• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënder Luarasi në tempullin shilerian

November 13, 2014 by dgreca

Nga Petro Luarasi/Bota e qytetëruar nderon kujtimin e kolosit të kulturës gjermane Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller, 10.11.1759 – 9.5.1805) kushtrimi i të cilit për unitet dhe liri të njerëzimit (në vargjet ‘’Ode gëzimit’’) nën ritmin e muzikës bet’hoviane (‘’Simfonia e nëntë’’) mishëron himnin dhe vizionin e Bashkimit Europian. Nga mesazhet universale të tempullit vezullues shilerian, ka fituar dije, shpresë dhe kurajo për liri e dinjitet edhe kombi shqiptar.
Disa muaj mëparë, në përkujtim të Shekspirit (26.4.1564 – 23 .4.1616) Shtëpia Botuese “Onufri” u ofroi shqiptarëve kolanën shekspiriane ku përfshihen edhe gjashtë shqipërime prej Skënder Luarasit: ‘’Mbreti Lir’’ (‘’King Lear’’), ‘’Rikardi II’’ (‘’Richard II’’ ), ‘’Rikardi III’’ (‘’Richard III’’), ‘’Tregtari i Venedikut’’ (‘’Merchant of Venice’’) , ‘’Komedia e keqkuptimeve’’ (‘’Comedy of Errors’’) dhe ‘’Si ta doni’’ (‘’As You Like It’’).
‘’Edhe populli shqiptar ka mundësi ta njohë e vlerësojë më mirë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.’’ 1.(P. Luarasi, Skënder Luarasi në tempullin shekspirian, Dielli, 25.12. 2013. https://gazetadielli.com/skender-luar…n-shekspirian/)
Këto ditë botuesi Bujar Hudhri shpalli edhe një tjetër lajm, pjesë e një plani ambicioz në përkujtim të dramaturgut më të madh gjerman Shiler: botimin për herë të parë në shqip të dramës “Don Karlos”, përkthyer nga origjinali prej Skënder Luarasit. Realizohet kështu pas gjysëm shekulli botimi i kësaj kryevepre, të planifikuar në vitin 1959 nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi , e ndaluar për shkaqe konjukturale politike.
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh në rini me veprën e Shilerit, u dashurua me dramaturgjinë, me romantizmin, sidomos me natyrën e mesazheve universal të tij drejtuar brezave, të cilat e frymëzuan për t’ i shqipëruar gjashtë veprat. Ai realizoi edhe një dëshirë të hershme të udhëheqësit të tij Fan S. Nolit, me orientimin letrar e politik të të cilit bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare. Imzot Fan S. Noli, theksonte se këto vepra të Shilerit duhen më tepër për popullin tonë të skllavëruar, sa për botimin e tyre ’’edhe për këtë ka Perëndia’’. Në përkujtim të dy përvjetorëve të Shilerit (10 nëntor 1759 dhe 9 maj 1805) ‘’desh Perëndia’’ të kurorëzohet rrugëtimi plot pengesa e sakrifica i Skënder Luarasit për botimin e të gjashtë veprave të kryedramaturgut gjerman: ‘’Wilhelm Tell’’ (‘’Vilhelm Teli’’, 1934), ‘’Kabale und Liebe’’ (‘’Intrigë e dashuri’’, 1955), ‘’Die Räuber’’ (‘’Hajdutët’’, 1958), ‘’Fiesco’’ (‘’Fiesko’’, 1958), ‘’Die Jungfrau von Orleans’’ (‘’Vajza e Orleansit’’, 2007) dhe ‘’Don Karlos’’ (‘’Don Karlos’’, 2014)
Skënder Luarasi, personaliteti ku ngjizet atdhetari i përkushtuar, mësuesi edukator, historiani, gjuhëtari, shkrimtari e dramaturgu, i kushtonte vëmendje të madhe përzgjedhjes së autorit e veprës që ti shërbente sa më mirë kombit shqiptar, inteligjencies e nxënësve të tij. Ai vlerësonte përmbajtjes dhe formën e veprës, stilin, ritmin, muzikalitetin të ndërthurur me fjalë të rralla e të reja që pasuronin gjuhën shqipe. Përdorte njohjen e thellë të gjuhëve të huaja, arsimimin cilësor dhe dijet e fituara, në mënyrë që përkthimi të vlente për lexim të lirë, për hartime, aktivitete mësimore-edukative dhe për shfaqje teatrale.
“Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqip. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 2 (A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16.1.2000, f.7)
Rezultatin e kësaj pune mjeshtërore në dobi të arsimit dhe kulturës kombëtare e dëshmojnë lexues, nxënës e kolegë të tij, regjisorë e aktorë që duhen evidentuar ndër studime e programe akademike. I talentuar nga natyra dhe me punë këmbëngulëse, Skënder Luarasi kreu organizimin dhe drejtimin e shoqatave dhe grupeve amatore teatrale të nxënësve në Shkollën Teknike të Tiranës, Institutin Tregëtar të Vlorës, në gjimnazin e Shkodrës dhe Konviktin e tij “Malet tona” si edhe në gjimnazin e Tiranës. Në këto aktivitete ai synonte të njiheshin dhe shfaqeshin pjesë me karakter edukativ e patriotik dhe tematika që i duhej shoqërisë.
Me ardhjen e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi në Institutin Tregëtar të Vlorës “u gjallërua më shumë edukimi patriotik dhe demokratik i nxënësve nëpërmjet procesit mësimor dhe lëvizjes kulturale artistike. Nxënësit shfaqën dramën ‘’Vilhelm Teli’’ (fragmente) dhe ‘’Agimi i Lirisë‘’(i Skënder Luarasit) me rastin e festës së 28 nëntorit të 1932. “Dramat ‘’Vilhelm Teli’’ apo ‘’Klubi i Selanikut’’ kanë patur jehonë mjaft të madhe në atë kohë…” (K. S. Xhani. Instituti Tregëtar i Vlorës, Kujtime.) Ndërsa në gjimnazin e Shkodrës ‘’jo pa qëllim nxënësit deshën të vinin në skenë, në fillim të vitit 1934, në kohën e tensionit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, dorëshkrimin e S.Luarasit, dramën ‘’Liria’’ 3 (Petro Luarasi, Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare, studim. http://www.forum-al.com/showthread.php?t=15197&page=2)
Skënder Luarasi edhe përmes veprave të Shilerit ka ndikuar në personalitetin, profesionalizmin dhe edukimin ideo-profesional të disa breznive lexuesish, tek nxënës si Qemal Stafa, Fadil Hoxha, Arshi Pipa, Vasil Llazari, intelektualë si Migjeni e Aleks Buda, regjisorët Sokrat Mio, Xhemal Broja, Mihal Luarasi e Drita Agolli. Me personazhet e dramave ‘’Vilhelm Teli’’ dhe ‘’Intrigë e Dashuri’’ (‘’Luiza Miler’’) janë edukuar dhe krenohen që i kanë interpretuar plejada e ndritur e aktrimit shqiptar: Aleksandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Marie Logoreci, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Edmond Budina, Antoneta Papapavli, Elida Janushi, Yllka Mujo, apo më e reja e talentuar, Cubi Metka.
Regjisorë e aktorë dëshmojnë për marrëdhëniet me Skënder Luarasi, komunikimin e drejtpërdrejtë për përgatitjet e mbarëvajtjen e shfaqjeve.

‘’Vilhelm Teli’’
Skënder Luarasi e përktheu veprën “Vilhelm Teli” të Shilerit në kohën kur në Shqipëri sundonte mjerimi, malarja e analfabetizmi, terrori e përgjimi (‘’kishte gardhi veshë e muri sy”) që të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie.
Prej dramave të Shilerit, ”Vilhelm Teli” është i pari përkthim i plotë në gjuhën shqipe. U botua nga Shtypshkronja ”Gutemberg” në Tiranë më 1934 dhe u vlerësua shumë. Edhe tirazhi prej pesëmijë kopjesh i botimit të dytë ( ”Vilhelm Teli” , Stamles, Durrës,1936) u shit në një kohë të shkurtër. Në revistën ”Flaga” të Korçës (qershor 1935) shkruhej: ”Letërsia jonë e varfër u pasurua tani me shqipërimin e denjë të një vepre klasike nga më të mirat e literaturës gjermane…Ajo është një kryevepër ku mbrohet liria dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë të vjetra sa edhe ekzistenca e njeriut vetë. Vilhelm Teli ka dalë kaq mirë në shqip, sa duhet të ndjejmë një farë mburrje që gjuha jonë qënka e zonja t’i japë bukur në kuptimin e tyre të plotë e të gjallë ndjenjat më të larta e më të thella të zëmrës njerëzore.”
”Vilhelm Teli” u bë libër i kërkuar për shkollën shqipe dhe inteligjencën e re progresive. Pjesë të dramës u shfaqën në teatrot e konvikteve ndërsa botimi i dytë, u pranua edhe si tekst shkollor prej Ministrisë së Arsimit me titullar Mirash Ivanajn.
Mësuesi Izet Bebeziqi, në gazetën”Kombi”, Vlorë, mars 1938, analizon brendinë e dramës ”Vilhelm Teli’’duke theksuar: ”Shigjetën e Telit e presin tani plot fise e popuj, që mjerisht vuajnë nën thundrën e tiranëve”. 4 (Skënder Luarasi, Shileri në Shqipëri, Nëntori, maj, f.170-174)
Subjektin e dramës mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi e përdori për komente dhe tema hartimi (‘’E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë…’’ dhe ‘’Atdheut besnik t’i qëndroni…’’)
Shtypi i kohës e theksonte talentin e shqipëruesit Luarasi: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 5 (Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3)
Një student i tij shkruante:’’ Bota shqiptare e njeh Shilerin nga drama e tij e famshme ‘’ Vilhelm Tel’’që na është dhënë ne shqiptarëve me përkthimin e shkëlqyer nga një mësues i gjuhës sonë. Ajo u ka rrëmbyer zemrën të gjithëve’’ 6 (Tomorri i vogël, 10.5.1934)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’ Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 7
( Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23.9.1934, f.3)
Ndërsa gazeta ‘’Besa’’ njoftonte se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’.
Tashmë‘’Vilhelm Teli’’ është një nga përkthimet e mirënjohura për lexuesin e kulturuar shqiptar me tetë ribotime në Shqipëri e Kosovë.
Disa akte të dramës të përshtatura nga Skënder Luarasi, janë interpretuar nga nxënësit në ambjentet e Shkollës Tregëtare të Vlorës, në Gjimnazin e Shkodrës dhe në Konviktin ‘’Malet tona’’. Vlerat dhe mesazhet edukative-atdhetare të ”Vilhelm Telit’’ dhe peripecitë për shfaqjen e saj i kanë përmendur mjaft nxënës e intelektuale, si poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja apo aktorët Sandër Prosi e Naim Frashëri.
Porse duhej të kalonin mbi 70 vjet që për herë të parë të jepej e plotë drama “Vilhelm Teli” sipas shqipërimit të Skënder Luarasit. Në muajin janar 2006 trupa e studentëve të Akademisë së Arteve me regjisor Milto Kutalin dhe skenograf Erald Bakallin e shfaqi dramën në skenat e teatrove të Korçës, Pogradecit, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit. Disa nga aktorët qenë studentët Elis Mataj, Alban Krasniqi, Kushtrim Emërllahu, Bekim Guri, Anisa Dervishi, Klodiana Keco, Loredana Gjeçi, Cubi Metka, etj.
Në skenat teatrore shqiptare buçiti kushtrimi shilerian :
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Interesimi i madh i spektatorëve të shumtë provoi që “Vilhelm Teli” edhe në ditet e sotme çmohet për vlerat universale.
Projekti u realizua nga bashkëpunimi i Akademisë së Arteve me Ambasadën Zviceriane dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe të disa subjekteve private.
\
Dramat në Prozë
Dramat e Shilerit ‘’Intrigë e dashuri’’ (1955), ‘’Hajdutët’’ (1958) dhe ‘’Përbetimi i Fieskos’’ (1958) të shqipëruara nga Skënder Luarasi, janë publikuar më vete ose të përmbledhura nën titullin ‘’Dramat në prozë‘’. Ato janë të mirënjohura në teatër nga interpretimet virtuoze të Aleksandër Moisiut (dramat ‘’Hajdutët’’ e ‘’Fjesko’’) dhe prej aktorëve të shquar të Teatrit Kombëtar (‘’Intrigë e dashuri’’ ose ‘’Luiza Miler’’ me regji të Mihal Luarasit e Drita Agollit)
Thuhet se për dramën ‘’Intrigë e dashuri’’ u përdorën dy emërtime dhe dy regji në kohë të ndryshme (1957 dhe 1979) meqë ‘’kuptimi i komunikimit artistik për pjesët klasike nga ana e Teatrit Kombëtar është parë më fort i lidhur me të kuptuarit e bashkëkohësisë.’’ Kështu anashkalohej faktori konjuktural politik, dënimi i regjisorit të shquar Mihal Luarasit. Ai në përfundim të studimeve në Hungari, si regjisor teatri, realizoi dy punë për mbrojtjen e diplomës: dramën e Leon Tolstoit, “Pushteti i Erresires” dhe në Shqipëri tragjedinë e Shilerit “Intrigë e dashuri” ku interpretuan aktorët Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Sander Prosi, Maria Loloreci, etj. Suksesi qe i jashtëzakonshëm. Premiera e dramës u dha më 10 janar 1957 dhe deri më 14 qershor 1959 u shfaq 28 herë, me 17661 spektatorë, në një sallë ku nuk pati asnjëherë vend bosh. Aktori Naim Frashëri, nxënësi që donte të luante rolin e Melhatalit tek ‘’Vilhelm Teli’’, në shfaqjen e ndaluar nga fashistët më 1943, në vitin 1955 u nderua me ‘’çmimin e Republikës’’ për rolin e Ferdinandit tek ‘’Intrigë e Dashuri’’.
Mihal Luarasi mendon që drama “Dhelpra dhe rrushtë” dhe “Intrigë e dashuri”, së bashku me ngjarjet e tjera, çuan në mospëlqimin e veprave të tij nga sistemi dhe partia në pushtet. Luftëtari antifashisti, atdhetari dhe regjisori i talentuar i kushedi sa shfaqjeve të suksesshme u dënua si armik me 7 vjet burgim.
Vetë drama e Shilerit do të qe dënuar ‘’me vdekje’’ por e shpëtoi rastësia. Sulejman Dibra kujton një fakt interesant. Kur mendohej të rivihej në skenë tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri ” (me regjisore Drita Agollin) ai me Reshat Arbanën shkuan për t’i mbushur mendjen Xhelil Gjonit, por ai nuk pranonte. Të nesërmen ai erdhi në Teatrin Kombëtar dhe kërkoi të falur sepse kishte lexuar se dikur Enver Hoxha kishte shkruar mirë për Shilerin dhe dramën “Intrigë e dashuri ”.
Aktori Edmond Budina tregon se regjisorja Drita Agolli qe shumë kërkuese dhe i thoshte: “Ti je fshatar, nuk je princ siç është Ferdinandi”. Kjo e bënte të vuante shumë, sepse punonte edhe pas provave… Pas shfaqjes e priste një burrë rreth 80 vjeç. Ishte Skënder Luarasi, përkthyesi i “Luiza Miler-it”, ‘’një nga kollosët shqiptarë, i cili kishte një mendje të ndritur’’. Ai i tha: “Ferdinandi je ti, edhe më shumë se ai i pari”…Nga ai moment pata miqësi me të, më ka dhënë librat që kishte në shtëpi për teatrin…’’ 8. (Valeria Dedaj, Interviste me aktorei Edmond Budina, Shekulli, 10.02. 2014 www.shekulli.com.al/website/index.php?)
Aktorja Yllka Mujo thekson ndikimin që ka patur Luiza Mileri, si rol i plotë dhe tepër dramatik, tek personaliteti i saj dhe formimin si artiste.
‘’Ekziston nje veti e magjishme e rolit …Fillimisht, këtë e kam ndjerë shume fuqishëm te Luiza Miler. Kur ecja rrugës pas provave, ndieja që ecja krejt ndryshe, që mendoja krejt ndryshe, shumë herë më tepër se zakonisht, ngreja sytë nga qielli, shume herë me tepër se zakonisht, flisja me yjet ….Përfundimisht, për mendimin tim, roli ka te bejë shumë në formimin e personalitetit njeri aktor ose aktor njeri.’’9. (Irhan Jubica, Interviste me aktoren Yllka Mujo, 55, 4.5. 2009 http://albanianmovies.blogspot.com/2…1_archive.html)
Ajo kujton edhe porositë e Sandër Prosit dhe mesazhet universale të Shilerit, amanete brezave në skenë: “Si thoshe ti mjeshtër i skenës tek interpretoje muzikantin Miler të Shilerit, në kryeveprën “Intrigë e dashuri”: “Ju jeni kryeministër i vendit, por jo zoti i shtëpisë sime”. Dhe bija jote, Luiza Miler (Yllka Mujo) është bërë e tillë si e dëshiroje ti Sandër i shtrenjtë.’’10.
(P. Kabo, Një letër për fisnikun Aleksandër Prosi, Gazeta shqiptare, 24.3.2010, f. 1, 28 – 29)
Emocionet në interpretimin e dramës i kujtojnë me nostalgji shumë personalitete të teatrit shqiptar. Për Elida Janushin ‘’Luiza Miler ishte roli që i ka falur jetë në teatër’’, ndërsa studjuesi Përparim Kabo e cilëson ‘’himnin e dinjitetit të njeriut’’.
Botimi i dramës ‘’Intrigë e Dashuri’’ të shqipëruar nga Skënder Luarasi u mirëprit nga lexuesi dhe institucionet kulturore. Në vjeshtën e vitit 1955, Shefqet Musaraj e vizitoi në shtëpi S.Luarasin dhe i kërkoi një ekzemplar të dramës me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare dhe donte t’ia dhuronte librin Institutit ”Goethe-Schiller”.
Së andejmi i dërgoi një kartolinë me pamje të dhomës ku punonte Shileri:
” Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar”
Shefqet Musaraj Weimar, 1 tetor 1955
Kur u kthye në Tiranë, i tregoi shqipëruesit se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ”Intrigë e Dashuri” në shqip, t’ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin e kulturës shqiptare, i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.”
Ndërsa shteti e kultura shqiptare nderohej, Skënder Luarasi nuk lejohej të merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar, as në Kosovën martire!

‘’Vajza e Orleansit’’
Vepra e Shilerit ‘’Vajza e Orleansit’’, e shqipëruar nga Skënder Luarasi, u botua nga InfBotues në vitin 2007. Ajo ishte planifikuar të botohej që në vitin 1960 nga Ndërmarja Shtetërore e Botimeve, por për shkaqe konjukturale u ndalua.
recenzentë tek Redaksia e letërsisë së huaj, shpreheshin se në dramën ’Vajza e Orleansit’’ Shileri kishte dobësi ideore, qe sentimental, idealist dhe figura e Zhanë d’Arkës, e rrethuar me një atmosferë mistike, bëhej ireale. Sipas tyre ‘’Shileri në këtë dramë jo vetëm që nuk është në pararojë të mendimit përparimtar të kohës së vet, siç ndodh në drama të tjera të njohura të tij, por mbetet në pozitat e një shkrimtari të cilin romantizmi i shkëputur nga jeta nuk e lejon të bëjë vlerësime objektive dhe të qëndrojë në një terren real. Ndonëse puna e përkthyesit në këtë vepër është e mirë kjo dramë nuk mund të botohet.’’
Përkundër mendimit kritik zyrtar, në debat me censorët, Skënder Luarasi theksonte se: ‘’ Shileri është i pari nga gjithë shkrimtarët, i cili shkroi me simpati për Zhanë d’Arkën. Gëteja e ka vlerësuar : ‘’Drama ‘’Vajza e Orleansit’’ është kaq e bukur sa nuk di me cilën ta krahasoj’’.
Autori nuk e ka kërkuar heroinën në botën ideale, por në botën reale: ajo është një vajzë e thjeshtë fshatare që bën veten fli për çlirim të atdheut. Ngjarjet e përshkruara në dramën e Shilerit janë reale, historike, vetëm se vdekja e Zhanës ngjau jo në zjarr por në fushën e luftës. Këtë ndryshim autori e ka bërë për efekt dramatik…Në ‘’Vajzën e Orleansit’’ Shileri dënon aristokracinë tradhëtare dhe shpreh besimin në forcat e popullit e në virtutet e tij morale të larta. Këtë e bën nëpërmjet një vajze trime, sypatrembur e të pushtuar nga dashuria për atdheun….Zhanë d’Arka në veprën e Shilerit ndrin si një shembull i dashurisë për atdhe. Përballë heroinës, vullneti i së cilës bën mrekullira, shohim pushtuesit anglezë tiranë, nënë-zezën mbretëreshë të zhveshur nga çdo motiv ideal, tradhëtarin dukë të Burgundit të etur për sundim e pasurim; mandej, edhe një mbret të zvetënuar e një aristokraci frënge të çartur, të pazonjën e mosmirënjohëse dhe klerin si mishërimin e së keqes e të djallëzisë.
‘’Kjo dramë përforcoi përgjithmonë popullaritetin e Shilerit dhe gjatë sundimit Napoleonik nxiti popullin gjerman në luftën nacional-çlirimtare të asaj kohe’’, këtë e pohon historia e letërsisë gjermane. Është përkthyer në të gjithë gjuhët e përparuara të botës.
Në gjuhën ruse e përktheu i pari Zhukovski dhe pas tij shumë e shumë të tjerë. Për këtë Bjelinski shkroi: ‘’Përkthimi i Zhukovskit ndihmoi letërsinë ruse ta bëjë të vetën këtë vepër të mrekullueshme’’. Çaikovski shkroi operën e tij ‘’Vajza e Orleansit’’ në bazë të dramës së Shilerit.
Çernishevski shkroi në ‘’Sovremenik’’, 1857: ‘’Poezia e Shilerit nuk do të vdesë kurrë. Vetëm njerëz zemërtharë e që nuk e njohin jetën mund ta quajnë Shilerin ëndërrues e sentimental. Poezia e Shilerit nuk është sentimentale e lojë fantazije të ëndërruar. Pathosi i poezisë së Shilerit është simpatia e flaktë për çdo gjë fisnike dhe të fortë në njerëzinë’’.
Herceni: ‘’Poezia e Shilerit kurrë nuk e humbi influencën e saj për mua. Kush e humbi shijen te Shileri është ose i mplakur, ose pedant ose i shterrur nga ndjenjat ose nuk është në vete’’.
Unë mendoj se ‘’Vajza e Orleansit’’ vlen të njihet edhe nga shqiptarët se ndihmon në rritjen e personalitetit të gruas shqiptare. Rinia shqiptare përmes kësaj vepre do të njohë më mirë kohën historike të luftës 100-vjeçare dhe heroizmat e Zhanë d’Arkës, e cila jetoi e luftoi në kohën e Skënderbeut, po për të cilën në gjuhën shqipe nuk është shkruar asgjë gjer tani.’’
Ndonëse dramat e Shilerit ’’Vajza e Orleansit’’ dhe “Don Karlos”, të shqipëruara nga Skënder Luarasi, u ndaluan për gjysëm shekulli, një pjesë e inteligjencies shqiptare është njohur ndër vite me subjektin dhe mesazhet e tyre, ndë mos nga literatura e huaj, nga realizimet kinematografike e teatrale. Drama ‘’Zhan D’ark’’ e Shilerit njihet nga filmi i famshëm ‘’Joan of Arc’’, i vitit 1948, ku Zhanën e luan Ingrid Bergman apo nga filmi sensacional ‘’Jeanne d’Arc’’ (‘’The Messenger: The Story of Joan of Arc’’) të vitit 1999 ku heroinën e luan Milla Jovovich.

Drama “Don Karlos”
Drama “Don Carlos”, është një nga veprat më të fuqishme të Shilerit, të cilin e shkroi
në vitet 1783-1787 . Premiera e saj u shfaq në verën e vitit 1787 me sukses të bujshëm. Në pesë aktet e dramës përshkruhen ngjarje mbi pushtimin spanjoll dhe luftës për liri të Holandës për tetëdhjetë vjet me radhë. Protagonistët janë mbreti Filipi II i Spanjës, djali i tij Don Karlos, mbretëresha Elisabet, markezi i Pozas, Duka i Albës.
Ngjarjet zhvillohen në vitin 1568 të traktatit të paqes mes Spanjës dhe Francës. Trashëgimtari i fronit të Spanjës Don Karlos pret të martohet me princeshën franceze Elisabetë, si shenjë pajtimi mes dy vendesh. Por Elisabeta detyrohet të martohet me Filipin II, mbretin e Spanjës dhe të atin e Don Karlosit. Të gjithë kundërshtarët e pushtetit, mes tyre edhe Don Karlos, shpallen heretikë e dënohen nga inkuizicioni. Në dramë ndëthuren me mjeshtëri kontradiktat politike, morale e klasore, konfliktet familjare dhe motivet e dashurisë.
Kontradikta politike është kryesorja, ndërsa motivi i dashurisë, ndonëse shumë i fortë, del në plan të dytë. Mbisundon teza politike mbi pamundësinë e një bashkëjetese mes absolutizmit të mbretit Filipi dhe liberalizmit të mishëruara në figurën e markezit të Pozës.

Përkthimi i Skënder Luarasit ishte planifikuar për botim nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi, sikurse dëshmohet në revistën “Nëntori’’ (artikulli “Shileri në shqip’’, nëntor, 1960: “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve ka në plan për të botuar dramat: “Don Karlos’’ dhe “Vajza e Orleansit’’). Me rastin e 220-vjetorit të lindjes të Shilerit , në vitin 1979, u lejua të botohen fragmente të dramës ‘’Don Karlos’’ në gazetën ‘’Drita’’ ( Drita, 11.11.1979, f.15) dhe në revistën ‘’Nëntori’’( Nëntori, nr.10, 1979, f.240-251).
Në revistën ‘’Nëntori’’ shpjegohet : ‘’Drama e Shilerit, ‘’Don Karlos’’, kritikon ashpër despotizmin dhe inkuizicionin… Drama është një pasqyrë e shpirtit kryengritës të asaj kohe dhe shquhet për mbrojtjen e idealeve të lirisë…Kjo dramë u vu në repertor në Teatrin e Berlinit beharin e motit 1938, kur mercenarët e Hitlerit e të Musolinit ndihmonin Frankon kundër rezistencës së ushtrisë të Spanjës Republikane. ‘’Don Karlosi, Infanti i Spanjës’’ u ndalua të shfaqej në Gjermaninë e Hitlerit.’’
Enigmën e ndalimit të dramës ‘’Don Karlos’’ nuk e justifikonin as recenzentët. “Drama është shkruar në vargje pentametrike në jambe por pa rimë. Në një nivel të lartë artistik , me konfiguracion të vështirë e të fuqishëm ndërthurur me meditime dhe ndërfutje të thella filozofike, vepra paraqet vështirësi në të përkthyer.
Pra, si përfundim, me fare pak heqje (të pjesshme) vepra është shumë e mirë, e bukur, ka tingull të fortë aktual, vlen për edukimin ideorevolucionar dhe estetik të masave tona punonjëse.’’ (Afrim Koçi, Recensë)
Subjekti i dramës “Don Karlos” njihet edhe prej operës së famshme të Verdit që është ndër më të rëndësishmet vepra të repertorit operistik botëror. Ajo u shfaq në muajin maj 2011, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga regjisori Nikolin Gurakuqi, me skenograf Alfredo Troisin e dirigjim koral nga Dritan Lumshi. Krahas 200 artistëve, shumica të huaj, spikati soprano shqiptare Sonila Baboçi, në rolin e mbretreshës Elisabeta.
Për shkaqe konjukturale politike, kjo vepër nuk u lejua të botohej në Shqipërinë popullore socialiste. Përkthimi me parathënien dhe shënimet përkatëse të Skënder Luarasit “humbën’’ në redaksinë e N. Sh. Botimeve. Shqipërimi i Skënder Luarasit u botua për herë të parë nga Onufri në vitin 2014, mbi bazën e dorëshkrimit.

Aktualiteti shilerian

Shileri, flamurtar i lirisë dhe barazisë së kombeve, ka shkruar për ‘’Vilhelm Telin’’ e Zvicrës dhe ‘’Don Karlosin’’ e Spanjës, për ‘’Zhan D’arkën’’ e Francës dhe ‘’Maria Stjuartin’’ e Anglinë duke u ndarë nga jeta mbi dorëshkrimet e ‘’Demitriusit’’ të Rusisë.
Ndaj ai nderohet e studjohet jo vetëm në Gjermani, por në gjithë botën e qytetëruar.
Himni i Evropës së Bashkuar është dëshmi e vlerësimit të kombeve europiane ndaj veprës vigane të poetit, dramaturgut e historianit Fridrih Shiler dhe mesazheve të tij universal për vëllazërimin dhe unitetin e kombeve. Tingujt e Himnit të BE të luajtur nga Orkestra Filharmonike e Kosovës pagëzuan shpalljen e Pavarësisë.
Studjuesi Zamir Zija Këlliçi, shef i Arkivit Historik të Teatrit të Operas dhe Baletit, dëshmon që vargjet e Shilerit (dy strofa nga ‘’Ode gëzimit’’ të shqipëruara nga Robert Shvarc më 1970) janë kënduar nga kori (koha e katërt e Simfonisë IX të Bethovenit) në koncertin përkujtim të 200-vjetorin të lindjes së kompozitorit gjenial.
Studimi dhe ribotimi i veprave të Shilerit, inskenimet e shumta në skenat evropiane e botërore tregojnë se vepra dhe mesazhet e tij i mbijetojnë kohës. Ai nuk i përket vetëm të shkuarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes, për sa kohë që shoqëria progresive njerëzore mendon dhe lufton për liri, demokraci, identitet e dinjitet. Kështu besonte edhe Skënder Luarasi, ithtar në tempullin shilerian.
Shënim:
Familja Luarasi kujton me nderim e mirënjohje Ak.Aleks Buda dhe studjuesin Dhori Qiriazi për vlerësimet e tyre, të cilat u kundërviheshin me argumente pretendimeve të censures. Përshëndesim edhe z.Afrim Koçi për recensën përkatëse. Për mungesë hapësire këto tre shkrime janë publikuar në forume (http://www.forumishqiptar.com/threads/143007-Petro-Luarasi/page3)

Filed Under: ESSE Tagged With: në tempullin shilerian, Petro Luarasi, Skender Luarasi

Një ekspozitë e bukur e dinjitoze në Maryland

February 6, 2014 by dgreca

E veçanta e saj është se veç  dy piktorëve të njohur amerikanë, Richard Levine dhe Mark Joseph Williams, mori pjesë edhe piktori shqiptaro amerikan Agron Pire./

Nga Petro Luarasi,Washington, DC/

 Një ngjarje e bukur artistike në rrethinat e Washington,  DC mblodhi shumë shqiptarë e amerikanë. Është fjala për një ekspozitë në qytetin e bukur e madheshtor Bethesda,  Maryland. E veçanta e saj është se veç  dy piktorëve të njohur amerikanë, Richard Levine dhe Mark Joseph Williams, mori pjesë edhe piktori shqiptaro amerikan Agron Pire.

Vizitoret në sallë ishin  të shumtë dhe kjo i dedikohet  si famës që ata kanë fituar në këtë zonë ,ashtu  dhe punës së mirë prezantuese dhe reklamuese të drejtuesve të expozitës, si me linkun special në internet, ashtu edhe me njoftime e shpërndarje të Fletë- palosjeve. Të bie menjëhere në sy fakti që në faqen e parë te fletë-palosjes  është vendosur pikërisht peisazhi i piktorit shqiptaro-amerikan i cili përfaqësohet këtu me nëntë piktura.

Po kush është Agron Pire? I ardhur nga Tirana, ai jeton prej 14 vjetësh në Virginia, USA, së bashku me familjen. Talenti i tij për pikturën është çfaqur që në moshë të vogël kur ishte nxënës i shkollës “23 Nentori” në Tiranë. Mesuesja e tij në ciklin e ulët, Tefta Tirana kujton me shumë konsiderate punët e Agronit të vogel për zbukurimin  e stendave të klasave e të shkollës. Por formimin e vërtetë te tij si piktor i ardhshëm ai e mori ne Liceun Artistik Tirane ku nuk harron kurrë ndihmën e përkujdesjen e mësueses së talentuar Marjana Eski, për të cilën edhe sot foli me shumë respekt e nostalgji.

Vitet ’90 si shumë të rinj shqiptarë e gjetën edhe Agronin rrugëve të Greaisë ku bashkë me të vëllanë punonin për të fituar e për të ndërtuar një të ardhme tjetër. Por edhe pse punuan shumeëdhe në kushte të vështira kurbeti, Agroni,  fale talentit të tij,  nuk e harroi edhe pikturën. Veç  fitimeve, ai solli nga Greqia edhe disa piktura me tematikë aq interesante nga kultura e historia e lashtë greke.

Dhe ja viti ’98 e gjen Agronin me familjen e tij të vendosur në Virginia, USA. Duke parë nevojat e kërkesat e komunitetit të këtushëm, Agroni u mor shumë me projektime e rimodelime të mjediseve shtëpiake e publike, veçanërisht për kopshte e çerdhe fëmijësh, salla lodrash e ekspozitash, salla biznesi e  kuzhinash etj. Falë prirjeve artistike, emri i tij është bërë i njohur e i kërkuar në tërë zonën e Washington, DC, Maryland e North Virginia.

Rexhina, e shoqja e Agronit duket sa e gëzuar, aq edhe me emocione kur shikon aq shumë vizitorë, shqiptarë e amerikanë. Kjo është e vetmja kohë që Agroni gjen për tu çlodhur, thotë Rexhina,  specialiste në Bankë. Dy vajzat e tij bukuroshe me aparat ne dorë bëjne poza e japin shpjegime për pikturat e babit të tyre që e respektojne aq shume. Luiza, studente për drejtësi dhe Patricia në shkollën e mesme janë  studente te shkëlqyera.   Në sallën e ekspozitës edhe ato po japin  kontributin e tyre për punën krijuese të të atit.

Nuk është hera e parë që njihem me pikturat e Agronit thote Afërdita Boçka, punonjëse në Institutin e Departamentit të Shtetit, dhe gjithnjë e më shumë ai po e rrit cilësinë e po e zgjeron tematikën.

Ema Tirana, mësuese e anglishtes në New York thotë: -“Gjithmonë më ka pëlqyer tematika që zgjedh Agroni. Në shtëpi kam dy piktura të tij dhe më duket sikur më ka sjellë dy copa nga atdheu për t’u çmallur”.

John  S. Gater , banues në Bethesda na tha: ” Kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, por kjo e sotmja është një konkretizim i bukur I atyre që kam dëgjuar.  Peizazhet jane vërtet të bukura

Në punën e tij krijuese, Agroni falenderon shumë gruan dhe vajzat e tij që i sjellin qetësinë dhe kënaqësinë për të pikturuar, por pa harruar kurrë ndihmesën dhe këshillat  cilësore të piktorit  të njohur  Astrit Toto, në New York. Gjithashtu ai kujton me nostalgji vizitën në shtëpinë tij si dhe vlerësimet e sygjerimet e  dy piktorve të famshëm durrsakë, Shpresa Beqiri e Nikolet Vasia dhe ndjen dhimbje për Nikoletin që ndërroi jetë aq i ri e që la në mes punën e tij me aq shumë vlera për brezat.

Kjo ekpozitë është pa dyshim suksesi më i madh, por njëkohësisht edhe nxitje e re për Agronin, për ta çuar më përpara  punën krijuese.  Ai ka një plan vërtet ambicioz për vitin që sapo filloi. Do marrë pjesë në tre ekspozita të tjera  që do hapë ne Virginia, Pensilvania dhe New Jersey.

Filed Under: Featured Tagged With: Maryland, Nje ekspozite, Petro Luarasi

Kontribute Shekullore- Çifti Kenedi ishin te paret amerikane qe erdhen ne Shqiperi

January 6, 2014 by dgreca

Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët./

Nga Petro Luarasi/
Misionarët e parë protestanë amerikanë, që erdhën për një qëndrim të përhershëm në Shqipëri, janë çifti Kenedi (Kennedy) Të përndriturit: Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas ), të cilët mbërritën në Korçë më 26 mars 1908.
’’Çifti Kenedi…janë misionarët e parë të huaj Ungjillorë,që u shpërngulën në Korçë me ndihmën e Misionit Turk – Evropian”…(Xhon Kuanrud: Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.218)
Po ashtu studjuesi i mirënjohur Iljaz Gogaj thekson:
”Arsimi dhe pedagogjia amerikane e kanë zanafillën e tyre në Shqipëri që në vitin 1908, atëherë kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi”. (I.Gogaj:Shkolla teknike e Harri Fulci, f.7)
Pas tyre,më 5 shtator 1908, vijnë në Korçë çifti Erikson (Charls Tellfort Ericson) me gruan e tre fëmijët.
Me këtë rast kam nderin të korrigjoj pasaktësinë e artikullit: ‘’Erikson…rezidenti i parë amerikan në Shqipëri” (Gazeta 55”, 15 korrik,2003, f.12) dhe zotin kryeminister tani.
Si rezidencialët e parë të huaj dhe për rëndësinë e aktivitetit të tyre 30-vjeçar në Shqipëri, Violet e Fines Kenedi përfaqësojnë misionarët amerikanë më të devotshëm dhe më të suksesshëm. Ata qëndrojnë me meritë në krye të nderimit tonë ndaj veprimtarisë protestante në dobi të popullit shqiptar.
Zonja Violet Kenedi qe shoqe gjimnazi me Sevasti Qiriazi –Dakon në Manastir dhe për hir të saj mësoi mirë gjuhën shqipe. Çifti Kenedi erdhën në Shqipëri duke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në veprimtari kulturalo-arsimore, fetare (ungjillorë) e humanitare, mbarëkombëtare, të ndihmuar me fonde nga bordi i misioneve amerikane në Ballkan. ’’Brodhën” kudo nëpër Shqipërinë hallemadhe.
”Mjerimi që hoqi populli shqiptar në këtë kohë, na mbushi me simpati për të dhe na nguci që veç punës shkollore të merreshim me përkkrahjen shoqërore dhe mirëbërje’’, shkruan zonja Kenedi.
Ndër të tjera ata ndihmuan riçeljen e Shkollës shqipe të Korçës me drejtor Petro N.Luarasin, ku Fines jepte anglisht e Violet, frengjisht e muzikë. Atje ata ishin edhe mësuesit e Skënder Luarasit me të cilin krijuan një lidhje të përjetëshme.
Kur më 1910 autoritetet otomane i mbyllën shkollat shqipe, në sajë të autoritetit të çiftit Kenedi si përfaqësues të protestantëve amerikanë, shkolla e vajzave në Korçë mbijetoi duke u emëruar “Shkolla Amerikane”. Nga thënia e Hil Mosit: ”Gruaja e arsimuar është shtylla e kombit”, gjykohet paksa edhe për meritën e çiftit Kenedi e të bashkëpunëtoreve Sevasti e Parashqevi Qiriazit. Në këtë shkollë mësoi e u edukua, punoi e u bë ”bijë shpirtërore” e çiftit Kenedi dhe vajza e P.N.Luarasit, Shega Luarasi (Uçi).
I.Gogaj ( ”Shkollat amerika në Shqipëri”,f.20) shkruan se në 10.9 1924 qeveria e Nolit e njohu zyrtarisht shkollën e çiftit Kenedi: ”…me personel mësimor Fines Kenedi, Violet Kenedi, Aspasia Efthim e Shega Luarasi… Në vitin shkollor 30-31 shkolla arriti numrin më të madh të nxënësve , me 123 nxënës dhe me dhjetë mësues …Mila Gjokoreci,Ollga Plumbi,Shega Uçi(Luarasi), Aspasia Efthim.”
Çifti Kenedi u larguan nga Shqipëria më 1936 duke ia dorëzuar drejtimin e misionit çiftit Eduin e Dorotia Xhejks të cilët u përzunë në vitin 1940 nga pushtuesit .
”Trupi im është këtu, por zemra ime është në Shqipëri…S’më vjen keq për të këqiat që hoqa për Shqipërinë”, shkruan zonja Kenedi në Sh.B.A.
Pas çlirimit, kur ata cilësoheshin ”agjentë të huaj”, për veprimtarinë e shquar të çiftit Kenedi, guxoi të fliste e të shkruante vetëm ndonjë si S.Luarasi. Një studim dinjitoz për veprën e tyre, i botuar mbas viteve 90-të, gjendet në librin e I.Gogajt:’’Shkollat amerikane në Shqipëri ‘’.
Ndaj ‘’s’guxoj ‘’ të zgjatem, por shtoj vetëm se Violet e Fines Kenedi u ndanë nga jeta në moshë të shkuar e pa trashëgimtarë duke ia dhuruar kursimet çështjes shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: cifti Kendi, ne Shqiperi, Petro Luarasi, te paret amerikane

Skënder Luarasi në tempullin shekspirian

December 25, 2013 by dgreca

Së shpejti  do të përkujtohet 450-vjetori i lindjes së Shekspirit (26 prill 1564 – 23 prill 1616) dhe  Shtëpia Botuese “Onufri”  ka botuar  gjashtë përkthime prej Skënder Luarasit: Mbreti Lir (King Lear), Rikardi II (Richard II ), Rikardi III (Richard III), Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice) , Komedia e keqkuptimeve (Comedy of Errors), Si ta doni (As You Like It)./

Shkruan: Petro Luarasi/

Bota e qytetëruar  do të nderojë së shpejti  kujtimin e  Uilian Shekspirit dhe tempullin e tij vezullues ku prehen  dhe shpërthejnë  ndër  shekuj  dije e   mesazhe universale.

Edhe populli shqiptar ka  patur mundësi  ta njohë e vlerësojnë  tempullin shekspirian  përmes  librave e shfaqjeve  në gjuhën shqipe,  në aktivitete  akademike apo  programe shkollore,  të cilat vazhdimisht  ndiqen me interesim dhe  japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.Historiku i përkthimit të veprave të Shekspirit në gjuhën shqipe  nis nga  vitet ‘20 të shekullit të kaluar në SHBA, kur Fan Noli përktheu “Otellon“ (1918) dhe Skënder Luarasi veprën “Jul Cesari“ (1919)  të cilat i pasuan me shqipërime të tjera,  respektivisht edhe me  tre (“Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari”) e gjashtë vepra (“Tregtari i Venedikut”, “Mbreti Lir”, “Rikardi  II”,  “Rikardi  III”,  “Komedia e Keqkuptimeve” dhe “Si ta doni”) .

Amerika e idealeve demokratike, qe vendi ku u  farkëtua edhe miqësia e Fan Nolit me të  birin e  Petro Nini Luarasit, mikut e bashkëpunëtorit për çështjen kombëtare e kishën autoqefale.

Përgjatë  një shekulli fondi i mësipërm    është dyfishuar  me  shqipërime  nga Vedat Kokona, Alqi Kristo, Napoleon Tasi, Perikli Jorgoni,  Kristaq Traja, etj

Duke nisur me Shekspirin, Skënder Luarasi ka arritur rezultate shembullore  në veprimtarinë e tij 60-vjeçare duke shqipëruar mbi 40  vepra të  autorëve: Kalidasa, Schiller, O.Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, A.Ostrovski, Longfellow, Lessing, Winkop, Gribojedov, Milton, Eden, Rodrigues, S. Skëndi,  si dhe  disa të humbura me autorë: Persi Shelli, Li Taj Pe,  etj.)

Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që ai u njoh me veprën e Shekspirit  dhe programoi përkthimin e saj që në rini.     E tërhoqi më fort  natyra e mesazheve universale me të cilën ai u drejtohej brezave. Me “Jul Cesarin” e ”Tregtarin e Venedikut”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shekspirit  duke përmbushur edhe dëshirën e Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik me të cilat bashkohej inteligjenca progresive shqiptare.

Ndonëse nuk është kryer ndonjë studim i thelluar  mbi kontributin  e Luarasit në lëmin  e përkthimit,  analiza të pjesshme vënë në dukje  disa  arritje cilësore si:  kontributi i hershëm, përzgjedhja e autorëve e  titujve, qëllimi dhe mesazhet që përcillte përmes veprës, shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e lëndës (prozë, poezi, tragjedi, dramë, komedi, romane, materiale historike, politike, pedagogjike, etj), bagazhi i njohurive,  vlerësime për stilin, ritmin, pasurimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve. Rëndësi ka edhe përhapja e mesazheve për qëllime të caktuara në auditore, në hartime, grupe, në teatër e publik.

Skënder Luarasi nisi të përkthejë prozë e poezi që në vitin 1918. Më 1919  përfundoi dhe përgatiti  për botim  shqipërimin e  veprës së Shekspirit “Jul Cesari` me 120 faqe. Ky informacion  gjendet në revistën “Studenti“ dhe ku  kërkohej ndihmë për botimin e librave.

Paratë që do të mblidheshin nga shitja e librit do të përdoreshin për të ndihmuar studentët në nevojë si dhe  për të shtypur edhe veprat: ”Tregëtari i Venedikut” dhe ”Skënderbeu ose Liri dhe Dashuri” të Uinkopit. (1) (S.P. Nini Luarasi, Jul Cesari, Studenti, janar 1920 , f. 30.)

Skënder Luarasi mendohej shumë për veprën që do të përkthente dhe e përjetonte gjatë analizën e saj duke shqyrtuar autorin, veprat e tjera të tij, situatën, epokën, mjedisin kur qe krijuar dhe ndikimin mbi lexuesin. “Po ky vazhdues i denjë i rrugës shqipëruese të Fan Nolit rronte dhe preokupohej si ai për mënyrën si duhej ta thithte veprën lexuesi shqiptar. Një dashuri sublime për këtë lexues dhe për gjuhën amtare. Fjalën shqipe, që ai e desh si ai, bëri të mundur që gjenitë e njerëzimit të jenë më të intimtë, të kuptueshëm dhe thellësisht ndikues.” (2)

(A. Kallulli, Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.)

Ai përmbushi një dëshirë të Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik,  idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore me të cilat bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare.

“ Në qoftë se përkthimet e Fan Nolit kanë qenë abetare nga e cila brezat e mëvonshëm të përkthyesve kanë mundur të nxjerrin mësime të dobishme se si duhen përkthyer tragjeditë e mëdha, atëherë mund të thuhet lirisht se përkthimet e Luarasit , janë një lloj teorie, e cila mëson se si të përkthehet drama historike. Ai është një përkthyes i madh në llojin e vet.”(3)

(Sh.Shaqiri Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja, 1 nëntor,1980, f.14.)

Për këtë kontribut madhor studjuesi Jup Kastrati deklaron ”me përgjegjësi shkencore se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”(4)

(J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Artikull i cit., f. 2)

Skënder Luarasi në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike. Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t’i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne. Veprat e Shekspirit e shprehin me vërtetësi artistike frymën e kohës por janë edhe universale, japin vlera mbihistorike, që sintetizojnë përvojën botërore të historisë njerëzore. Ndaj në veprat e tij mund të shihen edhe pjesëza të historisë së hershme, edhe mund të gjykohet mbi kohë, ngjarje e vende të tjera.

Kur diskutohet për vlerat e Skënder Luarasit si përkthyes duhet patur parasysh vështirësia e origjinalit, pasuria e madhe e aforizmave, fjalëve të urta, sentencave, metaforave, simboleve që përmbajnë veprat. Atje Skënder Luarasi ka dhënë tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi, skalitjen e karaktereve me fjalë dhe shprehje të një gjuhe tjetër. “Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s’janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse.”(5) (P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar, 2000, f.6)

Studjuesi Adriatik  Kallulli analizon të tjera vler: “Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” (6) (A. Kallulli: Artikull i cituar, f.7.)

Studjues të tjerë  venë në pah objektivat politike të Skënder Luarasit për demaskimin e sistemeve jodemokratike

Refik Kadia: “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist.” (7)

(R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8)

Ndërsa Akad.Alfred Uçi  e shtrin analizën vlerësuese  në ndërthurjen tematike dhe konceptin e tragjikes: “Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar dhe satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë “ mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes” (8)

(A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18)

Veçori karakteristike e përkthimeve të Skënder Luarasit është se ai i është përmbajtur tekstit dhe kontekstit të origjinalit duke ruajtur vlerën artistike të veprës. Kjo është arritur në sajë të kulturës së gjerë, njohjes së shkëlqyer të gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe, afinitet ndaj veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, njohjes së shkëlqyer të letërsive e të kulturave të kombeve të ndryshme, njohjes së shpirtit e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme. Ai i ka kushtuar vëmendjen konstrukioneve ideomatike, aforizmave e proverbave, metaforave dhe shprehjeve metaforike nën një gjuhë të pasur e fleksibile, përdorimit të fjalëve e shprehjeve të rralla të tabanit popullor, proverbave e aforizmave. “Mund të thuhet se, në qoftë se aforizmat e Shekspirit janë quajtur margaritarë të veprave të tij, atëherë, lirisht mund t’i quajmë përkthimet e tyre në gjuhën shqipe nga S.Luarasi margaritarë të mjeshtërisë së përkthyesit tonë…Përkthimet e veprave të Shekspirit nga Prof.Skënder Luarasi pa mëdyshje i takojnë fondit elitar botëror të përkthimeve’’ (9)  (Sh. Shaqiri: Artikull i cituar, f.14.)

Vlerë të posaçme në përkthimet e Luarasit paraqet thesari i pasur gjuhësor, në të cilin gjejmë mjaft shprehje ”popullorçe”. Frazeologjia popullore dhe proverbi popullor ka pasur gjithmonë ndikim të madh në gjuhën e shkruar shqipe. Ato kanë ndihmuar për njohjen më të mirë të letërsisë botërore, për zhvillimin e shijes letrare ndër lexuesit shqiptarë, për ngritjen e kritereve të tyre artistike , për zgjerimin e diapazonit estetik e kulturor në përgjithësi por edhe për të kritikuar e demaskuar grupimet e privilegjuara e vetë kreun e diktaturës

Skënder Luarasi i jepte rëndësi të madhe komenteve, diskutimit në auditor, improvizimit të skenave në auditor dhe  shfaqjes në skenë të veprave të Shekspirit. Përveç temave në hartime e referate, improvizimit të auditorit në miniteatro, një pjesë e përkthimeve të tij u dhanë me sukses  në teater. Veprat e Shekspirit janë shfaqur  me sukses nga  Teatri Kombëtar e teatrot e rretheve.  Efektin e mesazheve  shekspiriane  na e ka saktësuar  i përndjekuri politik Spartak Ngjela, i cili kujton se kur Teatri Kombëtar  shfaqi dramën  Rikardi II, diktatori i zemëruar  e la shfaqjen përgjysëm. Ndaj edhe i paharruari Agim Qirjaqi përgatiti shfaqjen e parë si regjisor me “Rikardi III” të Shekspirit ne vitin 1992 dhe korri  suksesin e merituar.

Se si interpretoheshin  mesazhet  shekspirine sipas realitetit e dëshmon edhe kjo

bisedë e lirë me studentët  mbi dramën e Shekspirit ”Komedia e keqkuptimeve”.

Një studente e ngacmuar nga tema, pyeti Skënder Luarasin:

– A mund të na thoni, profesor, se me kë duhet të martohemi?

– Nuk mund të them se me kë duhet të martoheni, por me kë nuk duhet të martoheni!

– Sigurisht, jo me budallain, profesor .

– Jo, budallai nuk është rasti më i keq, por frikacaku!

– Po pse?

– Sepse një ditë të bukur, tek dilni për shëtitje në pyll, befas, ju del ujku. Gjëja e parë që do të bënte budallai, po ta dojë gruan, do t’i turrej ujkut, ndërsa frikacaku do të fshihej prapa saj dhe do të lutej të mos e hante atë por: “Haje gruan!”

Në vitin 1964, me rastin e 400-vjetorit të lindjes së Shekspirit, ai botoi disa artikuj, diskutoi në konferencën jubilare dhe  organizoi  me studentët e degës së anglishtes teatrin  studentor ku u luajtën drama ‘’Shtrëngata‘’  dhe   komedia ‘’Si ta doni‘’. (10)

(S. Luarasi, Shekspiri i madh, Drita, 19 prill 1964, f.3)  

Skënder Luarasi dhuronte   shumë libra ndër miq e institucione ndërkombëtare. Në këtë përvjetor  ua dërgoi përkthimet e tij  edhe  Muzeut Britanik, Departamentit të Librave në Londër, Qendrës “Shekspir“, Biblioteka e vendlindjes, e riorganizuar  me rastin e organizimit të  festivalin përkujtimor.

Muzeu Britanik

Muzeu i librave të shtypur

Londër

16 Prill 1964

Z. Skënder Luarasi

Universiteti i Tiranës

Shqipëri

Sër,

Unë kam nderin tju bëj të njohur me falenderime marrjen e veprave të përmendura më poshtë që ju keni patur mirësinë  tia dhuroni Fondit të Muzeut Britanik

Unë jam Sër,

Shërbëtori juaj i bindur

Ali Hudd

 

Librat e dhuruara:

Longfello H. : Kënga e Hajavathës

Shekspir U. : Mbreti Lir

Luarasi S. The Kyrias sisters

Festivali i Përvjetorit të të Shekspirit 1964

Zyra e Festivalit

Henley Street

Stratford-upon-Avon

Angli

7 Qershor 1964

Z.Skënder Luarasi

Universiteti Tirana

Shqipëri

I dashur z. Luarasi,

Më vjen keq që nuk ju kam shkruar më parë  për tju falenderuar për dhuratën  e këndshme të tre veprave të Shekspirit në shqip të përkthyera prej jush.

Unë do të dëshiroja të përcjell urimet më të mira të Fondit të Vendlindjes së Shekspirit  për këto botime shumë interesante për Bibliotekën e Vendlindjes, e cila si mund të keni dijeni  është vendosur  në qendrën e re të Shekspirit, e cila është hapur zyrtarisht  më 23 Prill të këtij  viti për të shënuar 400-vjetorin e Lindjes së Shekspirit

I juaji sinqerisht

Peter Meseser

Ndihmës  Drejtor i Festivalit

Në këtë mënyrë Skënder Luarasi   ia bënte të njohur botës së qytetëruar se edhe gjuha shqipe është e aftë të përkthejë me dinjitet Shekspirin, edhe populli shqiptar është pjesë e qytetërimit botëror.Nuk mund të bënte më shumë në kushtet e një sistemi diktatorial që ia pengonte përfaqësimin e vlerave në arenën ndërkombëtare.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ne tempullin e Shekspirit, Petro Luarasi, Skender Luarasi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT