• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Producenti amerikan i mahnitur me polifoninë shqiptare

August 7, 2016 by dgreca

Joe Boyd, producent amerikan mjaft i njohur që jeton në Londër, flet për vlerat e muzikës polifonike shqiptare, për festivalin e Gjirokastrës dhe qytetin ku ka lindur shkrimtari Ismail Kadare.

Në një intervistë të gjatë për BBC, ai rrëfen historinë e gjatë se si ra në kontakt me muzikën polifonike dhe kur për herë të parë dëgjoi disa këngë në vitin 1988, kohë në të cilën vendi ynë ishte i izoluar si pasojë e regjimit komunist.

http://www.bbc.co.uk/programmes/p043kqk1

Jam i mahnitur, shprehet ai, nga muzika në tërësi dhe Shqipëria për mua ka qenë gjithmonë një vend misterioz për shkak të izolimit.

“Kisha marrë informacione të pakta lart e poshtë, derisa në vitin 1988 një person mu afrua dhe më dha një kasetë video, këtu flasim për periudhën kur Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist. Në të kishte pamje të festivalit të Gjirokastrës. Ai e kish siguruar këtë video-kasetë pasi shoqërohej me disa shqiptarë të cilët punonin në televizion. E vendosa në video-regjistrator dhe pashë kalanë e Ali Pashës e flamuj kuqezi që valviteshin në një zonë malore të mbuluar me dëborë, ndërkohë që grupe polifonike, të përbëra nga këngëtar me qeleshe në kokë të cilët këndonin këngë popullore, dhe të them të vërtetën ishte magjepsëse. Në atë moment i thashë vetes, unë do të shkoj një herë në atë festival”, thotë Boyd.

I mahnitur nga muzika polifonike shqiptare, kultura , folklori dhe natyre, Boyd me në fund vendosë të shohë nga afër këtë realitet, një vizitë të cilën e quan aventura ime shqiptare.

Sipas tij, Gjirokastra është një qytet spektakolar, është i famshëm për faktin se poeti i njohur shqiptar Ismail Kadare ka lindur aty dhe gjithashtu cilësohet si qyteti i gurtë. “Është i vendosur pranë maleve dhe festivali zhvillohet pikërisht në mal. Të gjitha ato pamje që kisha parë në video në 1988, arrita më në fund ti përjetoja kur vizitova Gjirokastrën”, shprehet Boyd.

Rrugët me kalldrëm, përshkruan ai, ishin vërtetë të veçanta, me kafenet e vendosura në krah të tyre. Çdo natë, vijon Boyd rrëfimin, mijëra njerëz ecnin drejt kështjellës së Ali Pashës, dhe kur dëgjoje muzikën i rrethuar nga malet boydpranë shumë njerëzve, ishte vertete një nga eksperiencat më të paharrueshme.

Muzikanti dhe producenti i njohur ka studiuar gjithashtu muzkën shqiptare, origjinën e saj dhe influencat nga fqinjët, por sipas tij në vetvete pavarësisht të gjithave, ai e quan unike muzikën tonë popullore.

Muzika shqiptare , thotë Boyd, ka pak influence por nuk i ngjan asaj turke. “Gjuha shqipe së bashku me atë baske dhe Gjeorgjiane është ndër gjuhët më të vjetra në Europë, Shqipëria është një vend antik me kulturë të vjetër, dhe i izoluar për shkak të pozicionit gjeografik e politikës, dhe pavarësisht se muzika aty është ndikuar disi nga ato sllave, greke e bullgare, në vetvete është unike, me tekstet dhe notat e mrekullueshme që ka, po ashtu ka shumë variacion mes muzikës së veriut dhe jugut të Shqipërisë, por unë personalisht jam më shumë i dhënë pas këngëve polifonike të zonës së Jugut”, nënvizon ai.

Joe Boyd rrefen mbresat e festivalit e Gjirokatres të cilin e ndoqi live vitin e kaluar dhe se si arriti të cojë në Londër muzikën polifonike shqiptare.

“Para një viti më në fund, arrita të isha i pranishëm në festivalin e Gjirokastrës dhe mbeta i mahnitur, aq sa kur i tregoja miqve te mi ata bënin shaka me mua, por kur i ftova të vinin ta shikonin mbetën mjaft të kënaqur nga muzika e festivalit dhe ambienti përreth, dhe më thanë mblidh një grup shqiptarësh që këndojnë në këtë festival e merri të performojnë në Londër”, tregon ai.

I dëgjova, e vijon bisedën Boyd, dhe atë bëra i ndihmuar edhe nga bashkëshortja ime. “Sëbashku me disa miq të mi të cilët janë eskpertë të muzikës shqiptare ndërtuam një grup me përformuesit dhe këngëtarët më të mirë të muzikës me saze në Jugun e Shqipërisë. Pastaj menduam se duhet të rregjistronim dicka për ta promovuar ardhjen e tyre, kështu që lancuam fushatën me emrin “dita e sazes”, dhe u munduam të siguronim paratë për të rregjistruar një album”, thotë Boyd.

Por producenti është i mahnitur edhe nga subjekti i këngeve, nga mënyra si trajtohet dashuria mes djalit dhe vajzës, por edhe përzierja e dy zerave me dy intrumente.

Sipas tij, kjo është një pjesë e një kënge me saze e cila flet për një djalë që admiron një vajzë teksa ajo del nga banesa e saj, madje është i dashuruar me të, megjithëse ajo nuk i kushton vëmëndjen e duhur, është një këngë shumë e bukur.

boyd2Ajo çfarë e bën unike, thotë ai, është përzjerja e dy zërave dhe instrumenteve, kjo është polifonia e jugut ku ke disa vija melodike të ndryshme që i japin muzikës shqiptare një ndjenjë krejtësisht të vëçantë. Ai shpreh besimin se në botë muzika autentike zë një hapësirë jo të madhe, megjithatë njerëzit janë në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të diçkaje të re e të pazbuluar, ndërsa shpreh mendimin se ka ardhur koha e Shqipërisë, pasi ajo çfarë ata krijojnë është e mrekullueshme.

“Muzika ballkanike është shumë e njohur dhe ka pushtuar tregun, mendoj se edhe Shqipëria duhet të jetë po aq e famshme”, vlerëson Boyd.

Megjtihatë, sipas Boyd ka edhe probleme me muzikën shqiptare, sic është ajo turbo folk e përzierë me elektonike.
Sipas Boyd, problemi më i madh i Ballkanit është ajo çka quhet turbo-folk, pra muzika popullore e përzjere me elektronike, dhe ekziston edhe në Shqipëri.

“Të them të drejtën nëse ata që prodhojnë muzikën e vërtetë të folklorit shqiptar do të zhvillonin një koncert në Tiranë, nuk besoj se do të kishte shumë spektatore, pasi muzika polifonike cilësohet tashmë si diçka e dalë mode, kjo ka ndodhur edhe me kultura të tjera, për këtë arsye duhet një sy që vjen nga jashtë për të kuptuar vlerat e kësaj muzike”, thotë Boyd.

Këtu, ai sjell në vëmendje rastin e Kubës, ku të huajt thonë që është fantastike, ndërsa vendasit nuk e vlerësojnë, më pas kur i vihet në dukje thonë, në fakt nuk është edhe aq keq.

Filed Under: Kulture Tagged With: Joe Boyd, perla, Polifonia shqiptare

POLIFONIA SHQIPTARE NUK KA PSE TË RIPAGËZOHET

April 10, 2016 by dgreca

Nga Nelson R . Çabej/

Dje në shtypin shqiptar u botua letra e hapur e zotit Fitim Çaushi, drejtur kryeministrit Edi Rama, në emrin e tij e të dhjetë shoqatave atdhetare e kulturore, në të cilën i kërkon që të hiqet termi “iso-polifoni shqiptare”, që në mënyrë arbitrare dhe pa miratimin e instancave kompetente dhe institucioneve shkencore, u fut në vitin 2002. Autori i letrës e motivon nevojën e këtij ndryshimi me implikimet serioze që ka termi ‘isopolifoni’ në identitetin kulturor e kombëtar shqiptar.

Kjo letër më shtyu të shpreh edhe unë këtu mendimin tim modest për këtë çështje.

Eshtë shumë paradoksale që në ndonjë rast ne si popull nuk kemi njohur vlera të vërteta të trashëgimisë sonë kulturore dhe jemi bërë të vetëdijshem për to vetëm pasi na i kanë treguar të huajt.

Në mënyre paradigmatike kjo ilustrohet nga shëmbëlli i polifonise shqiptare. Para se të niste vlerësimi zyrtar i polifonisë me zhvillimin e festivaleve folklorike nga fundi i viteve 60te, fillimi i një  kënge polifonike popullore nga shumëkush pasohej me shprehjen ’Tani do fillojë shiu”.

Në atë kohë etno-muzikologu britanik Albert Lloyd i kërkoi nën-drejtorit të Institutit të Folklorit, të dërgonte në një festival botëror të këngës popullore që do të zhvillohej në Londër, grupin polifonik të Xhevat Avdallit, duke i shprehur bindjen e tij, si kryetar i jurisë, se do të fitonte çmimin e parë. Kërkesa e tij u refuzua sepse ai grup ”nuk përfaqësonte denjësisht muzikën tonë popullore” dhe çmimi u fitua nga një grup popullor bullgar.

Tanimë ato kohë kanë kaluar dhe të gjithë ne e dimë natyrën unikale dhe origjinalitetin shqiptar të polifonisë sonë popullore, kësaj perle të pakrahasueshme të kurorës kulturore të popullit tonë të lashtë. Tanimë, me meritë të padiskutueshme, UNESKO e ka futur atë në thesarin e kryeveprave (masterpiece) të kulturës shpirtërore botërore

Vite më parë në Vjenë, etnografi dhe etno-muzikologu austriak Dietrich Schüller, drejtor i Fonogramarkivës së Akademisë së Shkencave të Austrisë, në përgjigje të pyetjes se çfarë vlerësonte mbi të gjitha në këtë polifoni, më tha se është e habitshme shkalla e lartë e sofistikimit që ka arritur ajo, sidomos në polifonine 4-zëshe të grupit të rajonit të Labërisë. Dhe shtoi se kjo sigurisht është një tregues i një jete shoqërore të zhvilluar në trojet shqiptare në të shkuarën.

Polifonia jonë, karakteri origjinal i saj dhe ndikimi i saj në polifonitë relativisht modeste të vëndeve fqinjë, janë vënë në dukje nga shume studiues të huaj. Në Enciklopedinë Amerikane 10-vëllimshe të muzikës, në zërin e polifonisë, lexojmë se polifoni dy-zëshe ka edhe në Itali edhe në Sllovaki, në Bullgarinë perëndimore, Maqedoni dhe Greqi, etj. e madje në rajonin e Kosturit ka një grup bullgar që këndon me tre zëra, por shktuhet më tej, ata ”e kanë huazuar këtë nga polifonia toske”. Në artikull theksohet se ”madhështore është polifonia 4-zëshe e rajonit të Gjirokastrës” (magnificient is the polyphony of the region of Gjirokastër).

Po të shikosh përhapjen e polifonisë shqiptare, ajo tregon qartë atë model (pattern) që ka vënë re së pari etnomuzikologu i shquar shqiptar, Ramadan Sokoli, sipas te cilit Labëria përfaqëson qendrën e polifonisë shqiptare me 4 zëra dhe, duke u larguar prej asaj qendre, ajo bie në polifoni me tre e me dy zëra, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Studiuesi shqiptar i polifonisë, Eno Koço, citon muzikologen gjermane Doris Stockmann që ka kryer kërkime dhe regjistrime në magnetofon të këngëve polifonike në shumë treva shqiptare nga fundi viteve 50-të. Në artikullin e saj mbi muzikën e çamëve të Shqipërisë së jugut (Zur Vokalmusik der südalbanischen Çamen), ajo thekson se muzika kishtare bizantine mund ta ketë marrë ison nga polifonia shqiptare. Dhe me të vërtetë, po të ishte e kundërta, atëhere qendra e polifonisë në Ballkan do të ishte diku në Thrakinë bullgare e greke e jo në Labëri qe gjendej në periferi të Bizantit e në skajin e kundërt ballkanik të Konstantinopolit.

Lashtësinë ilire të polifonisë shqiptare duket sikur e dëshmon jo vetëm gjetja në zbulimet arkeologjike të rajonit e figurinave  të njerëzve që luajnë më cule dyjare, por edhe gjurmët e polifonisë popullore në veri të Shqipërisë e madje deri në folklorin e Bosnjës së sotme.

Futja e termit iso-polifoni koincidon në Shqiperi edhe me dy dukuri që nuk mund të shikohen të shkëputura

  1. Një përpjekje për ta lidhur polifoninë shqiptare me një dukuri mitologjike, me këngët e sirenave greke. Në rastin me të mirë, kjo përpjekje përfaqëson një absurditet sepse një mit, si pjellë e fantazisë (as sirenat as këngët e tyre nuk kanë ekzistuar realisht) nuk mund të jetë burim i një dukurie reale, siç është polifonia shqiptare.
  2. Një përpjekje të hapur për ta nxjerrë ison e polifonisë shqiptare si të prejardhur nga këngët kishtare greko-bizantine, ndonëse askush nuk ka mundur të provojë bindshëm ekzistencën e një lidhjeje të këtillë (dhe po të mos marrësh parasysh arbereshët e Greqise  dhe ndikimin e tyre kulturor nw Greqi polifonia popullore nuk njihet). Duhet mbajtur parasysh se përgjithësisht polifonia popullore është më e lashtë se sa polifonia e muzikës së kultivuar, dhe specialistë të huaj e shqiptarë që e kanë studiuar në bazë polifoninë popullore shqiptare, siç theksuam më parë, mendojnë se isoja e kënges kishtare greko-bizantine mund ta ketë prejardhjen nga  polifonia shqiptare dhe jo e kundërta.

Veç lidhjeve të pabazuara me mitologjine greke dhe me muzikën greko-bizantine termi ’iso-polifoni’ çalon rëndë edhe nga pikëpamja thjesht semantike, sepse isoja nuk është elementi thelbësor i polifonisë shqiptare dhe termi “iso-polifoni” jo vetëm që nuk shpreh origjinalitetin, unikalitetin dhe nivelin e lartë të polifonisë shqiptare 3- dhe 4-zëshe, por e zbeh karakterin e saj të vërtetë.

Sa më sipër, prekin identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve, andaj mua më duket se autori i letrës ka të drtejtë të shqetësohet për sa shtron në atë letër.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Nelson R. Çabej, NUK KA PSE TË RIPAGËZOHET, Polifonia shqiptare

POLIFONIA SHQIPTARE -ME ÇFARË GJUHE GËZONI DHE ME ÇFARË GJUHE QANI?

May 15, 2013 by dgreca

SHKRUAN GËZIM LLOJDIA*/Vlore/
Polifoni apo iso-polifoni .Ka disa vite, që debatohet me këto terma. Polifonia shqiptare dhe teknikat e të kënduarit të saj si dhe ritmet,tradita u shpalos në një simpozium kulturo në Vlorë.
Universiteti”Pavarësia” Vlorë dhe shoqata“Polifonia shqiptare”organizuan Simpoziumin e V-të ndërkombëtar me temë: “Polifonia shqiptare, trashëgimi dhe realitet” .Moderatori S.Hoxha:Është ne nderin e këtij Universiteti te jete mikpritës i Simpoziumit për polifoninë shqiptare, një prej perlave te kulturës sonë kombëtare, ne shume raste madje, pasaporta e saj. Kemi prezent një panel nga me te nderuarit, jo vetëm për kompetencën mbi polifoninë por në përgjithësi për mbi te gjithë kulturën tonë. Nga ana tjetër, jemi ne Vlore, dhe ku tjetër me shume se ne Vlore, ne gjirin e Labërisë, mund te flitet për polifoninë, këtë krijese unike te shpirtit popullor. Me vjen mire gjithashtu që, Universiteti “Pavarësia” po i bën tradite promovimin e vlerave kombëtare dhe gjithshka qe i takon kulturës dhe dijes. Po kalon neper aulat e tij çdo vlere e risi te spikatur qe i kreditohet komunitetit dhe qytetit. Është pikërisht ne rolin dhe vendin qe i takon. Për te na futur ne atmosferën e polifonisë ju ftoj te ndjekim një perle të kësaj gjinie, përmes një materiali filmik.Dr. Lavdosh Ahmetaj rektor i Universitetit :Pavarësia” Vlorë midis të tjerave tha: Friedrich Nietzsche: Të shkojmë te varret e etërve dhe atje do të gjejmë dy sisteme kulturore A .Sistemin kulturor të skllavit B) – Sistemin kulturor të fisnikut .
Fransua Pukëvil ,ish- Konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, duke treguar për kremtimet dhe argëtimet që u dhanë me rastin e fitores së Hormovës, më 1786, thotë midis të tjerash se: “Ali Pashë Tepelena i shkathët qëndronte në krye të kërcimtarëve te valles pirrike. Pukëvili e përmend edhe përmes burimeve të tjera këtë valle luftarake të shtjelluar, ku kërcimtarët gjoja ndjekin hajdutet, i kapin, i fusin në mes dhe kërcejnë si artistë duke e shoqëruar me atë qe quhet shume zërëshi . Ami Bue ,udhëtar në vendin tonë në 1840 vrojtonte se pirrikja është pothuajse e njëjta valle e kërcyer nga burra të armatosur. Më duket thotë ai, se pirrikja nuk është ruajtur veç se te shqiptarët e Shqipërisë së jugut. Ajo shtrihet më në skaj të Shqipërisë së jugut dhe te grekët, përmes disa kontradancash me disa parti valltarësh. Ajo që të çudit gjithmonë në këto lojëra është shpërthimi i shumë zërëshit të harmonizuar me lëvizje simfonike, ndërsa në vallet e grave vërehet një lloj ftohtësie. Fotografi të Oto fon Bismark dhe ide mbi shqiptaret : Që të mos mbeteni një shprehje gjeografike, ju shqiptarët duhet të shkruani shume libra për historinë e kulturës tuaj shoqëruar kjo me forcën shtetërore. Fotografi:Një grupi himarjotësh që parashtronin kërkesën për gjuhën greke, Ministri i Kulturës në kohën e Zogut ,ju përgjigjet: “Me çfarë gjuhe gëzoni dhe me çfarë gjuhe qani? Filmim:”Dasma e mbretit Zog” me kostumet kombëtare në dasmë. Temat e simpoziumit polifonik, që u trajtuan në simpoziumin e V ndërkombëtar:
Agron Xhagolli: “Shumezereshi rreth autenticitetit folklorik”.Ramazan Bogdani: “Një valle në kufijtë midis dy popujve” “valle e Osman Takes” te shqiptaret dhe te grekët”.
Naxhi Kasoruho: “Kënga gjirokastrite”.
Bardhosh Gace: “Polifonia dhe hapësirat e saj bashkëkohore”.
Sokol Shupo:”Dukuria e transporti mikrotonal në polifoninë labe”.
Kosta Loli: “Kufijtë dhe gjuha nuk mund te jene dhe kufijtë e një kulture muzikore”
.Olsi Turtulli: Polifonia ne luginën e Shkumbinit”.
Kaim Murtishi: “Polifonia ne qarkun e Strugës”.
Baxhul Merkaj: “Polifonia vetëm polifoni”.
Shyqyri Hysi: Polifonia e luginës se Vjosës.
Yzeir Llanaj:” Polifonia shqiptare dhe problematikat e tranzicionit”.
Fitim Caushi:” Polifonia ne Kaoni”.
Ermir Dizdari: Polifonia ne Festivalet folklorike te Gjirokastrës”.`
U dëgjua kënga:” Labëri larë në hënë”. “Vallja e Osman Takës”. Kënga e Pilurit:”Ti je ilaçi i çobanit”.Pjesë nga kumtesa e Prof. Sokol Shupo :”Modulacion mikrotonal apo transport? Mbi një dukuri të këngës labe. Dukuria e ngritjes lartësisë gjate te kënduarit te këngës folklorike (përgjithësisht nga strofa ne strofe), pra projeksioni i saj mbi një lartësi tjetër intonative, është vene re me kohë, madje janë përshkruar edhe veçorie e shfaqjes, të shtrirjes gjeografike dhe të mënyrës se si ajo vepron.Kështu, etnomuzikologjia shqiptare ka vene re me kohë se kjo dukuri shfaqet edhe ne folklorin shumezeresh (madje edhe ne këngët e reja monodike) të jugut edhe në
folklorin e abresheve edhe në atë të-Kosovës, ashtu siç ka vene re se në jugun e
Shqipërisë dukuria shtjellohet mbi një bazë pentatonike, dhe se ne folklorin e arbëreshëve
(i cili dëshmon një teknike te afërt realizimi me te kënduarin lab) dhe në atë të Kosovës
(monodine e grave të Podgurit) mbështetet ne sistemin modal. Shpesh ngritja intonative shoqërohet me metabolat ,të cilat duhet theksuar se janë pjese përbërëse e këngës, nuk kushtëzohen prej ngritjes intonative dhe nuk lidhet patjetër me të. Edhe po të mos të shfaqej kjo e fundit metabolat, apo si jemi mësuar te shprehemi, modulacionet, do te shfaqeshin si pjese e proceseve zhvilluese në brendësi të këngës dhe ndodhin pothuaj përherë mbi të njëjtën tonike dhe lartësi. Në të kënduarin lab, kjo dukuri ndodh edhe në këngët me iso edhe në ato pa iso. Por ndërsa ne te parat ndodh në mënyrë të vetëdijshme dhe pothuaj vetëm në pozicione të caktuara te sintaksës se këngës, ne te dytat vepron si një mjet i rendesishem i rritjes se fuqisë shprehëse të këngës, shpesh në mënyrë të beftë dhe të dhunshme. Ja një shembull i tillë i kombinuar. Është vënë re gjithashtu se lëvizja e intonacionit ka në më të shumtën e rasteve karakter ngjitës dhe që në të kënduarin lab shkon deri ne një terce të madhe ngjitëse, ndërsa në të kënduarin e Kosovës deri ne një sekonde të madhe ngjitëse. Ne rastet e drejtim zbritës që shfaqen te rralla dhe (për sa dimë deri tani) vetëm në të kënduarin e grave të Kosovës largësia e tingullit tonik nistor prej tingullit tonik të zhvendosur shkon deri në një sekundë të madhe. Edhe shumë veçori të tjera të shfaqjes së ngritjes së lartësisë intonative janë vënë renga etnomuzikologjia shqiptare, por ndërsa në konstatimin dhe veçoritë e shfaqjes sëkësaj dukurie pothuaj të gjithë ata janë të një mendjeje, nepërcaktimin klasifikues së dukurisë mendimet ndahen, ndonëse deri tani në këtë rrafsh
nuk është botuar ndonjë studim qartësisht polemik. Pikërisht këtë ceshtje duam te trajtojmë ne këtë kumtese. Në një pamje te veçante te saj, ajo është vënë re edhe nga Gj. Kujxhia ne folklorin qytetar te Shkodres. Te vepra e tij valle kombtare (të cilën Z. Tole e cilëson padrejtësisht si “kontribut modest”), shembujt e transkriptuar tregojnë largësi kuarte mes”STROFES” se tenoreve dhe “antistrofes” se sopranove. Këtu duhet te ndalemi e te vërejmë se rasti i Kujxhise është vene shpesh ne dyshim, ndonëse edhe vete autori e pohon se pavarësisht qe dukuria nuk jeton më prirjadrejt saj ndihet akoma “sot burra e gra te perziem se bashku, kndojne gadi perhere nji zanit,por megjithkta ndiehet se ndiehet tendenca e dallimit”[1].I pari qe e ve ne dyshim këtë pohim te Kujxhise është R. Sokoli, i cili, duke e cilësuar si “modulacion” shkruan: “Ndonëse kam kerkue me kujdes me e ndie kete kalim te temes ne kuarten e siperme nga goja e burrave ne gojen e grave nuk kam mujte me e verifikue asnjihere nder vallet zanore te Shkodres. Madje kangetaret dhe valltaret popullore te ketij qyteti as qe i pranojne modulacione te tilla”[2]. Gjithsesi, shume vite me vone, vete Sokoli e zbut pak këtë qëndrim, duke e pranuar dukurinë si një “shmangie te rastit” e jo përhershme:”Ky kapërcim i temës ne kuarten e sipërme duke kaluar nga zërat e burrave në zërat e grave mund tejet një shmangie e rastit, por nuk është aspak tradicionale” (po atje).Më pas, Ahmedaja, duke theksuar se në citatin e Sokolit: “Me modulacion (…) duhet nënkuptuar transport”[3],është i te njëjtit mendim porsa i përket vertetesise se dukurisë: “… praktika e te kënduarit një kuarte me lart duket se nuk ka qenë ndonjëherë e njohur në Shkodër” (po atje). Duke i trajtuar përpjekjet e Kujxhise si përpjekje me anë të të cilave “Kujxhia ka dashur t’i paraqesë .Veto melodi ne një „nivel me te larte” (po atje) dhe pasi thekson që “Kur ketë (transk rip timet muzikore – shen. ynë) te merren si baze duhet te kihet parasysh fakti si janë realizuar dhe për ‘qellim” (po atje), ai ve re edhe elemente te tjerë te cilat e përforcojnë mendimin e tij si: “Shenja si staccati, crescendi, decrescendi, p, mp, allegretto sereno (f. 5) etj, te japin përshtypjen se janë konceptuar me tepër si partitura për t’u kënduar nga këngëtare profesioniste, se sa si transkriptime për t’u përdorur për qëllime studimi.” (po atje); “… termat T (për tcnore) dhe S (për soprano) janë te huaja për praktiken e muzikës tradicionale të Shkodres. Ato duket se janë marre nga praktika korale e muzikanteve te shkolluar dhe përcaktojnë grupin e burrave dhe atë te grave” (po atje).Shkakun e transport një kuarte me lart Ahmetdaja e gjen tek faqja VII e parathënies se Kujxhise, ne te cilën autori: “mundohet te sqaroje se transporti ne kuarte është një praktike qe e kane njohur “koret… e Grekëve te vjetër” … “Ky ndryshim shkalle i ep valles nji fuqi shprehjeje ma të gjalle; duket porsi nji fillim i sistemit të fugës’, i cili pos e zgjaton te thueshe melodinë, e çon nder fushore te raja, tue i dhanë një yje dhe efekte te tjera. Kjo tendence e se katërtës, lype nji studim te veçante, dhe ka me na vlefte kur te vehemi me punue muzikën tone, me baze harmonike-kontrapunktistike kombetare.” (po aty).Ajo qe mund te vërejmë këtu, është se asnjë dëshmi e gjalle e këtij transporti nuk ekziston me në “vallet” e Shkodres dhe se gjithshka qe dimë për të janë në pohimet e Kujxhise dhe rivlerësimi i mendimit te Sokolit nga ai vetë…
*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane te Arteve

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Llojdia, gezoni dhe qani, me cfare gjuhe, Polifonia shqiptare

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT