*NË 8153 COPA! 760 RRUGË PËR KONSERVIMIN E SAJ! PUNË NË MË SHUMË SE 20 VJET! KOSTOJA: MË TEPËR SE 10000000 LEKË! NJË PUNË MIDIS PASIONIT DHE KËMBËNGULJES PROFESIONALE!/
Shkruan: Frederik Stamati/
Viti 1983 i dhuroi Apollonisë një pasuri të rrallë arkeologjike: në tumat e fshatit Kryegjat arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një varr që ngriti mëndjen e të gjithë specialistëve të fushës. Në varr ndodhej një mburojë prej bronzi, e mbi të skëleti i shtrirë anash i të zotit të saj. Objekte të tjerë, të rrallë për nga forma dhe dekoracionet interesante gjindeshin përgjatë mbeturinave kockore të trupit të dikurshëm: një përkrenare e pa parë, po prej bronzi, një shpatë hekuri së bashku me gjurmat e këllëfit të zhdukur, katër enë prodhim vendas në qeramikë, sandale prej metali, thika, kruajtëse, etj, etj dhe gozhdat me të cilat ishin mbërthyer fort dërrasat e qivurit të madh. Thuajse të gjithë arkeologët e antikitetit shkuan nga dita në ditë për të parë zbulimin e rrallë. Kuriozitetin më të lartë e krijonte mburoja, forma e shkatarruar e së cilës lindëte diskutime jo pa hamendësi.
Unë shkova kur mburoja ishte nxjerrë nga toka, ishte transportuar dhe mbahej në ruajtje të sigurtë në magazinat e muzeumit. Ah, e sigurtë! Një pjesë e saj, rreth një e treta, në mos më shumë, ishte shembur së bashku me dheun nën të, duke u kthyer në thërrmija të vërteta! Por për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe pjesa tjetër e saj, ajo që kishte shpëtuar nga shembja nuk ishte më mirë: vetëm një mori thërrmijash dhe diku më shumë, por të organizuara në një rrafsh, ku nuk merrej vesh thuajse asgjë. Tetëmijë e njëqint e pesdhjetë e tre copa!
Që në njohjen e parë lindi e vërteta për vështirësinë e ringritjes së saj. Konsulltat pa fund nuk ipnin zgjidhje. Një rebus? Nuk është asgjë! Isha si mbi det, ku lëkundesha nga tallazet e mendimeve të ndryshme. Jo me orë, as me ditë dhe as me javë, por me muaj të tërë kam qëndruar mbi coprat e mburojes për të gjetur lidhjet midis tyre dhe zhvillimin e motiveve zbukuruese, tashmë të prishura. Vëzhgoja gjithshka në stereomikroskop. Mundohesha të kapja edhe shenjën më të vogël që do të orientonte lidhjet. Pashë të gjithë relievet me mburoja dhe të gjitha statujat luftarake në muzeumet e Shqipërisë për të kuptuar të kaluarën e panjohur nga ne. Sot, kur e shikon të restauruar, është e lehtë të flasësh, por nuk duhet harruar se ajo ka njëzet vjet punë dërmuese të trupëzuar në vetvete.
Thanë që ta restauronin diku jashtë, si për më mirë, por askush nuk e mori përsipër. I mbeti laboratorit tonë. Përpunova dhe eksperimentova shtatëqint e gjashtëdhjetë rrugë dhe nga ato përzgjodha atë që do ta çonte punën deri në fund, duke dhënë garanci absolute. Absolutisht asnjë mëdyshje për ta “parë më konkretisht kur të vinte momenti”, gjithshka e parapërcaktuar dhe ashtu u veprua pa asnjë problem deri në fund.
E kam tepër të vështirë të paraqes në një shkrim gazete punën e kryer. Jo vetëm se ka qenë një rrëmujë e vërtetë. Ajo nuk kishte rend, por kryhej ashtu siç e ipte rasti, e fundit në fillim dhe anasjelltas dhe e gjitha e bashkalidhur për të dhënë të tërën. Prandaj po e shmang këtë pjesë që zorr se i intereson kujt dhe po mundohem te shkruaj nëpërmjet të konkluzioneve.
Pësëri e kam të vështirë. Ndoshta do të jetë e mira që ta fillojmë nga fundi, pra nga mburoja e restauruar dhe që aty të depërtojmë në njohjen e saj dhe në punën e bërë.
Fotot dhe skicat që shoqërojnë botimin do të na ndihmojnë në shtjellimin e temës. E shoh të domosdoshme edhe paraqitjen në skicë të prerjes tërthore. Është në shtatë nivele: 1-Meduza, prej bronzi, 2-fleta metalike e sipërme, po prej bronzi, 3- material i zi lidhës dhe mbushës, 4-dru, 5-përsëri material lidhës, 6-lëkurë, 7-elementë bronzi, që shërbenin për ta mbajtur si dhe gjatë ecjes. Diametri: 72 cm. Trashësia në qendër rreth 2,5 cm, anash rreth 4 mm. Lartësia e kurbaturës nga plani 11-13 cm.
Gjëja e parë dhe mbi të gjitha ishte përfytyrimi i saj në lashtësi. Këtu nuk po i ipnim “kon”. U konsulltova disa herë në Gjermani, në Hungari dhe në Greqi. Vetvetiu që literatura e pasur …
Krahas përpjekjeve për konceptimin e mburojes, u punua edhe për njohjen e materialeve me të cilat ishte ndërtuar. Të gjitha pjesët metalike u analizuan për përbërjen kimike, mineralogjike dhe kristaline në Institutin e fizikës bërthamore, në Institutin e gjeologjisë, në atë te Kërkimeve ushtarake dhe në Fakultetin e shkencave të natyrës. Rezultatet e pritura me padurim treguan mjeshtërinë e prodhimit. Teknologji tepër e lartë për kohën e atëhershme! Mjeshtra të një përvoje të përzgjedhur gjatë viteve! Bronzi kishte përbërjen të tillë në bakër dhe kallaj që lejonte goditje të forta me çekiç pa dëmtuar fletën metalike. Tjetër ishte përbërja e elementëve konstruktivë, pjesë të sistemit të mbajtjes dhe tjetër përbërja e gozhdave. Sikur të ishin sot!
Materiali i zi lidhës dhe mbushës u analizua në Institutin Mbretëror të Pasurive Artistike Kombëtare në Bruksel, institut me famë botërore dhe rezultoi të ishte një masë bituminoze me vaj gjysëm të thatë, ku ishte shtuar edhe rrëshirë pishe.
Po në këtë institut u kontrollua në se ka qenë e lyer me ndonjë bojë lëkura dhe rezultoi që jo. E bëmë këtë kontroll sepse në literaturë thuhet se herë-herë lëkura në pjesën e mbrapme të mburojes lyhej me bojë të kuqe. Në rastin tonë nuk u gjet asnjë element kimik, që të përdorej në lashtësi në formë komponimesh, e që jep ngjyrë të kuqe. Veçse në ka qenë e ngjyer me të kuqen e purpurit! Ajo kur shpëbëhet nuk lë asgjë për ta identifikuar. Kështu na mbetet që të pranojmë faktin. Lëkura e përdorur ka qenë lëkurë nga bagëtitë e trasha dhe pikërisht lëkurë kau.
Në Universite Paris-Sud, në Laboratorin e hidrologjisë izotopike dhe në Laboratorin e datimeve me karbon 14 në Saklei si dhe në Institutin e fizikës bërthamore në Tiranë u përcaktua mosha. Po, është e periudhës së Aleksandrit të Madh!
Dhe këtu na u ngrit mëndja!
Mburoja është e tipit maqedonas. Të gjithë ata që mendojnë se është ilire, gabohen. Gabohen sepse forma dhe ndërtimi janë krejtësisht të mburojes maqedonase te shekullit te katërt para Krishtit. Vërtet që rrathët koncentrikë i gjejmë edhe në monedha ilire, por ky huazim nuk është pasaportë për të kaluar kufijtë e kulturave. Në mes të mburojes është koka e Meduzës. Mitologjia e shpjegon në një formë shumë tërheqëse. Perseu, mbasi ja preu kokën, e futi në një thes dhe i a dhuroi Athinasë, e cila e vendosi në qendër të mburojës së saj. Dhe kudo që ta shohësh Athinanë me mburojë, gjithmonë do të dallosh kokën e Meduzës në qendër të mburojës. Me sa duket Athinaja e bëri këtë me që koka e Meduzës kishte vetinë që të kthente në gur çdo njeri që do ta shikonte. Aleksandri i Madh ishte shumë i dhënë mbas këtij miti dhe dha urdhër që të gjitha mburojat në ushtrinë e tij, të kishin në qendër të tyre kokën e Meduzës.
E me që jemi tek Medusa, po merremi pak edhe me Meduzën e mburojës tonë. Ajo është realizuar në një fletë metalike dhe kapej me pesë gozhda në bazamentin nën të. Motivet janë punuar me dalta tepër të holla dhe të vogla, 2 mm të trasha. Ja, këto dalta i kanë kaluar nëpër vrraga për të krijuar flokët në formë gjarpërijsh, vetullat, etj. Si nuk kanë përtuar! Gjuha ka qenë e ngjitur me kallaj. Sytë e bardhë janë prej guri gëlqeror në formën e cilindrave të hollë, që ngjiteshin me kushedi se çfarë në pjesën metalike. Zakonisht përdornin dyllra bimorë. Edhe Meduza erdhi copë në laborator, por në foto është mbas përfundimit të punimeve.
Fleta e sipërme e mburojes është një e vetme dhe e shtrirë me rrahje. Mirëpo një studim në laboratoret e “Strukturës së materies” në Fakultetin e shkencave natyrore na detyron të biem në mendime. Në qendër ka një brimë. Aty ajo ka pas qenë mbërthyer përkohësisht gjatë punës në negativin e formës të saj. Ky negativ duhet të ketë qenë prej materiali jo shumë të fortë. Nga mbrapa është gërvishur e gjithë skema e zbukurimit. Pastaj zbukurimi është realizuar me rrahje, duke i dhënë profilin e ullukut. Në shtatë vende metali është çarë. U gjetën shtatë arna të ngjitura me kallaj.
Dekoracioni është nga ata që gjinden rëndom në lashtësi: rrathë koncentrikë dhe themtha. Për organizimin e dekoracionit kanë pas përdorur koefiçentin tre. Ashtu punonin në lashtësi, me koefiçentë të një munuri të përzgjedhur. Po ta shikoni me kujdes do të vëreni se gjithshka është tre, ose shumëfishi. Tre rrathë koncentrikë, gjashtë grupe gjithsej, tre themtha, (themthat janë ato si gjysëm sfera), madje edhe hapja këndore në themtha dhe në rrathët kocentrikë është 120 gradë.
Pra, dekoracionet janë në reliev. Kjo do të thotë që mburoja nuk është luftarake. Ato luftaraket nuk janë me reliev, sepse do t’u ipnin më shumë mundësi shigjetave. Luftaraket ishin të lëmuara, në mënyrë që të rrëshqisnin shigjetat. Dekoracionet i pikturonin me bojë të kuqe. Dhe vërtet kërkuam, por nuk gjetëm asnjë shenjë ku mund të ishte ngulur ndonjë shigjetë.
Rezulton që mburoja të jetë ceremoniale. Ai që e ka patur këtë mburojë ka qenë një njeri i rëndësishëm në Apolloni! Dhe kjo na e fut më tepër mëndjen në labirinthet e kuriozitetit. Por këtë çështje do ta shtjellojmë në fund.
Dy kanë qenë format e mburojeve maqedonase në atë kohë: me buzë dhe pa buzë. Kjo e jona është pa buzë. Gjatë marshimit ato me buzë vareshin në sup, këto të tjerat kishin nga mbrapa rrypin me lëkurë ku futej krahu dhe një spango paksa të lëvizëshme që kapej në grusht, e tërhiqej për ta tendosur. Spangoja kalonte nëpër tetë udhëzues, katër prej të cilëve në rastin tonë kanë në palmeta tipin e zbukurimeve më të arrira në atë shekull. Njëra u gjet e thyer dhe me mungesa. Nuk u gjet edhe njëri nga të katërt udhëzuesit e tjerë në formë rrethi. Kishte rënë kushedi se kur dhe ishte zëvendësuar me një të një lloji tjetër, por jo të panjohur në ato kohëra. Kuptohet se një mburojë nuk mund ta bënte një njeri i vetëm, sepse duheshin disa mjeshtëri. Ato prodhoheshin në punishte të specializuara dhe kjo është edhe një nga arsyet përse elementë të ndryshëm janë të njësuar.
Pjesa më e qëndrueshme e mburojës ishte ajo e brendëshmja, prej druri, ku montoheshin të gjithë elementët e tjerë përbërës të saj. Nuk e gjetëm, ishte zhdukur gjatë kohës së qëdrimit në tokë. Me këtë pjesë fillonte puna. Në anën e prapme ngjitej lëkura me materialin e zi bituminoz. Pastaj mbërtheheshin me gozhda elementët udhëzues për spangon dhe rrypi prej lëkure ku futej krahu. Në qendër ka patur gjithmonë një kuti prej argjendi, në të cilën futej ndonjë lutje për luftëtarin. Pra, ishte si punë hajmalie. Kjo pjesë nuk është gjetur, veçse në fletën prej metali duken gjurmat e ngjitjes me kallaj të një kutije katrore me brinjë rreth 5 cm.
Pastaj i vinte rradha montimit të fletës së sipërme. Edhe ajo pozicionohej me ndihmën e masës bituminoze, që luante edhe rolin e mbushësit për ulluqet e dekoracioneve, që ata të mos shtypeshin. Kjo fletë mbërthehej anash me 98 gozhda prej bakri, të gjitha të përthyera në të njëjtin drejtim. Së fundmi buza e mburojes qarkohej me një fashetë bronzi në formën e germës U, që e lidhte përfundimisht.
Tani, mbasi e përshkruam, po themi edhe disa pak fjalë për punën që mori vite të tëra, e që u shtri në periudhën kohore nga 1983, e deri në 2011, por jo pa ndërprerje. Realisht mori pak më tepër se njëzet!
Restaurimi i saj ishte një shartim i idesë dhe faktit. Edhe e kundërta: fakti drejt idesë. Është e vështirë t’i ndash. Për njëzet vjet ata kryqëzoheshin me njëri tjetrin në një rrjetë imagjinatash. Idetë qëndrojnë në ajër. Vite të tëra imazhi i saj qëndronte përpara syve, në hapësirë, në një lëvizje të papërcaktuar. Luhatje në mendime dhe imazhe! Dhe këto duhej të thëthiteshin nga rrëmuja e materialit, ose materiali të gjente vend në ide dhe imazh. Ka qenë e vështirë, tepër e vështirë! Kushedi se sa herë kjo lojë e papërcaktuar u përzie edhe me mjekun e urgjencës nga rritja e tensionit… Ndoshta, pa shumë filozofi, mund të thomi se me kohë u formua një si forcë centripetale që bashkoi imagjinatën me faktin. Aty filloi edhe puna konkrete, që zgjati aq shumë.
Gjithshka u pastrua nga papasteritë dhe mineralet e korrozionit deri në atë siperfaqe ku këto produkte korrozioni formonin atë që quhet patinë fisnike, një shtresë minerale sa më pranë asaj origjinale. Është si të thuash një harmoni midis ruajtjes dhe prishjes, midis asaj që ka mbetur dhe tendencës së transformimit natyror drejt niveleve më të ulta energjitike. Sot, të gjithë muzeumet e botës e kanë kthyer në postulatë këtë ekuilibër të brishtë. Ai nuk mund të mbahet vetë, do ta detyrosh. Do ta detyrosh nëpërmjet të reaksioneve kimike dhe pasivizimit të transformimeve. Nuk është e lehtë, jo vetëm nga rrethanat që krijohen si rrjedhojë e “plakjes” në tokë. Kimikatet që përdoren për këtë punë janë helme dhe njëkohësisht kancerogjenë. Do mendosh jo vetëm për objektin, por edhe për kokën. Të tilla ndërhyrje janë bërë në këtë mburojë. Vitet e kaluara gjatë qëndrimit në laborator dhe fakti që nuk u çfaq asnjë problem qëndrueshmërie vërtetuan se qëllimi ishte arritur. Mirëpo çështja nuk mbyllet me kaq. Do të duhet të mendosh edhe për personelin e muzeumit që do ta marri nëpër duar dhe për vizitorët. Edhe këto janë marrë parasysh. Qëndron më ndryshe puna e pasivizimit të disa reaksioneve kimike. Transformimet në tokë janë të tilla që krijojnë disa lloje mineralesh të qëndrueshëm në vetvete, por që kthehen në pluhur kur lagështia në mjedis është e lartë. Kësaj pune nuk ka se çfarë t’i bëjë laboratori, ajo krijohet në vitrinë, apo në sallat e muzeut nëpërmjet të ushqyerjes me ajër të kondicionuar, me kondicionerë jo nga ata që përdoren nëpër shtëpi, por profesionalë. Por puna është se muzeumet e Shqipërisën janë të pa paisur me teknologjinë e përshtatshme, kështu që rreziku i riprishjes mbetet “mbas derës”.
Më kujtohet se ka qenë tepër e vështirë, por jo problematike, lëvizja në bllok e fragmenteve deri në thërrime, sa nga një suport në një tjetër, pa ndryshuar asgjë nga pzicioni i gjetjes fillestare, përmbysja, organizimi i të tërës, pozicionimi, imprenjimi me lëndë forcuese.
U ndërtua një bazament sektori sferik, (po i bie shkurt, sepse ai ishte mjaft i komplikuar), mbi të cilin u “transferua me rregull” e gjithë moria e çrregullsisë së fargmenteve. Aty, për vite të tëra mburoja u formua në pozitivin e saj, që ka formën e saçit. Pastaj erdhi momenti më emocional, kur u shkëput me ngritje nga bazamenti. Mrekulli! E plotë, pa asnjë dëmtim! Që njëzetë e ca vjet më parë ishte parashikuar ky çast kaq delikat! Kishim dëshirë që në vend të drurit të munguar të formonim një strukturë të njëjtë në formë, por që të ishte e tejdukshme, në mënyrë që të ipte një strukturë hapsinore, ku të dallohej qartë ajo çfarë kishte mbetur dhe mënyra se si ishte ndërtuar mburoja. Por sado që kërkuam nëpër Evropë një material të tillë plastik, fillimisht të lëngshëm, e që pastaj të ngurtësohej, nuk e gjetëm dot. Kështu që u detyruam të përdornim rezinë poliester, në të cilën u trupëzuan shtresa prej tekstili xhami. Në këtë moment futa në masën akoma të pa forcuar të materialit plastik një pllakë prej bakri, në të cilën kam shkruar me gërvishje me dorën time një mesazh për restauruesit e vitit 2311, si dhe një foto. Mora të gjitha masat që ato të qëndrojnë të paprishura gjatë tre shekujve të ardhshëm. Kështu, pllaka prej bakri është amalgamuar me zhivë dhe pastaj është veshur me një shtresë argjendi dhe mbi të një shtresë ari. Që të mos lidhet me rrëshirën sintetike e dyllosa me dyll mikrokristalin në të nxehtë. Edhe fotoja gjithashtu. Gjatë punës u mendua edhe për ndonjë ndërhyrje të papritur. Për këtë arsye të gjithë elementët e mburojës nuk u lidhën pazgjidhshmërisht me rrëshirën: ata mund të smontohen lehtësisht.
Më në fund u bë edhe integrimi në ngjyrë i masës plastike, e cila e lënë në një nivel paksa më të ulët dallon realen nga e shtuara. Mbetej edhe tre ditë punë, gjthsej edhe tre ditë nga njëzet e ca vjet! Do të përurohej Muzeu i Apollonisë. U thashë të gjithë atyre që merreshin me përgatitjet që të mos e merrnin mburojën: ajo le të ekspozohej më vonë. Një ditë të shtunë e morën fshehurazi dhe e çuan në Apolloni, ku qëndron e ekspozuar si saç televizori në një vitrinë krejtësisht të papërshtatshme dhe jashtë projektit konservues, të llogaritur që në fillim.
Më kot kërkova nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ta kthente disa ditë në Tiranë mburojën, aq sa për të mbyllur punimet. Ndërsa ministria pyeste ata që nuk kanë punuar kurrë me të në se kanë përfunduar apo jo punimet! Sidoqoftë mburoja i bëri ndonja dy xhiro andej nga Italia dhe Kosova…
Kam patur rastin që të prezantoj punën në vazhdim e sipër në aktivitet të ndryshme, sidomos në ato të organizuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Kurioziteti në sallë ka vazhduar me biseda edhe më vonë në “coffee break”. E gjithë vëmendja përqëndrohej në kapërcimin e problemeve pa fund. E kuptoja se ishte më tepër nga një shkollë. Gjithashtu ka patur raste kur këtë mburojë e kanë vizituar në punë e sipër studiues në rang botëror nga shtete të ndryshme të Evropës. Mbas shpjegimit kam ndëgjuar pak fjalë: “Puuu! Frederik, kjo është çmenduri!” Ndërsa ndonjë nga kolegët e punës: “E mor, sikur çfarë ke bërë! Shumë e ke zgjatur!”
Mirë, tani le të kthehemi tek dy pyetjet më kurioze: kush ka qenë mbajtësi i saj dhe në se mund të lidhet me Aleksandrin e Madh.
Dihet që Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast edhe apolloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit zorr se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elementë kockorë tipikë të Lindjes. Por ka edhe dëshmi të tjera. Fatkeqësisht shumë objekte të këtij varri u vodhën në vitin 1992 dhe sot nuk i “thërrasim” dot në diskutim. (Shpesh herë kam menduar me keqardhje se pse nuk i mora në laborator të gjithë ato objekte që përbënin inventarin e varrit). Do të thoni se nga Lindja mund t’i ketë sjellë dhe tregëtia? Po, por është e vështirë të grumbullohen në një varr të gjithë ato lloj armësh që përbënin arsenalin e luftëtarit të asaj kohe dhe që mund të kenë preiardhje nga tokat përtej kufijve të Maqedonisë së atëhershme. Vite më parë, kur ndodhesha për një specializim në Muzeun numizmatik të Athinës, drejtori i atij muzeu, që ishte veçanërisht i interesuar për objektet metalike që u gjetën nga ushtarët dhe zboristët në atë varrin e pasur pranë Bellshit, më tregoi disa botime të ilustruar me foto, ku pashë forma krejtësisht të njëjta me ato të objekteve të Bellshit, që i pata restauruar dikur. Ai më shpjegoi se enët metalike që shihja në foto ishin nga Lindja dhe se Aleksandri i Madh i lejonte ushtarët e tij që të përvetësonin të gjithë plaçkën e gjetur në qytetet e pushtuara dhe kur nuk kishte aq plaçkë për të grabitur, ai u ipte si shpërblim ushtarëve materiale nga thesari i tij.
Armatimi i gjetur në varrin “e mburojës” është armatimi bazë, por gjithsesi jo i plotë i ushtarit të falangave. Kallçitë përshembull mungojnë. Pse? Nuk e thomi dot. Pra i varrosuri nuk ka qenë hoplit, por falangist. Me falangat e Aleksandrit të Madh duhet të ketë luftuar ai! Fantazinë dhe gjykimin na e shtyn më tej mburoja. Ajo, siç edhe e thamë më lart, është ceremoniale dhe jo luftarake. A mund ta konsiderojmë në mënyrë figurative si gradë, apo shpërblim? Pra ky ka qenë një njeri i rëndësishëm, ndoshta një prijës që ka komanduar ushtarët apolloniatë. Në mbyllje po thomi se ishte edhe i pasur. Veç të tjerave këtë e dëshmojnë sandalet metalike, që mund t’i mbanin vetëm të pasurit. Lëre pastaj objektet e tjerë aq të rrallë dhe cilësorë!
Akoma edhe diçka: a u varros thjeshtë dhe pa lënë asnjë shenjë përkujtimore, përshmembull një stelë? Këtë nuk e dimë, por në fund të murit të dhomës së vogël anësore të kishës së Apollonisë, pikërisht mbi themel, shihet një bllok i madh prej guri, në të cilin është gdhendur një mburojë e tipit pa buzë, një përkrenare dhe një shpatë. Të treja këto janë prishur më vonë, duke u goditur me daltë. Në muret e kishës dhe të manastirit dallohen dhjetra gurë me motive të marrë në rrënojat e Apollonisë. Guri me mburojën e gdhendur në të, në mos qoftë stela e varrit të “prijësit” tonë, na bën zë që në të ardhmen të zbulohet në Apolloni edhe një e dytë!
# # #
Ky është objekti më i vështirë që është restauruar, apo më mirë, konservuar, ndonjëherë në Shqipëri. Një punë e shtrirë në më shumë se njëzet vjet! Më tepër se dhjetë milionë lekë, në se do të bazoheshim në koston e së sotmes! A ja vlejti e gjitha kjo? Mburojen sot e ka jo vetëm Shqipërija, por e gjithë bota! Po mua, çfarë më mbeti nga i gjithë ky stërmundim? Mua? Asgjë!