Shkruan Dr. Enver Bytyçi /
Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë./
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, parlamenti serb dhe kryeministri i këtij vendi, Ivica Daçiç, kanë publikuar prej ditësh një “plan të ri” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ky dokument erdhi në piskamë pasi të dy kryeministrat loajalë, Thaçi dhe Daçiç, nënshkruan në Bruksel marrëveshjen që rregullon administrimin kufitar midis të dy vendeve në konflikt. Ndërkohë plani serb është konsideruar si “një model” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Me qëllim që të mos përceptohet si një herezi, ky platforma më e re e Serbisë është krahasuar herë me zgjidhjen në Katalonjë të Spanjës e herë me statusin e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë. Eshtë sponsorizuar një elaborim i gjerë dhe i thellë i idesë së modeleve, vetëm e vetëm që në Bruksel askush të mos trembet nga kërkesa e Serbisë për të krijuar një entitet shtetëror brenda shtetit të Kosovës.
Gazeta Blic e Beogradit njoftonte se Brukseli dhe ë….ashingtoni e kanë kritikuar këtë projekt, por asnjëri prej këtyre kryeqyteteve nuk e ka shpallur publikisht qëndrimin e tij kritik. Thjesht kanë sjellë në vëmendje se “Nikoliç dhe Daçiç e përdorin planin aktual për konsum të brendshëm” dhe madje disa thonë se edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi “po e përdor retorikën e tij kundërshtuese për përdorim të brendshëm”. Që të dy palët kanë si objektiv manipulimin politik të opinionit. Kjo dukuri ka qenë, është dhe do të jetë e dukshme në gjithë spektrin politik ballkanik. Kështu ndodh në Shqipëri, në Maqedoni, në Greqi, Mal të Zi, Bosnjë e nuk ka pse të mos ndodhë edhe në Kosovë e në Serbi.
Modelet e dështuara si “argument” i planit të ri serb.
Por në të gjithë këtë ballafaqim politik për t´i dhënë zgjidhje përfundimtare konfliktit në Kosovë e për Kosovën dalin disa hamendje, ose siç quhen në fjalorin filozofik, abstraksione. Më së pari ka nevojë të shpjegohet çfarë përfaqëson platforma serbe e krahasuar me rastin i Katalonjës dhe atë të Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës?
Sipas modelit katalonjas do të duhej që serbët e Kosovës në veri të saj e në komunat ku ata përbëjnë shumicën të merrnin të gjitha të drejtat e administrimit në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, policisë, të ekonomisë, energjisë, telekomunikacionit, si dhe në atë të medies. Shkurt, gjithë procesi i administrimit në këto komuna do të zhvillohej jashtë programeve politike e ligjore të qeverisjes qendrore të Prishtinës, çka nënkupton nën mbikëqyrjen dhe autoritetin de facto të Beogradit. Ndërkohë duhet vënë në dukje fakti se Katalonja ka planifikuar një referendum për pavarësinë e saj për vitin 2014, proces i cili nënkuptohet edhe në rastin e sërbëve të Kosovës, së paku të pjesës veriore të saj.
Ndërsa sa i përket modelit të Republikës Srpska të Bosnjës dhe krahasimeve me këtë model, platforma e Beogradit për Kosovën parashikon krijimin e dy dhomave të pushtetit legjislativ. Sipas projektit dhoma e komunave serbe do të bllokojë ligjet dhe formimin e institucioneve të Kosovës përmes parlamentit. Pra parlamenti do të funksionojë, nëse atë e jejojnë disa komuna me shumicë serbe, edhe pse këto komuna përbëhen prej një ose dy fshatrave. Tashmë eksperienca e Bosnjë-Hercegovinës është e njohur dhe Bosnja është shndërruar përfundimisht në peng i udhëheqësit serb të Bosnjës, Dodik, shkurt Sarajeva është de facto peng në duart e Beogradit. Në rastin e Kosovës edhe Prishtina parashikohet të vihet nën pretektoratin e Beogradit.
Më shumë sesa për Bosnjë-Hercegovinën Nikoliç dhe Daçiç kanë parashikuar që Kosova të jetë e demilitarizuar, të mos ketë ushtrinë e saj, ndërkohë që çeshtjet e sigurisë t´i administrojë një forcë mbrojtëse e Bashkimit Europian. Ky është thelbi i planit të Serbisë për Kosovën, përveç kërkesës së pranuar nga Prishtina për një status special të objekteve fetare e historike serbë në territorin e Kosovës.
Ndonëse plani më i ri është kundërshtuar në Prishtinë, vetë serbët në veri të Mitrovicës e shohin me skepticizëm. Blerim Shala, një nga politikanët dhe analistët më të formuar të Kosovës, i thoshte gazetës Koha Ditore se, nëse Daçiç do të këmbngulë në autonominë e veriut të Kosovës, atëherë delegacioni shqiptar do të tërhiqet nga bisedimet. Shala është njëkohësisht koordinator i “përhershëm” i këtyre bisedimeve. Dikur (1995) e kishte ngarkuar me këtë detyrë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, së fundmi e ka emëruar si koordinator kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Thaçi, nga ana e tij, e ka quajtur ëndërr të pareailzuar planin e fundit serb për Kosovën. Ndërsa për deputetin kosovar të parlamentit të Serbisë dhe liderin e serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, platforma e Serbisë për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë është e vonuar, pasi ajo është shpallur pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë. Ndërkaq Jakshiq e kritikon përmbajtjen e saj, pasi, siç thotë ai, kjo platformë nuk i përmbahet bindshëm rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Çfarë përfaqëson platforma e Beogradit?
Nga kjo paraqitje lind detyrimi të shpjegohet se çfarë pëfaqëson platforma e Serbisë për Kosovën? Historikisht Serbia, përfaqësuesit e saj shtetërorë, politikë, akademikët, autoritetet kryesore të Kishës, madje dhe shtabet ushtarake e policore të saj, kanë hartuar memorandume, platforma, projekte dhe plane të pafundme për Kosovën. Të gjitha, pa përjashtim, përfshirë dhe dokumentin e fundit të Daçiçit dhe Nikoliçit, kanë pasur dhe kanë synim shtrirjen e sundimit të Serbisë në Kosovë dhe në territore të tjera të banuara nga shqiptarët. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë viktimat e terrorit të projektuar në plane e projekte të panumërta e të njëpasnjëshme prej vitit 1844 e deri në vitin 1999. I pari plan për asgjësimin e shqiptarëve daton aty nga mesi i shekullit XIX, me Naçertanien e kryeministrit dhe ministrit të Serbisë, Ilia Garashanin. Pas tij janë formuluar dhe zbatuar disa projekte të tjera nga Cvijiç, Gjorgjeviç, Pashiç… Por kulmin e ka shënuar memorandumi i akademikut Vasa Çubrilloviç i 7 marsit 1937, me të cilin shqiptarët përfundimisht u klasifikuan si “mish i huaj në trupin e Serbisë”. Jo më pak racist ishte gjithashtu memorandumi i kryterait të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Dobrica Qosiç, i viti 1986.
Ndërsa plani i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë i janarit 1999 projektoi vrasjen dhe asgjësimin fizik të të gjithë shqiptarëve, duke e konsideruar si një aksion të papërfunduar më parë nga paardhësit e Milosheviçit. Ky i fundit u bë publik para disa muajsh, përmes një deklarimi të ish-ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila pranonte se kopjen e këtij dokumenti të zbuluar nga shërbimi i fshehtë e vendit të saj, ia kishte dorëzuar aso kohe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Se çfarë kishin në platformë këto projekte shqiptarët tashmë i kanë përjetuar në kurriz. Nëse ne harrojnë kaq shpejt mizoritë serbe në shpinën tonë, nëse harrojmë dhjetra mijë viktimat e qindramijë të shpërngulurit në bazë të këtyre platformave, atëherë ne duhet të pranojmë se kemi probleme me kujtesën historike, me vetëdijen e subkoshiencën tonë, duhet të pranojmë se meritojmë të ndëshkohemi nga çdo lloj pushtuesi, jo vetëm nga pushtues barbarë të tipit çfarë janë dëshmuar serbët në Kosovë.
Sepse në gjykimin tim plani i ri i Serbisë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim nga të gjitha planet dhe platformat e mëparshme. Dikush mund të thotë se kjo nuk është e vërtetë, pasi gjuha dhe modelet duken si atraktive dhe jo asgjësuese për Kosovën. Mund të arësyetohet se kohët kanë ndryshuar dhe se bashkësia ndërkombëtare është garante e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përvoja negative e Bosnjës është e mjaftueshme për të njohur faktin se bashkësia ndërkombëtare i përmbahet parimit të legalitetit dhe nëse palët bien dakort, çdo krizë, çdo ngërç, të gjitha pengesat për Kosovën bëhen dhe vlerësohen si legjitime.
Por nëse dikush niset nga forma e shfaqjes, atëherë do të duhet të pranojë se jo pak platforma të tjera antishqiptare të formuluara në Beograd nuk ishin marrë seriozisht në Perendim, pasi ata i kishin lexuar me nota melankolie planet serbe për asgjësimin fizik të shqiptarëve, Do të përmend vetëm një shembull. Askush nuk e mori shumë seriozisht memorandumin e vitit 1986 të Akademisë së Shkencave të Serbisë (Jugosllavisë). Por ai dokument nxiti dhe solli urrejtjen dhe konfliktin më të egër midis popujve, parasëgjithash midis shqiptarëve dhe serbëve. Kombi serb vuan edhe sot indoktrinimin që solli ai memorandum, sipas të cilit “shqiptarët përbëjnë kërcënim për Serbinë”. Dhe mbi të gjitha, nëse analizojmë përmbajtjen e referendumeve asgjësuese për shqiptarët të hartuara në Beograd, dokumenti i fundit nuk bën përjashtim në këto synime. Madje fryma e tij është po aq antishqiptare, raciste dhe motivuese, sa plani i Çubrilloviçit. Platforma e re serbe nuk niset nga parimi i mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse ato të drejta janë projektuar në planin Ahtisaari dhe janë reflektuar gjatë këtyre gati pesë viteve në pavarësi. Asnjë pakicë tjetër në botë nuk i ka të zhvilluara të drejtat e tij siç i kanë serbët në Kosovë.
Pasojat e politikës “së re” serbe në Kosovë
Platforma e re serbe, njësoj si ato të mëparshmet niset nga parimi i armiqësisë dhe qëndrimit racist kundër shqiptarëve. Në të gjitha programet serbe kundër Kosovës ka qenë projektuar prezenca e Serbisë në këtë vend. Të njëjtën gjë bën edhe platforma e shpallur së fundmi. Të gjitha projektet kishin në objektiv fillimisht asgjësimin e lirive politike, kombëtare e sociale të shqiptarëve dhe të njëjtin objektiv ka projekti i fundit i Beogradit. Me këtë projekt shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të popullsisë, vihen në mëshirën e një komuniteti që përbën vetëm 6 përqind të kësaj popullsie. Sipas të gjitha projekteve të dikurshme, më parë se t´u merrej shpirti, shqiptarëve u grabitej liria politike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe ekonomike. Kështu ndodh dhe me projektin e fundit të Nikoliçit dhe të Daçiçit. Ajo ngjason plotësisht me ligjet e Milosheviçit pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, ligje me të cilat jeta e shqiptarëve në Kosovë u kushtëzua nga dhuna e pakicës serbe në këtë vend e mbështetur prej Beogradit. Pra çeshtja se çfarë përfaqëson platforma e fundit serbe nuk ka dritëhije, është krejt e qartë, e lexueshme dhe pasojat e saj janë gjithashtu tragjike.
Nëse analizojmë pasojat, atëherë do të duhet të kuptojmë se me këtë plan Kosova bëhet de jure vasale e Serbisë. Vasalizimi vjen nga të gjitha pikat e planit, nga autonomia substanciale, nga vetoja e serbëve, nga mosfunksionimi i shtetit si një tërësi territoriale, nga bllokimi i ligjeve të zhvillimit e të integrimit dhe nga shumë aspekte të tjera. Beogradi merr përgjegjësitë dhe kompetencat e plota për ta administruar dhe kontrolluar jo vetëm komunitetin serb, por gjithë jetën politike, ekonomike e sociale në Kosovë, deri te telekomunikacioni. Ai dokument i zhvleftëson të gjitha marrëveshjet e derisotme, të cilat janë nënshkruar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe ndërkohë ende nuk janë implementuar. Përmes serbëve Serbia do të jetë e pranishme njësoj si në kohën e Milosheviçit në të gjithë territorin e Kosovës, do të kontrollojë të gjitha institucionet e saj. Dhe nëse nuk i kontrollon, do t´i bllokojë ato deri në asgjësimin përfundimtar të pavarësisë e të lirisë së shqiptarëve. Pasi të asgjësojë pavarësinë dhe lirinë e shqiptarëve, ajo do të përdor politikat që përdor sot në Luginën e Preshevës për t´i degdisur në Perendim e për ta boshatisur vendin prej tyre. Madje, nëse i vjen rasti, do të përdor ushtrinë dhe gjithë potencialin luftarak për t´i masakruar, asgjësuar dhe dëbuar shqiptarët. Dhe shpesh herë thuhet se rasti është mbreti i botës. Kush mendon se bota në një të ardhme të largët nuk ndryshon, ai gabon. Ndërkohë ndryshimet nuk vijnë gjithmonë në favorin e shqiptarëve. U dasht që të presim një shekull për të ardhur te koha jonë. Por kohën tonë do të duhet ta mirëpërdorim.
Përulja dhe përgjumja e Prishtinës
Nga kjo arësyetoj se në të gjitha rastet kur Serbia dhe Beogradi kanë hartuar plane e programe për asgjësimin e shqiptarëve, ne shqiptarët kemi pritur në derën e thertores “si cjapi te kasapi”. Nuk kemi mundur të bëjmë as rolin e viktimës, me qëllim që dikush në Europë me shpirt njerëzor së paku të na mëshironte. Kjo ka ndodhur se kemi bërë “cubin” pa qenë thuajse asnjëherë të tillë. Më ngjan se historia po na përsëritet edhe në këto kohë të vështira, kur Serbia kërkon me çdo kusht rikthimin e saj në Kosovë. Kur presidenti kroat ironizoi para disa ditësh përuljen e udhëheqësve politikë të Prishtinës ndaj faktorit ndërkombëtar, ai nuk e bëri këtë se i urren shqiptarët. Përkundrazi, Josipeviç paralajmëroi se përulja do ta rikthejë de fakto Kosovën nën sovranitetin e Serbisë.
Mësimet që na jep Bosnja janë shumë të qarta. Ky vend është bllokuar dhe nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Republikës Srpska. Në Marrëveshjen e Dayton-it parashikohet përdorimi i vetos dhe tashmë serbët bëjnë lojën e tillë, që ta lodhin komunitetin ndërkombëtar deri në atë masë sa të pranojë vullnetin e serbëve të Bosnjës për t´u shkëputur nga Bosnjë-Hercegovina dhe për t´u bashkuar me Serbinë. E njëjta gjë po ndodh me Kosovën. Beogradi e ka lodhur komunitetin ndërkombëtar me krizën e stërzgjatur. Asgjë më shumë të mos kenë bërë, udhëheqësit politikë dhe diplomatët serbë ia kanë arritur ta imponojnë te shumë protagonistë të diplomacisë dhe politikës perendimore idenë se “Mjaft më me Kosovën, tashmë duhet imponuar një zgjidhje, qoftë kjo edhe një zgjidhje e keqe për shqiptarët”.
Ndërkaq në Prishtinë, që prej kohës kur ndërroi jetë Ibrahim Rugova, askush nuk qe në gjendje të shfrytëzojë epërsinë morale të shqiptarëve në dobi të aspiratës dhe kërkesës për pavarësi të plotë e të pakontestueshme të Kosovës. Gjithçka mund të themi, por kontestimi për një kohë kaq të gjatë i pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë ka ndodhur kryesisht për fajin e udhëheqësve politikë të Prishtinës. Unë i kam kontestuar publikisht të gjitha veprimet e dhunëshme të Lëvizjes Vetëvendosja. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë kur thonë se “Udhëheqësit e korruptuar nuk mund t´i realizojnë aspiratat e shqiptarëve për liri e pavarësi”. Nëse një vend si Kosova udhëhiqet nga hajdutët dhe të korruptuarit, atëherë ai vend ve në pikëpyetje ekzistencën e shtetit, gjë që nuk ndodh me vendet njëmendësisht të pavarura. Korrupsioni dhe implikimi i politikës në trafiqe i ka shtuar asetet serbe kundër Kosovës, por edhe e ka lehtësuar palën serbe në dialog me Prishtinën. Ky është fakt dhe kjo duhet të marrë fund. Sa më shpejt, aq më mirë.
Llogaritë dhe hilet e politikanëve të Beogradit
Në Beograd mund të llogarisin se jo të gjitha pikat e planit asgjësues të lirisë së shqiptarëve mund të pranohen. Por Nikoliç dhe Daçiç do të ishin të kënaqur, nëse realizojnë qoftë dhe një pjesë të pikave të planit të tyre antishqiptar. Mjafton të ngulin “gozhdën e Nastradinit” në trupin e Kosovës. Ata mund ta dijnë p.sh se nuk mund ta ndalojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, por çfarë roli do të kishte ushtria në një vend ku politikisht sundon Serbia?!
Nëse vemë re qëndrimet e Daçiçit, shohim pelegrinazhin politik të tij. Aty ka cinizëm, hile, hipokrizi, mashtrim të klasit të parë. Sapo u evidentua çeshtja e zhdoganimit dhe doganimit në kufi, ai paralajmëroi se do të tërhiqej nga bisedimet, nëse nuk gjendej një zgjidhje. Dhe zgjidhja u gjet. Kamionët me mallra mund të hyjnë në veri të Kosovës, por nje thes miell nuk lejohet të kalojë pa doganë nga Vërmica në drejtim të Kukësit dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se qeveria e Kosovës qeveris me dy palë ligje, me dy modele, me dy masa. Që këtu fillon shkatërrimi i shtetit dhe i shtetbërjes. Dhe nuk janë domethënëse 100 milionë euro dëme që shkakton moszhdoganimi në Jarinjë, sa është domethënëse vënia në pikëpyetje e ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Duke lëshuar këtu, duke lëshuar aty, qeveria e Kosovës po e lëshon përditë e më shumë sovranitetin e saj në duart e Nikoliçit dhe Daçiçit. Atë që këta dy udhëheqës të Serbisë nuk mundën ta fitojnë me luftë, megjithëse masakruan dhjetra mijë shqiptarë, duket se kanë ndërmend ta arrijnë “me paqe”.
Para dy ditësh Daçiç bëri dhe një lojë tjetër. Ai gjoja iu hakërrye disa kritikëve në partinë e tij milosheviçiane për vërejtjet që ata i bënë udhëheqësit të tyre rreth politikës për Kosovën. Për të qetësonte partnerët ndërkombëtarë të mërzitur me planin e ri për Kosovën, Daçiç u tha atyre “Mjaft më “Kosova është Serbi”, të shpëtohet çka mund të shpëtohet”. Brenda një fjalie ai tribloloi në kuptimësinë e saj. Në një anë qetësoi perendimin, nga ana tjetër dha mesazhin se plani i ri serb është në tavolinë.
Nga e gjithë kjo analizë më duhet të vij në përfundimin se planet serbe hartohen në Beograd e zbatohen në Kosovë. Dikur ato i zbatonin serbët pa pyetur shqiptarët. Ndaj dhe shqiptarët mundën të bindin botën se janë viktimat e terrorit serb. Ndërsa në kohët e sotme, nëse bëhet qoftë dhe lëshimi më i vogël, plani më i ri serb do të mund të zbatohet në Kosovë vetëm me lejen e shqiptarëve. Kjo e ndërlikon shumë situatën ndër ne, sepse bota “nuk do të na lejojë as të qahemi”. Do na thonë “Ju jeni problemi”, “Ju jeni e keqja”, “Me ju nuk bëhet” dhe më në fund do të humbasim çdo mundësi që miqtë tanë ndërkombëtarë të na mbështesin në udhën e lirisë, të zhvillimit e të integrimit. Mundet që dikush të bëjë thirrje “për luftë” kundër Serbisë!!! Po çfarë vlere do të ketë kjo?! A mund ta risjellë lufta paqen?! Më duhet të them se kemi një histori humbjesh në luftra dhe ndërkohë shoh se kam ndjesinë e dhimbshme se do të humbasim jo pak edhe në paqe, pa dashur të luaj rolin e pesimistit të pandreqshëm.