TIRANË, 13 Mars/ Partia Demokratike akuzoi të enjten kryeministrin Edi Rama se po shkel vendimin e qeverisë për Ditën e Verës, duke urdhëruar shkollat në Tiranë që të thërrasin nxënësit nesër në aktivitetin e planifikuar, edhe pse është pushim zyrtar.
“Dita e Verës është pushim zyrtar, por dhe pse ka në fuqi një vendim të tillë, Edi Rama u ka kërkuar shkollave, që tashmë i ka të gjitha nën kontroll partiak, që të mbushin nesër radhët e eventit të tij. Me këtë përpjekje të dëshpëruar, në kohën kur ai vetë dhe qeveria e tij kanë humbur mbështetjen e publikut, kur pakënaqësia dhe protesta kanë zënë vend në gjithë Shqipërinë, Edi Rama kërkon të shfrytëzojë nxënësit e shkollave në Ditën e Verës, për t’u dukur se gëzon mbështetje”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Sipas saj, me këtë vendim, kryeministri Rama po shkel një nga premtimet e tij elektorale, më të zëshmin nga ato, kur përbetohej se nxënësit dhe shkollat nën qeverisjen e tij nuk do të shfrytëzoheshin politikisht.