Ish Kryeministri Berisha kërkoi dje vënien para ligjit dhe drejtësisë të të gjithë kriminelëve që sot drejtojnë qeverinë dhe mazhorancën. Përmes një reagimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha theksoi se vetëm protestat popullore do të mund të shpëtojnë vendin nga kthetrat e krimit. “Kur krerët e legjislativit dhe ekzekutivit, tashmë të mbytur nga krimi i tyre, të akuzuar, siç është rasti i Ilir Metës se ka paguar për të ekzekutuar dy deputetë të Parlamentit, kërkojnë të shpëtojnë, duke manipuluar me dhunë policore dëshmitë dhe dëshmitarët e aferës kriminale apo duke përdorur të famshmen “fajin e ka Saliu”, imagjinoni ju lutem se çfarë mund të bëjnë këta për secilin prej jush apo fëmijët dhe familjarët tuaj.
Prandaj ju bëj thirrje të ngrihemi dhe me protesta mbarë popullore të shpëtojmë vendin nga kthetrat e krimit në pushtet e të çojmë para drejtësisë dhe ligjit kriminelët në krye të mazhorancës së qelbësirave!” shprehet Berisha. Ai denonocoi faktin se Rama, Tahiri dhe Meta kanë zgjedhur rrugën e manipulimit të dëshmive për ti shpëtuar akuzave të rënda që i implikojnë në akuzat e bëra nga deputeti Tom Doshi.
“Këshilli i vrasjeve ka zgjedhur si rrugë shpëtimi manipulimin e dëshmive dhe të famshmen “fajin e ka Saliu”! Ilir Meta pranoi dje se është projektuar eliminimi i Doshit. Por ndonëse Doshi akuzon vetë Metën dhe doresi ka akuzuar në dëshminë e Doshit, por dhe tek Saimir Tahiri vet Metën, ky i fundit së bashku me Ramën, mendojnë se do ta kalojnë, me moton e tyre qesharake “fajin e ka Saliu”, duke faktuar edhe më shumë autorësinë e projektit kriminal të eliminimit të dy deputetëve të Parlamentit shqiptar.
Përveç kësaj, fija tjetër e barit ku kapet Meta për të hedhur lumin është manipulimi me policët e partisë i dëshmitarëve dhe dëshmive, implikimit personal, direkt. Këtë njoftoi dje në “Opinion” papagalli i “pavarur” i Metës, që paguhet me paratë e takspaguesve për të mashtruar shqiptarët duke bërë avokatinë si i “pavarur” të aferave korruptive dhe kriminale të bosit të tij në krye të Parlamentit!” thekson Berisha në reagimin e tij.