• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një ditë me fushatën e kandidatit Mark Gjonaj në Bronks

September 8, 2017 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI/ Zeri i Amerikes/

1 Mark GjonajMark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork është shqiptari i zgjedhur në postin më lartë politik në Shtetet e Bashkuara.Zoti Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, po kandidon tani si demokrat për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut në distriktin 13 të Bronksit, një zonë ku tradicionalisht demokratët fitojnë. Është një zonë ku banojnë edhe shumë shqiptarë, raporton Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës, i cili ishte në Bronks për të ndjekur një ditë fushate të zotit Gjonaj.

Të martën këtu zhvillohen zgjedhjet paraprake brenda demokratëve dhe fushata ka hyrë në fazën më intensive.

Punonjësit e fushatës shkojnë shtëpi më shtëpi për të bindur njerëzit të votojnë për Mark Gjonajn.

“Pa ju, – u thotë atyre zoti Gjonaj, – kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Ju jeni fytyra dhe zëri im. Ju bëni ndryshimin në këtë fushatë dhe unë nuk do ta harroj kurrë këtë.”

Fushata mes kandidatëve demokratëve ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Është shumë vështirë. Duhet të kesh një zell, një pasion dhe një dedikim të jashtëzakonshëm,” thotë Vera Mjeku, drejtore e komunikimit të fushatës.

Beteja për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut është e ndërlikuar edhe pse kjo nuk duket shumë nga jashtë, sepse për të fituar, duhet të kesh mbështetjen e politikanëve të njohur apo të sindikatave, por sidomos duhet të njohësh komunitetin.

Marku është marrë prej vitesh me biznesin e pronave të patundshme dhe e njeh mirë zonën ku kandidon.

“Ai gjithmonë ka qenë shumë i përfshirë në të gjitha gjërat që kanë ndodhur në këtë komunitet, ku shumica janë italianë, hispanikë ose të tjerë,” thotë zonja Mjeku.

Kur e pyesim se çfarë e motivon, Mark Gjonaj thotë se Amerika ka bërë shumë për atë dhe familjen e tij dhe se ka ardhur koha që ai t’i kthejë borxhin:

“Është në natyrën tonë t’ua shpërblejmë të tjerëve, është pjesë e traditës sonë. Ne jemi njerëz shumë bujarë, bëjmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë,” thotë zoti Gjonaj.“Prindërit e mi kur imigruan këtu nuk dinin gjuhën, nuk kishin arsimin e duhur e megjithatë ata gjetën kushtet për të punuar dhe për t’u beguatuar në këtë vend të madh. Ata investuan në të ardhmen time dhe në arsimimin tim, më dhanë mua shansin, nga i cili unë përfitova.”

Në Distriktin 13 ku konkurron Marku ka mjaft shqiptarë.

“Kam 20 vjet që kam ardhur këtu dhe e njoh Markun, thotë biznesmeni Gac Hanxhari. Është shumë njeri i përgjegjshëm, punon shumë për komunitetin shqiptar, gjithmonë ka dhënë. …. Ai e meriton gjithçka, sepse është një nga shqiptarët, duhet me thënë të rrallë këto kohët e fundit, që ka kontribuar për komunitetin.”

Marku është ndër shqiptarët e pakët në Amerikë që kanë patur sukses në politikë. E ka arritur çdo gjë vetë, me durim dhe punë.

“Nuk është e mjaftueshme që të përparojmë vetëm për veten tonë, të shkojmë në shkollë, të gjejmë një punë. Komuniteti ka ardhur në një shkallë që duhet të kërkojë përfaqësim. Marku nuk është vetëm vetvetja, nuk përfaqëson vetëm veten e tij, por një zë i munguar për komunitetin shqiptar dhe është politikani i vetëm shqiptar i zgjedhur në poitikën amerikane,” thotë zonja Mjeku.

Në komunitetin shqiptar ka një dëshirë për të nxjerrë më shumë politikanë.

“Politika, – shpjegon zoti Gjonaj, – është shkalla e fundit, kur stabilizohesh dhe ke bërë diçka për vete, për familjen dhe komunitetin. Shpresoj se së shpejti do të ketë shumë më tepër shqiptarë të suksesshëm në politikë.”

Marku e ka mësuar shqipen në Amerikë dhe me shqiptarët bisedat i bën gjithnjë në shqip.

“Ne shqiptarëve na ka bërë krenar Mark Gjonaj, sepse është i vetmi shqiptar që po prin,” thotë Lekë Lumaj, i cili gjithashtu banon në Bronks.

Por Marku ka shumë dashamirës të tjerë në të gjithë distriktin. Kur shkuam në një treg të vogël lagjeje, vumë re se ai hynte lehtë në bisedë me njerëzit e të gjitha etnive.

“Ai ka një zemër të mrekullueshme, – thotë Edith Blitzer. Kur humba burrin një vit më parë ai erdhi në ceremonitë e përmortshme, erdhi në shtëpinë time. Për çfarëdo që të kisha nevojë, ai mu gjend pranë. Falenderoj Zotin që nuk pata ndonjë nevojë, por ai më ofroi ndihmë.”

Në një aktivitet lagjeje ku banojnë edhe shqiptarë, Marku i njeh thuajse të gjithë, pavarësisht nga etnia.

“Ai e di se çfarë duam ne dhe e arrin atë që ne duam…” tha Laurene Tauber, banore e lagjes.

Nëse zgjidhet në këshillin bashkiak, Mark Gjonaj do të ketë më shumë rast për të ndihmuar komunitetin, sepse në nivel lokal do të jetë më afër njerëzve.

Kur e pyetëm nëse qëllimi i tij përfundimtar është të sigurojë në të ardhmen një vend në Kongresin amerikan, Gjonaj u përgjigj:

“Aspak. Unë kam një plan në mendje: ta ndihmoj këtë komunitet për t’u bërë më i fortë, më i shëndetshëm dhe më i begatë. Ne kemi nevojë të zgjidhim çështjet lokale, na duhet një qendër komunitare, na duhet të ndihmojmë të moshuarit. Na duhet një program që të ndihmojë për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nuk e di se ku do të çojë rruga e politikës, por kemi shumë punë në nivel lokal.”

Në Sheshin Uestçester të Bronksit, ku Marku dhe të tjerë po mbanin një aktivitet që quhej Dita Ndërkombëtare e Familjes, shihje mes të tjerash edhe flamurët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Disa nga politikanët që po mbanin fjalime ishin kolegë të Markut: Michael Benedetto, përfaqësues në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut dhe Jeffrey Klein, senator në Asamblenë e këtij shteti. Që të dy e mbështesin fort kandidaturën e Markut për në Këshillin e Nju Jorkut.

Është kohë dreke, njerëzit që kanë ardhur nuk janë shumë, por ata shkojnë e vijnë.

Fushata e zotit Gjonaj kishte sjellë një grup valltarësh me kostume shqiptare që krijuan gjallëri në shesh.

“Mark Gjonaj është ndër zyrtarët e zgjedhur më të papërtuar që kam takuar ndonjëherë. Ai interesohet thellësisht për komunitetin, për larminë etnike në Broks. Ai është nga ata të cilët e jetojnë çdo ditë me arsyen e thjeshtë për të sjellë një ndryshim në jetët e njerëzve,” tha Jeffrey D. Klein, Senator në Distriktin e 34 të Bronksit.

Nga ana e tij, Mark Gjonaj tha se ka një mesazh të thjeshtë për shqiptarët:

“Vazhdoni të punoni fort, mos e harroni vendlindjen, mos e harroni jetesën e vështirë që kemi patur. Ta bëjmë këtë botë më mirë sesa e kemi gjetur.”(Vidion mund ta shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Ikonomi, Mark Gjonaj, me fushatën e kandidatit, në Bronks, nje dite

Las Vegas: NJE DITE PER STILISTEN SHQIPTARE

December 19, 2016 by dgreca

Promovohet libri i Ermelinda Manos “Lost in Las Vegas”/1-luftari2-manajBashkia e Las Vegasit Shpalli 7 Dhjetorin 2016 “Ermelinda Manos Day”/4-pasarelaNga Teuta Mulaj/1-ok-ermelindaKëto ditë, në Galerinë Metropolitane të Muzeut të Artit në downtown Las Vegas, u organizua promovimi i librit të Ermelinda Manos “Lost in Las Vegas”.Merrnin pjesë njerëz të artit e kulturës, historianë të qytetit, përfaqësues të bizneseve lokale, stilistë, miq të Ermelindës dhe të familjes së saj të nderuar në komunitetin shqiptar të Las Vegasit dhe përtej.Veprimtaria e konceptuar si një mbrëmje koktei, u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë krijuese, me momente kulmore shumë të bukura dhe emocionuese. Libri në fjalë është fryt i një pune dyvjeçare studiuese, hulumtuese dhe krijuese të Manos, ku historia e zhvillimit të Las Vegasit, momentet më të rëndësishme të njohura dhe jo shumë të njohura ndërthuren me artin e ditarin krijues të stilistes tashmë të konsoliduar.

Në fjalën emocionuese, Ermelinda foli mbi punën e saj për studimin, hulumtimin dhe përzgjedhjen e 24 momenteve dhe pikave historike, të cilat në këtë libër vijnë të shoqëruara me veshtjet e krijuara dhe të realizuara prej saj, në përshtatje me historinë e qytetit. Ishte shumë e rëndësishme për mua, tha ajo, të kisha një staff të realizimit të librit me më të mirët në këtë fushë, njerëz që jetojnë dhe e duan Las Vegasin po aq sa edhe unë.

Redaktori i anës historike të librit është editori i famshëm, historiani i mirënjohur i Las Vegasit, Geoff Schumacher, kurse për anën grafike, artisti i talentuar Carlos Larios. Fotografi Anthony Mair dhe asistenti Jon Estrada kanë bërë një punë të lavdërueshme në fotografimin e pikave historike dhe modeleve të veshjeve që shkojnë përkrah tyre; të gjitha të prezantuara nga Alicia Hall, ish -Victoria Secret dhe Sport Ilustrated model. Make-up artist është Maile Bello, hair stilist Sylvia J. Stankowski, pa lënë pa përmendur asistentët Tiffany Weekes dhe Kelly Goetz.

Ermelinda Manos tha se ia dedikon këtë libër emigrantëve të rinj si një mesazh që gjithçka mund të arrihet, pavarësisht nga vështirësitë, mjafton të ndjekës çdo ditë ëndrrën tënde. Ajo foli edhe për vështirësitë e procesit të saj të emigrimit, ndonëse e ndihmuar fuqishëm nga avokatja Francy Johnson, e cila fluturoi 20 orë nga Kuvajt për të festuar me Ermelindën.

Mbrëmja u monitorua nga Sancho Van Ryan, personalitet i mirënjohur në jetën artistike, ndërkohë që DJ Douglas Gibbs, krijoi një sfond muzikor që i dha shumë bukuri dhe ngrohtësi tërë ambjentit. Por padyshim, momenti më i bukur, ishte kur Manos iu dorëzua një certifikatë me të cilën Z. Carolyn Goodman, Mayor e qytetit, dekreton 7 Dhjetorin 2016 si “Dita e Ermelinda Manos” duke nderuar kontributin e saj përmes fashion dhe art.

Ermelinda Manos, që erdhi në Las Vegas bashkë me prindërit dhe tre vëllezërit e saj, është rritur nga ajo çupëzë e vogël, me sy që shkëlqenin nga një ëndërr e madhe, që u tregonte miqve që vinin në shtëpinë mikpritëse të tyre skicat e saj, në këtë vajzë të bukur si yll, të talentuar dhe të suksesshme, që tashmë ka linjën e saj të veshjeve “Ermelinda Manos Designs”. Ajo është e ftuar në çdo sezon të “Fashion Week” në Los Angeles, me koleksionet e veshjeve të saj.

Të pranishmit në këtë mbrëmje patën kënaqësinë të ndjekin një sfilatë mode, ku për to bënë një kalim të bukur 24 vajza modele me 24 veshjet e paraqitura në libër dhe u larguan me besimin se do të shohin gjëra edhe më të bukura prej saj.

Ermelinda Manos është padyshim krenaria dhe gëzimi i familjes së saj dhe pse jo, edhe i komunitetit shqiptar të Las Vegasit e përtej.

Filed Under: Featured Tagged With: Ermelinda Manaj, las vegas, nje dite, PER STILISTEN SHQIPTARE

NJË DITË TE VARRI I NOLIT ME PRESIDENTIN RUGOVA

March 13, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Në vitin 1993 së bashku me presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili asaj kohe ndodhej për një vizitë zyrtare në SHBA, në shoqëri te At Arthur Lioninin, Kancelari i Kishës Orthodokse Shqiptare ”Shën Gjergji”, Antony Athanas, veprimtarin dhe biznismenin e njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe Dr. Alush Gashin, vizituam varrin e Fan S. Nolit në Forrest Hill Cemetery në Boston, njërit ndër figurat më të spikatura të kulturës shqiptare, politikës dhe diplomacisë dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që u bë Kryedioqeza e shqiptarëve ortodoksë të Amerikës.
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, duke njohur mirë veprimtarinë e Nolit dhe të Konicës dhe kontributin e tyre në fushën e letërësisë dhe të kulturës shqiptare, kishte një dëshirë të jashtëzakonshme të vizitonte Bostonin. Një kënaqësi tjetër e tij ka qenë edhe takimi me mikun tim të ngushtë Anthony Athanas, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë një kohë të gjatë me Nolin dhe Konicën. Me vemendje të madhe Dr. Rugova e ndiqte fjalën e zotit Anthony Athanas për këta dy kolos të papërsëritshëm të komunitetit tonë në SHBA.
Noli dhe Konica, me punën e tyre intelektuale, bënë që shqiptaro -amerikanët të ngrisnin zërin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe kundër pushtimeve të tokave shqiptare pas vitit 1912 nga Greqia, Serbia dhe Mali i Zi. Noli ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të SHBA Wilson para Konferencës së Paqes në Paris, duke kërkuar ndihmën e tij që të ndaleshin pretendimet e fqinjve për copëtimin e mëtejshëm të tokave shqiptare. Noli, ku sot shënojmë 50 vjetorin e vdekjes së tij, ishte njëri ndër themelusit e Organizatës Panshqiptare ” Vatra” në SHBA, udhëheqës i saj dhe editor i gazetës “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot pas 100 vjetësh të themelimit. Komuniteti ynë ka ndjekë dhe po ndjek rrugën e Nolit dhe të Konicës e të intelektualëve të tjerë që asaj kohe selinë e kishin në Boston. Zoti Athanas ka qenë ndërlidhës i brezit të vjetër me brezin më të ri të “Vatrës” dhe të brezave të komunitetit tonë. Ishte një figurë me influencë në Qeverinë amerikane, ngaqë kishte një lidhje të ngushtë me presidentin e Kennedy.
Duke iu falënderuar Nolit dhe Konicës dhe shumë veprimtarëve të tjerë, sot kemi një komunitet të fuqishëm me ndikim në Washington. Ne punuam në vazhdimësi që të kemi një komunitetet veprues, aktiv dhe të koordinuar për çështjen shqiptare. Mendoj se me punën që po bëjmë së shpejti do të jemi të pranishëm në Kongresin dhe Senatin amerikan.

Filed Under: Vatra Tagged With: nje dite, PRESIDENTIN RUGOVA, TE VARRI I NOLIT ME

Nje dite me Abaz Kupin

January 10, 2015 by dgreca

Nga Julian Amery*/
Ishim akoma te zene me hollesite e organizimit por, sic ishte vendosur ne Derje, nje oficer i ri zogist erdhi se bashku me disa trima per te me shoqeruar tek Abas Kupi. Gjithe pasdreken ecem te hipur ne kuaj, permes pyjesh bushi dhe pishe, te nderprera nga udhe prej zejesh te vegjel, ku s’mbinte kurrfare bari. Erresira na mbuloi ndersa ishim duke kapercyer vargun e maleve per te zbritur ne luginen e Shupalit. Megjithate, hena u ngrit shpejt dhe vazhduam rrugen derisa ne mes te nates arritem ne fshatin Bruc ku ajri ishte mbytes. Aty u pershendetem nga djali tetembedhjete vjecar i Abas Kupit, Petriti, i cili e ruante vendin me nje force te vogel zogistesh. I ati gjendej akoma nje ore larg ne kembe dhe, duke pare se ishte vone, Petriti me tha se duhej te kaloja naten si mysafir i tij. Pranova me gjithe qejf, sepse kisha me teper se tete ore qe kaleroja.
Petriti me udhehoqi ne nje shtepi te ulet njekateshe, ku nje numer guerilesh zogiste ishin ulur prane zjarrit. Dhoma ishte e mbushur me tym dhe m’u deshen disa minuta te shihja dhe te merrja fryme lirisht. Nderkaq, u ula prane vatres, ku ishte shtruar nje qilim dhe, duke pritur qe te behej gati darka, bisedova me Petritin. Ai e fliste mire frengjishten, duke qene se kishte studiuar ne liceun francez te Korces, ku per ironi te fatit, Enver Hoxha kishte qene mesuesi i tij. Ai ishte i etur per lajme jashte Shqiperie, dhe vargu i pyetjeve qe me behej, pengohej vetem nga fisnikeria e natyrshme e tij, pasi une isha mik ne ate shtepi. Ne pamje nuk ndryshonte nga i ati, megjithese ishte i forte nga trupi dhe kishte levizje me te ngadalshme. Me paten thene se ishte dalluar mjaft ne luftimet e vjeshtes se kaluar. Pervec kesaj, Petriti zoteronte autoritet natyror dhe me gjithe moshen e re, dukej se u frymezonte respekt malesoreve te rrepte qe e shoqeronin. Disa prej ketyre malesoreve flisnin pak italisht ose serbisht dhe bisedimet e asaj nate, me dhane pershtypjen e pare mbi opinionet qe mbushnin mjediset zogiste. Geget nuk jane llafazane si greket apo sllavet. Por ndjeva, nga fjalet e tyre, se ata kishin teper dyshime mbi qellimet e englezeve.
Made ata ishin te shqetesuar shume me teper per parandalimin e perhapjes se komunizmit ne Shqiperi, se sa per luften kunder gjermaneve. Aty nga ora nje, bisedimi yne u nderpre me ardhjen e darkes qe perbehej nga supa, mishi i zier dhe djathi. Hengrem ne heshtje dhe sapo mbaruam u terhoqa qe te shlodhesha mbi shiltet, qe i zoti i shtepise kishte shtruar per neve, mbi dysheme.
Diten e neserme, gjate pasdrekes, Petriti me shoqeroi ne vendin ku Abas Kupi kishte vendosur perkohesisht shtabin e tij luftarak. Kjo ishte nje ndertese prej guri boje hiri, ndertuar ne nje brinje te dale, te kreshtes se malit. Atje arrihej duke kaluar permes nje shtegu te ngushte dhe te pjerret, sa u detyrova te lija kalin dhe ta beje me kembe pjesen e fundit te rruges. Abas Kupi doli perpara ndersa po kaperceja oborrin e shtepise se rrethuar me mur dhe me uroi mireseardhjen me pershendetjen tradicionale “tungjatjeta”. Me udhehoqi duke hipur neper shkallen prej druri, e cila qendronte si nje shkalle e zakonshme e mbeshtetur ne murin e shtepise. Duke me kapur per dore me futi ne nje dhome te erret dhe te pluhurosur, ku shiheshin pushke dhe mitraloza te varur ne mur. Dhoma ishte e mbushur plot me parine zogiste dhe me trimat e tyre. Dukeshin njerez te eger dhe te ashper, me gjerdanet shtrenguar brezit, me kobure te stolisura, me thika dhe granata dore. Shumica e tyre kishte veshur brekushe te zeza dhe te gjera te modes turke, me xhamadane te zinj, ose ngjyre kafe, te bere prej shajaku dhe me gajtane. Rreth belit mbanin breza shumengjyresh, ndersa ne koke feste te bardha apo qeleshe. Disa me prapa ishin me uniforme, te cilat i kishin mbajtur qe ne kohen e sherbimit te tyre ne ushtri ose i kishin marre si placke lufte nga italianet, ndersa te tjeret, vecanerisht udheheqesit, mbanin xhamadane prej leshi ose lekure, te pershtatura sipas uniformave ushtarake apo veshjes se vendit te tyre.
U ulem pertoke, sipas modes turke, prane zjarrit. Ndersa ishim duke pire kafe e shkembyer urime, guerilet te mbledhur ne grupe te vegjel rreth e rrotull nesh benin zhurme si nje mulli, pa e hequr vemendjen nga bisedat. Nje te huaji keto pershperitje i dukeshin ogurzeza dhe konspirative, por per vendasit ky zakon nuk perbente shkak fyerje. Nevoja i kishte detyruar guerilet qe te benin nje jete te perbashket. Gjithkush e shihte shokun e tij edhe ne levizjet me te vogla dhe, vetem me ane te peshperitjes mund t’i jepnin bisedimit nje karakter privat. Ndodhesha aty prej gati gjysme ore, kur, me nje shenje te Abas Kupit, guerilet dolen jashte dhomes dhe mbetem vetem me Shaqirin, perkthyesin tim dhe kolonel Murat Bashen. Basha kishte qene nje oficer karriere ne kohen e Mbretit Zog dhe kishte arritur te negocionte me Abas Kupin ne Beograd me 1940. Tani ishte kryetar i shtabit te zogisteve, por me beri pershtypje qe ne fillim, sjellja e tij prej pedanti, gati per te nxjerre veshtiresira ne cdo gje. Sic do te provohej me vone, ai ushtroi influence disfatiste ne shtabin e Pergjithshem zogist. Ndonese personalisht nuk ishte frikacak, ai u druhej aksioneve, si shume oficere te tjere madhore, te cilet i paten fituar gradat e tyre me shume ne sheshet e rrugeve se sa ne fushat e betejes.
Fillova nga bisedimi duke i treguar Abas Kupit kredencialet e mia. Keto perbeheshin prej nje letre te Sterlingut, i cili kishte qene miku i tij dhe prej nje fjale per bashkepunim qe me kishte dhene Mbreti Zog. Kjo ishte nje marreveshje qe porosiste te gjithe shqiptaret qe te mbronin jeten time dhe nese nuk do t’ia arrinin qellimit, se paku, te me merrnin gjakun. Pasi provova ne kete menyre mirebesimin tim, u kujtova mbledhjen tone te Beogradit me 1940 dhe i thashe Agait (term qe perdoret gjate gjithe librit per Abaz kupin) qe te na tregonte pervojat qe pati fituar gjate kesaj kohe. Doja te degjoja kete histori vetem per qejf, dhe pervec kesaj, me dukej se interpretimi i se kaluares do te me lejonte shpjegimin me te natyrshem te kohes se tanishme. Ai vuri buzen ne gaz dhe filloi te tregoje me hollesi aventurat e tij, te cilat kete here gjalleroheshin nga grimca te nje humori talles e te hidhur, por pa zbukuruar gje. Ishte vetem nje rrefim i vertete i atyre cfare kishte provuar ne ato kohera. Fliste me ze te ulet duke trazuar prushin ne vater, dhe duke veshtruar here pas here, nese kuptimi i fjaleve te tij, me perkthehej besnikerisht. Ishte gati mesnate kur mbaroi tregimin, qe ne te vertete ishte dicka e bukur. Permes ketij rrefimi dilte ne shesh burri dhe shkathtesia, me te cilen ai e kishte ruajtur pavaresine prej gjithkujt qe qe perpjekur ta perdorte si vegel. Prej ketyre njerezve ne ishim te fundit, ndaj, diten e neserme, ne nje mesazh te shkurter drejtuar Maklinit (i derguar tjeter britanik ne hqiperi), i shkruajta: “Ky eshte nje peshk, te cilin shume veta, jane perpjekur ta zene ne rrjete. Por askush s’ka arritur ta nxjerre nga uji”.
Vazhduam bisedimin tone te nesermen ne mengjes dhe folem mbi strukturen dhe politiken e levizjes zogiste. Fuqia luftuese kryesore perbehej nga forcat e Matit, te Krujes dhe te Tiranes. Secila nga keto treva kishte njefare lidhjeje te vecante me kauzen zogiste. Zogu ishte nga Mati dhe gjate mbreterimit te tij, lugina ishte pasuruar me teper ne krahasim me krahinat e tjera te Shqiperise. Tirana kishte qene kryeqyteti i zgjedhur prej tij, pretendimet e banoreve te se ciles ai i kishte mbrojtur kunder qyteteve rivale te Shkodres dhe te Vlores. Sa per Krujen, ajo ishte vendlindja e Abas Kupit dhe ai e kishte qeverisur per pesembedhjete vjet nen Mbretin. Agai pretendonte se fiset ne keto tri krahina mund te nxirrnin dhjete mije njerez, por ishin te paarmatosur dhe kishin shume pak municione. Megjithate, levizja ishte duke u perhapur pertej Shqiperise se Mesme dhe tanime siguronte perkrahjen e nje numri ish- oficeresh te ushtrise dhe xhandarmerise, te disa prijesve trima gege dhe toske, si edhe te pjeses me te madhe te Tiranes. M’u dha lista e anetareve te komitetit qendror dhe aty pashe emrat e disa njerezve te shquar, shumica e te cileve ishin cifligare ose intelektuale, por qe dalloheshin per qendrimin e vendosur qe kishin mbajtur kunder italianeve.
Qellimi kryesor i Agait ishte krijimi i aleancave me udheheqesit dibrane dhe me fiset katolike pertej Drinit. Megjithate, ai nuk me fshehu propozimet qe i ishin bere nga qeveria e Tiranes dhe nga Balli Kombetar dhe, me foli sinqerisht mbi kontaktet e tij me udheheqesit “kolaboracioniste”. Keta te fundit e dinin fort mire, ashtu sic e dinte edhe ai, se gjermanet e kishin humbur luften dhe se tashme ishin teper te shqetesuar per sigurimin e kthimit ne shtepite e tyre. Ne thelb, Kupi thoshte se vlente te shfrytezoheshin influencat qe “kolaboracionistet” gezonin ende pasi natyra e tij, nuk ishte mesuar te urrente dhe te persekutonte ata, te cileve nuk u trembej. Kur preka ceshtjen e partizaneve, pashe menjehere se ai, i konsideronte keta armiq. Ne fakt, nacionalclirimtaret perbenin rrezikun e vertete per kauzen e tij, ne kundershtim me “kolaboracionistet”, te cilet, kishin me pak fuqi per ta demtuar. Prirja e Kupit kishte qene shkaterrimi i partizaneve para se te beheshin shume te forte dhe e kishte frenuar veten nga sulmet kunder tyre, vetem per respektin qe ndjente ndaj deshirave te britanikeve. I parashtrova me kembengulje argumente te ndryshme ne favor te nje pajtimi por, megjithese pranoi perparesite e ketij pajtimi ai dyshonte nese ky ishte akoma i mundshem. “Po te jete se ju arrini te vendosni nje pajtim midis nesh, une do te gezohem. Por une i njoh mire dhe vallahi ata nuk do te pranojne”.
Me pas u kthyem ne piken kritike, ate te veprimeve ushtarake. Agai m’u pergjigj se ishte ne lufte me gjermanet dhe, si nje prove, vuri ne dukje veprimtarine e misioneve ushtarake britanike ne territorin e tij. Ne te vertete, pranoi, se nuk kishte bere aksione qysh nga vjeshta, por dimri kishte qene i eger dhe, te gjitha energjite e tij, ia pat kushtuar organizimit te levizjes, me te cilen mund te udhehiqte nje kryengritje te pergjithshme ne momentin e duhur. Pervec kesaj, populli ishte i demoralizuar nga deshtimi i luftes se vitit te kaluar. Misionet britanike i kishin nxitur per veprime ushtarake, ndersa zbarkimi i anglezeve po vonohej. Ne vend te kesaj, shtepite ishin djegur, te afermit e tyre i kishin internuar dhe te tjereve u kishin marre kopete e gjedheve. Gjermanet nuk ishin aq shkaterrimtare sa italianet, por ishin shume te eger, ndaj malesoret ngurronin t’i sulmonin perseri, te pakten perpara se ne t’u dergonim arme dhe municione. Pervec kesaj, koha kishte ardhur qe Aleatet te kishin besim tek shqiptaret. Keta kishin bere sakrifica te medha si nje komb prej nje million frymesh dhe, nese tani u behej thirrje te derdhnin gjakun ata kishin te drejte, se paku te dinin se cila do te ishte e ardhmja e tyre. Nderkohe, Kupi nuk mund vecse te perseriste kerkesat e tij te meparshme per njohjen e Mbretit Zog nga Aleatet, per pranimin e Shqiperise ne radhet e Kombeve te Bashkuara dhe per dhenien e nje sigurie qe fati i trevave te Kosoves, Camerise dhe Maqedonise shqiptare, nuk do te vendosej pa u marre parasysh deshirat e banoreve te tyre.
I nderpreme bisedimet tona per te ngrene dreke. Qellimisht e zgjata kohen e pushimit, duke menduar mbi fjalet e Agait dhe duke pergatitur pergjigjen time. Thelbi i verejtjeve te tij, mbeshtetej ne faktin se nuk shihte ndonje mundesi per arritjen e nje marreveshjeje me partizanet. Gjithashtu zogistet kerkonin furnizime me arme e municione dhe nje sere koncensionesh politike, para se te sulmonin gjermanet. Mua m’u duk se kushti i dyte perfshinte te parin. Te dy palet ndofta do te deshtonin ne perpjekjet e tyre per t’u marre vesh, por nderhyrja britanike mund te impononte nje aleance fluide dhe ne kete menyre, evitohej lufta civile. Nderkaq, nje nderhyrje e tille ishte e lehte te justifikohej, nese te dy palet do te ishin te angazhuara plotesisht kunder gjermaneve. Prandaj, hedhja e zogisteve ne aksion nuk duhej konsideruar si qellim ne vetvete, por si e vetmja menyre me anen e se ciles mund te pajtoheshin sakaq levizjet rivale te rezistences.
Pasi e konceptova problemin ne kete menyre, m’u desh paskesaj te mendoja se si do t’i mbushja mendjen Abas Kupit qe te fillonte luften. E dija me siguri se Forein Ofisi nuk do te jepte kurre koncesione politike te ketilla sic kerkonte Agai. Gjithashtu nuk mund te shpresoja se Kuarteri yne i Pergjithshem do t’i dergonte arme, para se ai te jepte prova te vullnetit te mire, duke rifilluar sulmet. Fjalet, rralle jane te mjaftueshme ne vetvete per te ndryshuar drejtimin e nje levizjeje politike. Megjithate, hapi i pare per ta cuar drejt fushes se betejes, konsistonte ne faktin se duhej t’u pergjigjesha verejtjeve te Kupit dhe te parashtroja arsye te forta per ta bindur ate te luftonte. Prandaj duhej t’i lija te kuptonte ne menyre te qarte se, sipas pikpamjes britanike, atij i takonte pikerisht barra te fitonte perkrahjen ushtarake dhe politike me ane te aksioneve dhe se nuk na takonte neve t’i mbushnim mendjen per te luftuar armikun e perbashket. Per kete qellim pergatita nje sere argumentash te cilat me vone ne thelb, perbene vijen kryesore te misionit tone. Pasdite kur po bisedonim provova per here te pare vleren e kesaj vije.
“Isha ne Beograd, i thashe, kur u bashkuat me neve, ne ditet e erreta te vitit 1940 dhe askush me shume se une, nuk e di sa keni bere ju, per kauzen tone te perbashket. Nese ju flas sinqerisht, kete e bej sepse ju vleresoj si miku yne”. Mund te jete e vertete qe ne te kaluaren Shqiperise i jane mohuar te drejtat. Por ne qofte se jane bere gabime, mekanizmi i ndreqjes se tyre eshte shume i nderlikuar nga percarjet e brendshme te vete shqiptareve. Abas Kupi kishte kerkuar qe ne te njihnim Mbretin Zog, por nacionalclirimtaret shqiptare ishin kundershtare te papajtueshem te rikthimit te tij dhe ata po luftonin kunder gjermaneve. Ai kishte propozuar formimin e nje qeverie shqiptare ne Londer, por nuk ekzistonte asnje marreveshje midis partive politike te vendit dhe askush nuk ishte ne gjendje te percaktonte se cilet perfaqesonin ne te vertete vullnetin e popullit shqiptar. Agai kerkonte pranimin e Shqiperise ne Kombet e Bashkuara, por nuk ekzistonte akoma asnje autoritet Sovran shqiptar, me te cilin organizata mund te hynte ne bisedim. Ishte dicka per te ardhur keq, por nuk ishte faji yne. Ne momentet qe kalonim ne mund t’u zotoheshim shqiptareve vetem per t’i ndihmuar ne rivendosjen e pavaresise se vendit. Abas Kupi kishte folur edhe mbi parimin e vetvendosjes se Kosoves dhe te Shqiperise se Jugut. Nderkaq, jugosllavet dhe greket ndonese kishin pretendime ne lidhje me keto krahina, sidoqofte po luftonin kunder gjermaneve. Ne deshironim qe te mbreteronte vetem drejtesia, por aleatet nuk ishim vetem ne dhe Kupi vlente te kuptonte se kerkesat e Shqiperise mund te demtoheshin fare lehte nga inaktiviteti i vazhdueshem i saj.
Agai na kishte kerkuar t’i dergonim arme. Ky ishte edhe qellimi yne kryesor i ardhjes ne Shqiperi dhe ne do ta benim kete ne nje shkalle sa me te gjere te ishte e mundur posa Kupi te fillonte luftimet. Na pelqente te ndihmonim qysh me pare, por kishte arsye te forta qe na ndalonin per nje gje te tille. Arsenalet tona nuk ishin te pafund dhe nga e gjithe Europa dhe Azia na drejtoheshin kerkesa per arme nga njerez te paarmatosur qe donin te luftonin armikun. Ne Shqiperi partizanet ishin duke luftuar prej kohe dhe do te ishte gabim nga ana jone t’u pakesonim furnizimet per te ndihmuar dike tjeter qe priste ende. Agai na kishte thene se zogistet ishin miqte tane, kurse partizanet nuk ishin vecse veglat e Rusise. Mund te ishte e vertete, por kjo nuk ishte arsye per t’ua mohuar armet njerezve qe po luftonin, duke ua dhene njerezve te tij qe vetem prisnin. Ruset ishin aleatet tane dhe po te vepronim ashtu sic na thoshte Kupi, do t’u jepnim mundesi atyre te na akuzonin se ne mendonim me teper per interesat tona te pasluftes se sa per vazhdimin e saj. Nuk kishte dyshim se vete ruset interesoheshin per te ardhmen e tyre, por te pakten komunistet justifikonin perkrahjen tone me numrin e gjermaneve qe vrisnin. Tani u takonte zogisteve qe te benin te njejten gje, pasi per hatrin e tyre ne nuk kishin ndermend te dobesonim aleancen me Rusine. Shpresa e fundit e Hitlerit, ishte qe te na percante dhe ne ishim te vendosur qe t’i shuanim keto shpresa. Agai mund te merrte me mend se ne c’ane shkonin simpatite tona. Britania e Madhe nuk ishte kot monarki, por zogistet nese deshironin perkrahjen tone duhej te jepnin prova te vleres se tyre.
“Po te luftoni, perfundova une, ne do t’ju dergojme arme. Po te luftoni do te bejme c’eshte e mundur per te rregulluar mosmarreveshjet qe keni me partizanet. Beni detyren tuaj dhe ne do te bejme tonen. E ardhmja e Mbretit dhe e vendit eshte ne duart tuaja”.
Abas Kupi u shqetesua nga keto argumente dhe disa caste pasi mbarova, ra nje heshtje varri. Natyrisht nuk mund te konceptohej qe te binim kaq shpejt ne nje marreveshje dhe Agai mund te besonte se, pasi kishte bere kerkesa te medha, hedhja poshte e cdo koncesioni nga ana ime fshihte ne vetvete nje pazar. Megjithate, nga toni i larte i grindjes qe sapo lindi midis Abas Kupit dhe Murat Bashes, isha i bindur se Agai donte te luftonte, por ishte stepur prej rrymave te fshehta brenda gjirit te levizjes. Pasiviteti shkaktohej sa nga mungesa e armeve, aq edhe nga mendimet e kunderta te perkrahesve te tij, por Kupi nuk donte te pranonte si shkak asnjerin nga keta, duke dashur te mos humbiste prestigjin para syve tane. Mbeshtetur tek nje instikt i pagabueshem, mendoja se nuk do te mund te benim asnje perparim me ane te bisedimeve te drejtperdrejta, derisa te mos e kishim studiuar vete levizjen zogiste. Kisha marre vesh se Agai do te ndermerrte se shpejti nje udhetim ne Mat dhe Kruje, ndaj pyeta nese Maklini dhe une mund ta shoqeronim. Kjo do te na jepte mundesi te njiheshim me udheheqesit zogiste dhe me anetaret e Komitetit Qendror, duke formuar keshtu per llogarine tone, nje ide mbi gjendjen e opinionit publik. Ai e mirepriti propozimin tim dhe gjendja e ndere midis nesh u lehtesua vetvetiu nga perspektiva e nje shkembimi te metejshem mendimesh.
Ishte erresuar pothuaj krejt kur bisedimet tona perfunduan. Megjithate Abas Kupi vendosi qe te shkonim po ate nate ne nje tjeter fshat. Ne fillim kujtova se ky vendim ishte nje mase sigurimi kunder ndonje sulmi te papritur por, pasi pyeta, mora vesh te verteten. Gjate dy diteve qe patem kaluar aty, trimat kishin ngrene te gjitha ushqimet qe u pati dhene fshati. Tashme nuk mund te kerkonin ushqime te tjera, pasi u dukej se cenonin besnikerine e banoreve. Uria ishte ne te vertete prova me e rende per guerilet dhe perpjekjet per te siguruar ushqime, mbeteshin burim shqetesimesh te vazhdueshme. U nisem ne mes te erresires dhe pas nje ore marshimi, arritem ne nje fshat ku bujta me Abas Kupin dhe shtabin e tij, ne nje shtepi te madhe dykateshe. Nje furtune bore shpertheu ne mes te nates dhe kur u zgjuam ne mengjes pame se si faqet e maleve ishin zbardhur. Prisja me padurim takimin me Maklinin qe te bisedoja mbi pershtypjet e mia, por egersia e elementeve natyrore na mbylli gjithe diten brenda. Nderkaq, te nesermen ne mengjes, era kishte pushuar. U ndava nga Abas Kupi dhe duke kaluar vargun e maleve, ne muzg arrita duke kaleruar ne fushimin tone.( “Bijte e Shqipes”.)
* Botohet me rastin e ditevdekjes te qendrestarit te 7 prillit 1939, i dekoruar nga Presidenti I Shqiperise z. Bujar Nishani, me 28 nentor 2014 me dekoraten: “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”
*Sot, e shtune 10 Janar 2015, do te zhvillohet nje veprimtari perkujtimore nga Partia Levizja e Legalitetit, ne oren 12.00 ne Queens,ku prehen eshtrat e heroit kombetar.

Filed Under: Histori Tagged With: Julian Amery, me abaz kupin, nje dite

Një ditë me shqiptarët e Anës së Malit në Franklin Rousvelt Park

May 29, 2014 by dgreca

Nga Marko Caka/New York/
Të larguar pas shumë dekadash nga trojet shqiptare në Mal të Zi dhe me dy gjenerata të reja, banorët e Anës së malit janë shembulli më i mirë i ekzistencës dhe i ruajtjes së gjuhës dhe i traditave të tyre kombetare. Franklin Rousvelt Park ishte vendi që I mblodhi të gjithë sëbashku. I madh e I vogël nga kjo trevë u mblodhën jo vetëm për të festuar , por edhe duke na treguar se lidhjet ne mes tyre janë akoma më të forta kur janë larg vendit të tyre.. Myslimanë dhe krishterë nuk I dalloje dot, sepse thellë në shpirtin e tyre është gdhendur vetëm shqiptarizmi e cila me simbolin e saj te shqiponjës dykrenare demonstrohej fort në bluzat e tyre. Një ndjenjë e etur kjo për tokën mëmë që është trashëguar fort tek brezi i ri i kësaj treve. Fraklin Rusvelylt Park është rreth 100 km,nga Nju Jorku por për organizatorët është vendi më i përshtatshëm për të hequr mallin e vendit të tyre, të cilin e kanë braktisur pa dëshirën e tyre për shkaqe ekonomike dhe politike. Sipas organizatorëve në këtë lëndinë të rrethuar nga kodrat festohet njëqind përqind shqip dhe që është zgjedhur enkas për të sjellë mallin për bukuritë e malësisë së tyre. Isha një nga mysafirët e paktë që nuk I përkisja kësaj treve, por të gjithë mu gjendën pranë për të më uruar mirëseardhjen në festën e tyre të përvitshme. Një festë që I ngjante festës së një fshati ku çdo familje kishte sjellë diçka nga shtëpia e tyre për të pjekur dhe gatuar së bashku recetat e shijshme tradicionale të trevës së tyre “Është në traditën tonë që mysyafirit ti hapim jo vetëm derën por edhe zemrën për ti treguar se është pjesë e gëzimit tonë dhe për të vlerësuar respektin e pjesmarrjes së tij në festën tonë. Prandaj edhe sot në këtë vend të largët ne e ruajmë dhe e çmojmë këtë vlerë të bujarisë, shprehet një nga drejtuesit e Shoqates së Anës së Malit, Ismet Kurti. Ndërsa Xheladin Zeneli me tendën që shpërndan fanelat e shoqatës, është nga ata mikëpritësit organizatorë, I cili ka dhënë gjithçka për ta bërë piknikun e përvitshëm sa më madhështor. Ai me bizneset e tij të parukerisë përcjell shembullin se shqiptarët ulqinakë, kudo që ndodhen nuk e harrojnë zanatin e tyre, përkundrazi edhe kontribojnë për komunitetin e tyre në diasporë. “Po bëhet gjithçka që gjeneratës së re ti krijojmë të gjitha kushtet për të mos harruar gjuhën amtare dhe traditat tona. Prandaj kemi zgjedhur një vend të veçantë dhe të bukur për të kujtuar bjeshkët tona të cilat janë braktisur me dekada të tëra dhe për të afruar sa më pranë brezin e ri me brezin e vjetër në mënyrë që të mbahet gjallë fryma e dashurisë për tokën mëmë, për kombin tonë shqiptar, shprehet nënkryetari I shoqatës, Xheladin Zrneli. Të njëjtin shqetësim ndanin të gjithë banorët e kësaj treve, por më i veçanti ishte xha Gjylaveri, një shkrimtar i kësaj ane dhe autor I disa librave letraro-historik. Gjylaver Avdiu, pasi ka jetuar 15 vjet në USA, ka më shumë se 10 vjet që ishte kthyer në vendlindje nga ku shkroi edhe librat e tij. “Vendosa të kthehem ne trojet e mia sepse vuaja një brengë për të mbajtur gjallë vendin tim.U ktheva për të shpëtuar vendin tim nga asimilimi serbo-malazez. Trojet tona po braktisen çdo ditë nga të rinjtë tanë, dhe mbushen me të huaj. Askush nuk mendon për të ndërtuar të ardhmen tonë në trojet tona, përkundrazi terrorizohemi dhe persekutohemi nga regjimi qeveritar dita-ditës. Jam arrestuar me dhjetra herë nga malazezët duke vuajtur burgun politik, dhe përsëri I kam mbijetuar dhunës e torturave të malazezëve sepse gjithmonë më mban gjallë fryma e atdhetarizmit, dhe e dashurisë për të jetuar I lirë në trojet etnike të baballarëve të mi.” -shprehet I revoltuar, Gjylaveri. Ai e gjen forcën më shumë kur viziton shpesh herë miqtë dhe bashkëfshatarët e tij duke ju përcjellë mallin e vendlindjes së tyre. “Gjendem këtu në USA sepse përveçse kam djalin që jeton e studion këtu dhe drejton forumin rinor të trevës sonë që jetojnë në Amerikë, por edhe çmallem me bashkëmoshatarët e mi që ndajmë të njëjtat probleme.
Bek Bruçaj është një 50 vjeçar I cili numëron 4 dekada ne ShBA, dhe sado që toka e premtuar i ka siguruar gjithçka këtu, përsëri mallin për vendlindjen nuk e largon kurrë. Fëmijët e tij sot janë të rritur dhe me arsim të lartë dhe kjo falë një vendi demokratik jo qe I lindi me shtetësinë amerikane, por edhe i krijoi kushtet dhe I edukoi për të ruajtur vlerat e kombit të tyre me një krenari të madhe. Lëndina e parkut të Frenklin Rusvelt ishte e ndarë në shumë pjesë dhe çdo të reja e të rinj kishin zgjedhur lojrat e tyre. Por sportet më të frekuentuara ishin futbolli dhe volejbolli dhe për të moshuarit shahu dhe domino. Ndërsa gratë si amvise të mira përgatisnin ushqimin me bollëk të madh.. Gjatë aktiviteteve të tyre sportive nuk kishte asnjë humbës por vetëm një fitues. Dhe kjo ishte harmonia e tyre. Një harmoni që dallohej edhe në bisedat e tyre përmalluese duke ndarë eksperiencat e tyre në mërgim, por edhe shqetësuese për rrezikun që I kanoset trojeve të tyre, të lënë amanet nga te parët e tyre. Pikërisht për të ndarë gëzimin dhe shqetësimin sëbashku kishte ardhur edhe I vetmi përfaqësues shqiptar I asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj..Marku I përket gjeneratës së parë që lindën në vendin e huaj por që ditën falë aftësive të tyre edukuese jo vetëm të ruajnë gjuhën por edhe të mbrojnë fuqishëm të drejtat e shqiptarëve të Malit të Zi. Me një mendje të urtë që di vetëm të dëgjojë problemet e bashkëfashatarëve të tij, Mark Gjonaj u përgjigjej me një maturi duke i argumentuar sesi duhet të gjejnë rrugën e zgjidhjeve të problemeve të tyre. “Dhe vetëm të bashkuar në kauzën tonë të përbashkët mund të zgjidhim gjithçka”-u thoshte përfaqësuesi I tyre ne shtetin e Nju Jorkut. Marku u premtoi se po bëhej gjithçka e mundur për të krijuar një qendër kulturore por edhe ligjore për tu shërbyer falas të gjithë atyre shqiptarëve që kanë ardhur dhe janë të paligjshëm në shtetin amerikan. Dhe sipas ansambleistit Gjonaj, kjo shifër kap 10% të shqiptarëve dhe që u siguroi që me përpjekjet e tij po lobojnë që të marrë fund një herë e mirë legalizimi I tyre dhe avaria e tyre shumëvjeçare që llogarit kosto marramendëse në kurriz të tyre. Prandaj falë thjeshtësisë së tij dhe aftësisë intelektuale Mark Gjonaj gëzon një respekt jo vetëm tek komuniteti I shqiptarëve por edhe tek komunitetet e tjera të huaja të Nju Jorkut. Dhe për këtë shqiptarët e Nju Jorkut ndjehen krenarë për vlerat e tij të rralla si përfaqësuesi më i denjë I përçimit dhe lartësimit të vlerave shqiptare në Shtetet e Bashkuara. I rrethuar nga bashkëatdhetarët e tij, ai I dëgjonte dhe I dëgjonte si ata pleqtë e urtë të gjitha hallet e tyre, dhe kur merrte fjalën ai u shpjegonte sesi duhet të marrin zgjidhje duke punuar të gjithë sëbashku. Një kauzë e cila e tregoi shembullin e saj në festën e përbashkët dhe që premtuan se në të ardhmen do të jenë më të shpeshta bashkë me shoqatat e tjera të shqiptarëve, sepse vetëm kështu do mbahet gjallë dashuria për gjuhën, dashuria për kombin shqiptar..

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Anës së Malit në, Franklin. Rousvelt Park, Marko Caka, me shqiptaret, nje dite

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT