-Mbështetje e Mbretërisë së Bashkuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur/
PRISHTINË, 8 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Është lançuar sot në Prishtinë projekti mbështetës i Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar qeverinë e Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e para mëse 17 viteve.“Kjo përkrahje, veçmas është rezultat i vizitës që kishte në Kosovë Princi Charles, i cili tregoi një kujdes dhe dhimbje të veçantë për personat e pagjetur dhe për familjarët e këtyre personave”, tha kryeministri Isa Mustafa.Ai thesksoi se, çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e kosovarëve, e shtetit të Kosovës, duke përkujtuar se ende janë 1660 persona të cilët akoma kërkohen dhe nuk janë gjetur.Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell, theksoi rëndësinë që të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të këtyre personave.“Kam frikë se procesi i gjetjes së personave të zhdukur ka stagnuar. Më shumë mund të bëhet nga të gjithë”, u shpreh ai.Ambasadori O’Connell theksoi se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për të ardhmen e popujve në Ballkan. “Ballafaqimi me të kaluarën është esencial për të ndërtuar mundësinë për një të ardhme më të mirë”, tha ai.Bajram Qerkini, përfaqësues i shoqatave familjare në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se dëshiron që ky projekt të shfrytëzohet ashtu siç mendohet më së miri për zbardhjen e fatit të të pagjeturve./b.j/