• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Patriotizmi dhe vlerat e vargut: krijesa simbiotike e Lulzim Tafës

February 11, 2013 by dgreca

Lulzim Tafa, Terrible Songs, Gracious Light, New York, 2013/

 Nga Peter Tase/

Republika e Kosovës është shteti më i ri i pavarur i Europës por çuditërisht është njëra prej vatrave më të pasura të kulturës dhe poezisë europiane. Nuk është çudi të takosh një shkrimtar apo rapsod me emër në qytetet apo edhe zonat më të thella të Shqipërisë apo Kosovës. Njëri prej tyre është edhe Lulzim Tafa. Kjo nuk është rastësi por në të vërtetë është treguesi kryesor i nivelit kulturor të një populli dhe kontributi i këtij kombi të syrgjynosur ndër shekuj, në promovimin gjithmonë e më shumë të kulturës vendase por edhe asaj të huaj në gjuhën shqipe.Trashëgimia e shkruar, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe kritikës letrare në Kosovë është për t’u admiruar. Ajo është e mbushur me krijimtari nga shkrimtarë të përgatitur dhe poetë të afirmuar, ashtu siç është edhe Lulzim Tafa. Shkrimtari ndodhet krahas krijuesve tjerë bashkëkohorë. Ndër më të njohurit duhen përmendur Azem Shkreli dhe Ali Podrimja i ndjerë, Sali Bashota, Ndue Ukaj, Anton Gojçaj, Anton Nik Berisha. Ndoshta e kam anashkaluar ndonjë emër tjetër, por sipas mendimit tim, këta janë disa nga shkrimtarët dhe prozatorët më të mirë që shkruajnë mbi tema patriotike dhe historike, siç vepron edhe Lulzim Tafa.

Që nga momenti i botimit të librit të tij të parë me poezi, Lulzim Tafa ka demaskuar me mjeshtëri pushtimin dhe genocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e ushtruar mbi kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare. Kjo letërsi, duke përfshirë edhe stilin e Lulzim Tafës, është një forë origjinale e të shprehurit që ka magjepsur shumë studjues dhe antropologë, vizitat e të cilëve datojnë që prej kohës së Shën Palit i cili kishte kaluar në këto treva dhe i quante territoret buzë Adriatikur me emrin ”Illyricum.”Këtë rigjenerim të historisë së përgjumur të një populli të lashtë, po e bën edhe Lulzim Tafa me poezinë e tij të spikatur. E tillë është edhe përmbajtja e poezisë ”REPORTAZH I LUFTËS SË SHENJTË”:

Ne robërit e luftës ikim përpjetë/ S’e dimë ku jemi nisur/ As ku arrijmë për dritë/ Ata na ndjekin na vunë në rreth/Ata me këpucë e dhëmbë të hekurt lufte/ Ne të zbathur të uritur të pa rruar/ Një javë të pa pastruar me flokë të telta/ Fije-fije shpirtin përtypim zhgënjimin/ Pështyjmë copat e fatit të përgjakur/ E droçka të gjalla na janë ngjitur gjuhës/ Ato flasin ne heshtim biem në rreth/ Më në fund ngremë duart lart i dorëzohemi ujkut/ Biem në mëshirën e tij/ Të dhëmbëve të syrit të tij të shqyer/Sytë tanë rriten/ Tre dhunuesit i rrinë sipër një gruaje/ Ç’betejë e pabarabartë e fatit/ Para syve të tanë porno e gjallë shfaqet/ Mund ta shohin edhe fëmijët e mitur/ Që gjenden në rresht krejtësisht ftohët rrimë/ Ereksion i seksit s’na nxitet dot/ Na kaplon ereksion i vdekjes/ E mjera ti o grua e mirë më në fund/ Mish i gjallë e thua shpëtuam u zgjuam/ Lufta kishte shkuar në tjetër jetë/ Dhe trimat e malit me fletë…/

Këto vargje vendosin nëkornizën makabre të vdekjes gjithë ato fatkeqësi, tortura, që kanë ndjekur kombin shqiptar në të dy anët e kufirit. Në tëmirë tëhistorisë, ndoshta do të ishte akoma edhe mëe përpikte nëse do të përfshinim në këtëkontekst, apo “Reportazh”, shqiptarët kokëulur dhe kulturalisht të margjinalizuar në Mal të Zi, pse jo edhe Shqiptarët e “degdisur” nëpër lagjetGetto – të ngjashme me vendbanimet e Hebrenjëve në Varshavë gjatëpushtimit nazist, mu në zemër tëShkupit. Imazhe të ngjashme i gjejmë edhe tek poezia e Anton Gojçajt, ”Mrekullia e Ekzistencës”, ku vetë autori, i frikësuar, krijon imazhin e plotë të atyre ditëve të vështira ku dhuna dhe persekucioni kanë mbi zotëruar kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë: ”Rrugëve të Prishtinës/ studjova frikën/ Policët kah më ndiqnin/ Thërrisja Amerikën/ Lulet kur i shihja/ Pranë tankeve kur mbijnë/ E shaja Europën/ Lutesha për Shqipërinë/ Për miqtë e mi të atëhershëm/ Më pushton një mall/ Jo nuk bëmë çudira/ çudi që mbetem gjallë.”

Ndërsa Lulzim Tafa krijon dhe vizaton kontekstin e duhur nëpërmjet përshkrimeve rrënqethëse, barbare dhe të mjerueshme, aq sa „Fije-fije shpirtin përtyp[te] zhgënjimin…/ Lufta kishte shkuar në tjetër jetë/ Dhe trimat e malit me fletë…”. Për të njëjtin përshkrim – apo skenar të rrjedhjes së mendimit – Anton Gojçaj, me lapsin e tij ”magjik” e sjell këtë vizatim më pranë lexuesit dhe mundohet të”qetësojë” Tafën duke i thënë se shpresa për ndihmë nga jashtë është e vetjma zgjidhje, dhe simboli i saj është Amerika, e cila ende është prezente në Kosovë. Megjithëse policët serbë e ndiqnin nëpër rrugët e Prishtinës, Antoni nuk bënte gjë tjetër vetëm ”therris[te] Amerikën” dhe për çudi nuk e lë me kaq por fillon të mallkoi edhe Europën. Europa, ndryshe nga imazhi tepër pozitiv i Amerikës në Kosovë, ende njihet si strumullari i sfidave në vendin e flamurit më gjashtë yje, të shfaqura jo vetëm tek krijimtaria e shkrimtareve të Kosovës, por siç e vërejmë këtu, edhe në penën e Gojçajt nga Mali i Zi, që është një shkrimtar me një filozofi të qartë kundrejt perfeksionimit intelektual dhe moral të krijimtarisë letrare shqiptare, e cila vlerësohet edhe tejmatanë brigjeve të Atlantikut.

Lulzim Tafa shpreh një pasion të veçantë edhe për vargjet e bukura të shqipes, që fatmirësisht ai i ka perfeksonuar përgjatë dy dekadave me krijimtari intensive letrare, poetike por edhe në fushën e drejtësisë. Në vargjet e poezisë ”Poetët”,Tafa shpalos talentin e tij dhe dashurinë për metaforën, epitetet por edhe qendrimin modus vivendi që Shqiptarët historikisht kanë ruajtur kundrejt fesë: „Kur zemërohen zotat/ Lindin poetët./ Në të parën shenjë jete/ Ngrihen kundër zotit të vet./ Protestojnë./ Kur rriten/ Bëhen çapkën/ Shpërndajnë afishe/ Kundër vetvetes/ Si demonstrantët nëpër qytet/ “Fëmija i tepërt i secilës nënë / Bëhet poet”…

Nga fëmija – tek vargjet e mësiperme- i cili ka prirje për t’u bërë poet, Lulzim Tafa me talentin e tij ështënë gjendje tërrëfehet dhe të “përqafojë” metaforat dhe figurat historike, ndonëse është në botën tjetër, dhe tek poema “Kur të Vdes” shkruan”:“Kurë të vdes/ Mos qaj e dashur/ Të kam tradhtuar/ Me çupat e planetit tjetër.// Kur të vdes mos qaj motër/ E ngas gjokun e Gjergjit/ Me bajlozë deti…// Kur të vdes mos qaj nënë/ Veç jepu gji/ Këtyre/ Metaforave/ Të pikëlluara/ Si mua dikurë”. Me këto fjalë, Lulzim Tafa i jep gjallëri dhe jetë çdo vargu dhe personazhi historik, duke i kërkuar nënës së vet, të lërë mënjanë trishtimin dhe t’u japë“gji” metaforave, ashtu si vetë autorit kur ishte femijë. Gjergj Elez Alia është simbol kryesor në legjendën e Kreshnikëve që është në rrafshin ballkanik – madje disa studjues ndonëse janë të huaj dhe shqipfolës, Kreshniket i nxjerrin si figura historike Sërbe – si një simbol i fuqishëm që gjen vëmendjen e duhur tëk Tafa dhe vepra e tij.

Ndoshta përfshirja e Gjergj Elez Alisë në këtë poezi të trishtë, evokon sërisht humbjen tragjike të Gjergjit por edhe sjell ndërmend vajtimet e shumta të motrës së tij, vajtime këto që Lulzim Tafa nuk do i dëshironte në ditën e vdekjes së tij. Me stoicizmin e tij klasik, Lulzim Tafa po krijon një frymë të re në letërsinë e shqiptarëve të Kosovës, një autor i talentuar për t’u admiruar, studjuar dhe marrë si shëmbull nga shkrimtarët tanë, por edhe të huaj. Depërtimi i thellë i metaforave, prania e subjektit historik, dhuna ushtarake sërbe në Kosovë, dashuria për vargun dhe “rigjenerimi” i figurave historike janë elemente thelbësore në poezinë e Lulzim Tafës, që përveç përkthimit në gjuhët rumune dhe suedeze, e sheh botimin edhe në gjuhën angleze, sot, kurse nesër edhe në disa gjuhë tjera të Europës.

Jo më kot, Anton Gojçaj e ka cilësuar autorin si “një poet me emocione të thella që shndërohen në mendime të shprehura, nepërmjet metaforave rezatuese që e bëjne poezinë e tij të jetë më afër traditës letrare shqiptare”.

*Peter Tase,
International Programs Assistant

to Secretary General

International Federation of Engineering Education Societies

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Lulzim Tafa, Peter Tase

Arti i Zeni Ballazhit: Imazh i 100 vjetorit të shtetit shqiptar

January 27, 2013 by dgreca

Nga Peter Tase (United States)

Zeni Ballazhi u lind, më 1975, në Kërçovë, Maqedoni. Në qershor 1998 mbaron studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë. Më13 qershor 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull”, nëFakultetin e Arteve pranë Universitetit të Prishtinës. Më 18 nëntor 2000 mbaron studimet për disa disa muaj në Kolegjin Nacional të Arteve të Oslos, Norvegji. Në vitin 2009 emërohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, si Drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka punuar si drejtor artistik (skenograf) në disa filma dhe shfaqje profesionale, në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe në Norvegji. Ka marrë mbi 15 çmime dhe medalje në Kosovë dhe nga institucione të tjera në rajon.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit tëpavarësisë sëShtetit Shqiptar, Zeni Ballazhi nderohet me Medaljen e Mirënjohjes, nga Presidenti i Shqipërisë. Ballazhi ështëautori i stemës sëdizenjuar me rastin e 100 vjetorit të formimit tëshetit Shqiptar. Fruti i punës së tij artistike do tëvendoset denjësisht nëanalet e historisë sëkombit shqiptar. Me rastin e marrjes së kësaj dekorate, Ballazhi shprehu kenaqësinëpër këtëvlerësim përpara presidentit të republikës. Nuk ka asnjë dyshim se krijimtaria e tij do tëpasurohet akoma më shumë. Gjatë dy dekadave tëfundit Zeni Ballazhi ka marrë pjesënë mbi 30 ekspozita kolektive nështete të ndryshme tëbotës, dhe ka realizuar tre ekpozita personale në Kosovëdhe Maqedoni, si dhe ka shërbyer si kurator në11 ekspozita të ndryshme nëEuropë. Zeni Ballazhi, ka qenëdrejtor artistik i shumë filmave, komedive dhe shfaqjeve teatrore. Për herëtë parë, ky artist i mirëfilltë flet për shtypin shqiptar nëpërmjet kësaj interviste.

NË Ç’FARË MOSHE E KENI BËRË VIZATIMIN APO SKICEN E PARË DHE SI E KENI FILLUAR PROFESIONIN E ARTISTIT?

Në shumicën e rasteve artistët e vërtetë lindin artistë. Kam bërë shumë skica sa që nuk më kujtohet e para, por më kujtohet vetëm si fëmijë, ndoshta ka qenë prishja e fotografive familjare të bëra gjatë viteve të hershme (bardhë e zi) duke i ngjyrosur fytyrat me tush dhe duke i kthyer në një imazh ashtu si unë dëshiroja të jenë, ndoshta edhe qesharake apo ashtu të dëmtuara. Por kan qenë edhe momentet kur kam filluar vijat e para të hedhura në letër pa e kuptuar se çfare bëj por gradualisht duke hyrë në moshë më të madhe kam filluar të kuptoj se çfare po bëj. Si vazhdimësi kohore identiteti im vërehet në çdo paraqitje të eksperiencës time.

SI KA QENË ATMOSFERA ARTISTIKE GJATË VITETE KUR KENI STUDJUAR NË AKADEMINË E ARTEVE TË BUKURA NË TIRANË, MË 1998? Ç’FARË JU KA BËRË MË SHUMË PËRSHTYPJE GJATË VITETE STUDIMORE NË KRYEQYTETIN E SHQIPËRISË?

Shqiptarët në përgjithësi edhe nga vende tjera të Ballkanit kanë përjetuar konflikte të ndryshme politike, historike, sociale etj. Në vitin 1993 jam pranuar për të ndjekur studimet në Shqipëri, atje ishin prezente pasojat e regjimit komunist si dhe një situatë tepër e çoroditur nga aspekti social. Kolera ishte një sëmundje që kishte kapluar shumicën e territorit të Shqipërisë, ishte një situatë ku për mua pati ndikuar shumë në kreativitetin artistik, ishte koha e ndryshimeve pozitive, optimist për një të ardhme më të mirë, për dikë edhe largimi nga vendi ishte zgjidhja më e mirë. Në 1997 lufta civile kundër çështjeve piramidale dhe 1998 vrasjet e disa personaliteteve politike, një përjetim i tmerrshëm gjatë këtyre viteve ku në të njejtin vit marr diplomën për kryerjen e Fakultetitv të Arteve të Bukura në Tiranë dhe fitoj të drejtën e studimeve pasdiplomike për magjistraturën në Universitetin e Prishtinës pranë Fakultetit të Arteve Figurative. Filloj lufta në Kosovë. Përjetuam çnjerëzimin nga masakrat dhe dëbimet. Shumë vende i hapën dyert për strehim, por Shqipëria ishte vendstrehimi shpirtëror.

KUSH KA QENË PRIRJA KRYSORE ARTISTIKE E JUAJ GJATË STUDIMEVE TUAJA PËR MAGJISTËR NË PRISHTINË?

Duke u nisur nga rezultatet që pata gjatë studimeve vendosa të vazhdoj studimet pasuniversitare në ndonjë Universitet jasht vendit por në mungesë të kushteve financiare dhe në mungesë të magjistraturës në Akademinë e Arteve në Tiranë u detyrova të vazhdoj më tej dhe të fitoj të drejtën e studimeve për magjistraturë në Universitetin e Prishtinës. Viti 2000 ishte viti i pasluftës, viti i diplomimit në Magjistraturë. Një vit plot optimizëm për pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2001 filloi lufta në Maqedoni, një përjetim dhe ndikim tjetër në jetën time pasi që unë jam lindur në Kërçovë. Pas gjithë kësaj në vitet 2002 – 2011 fillon dalja në skenë e veprave, ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një histori e shkurtër për të dhënë idenë se çfarë ndikimi kan pasur konfliktet në përgjithësi në Ballkan për punën time kreative në përgjithësi, ku do të thoja në aspektin profesional mjaft pozitive sepse në veprat e mia paraqitet ky ndikim sipas kohës dhe realitetit të jetuar, ku këto vepra tani kanë mundësi t’i shohin edhe të tjerët, e sidomos ata që nuk i kanë përjetuar. Le të përjetojnë pak nga e kaluara e hidhur, sepse sot përjetojmë një luftë teknologjike e llojit modern, do të thoja një “Teknologji sociale”. Një kujtesë tjetër sociale e cila sot kontribuon dukshëm në punën tonë artistike.

CILËT PIKTORË JU PELQEJNË MË SHUMË DHE SA KANË NDIKUAR ATA NË FORMIMIN TUAJ SI ARTIST I PËRMASAVE BOTËRORE?

Ndikimi është vetëm realiteti i jetuar nëpër kohë të ndryshme. Eksperienca dhe vepra është formimi i një artisti. Çdo piktor i mirë apo i keq është i ndikuar nga realiteti që e rrethon. Nuk ka art të mirë, të keq apo të parëndësishëm, kushedi çfarë mbiemri ti vëmë kësaj prapë është art, si ç’do emocion i mirë apo i keq është prapë emocion. Për mua më e rëndësishme është që të kuptojmë, çmojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin të jemi sa më profesional në punën që bëjmë që të reflektojmë bindshëm në çdo vend dhe njëri nga qëllimet është që të pranojme artet sa të jemi të aftë të marrim pjesën tonë në rrafshin e diskutimit bashkëkohor që “bëhet sot në botë” dhe le të vazhdojmë të ushqehemi me ndjenja dhe të reflektojmë të gjithë artistët dhe e vetmja matje për ne të jetë realizimi artistik.

CILAT JANË DISA NGA TEKNIKAT QË DËSHIRONI TË PËRDORNI NË PUNIMET TUAJA ARTISTIKE?

Teknika më e mirë për përdorim në veprat artistike është idea. Në ideologji bashkëpunojnë; vullneti, mendimi dhe ndjenja, si triadë, për të ndërtuar dhe për të themeluar një praktikë artistike, e cila është përherë një komunikim ndërmjet hapsirës dhe realitetit, që i kundërvihet realitetit mohues të jetës së përditshme. Nisem nga kjo vetëdije duke pranuar të punoj nëpërmjet gjuhës specifike të artit, por edhe duke u përpjekur që ta reklamojë këtë specificitet si projekt të transformimit të realitetit, duke e nënkuptuar artin si model të sjelljes alternative. Koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, si rezultat i intensitetit të veçantë për filozofinë dhe artin bashkëkohorë kërkohen mënyra më të reja për te reflektuar ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Prandaj veprat janë një art i frymëzuar nga takime me gjëra të zakonshme që të bëjnë për vehte dhe për vlerat e tyre të mundëshme dhe për lidhjen asociative për të cilën aludojnë. Është një fryme e re, një eksperiencë e mbledhur nga të gjitha ecejaket nëpër botën e artit bashkëkohor, pikërisht në atë fushë krejtësisht jo të përkrahur nga shumica e atyre artistëve që artin e konsiderojnë si zanat. Arti në thelb përbën një zbulim. Afirmimi i kësaj praktike të re alternative të këtyre punimeve do të na mundësoj të kuptojmë se arti nuk është thjeshtë zanat por në thelb përbën një zbulim. Kurse koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, për një kërkesë më të madhe gjatë eksperimentimit në artet vizuale dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar me imazhe më të reja dhe më cilësore.

SA SHTETE KENI VIZITUAR DHE CILI VEND JU PËLQEN ME SHUMË?

Vizitat e mia janë më shumë profesionale se sa private. Jam pjesëmarrës në ekspozita kolektive me karakter ndërkombëtarë, bienale, workshope, udhëtime kuratoriale, festivale teatrore dhe festivale të filmave. Nga ajo që kam vizituar, të gjitha vendet kanë një karakteristikë në vehte e sidomos në pëlqimin pamor. Përveç këtyre më pëlqen të vizitoj ato vende të cilat ende nuk i kam vizituar, do të thoja ndoshta një planet tjetër. Veprat e mia kanë shkuar deri në malet Kaukaze. E kam sprovuar veten me vepra të ndryshme vizuale si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art. Nëpërmjet artit kërkoj që të rindërtoj shpirtërisht unitetin e njeriut, t’i rijap atij energji dhe tension, për të transformuar raportin tim me botën. Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë. Në këtë moment shoqëria modelohet dhe vetmodelohet në ndërgjegjësimin progresiv që publiku përfiton nëpërmjet dialogut me artistin. Në veprimet dhe në debate futen nivele të ndryshme, natyra, vdekja, ekonomia, me qëllim që të rikthehet uniteti i një kulture të ndarë në specializimet e saj të larmishme ashtu siç jeton shoqëria e ndarë në klasa.

CILAT JANË DISA NGA EXPOZITAT MË TË RËNDËSISHME QË KENI BËRËE GJATË GJITHË KARIERËS SUAJ?

Çdo ekspozitë e ka rëndësinë e vet, do të veçoja ato ekspozita të cilat nuk kemi mundur t’i realizojmë. Ku në një të ardhme të afërt besojmë dhe shpresojmë që do t’i realizojmë, gjithmonë duke u bazuar në eksperiencë dhe në kreativitet. Jam evidentuar në shumë fusha të arteve kontemporane, siç përmenda edhe më lart, kam qenë kurator i disa ekspozitave konceptuale, skenograf në disa filma profesional, pjesemarrës nëshumë ekspozita kolektive në vend dhe jasht vendit. Arti që preferoj është arti profesional kontemporan. Në shumë vepra, materialet po fitojnë një intensitet të ri, po shpërbehen në pika të reja ndjesore referimi ku: “Arti kërkon sytë, intelektin, dëshirat, por ai është gjithnjë i lidhur me trupin”. Për natyrë arti është subversiv, ai vë në pikëpyetje realitete të konsoliduara shqetëson tradita të rrënjosura dhe kështu krijon rregulla te reja gjuhësore, njëkohësisht artistike dhe shoqërore.

CFARE KENI NE PLAN PER TE ARDHMEN, ME Ç’FARË PROJEKTI JENI DUKE U MARË AKTUALISHT?

Prezantimi i artit shqiptarë në arenën ndërkombëtare është prioritet për të ardhmen tonë artistike. Personalisht pas fitores time në Konkursin Kombëtar për logon e “100 Vjet Pavarësi” si dhe shumë shpërblimeve e sukseseve të mia, aktualisht jam në parapërgaditje të një ekspozite në maj të këtij viti si pjesmarrës në Budapest, përgaditja e disa dizajnimeve si: libra, monografi pllakata etj, si dhe skenografi Teatri dhe filmi, janë shumë projekte profesionale të cilat mendoj se ia vlen për një të ardhme të afërt. Jemi në përgatitje edhe të Festivalit të 5-të Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2013” këtu jam menaxher artistik.Është një rrugë e gjatë e cila na premton origjinalitet dhe risi pambarim.

SI MENDONI PER RRETHIN E ARTISTEVE NË PRISHTINË, CILËT JANË AKTUALISHT DISA NGA ARTISTËT ME NJOHUR TË KOSOVËS, DHE ME CILIN PREJ TYRE KENI PUNUAR NË PROJEKTE TE PERBASHKETA?

Ne kemi mjaft artistë të mirë të cilët kanë reflektuar bindshëm në arenën ndërkombëtare e sidomos nga gjeneratat e reja ku edhe jetojnë jasht vendit. Bashkëpunim të mirë kam pasur edhe me shumë artistë ndërkombëtar, si kurator kam organizuar ekspozita të përbashkta ndërkombëtare edhe në Kosovë. nRaporti dhe komunikimi rreth artistve të huaj është më profesional dhe me i frytshëm se sa me ato vendor për arsye se arti vendor vlerësohet në mënyrë shumë profesionale nga kritika ndërkombëtare. Sipas mendimit tim problemi qëndron këtu se tek ne nuk ka kritikë të mirëfilltë të artit në përgjithësi dhe nuk ka bashkëpunim ndërmjet vetë artistëve. Janë të paktë ata artistë të cilët kanëraporte të mira me artistë vendor. Mendoj që edhe tek ne tani është bërë një zgjidhje, dhe jemi tëbindur se arti nuk është një çështje shijeje të përgjithshme, por një çështje zgjidhjeje personale. Zgjidhja kërkon kurajo dhe vendosmëri, ndërsa shija mbetet përherë e papërcaktuar dhe e pavendosur. Arti që flet në këtë nivel është një instrument që ndërgjegjëson për bashkëshoqërimet historike, që bën të ngjasin plot gjera, që ngre emocione që kërkojnë vlerësim, arti i cili nuk i drejtohet ndërgjegjes së transfiguruar metafizike, por jeton në kushtet e ekzistencës tokësore dhe prandaj na provokon që t’i shohim gjërat në një mënyre të re.

Ju faleminderit për intervistën!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Peter Tase, Zebi Bllazhi

“HORIZONT I QARTË DHE SHANSE TË MËDHA PËR REALIZIMIN E ËNDRRËS AMERIKANE”

January 19, 2013 by dgreca

Intervistë e Baki Ymeri me Peter M. Tase (Milwaukee, USA)/

 Pyetje: Z. Tase, diçka rreth familjes suaj: ku keni lindur dhe sa vjeç ishit në atë kohë kur emigruat për në SHBA?/

 Peter Tase: Kam lindur në qytetin e Beratit, në Tetor të vitit 1982 dhe disa vite të fëmijërisë i kam kaluar në lagjen Mangalem, në njërën prej shtëpive buzë rrugës së kalldrëmtë që të çon për në Kalanë e qytetit. Gjithë periudhën e tranzicionit e kam përjetuar si nxënës në shkollën 8-vjeçare “22-Tetori” dhe më pas si student  në Shkollën e Mesme të Përgjithshme  “Bab Dud Karbunara” deri sa në vjeshtën e vitit 2000, së bashku me prindërit dhe vëllanë më të vogël, u larguam për në SHBA duke u vendosur në qytetin e bukur   Milwaukee  të shtetit Wisconsin,  ku jetojmë edhe sot. U larguam nga Shqipëria me kujtimet e hidhura që na lanë ngjarjet e  tmerrshme të vitit 1997, të cilat unë, edhe pse në moshë  ende 15 vjeçare, i përjetova  nga afër. Në atë kohë ne jetonim në Lagjen “30-Vjetori” dhe nëna ime ishte mjeke e kësaj lagjeje. Natyrisht, ishte mjaft e njohur dhe e familjarizuar me banorët e lagjes aq sa mua, që isha edhe më i rrituri, më thërrisnin “djali i doktoresha Ludit”.

I kujtojmë ato skena, kur para vilës sonë dy-katshe, ndalonte autokolona e benzave  mbuluar nga pluhuri i rrugës shkaktuar nga rrotat që frenonin, prej nga dilnin gjithë ata djem të rinj dhe plot energji,  me “kallashnikovë” nëpër duar,  që vinin për të kërkuar asistencë mjekësore për ndonjë shokun e tyre të plagosur gjatë ndeshjes mes bandave, dhe më vjen çudi se si arrita të mësohesha dhe të miqësohesha me ta. Shpesh, ndonjëri prej tyre ngacmonte vëllanë e vogël, duke i thënë se “kemi ardhur për të marrë mamin!”.  Ndersa Aldo, në atë kohë vetëm 10 vjeç,  qante dhe i shante para e mbrapa…Këto skena dhe të tjera si ajo kur, bashkë me mësuesin e fizkulturës së shkollës 22-Tetori,  hymë në Shtëpinë e Pionierit të përfshirë nga flaka dhe tymi, për të  shpëtuar instrumentat muzikorë, ndërsa zjarrfiksja në buzë të rrugës  ende vazhdonte të digjej, apo kur luaja me sintetizator në klubin Bar Rati ku mblidheshin “heronjtë” e 1997-ës,  më vijnë ndërmend si pamje të ndonjë filmi të parë në femijërinë e hershme ndërsa vetja si një personazh i filmave “western”.

Por një gjë nuk mund ta harroj kurrë: shpërfytyrimi që i ishte bërë në vitet e tranzicionit imazhit të shkollës që mbante emrin e mësuesit patriot Bab Dud Karbunara, dikur e mesme pedagogjike dhe më pas e mesme e përgjithshme ku unë kalova tre vitet e fundit të jetës time në Shqipëri dhe ku babai im ishte diplomuar si mësues dhe më pas kishte qënë mësimdhënës  në të njëjtin këshill pedagogjik  me mësues të njohur si:  Avenir Aleksi, Luçi Nushi, Elsa Vakëflliu, Ksenofon Ilia, Andon Sinjari, Asllan Sula e të tjerë më të rinj, bashkëmoshatarë të tij, të cilët arrita t’i njoh si kolegë të afërt të tim ati, por tepër von për të patur edhe fatin t’i kisha mësuesit e mij! Viti im i fundit në këtë shkollë, pikërisht,  kur përgatiteshim për të marrë rugën e Amerikës,  ishte me të vërtetë një “nightmare” dhe që nuk dua ta sjell kurrë ndër mend  dhe jo më të flas për të!

 

B. Y.: Pasi u vendosët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i keni mbaruar studimet?

 

P. T.: Ishte 22 Shtator i vitit 2000, kur shkelëm për herë të parë në tokën Amerikane. Nuk është e lehtë të integroheshe menjëherë në jetën Amerikane, por neve na u bë mbështetje një person mjaft i afërt  i familjes dhe që i përkiste brezit të parë të lindur në Amerikë. Unë dhe vëllai im ishim të vetmit studentë  emigrantë  dhe të parët shqipfolës në historinë e “Middle” dhe “High school” të Whitefish Bay-it në Milwaukee, më e mira në shtetin e Wisconsin-it. E përfundova shkollën e mesme në Qershor të vitit 2001 dhe në vjeshtë u pranova në Universitetin  ‘Wisconsin’ në Milwaukee (UWM), ku mbarova studimet për Shkenca Politike dhe Literaturë Italiane. Në pranverën e vitit 2006, u pranova në Qendrën për qeverisje “Les Aspin” në Washington, D.C., ku, për gjashtë muaj, në të njëjtën kohë me studimet e programuara nga Qendra, punova në zyrën e Rep. Richard Pombo (CA-11), anëtar i Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan. Gjatë qendrimit tim në Kongres, m’u krijua mundësia të kem kontakte me personelin e Ambasadës Shqiptare në Washington DC duke i shërbyer politikës shqiptare në realizimin e mjaft takimeve të rëndësishëm  me anëtarë të Senatit dhe anëtarë të Dhomës së Ulët në Kongresin Amerikan.

Mund të përmend me këtë rast realizimin e takimit të Kryetares së Kuvëndit të Republikës së Shqipërisë me Kryetarin e 59-të të Dhomës së Ulët, Dennis Hastert, gjatë vizitës së saj zyrtare, tre ditore, në muajin Mars të vitit 2006. Por mbresa të pashlyeshme më kanë lënë takimet midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Besnik Mustafaj dhe disa figurave të shquara të politikës Amerikane, ku unë isha i pranishëm në rolin e përkthyesit, në muajin Shkurt të po atij viti. I tillë ishte takimi që organizova me Rep. Dana Rohrabacher, anëtar tjetër i Kongresit Amerikan dhe ish-autori i fjalimeve të Presidentit Regan në vitin 1983; takimi me anëtarin e Kongresit nga Dakota e Veriut, Earl Pomeroy mjaft i njohur për politikën shqiptare me fjalimet e tij në sallën kryesore të Dhomës së Ulët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por e paharruar do të mbetet për mua biseda e ngrohtë midis Z. Mustafaj dhe  ish-Ambasadorit  të SHBA-së në Vatikan, Thomas P. Melady. Pas kthimit nga shërbimi vullnetar me Korpusin e Paqes në Paraguaj, në vitin 2009,  do të takohesha përsëri me Ambasador Melady, në auditorët e Institutit të Politikave Botërore, Washington DC, ku unë fillova studimet për master’s degree. Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga takimi me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, gjurmët që kryediplomati Besnik Mustafaj kishte  lënë tek Profesor Melady, ishin mjaft  të  thella  duke e konsideruar  atë si një diplomat të standarteve Euro Atlantike dhe bashkëkohore. Me një përvojë të pasur nga puna në Kongresin Amerikan, kthehem përsëri  në Wisconsin, për të përfunduar Fakultetin dhe sapo u diplomova në Dhjetor të vitit  2006, me erdhi edhe konfirmimi i kërkesës  për  t’u bashkuar me Korpusin e Paqes dhe për të shërbyer  në  Republikën e Paraguait  për më shumë se dy vjet.

 

B. Y.: Çfarë ju shtyti që të aplikoni për të hyrë  në Korpusin e Paqes?

 

P. T.: Kjo është një temë e cila do të kërkonte shumë vëmendje  por edhe mjaft vend për t’u trajtuar. Ky është edhe projekti  i ardhshëm: të sistemoj dhe të publikoj disa qindra faqe me shënime mbi Paraguain dhe paraguajanët, me të cilët, tani, veç gjuhës indigjenase, guaranishes, më lidhin edhe kujtimet e bukura.   Dua të bëj diçka për të ndryshuar jetën e tyre, qoftë edhe të shkruaj për ta dhe t’ia bëj të njohur botës hallet e tyre.  Por nga ana tjetër ndjej edhe një detyrim moral ndaj Shtetit Amerikan, diversitetit dhe barazisë  që më dha mundësinë, mua të riut nga Shqipëria, të prezantoj në botë, krahë për krahë me moshatarët e mij amerikanë si vullnetarë të Korpusit të Paqes, vlerat e vërteta morale të atij brezi që në rolin e lidershipit do të përcjellë  në breza  madhështinë e këtij vendi të lirë dhe demokratik. Si më lindi ideja për të shërbyer në Korpusin e Paqes?

Fare natyrshëm… Familja jonë u integrua  shumë shpejt me një sistem i cili ‘madhështinë’ e  vet e ka arritur mbi bazën e modelit të përkryer të demokracisë në shoqëri, liria e të shprehurit dhe e individit, diversiteti dhe respekti ndaj ligjit.  Prinderit e mij erdhën në këtë botë të panjohur duke mbartur me vete vlerat humane të atij sistemi si dhe humanizmin profesional si mësues dhe mjek. Nuk ka se si  të jetë ndryshe…”Dardha bie nën dardhë” thotë populli. Këto motive humane unë i pashë tek Korpusi i Paqes  ku  gjeta vetveten, duke u “kthyer në origjinë” e duke përjetuar  humanizmin e vërtetë të asaj bote ku njeriu nuk vlerësohet nga paraja dhe ku “altruizmi” nuk ka hyrë ende në fondin e gjuhës guaranishte të  indigjenasve.  Shumë shpejt e ndjeva veten të barabartë mes vullnetarëve të tjerë amerikanë, që shkonin nëpër botë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre ata bëhen edhe një shëmbull për t’i treguar të riut amerikan se pjesëmarrja në ‘Peace Corps’ është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj këtij shteti që i jep mundësitë kujtdo dhe pa dallim për të çarë në jetë e për të realizuar synimet e veta. Por, mendoj, se janë edhe disa faktorë objektivë që kanë ndikuar në karakterin tim për të ndërmarrë një vendim të tillë.

Në vitin 1991, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, Shqipëria “hapi portat”. Nuk i kisha mbushur ende dhjetë vjeç dhe mbaj mend që në Berat filluan të vërshojnë “misionerët e paqes”. Vinin nga të katër anët e botës dhe i përkisnin të gjitha besimeve fetare. Nuk mungonin edhe autoritete te diplomacisë ndërkombëtare si, Perez De Kuelar apo shkrimtarë  të shquar, miq dhe dashamirës të popullit shqiptar. Këta të fundit kontaktin e parë e kishin me Bibliotekën e qytetit ku, deri në atë kohë (1991), si drejtues i emëruar nga “nomeklatura e kuqe”, edhe pse nuk kishte qënë ndonjëherë komunist, ishte babai im. I kam ende të freskëta në mendje ato çaste kur miqtë tanë të rinj që vinin nga Evropa, për ditë të tëra e gjenin tavolinën dhe krevatin shtruar. U mësuan edhe ata me ‘mikpritjen shqiptare’. Nuk i mbaj mend emrat e tyre, por na ishte bërë zakon që, më von, t’i kujtonim nëpër biseda fare natyrshëm si: italianët, ajo anglezja, Mazllemi (emër karakteristik shqiptar) nga Zvicra, ata të Bahait apo të Caritas-it etj.  Vetëm akademiku Anglez, Philip Winn, i cili e vizitonte Beratin për herë të dytë me rastin e 2400 vjetorit të lindjes, ka hyrë në historinë e familjes sime.

Kam një fotografi, kujtim, nga ai dhe një paragraf të shkëputur nga letërkëmbimi disa vjeçar me babanë tim, ku thotë: “Ç’kënaqësi sikur dashamirës të Shqipërisë të gjenin kohë dhe të bënin përpjekje për të ndryshuar mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë vend, ashtu sikurse fatmirësisht po më ndodh edhe mua…! Le të shpresojmë se djali jonë Aleksandër dhe djali juaj, Peter do të jetojnë në një Europë më të bashkuar..! Le të shpresojmë që të takohemi përsëri në Shqipëri, në kohë më të mira! Jam i bindur se ditët që do të vijnë do ta bëjnë një gjë të tillë!” (TË HUAJT PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT – Piro Tase). Ndoshta mund të ketë ndikuar edhe ‘kontakti’ im me të huajt  nga vende të ndryshme të Evropës dhe Azisë,…( të cilët kanë ardhur përgjatë shekujve në Beratin e lashtë si gjeneralë të ushtrive pushtuese, si diplomatë, misionarë politik apo edhe si shkencëtarë a visitorë)…përmes shënimeve që ata kanë lënë për përshkrimin e Beratit dhe beratasve,  gjatë punës time kërkimore për gjetjen e këtyre dokumentave nëpër fondet e disa bibliotekave të Universiteteve më në zë të Amerikës, për të ndihmuar  autorin Piro Tase në realizimin e projektit të tij të hershëm: “Të huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” http://www.lulu.com/shop/piro-tase/t%C3%AB-huajt-p%C3%ABr-shqip%C3%ABrin%C3%AB-dhe-shqiptar%C3%ABt-edicioni-2/paperback/product-6464469.html

 

B. Y.: A e keni vizituar më pas Paraguain dhe fshatin ku shërbyet si vullnetar në “Peace Corps”?

 

P. T. Kjo është mbrekullia: që edhe pas përfundimit të shërbimit vullnetar në Paraguaj, ku kam kaluar vitet më të bukurit e rinisë sime, ende vazhdojnë të më përshëndesin: “Hola, Nortamericano, Pedro”! Sapo u ktheva prej andej pas një qendrimi të shkurtër me mision nga Këshilli i Studimeve të Hemisferës Perëndimore (www.coha.org) për të cilën punoj si studjues i çeshtjeve të Amerikës së Jugut.

 

B. Y.: Cili ishte misioni juaj gjatë shërbimit në Paraguaj?

 

P. T.: Korpusi i paqes në Paraguaj ka filluar aktivitetin e vet në vitin 1967. Në kohën time  ne festuam 45 vjetorin e  këtij fillimi. Që nga hapja e aktivitetit në  Asuncion, kanë shërbyer më shumë se 3900 vullnetarë  dhe aktualisht shërbejnë  rreth 210 vullnetarë  në  pjesën më të madhe të vendit. Fuksionet kryesore të Korpusit të Paqes janë: prezantimi i kulturës së vërtetë, demokratike Amerikane  në popullsinë vendase, si dhe realizimi i projekteve në fushën e shëndetësisë, arsimit si dhe reformimi i pushtetit lokal. Vullnetarët e Korpusit të paqes prezantonin vlerat e vërteta të një të riu Amerikan, ndaj dhe përzgjedhja e kandidatëve bëhej duke kaluar gjatë një procesi  të  gjatë dhe mjaft delikat. Gjatë tre muajve të parë, kemi bërë një trajnim intensiv teknik dhe gjuhësor. Pas periudhës së trajnimit bëmë betimin zyrtar në Ambasadën e SHBA-së në Asuncion, dhe sejcili prej nesh u drejtua për në fshatin apo qytetin e vogël ku ishte caktuar nga stafi i zyrës së korpusit të paqes dhe drejtorët përkatës të projekteve të ndryshme për zhvillim në Korpusin e Paqes.

Mua më ra radha të shkoj në një zonë të thellë të Paraguait, më shumë se 440 km në Jug të Asuncionit. Kam punuar nga afër me mësuesit, infermjerët dhe fshatarët e zonës duke bërë të mundur që sejcili prej tyre të kishte ndjenjën e përgjegjësisë dhe iniciativës për realizimin e mjaft projekteve në fushën e higjenes, arsimit dhe shëndetit publik. Krahas realizimit të programit te ‘Peace Corps’  fillova të jepja edhe mesimin e gjuhës angleze në shkollën e mesme të fshatit. Paraguai është një nga dy vendet më të varfër në Amerikën Latine. 2.5 milionë shtetas jetojnë  në nivelin e varfërisë ekstreme edhe pse është vendi i parë në botë për prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme (me burime hidrike), zë vendin e dytë për  prodhimin e sojës dhe të pestin në botë për rezervat e naftës në zonen e Çako-s (Chaco-Paraguay), Paraguaj.  Ky vend mesdhetar dallohet, gjithashtu, edhe për nga rezervat e mëdha të ujit të pijshëm, që e bejnë të renditet  në vendin e dytë për burime ujore.  Me gjithë këto pasuri natyrore, Paraguai ka një sistem të amortizuar rrugësh të asfaltuara, madje mund t’ju them se Republika Orientale e Uruguait, është sa gjysma e teritorit të Paraguait dhe ka mbi dhjetë mijë  km rrugë të asfaltuara, kundrejt 4700 km rrugë të tilla në Paraguaj.

Pata fatin të jetoj në një fshat të larget të Paraguait, Teniente Sanchez, dhe të njoh nga afër jetën rurale por edhe kulturen tipike paraguajane dhe, mbi të gjitha, të mësoj  edhe gjuhën e tyre, Guarani, që është edhe njera prej dy gjuhëve zyrtare në vend.   Gjithashtu,  gjatë orëve të lira punoja me projektin e hartimit të një fjalorit simultan pesëgjuhësh, botimin e të cilit e realizova menjëherë pasi u ktheva nga shërbimi. (http://www.lulu.com/shop/peter-tase/simultaneous-dictionary-in-five-languages/paperback/product-13853847.html). Ishte një eksperiencë e mrekullueshme dhe nuk mund të gjesh fjalë për të falenderuar  këtë agjenci të qeverisë së ShBA-së, Korpusin e Paqes duke i dhënë në këtë mënyrë të rinjve Amerikanë mundësinë për të  ndezur pishtarët e demokracisë dhe të lirisë së vërtëtë edhe në skajet më të largëta të globit.   Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi vullnetarësh që sot përbëjnë më shumë se 130 mijë anëtarë që kanë shërbyer në më shumë se 134 vende të botës.

 

B. Y.: Aktualisht me se jeni duke u marrë dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

 

P. T.: Pas kthimit nga Paraguaj, fillova studimet në ‘Institutin e Politikave Botërore’ në Washington, D.C.,   për gradën Master në fushën e sigurisë kombëtare dhe Diplomaci. Njëkohesisht, kam bërë edhe një Internship në zyrën e Ambasadorit të Paraguai-t, duke forcuar, kështu, më shumë lidhjet me këtë vend. Gjatë muajit Qershor dhe Korrik të këtij viti, i dërguar nga ‘Washington Report on the Hemisphere’, si një ‘Research Fellow,’ ndërmora një vizitë të gjatë në Paraguaj,  ku dhe perjetova nga afër ndryshimet e befasishme politike që ndodhën në Asuncion dhe që tërhoqën vëmendjen e shtypit botëror si dhe atij shqiptar.  Krijova mundësinë që të bëja dy intervista me Presidentin e Paraguait, Dr. Federico Franco, para dhe pas marrjes së detyrës së Presidentit. (http://www.iwp.edu/news_publications/detail/iwp-student-interviews-paraguayan-president-federico-franco). M’u kërkua që të jap disa intervista lidhur me situatën më të fundit politike në Paraguaj, në dy gazetat më të mëdha në vend si dhe në disa radio dhe stacione televizive. (http://www.ipparaguay.com.py/2011/ip/index.php?#cuerpo).  Mora shkas për të vlerësuar kulturën demokratike të popullit paraguajan për të zgjidhur në mënyrë paqësore dhe demokratike këtë situatë delikate që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Kam vizituar edhe tre universitete në Paraguaj, ku prezantova  Fjalorin Simultan me Pesë Gjuhë dhe dhurova një sasi të konsiderueshme librash për bibliotekat e tyre.(http://www.abc.com.py/edicion-impresa/locales/ex-cuerpo-de-paz-dona-libros-a-universidades-406684.html)

Më 11 Shtator, 2012, në bashkëpunim me  UWM do të organizojmë  një forum mbi potencialet që ka Paraguaj  për investitorët e huaj, kryesisht Amerikanë, që do të zhvillohet në mjediset e këtij Universiteti  ne bashkepunimin me komunitetin e biznesit në shtetin Wisconsin.  Në këtë takim do të marrin pjesë edhe autoritete të larta që do të vijnë nga Asuncioni. Aktualisht, pas një proçesi të vështirë konkurimi me teste dhe intervista, arrita të fitoj pozicionin e ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të ‘Federatës Nderkombëtare të Shoqatave të Edukimit në Inxhinjeri’ (IFEES).( http://www.sefi.be/ifees/).  Kërkesa nga ana e Gazetës mjaftë të njohur per shqiptarët e Amerikës, ‘Telegraf’ për të dhënë këtë intervistë, përkon me ditën e parë të fillimit në këtë pozicion, i cili do të më bëjë të mundur që, në të ardhmen, t’i shërbej jo vetem politikave botërore, por në  veçanti, edhe vendit tim, si në politikë, po ashtu edhe në fushën e shkencës dhe të arsimit.

 

B. Y.: A do t’u mbetet kohë e lirë?

 

P. T.: Shpresoj se po. Fillimisht, do ta kem pak të vështirë por do të përpiqem që të ruaj bashkëpunimin me ‘COHA, ‘Spero News’, Kosova Info, ‘ACADEMICUS-International Scientific Journa’l’,  si dhe me revistën  artistike Euro-Shqiptare “KUQ E ZI” që botohet në Bruksel nga artisti dhe shkrimtari i njohur, Lek Pervizi, https://sites.google.com/site/revistakuqezi/)  po ashtu, do të vazhdoj të merrem me projektin tim në fushen e përkthimeve për të prezantuar  në botën anglishtfolëse dhe në kontinentin e Amerikës Latine, poezinë shqiptare. Ky projekt i ka fillimet me përkthimin e më shumë se dhjetë autorëve shqiptarë, ndër të cilët: krijimtaria e Ndue Ukajt, përkthyer në Anglisht dhe Spanjisht, Anton Gojçaj dhe Remzi Basha. www.petertase.com

B. Y.: Faleminderit dhe Tung!

(Intervistoi:Baki YMERI)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Baki Ymeri, Interviste, Peter Tase

Figura poliedrike që ndërlidh kulturën shqiptare me atë amerikane

January 15, 2013 by dgreca

Nga Agron Shele/

Ne Foto:Peter Tase/

Eshtë impresionues dhe befasues portreti intelektual i të riut Peter Tase, i cili me punë dhe përkushtim ka krijuar një perfomancë të shkëlqyer në të gjitha sferat e shoqërisë amerikane, duke u bërë shëmbëlltyrë e qartë e gjithë atributeve të shqiptarëve sot në botë. Falë cilësive të veçanta dhe prirjeve në rritje, figura e tij është shndërruar në potencial vlerash, ideshë dhe cilësi që me devocion të plotë i ka vënë në shërbim të kulturës dhe integritetit panshqiptar. Po kush është ky njeri?

         Peter Tase ka lindur në Qytetin e Beratit, në Tetor të vitit 1982. Në Vjeshtën e vitit 2000 vendoset familjarisht në qytetin e Milluokit (Milwaukee), shteti Wisconsin (wisconsin). Pas shkollës së mesme pranohet në Universitetin e Wisconsin – it në Milwaukee (UW-Milwaukee) ku vazhdon studimet për literaturë, gjuhë Italiane, shkenca politike dhe sociale. Diplomohet nga UW-Milwaukee ne Dhjetor, 2006. Në pranverë, 2006 ka punuar si asistent në zyrën e Antarit të dhomës së Ulët në Kongresin e SHBA, Rep. Richard Pombo (CA-11), ku është marrë me marrëdhëniet me votuesit në zonën elektorale si dhe për problemet e energjisë së renovueshme.  Më pas ka punuar si koordinator dhe asistent për shërbimet e kompanive në fushën e telekomunikacionit dhe marrëdhëniet e këtyre të fundit me pushtetin vendor në shtetin Wisconsin; duke u bërë pjesë e ekipit të ngritur për këto çështje në Dhomën e Avokatëve Whyte Hirschboeck Dudek S.C.

        Në Shkurt 2007, fillon shërbimin si Vullnetar i Korpusit të Paqes në Republikën e Paraguay-it (Amerika e Jugut), duke ushtruar funksionin e këshilltarit për politikat e Shëndetit Publik në Zonat Rurale. Gjatë kësaj periudhe ai do studionte dhe përvetësonte edhe gjuhën Guaraní. Pas shërbimit në Korpusin e Paqes (U.S. Peace Corps), në Qershor, 2009, kthehet përsëri në Milwaukee dhe i përkushtohet linguistikës, promovimit në perëndim të letërsisë dhe poezisë Shqipe, letersisë Guaraní si dhe asaj Paraguay-ane në tërësi. Në vitin 2010, boton “Fjalor Simultan me Pesë Gjuhë”, ku përfshihen 3200 fjalët më të përdorshme, të prezantuara në Pesë Gjuhë : Anglisht, Italisht, Spanjisht, Shqip dhe Guaranisht. Më pas është marrë me përkthimin e veprave të shkrimtarëve të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova si: Ndue Ukaj, Remzi Basha, Jeton Kelmendi, Anton Gojçaj, Engjëll I. Berisha. Aktualisht punon si investigues (Research Fellow) për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Punëve të Hemisferës Perëndimore (Council on Hemispheric Affairs), dhe si analist në faqen e lajmeve botërore në Internet:

http://www.speroforum.com/
Ka botuar një sërë artikujsh në faqjen elektronike të lajmeve:

http://kosova.info/
(
http://kosova.info/2011/12/presidenti-xhejms-polk-dhe-lufta-teritoriale-me-meksiken-1846-1848/)
Aktualisht ai sot vazhdon studimet për gradën Master of Arts në Institutin e Politikave Botërore, Washington, D.C., (The Institute of World Politics).
www.iwp.edu

      Një biografi e pasur që nuk ka nevojë për koment, por shpreh më së miri dhe qartë ecurinë dhe rritjen individuale të këtij poligloti, përkthyesi dhe personaliteti të ardhshëm. Figura e Peterit është shumëplanëshe, por ne do të ndalemi tek përkushtimi, dhe evokimi i vlerave shpirtërore letrare në shërbim të përnjohjes dhe njehësimit të letrave shqipe në lëmin e literaturës amerikane. Komponentët kryesorë të përkthimit: kompozicion, ruajtje mesazhi, ruajtje forme dhe përmbajtjeje janë elementët bazë që udhëheqin përkthyesin, dhe me këtë metodologji ai ka përcjellur orgjinalitet dhe autentitet të veprës shqiptare poetike. Pasioni, dashuria për kulturën dhe gjuhën amtare, prezantimi i saj në Amerikë, kanë për mision dhe qëllim publikimin dhe njohjen e vërtetë të kësaj kulture sa ornamentale po dhe kaq të lashtë, e cila fatkeqesisht zë një vend relativisht të vogël në Ansamblin e letërsisë botërore.


Autorët e përkthyer nga Peter Tase:


       Ndue Ukaj me dy vëllimet poetike : “Ithaca of the Word (“Itaka e fjalës”) dhe “Godo is Not Coming – Godo no Viene – Godo nuk vjen” (Tridhjet poezi te përkthyera ne Anglisht dhe Spanjisht), vlerësuar si libri më i mirë poetik per vitin 2010 (në zhanrin e pozisë) në Republikën e Kosovës. Gjithashtu historiani i njohur amerikan dhe specialisti i biografisë së Abraham Linkoln-it, Harold Holzer versionin në Anglisht të këtij libri e ka vlerësuar me këto fjalë: “[Ndue Ukaj’s] work is beautiful–thoughtful, touching, powerful (poezia e Ndue Ukaj është e bukur, me përmbajtje, prekëse, e fuqishme”). Poezia e Ndue Ukaj është vlerësuar gjithashtu edhe nga profesori i Hstorisë në UW-M Glen Jeansonne, Ph.D. dhe Rene Antrop-Gonzalez, Ph.D., Profesor i Asociuar në kurikulum dhe shkenca arsimore; që te dy kanë shkruar përshtypjet e tyre të cilat janë paraqitur në faqet e vëllimit poetik. Poezia e Ukajt nëpërmjet përkthyesit Tase, vjen me nota të gjalla, shprehëse, racionale dhe moderne. Simbolika e autorit është universale, përbën ngjarje në përkthimin e saj në anglisht dhe për më tepër frymon fuqishëm modelin e poezisë shqipe.

        Jeton Kelmendi me vëllimin poetik: “How to Reach Yourself (Si të shkosh tek vetvetja). Jeton Kelmendi vjen nëpërmjet përkthimit brilant të përkthyesit Tase me veçoritë dhe specifikën e veçantë që ka ky autor. Stili, beftësia, moderniteti, lojëra e fjalëve, pjekuria e lartë artistike dhe estetike, muzikaliteti i tyre dhe ndjenjësia e poezisë, prekin dhe krijojnë një atmosferë të thellë mendimi dhe hapësire. Poezitë në vëllimin “Si të shkosh tek vetvetja”, shprehin më së miri konceptin relativ rreth vetë fjalës, mendimit, nuancës dhe ndërthurjes së saj, drejtpeshimit dhe ngritjes në art; përbrenda këtij vizualiteti këto poezi vijnë sa shprehëse po kaq dhe performuese, duke përbërë risi për gjetjen dhe stilistikën edhe në gjuhën angleze.

        Anton Gojçaj si poet, shkrimtar dhe studiues me banim në Tuz të Malit te zi vjen nga përkthyesi Tase për lexuesin amerikan me gjithë patosin e tij poetik, dhe me një art të patjetërsueshëm, por të mbështetur thellë në traditën shqiptare dhe të pasuruar me elementët e poezisë më bashkohore sot në botë. Pas nje pune prej disa muajsh, Peter Tase perfundoj se perkthyeri librin me poezi te Anton Gojçaj titulluar: “Dëgjohet një violinë në suferinë” dhe e botoj ne gjuhen Angleze, ne SHBA tek shtepia botuese (online) Lulu Enterprises, Inc., me titull: “A Violin is Heard Flowing in a Torment”, Nëntor, 2012.

        Remzi Basha me vëllimin poetik: “Fire in my Hands” (Zjarr në duart e mija) Në këtë vëllim poetik ka një bosht të mirëpërcaktuar, ku spikat ndjeshëm dhe dukshëm ritmi patriotik, gjallimi i momenteve të tij historik, plaga e emigrimit dhe atdhedashuria e shfaqur nga UCK dhe forcat mbrojtëse të Kosovës. Autori Tase nëpërmjet këtij botimi ka ndikuar dukshëm në përnjohjen dhe sakrificat e popullit kosovar për flamur, pavaresi dhe liri, prezantuar në shoqërinë amerikane dhe aureolës intelektuale të saj. Vetë poezia është një lajtmotiv që i thur lavde atdheut dhe shpirtit të tij të pamposhtur, e ngre atë në piedestal dhe e pasqyron para opinionit mbarë-ndërkombëtar si një komb që është djegur dhe masakruar në shekuj dhe se meriton shumë më tepër.

         Një vend të rëndësishëm në plotësimin e potencialit të tij intelektual dhe interkulturor zë dhe studimi me baza dhe njohja e shkëlqyer e gjuhëve të huaja, perfomancë kjo që jepet me botimin “Fjalor Simultan me Pesë Gjuhë”. Shkrimtari Shqiptaro- Belg, Skënder Sherifi shkruan këto fjalë për këtë fjalor të botuar në vitin 2010: “Një Fjalor që shënon një urë afrimi e bashkëpunimi mes 5 popujve e kulturave botërore. Një mjet komunikimi i nevojshëm në mes tyre është natyrisht gjuha: se si shprehet e artikulohet në bazë të psikologjisë e historisë të këtyre popujve specifik. Projekt fantastik, ndoshta edhe surrealist pse jo …çka përbën Guaranishtja, gjuha e indianëve të Paraguajt … që mund t’i imagjinojmë nga injoranca, si figuranta në një film western-spaghetti të Sergio Leonës : ” Na ishte një herë Amerika”, porse kanë në realitet një botë e një thesar kulturor të pa imagjinueshëm me gjuhët internacionale të njohura si anglishtja e spaniollishtja. Këtu qëndron pra fisnikëria e autorit … që nuk i përjashton apo nënçmon kulturat e quajtura minoritare.”

        Kompleksiteti i figurës së Z. Tase ndihet fuqishëm dhe në anën publicitare, ku shkrimet e botuara tek faqje të ndryshme interneti me fokus në lajmet botërore përcjellin lajmin rreth problematikës dhe progresit të vendit të tij. Shkrime të tilla si: “Arsimi dhe kultura në Myzeqe – Historia Arsimdashëse e një Krahine të Shqipërisë” botuar në faqjen e informacionit http://kosova.info/ apo “Prenk Pervizi: Gjenerali i Monarkise Shqiptare” ka bërë që vëmendja e kombit të madh amerikan, por dhe e një opinioni më të gjerë të kthehet edhe drejt panoramës së pasur shqiptare në Shqipëri dhe diasporë. Z. Peter Tase, shkruan rregullisht artikuj te ndryshem te cilët janë botuar ne faqe të ndryshme informacioni në Internet, si dhe në shtete të ndryshme të botës. 

http://www.5dias.com.py; www.speronews.com; www.coha.org ; http://en.mercopress.com/;

Peter Tase është qendra dhe referimi i gjithë përpjekjes shqiptare për një vend më të përparuar, është ëndrra dhe realiteti i ri që kërkon të ndërtojë nje shoqeri te lire dhe te pasur me nje dialog multi-kulturor, është ideja dhe botkuptimi i thellë shpirtëror, është zemra e një patrioti që rreh për kombin e vet, është fuqia potenciale dhe kreativiteti i një intelektuali të plotë, është shëmbëlltyra e vlerave njerëzore që karakterizon një shqiptar të ditur sot.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Agron Shele, Peter Tase

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT