• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump rezulton me COVID

October 2, 2020 by dgreca

VOA- Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se Presidenti Donald Trump ka simptoma të lehta pas testimit pozitiv për COVID-19 por pritet që ai të vazhdojë punën. Zoti Meadows shprehu optimizëm se presidenti do të shërohet shpejt.

Dy persona që kishin dijeni për gjendjen e tij thanë se simptomat ishin të ngjashme me të ftohurin.

Presidenti shkroi në rrjetin Twitter se “zonja e parë dhe unë dolëm pozitivë në testin për COVID-19. Do të fillojmë karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do ta kalojmë sa bashku këtë”.

Pak më vonë Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum nga mjeku i presidentit 74-vjeçar, Dr. Sean Conley, duke konfirmuar testet pozitive për çiftin Trump.

“Presidenti dhe Zonja e Parë janë mirë aktualisht dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë procesit të kurimit”, tha zoti Conley.

Ai shtoi se ai pret që presidenti “të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje ndërsa shërohet, dhe unë do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim të ardhshëm”.

Zonja Melania Trump shkroi në twitter se “siç kanë bërë shumë amerikanë këtë vit, presidenti dhe unë jemi në karantinë në shtëpi pasi dolëm pozitiv për COVID-19. Po ndihemi mirë dhe unë i kam shtyrë të gjitha angazhimet e ardhshme. Ju lutemi sigurohuni që po qëndroni të mbrojtur dhe të gjithë do ta kalojmë së bashku”.

Ndërkaq, kandidati demokrat për president Joe Biden dhe gruaja e tij u testuan sot negativë për koronavirusin, ndërsa kandidatja për nënpresidente Kamala Harris u testua negative dje.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, të gjitha ngjarjet politike të presidenti Trump për të ardhmen e afërt janë anuluar. Lajmi vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve ku ai përballet me ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson në anketat kombëtare.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Presidenti Trump, i cili për muaj me radhë kishte minimizuar seriozitetin e koronavirusit, të enjten në mbrëmje konfirmoi gjatë një interviste telefonike në Fox News se ai dhe zonja e parë ishin testuar pasi një nga ndihmëset e tij, Hope Hicks, u konfirmua të ishte e infektuar.

     ***

Reagime ndërkombëtare pas testimit pozitiv të Presidentit dhe Zonjës së Parë

Politikanë republikanë e demokratë i uruan presidentit Trump dhe Zonjës së Parë shërim të shpejtë pas njoftimit të lajmit për infektimin e tyre nga koronavirusi.

Në një postim në Twitter Nënpresidenti Mike Pence shkruante se: “Karen dhe unë i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona miqve tanë të dashur Presidentit Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump. Ne bashkohemi me miliona në të gjithë Amerikën që po luten për shërimin e tyre të plotë e të shpejtë. Zoti e bekoftë Presidentin Trump dhe Zonjën tonë të Parë të mrekullueshme Melania”.

Urime për shërim të shpejtë Presidenti Trump dhe Zonja e Parë morën edhe nga rivali i zotit Trump për garën presidenciale demokrati Joe Biden dhe bashkëshortja e tij. Zoti Biden shkruante në twitter se ai dhe Jill Biden: “do të vazhdojmë të lutemi për shëndetin dhe sigurinë e presidentit dhe familjes së tij”.

Nuk dihet saktësisht se deri në çfarë mase infektimi i Presidentit Trump nga koronavirusi do të ndikojë në aktivitetet e fushatës së tij për rikandidim. Aktualisht zoti Trump nuk do të udhëtojë për tubime zgjedhore apo aktivitete të tjera që lidhen me mbledhje fondesh.

Ndërkohë sekretari i Shtetit Mike Pompeo i cili u nis të premten për një vizitë në Kroaci, siguroi gazetarët që udhëtonin me të se ai ndihet mirë dhe se nuk është prekur nga COVID-19, duke theksuar se testi që kishte bërë sot paradite kishte dalë negativ. Zoti Pompeo i uroi shërim të shpejtë Presidentin dhe Zonjës së Parë.

Ligjvënësi demokrat i Teksasit Joaquin Castro shprehu gjithashtu shqetësim e tij lidhur me shëndetin e presidentit. Në një postim në Twitter ai shkruante se: “kjo nuk është vetëm çështje e shëndetit personal të Presidentit, por edhe çështje e sigurisë kombëtare”.

Mesazhe për shërim të shpejtë të Presidentit ndanë edhe disa nga kritikët më të ashpër të tij. Udhëheqësi amerikan i të drejtave civile, Jesse Jackson shkruante në twitter se “lutej sinqerisht që Presidenti dhe Zonja e Parë të mos përjetojnë pasojat më të rënda të sëmundjes”.

“Ne të gjithë duhet të lutemi për shërimin e plotë të Presidentit dhe bashkëshortes së tij. Pavarësisht bindjeve fetare apo politike, të gjithë duhet të lutemi pasi miliona njerëz janë prekur nga kjo sëmundje“, vijonte mesazhi i tij në Twitter.

Ndërkohë shumë udhëheqës ndërkombëtarë i uruan shërim të shpejtë Presidentit dhe Zonjës së Parë, mes tyre Kryeministri Britanik Johnson, Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti rus Putin, Kryeministri turk Erdogan, Kryeministri i Indisë Modi, Kryeministri izraelit Netanjahu, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Ghebreyesu e të tjerë.

Pas lajmit se presidenti Trump ishte infektuar nga COVID-19 tregjet ndërkombëtare pësuan rënie. Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit më shumë se 207 mijë amerikanë kanë humbur jetën dhe më shumë se 7.2 milionë të tjerë janë infektuar.

***

Reagime në Kosovë e Shqipëri pas testimit pozitiv të presidentit Trump dhe Zonjës së Parë

Udhëheqës të Kosovës dhe Shqipërisë reaguan pas njoftimit se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, dolën të prekur nga koronavirusi.

Lajmi zuri vendin qendror në mediet e të dyja vendeve që radhiten ndër aleatët kryesor të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin se presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, dolën pozitiv në testin për COVID-19. Duke shprehur dëshirën për shërim të shpejtë në emër të popullit të Kosovës, ai shkroi se “kam besim që presidenti dhe Zonja e Parë do ta tejkalojnë këtë sfidë dhe do të shërohen “.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkroi se “lutjet tona janë më presidentin Donald Trump dhe Zonjën e Parë, duke ju dëshiruar shërim të shpejtë”.Në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë konferencës së përjavshme me gazetarë, u dëshiroi “shërim të shpejtë presidentit Trump dhe Zonjës së Parë”, pak pas njoftimit së të dy dolën pozitiv.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, shkroi se “mendimet dhe lutjet tona shkojnë për një shërim të shpejtë për Zonjën e Parë Melania Trump dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”.-Kortezi-Zeri i Amerikes

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Trum, Test Pozitiv, Zonja e Pare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT