• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Libri “Para-j-sa?! i Petraq Ristos – libër thesar

February 8, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Petraq Para-J-a sacShqiptarët, të pakët në numër, duket se janë të pakët edhe si lexues të letërsisë së tyre. A nuk e dinë se nga mosleximi, një komb bëhet akoma më i vogël e më i varfër në dije, kulturë e në të gjitha? Sepse nuk mund të hidhen tej a mbulohen romane e poezi me vlera të shumta të një brezi bashkëkohorë poetësh. Një prej tyre është Petraq Risto. Poezia e tij përshkohet nga trishtimi, ndjenjë që Risto e vesh me një vello shpotitëse. Vetëm kështu e veshur ajo mund të fshihet e shtrihet thellë në zonën më të thellë të shpirtit, ku bluhet derisa bëhet pluhur e shpërthen jashtë nën presion. Me një stil të rrjedhshëm vargjesh të lira, në librin poetik “Para-j-sa?!”, Risto ndihmohet nga kjo ndjenjë herë-herë pesimiste-zhgënjimi-trishtimi për të krijuar vargje perlash të tilla për t’ia hedhur në qafë si stoli çdo njeriut jo-foshnje apo të gjithë atyre që duan të lexojnë:

“Si të bujtim në të njejtën sofër
me mbrëmjen e lodhur nga pjekja…” (Thelbi i padukshëm)

ose

“Një dorë valëvitet në ajër: flamur përshëndetjeje
Nga që s’merr përgjigje, si re në ajër tretet…)

Por veç njeriut që nuk lexon, është edhe mësuesja që vret veten kur sheh ish nxënësit që ulen thjesht për të lexuar vetëm përmbajtjen e faturave të shpenzimeve që u vijnë një herë në muaj; ky është i vetmi fryt i mësimeve të saj, çdo dije tjerër e ka humbur vlerën:

“E gjetën në rrënojat e qytetërimeve të vjetra me lulëkuqe në tëmth
Me buzëqeshje cinike në gojën e hapur ku vërtitej një bletë e hutuar….” (Mësuesja e historisë vetvritet)

“Para-j-sa?!” përmbledh poezi që Risto i ka shkruar kohë pas kohe në shumë vende të botës ku ka shkuar jo si shetitës por si qëmtues i përvojës së tyre. Ai merr atmosferën e ditës, dhe frymëzohet duke e shprehur në vargje, si këto shkruar në Tiranën e 2016s:

“I fundosur në një det sa një dhomë, me dallgë sa një pasqyrë apo sa një jastëk
Me peshkaqenë sa një mendim, sa një frikë e herëshme, sa një kërcënim..”
(I fundosur…)

“Para-j-sa?!” në rreth 300 faqe përmban edhe nje kapitull me Epitafe:

“Shumë gjëra i mësova gjatë rrugës
Dhe kur arrita në fund të saj
Rruga nisi të qaj…” (Epitaf 407)

apo…

“Jetova në një shkëmb me një skifter: herë e ushqeja, herë më ushqente
Në shkëmbin e madh gdhenda vargje paprerë, dëgjoja recitimin e erërave
U zbut skifteri, mi solli bilbilat në derë….” (Epitaf#103…)

Duket se autori Petraq Risto parasheh se kulturës (por edhe njeriut, shoqërisë) shpejt mund t’i vijë vdekja, mund të shuhet, nëse harron një nga bashkëpuntorët e tij më të mirë, më besnik, më të pashtershëm, i cili është libri që lexohet.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: "para-j-sa?, Astrit Lulushi, liber thesar, Petraq Risto

Fjala s’është e verbër

October 15, 2018 by dgreca

1 Petraq Risto

-Rreth vëllimit poetik “Piktura në fjalë” të autores amerikane Carrie Hooper-/

1 Petraqi dhe poetja.JPG

Nga Petraq Risto/

“E para ishte Fjala”, shkruhet në Dhjatën e Vjetër. “Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.”, shprehet Sigmund Frojd. “I peshon fjala”, thotë shprehja popullore për njeriun e mençur. Fjala është një organizëm i gjallë: merr frymë, dashuron, urren, lufton, guxon, lodhet, fiton, lumturohet. Fjala shikon gjithçka. Fjala s’është e verbër. Këto mendova fillimisht kur sapo mora në dorë librin poetik të Kerri Huper “Piktura në fjalë”, publikuar nga shtëpia e njohur botuese në Prishtinë, “Buzuku” (ja, si rastësisht na shfaqet dhe “Meshari” i Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe)… “Jam nga Shqipëria”, tha studenti im. Kush do të kishte menduar, tri fjalë kaq të vogla mund të kishin pasur një ndikim kaq të madh mbi një jetë?”, kujton autorja në parathënien e saj.

Jeta e Kerri Huperit më ka bërë përshtypje të veçantë. Të trondit forca e saj, energjia e brendshme që çliron, dashuria që ushqen për njerëzit në përgjithësi dhe miqtë e saj, në veçanti; sakrificat e panumërta për të arritur gjer në thelbin e synimit të saj, pasioni për të zbuluar të rejat e kësaj bote, ngulmimi për të mësuar gjuhët e huaja e për të komunikuar lirshëm në këto gjuhë. Në këtë ngulmim titanik, Kerri Huper kthehet në një shembull për t’u pasur zili. Nëpërmjet këtij ngulmimi, jo vetëm ajo, por edhe ne kuptojmë se Fjala s’është e verbër, Fjala ka shikim të thellë, sugjestionues. Fjala në librin e Kerri Huperit ka peshë të veçantë, ka ngjyresa emocionale, ka dritën e shpirtit të saj. Ajo përgjithësisht në të gjitha poezitë është e drejtpërdrejtë, e hapur, e kthjellët. Në të shtatë ciklet e këtij vëllimi, spikat shpirti i saj i lirë, dashuria për njeriun. Në dy ciklet e para Kerri është shqiptare e vërtetë, ajo këndon, gëzon, shpërthen me një temperament shqiptar, përdor thuajse gjithnjë vetën e parë: : fëmijë i Shqipërisë në shpirt dhe zemër jam”, “Flamuri ynë i çmuar”, “Sa kërcen shpirti i Arbrit kur gjuhën e paprishur dëgjon!”.

Kerri Huper ka gjetur sekretin që nëpërmjet gjuhëve të popujve të ndryshëm të arrij në zemrën e Dashurisë, në zemrën e të vërtetave të mëdha. Ajo tashmë është një misionare e Dashurisë. Poezitë në ciklet “Të vërtetat thelbësore”, “Vallja e paqes”, “Jeta: një poezi hyjnore”, “Këngë filozofike” dhe “Koncerti i natyrës” përcjellin te lexuesi gjithë dritën e shpirtit të saj dhe hera herës poezi, strofa apo vargje të veçantë, na tingëllojnë si psallme. Kjo poezi shpesh ka karakter universal; edhe kur proteston, edhe kur përcjellë dhembje autorja është e kujdesshme, nuk do të lëndojë njeri dhe shpesh vargjet kthehen në balsam. E lexon apo e dëgjon të recitohet dhe ndjehesh i qetë, mes një atmosfere paqësore, të ngrohtë dhe padashur kupton se poetesha të është kthyer në një motër. Natyrisht nuk është e lehtë të përjetosh një gjendje të tillë. Këtë e bën vetëm një krijues që çliron mirësi.

Kerri Huper ka shumë miq, anëekënd botës. Ka dhe shumë miq shqiptarë. Disa poezi të këtij vëllimi janë me përkushtim, ku autorja shpreh mirënjohje, rrespekt, adhurim. Këtë e bëjnë ata poetë që dinë ta pjesëtojnë Shpirtin dhe ta shumëzojnë Dashurinë.

Disa nga miqtë e Kerrit janë dhe miqtë apo të njohurit e mi. Rastësi e bukur! Me piktorin Dashamir Gurabardhi jam mik, njihemi që në rininë e hershme në Durrësin tonë të bukur. Tani në emigracion, ka rreth dy vjet që takohemi shpesh, pimë kafe, flasim për letërsinë dhe artin, për gëzimet dhe hallet tona. Ai më ka folur dhe për babain e tij, atë orëndreqësin mjeshtër që Kerri i kushton poezinë e ngrohtë “Orëndreqësi”.

Po në Durrës kam njohur Mira Krujën e vogël, e bija e Pertef Krujës, atëherë drejtor i bibliotekës së Durrësit, një intelektual i kompletuar, me kulturë të gjerë, një burrë fisnik. Para disa vitesh shtëpia ime botuese “Globus R.” nën kujdesin e familjes së Pertefit, botoi romanin e tij “Brezi krahëthyer”. Janë të shumta përkthimet e babait të Mirës, mjaftojmë të kujtojmë “Ditari i Ana Frankut”, “Kryqi i shtatë” i Ana Zegers, apo baladat e famshme të Gëtes, ku spikat poezia “Mbreti i Tulës” dhe shqipërimi i Pertef Krujës më ka pëlqyer po kaq shumë sa dhe përkthimi i Mjedës. Në poezinë “Artiste e bekuar” kushtuar pianistes shqiptare Mira Kruja, Kerri shkruan:

Me ngjyrat e tingujve të pianos

Që nga duart e tua engjëllore burojnë

Ti çdo ndjenjë pikturon: trishtimin, gëzimin, pasionin, dashurinë…

Te poezia “Për Isuf Luzajn”, poetesha ngre lart figurën e këtij personaliteti të madh të letrave shqipe, duke e quajtur “Tempull i dijes”, apo “korife i atdhetarizmit për çlirimin e shqiponjave të robëruara”.

Më poshtë vazhdon me një metaforë të goditur:

“Mirëpo nga rrushi i fatkeqsive një verë të ëmbël prodhove

Duke ndriçuar universitetet amerikane me zgjuarsinë tënde”

Me të birin e Isuf Luzajt, poetin Dalan Luzaj, jam mik në facebook. Natyrisht Isuf Luzajn e kam njohur nëpërmjet krijimtarisë së tij: një intelektual i klasit të parë, të cilit i takon një vend i nderuar në panteonin e letrave shqipe. Me mikun tim, poetin e njohur dhe redaktorin sqimatar Xhevat Beqaraj, me të cilin punonim çdo ditë në sallën e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, ku ai merrej intensivisht me përgatitjen për botim të shumë librave të Isufit nga shtëpia e njohur botuese “Ombra GVG”, kemi folur shpesh rreth kësaj figure të madhe, krijimtarinë voluminoze të të cilit Xhevati e njihte shumë mirë dhe e quante “një krijues me shpërthim vullkanik”.

Kam njohur dhe disa nga të afërmit e Simon Dedvukajt, që u vra nga sulmi terrorist i 11 shtatorit, të cilit Kerri Huper i kushton poezinë e ndjerë “Malësori krenar”

Shpirt i tronditur nga të gjitha pse-të, pa asnjë përgjigje logjike…

Thelbin tënd as tmerri më i egër nuk e vrau dot.

Kështu mund të ndalesha dhe te poezitë e tjera që i kushtohen Nënë Terezës, Merita McCormak, kamarieres Njomza, familjes shqiptare në Kanada, etj. dhe për të gjithë, ajo shprehet thjeshtë, me respekt e mirënjohje, pa zbukurime të tepruara. Sepse poetesha Huper e njeh thelbin e shpirtit njerëzor, i njeh plagët dhe di që fjalën e saj poetike ta kthejë në melhem për këto plagë. Në shtatëdhjetë poezitë e këtij vëllimi buron mirësi, sinqeritet, dritë dhe ngjyra. Fjala e Kerri Huper sheh shumë qartë.

E falenderoj Kerrin për punën e saj titanike për të ngjitur këto shkallë të vështira! Falenderoj botuesin Abdullah Zeneli për këtë libër të veçantë dhe cilësor edhe nga ana tipografike! Falenderoj zotin Adnan Mehmeti që ka bërë një punë tepër serioze në përgatitjen e këtij vëllimi!

Së fundmi, e uroj dhe e falenderoj autoren edhe në emër të vajzës time të madhe, Sidorelës, e cila ashtu si ajo, është poete dhe pianiste dhe shpresoj që shumë shpejt ju të dy të takoheni si dy intelektuale, si dy shoqe, si dy motra.

Nju Xhersi, 14 tetor, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: carrie hooper, Fjala s’është e verbër, Petraq Risto

Gjergj Kastrioti ose busullat u shpikën pas Yllit Polar -“Kryqtari i fundit” i Virgjil Kules

March 23, 2014 by dgreca

Nga Petraq Risto/New York/

Gjergj Kastrioti Skënderbeu i Virgjil Kules është tepër real dhe i prekshëm: burrë shteti, luftëtar, diplomat, i mençur, largpamës, dinak, stresant, i kthjellët, nuhatës, tinzar dhe mbase me shumë epitete të tjera të përshtatshme e të natyrshme për bashkëkohësinë. Ishte një kohë kur ai u kthye në simbol dhe falë këtij simboli populli ynë u frymëzua dhe arriti të mbijetoi… Edhe sikur Skënderbeu të ishte shpikur nga ndonjë shkrimtar anonim, për ne do të kishte vlerë të jashtëzakonshme, por kur ai është i vërtetë dhe tepër ndikues në historinë shqiptare, ballkanike dhe europiane, vlerat e Kryqtarit të Fundit e kapërcejnë forcën e simbolit. Busullat u shpikën pas Yllit Polar.

Në librin e Virgjil Kules, me një strukturë kronologjike, të krijohet ideja e një skele të madhe ngritur nga skulptori, brenda së cilës qëndron dhe blloku gjigant i mermerit nga ku gradualisht, daltë pas dalte, goditje pas goditjeje do të hiqet lëvozhga e mitit e do të zbulohet figura reale e një personaliteti historik,  që diti ta përballojë historinë me mjetet dhe ligjet e kohës. Marrëdhëniet e tij me Papën, Venedikun, Napolin, Portën e Lartë, Romën, Huniadin, Raguzën, Milanin, natyrisht edhe me  fqinjët; betejat e tij, fitoret dhe humbjet, “rrëshqitjet” politike e diplomatike, sherret dhe flirtet me fqinjët, rëniet dhe ngritjet, aleancat dhe krushqitë, e bëjnë atë tepër njerëzor dhe të vërtetë.

Autori i këtij libri është një hulumtues serioz, ai arrin të analizojë faktet historike nëpërmjet prerjeve vertikale dhe horizontale, së brendshmi dhe së jashtmi, pa rënë në përshkrim emocional, poetik e patetik, që siç shprehet ai mund të gjenden të përshkruara mrekullisht në vepra të tjera si te Barleti, Dhimitër Frangu, Noli,  etj. Virgjil Kule na krijon një mit duke hequr lëvozhgën e mitit, thënë më drejtpërdrejtë: krijon figurën e Gjergj Kastriotit jo duke patur parasysh modelin e Barletit për heroin etj., jo duke patur parasysh veprat e shumta letrare, muzikore, artistike, etj., por modelin e ftohtë të dokumenteve historike, të analeve, traktateve, letërkëmbimeve, etj. Skënderbeu ishte udhëheqës vizionar, burrë shteti, diplomat dhe ushtarak. Ai si njohës në thelb i synimeve të Perandorisë Osmane, nuk ishte një “i ngujuar në kështjellë”, por politikan e strateg tepër i lëvizshëm, manovrues e përfitues i situatave europiane, veçanërisht i marrëdhënieve me vendet italike; Gjergj Kastrioti ishte një njohës i mirë i situatës së brendshme, ai e dinte që Porta e Lartë do ta luftonte me një mijë mënyra, me armë dhe presion, me gjeneralë dhe tradhtarë, të huaj apo të brendshëm dhe si rrjedhojë Heroi do të dinte të orientohej, të reagonte, në shumicën e herëve të fitonte e natyrisht edhe të gabonte e të humbëte. Autori i përshkruan qartë marrëdhëniet e brendshme të Gjergj Kastriotit me të vetët si Muzakë Topinë, Moisi Golemin, Aranitin, Hamza Kastriotin, etj., marrëdhënie këto tepër komplekse të lidhura me baticë-zbaticat e kohës në një vend të vogël si Shqipëria, një nyje e rëndësishme midis Lindjes dhe Perëndimit, ku mplekseshin interesa të shumta të fuqive të mëdha në shekullin e XV.  Personaliteti i Kastriotit në Ballkan, veçanërisht pas vdekjes së Huniadit, merr një përmasë tjetër, përmasë që dalta e skulptorit e jep me “goditje” të sigurta duke na dhënë një Kastriot me autoritar në rrafsh ndërkombëtar e natyrisht edhe në marrëdhënie me princërit arbër, të cilët jo rrallë herë kishin një frikë se me absolutizmin e vet “atleti i krishtërimit” do “ti gëlltiste” principatat e tyre. Gjergj Kastrioti ishte një figurë komplekse, i kthjellët në qëllimet e tij, bashkëveprues, gjë që autori Virgjil Kule e jep me ngjyra të gjalla dokumentare duke iu referuar bashkëkohësve të heroit dhe duke bërë deduksionet e duhura në arritjen e përfundimeve të tij.

Libri “Kryqtari i fundit” i Virgjil Kules është një kontribut me vlerë për pasqyrimin e figurës së Heroit tonë Kombëtar, për të cilin në kohën e sotme disa përpiqen të hedhin një baltë të vjetër apo të re, por balta nuk mund të përlyej një simbol të madh gdhendur në mermerin e kohës. Balta nuk ngjit në mermer. Busulla u shpik duke patur parasysh Yllin Polar dhe në shekullin XV Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte një Yll Polar: zot i busullave, për të cilën Europa Perëndimore i ishte dhe i mbeti  mirënjohës.( Ne Foto: Nga promovimi i librit te Virgjil Kules te Shtunen me 22 Mars 2014 organizuar ne Prdouces Club, Manhattan, NY)

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet, Kulture Tagged With: Gjergj Kastrioti, i Virgjil Kules, Petraq Risto

DASHURIA,ËSHTË MBIEMRI I CDO LETËRSIE

December 18, 2012 by dgreca

(Intervistë e poetit Petraq Risto dhënë gazetares Raimonda Moisiu)/

 “Një autor i mirë nuk mund “ta lëshojë veten” në duart e mediokritetit dhe të shkruaj “me porosi nga poshtë” vepra të natyrës rozë, të lehta, pa gravitacion, të cilat në njëfarë mënyre mund të përtypen lehtë, madje dhe mund të shiten, por që nuk kanë vlera gjithëpërfshirëse, konkurruese, elitare…”/

  -Përshëndetje z.Risto. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë vëllimet tuaja  me poezi “Mollë zhvirgjëruar nga rrufetë ”, “Lojë shahu në shekullin e XXI”, “Ëngjëlli me virus H5N1”, “Hallelulja”, “Apo-ka-lypsi”, “Mënd+afsh”(100 poezi dashurie dhe epicëllimi),“Lexuesi i buzëve: Ar+sy+eja”, “Miq të dyshimit”, etj. Sinqerisht, ngazëllehesh nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës suaj poetike. Cila ka qënë eksperienca juaj e parë në gjininë e poezisë?

 -Kam shkruar që në moshë të njomë, mbase 9 vjeç. Disa krijime naive të asaj moshe ende i ruaj. Po natyrisht hapat e parë seriozë duken në adoleshencë, në shkollën e mesme, në vitet studentore.

Në fëmijëri mbaj mend se u futa në kurse fizarmonike, në grupe shahistike, madje dhe në skuadra futbolli, por përfundova në grupime letrare dhe në bibliotekën e qytetit tim të lindjes, Durrësit. Mbaj mend profesorin e parë të letërsisë në shtëpinë e pionierit, Mark Dema, i cili kishte përkthyer “Eneidën” e Virgjilit dhe, herë pas here, megjithëse ende të vegjël, na lexonte fragmente nga përkthimi i tij. Pastaj mësuesit e letërsisë luajnë një rol të rëndësishëm për formimin e një talenti të ri. Diktere Mustafaraj, Dhurata Agaraj në tetëvjeçare e më vonë Shezai Ballhysa, Matish Gjeluci, Lazam Koldashi, Ana Kovaçi, Dhimitër Nina e të tjerë në shkollën e mesme “Naim Frashëri”, na e bënin më të dashur letërsinë. Gazeta “Adriatiku” ishte një nga dritaret e para ku ne publikonim krijimet tona dhe Shaban Hidri, Thoma Qendro, Haxhi Shima, Hasan Ulqini, Isidor Dhimitriadhi dhe, veçanërisht, gazetarja Kozeta Mamaqi, na prisnin me dashuri dhe më kanë ndihmuar shumë, mua, por edhe shokët e mi Ilia Deden, Bashkim Hoxhën e të tjerë të talentuar durrsakë. Shpesh në pushimin e orarit zyrtar më mbyllnin në redaksi dhe më linin të shtypja në makinë shkrimi poezitë e reja…

 -Çfarë mendoni se ju ka bërë poet: geni, shkolla apo rastësia?

 – Mendoj se talenti lind, nuk fabrikohet e natyrisht as nuk klonohet. Teoria se duhet të kesh 1  përqind talent dhe 99 përqind punë, nuk më duket e saktë. Natyrisht për një talent kanë rëndësi të gjitha komponentët dhe kultura, vullenti etj. Por ato gjithnjë janë sekondare. Në këtë shekull të informacionit me të vërteta të reja, secili nga ne mund të ketë më shumë kulturë se bie fjala Shekspiri, por është e pamundur të krijosh “Makbeth”, “Hamlet” apo “Mbreti Lir”… Ndaj dhe kritika botërore thuajse është në një mendje se talenti më i madh, i pakapërcyer, i pavjetëruar, gjithnjë i freskët dhe pikë referimi, mbetet gjeniu Shekspir.

 -A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur shkruani një poezi të bukur?

 -Natyrisht, kur shkruan një poezi origjinale, me vlera, gëzimi është i veçantë…Poezitë e bukura nuk janë shumë, flas për poezitë me vlera antologjike dhe konkurruese.

 -Kur shkruani, cili është vendi më i preferuar, në studio, në natyrë, apo krejt rastësisht, edhe duke pirë kafe diku?

 -Krijoj kudo, madje duke ecur me lindin motive dhe vargje. Por jam mësuar të ulem dhe të shkruaj në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në shtëpi, në libraritë dhe parqet e Nju Jorkut… Flas për poezinë… Kurse proza kërkon të ngulmohesh në tryezë, do vullnet të hekurt. Unë shkruaj kryesisht drejt e në lap-top, jam mësuar që në rininë e hershme, apo kur isha gazetar që të punoja drejt e në makinën e shkrimit. Dhe kjo më ka ndihmuar shumë.

 -Ç’është dashuria për ju” Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar dhe cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në poezinë tuaj? Si ia arrini ta reflektoni dashurinë në poezi?

 –Dashuria është mbiemri i çdo letërsie. Një poet shkruan për dashurinë e tij, shkruan dhe për dashuritë e realizuara, por edhe ato që kanë mbetur thjesht si bisqe zhgënjimi, shkruan dhe për dashuritë e të tjerëve, për fatet njerëzore. Pra, në njëfarë mënyre, poeti është një Fluger në Çatinë e kuqe të Dashurisë: u përgjigjet të gjitha erërave.

 -Poezia është dhe inteligjencë?

 -Natyrisht që është dhe inteligjencë. Bota ka me miliona poetë, ka mijëra poetë shumë të mirë dhe qindra apo dhjetra poetë të mëdhenj… Dallimin mes tyre e bën dhe këndvështrimi original, dhe ndjeshmëria e hollë, dhe thellësia e mendimit, pra, edhe shkalla e shkëlqimit të inteligjiencës vetiake…Dhe kjo është pjesë përbërëse e talentit.

 -Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi-protestë me ton qytetar e intelektual?

 – Poeti është një qytetar i botës, është një sy në ballin e botës dhe një zemër në gjoksin e botës. Poeti nuk mund të shoh luftërat, mjerimin, padrejtësitë duke qenë i qetë në studion e tij… Poeti është natyrë rebele, poeti i përjeton tragjeditë e të tjerëve si të tijat… Poeti gjithnjë është protestues, natyrisht me gjuhën poetike…

 -Ju përveçse poet, jeni edhe tregimtar e romancier. A i shihni këto zhanre si sfidë? Cila është sfida për të shkruar një tregim apo roman? Zhanrin e tregimit dhe romanit e “bëtë të vinte te ju”, apo është preferencë e përhershme, e natyrshme?

 – Prozën e kam shkruar që në moshë të re… Ngaqë studiova për Gazetari dhe punova dhjetë vjet si gazetar, natyrisht që krahas poezisë u zhdërvjelltësova dhe në prozë me përshkrimet, skicat, reportazhet. Lëvizja në të gjithë krahinat e vendit, njohja e realiteteve dhe fateve njerëzore të nxit që të shkruash edhe prozë. Kështu, në fund ë viteve ’80, botova librin me tregime “Vdekja e palaços”dhe më vonë librin po me tregime “Ndalohet vrasja e ujqërve”.

 -Kur ju shkruat romanet  “Avioni ‘Madam Baterflaj’ , “Bukuroshja fantazmë dhe unë Zoti Prek Vdek”, dhe tani sëfundmi “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, të vlerësuar nga kritika e kohës, i keni quajtur këto sfida vetjake krahas poezisë? Çfarë i dallon subjektet tuaja nga ato të autorëve të tjerë? 

 – Përvoja me romanet është e një natyre specifike. Gjetjet e romaneve unë i qëmtoj në një truall poeti, ngaqë vazhdimisht kam parapëlqyer subjektet surealiste, apo shkollën e realizmit magjik. Jam shprehur dhe herë tjetër se trevat e Ballkanit me historitë e tyre i shpallin thuajse të gatshme subjektet e jashtëzakonshme, të çuditshme dhe magjike, natyrisht, subjekte që brenda tyre kanë edhe klithmën e realizmit njerëzor. 

 -Si shkoni në lidhje me akumulimin dhe informacionin e nevojshëm, që ‘ju udhëzon’  për ta nxjerrë sa më mirë një roman apo tregim? Teksa iu hedh sytë, të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substanca humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis modernes,  artit dhe filozofisë?

 -Gjinia e romanit dihet që është shumë e vështirë, kërkon kohë, mundim, vullnet, informacion. Romanet i shkruaj me vrull poezie, madje, ndonjëherë, edhe me frymëzim poeti. Këtu duhet patur kujdes që poezia të mos jetë zonjë shtëpie, por mysafire… Mbledhja e informacionit ka shumë rëndësi për romanin, por nuk hyj tek ata shkrimtarë që qëmtojnë për një kohë të gjatë, i jap më shumë rëndësi lojës me fantazi. Kur shkruaj një roman i jap rëndësi nisjes dhe di vendin ku do shkoj, por rrugët  e zgjedhura për të arritur atje, nuk i përcaktoj hollësisht, madje nisem pa porositur hotel, apo taksi, dhe pa përcaktuar stacionet ku do ndalem; dinamika dhe shpirti i aventurës më pëlqen të shkrihen në një roman.

 -A mendoni se OLD TIMES  rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërinë, krahasuar me audiencën e viteve ’70-‘80?

 -Natyrisht që çdo kohë ka dhe specifikën e vet, modën e vet… por autori serioz më shumë sesa kapriçiove të kohës, duhet t’i bindet shijeve të veta… Një autor i mirë nuk mund “ta lëshojë veten” në duart e mediokritetit dhe të shkruajë “me porosi nga poshtë” vepra të natyrës rozë, të lehta, pa gravitacion, të cilat në njëfarë mënyre mund të përtypen lehtë, madje edhe mund të shiten, por që nuk kanë vlera gjithëpërfshirëse, konkurruese, elitare…

 -Të gjithë krijimtarinë tuaj të deritanishme, me rreth tridhjetë libra të botuar brenda dhe jashtë vendit, të cilën e keni përfshirë në kolanën “Enciklopedia e zhgënjimit”, a mendoni se ky zhgënjim kozmik është realist në vitet e para të këtij fillimshekulli?

 -Përgjithësisht raca njerëzore në historinë e saj është zhgënjyer; të vdekurit dhe të zhgënjyerit gjithnjë kanë qenë shumica. Edhe në ditët e sotme ndodh kështu. Rënia e një sistemi, përpjekjet e një sistemi të mbetur për të mos rënë, patericat ekonomike, politike, diplomatike, nuk arrijnë të futen nën sqetullat e shumicës, apo 99 përqindshit njerëzor. Imagjinoni një rrugë gjigante ku shtatë miliard njerëz ecin jo me këmbë, po me paterica!… Natyrisht, që është e vështirë të krijosh një Enciklopedi të tillë, por letërsia, shpesh dhe natyrisht me dashje, konceptohet si utopi, apo si ëndërr…

 -Ka kohë që ju shkoni dhe vini në ShBA, madje një pjesë të kohës vjetore e kaloni në Nju Jork. Si po ju duket Kontineti i Ri, a mund ta gjeni të plotësuar veten si shkrimtar?

-Natyrisht ka shumë probleme. Kur hyri Demokracia në fillim të viteve ’90 dhe me miqtë e mi shkonim të protestonim në Qytetin Studenti, mbaj mend që i thosha vetes: “Je 39 vjeç… e ardhmja është përpara”. Dhe, ç’është e vërteta, gjatë këtyre 20 vjetëve kam shkruar shumë, sepse fitova atë Liri që më mungonte. Kam botuar shumë libra, jam botuar në Francë më 2009, në Meksikë (2008),  në Rumani (2008) dhe në ShBA (2011) me një libër elektronik të sistemit Kindle, shpërndarë nga amazon.com. Jam botuar në revista e gazeta letrare europiane dhe amerikane, apo në antologji të ndryshme… Këto janë arritje që dikur nuk mund t’i mendoje, vetëm që janë arritje individuale, me përpjekje individuale. Ime bijë, Sidorela, më ka kthyer në anglisht romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut” dhe nga viti i ardhshëm do synoj botimin e kësaj vepre në ShBA.

 -Shpresoni? …Po vëllim poetik do synoni të botoni në ShBA?

 – Natyrisht, shpresoj. Kuptohet, që edhe në letërsi ka rëndësi Fati, sepse jo vetëm që vijmë nga një vend i vogël dhe nga  një gjuhë e vogël, por vijmë dhe pa rekomandime të rëndësishme. Po kuptoj që në Amerikë  është vështirë të çash me poezinë metaforike, atje poezinë aktualisht po e kërkojnë më shumë të natyrës anekdodike, të zhveshur nga metaforat. Mungojnë poetë të formatit të Whitman-it, Auden-it, Eliot-it, Pound-it, Stivens-it, Dylan Thomas-it etj.Para disa kohësh revista prestigjioze letrare  amerikane “Lips:” ( Buzët”), ku përfshihen poetët më të mirë profesionistë, botoi poezi të miat dhe të sime bije, Sidorelës; revista elektronike ‘Muse pre pres’, gjithashtu më publikoi një cikël me rreth 20 poezi; apo revista “Cuthord” më veçoi në një konkurs të shtetit të Kolorados…, por këto janë ende pak për një autor që kërkon shumë nga vetja, por edhe nga institucionet letrare në ShBA. Mbase pas 4-5vjetësh, kur të bëhem edhe qytetar amerikan, mund të më hapen më shumë drita jeshile… Rëndësi ka që të kem shëndet dhe të vazhdoj të jem aktiv… Nëse arrij të përfundoj disa nga subjektet e mia në romane, mbase mundësitë do të jenë më të mëdha. Shpresa vdes e parafundit, sepse i fundit vdes njeriu që shpreson. Dhe autorët janë ata që shpresojnë edhe në pikën e fundit të dritës.

 -Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?

 -Pyetja “pse shkruani?”, është e ngjashme me pyetjen “pse dashuroni?”. Unë punoj çdo ditë për letërsinë, punoj në çdo kohë, mbase edhe kur fle. Punoj shumë kur eci, madje, edhe kur diskutoj. Ndizem nga diskutimet, kam dëshirë të kundërshtoj, madje, shpesh ‘rryma kundër’ më sjell në qejf si salmonin… Ende s’e kam menduar si mund të shuhet zjarri brenda meje, mbase duke u rrëzuar mbi të…

 -Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?

 -Unë kam një natyrë tepër shoqërore, më pëlqen humori, nuk jam cinik, por ‘di të luaj’, i dua të talentuarit, por nuk i urrej të patalentuarit kur ata nuk janë të rrezikshëm, por, natyrisht, kur kthehen në të rrezikshëm, kur kujtojnë se duhet të blejnë ca spaleta kolonelësh dhe gjeneralësh në uniformat që shiten anës udhëve me pluhur, atëherë revoltohem, bërtas, por jo aq sa të më marrin për të marrë. Mediokriteti letrar duke qenë gjithnjë shumicë, në çdo kohë dhe në çdo vend ka bërë ligjin… Reformatorët, të talentuarit e kanë patur të vështirë të përmbysin këtë hierarki të rreme. “Dallgët janë anonime, vetëm anijet që i çajnë kanë emër”, është një varg i poezisë sime.

 -Si ju janë dukur autorët që kanë marrë Çmimin Nobel në vitet e fundit? Jeni zhgënjyer prej tyre?…

 -Kritiku amerikan Harold Bloom para disa vitesh është shprehur se Çmimin Nobel shpesh e marrin autorët idiotë… Mendoj se në të kaluarën, por edhe sot janë bërë edhe gabime dhe përmenden me të drejtë rastet e Tolstoit, Borhesit etj. që “shpëtuan” pa e marrë këtë çmim… Por kam mendimin personal se, përgjithësisht, Nobeli ka shkuar tek autorët që e meritojnë për shembull poetët Nobel në vitet e fundit kanë qenë Brodsky, Paz, Heaney, Transtromer, etj., të gjithë e meritojnë; kam lexuar poezi të tyre dhe, natyrisht, që janë poetë të shkëlqyer. Por edhe Kadare, Murakami, Adonis, Umberto Eko, e të tjerë autorë të mëdhenj mund ta merrnin këtë çmim të madh. Mendoj se çmime të formatit të tillë, bota e 7 miliardë njerëzve duhet të ketë më shumë.

 -A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’mund t’u thoni kritikëve të sotëm?

 – Kritikë letrare ka, shpeshherë disa prej tyre janë ndalur edhe në krijimtarinë time. Por, sidoqoftë, në këtë drejtim kërkohet më shumë nga katedrat universitare, institucionet e specializuara, autorët me përvojë. Për krijimtarinë time kanë shkruar Razi Brahimi, Alfred Uçi, Anton Papleka, Natasha Lushaj, Moikom Zeqo, Virgjil Muçi, Vaid Hyzoti, Roland Gjoza, Agim Vinca, Agim Shehu, Dalan Shapllo, Adriatik Kallulli, Fatmir Terziu, Mihal Gjergji, Sokrat Paskali, Nuri Plaku, Demir Gjergji, Qazim Shehu, Granit Zela, Shpendi Topollaj, Qazim Shemaj, Rezarta Dhoga, Albert Zholi, Sejdo Harka, ju dhe disa të tjerë. Por fakti që një kritik nuk përfiton asgjë nga shkrimet e tij, i bëjnë ata më të tërhequr e më pak aktiv.

 -Ka nga këta personalitete si Razi Brahimi, Vaid Hyzoti, Roland Gjoza,  etj., që ju kanë vënë në avangardën e poezisë moderne e postmoderne shqipe, siç ju cilëson për shembull Razi Brahimi “poet novator”. A mendoni se realisht jeni vendosur aty ku ju takon?

 -Nuk di si të shprehem në këtë rast, por krijuesi serioz e kupton vendin që i takon. Por në këtë periudhë, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit kur unë botova shumë libra cilësorë poetikë, disa romane dhe vëllime me tregime, si dhe katër libra me poezi në Francë, Meksikë, Rumani dhe ShBA…, nuk m’u dhanë çmime letrare, madje, nuk u përfshiva edhe në ndonjë antologji… Eshtë kjo arsyeja që më shumë se një herë jam shprehur se në kontekstin shqiptar, kur mungon “syri” i vëmendshëm, kur instucionet janë gati të ngrira dhe katedrat universitare-ripërtypëse, pra, në këto kushte ,“kalaja letrare” duhet të merret nga jashtë, jo se autori ka nevojë të pushtojë ‘kala’, por ai duhet të imponohet në betejat globale, gjë që natyrisht është rruga më e vështirë, por besoj se është edhe rruga më bindëse.

 -Pra, vazhdojnë përpjekjet për të marrë kalanë nga jashtë? Fakti që tani një pjesë të kohës e kaloni në Nju Jork, mendoni se do t’ju ndihmojë në këtë drejtim?

 -Eshtë tepër e vështirë për ta marrë atë kala, sepse janë përpjekje tërësisht individuale, me libra që i përkthen vetëm ime bijë Sidorela, tani nënë me dy fëmijë. Por, nëse boton dhe ke sukses edhe jashtë vendit, besoj se si autor ia ke arritur qëllimit. “Lavdia ka logjikën e ujit dhe pa e kërkuar e gjen vetë nivelin”, është një vargu im. Kam gati të përkthyer romanin në anglisht “Një grua me Urdhrin e Ujkut” si dhe një vëllim me poezi, po në anglisht.

 -Ku shkruani më shumë, ku keni më tepër frymëzim në Tiranë apo në Nju Jork?

 -Kam një zakon që në fund të çdo poezie dhe të çdo krijimi tjetër vendos datën… Dhe në Nju Jork kam shumë datime. Më pëlqen Nju Jorku, atje e shfrytëzoj kohën krijuese më mirë. Në Tiranë ndizem më shumë nga çasti dhe për një poet kjo, gjithashtu, ka rëndësi. Duke qenë natyrë tepër shoqëror më nxisin bisedat, replikat, debatet me miqtë krijues, por në këtë kohë interneti këtë mikroklimë me miqtë mund ta krijosh dhe në Nju Jork…

 -Projektet tuaja për të ardhmen? Çfarë ju ka mbetur peng?

 – Po shkruaj. Kjo ka rëndësi. Kam gati një vëllim të ri poetik dhe po punoj për përfundimin e romanit “Salla me hijet prej letre”. Një autor ka shumë pengje, por duke qenë se jam ende në kulmin e energjive krijuese, besoj se disa nga këto pengje do t’i shkarkoj në tryezën e punës. Kam shumë subjekte romanesh të shkurtër, që i kam nisur t’i shkruaj kohë më parë, 15, 10 apo 5 vite më parë, të cilat do luftoj t’i përfundoj…

 -Edhe ato bëjnë pjesë në kolanën tuaj “Enciklopedia e zhgënjimit”? 

-Po… Një autor gjithnjë është në anën e të zhgënjyerve.

  -Mesazhi juaj për shkrimtarët e poetët e rinj…

 -Nëse kanë talent të plotë, duhet t’i përkushtohen letërsisë me një punë të madhe. Mirë do të ishte të qëndronin në anën e të zhgënjyerve të përjetshëm për t’i shërbyer shoqërisë në zhvillimin dhe përsosjen e saj.

 -Ju faleminderit!

 -Dhe unë ju falënderoj për intervistën.

  Bisedoi:Raimonda MOISIU

Nëntor, 2012

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Petraq Risto, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT