Nga Nelson R . Çabej/
Dje në shtypin shqiptar u botua letra e hapur e zotit Fitim Çaushi, drejtur kryeministrit Edi Rama, në emrin e tij e të dhjetë shoqatave atdhetare e kulturore, në të cilën i kërkon që të hiqet termi “iso-polifoni shqiptare”, që në mënyrë arbitrare dhe pa miratimin e instancave kompetente dhe institucioneve shkencore, u fut në vitin 2002. Autori i letrës e motivon nevojën e këtij ndryshimi me implikimet serioze që ka termi ‘isopolifoni’ në identitetin kulturor e kombëtar shqiptar.
Kjo letër më shtyu të shpreh edhe unë këtu mendimin tim modest për këtë çështje.
Eshtë shumë paradoksale që në ndonjë rast ne si popull nuk kemi njohur vlera të vërteta të trashëgimisë sonë kulturore dhe jemi bërë të vetëdijshem për to vetëm pasi na i kanë treguar të huajt.
Në mënyre paradigmatike kjo ilustrohet nga shëmbëlli i polifonise shqiptare. Para se të niste vlerësimi zyrtar i polifonisë me zhvillimin e festivaleve folklorike nga fundi i viteve 60te, fillimi i një kënge polifonike popullore nga shumëkush pasohej me shprehjen ’Tani do fillojë shiu”.
Në atë kohë etno-muzikologu britanik Albert Lloyd i kërkoi nën-drejtorit të Institutit të Folklorit, të dërgonte në një festival botëror të këngës popullore që do të zhvillohej në Londër, grupin polifonik të Xhevat Avdallit, duke i shprehur bindjen e tij, si kryetar i jurisë, se do të fitonte çmimin e parë. Kërkesa e tij u refuzua sepse ai grup ”nuk përfaqësonte denjësisht muzikën tonë popullore” dhe çmimi u fitua nga një grup popullor bullgar.
Tanimë ato kohë kanë kaluar dhe të gjithë ne e dimë natyrën unikale dhe origjinalitetin shqiptar të polifonisë sonë popullore, kësaj perle të pakrahasueshme të kurorës kulturore të popullit tonë të lashtë. Tanimë, me meritë të padiskutueshme, UNESKO e ka futur atë në thesarin e kryeveprave (masterpiece) të kulturës shpirtërore botërore
Vite më parë në Vjenë, etnografi dhe etno-muzikologu austriak Dietrich Schüller, drejtor i Fonogramarkivës së Akademisë së Shkencave të Austrisë, në përgjigje të pyetjes se çfarë vlerësonte mbi të gjitha në këtë polifoni, më tha se është e habitshme shkalla e lartë e sofistikimit që ka arritur ajo, sidomos në polifonine 4-zëshe të grupit të rajonit të Labërisë. Dhe shtoi se kjo sigurisht është një tregues i një jete shoqërore të zhvilluar në trojet shqiptare në të shkuarën.
Polifonia jonë, karakteri origjinal i saj dhe ndikimi i saj në polifonitë relativisht modeste të vëndeve fqinjë, janë vënë në dukje nga shume studiues të huaj. Në Enciklopedinë Amerikane 10-vëllimshe të muzikës, në zërin e polifonisë, lexojmë se polifoni dy-zëshe ka edhe në Itali edhe në Sllovaki, në Bullgarinë perëndimore, Maqedoni dhe Greqi, etj. e madje në rajonin e Kosturit ka një grup bullgar që këndon me tre zëra, por shktuhet më tej, ata ”e kanë huazuar këtë nga polifonia toske”. Në artikull theksohet se ”madhështore është polifonia 4-zëshe e rajonit të Gjirokastrës” (magnificient is the polyphony of the region of Gjirokastër).
Po të shikosh përhapjen e polifonisë shqiptare, ajo tregon qartë atë model (pattern) që ka vënë re së pari etnomuzikologu i shquar shqiptar, Ramadan Sokoli, sipas te cilit Labëria përfaqëson qendrën e polifonisë shqiptare me 4 zëra dhe, duke u larguar prej asaj qendre, ajo bie në polifoni me tre e me dy zëra, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.
Studiuesi shqiptar i polifonisë, Eno Koço, citon muzikologen gjermane Doris Stockmann që ka kryer kërkime dhe regjistrime në magnetofon të këngëve polifonike në shumë treva shqiptare nga fundi viteve 50-të. Në artikullin e saj mbi muzikën e çamëve të Shqipërisë së jugut (Zur Vokalmusik der südalbanischen Çamen), ajo thekson se muzika kishtare bizantine mund ta ketë marrë ison nga polifonia shqiptare. Dhe me të vërtetë, po të ishte e kundërta, atëhere qendra e polifonisë në Ballkan do të ishte diku në Thrakinë bullgare e greke e jo në Labëri qe gjendej në periferi të Bizantit e në skajin e kundërt ballkanik të Konstantinopolit.
Lashtësinë ilire të polifonisë shqiptare duket sikur e dëshmon jo vetëm gjetja në zbulimet arkeologjike të rajonit e figurinave të njerëzve që luajnë më cule dyjare, por edhe gjurmët e polifonisë popullore në veri të Shqipërisë e madje deri në folklorin e Bosnjës së sotme.
Futja e termit iso-polifoni koincidon në Shqiperi edhe me dy dukuri që nuk mund të shikohen të shkëputura
- Një përpjekje për ta lidhur polifoninë shqiptare me një dukuri mitologjike, me këngët e sirenave greke. Në rastin me të mirë, kjo përpjekje përfaqëson një absurditet sepse një mit, si pjellë e fantazisë (as sirenat as këngët e tyre nuk kanë ekzistuar realisht) nuk mund të jetë burim i një dukurie reale, siç është polifonia shqiptare.
- Një përpjekje të hapur për ta nxjerrë ison e polifonisë shqiptare si të prejardhur nga këngët kishtare greko-bizantine, ndonëse askush nuk ka mundur të provojë bindshëm ekzistencën e një lidhjeje të këtillë (dhe po të mos marrësh parasysh arbereshët e Greqise dhe ndikimin e tyre kulturor nw Greqi polifonia popullore nuk njihet). Duhet mbajtur parasysh se përgjithësisht polifonia popullore është më e lashtë se sa polifonia e muzikës së kultivuar, dhe specialistë të huaj e shqiptarë që e kanë studiuar në bazë polifoninë popullore shqiptare, siç theksuam më parë, mendojnë se isoja e kënges kishtare greko-bizantine mund ta ketë prejardhjen nga polifonia shqiptare dhe jo e kundërta.
Veç lidhjeve të pabazuara me mitologjine greke dhe me muzikën greko-bizantine termi ’iso-polifoni’ çalon rëndë edhe nga pikëpamja thjesht semantike, sepse isoja nuk është elementi thelbësor i polifonisë shqiptare dhe termi “iso-polifoni” jo vetëm që nuk shpreh origjinalitetin, unikalitetin dhe nivelin e lartë të polifonisë shqiptare 3- dhe 4-zëshe, por e zbeh karakterin e saj të vërtetë.
Sa më sipër, prekin identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve, andaj mua më duket se autori i letrës ka të drtejtë të shqetësohet për sa shtron në atë letër.