Nelson R. Çabej*/
Atdhetaria dhe nacionalizmi janë dy terma që janë përdorur e madje përdoren edhe sot anëkëmbyeshëm sepse të dy nënkuptojnë thelbërisht lidhjen e njeriut me atdheun, dashurinë dhe vullnetin për të punuar për të mirën e tij e për ta mbrojtur atë.Krijimi i shteteve kombëtare në Europë gjatë dy shekujve të fundit është rezultat i ideologjisë nacionaliste dhe veprimit politik të frymëzuar prej saj. Në kohën tonë, si rrjedhim i luftrave të lidhura me stuhitë nacionaliste që përfshinë Europën, sidomos dy luftrat botërore të shekullit të kaluar, termi nacionalizëm, ka marrë ndonjëherë ngjyrë të papëlqyeshme politike, andaj, në vënd të tij, shumë herë përdoret termi atdhetari për të përshkruar një formë më të pranueshme të nacionalizmit. Për këtë arsye në këtë shkrim, në përputhje me këtë prirje të kohës, do të përdoret termi atdhetarí, edhe pse lëvizja që shpuri në formimin e shtetit kombëtar të shqiptarëve në 28 nëntor 1912, ashtu si dhe lëvizjet analoge që shpunë në themelimin e shteteve të tjera kombëtare në Europë e në botë, njihen përgjithësisht si lëvizje nacionaliste.
Për mendimin materialist marksist, atdhetaria buron nga përputhja e interesave individuale me vëndin në të cilin jeton njeriu e, rrjedhimisht, atdheu i përket klasave sunduese që kanë pronësinë mbi mjetet e prodhimit, koncept që është mishëruar në aforizmën marksiste: “Proletarët nuk kanë atdhe”. Sipas këtij koncepti, klasat e shfrytëzuara, në kushtet e shoqërive shfrytëzuese, kanë vetëm iluzionin e atdheut dhe atdhetaria e tyre bazohet mbi atë iluzion. Historia e ka hedhur poshtë këtë qëndrim thjeshtëzues, të njëanshëm e të gabuar dhe, në kundërshtim me të, ka provuar rolin faktorëve psiko-emocionale dhe të ndjenjës natyrore të identitetit etnik të popullit, që gjënden në themel të atdhetarisë.
Atdhetaria nuk është ideologji; ajo nuk krijohet dhe formulohet nga ideologët, po lind vetiu në popull nga burime të vetdishme e të pavetdishme. Ajo është një, ndërkohë që ideologjitë që shoqëria mund të përvetësojë e të vëjë në jetë janë të shumta, e rrjedhimisht nuk mund të jenë të gjitha të drejta. Ndryshe nga ideologjia, atdhetaria është diçka më e thellë, ideale dhe e vetvetishme, që nuk ka nevojë të mësohet apo të induktohet, ndonëse mund të ndikohet nga ideologjia mbizotëruese. Ajo në thelbin e vet është ideal, që nuk buron nga ndonje ide, por përkundrazi ajo vetë është burim idesh dhe veprimesh të shumllojshme, politike, shoqërore, ekonomike, etj..
Si dashuri e njeriut për vëndin e popullin e vet, atdhetaria është element i pazëvëndësueshëm i mbijetesës së tij përballë valëve të paparashikueshme historike që kanë fshirë nga faqja e dheut popuj e kultura të tëra. Atdhetari mbetet atdhetar dhe vazhdon ta njësojë veten me vëndin e tij edhe kur ka kritika serioze për gjëndjen dhe për politikën e vëndit të tij, sepse ai e njëjson veten jo me vëndin siç është, por me atdheun siç duhet të jetë dhe si e dëshiron ta shohë; sepse ai është i bindur se gjëndja mund të përmirësohet dhe kjo e shtyn atdhetarin të punojë për atë qëllim. Ai mbetet atdhetar sepse në mënyrë të pavetdishme ndan politikën shtetërore edhe kur ajo është e gabuar, nga atdheu, që mbetet gjithënjë ”i shënjtë”.
1- Atdhetaria shqiptare
Atdhtaria e shqiptarit buron nga ndjenja e lidhjes së ngushtë të tij me Shqipërinë, që shprehet në formën e dashurisë, nderimit dhe respektit të tij për atdheun dhe bashkësinë shqiptare, por dhe nw respektin dhe nderimin e atdheut për bijtë e tij, që ka gjetur shprehjen klasike në fjalën e urtw shqipe:
”Guri i rëndë në vënd të vet”
dhe Çajupi e gdhëndi në vargjet:
Në ç’vend kemi lerë ?
Ku na bëjnë nderë?
Në Shqipëri. ”
Atdhetaria e lidh shqiptarin jo vetëm me shqiptarët dhe Shqipërinë e sotme por edhe me historinë e saj, me gjuhën shqipe, me të gjitha traditat dhe kulturën shqiptare. Ajo ështe nyje që e lidh atw me luftën dhe kujtimin të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e të mirën e Shqipërisë në histori.
Në nivel individual, atdhetaria buron nga detyrimi moral që ka çdo njeri për t’ia shpërblyer vendit të vet atë që i ka dhënë, gjuhën, kulturën, traditën, afeksionet e dashurinë që ka marrë e ka dhuruar, kujtimet për to, si dhe ‘qoshen’ që i bëri në këtë botë, por edhe diçka më sublime, frymëzuese dhe ideale, që është e vështirë për t’u shprehur, që lidh njeriun me vëndin e tij të lindjes. Këtë detyrim moral duket se kishte parasysh John Kennedy kur porosiste: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vëndi im për mua, por ç’farë mund të bëj unë për vëndin tim”.
Këtë detyrim moral ndaj Atdheut e gjejmë të shprehur, në një frymë poetike e idealiste, edhe te Naimi i Madh
”Ti Shqipëri më ep nderë,
Më ep emrin Shqipëtar”.
Por për shumë shqiptarë të pafajshëm, me atdheun, me vëndin ku lindën e u rritën lidhen edhe vuajtje njerëzore, fatkeqësi dhe keqtrajtime të motivuara politikisht. Megjithatë shumica e këtyre njerëzve është e prirur t’i ndajë ato nga atdheu dhe t’i lidhë, ashtu siç duhet, me ideologjitë politike dhe sistemet e ngritura mbi to. Është për këtë arsye që atdhetarët e vërtetë nuk ia veshin Atdheut fajet e sistemit, të partisë apo të grupit politik sundues.
Dashuria për Shqipërinë, njësimi e vetes me të, shqetsimi për problemet shqiptare, besnikëria dhe vullneti për të sakrifikuar dhe mbrojtur Shqipërinë, janë tipare themelore të atdhetarisë shqiptare. E përkufizuar si më sipër, ajo qëndron mbi qytetarinë e thjeshtë, që nënkupton zbatimin e ligjit në marrëdheniet me qytetarët e tjerë dhe me shtetin. Ajo shtron edhe detyrime morale të individit ndaj shoqërisë dhe atdheut që tejkalojnë kërkesat e ligjit shtetëror. Në këtë kuptim ajo qëndron më lart se sa qytetaria dhe morali atdhetar qëndron më lart se sa morali i mishëruar në ligj.
Edhe nacionalizmi rilindas dhe frymën nacionaliste pasrilindase, kanë qënë gjithënjë moralisht të drejtë, në kuptimin që në asnjë dokument, veprim a qëndrim të shtetit shqiptar, gjatë një shekulli të ekzistencës së tij, nuk gjëndet ndonjë gjurmë shovinizmi, revanshi apo pretendimi për troje shqiptare të humbura në të shkuarën e largët historike, si ato që, fatkeqësisht, gjënden në dokumente dhe veprime agresive popujsh e kombesh të tjerë.
Atdhetaria në përgjithësi, nuk është ndodhi, por process që evoluon në kohë. Si proces historik ajo ka evoluar nga një dashuri e lidhje e gjithanshme shpirtërore e një bashkësije njerëzish të lidhur nga prejardhja, gjuha, doket e kultura e përbashkët, në një dashuri mbifisnore nw Lashtwsi dhe Mesjetw, deri sa shfaqet në formën ë saj të plotë si atdhetari shqiptare me nacionalizmin shqiptar në shekullin XIX, kur lindi ideja dhe nisi lëvizja për bashkim kombëtar dhe themelimin e një shteti të pavarur shqiptar. Energjia e pashtershme e saj u shfrytëzua e u kanalizua nga Rilindasit tanë në luftën për pavarësi kombëtare.
Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, kjo atdhetaria rilindase fitoi edhe një tipar të ri, atë të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Në kohën tonë ajo ka evoluar dhe është rritur cilësisht në shumë drejtime. Ajo sot përfshin jo vetwm parimet e demokracisë shqiptare, por dhe solidartitetin e popullit tonë me popujt e tjerë të Europës e të botës, për të dalë deri në aspiratën më të re të shqiptarëve për tu bashkuar me popujt e tjerë europianë në gjirin e Bashkimit Europian.
Ajo është larg njw atdhetaríje tw verbër, që të miratojë çdo veprim apo qëndrim të qeverive shqiptare, vetëm e vetëm pse janë qeveri shqiptare. Në kohë paqeje ajo frymwzon ide dhe veprime konstruktive, sheh nw në mënyrë objektive dhe kritike politikën e brëndshme e të jashtme të qeverive shqiptare. Sepse qeveria nuk është Shqipëria, por është vetëm një organizëm politik i caktuar për ta përfaqësuar atë përkohësisht. Kështu, atdhetarët shqiptarë para luftës së dytë botërore luftuan kundër politikave antidemokratike të shtetit shqiptar dhe pas luftës së dytë botërore dolën haptas kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Atdhetarët shqiptarë e vazhduan këtë luftë edhe në mërgim dhe vetë gazeta ”Vatra”, që nga fillimi mbeti vatër e vërtetë e atdhetarisë shqiptare dhe luftëtare e paepur për vendosjen e demokracisë në Shqipëri gjatë tërë periudhës së sundimit komunist. Edhe në ditët tona, atdhetaria shqiptare nuk nënkupton besnikërinë pa kushte ndaj politikave zyrtare të Shqipërisë e të Kosovës. Ajo nuk i pengon shqiptarët të kritikojnë e të demonstrojnë hapët kundër politikave të brëndshme e të jashtme, që mund të bien në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
Shqiptarët sot kërkojnë që barazinë e tyre para ligjit ta shohin jo vetëm të shkruar në kushtetute, por ta prekin e ta gëzojnë në jetë dhe kjo nuk do të arrihet pa krijuar shtetin e ligjit, pa i dhënë fund korrupsionit të shfrenuar që është bërë një litar në fytin e popullit shqiptar.
Përgjegjësia morale për mbrojtjen e interesave të minoriteteve të njohura e të panjohura zyrtarisht të shqiptarëvë dhe të farës shqiptare të përhapur nëpër botë është e pandashme nga atdhetaria shqiptare. E po kështu ajo nënkupton edhe solidaritetin dhe miqësinë me popujt e tjerë, e posaçërisht me ata fqinjë, italian, grek, serb e maqedon, fakt që ka gjetur shprehjen konkrete në njohjen shëmbullore të minoriteteve kombëtare dhe mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre si në Shqipëri dhe në Kosovë..
Atdhetaria shqiptare nënkupton drejtësinë edhe në marrëdhëniet me popujt e vendet fqinje dhe nuk vë interesat kombëtare shqiptare mbi të drejtën e popujve të tjerë të njohur nga e drejta ndërkombëtare. Ajo nuk pranon shkeljen e së drejtës se ndonjë populli tjetër për hir të ‘idealit kombëtar shqiptar’. Për të është i huaj revanshi dhe hakmarrja primitive. Ne nuk ëndërojmë të kthehemi t’u bëjmë fqinjve ato që kanë bërë ata kundër nesh. Nga kjo pikëpamje, ne shqiptarët mund të jemi krenarë për pozitën e lartë morale nga e cila e shohim kontinentin tonë dhe botën.
Atdhetaria e bazuar në epërsinë reale ose të perceptuar të popullit tënd mbi të tjerët, ideja ”popullit të zgjedhur”, frymëzon racizmin, agresion, pushtimin dhe nënshtrimin e popujve ”jo të zgjedhur”. Duke përligjur dhunën dhe krimin e genocidin ndaj popujve të tjerë, ajo ka pasur pasoja të rënda e, në ndonjë rast, katastrofike për njerëzimin. Kushdo që njeh historinë e shqiptarëve, e di mirë se shqiptarët ashtu si në çdo kohë, edhe sot janë të lirë nga ndjenja të tilla nënnjerëzore.
Dashuria e shqiptarëve për atdheun e tyre buron nga ndjenja e prejardhjes, gjuhës, kulturës, dokeve, miteve dhe historisë së përbashkët të tyre. Ajo nuk lidhet në mënyrë të posaçme me ndonjë ideologji politike të djathtë ose të majtë dhe, si një entitet moral qëndron mbi çdo ideologji politike dhe fetare, sepse gjen jehonë në të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga degëzimi politik apo fetar të cilit i përkasin. Kjo ndjenjë e thellë e shqiptarisë është magneti i fuqishëm që lidh në mënyrë të pandashme shqiptarët e të gjitha trojeve, pavarësisht nga bindjet politike dhe fetare në një atom të pandashem etnik.
Duke tejkaluar mentalitetin e kohës, rilindasi i madh, Pashko Vasa e formuloi më shume se një shekull më parë rolin e shqiptarisë si ideja më e fuqishme e bashkimit mbarëshqiptar në thënien monumentale ”Feja e shqyptarit a shqyptaria”.
2- Ideali i lirisë dhe ideali kombëtar
Ashtu si liria e individit është një e drejtë e lindur e qënies njerëzore, edhe liria e cdo bashkësije njerëzore, duke përfshirë bashkësitë kombëtare të popujve, është gjëndja natyrore e çdo populli. Liria e një populli nuk mund të arrihet pa një shtet të pavarur kombëtar sepse vetëm një shtet kombëtar i krijon popullit mundësinë të bëhet zot i fateve të tij. Duke u ndodhur për shekuj të gjatë nën sundime të huaja, çlirimi nga ato sundime ka qënë gjithënjë ideal i shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre iliro-arbërorë. Ai ideal ishte forca shtytëse e luftrave të paprera çlirimtare të tyre. Që ai ideal nuk u shua ndonjëherë, këtë e dëshmon fakti që trojet shqiptare kanë qënë vatrat më të nxehta të luftrave kundër sundimeve perandorake në Ballkan për thuajse 20 shekuj. Atë ideal të lirisë ndër shqiptarët e gjeti të gjallë në shekullin XV Skenderbeu, siç e ka shprehur në fjalën e tij me rastin e kthimit në atdhe më 1443:
”Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në zemrat tuaja”
Në kohën tonë ideali kombëtar përfshin edhe ruajtjen dhe zhvilllimin e demokracisë, pa të cilën nuk mund të ketë liri të vërtetë.Ndërsa atdhetaria shqiptare është element i pandashëm i formimit të etnosit arbëror/shqiptar, ideali kombëtar është një dukuri e mëvonshme. Është e vërtetë se përpjekje për formim shtetesh kombëtarë arbërore/shqiptare pati, të paktën që nga periudha e mesjetës së mesme, siç provohet nga formimi i Shtetit të Arbrit në shekullin XII-XIII dhe despotatet shqiptare tw Epirit në shekujt XIV-XV, por ato shtete, si dhe shtete të tjera të Europës, nuk kapërcyen dot mentalitetin e copëzimit feudal mesjetar, që kërkonte themelimi i shteteve kombëtare. Objektivisht, kjo ishte një detyrë historike që as mund të shtrohej, le pastaj të realizohej, para se të arrihej një stad më i lartë i vetëdijes kombëtare, por edhe një dobësim i pushtetit qëndror perandorak osman, siç ndodhi nga fillimi i shekullit XIX.
Ideali kombëtar i rilindasve shqiptarë, ideja e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar, është i lidhur ngushtë me atdhetarinë shqiptare. Ai bashkëpuqet në kohë me lëvizjen popullore antiosmane që nxitën reformat e Tanzimatit, të cilat i paraprinë asaj ose bashkërendën me të, duke filluar nga mesi i shekullit XIX. Së jashtëmi ai ideal u favorizua dhe frymëzua nga era e levizjeve nacionaliste dhe formimi i shteteve kombëtarë, që kishte përfshirë Europën e Ballkanin në atë kohë.
Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor 1912, u realizua pjesërisht ideali kombëtar i Rilindjes që ishte shpëtimi nga kërcënimi i ndarjes së trojeve shqiptare midis shtetevet fqinjë, që do të ishtë faza e parë e asimilimit etnik dhe e zhdukjes sw popullit e kombit shqiptar. Krijimi i atij shteti, në të cilin rolin vendimtar e luajti fryma atdhetare dhe lëvizjet e armatosura popullore për liri, ishte kurorëzimi i punës së madhe dhe të mënçur të Rilindasve shqiptarë.
Sot, pas një periudhe njëshekullore të konsolidimit dhe rrënjëzimit të shtetit shqiptar dhe me fitimin e pavarësisë së Kosovës, ideali kombëtar shpall dhe kërkon bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, në përputhje me një parim themelor të politikës europiane të së drejtës së popujve për vetvendosje të sanksionuar edhe ne Kartën e Kombeve të Bashkuara..
Ideali shqiptar, bashkimi i tërë shqiptarëve në trojet e tyre etnike në një shtet të vetëm kombëtar sot është Ylli polar dhe frymëmarrja e atdhetarisë dhe e kombit shqiptar. Një komb pa ideal, në botën e sotme është i destinuar të zhduket herët ose vonë në mënyrë të pashmangshme, edhe vetëm së brëndëshmi, pa ndikimin e faktorëve të jashtëm.
3- Rrënjët historike të atdhetarisë shqiptare
Atdhetaria shqiptare është fruti i një procesi që i ka rrënjët thellë në historinë e popullit tonë. Ne jemi pasardhësit e ilirëve, banorëve të Ballkanit perëndimor, që shtriheshin nga Lumi Sava dhe Danubi në veri deri në Gjirin e Artës.
Natyrisht ne nuk mund të themi se ilirët e Lashtësisë kishin një koncept mbi bashkësinë e madhe ilire së cilës i përkisnin, por, si çdo bashkësi njerëzore ata kishin vetëdijen ‘Ne’, një vetëdije etnike të bazuar në gjuhën që flitej në fis e në bashkësinë e fiseve që ata arrinin të perceptonin.
Krijimi i shteteve ilire të ardianëve me Agronin, Teutën e Gentin dhe të Epirit, sidomos nën sundimin e Piros së Epirit, që arritën të luajnë nje rol politiko-ushtarak të sërës mesdhetare, por edhe të shtetit të fuqishëm të Dardanëve, na japin të kuptojmë se, që në ato kohë, të parët tanë iliro-epirotë kishin zhvilluar një vetëdije etnike mbifisnore si një kusht thelbësor i formimit të shteteve mbifisnore mbi baza etnike (me gjuhë, doke, mite dhe kulturë të përbashkët). Mbretëresha Teuta u fliste të deleguarve romake për të drejtat detare dokësore të shtetasve të saj, të cilët u përkisnin një numri fisesh të Ilirisë së Jugut dhe në ushtrine e tij Pirua kishte ushtarë jo vetëm nga fisi i tij molos, por edhe nga fiset dhe nënfiset e kaonëve dhe të thesprotëve. Kryengritjet e mëdha shumëfisnore të ilirëve kundër Romës flasin po ashtu në të mirë të ekzistencës së një vetëdije mbifisnore ilire edhe në rajonet veriore të Ilirisë.
Shteti i parë shqiptar, Shteti i Arbrit nga fillimi i shekullit XIII dhe despotatet (mbretëritë) epirote të sundimtareve shqiptare Peter Liosha, Gjin Bua Shpata dhe Gjin Zenebishi në shekujt XIV-XV, u krijuan mbi një bazë etnike arbërore, ndonëse dy prijsat e parë i zgjeruan kufijtë edhe në territore të banuara pjesërisht nga popullsi greke. Krijimi i këtyre shteteve shqiptare relativisht të mëdha, brenda kufijve të perandorisë Bizantine dhe në kushtet e copëzimit feudal, tregonte se vetëdija mbifisnore ”Ne” ishte zgjeruar në drejtim të një koncepti panarbëror.
Shumë shpejt pas formimit të këtyre shteteve shqiptare, nga mesi i shekullit XV, heroi kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu bëri përpjekjen e parë për të bashkuar të gjithë shqiptarët në luftën kundër pushtimit osman me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës të vitit 1444. Megjithatë, ky bashkim panarbëror nuk u krye plotësisht sepse tanimë një pjesw e madhe e teritoreve shqiptare të Shqipërisë së jugut (thuajse tërë territoret e ish provincës romake Epirus vetus, nga Vjosa deri në gjirin e Artës) kishin rënë nën sundimin osman. Por Lidhja e Lezhës, edhe pse nuk përfshiu dot tërë krahinat dhe prijsat feudalë shqiptarë, ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të kapërcimit të copëzimit feudal dhe krijimit të një vetëdije ‘Ne’ panarbërore
Edhe pas pushtimit osman të trojeve shqiptare, pishtari i lirisë që mbajti ndezur për një çerek-shekulli lufta heroike e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut nuk u shua. Pushtimi i ri nuk shënoi shuarjen ndwr shqiptarët as të dëshirës për të fituar lirinë, as të përpjekjeve të tyre të armatosura antiosmane.
Edhe pse krijimi i shtetit (vilajetit) shqiptar përkohësisht të pavarur të Ali Pashë Tepelenës, në një kohë kur nacionalizmi në Europe kishte dalë si një forcë madhore e ndryshimit politik, nuk shpuri në një ngjallje të pritshme të nacionalizmit në Shqipëri, ai i dha një impuls emocional vetëdijes kombëtare shqiptare. Shkaqet e kësaj daljeje të vonuar të shqiptarëve në skenwn e nacionalizmit europian nuk lidhen me izolimin kulturor të Shqipërisë nga Europa Perëndimore më shumë se sa me demografinë fetare të Shqipërisë së asaj kohe.
Fati historik, dhe jo dëshira e shqiptarëve, bëri që pas skizmës së shekullit X, rivaliteti midis Romës dhe Bizantit në pjesën perëndimore të Ballkanit, popullsia shqiptare të ndahej thuajse në mes në një zone katolike në veri të vëndit dhe ortodokse bizantine në jug. Kjo ndarje ishte, mbase, shkaku vendimtar i ‘paaftësisë’ së shqiptarëve për të formuar një kishë të pavarur kombëtare ashtu siç kishin bërë bullgarët, sërbët e, në shekullin XIX edhe grekët. Përhapja më vonë e islamit në një pjesë të trojeve shqiptare thelloi ndarjen fetare në Shqipëri. Kjo ndarje e madhe fetare, ndalimi i shkollave shqipe dhe mungesa e njw Kishe kombëtare në trojet shqiptare gjatë shjekujve tw sundimit osman la truall të lirë për depërtimin në jug të Shqipërisë të gjuhës greke nëpërmjet Kishës autoqefale greke dhe shkollave greqisht, që shpunë në adoptimin gradual të greqishtes paralel me humbjen e shqipes dhe të vetëdijes etnike shqiptare nga segmente të konsiderueshme të popullsisë shqiptare, në territoret e ish provincës romake Epirus vetus, nga Gjiri i Artës deri në lumin Vjosa.Lidhja e ngushtë shpirtërore me vëndin dhe traditën e tij kulturore, ndonjëherë e cilësuar gabimisht si konservatorizëm, ka qënë një nga faktorët më të rëndësishëm të mbijeteses së shqiptarëve. Mbijetesa e habitshme këtij populli, që ka ruajtur identitetin e vet etnik duke u ndodhur për rreth 15 shekuj në epiqendrën e trysnisë helenizuese e sidomos romanizuese, përballë të cilave u shuan identitetet etnike te dhjetra popujve dhe kombeve të Europës, i ka shpurë ndonjëherë edhe dijetarë objektivë (jo vetëm ata shovinistë), në idenë e gabuar dhe të hedhur poshtë historikisht se shqiptarët mund të kenë ardhur dukur në mesjetë në trojet e tyre të sotme.
Dalja e prijsave feudalë shqiptarë në krye të vilajeteve të mëdha të Janinës e të Shkodrës, Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjve, mund të ketë krijuar ndër shqiptarët një mirazh çlirimi nga zgjedha turke, duke lehtësuar dhe forcuar kështu pushtetin e tyre në atë shkallë që i dha mundësi, Aliut t’i kundërvihej haptas pushtetit qëndror osman dhe të sundonte praktikisht në mënyrë të pavarur nga Sulltani. Ndërhyrja ushtarake osmane e mbyti në embrion shtetin e pavarur protokombëtar të Aliut. Por nuk do të ishte shumë e guximshme të mendohej se, edhe pas dështimit, ai shtet kontribuoi për zgjimin në vetëdijen e shqiptarëve të idealit kombëtar, në idenë se një shtet i përbashkët i tërë shqiptarëve ishte brënda mbretërisë së gjërave të mundëshme.
Kjo duket se gjen mbështetje dhe në faktin se menjëherë pas rënies së shtetit të Aliut (1822), në vitin 1828, gjyshi i Ismail Qemalit, kreut të shtetit të ardhshëm të pavarur shqiptar, u kërkonte disa feudalëve të tjerë shqiptarë të mos mirrnin pjesë në shtypjen e revolucionit grek, por të kujdeseshin për të ardhmen e vëndit të tyre. Besëlidhja e Beratit e feudalëve shqiptarë në nëntor 1828, për të mos u vënë në shërbim të politikës osmane dhe për të rifituar vetëqeverisjen e humbur me rënien e shtetit të Ali Pashë Tepelenës, tregonte se ideja a krijimit të një shteti të pavarur shqiptar ishte ende gjallë.
Megjithatë, si dokumenti i parë që tregon se në vetëdijen etnike të shqiptareve ”Shqipëria” po ngrihej në formën e një koncepti politik dhe atdhe i përbashkët i shqiptarëve është kënga e mirënjohur popullore për kryengritjet e mëdha kundër reformës së taksave të Tanzimatit që u shpall me ediktin e vitit 1839 të Sulltan Mahmutit II:
”-Pse lufton a derëzi,
– As për mua as për ti,
Po për gjithëShqipëri.”
….që u bë manifest politik i kryengritjeve kundër asaj reforme ekonomike osmane.Kjo këngë popullore tregon sheshit se shpëtimi i Shqipërisë në kohën e kryengritjeve të Tanzimatit ishte bërë ideal kombetar i popullit shqiptar. Nw po këtë kohë, në vitin 1844, Naum Bredhi (Veqilharxhi) hartoi ”alfabetin e Vithkuqit” me 33 gërma dhe botoi abetaren Evëtori Shqip Fort i Shkurtër për të shkruar shqip e për të mësuar gjuhën shqipe, edhe pse ligji lejonte mësimin në shkolla vetëm të turqishtes dhe të greqishtes. Me sa dihet, kjo ishte ngjarja e pare ne frontin kulturor e Rilindjes sonw kombwtare. Këto dy ngjarje mund të konsiderohen si bërthama rreth së cilës u mbështollën shtresat e ortekut të zhvillimeve të mëvonëshme politiko-kulturore të Rilindjes Kombëtare shqiptare, që i dhanë formën nacionalizmit shqiptar dhe bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Nacionalizmi, si kudo në botë, edhe në Shqipëri nuk ka qënë i përsosur, por ajo që mund të thotë me siguri kushdo që njeh historinë e nacionalizmit/atdhetarisë shqiptare është se ai nuk u moleps ndonjëherë nga elemente shoviniste, ekspansioniste ose imperialiste, siç ndodhi në ndonjë vënd tjetër. Ai lindi e u zhvillua si një lëvizje për shpëtim kombëtar, në një periudhë kritike që rezikonte zhdukjen e kombësisë shqiptare dhe u bë nje instrument politik i pazëvëndësueshëm për bashkimin kombëtar, fitoren e pavarësisë dhe themelimin e shtetit modern shqiptar.
Krerët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare shfrytëzuan për nevojat ideologjike të nacionalizmit shqiptar burimet historike dhe albanologjike të kohës për prejardhjen e lashtë iliro-pellazgjike dhe formimin e popullit shqiptar e të gjuhës së tij në trojet e sotme shqipfolëse, për zakonet, traditat kulturore dhe dokësore, për të farkëtuar bashkimin e domosdoshëm të të gjithë segmenteve të popullit, për krijimin e shtetit shqiptar. Ata mbushën me zgjuarsi e me sukses të çarat që kishte lënë historia në besimin e coptuar fetar (katolik, ortodoks, musliman e bektashi) të shqiptarëve, dhe ngadhnjyen në luftën për jetë a vdekje me propagandën përçarëse antishqiptare të nxitur nga fqinjët shovinistë.
Duke kthyer sytë prapa në atë periudhë relativisht të shkurter zhvillimesh të vrrullshme në ballët ideologjikë, politikë, fetarë dhe kulturorë të Rilindjes sonë kombëtare, njeriu nuk mund të mos admirojë vizionin e gjerë dhe largpamësinë, mënçurinë, punën vetmohuese dhe sakrificat personale të atij brezi të lavdishëm atdhetarësh, nuk mund të qëndrojë pa u përkulur me respekt para veprës së tyre të madhe, krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në kushtet e jashtme dhe të brendshme nga më të pafavorshmet që mund të përfytyrohen.
* U publikua ne numrin special te printuar te 28 nentorit 2015