• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Problemi yne….

June 22, 2020 by dgreca

– Me shqiptarët ka ndodhur ndryshe; çdo pushtim i ri, një emër i ri – pellazgë, ilirë, albanë, arbër, shqiptarë, disa thonë edhe kosovarë….

  • Sepse për Kosovën, kur ishte rasti për t’u kthyer në prejardhje, përveç ndonjërit largpamës, si Ibrahim Rugova, thuajse askush tjetër nuk kërkoi të quhej Dardani.
  • Sot, Europa e sheh Shqipërinë si një vend rrëmujë – as pellazgë, as ilirë, as arbër – pasi nuk e di që janë, sepse shqiptarët vetëm bëjnë sikur duan të ndryshojnë e përmirësojnë mendësinë e tyre – problemin e shtruar për zgjidhje e kanë kapur nga bishti dhe jo nga koka…

Shkruan: Astrit Lulushi/

Mburrja, kjo veshje e bukur që rëndon e të merr frymën, të bën të kërkosh me kaq këmbëngulje a fanatizëm prejardhjen tënde, por i tregon botës se je ende foshnje, ose se trashëgimia të është mohuar, kur në fakt duket se ajo është gjetur a vjedhur pasi ti nuk ishe në gjendje t’i dilje zot, jo se ishe i shtypur, por nuk ishe zgjuar.

Ndodh të dëgjosh shpesh se shqiptarët kanë prejardhje të lashtë, pa dëgjuar ndonjë zë të thotë se ç’rëndësi ka, kur dihet se traditat filluan me pellazgët, njerëzit e parë që jetonin në Ballkanin e sotëm, e më gjërë, në lindje e perëndim.

Por pak flitet që grekë, romakë, serbë, kroatë, bullgarë e të tjerë, të gjithë këta ruajnë emrat e tyre, me përjashtim të maqedonasve të sotëm që përvetësuan emrin e lashtë.

Me shqiptarët ka ndodhur ndryshe; çdo pushtim i ri, një emër i ri – pellazgë, ilirë, albanë, arbër, shqiptarë, disa thonë edhe kosovarë. Sepse për Kosovën, kur ishte rasti për t’u kthyer në prejardhje, përveç ndonjërit largpamës, si Ibrahim Rugova, thuajse askush tjetër nuk kërkoi të quhej Dardani.

Shqiptarët janë të fundit që krijuan shtetin e tyre pas shpërbërjes së perandorisë osmane. Të gjithë fqinjët e kishin nga një shtet shumë dekada para tyre, por shqiptarët ishin bërë një me pushtuesin ose ia kishin dhënë besën atij.

Gjithashtu duhet pranuar se shqiptarët që shpallën pavarësinë ishin një grup elitë që vinte nga kryeqyteti osman dhe gjeti në vend njerēz kombëtarisht të paformuar. Shqipëria atëherë ngjante me një vend-qëndrim të autobusëve që kishin ardhur nga Stambolli me udhëtarë të cilët humbën toruan pasi autobusët u prishën, perandoria u shpërbë, dhe ata nuk dinin ku të shkonin. Pasagjerë nga të gjitha rajonet e perandorisë, ku autobusët kishin ndaluar për të zbritur disa e hypur të tjerë, mbetën rrugëve, dhe kështu u detyruan të rrinin aty ku i gjeti shteti i ri. Kjo është arsyeja që përpjekjet e para, etërit e kombit i bënë për ringjalljen e gjuhës shqipe, e cila ishte atëkohë një gjuhë thuajse e vdekur, duke u ndeshur me vështirësitë që vinin nga turqishtja e futur në mentalitet dhe në jetën e përditëshme, administratë, shkolla e xhamira.

Dhe procesi i krijimit të kombit që duket ende i pakonsoliduar, vazhdon. Këtë e kupton kur dëgjon se ‘është vështirë të gjesh dy shqiptarë që merren vesh”, dhe jo pastaj të mendosh se ç’ndodh me ata në parti, parlament, qeveri, popull e turmë që kurrë nuk kuptohen.

Pas përpjekjes për gjuhën, rradha u erdhi emrave, disa të rilindur e të tjerë emra të rinj të krijuar duke marrë parasysh traditën, por gjurmët e pushtimit vazhdimisht dalin herë në mbiemër, herë në emër. Fryma shekullore mes shqiptarëve ka mbetur, por ajo është frymë e pushtuesit, shqiptarizimi i tyre i plotë s’ka ndodhur, dhe as ka gjasa, kjo ëndërr tani është thjesht utopi.

Por sa të lehtë e kanë shqiptarët të marrin emra të rinj në vendet ku emigrojnë. Për këtë askush nuk i detyron. Ata integrohen, dhe nuk ndjejnë asnjë keqardhje, pasi nuk bëjnë asgjë të keqe. Megjithatë në Shqipëri, shqiptarët nuk gjejnë dot emra që t’i përshaten natyrës dhe karakterit të atdheut, dhe as që përpiqen të kryejnë asimilimin brenda vetes.

Thuhet se ndryshimet bëhen me breza – dhe atëherë prejardhja e tyre nuk mund të mohohet, as të vidhet. Sot Europa e sheh Shqipërinë si një vend rrëmujë – as pellazgë, as ilirë, as arbër – pasi nuk e di që janë, sepse shqiptarët vetëm bëjnë sikur duan të ndryshojnë e përmirësojnë mendësinë e tyre – problemin e shtruar për zgjidhje e kanë kapur nga bishti dhe jo nga koka, siç thotë një fjale e urtë e lashtë e jona, kur shohim se punët nuk shkojnë mirë.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, PROBLEMI SHQIPTAR

PROBLEMI SHQIPTAR

April 24, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Duket se kombi shqiptar po përshkohet sot nepër njërën prej periudhave më të rrezikshme të historisë së tij.  Njoftohet se këtë javë, si edhe herë të tjera më parë gjatë këtyre 25-viteve tranzicion, në Tiranë do të zbresin zyrtarë të lartë evropianë nga Brukseli, në një përpjekje ndërmjetësimi për të zgjidhur atë që të gjithë po i referohen si “ngërçi politik” midis partive të pozitës dhe opozitës dhe klasës politike shqiptare, në përgjithësi.  Situata aktuale politike e krijuar në Tiranë nuk mund të quhet më si një ”ngërç politik”, por është një krizë përmasash kombëtare, me pasoja të paparishkueshme për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Përendimor, përfshirë Kosovën, nëqoftse nuk zgjidhet shpejt dhe me mend.  Duket se me kokëfortësinë e saj, klasa politike e Shqipërisë ka krijuar një situatë krize në vend, të cilën është e papërgatitur ta përballojë me mjete të rregullta dhe demokratike të lojës politike.

Në përpjekjet e tyre për, për pavarësi, për liri dhe demokraci, shqiptarët, gjatë historisë, janë përballur me kriza serioze për mbijetesë, u ndeshën shpesh me pengesa të forta dhe hasën në shumë prita të rrezikshme nga të huajt – në tavolinat diplomatike dhe në fronte lufte  të vendosura nga armiqtë e tij.  Kombi shqiptar e pësoi rëndë me shpalljen e pavarësisë, ndërsa armiqtë e tij ia cunguan disa prej gjymtyrëve të tij jetike, duke ua dhënë fqinjëve sllavë e grekë gjysmën e trojeve shqiptare.  Me humbje të mëdha njerëzore, kombi disi mbijetoi komunizmin ndërkombëtar, por as pas Luftës së Parë Botërore dhe as pas Luftës së Dytë Botërore, fatkeqësisht shqiptarët nuk mundën të hidhnin themelet e një shteti  të shëndosh, të lirë e vërtetë demokratik, bazuar në një bashkëjetesë kombëtare.  Nga Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët dolën të përçarë, të përgjakur, të ndarë dhe të robëruar nën zgjedhën e një ideologjie të huaj sllavo-aziatike, e cila për pothuaj një shekull i mohoi kombit shqiptar radhitjen e tij, krah për krah, popujve të botës perëndimore.  E vërtetë se flamuri i Gjergj Kastriotit -Skënderbe, i njollosur me simbolin e komunizmit ndërkombëtar  valëviste mbi një pjesë të trojeve shqiptare, por nuk ishte më simbol i vëllazërimit kombëtar dhe nuk përfaqësonte më krenarinë e vlerave, të trashëgimisë dhe të traditave historike të shqiptarit.  Përkundrazi, u bë simbol i përçarjeve, vëllavrasjeve dhe të mohimit të vlerave, me të cilat krenohej dikur shqiptari — vlera si nderi, besa e burrëria.

Po sot ku qëndron problemi i krizës politike, për të ashtuquajturin “ngërç politik”, në Shqipëri?  Për krijimin e kësaj situate nuk mund të fajësohen drejtë për drejtë ndërhyrjet nga jashtë, megjithëse të tilla ndërhyrje për të përçarë shqiptarët ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.  Problemi i sotëm politik, është kryekput një problem shqiptar, i shkaktuar nga vetë shqiptarët, ose më mirë të themi, nga vet klasa politike.  Ngërçi i tanishëm politik,  në të vërtetë, shënon edhe kulmin e dështimeve të njëpasnjëshme politike të çerek shekullit të kaluar, për të çuar përpara zhvillimet dhe  për të ngritur frymën e vërtetë universale demokratike në vend.  Ky ngërç politik përfaqëson një dështim të zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike dhe një mungesë përgjegjësie politike e morale, që udhëheqsit e zgjedhur të kësaj klase politike të japin llogari për veprimtarinë e enteve qeveritare dhe politike, të cilat në një demokraci të mirëfilltë, duhet t’i shërbejnë të mirës së përbashkët dhe jo interesave personale të politikanëve dhe partive politike që ata përfaqësojnë.Përveç përgjegjësisë që kanë partitë politike dhe përfaqsuesit e tyre në krijimin e krizës së tanishme politike në Shqipëri, është edhe votuesi shqiptar ai që bartë një përgjegjësi, pasi duhet të jetë më i angazhuar në proceset demokratike, ashtu që nepërmjet përfasuesve të zgjedhur me votë të lirë– të kontrollojë fatin e vet dhe që ëndrrat t’i kthejë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten, për familjen dhe për të gjithë shoqërinë ku jeton.

Ndonëse vëmëndja sot me të drejtë i kushtohet “ngërçit politik” në Shqipëri, gjëndja nuk është aspak më e mirë as në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi – ku fatkeqsisht, përçarjet dhe grindjet vazhdojnë të mbizotërojnë politikën shqiptare gjithandej.  Oligarkët, siç i kishte quajtur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri kanë uzurpuar jo vetëm ekonominë, por edhe qeverinë dhe shtetin dhe i kanë zënë frymën zhvillimeve demokratike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë një emër të keq demokracisë dhe duke hedhur dyshime qëllimkëqia, alla putiniste dhe erdoganiste, mbi përfitimet që vinë nga demokracia.

Në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë në historinë e tyre më shumë liri, ndihej një entuziazëm si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, se ky do të ishte, më në fund, shekulli i shqiptarëve.  Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet.  Por doli që udhëheqsit aktualë shqiptarë, në të vërtetë, janë problemi kryesor, partitë politike të të cilëve, me “komeditë e tyre politike”, pikërisht në këtë moment, po pengojnë proceset natyrore të historisë, histori e cila kishim menduar më heret — se me ndihmën dhe mbështetjen e disa miqëve — kishte filluar që, më në fund, t’i korrigjonte gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.

Fatkeqsisht, “ndërçi i sotëm politik” tregon sikur asgjë nuk ka ndryshuar në historinë e shqiptarëve, se në në të vërtetë, partitë politike dhe politikanët shqiptarë ishin problemi më i madh dhe shkaktarët kryesorë të ngërçeve politike dhe krizave të panevojshme gjatë 100-viteve të fundit.   Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar në një numër të gazetës Dielli nëntorin e vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e asaj kohe në Shqipëri, për gjendjen e krijuar atje mbi 90 vjet më parë, duke thënë se, “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimizma s’ka vend dhe trembëm se diç do ngjasë.   “Noli shprehte shpresën se, të “Vetqojturve ‘udhëheqës’ do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen”.

Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demokracisë së vërtetë, korrupsionit dhe drogës që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo, Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës — sipas Fan S. Nolit, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por tashti të, “mos vriten nga politikanët.”

Unë besoj se politikanët shqiptare kudo në Ballkanin Perëndimor të cilët megjithëse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimit do të ndërpresin komeditë e tyre aktuale politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë”, dhe shqiptarëve.

Këtë, të nderuar politikanë, ia kini borxh të siguroni  se nuk do ndohdë një gjë e tillë, jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm të kombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëzon sot kombi shqiptar.   Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, sidmos nga e kaluara komuniste, kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21.   Për një komb, të cilit i mungon dialogu politik, por që është aq dinamik i bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.

Kjo është e mundur vetëm e vetëm kur të gjitha pjesët e trupit të kombit dhe të gjitha partitë dhe grupet pa dallim me respekt për të drejtën e secilit për të shfaqur mendimet dhe pikëpamjet e veta në mënyrë demokratike për të ardhmen e përbashkët  të ndërpresin monologun e tanishëm dhe të fillojnë dialogun me njëri tjetrin, si vëllai me vëlla. Ky është një problem shqiptar!  Problemet e shkaktuara nga shqiptarët duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët  pa ndërhyrje nga jashtë – me qëllim për ta bërë më në fund Shqipërinë.  Shqipërinë e një bashkjetese kombëtare, me të drejta dhe liri të barabarta për secilin shqiptar.  Ky është momenti kur burrat e vërtetë i vinë në ndihmë Atdheut të vet. Tashti dallohen burrat e vërtetë nga burracakët!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PROBLEMI SHQIPTAR

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT