• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NDERON PRESIDENTIN RUGOVA

October 2, 2020 by dgreca

KRYETARI I VATRËS, Z.ELMI BERISHA,NDEROI ME MIRËNJOHJE TË ARTË DR.IBRAHIM RUGOVA(PAS VDEKJES)-

Të Premten,3 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha ka nderuar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (Pas vdekjes) me Medaljen e Artë të Vatrës.

       Në tekstin e Mirënjohjes shkruhet: Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” nderon me “Mirënjohjen e Artë”-Post Mortem- Presidentin e Parë Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e jashtzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për udhëheqjen vizionare të Rezistencës të Kosovës për Liri dhe Demokraci, për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Dr. Rugova ishte arkitekti i ndërtimit të shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës.”

I pyetur nga gazeta Dielli, Kryetari Berisha, tha se ishte i privilegjuar që e ndau këtë nderim më familjen Rugova, i cili kishte një vlerësim të jashtzakonshëm për Vatrën. Z. Berisha tha se takimi me Zonjën e Parë të Kosovës, Fane Rugova dhe pjestarët e tjerë të familjes në Shtëpinë Historike të Presidentit,ishte i përzemërt dhe i mbushur me emocione.

– Ne biseduam dhe kujtuam miqësinë dhe bashkëpunimin për rreth tri dekada me Presidentin Rugova.Posacërisht kujtuam kohën kur isha përfaqësues special i Presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Zyrës së Senatorit Republikan Bob Dole,-tha Kryetari Berisha.

Zonja Fane falenderoi Vatrën për nderimin që i bëri Presidentit Rugova.

   Ky nderim që iu bë Presidentit Historik nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” përkoi me 31 vjetorin e vizitës së Parë të Dr. Ibrahim Rugovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës.Ishte Seminari kushtuar 300 Vjetorit të Pjetër Bogdanit, kur Dr. Rugova u ftua së bashku me ligjërus të tjerë në SHBA. Me 4 tetor të vitit 1989, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, organizoi seminarin shkencor,në të cilin ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës Kombëtare të asaj periudhe, si : Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj, ardhur nga Gjermania. (Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, PRESIDENTIN RUGOVA, VATRA NDERON PRESIDENTIN RUGOVA

GAZETA”RILINDJA” E KOSOVES, 71 VJET HISTORI…DHE INTERVISTA ME PRESIDENTIN RUGOVA

February 11, 2016 by dgreca

***Kryetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, Behlul Jashari, për festën e Ditës së Rilindjes 12 Shkurt 2005 i dhuroi Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Pllakatin e Jublileut të 60-vjetorit të gazetës së parë të Kosovës Rilindja/
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova para 11 vitesh: Gazeta Rilindja duhet t’i ketë të drejtat që i takojnë/
– Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Do të keni përkrahjen tonë/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2016/ Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt do të duhej të festonte 71-vjetorin. Por, s’ka festë shumë vite. Në këtë 21 shkurt bëhen 14 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm e i padrejtë nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK gazetës Rilindja ndërmarrje shoqërore. Ishte mbyllje detyrimisht e gazetës dhe ndërmarrjes. Ishte edhe dëbim kolektiv dhe i dhunëshëm nga puna i gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të gazetës historike Rilindja. Shkelje shumë e rëndë e të drejtave, rast i pashembullt në botën e lirë e demokratike.
Gazeta Dielli në SHBA, më e vjetra në gjithë botën shqiptare, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, e cila feston në këtë 15 shkurt 107 vjetorin, është në përkrahje për të drejtën dhe ridaljen e Gazetës Rilindja të privatizuar në procesin e ligjshëm të udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në përkrahje për zgjidhjen edhe të gjithë çështjes së Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja e punëtorëve të saj.
Duke ritheksuar mbështetjen, Gazeta Dielli riboton intervistën ekskluzive të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova të para 11 viteve, dhënë në jubileun e 60-vjetorit gazetës tradicionale Rilindja.
Presidenti Rugova në intervistë theksonte: “Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”.
Intervista e plotë është kjo:
Mbi titull: INTERVISTA EKSKLUZIVE E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, GAZETËS RILINDJA NË JUBILEUN E 60-VJETORIT, BOTUAR MË 12 SHKURT 2005
Titulli në faqen 1 e 2: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN
Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt
Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës
***
Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.
“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka
deklerësuar z. Rugova.
——————–
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime?
PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë.
RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje.
RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt.
RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve?
PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës.
RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet?
PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre.
RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda?
PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave.
Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara.
RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi?
PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik.
Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj.
Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.
RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok.
RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike?
PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë.
RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit.
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.
RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!
RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.
***
SHENIM-ME RASTIN 12 SHKURTIT 2016, DITËS SË 71-VJETORIT TË GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA: 14 VJET DËBIM DHE MBYLLJE, SHKELJE E RËNDË E TË DREJTËS, E PASHEMBULLT NË BOTËN E LIRË E DEMOKRATIKE/
Me rastin e 12 shkurtit 2016, ditës së 71-vjetorit të numrit të parë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhe 21 shkurtit të 14-vjetorit të dëbimit të kundërligjshëm, të padrejtë e të dhunshëm të kësaj gazete nga Pallati Rilindja që i bëri UNMIK përkujtojmë:
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK para 14 vitesh në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”…
Në letrën zyrtare të 12 shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja, mes tjerash, ka theksuar:
“Emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Por, në rrethanat tona kur Pallatin Rilindja e ka marrë qeveria dhe duhet ta kompensojë, ne privatizimin e gazetës nuk e lidhim me objektin. Kush e blenë gazetën – të drejtën për të qenë trashëgimitar i ligjshëm i emrit dhe traditës së Rilindjes, siguron vetë lokalet e punës”.
…..
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i Rilindjes nga administrata e UNMIK-ut.

Filed Under: Histori Tagged With: "RILINDJA" E KOSOVES, 71 VJET HISTORI...DHE INTERVISTA ME, Gazeta, PRESIDENTIN RUGOVA

Kosova kujton Presidentin historik Rugova në 71 vjetorin e lindjes

December 2, 2015 by dgreca

-Mustafa: Presidenti Ibrahim Rugova, është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës-/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Kosova kujton sot Presidentin historik, liderin arkitekt i Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova, i lindur pikërisht para 71 viteve,  në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 71 vjetorit të lindjes. Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se Presidenti Ibrahim Rugova, është themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore. “Presidenti Ibrahim Rugova, është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash, solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Isa Mustafa. Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas vetes, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës që solli pavarësinë e Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim maksimal do të vazhdojë rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryesia Qendrore e LDK-së, kanë bërë homazhe sot pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 71- vjetorit të lindjes.Kryetari Mustafa dhe anëtarët e Kryesisë së LDK-së, ka vënë kurora lulesh, si dhe kanë përkujtuar jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, themeluesit dhe liderit të LDK-së, Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe pasardhësit e Presidentit Rugova, Mendim dhe Teuta Rugova.

 Që para më se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti IbrahimRugova i parashikonte e kërkonte në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

 “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002. Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002 për gazetën Rilindja.Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur pëjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës. Në 21 janar 2006, kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmës për Kosovën shtet euroatlantik.Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova kujton, PRESIDENTIN RUGOVA

NJË DITË TE VARRI I NOLIT ME PRESIDENTIN RUGOVA

March 13, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Në vitin 1993 së bashku me presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili asaj kohe ndodhej për një vizitë zyrtare në SHBA, në shoqëri te At Arthur Lioninin, Kancelari i Kishës Orthodokse Shqiptare ”Shën Gjergji”, Antony Athanas, veprimtarin dhe biznismenin e njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe Dr. Alush Gashin, vizituam varrin e Fan S. Nolit në Forrest Hill Cemetery në Boston, njërit ndër figurat më të spikatura të kulturës shqiptare, politikës dhe diplomacisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që u bë Kryedioqeza e shqiptarëve ortodoksë të Amerikës.
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duke njohur mirë veprimtarinë e Nolit dhe të Konicës dhe kontributin e tyre në fushën e letërësisë dhe të kulturës shqiptare, kishte një dëshirë të jashtëzakonshme të vizitonte Bostonin. Një kënaqësi tjetër e tij ka qenë edhe takimi me mikun tim të ngushtë Anthony Athanas, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë një kohë të gjatë me Nolin dhe Konicën. Me vemendje të madhe Dr. Rugova e ndiqte fjalën e zotit Anthony Athanas për këta dy kolos të papërsëritshëm të komunitetit tonë në SHBA.
Noli dhe Konica, me punën e tyre intelektuale, bënë që shqiptaro -amerikanët të ngrisnin zërin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kundër pushtimeve të tokave shqiptare pas vitit 1912 nga Greqia, Serbia dhe Mali i Zi. Noli ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të SHBA Wilson para Konferencës së Paqes në Paris, duke kërkuar ndihmën e tij që të ndaleshin pretendimet e fqinjve për copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare. Noli, ku sot shënojmë 50 vjetorin e vdekjes së tij, ishte njëri ndër themelusit e Organizatës Panshqiptare ” Vatra” në SHBA, udhëheqës i saj dhe editor i gazetës “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot pas 100 vjetësh të themelimit. Komuniteti ynë ka ndjekë dhe po ndjek rrugën e Nolit dhe të Konicës e të intelektualëve të tjerë që asaj kohe selinë e kishin në Boston. Zoti Athanas ka qenë ndërlidhës i brezit të vjetër me brezin më të ri të “Vatrës” dhe të brezave të komunitetit tonë. Ishte një figurë me influencë në Qeverinë amerikane, ngaqë kishte një lidhje të ngushtë me presidentin e Kennedy.
Duke iu falënderuar Nolit dhe Konicës dhe shumë veprimtarëve të tjerë, sot kemi një komunitet të fuqishëm me ndikim në Washington. Ne punuam në vazhdimësi që të kemi një komunitetet veprues, aktiv dhe të koordinuar për çështjen shqiptare. Mendoj se me punën që po bëjmë së shpejti do të jemi të pranishëm në Kongresin dhe Senatin amerikan.

Filed Under: Vatra Tagged With: nje dite, PRESIDENTIN RUGOVA, TE VARRI I NOLIT ME

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT