërkon “çastin më të volitshëm” dhe që subjektet kryesore politike të vendit ta vlerësojnë një gjë të tillë në mënyrë unanime, “në pajtim edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe fuqitë e mëdha europiane”.
I pyetur se, “si e shihni perspektivën e serbëve dhe të komuniteteve të tjera në një Kosovë të pavarur”, ai përgjigjej: “Si perspektivën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku të gjithë do të jenë të lirë, të sigurtë dhe të mbrojtur nga ligji”.
E, i pyetur “në veçanti, si i vlerësoni marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë”, kryeministri Rexhepi përgjigjej: “Nuk ka dyshim se raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raportet më të mira se me të gjitha vendet e tjera fqinje. Ky është edhe një realitet i natyrshëm. Shqipëria e ka ndihmuar gjithmonë Kosovën, por, ka dëshmuar gjithashtu se politika e saj e Jashtme është në përputhje me rregullat dhe normat ndërkombëtare. Lidhja e Kosovës me Shqipërinë është në interes të zhvillimit ekonomik mbi të gjitha, sepse përmes Shqipërisë ne dalim drejtpërdrejt në kufi me vendet e Bashkimit Evropian, siç është Italia dhe Greqia. Do të thoja se ky është një privilegj i natyrshëm, i cili duhet shfytëzuar në maksimum”.
Bajram Rexhepi ka lindur në Mitrovicë në 3 qershor 1954. Ishte mjek-kirurg, gjatë luftës edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e në Kosovën e sapoçliruar edhe kryetar i Mitrovicës. Ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Ka ndërruar jetë në një spital në Turqi, në 21 gusht 2017.
PRESIDENTI THAÇI: BAJRAM REXHEPI, NJË FIGURË SHEMBULL E PATRIOTIZMIT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka shkruar:
#NjereztePaharrueshem
Kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Bajram Rexhepi ishte intelektual, humanist, diplomat dhe politikan shumë i vendosur.
Ai dha kontribut shumë të madh në vijën e parë të frontit të luftës, duke shpëtuar qindra jetë të ushtarëve të UÇK-së dhe duke iu mundësuar atyre që të ktheheshin sërish në istikamet e luftës për mbrojtjen e atdheut.
Ishte figurë unifikuese në momentet më të ndjeshme të politikës sonë të brendshme pas çlirimit, duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike si kryeministër i parë i Kosovës.
Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për vendlindjen e tij, Mitrovicën, të cilën e udhëhoqi shumë vite me radhë.
Angazhimin dhe përkushtimin për fuqizimin e shtetit të Kosovës, Bajram Rexhepi nuk e ndali në asnjë moment.
Ishim së bashku, si në luftë, ashtu edhe në paqe!
Së bashku fituam shumë beteja, deri para tre vjetësh kur fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke u ndarë vetëm fizikisht prej nesh.
Kontributi, trashëgimia politike dhe patriotike që Bajram Rexhepi ka lënë për brezat e ardhshëm do të jetojë përgjithmonë!
Prehu në paqe, miku im i paharruar! HTH