Nga Fritz RADOVANI/
SURGITE, MORTUI !/
(ÇOHI, TË DEKUN !)
Vëndimet e padrejta t’Europës kundër tokave të Shqypnisë mbushin me mëni dhe egërsojnë zemrën e Poetit. Në furi të këtij idhnimi u siellet Shqyptarvet e u ep lajmin, tue brigue rrebtas plogështinë e tyne, e i grishë të rrokin armët, tue iu drejtue sidomos disa drejtuesve ma në shenj.
Kjo kangë shquhet përveç tjerash për sulm e fuqi dhe zbulon nji ndër vetitë qi ka Zana e Poetit.
Këta rreshta koment u bane nga kritiku i At Fishtës, letrari i njohun At Viktor Volaj O.F.M. në vitin 1941.
- Shqyptarë, a ndiet ? Europa, mrrutë e ndyt,
Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,
( Se cillës dreqi ia plasi të dy syt
E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)
E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit
Shkjevet t’ Balkanit urë t’u rrijn mbas sotit.
- Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Europa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,
Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa
E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:
Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.
- E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;
E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?
Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,
E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;
Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,
Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod m’ kamë.
- Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?
A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…
Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:
Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:
Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –
- Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej
Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,
A e ka uficiali kalin at’ a pélë.
- E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,
Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: –
Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue
Me malazez të shkyem a me serbjan:
Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh
Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.
- Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…
Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,
E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:
Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,
S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot
Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.
- Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun
Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa
T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun
Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa
Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,
E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!
- Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam… Ku jéni?…
Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…
Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,
E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!
- Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun
Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…
Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;
Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.
Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim!
- Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…
Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!
Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;
E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.
Ku themra e jote per Atdhé të shklase,
Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!
- Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde
Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!
Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,
– Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…
Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari
Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.
- M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i t’ biri t’ shkinës
Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn
Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:
A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;
Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,
Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?
- Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri
Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,
Aty kufin e ka, per ball me Viri,
E ké me pá ti atëherë, se rrokullija
Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;
Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.
- Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,
Pse Perendija s’ ka me u lanë me u thye.
T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra
E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.
Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,
N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!
- E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,
Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli
Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë
E nami i sajë per jetë u trashigoftë!
- Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri
E porsi krandja e that n’ nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal me vrri
Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me zâ,
Kushdo Shqyptar, qi s’ brohoritë me uzdajë
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Saj!
Shenime nga At Viktor Volaj: Strofa 5. Shka bajn Shqyptarët?… Nuk duht harrue se Fishta asht Poeti kombtar i fisit në kuptimin ma të haptë të fjalës, asht Poeti qi mërrijti në sferën ma të naltë të artit thjeshtë shqyptar, tue këndue trimninë e fisnikinë e kombit, por njiheri edhe tue përdorë vishkullen djegëse kundër nji frote të vdekun në shpirt ase të shitun të huejve.
Strofa 12.Toptan: Esad Toptani. Dashunija ndaj Atdheut e rreziku qi i kërcnohet e bajnë Poetin e ndërgjegjes kombtare me harrue çdo ngatrresë e trathti të këtij njeriut dinak e ambicjoz, mbi të cillin historija e Rilindjes s’onë kombtare do t’endë fletë të zeza. Taraboshi: mal në anën Prendimore të Shkodres, ku u zhvilluen luftime të rrebta, gjatë shtatë muejve të rrethimit të Shkodres. Prijës i ushtrisë shqiptare kjé Esad Pasha e Komandant i Pergjithshem Hasan Riza Pasha, i cili mbasi mori vesht vendimin e Londres, mendoi me e shpetue Shkodren, tue ngritë Flamurin e Shqypnisë, por Esadi, qi kishte nji lidhje të mëshehtë me Malin e Zi, shtini dhe e vrau tradhtisht (30 Kallnor 1913). Me 23 Prill 1913 i dorëzoi Shkodren Malit të Zi.
Shenim(F.Radovani): Kur po udhtonte me vaporr me shkue n’Itali për studime Prof.GaspërUgashi, në vitin 1935, ishte në nji kabinë me At Fishtën, mësuesin e vet në Shkollën Françeskane. Gjatë bisedës për këte poezi Prof. Gaspri e kishte pyet se, mos asht pak e randë fjala qi i ké vue Europës pranë (shkerdhye)?
– Fishta i ishte përgjegjë: “Asht kenë fat i madh qi jam kenë thirrë prej Zotit për Meshtar, se, po mos t’ishe me ketë zhgun veshë, asnji prej poezive të mija nuk do t’ishte e mujtun me u lexue lirëshem për shka më vjen në mend me shkrue për mbrapshtitë e padrejtësitë e Europës perkundrejt Shqypnisë….”.
Melbourne, Maji 2017.