-Me vepra përkrahet, fuqizohet dhe thellohet bashkepunimi ekonomik/
-Ministri i Financave Avdullah Hoti:Jemi duke punuar drejt unifikimit të plotë ekonomik ndërshqiptar/
PRIZREN, 10 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Me vepra konkrete duhet dhe mund të perkrahet, fuqizohet dhe thellohet bashkepunimi ekonomik ne mes te Kosoves dhe Shqiperise, u konstatua në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i cili po mbahet sot në Prizren, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti duke folur në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, theksoi se integrimi ndërshqiptar bëhet edhe përmes kësaj forme të bashkëpunimit.
“Dy ekonomitë po unifikohen çdo ditë, po shfrytëzojnë komplementaritetet në turizëm, bujqësi, energjetike dhe sektorë të tjerë. Jemi duke punuar drejt unifikimit të plotë ekonomik ndërshqiptar”,tha ministri Hoti.Ai gjithashtu bëri të ditur se diskutimet e të dy krerëve të përfaqësuesve të bizneseve dhanë mesazhet e tyre të qarta sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos bashkëpunimit ndërinstitucional.“Unë kam gjetur një gjuhë shumë të mirë me homologët e mi në Shqipëri dhe shumë prej çështjeve janë zgjidhur dhe brenda dy ose tre viteve ne mund të flasim për unifikim të ekonomive tona. Për, aq sa kam njohuri për bizneset ka shumë fusha ku janë komplementare. Jam maksimalisht nacionalist në promovimin ekonomik”, u shpreh ministri i Financave të Kosovës, Hoti.Ai më tej shtoi se shtoi se, “jemi duke shikuar në çfarë mase marrëveshja e CEFTA-së është duke i mbrojtur bizneset, sepse shumë vende fqinje nuk po i respektojnë të drejtat që dalim nga kjo marrëveshje. “Kemi bërë progres relativisht të mirë te njohja e certifikatave të ndryshme me Shqipërinë, ku janë mbi 20 që janë pranuar në mënyrë reciproke”, theksoi ministri kosovar, Hoti.
Ndërsa, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë tha se ky aktivitet ka një rëndësi për të ofruar një të ardhme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.“Sot është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kjo vuloset nga prezenca e madhe këtu. Sot jemi këtu për të ofruar një të ardhme tjetër dhe lëvizje tjetër për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe këtë nuk do ta bëjmë me fjalë dhe deklarata të nacionalizmit, por me veprime”, tha Jaka.
“Ne mblidhemi shpesh dhe diskutojmë për problemet dhe hallet që kemi, por qeveritë tona duhet të na krijojnë mekanizmin se si të suportohen produktet tona. Do të bëja një thirrje qeverive se nuk mjafton vetëm mbështetja, heqja e burokracive, por që tani duhet të mendojmë për një strategji afatgjate, në mënyrë që qeveritë tona të krenohen me sipërmarrësit tanë”, tha ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se pjesëmarrja e të gjithë aktorëve në këtë takim dëshmon për forcimin e urave të bashkëpunimit në mes dy shteteve dhe të një populli të ndarë.
“E veçanta e krejt kësaj në këtë takim është se kemi një preminencë të aktoreve që janë të rëndësishëm për ekonominë e dy shteteve. Hapja e perspektive për bashkëpunim dhe avancim është hapja e rrugës për të hequr sfidat që kanë dy shtetet. Jeni të atakuar nga një konkurrencë agresive, i njollosin produktet e Kosovës dhe të Shqipërisë për të bllokuar bashkëpunimin ekonomik”, tha Gërxhaliu.