Sot ishte përvjetori i 70-të i lindjes së presidentit legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova/
* Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Sot është 70-vjetori i presidentit legjendar të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në vitin 2006. Në kuadër të këtij përvjetori janë planifikuar ceremoni të ndryshme përkujtimore, duke filluar me homazhet pranë varrit të tij.
Njeriu i rrugëtimit të shtetit të Kosovës dhe i paqes
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.
Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.
Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”, që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:
– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:
– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.
– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).
“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Pas një sëmundje të rëndë, presidenti Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë, në moshën 61-vjeçare.
Haradinaj: Rugova, udhëheqës i papërsëritshëm/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e vlerëson Presidentin historik të Kosovës udhëheqës të papërsëritshëm.
Haradinaj shprehet sot se “populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët përjetë do ta kujtojnë Presidentin Rugova dhe veprën e tij”.
“Sot, në 70-vjetorin e lindjes, e përkujtoj si udhëheqës të papërsëritshëm të popullit tim dhe si mik”, thekson Haradinaj.
Pacolli: Ibrahim Rugova e bëri botën të njohë Kosovën/
Ibrahim Rugova kishte meritën historike se e bëri botën të njohë Kosovën, shprehet sot Presidenti i Aleancës Kosova e Re, zv/kryeministër i qeverisë në përfundim të mandatit, Behgjet Pacolli, në 70-vjetorin e lindjes së Presidentit histotik kosovar.
“Ka shumë popuj të vegjël apo dhe më të mëdhenj sesa Kosova, kauza e të cilëve sot në botë dhe luftërat për këtë kauzë janë të panjohur ose nuk merren në konsideratë. Në kohërat tona nëse kjo kauzë nuk njihet, gjasa që ajo të zgjidhet, të adresohet janë të vogla. Ibrahim Rugova, ditëlindjen e të cilit kujtojmë sot, kishte meritën historike se ishte i pari që e bëri botën të njohë Kosovën, të kuptojë genocidin mbi popullin e Kosovës, të vlerësojë luftën e Kosovës, t’i krijohet respekt për popullin dhe kombin tonë, shprehet Pacolli.
Ai vijon se, “pa këtë njohje, a ndërkombëtarizim siç e quajmë, s’do të kishte ardhur faza e ndërgjegjësimit të qendrave të mëdha të vendosjes për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës” dhe se, “ishte më pastaj lufta çlirimtare që i përshpejtoi cilësisht proceset, mbështetur dhe mbi këtë trashëgimi të vyer të Ibrahim Rugovës”.
Pacolli vlerëson se, “vepra politike e Ibrahim Rugovës përfaqëson një trashëgimi të madhe jo thjesht për LDK-në, e cila falë drejtimit të tij ishte parti udhëheqëse e skenës politike të Kosovës. LDK-ja e drejtuar prej Rugovës mishëronte një kuadër të gjerë interesash të qytetarit duke i harmonizuar ato më së miri, çka i garantonte dhe rezultate të larta zgjedhore”. Lideri i AKR-së, më tej shkruan se, “LDK-ja e Rugovës sillej me dinjitet me partitë e tjera kundërshtare dhe mu prej kësaj, sot kur ai s’është më, rivalët e tij më të fortë i referohen trashëgimisë së tij politike si një monumenti të përbashkët kombëtar. Vepra e tij bashkoi shumë para vdekjes, por akoma dhe më shumë pas vdekjes”.
“Popujt e vegjël kanë nevojë për mite, mbi të cilat themelojnë konceptin e tyre shtetëror të mëpastajmë. Rugova ishte dhe mbetet një mit i dobishëm për shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, me idetë e veta për aleancat ndërkombëtare të Kosovës, me sjelljen e vet të moderuar politike, me paqen që përcillte me sjelljet dhe fjalët e tij. Ja pse unë e kam quajtur atë themelues të pavarësisë së Kosovës, dhe një nga figurat më të mëdha shqiptare të fundshekullit të 20-të. Nderim të përjetshëm figurës së tij!”, shkruan Pacolli në Facebook, ku poston edhe një foto me Rugovën.
Thaçi: Me Rugovën kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re/
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kujton se “sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit të ndjerë Dr Ibrahim Rugova”. “Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht nga komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet kyçe të historisë sonë të re”, thekson Thaçi.
“Familja e tij dhe populli i Kosovës sot janë krenarë për punën e tij të palodhshme për liri dhe pavarësi”, shprehet kryeministri i Kosovës, Thaçi
_Fotografia, kortezi Gazeta “ZERI”