• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDITH DURHAM DHE PREMTIMI I PAMBAJTUR I SHQIPTAREVE

August 9, 2017 by dgreca

brenga-e-ballkanit-edith-durham

Kalemi i florinjtë i Edit Durhamit, premtim i pambajtur i shqiptarëve/

Edit Durham

Nga Vepror Hasani/Miss Edit Durham do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve, ndoshta përjetësisht. Nuk ka asnjë arsye për t’u harruar. Mbetet mikja më e mirë e tyre. Me shqiptarët u njoh së pari, gjatë një udhëtimit që pati në gusht të vitit 1901 në Mal të Zi (Ulqin, Tivar, Shpuzë etj), e prej andej në qytetin e Shkodrës. Më pas u kthye në vendin e saj, ku qëndroi shtrirë  për një kohë të gjatë, sepse ishte e sëmurë, por sapo e ndjente veten mirë, ngrihej nga shtrati e nisej drejt shqiptarëve.

Kjo ishte dhe arsyeja që në vitin 1914 shqiptarët vendosën t’i bënin zonjës së nderuar, Edit Durham, një dhuratë të veçantë; një kalem të artë, më të bukurin që mund të gjendej në dyqanet e Europës, pse jo edhe të Amerikës. Çmimi i kalemit, sado i shtrenjtë që të ishte, nuk përbënte shqetësim. Për Miss Durhamin do të kontribuonin gjithë shqiptarët. Dhe këtë gjë e bënin me gjithë shpirt; ndiheshin të nderuar. Problem ishin vetëm ushtritë e huaja që hynin e dilnin si në një tokë pa zot, ku vrisnin, prisnin dhe digjnin çfarëdo që u delte përpara. Nuk ishte kohë e përshtatshme për dhurata, por shqiptarët dëshironin ta bënin këtë gjë sa më parë të ishte e mundur; e kishin me gjithë zemër.

Iniciativa për dhuratën e artë lindi në qytetin e Elbasanit. Nuk qe rastësi, Edit Durham, si me të gjithë shqiptarët, edhe me banorët e Elbasanit, pati miqësi të vërtetë.

Në prill të vitit 1910, kur Mis Durham u kthye sërish në Shkodër, e gatshme për të njohur nga afër jetën ballkanike, qëndroi për tetë ditë edhe në qytetin e Elbasanit, ku takoi shumë njerëz, skicoi portretet e tyre, mblodhi fjalë të urta, këngë të vjetra popullore dhe mori pjesë edhe në një dasmë. Nusja i pëlqeu shumë Durhamit, saqë brenda një kohe të shkurtër i bëri një portret me bojra uji. Nusja që pozoi para Edith Durhamit, lindi një djalë që i vunë emrin Aleks Buda. (Atje ku shkelte zonja e nderuar, lindte mirësia).

Piktura e nuses së Elbasanit ruhet në Institutin Mbretëror të Antropologjisë në Londër, sepse siç dihet, Edit Durham ishte piktore e talentuar. Studimet e para i kreu në Kolegjin e Bedfordit, e më pas për shkak të pasionit për pikturën, u regjistrua në Akademinë Mbretërore të Arteve. Që në moshë të re hapi disa ekspozita në Akademinë Mbretërore dhe në Institutin Mbretëror të Pikturave me bojëra uji. Disa prej tyre ndodhen në Institutin Mbretëror Antropologjik.

Iniciativa e Elbasanit për blerjen e kalemit të artë, u bë e njohur te gazeta“Perlindja e Shqipëniës” prej z. Mit’hat Frashëri nëpërmjet një letre, dërguar redaksisë, ku shkruhej:

“Zoti Drejtor i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Vlonë.

Lutemi të botoni këto të paka radhë: këtu n’ Elbasan filluam të mbledhim ndihmë nga një metelik (10 para, 5 qindarka) për njeri: duamë të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zonjës Edith Durham si kujtim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tënë, me shkrimet dhe botimet e saj. Për të rrëfyer këtë mirënjohje të kombit tënë, kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit, dhe nga ky shkak s’marrim me tepër se 10 para për njeri. Në komisionin që u formua për këtë nënëshkrim (ndihmë) janë zotërinjtë  G. Cilka, Dr. Rushdi beu, Taq Buda dhe unë (Mit’hat Frashëri).

Ndihmat (çek, bankënotë, ose timbra poste të Shqipërisë), bashkë me emrat e ndihmëtorëve, çohen n’ adresë: Taqi Buda, spicer, Elbasan.

Pritni, u lutem, të falat e mija me nder

Midhat Frashëri

Elbasan, 7/20 janar 1914”.

(Perlindja e Shqipëniës 1914, nr. 6, e shtunë 18/31 kallënduer, f. 2)

Botimi i lajmit në gazetë entuziazmoi të gjithë shqiptarët. Më në fund po mbërrinte dita e shumëpritur për t’i shprehur mirënjohejen zonjës së nderuar me një dhuratë simbolike, por që vlente sa gjithë zemrat e shqiptarëve.

Ja çfarë shkruhet te parathënia e librit “Brenga e Ballkanit”:“Kontributi i Edith Durhamit në jetën politike të Shqipërisë në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, duke qenë dhe objekt dhe subjekt i ngjarjeve, ka rëndësi, sepse, duke u botuar në kryeqytetet më të mëdha të Evropës, do të shërbente, siç edhe shërbeu, si një material burimor dokumentar i klasit të parë për lëxuesin masiv, studiuesit dhe shkencëtarët. është i njohur guximi qytetar i Mis Durhamit në denoncimin e Trajktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915. Në këtë traktat me indiferencën dhe mospërfilljen e Fuqive të Mëdha mbi tryezën e operacionit vihen shtete e kombe të vogla, të cilave si Shqipëria e cungohen kufijtë për të kënaqur oreksin e fqinjve shovinistë. Telegrami përshëndetës që i dërgoi Edith Durhami Fan Nolit me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për mbrojtjen e fateve të atdheut”
Zonja Edit Durham njihte nga afër pothuajse të gjitha viset e Shqipërisë. Çdo tmerr që pa me sytë e saj, ia rrëfeu botës mbarë. Kështu shkruhej edhe në gazetën “Albania”:

“Shqipëria e gjykuar prej një zonje inglize, që flet më tepër se pesë gjuhë dhe ka parë shumë – shumë vende, ka udhëtuar gjashtë herë në Ballkan. Herën e fundit, udhëtoi nga Monastiri në Shkodër duke shkuar nga Korça, Kolonja, Leskoviku, Përmeti, Tepeleni, Vlora, Berati, Elbasani, Durrësi, Kruja, Oroshi, pa emëruar viset e vogla. Foli me shumë veta, vështroi teqera bektashinjësh, monastire kallojerësh orthodhoksë, famulli priftinjësh katolikë. Edhe ç’pa, ç’vuri re, ç’kuptoi e ç’mendoi, na i thotë në një libër prej 330 faqesh që doli tani shpejt në London”. (Gazeta Albania 1905, nr 1. f 11)

Edit Durahm, gjendej pranë shqiptarëve, sa herë që ata kishin nevojë për të:

“Një lajm zyrtar na dëfton se një çetë albanofilësh i paraqitën qeverisë angleze një protestë kundër veprimit të Serbisë në Shqipëri. Letra është nënshkruar prej më shumë se 25 vetash, ndër të cilët gjendet edhe nënshkrimi i të palodhshmes albanofile. M. E. Durham”. (Hylli i dritës 1921, nr 8. F. 372)

Më 1918, Miss Durham u zgjodh sekretare nderi e Shoqatës Angli-Shqipëri, që kishte si kryetar  Obrej Herbertin. J. Suire, analist i shquar i problemeve ndërkombëtare, që është marrë me problemet e Shqipërisë, shkruan:

Lidhja e Kombeve e njohu Shqipërinë edhe në saj të përpjekjeve të kësaj shoqate.”

(J. Suire, Albania – The Rise of kingdom, Londër 1929, fq 281).

Dhe shqiptarët i nderojnë miqtë:

“Këta mprojtës, këta shkrimtarë të ndritshëm, ka detyrë  Atdheu t’i quajë përherë “Miqt’ e Shqypnisë”. Me nderim e simpati do të përmendë emrin e Bopp-it, Hahn-it, Meequard-it, Mayer-it, A Herbert-it, Becker-it, Miss Edith Durham-it, etj., etj.

(Hylli i dritës 1922, nr, 3, f.128).

Ndaj edhe kur nëna e zonjës Durham, u nda nga jeta, shqiptarët i shprehën pa vonuar dhimbjen e tyre të thellë:

“Na vjen keq që  Zonjëza Edith Durham humbi t’ëmën tani shpejt. Marrim lirinë t’i dërgojmë ngushëllime n’emër të së Përkohëshmes si edhe të shumë Shqiptarëve”.

(Gazeta Albania 1906, nr 1, f.5)

Për të gjitha këto, gjithkush priste që blerja e kalemit të artë të ndodhte sa më shpejt. Për çfarë kishte ndodhur, shpjegimet erdhën sërish nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë”:

“Z. Midhat Frashërt na dha këto spiegime mbi kalemin e florinjtë që do t’i epetë së dëgjuarës filoshqiptare, Zonjës Edith Durham, dhe për të cilën po mblidhen nga një dhjetësh për njeri.

– Kalemin e porositëm në Amerikë, një kalem të florinjtë që mban mellanin (myreqepin) brënda; do të kustojë afro 1500 grosh dhe në të do të jetë shkruarë: “Zonjës Edith Durham, Shqipëtarët mirënjohës, 1914″.

Gjer më sot, këtu në Vlorë, janë mbledhun 670 dhjetësh, me anë të gazetës “Përlindja e Shqipërisë” të zotërinjëve Cilka, oficer Xhavidit, La Bimbli, Xa Hysejn etj.

Nga Fieri na erthnë 122 dhjetëshe, në Elbasan gjer ditën që dola, d-m-th, dy javë më parë ishin mbledhur 720 dhjetëshe.

Po e shihni se duhen akoma shumë metelikë që të mbushet shuma. Është nevojë që në çdo qytet, si Shkodër, Berat, Durrës etj, etj, si edhe kolonitë shqipëtare t’Amerikës, të Rumanisë, Egjiptit, Bullgarisë, Turqisë, të përpiqenë pak. E kemi thënë se çdo dërgim të hollash duhet të ketë dhe listën e ndihmëtarëve. Adresa për ndihmat është:  Z. Taqi Buda, spicer, Elbasan”.

(Perlindja e Shqipëniës 1914, nr.19, e mërkurë 5/18 mars)

Pra, duhej edhe pak kohë deri sa të plotësohej shuma e duhur që zonja e nderuar, Edit Durham, të merrte dhuratën e artë. Fatkeqësisht të hollat e nevojshme nuk u mblodhën dot kurrë. Ushtritë e huaja vijonin të hynin në Shqipëri me zjarr dhe hekur, ndërsa banorët braktisnin vendbanimet e tyre…

Nuk kemi asnjë informacion që kalemi i artë të jetë blerë. Dhe nëse ka ndodhur kështu, ky është një premtimi i pambajtur i shqiptarëve; u ndodhi kështu, sepse për vite të tera me radhë ekzistenca e Shqipërisë ishte në pikëpyetje, as vetë shqiptarët nuk e dinin çfarë do të ndodhte me ta…

E megjithatë…  është një premtim i pambajtur.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edith durhami, i shqiptareve, premtimi i pambajtur, Vepror Hasani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT