• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAGJIA SI FLOÇKA E UJËRAVE KA ZBRITUR NË VOLOREK (DRILON)

June 25, 2018 by dgreca

1 Lasgushi & Pellumbi.JPG1 Volorek.jpg1 Pellumb

NGA PËLLUMB GORICA/*

Unë e di se kush vjen në Pogradec nuk mund të mos largohet edhe pa shijuar vizitën  në Volorek (Drilon), se është sikur të mos kesh ardhur fare aty dhe bukuria të është vjedhur prej syve. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura turistike të Natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar” për këdo, veç jo për pushtetarët e sërës së lartë dhe tashmë tërheq çdo ditë me qindra vizitorë, të dashuruar me të.

Panorama tërheqëse dhe piktoreske e Volorekut të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, me kërshëri tundimi, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë shumë herë në fillim të Viteve ’90, ndaj edhe shumëllojshmëria e kujtimeve dhe të asaj kohe, kaq natyrshëm, të rrjedh si ujëvarë, por mjediset kanë ndryshuar në përshtatje me ndërtime të reja. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar, po shpërfytyrojnë jo bindshëm panoramat e bukura, të cilat humbasin vlerat dhe mund të kthehen në antivlera duke i shkatërruar. Aty vështron një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizimin pa kriter të ndërtesave e cila nuk duhet të ketë vend në asnjë mendim tolërant.

Voloreku shtrihet pranë liqenit, me valët i numëron pa u lodhur në breg, si një shushurimë e lehtë dhe ndodhet  pak kilometra nga qyteti i Pogradecit,  aty ku simbolet e reja të zhvillimit modern; pallate shumëkatshe me konstruksione të ndryshme arkitekturore, skulptura, parqet, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë decorative që ndërthuren me ndërtime të vjetra. Pogradeci njihet për shpirtin e veçantë poetik dhe liqenin, i cili jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, është një lloj pasqyre për bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorëve u pëlqen ta emërtojnë “gjoli“, duke ruajtur autoktoninë e vjetër shqipe të kësaj fjale. Por, më shumë njerëzit e këtij qyteti gjuhën e kanë të ëmbël dhe mburren me këtë pasuri shpirtërore e poetin Lasgush Poradeci, që derdhte në vargje emrin “liqeri”, të cilët identifikojnë njëri-tjetrin, si një binom i trupëzuar. Duke kundruar liqenin që llokoçit lehtë në breg valët, që aq bukur i këndoi Lasgushi dhe të përkëdhelur nga flladi i Malit të Thatë fytyrat emocionohen e të kumbojnë vargjet e tij, ku ai ka derdhur dhimbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

Liqeri i shkretë e rrit tallazin porsi det
E shpirtin duke më përcjellë më thotë se:
Ah! Shih sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”
Voloreku, që ekspozon një panoramë magjepse, si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite, si një kartolinë shumëngjyrëshe, të jep një ndjesi mjaft pozitive, me privilegje të së bukurës. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati i dalldisur, të rrëmbejnë fluturimthi e befasishëm dhe të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dekorative dhe me shtrirje përgjatë ujërave të qeta e të kristalta, si loti i syrit zbritur nga burimet e malit të Thatë. Kundërmimi erëmirë i luleve, romantika mahnitëse, sa reale, aq edhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit dhe varkat e vogla, si mbi një shilarë natyror, në sipërfaqen e kthjellët, (shto këtu spektaklin e pllaquritjes së mjellmave me përplasjen e krahëve të gjatë mbi ujë, ku valët e lehta që linin pas, përplaseshin në brigjet, por edhe të peshqve, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë) me simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pentagramet e pemëve, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.
E shijon më bukur prarimin e magjishëm të kësaj Natyre, kur edhe
Dielli i Verës, me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyhen në ujrat e reflektojnë mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Ndaj, me syrin e memories së aparatit fotografik, e përjeton këtë Natyrë dhe shushurimën e patrajtshme të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos ujërat.

Si një perlë, Voloreku në çdo stinë pret e përcjell pushues të shumtë, të cilëve u pëlqen të kalojnë çaste në qetësinë e tij, jo vetëm në pranverë, ku trëndafilat e parfumosin, apo në Verën e praruar nga rrezet e diellit; Vjeshtën me larminë e ngjyrave dhe freskinë, që të ledhaton butësisht; por edhe në Dimrin me bukurinë e veçantë të bardhësisë verbuese të borës, si një këmishë dhëndri e vello nuse. E zbukurojnë këndshëm edhe bar- kafetë, restorantet e hotelet, që i japin atij një pamje të gjallë e gazmore dhe të afrojnë meny tradicionale (dhe atë që është me rëndësi), përkujdesjen e veçantë. Dhe gumëzhin nga lëvizjet e vizitorëve, të apasionuarve të përhershëm të tij, që i bëjnë miqësi, të shijojmë me ecjaket pastërtinë, ngjyrat, qetësinë, flladin e përkëdheljen e pllaquritjen e e ujërat të kristalta. Qëndrojmë ca çaste aty e nuk ja shkulim sytë pamjes së tij tërheqës e mbi të gjitha ulur diku në bar- kafetë duke ‘’kuvenduar” me gota vere për të shijuar peshkun e famshëm Koran.
Voloreku është pra, një poezi që meriton të interpretohet. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare që gjithkush e viziton, gjen dhe Parajsën e shpirtit të munguar!…

*Per me shume foto shih ne fb(dielli vatra)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bukurite e Drilonit, Pellumb Gorica, Pogradec

Shqipëri-Reshjet e shiut, probleme në qytetin e Pogradecit

October 23, 2015 by dgreca

Rikthimi i reshjeve të shiut ka sjellë sërish përmbytje në rajonin juglindor. Pesë familje në qytetin e Pogradecit në orët e para të mëngjesit janë gëdhirë në mes të ujit, i cili ka përmbytur banesat e tyre. Banorët me fëmijë mes të cilëve një foshnje tre muajshe kanë mbetur në qiell të hapur pasi ambientet ku ata jetonin janë mbuluar nga uji, i cili u ka shkatërruar gjithë pajisjet e shtëpisë. Shkak i përmbytjes duket se është bërë devijimi i ujrave të stadiumit të qytetit në kanalizimet e këtyre banesave. Banorët të mbetur në mëshirë të fatit tregojnë se nuk kanë ku të shkojnë dhe apelojnë për ndihmë. Përvec këtyre familjeve ujrat e shumtë kanë vërshuar edhe në rrugët e qytetit duke sjellë vështirësi për kalimtarët dhe mjetet.

Filed Under: Kronike Tagged With: Pogradec, reshje shiu

PERMBYTJET NE SHQIPERI- Pogradec, humb jetën një grua

February 6, 2015 by dgreca

Pritet tjetër përkeqësim i motit në 48 orët e ardhshme. Kryeministri Rama kërkon ndihmën e Bankave për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet në jug Kërcënimi nga moti i keq nuk është lënë ende pas krahëve, ndërsa sot u shënua dhe viktima e parë. Një grua 38 vjecare në Pogradec, humbi jetën ndërsa u rrëmbye nga rjedha e lumit që kishte dalë nga shtrati. Dy ditët e ardhshme pritet të rëndojnë situatën e cila 24 orët e fundit pati një përmirësim për shkak të ndërprerjes së reshjeve. “Moti nuk do të jetë aspak i favorshëm as 48 orët e ardhshme dhe sipas parashikimeve meteorologjike duhet të presim më të keqen”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.
Dëmet e shkaktuara në zonat e jugut janë të konsiderueshme, ndonëse ende nuk ka një bilanc të qartë. Kryeministri Edi Rama u takua sot me drejtuesit e bankave që veprojnë në vend për të kërkuar edhe mbështetjen e tyre ndaj fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e që kanë marrë kredi për aktivitetin e tyre. “Kërkesa jonë ishte e qartë: Të gjithë këta kredimarrës duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Për të bërë të mundur që në ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj bankave”. Kryeministri u shpreh se kishte marrë përgjigje pozitive nga Bankat të cilat së bashku me autoritetet dhe guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, do të hartojnë një marrëveshje të posacme për fermerët kreditorë.
Pas vizitës së djeshme në zonat e prekura nga përmbytjet, presidenti Nishani sot e vlerësoi problematike gjendjen e krijuar. Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve për nevojën ose jo të sjhpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ai la të kuptohej se po të kishte qenë kompetencë e tij do ta kishte bërë një gjë të tillë, duke vlerësuar megjithatë pozitivisht masat e marra deri më tani. “Institucionet përgjegjëse të emergjencave, të shpëtimit të jetës së njerëzve, por dhe të komunikimit ishin pranë njerëzve, ishin marrë masa dhe pikërisht dhe për shkak të marrjes së këtyre masave nuk ka pasur humbje të jetës së njerëzve”, deklaroi presidenti Nishani.
Por opozita vazhdon të këmbëngulë se situata nuk është aspak e favorshme dhe se qeveria nuk ka një plan të qartë masash dhe se sipas saj kërkon me cdo kusht të shmangë zhdëmtimin e banorëve.“Kryeministri ka treguar se ka një dhe vetëm një shqetësim: si të mos u japi dëmshpërblimin banorëve. Por kërkesa jonë nuk ka të bëjë vetëm me dëmshpërblimin. Ka të bëjë me faktin se gjendja e emergjencës është pikërisht ajo që aktivizon planin e emergjencës, shtabin qendror të emergjencës, planin konkret të masave, fondet speciale të emergjencës së shtetit. Eshtë e vetmja gjendje që na kualifikon në sytë e Qendrës operacionale europiane për ndihmë”, theksoi kryetari demokrat Lulzim Basha.
Por kryeministri përsëriti sot dhe një herë se “ne nuk do t’i shmangemi asnjë detyrimi që do të burojë nga inventari real i dëmeve. Sikundër, ne do të mobilizojmë forcat dhe burime si asnjëherë më parë për t’iu gjendur pranë njerëzve në kurimin e plagëve imediate dhe për të kuruar dhe shëruar plagët që rrezikojnë të dëmtojnë edhe ekonominë e gjithë atij territori në afatmesëm”, u shpreh zoti Rama.

Filed Under: Kronike Tagged With: grua nga përmbytjet, humb jetën një, Pogradec

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT