• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAN NOLI DHE FRYMA E TIJ NË JETËN TONË

June 7, 2023 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Republika e Kosovës/

Të nderuar drejtues dhe pjesëmarrës të këtij takimi!

Jemi takuar sot në këtë aktivitet për të shënuar një përvjetor të Degës së Federatës Vatra dhe për të kujtuar njërin prej apostujve të saj Fan Nolin!

Të ishe fanolist dje

Në këtë rast dua të them disa fjalë për frymën e Fan Nolit dje dhe për frymën e Fan Nolit sot.

Fan Noli është shkrimtari, intelektuali, krijuesi, përkthyesi, politikani e politologu, rreth të cilit shqiptarët janë bashkuar shumë herë, shumë kohë dhe shumë breza, sepse prej veprës së tij kemi pasur çka të vjelim e të bisedojmë për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptarë.

A është e rastit që Fan Noli i ka pasur jo vetëm bashkëkohësit e tij, po edhe fanolisët e brezave të mëvonshëm. E pra, historianët e popullit shqiptar, na kanë folur shumë për fanolistët e viteve ’20 e ’30, madje jo vetëm shkrimtarë, të cilët janë përpjekur ta emitojnë me krijimtarinë letrare dhe përkthimet e tyre, jo vetëm me pikëpamjet politike e ideologjike po edhe me heroizmat e me vdekjen për atdhe; historianët e popullit shqiptarë na kanë folur edhe për fanolistët e antifanolistët e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kjo do të thotë për fanolistët e përkushtuar ndaj veprës së tij dhe prirjet artistike e politike të studimit të saj; për prirjen shkencore të studimit të gjuhës dhe vlerave estetike të saj, si dhe për prirjet politike të ngjyrosjes ideologjike të saj; historianët, kulturologët dhe sociologët sigurisht një ditë do të flasin edhe për fanolistët e kohës sonë.

Në historinë e popullit shqiptar e të kulturës së tij, janë disa personalitet, biografia jetësore, biografia intelektuale dhe vepra e të cilëve e ka pasuruar përmbajtjen shpirtërore të popullit shqiptar në paqe, e ka ndihmuar popullin shqiptar në kohë luftërash dhe ka ndihmuar madje në kapërcyell të kalimit nga një periudhë në tjetrën. Në këtë rrjedhë, i kemi bërë luftërat për liri me këngët për Skënderbeun dhe skëndebegianët e të gjitha kohëve, kemi shtegtuar në periudhat e mëdha të Përlindjes Kombëtare me veprat e apostullit të saj Naim Frashërit e të bashkëkohësve të tij; kemi kapërcyer shtegun më të vështirë të historisë së këtij mijëvjeçari në fillim të shekullit XX, me bëmat e babait të shtetit kombëtar Ismail Qemali dhe ridimensionimin kulturor, intelektual e politik të diskursit të komunikimit tonë me Europën dhe Amerikën, të cilën e kanë bërë Fan Noli, Faik Konica e bashkëkohësit e tyre; jemi përballur me shtypjen e re sllave në ish-Jugosllavi duke u mbajtur, duke nderuar, duke u identifikuar e duke pasur në mendje sakrificën personale të Adem Demaçit etj.

Për mësuesit tanë në Kosovë e ish-Jugosllavi, për edukatorët tanë, ateistë të periudhës së komunizmit, të cilët ligjëronin Fan Nolin në shkollë a në Universitet, nuk ishte e mjaftueshme të ishe besimtar që i faleshe zotit. T’i besoje Perëndisë, ligjëronin ata, do të thotë, të punoje për gjuhën dhe atdheun, që Zoti pastaj ta shpërblente si vlerë të nderimit dhe besimit për të; për mësuesit tanë, të besoje Perëndinë do të thoshte t’i shërbeje kombit dhe institucionit fetar autoqefal të themeluar prej tij, prej Fan Nolit.

A është e rastit që edukatorët, mësuesit tanë ateistë të periudhës komuniste, të cilët nuk e shquanin shumë institucionit fetar të formimit të Konstantin Kristoforidhit; të cilët kalonin nën zë emrin e institucionit fetar të formimit fillestar të Naim Frashërit; të cilët e heshtnin institucionin fetar të formimit e besimit të Ndre Mjedës; në rastin e Nolit, e shquanin largvajtshëm dhe madje gjenin strehë në institucionin fetar autoqefalist të Kishës Ortodokse Shqiptare, të themeluar prej tij.

Të ishe fanolist në fund të shekullit të kaluar dmth të kishe guximin qytetar dhe intelektual që t’ia grisje maskën e së keqes, pushtetit, politikanit, akademikut, shkrimtarit e klerikut serb, maqedonas e malazez, ashtu sikur bënin Profesor Rexhep Qosja në Kosovë, Profesor Agim Vinca në Maqedoni dhe Profesor Nail Draga në Mal të Zi.

Të jesh fanolist sot

Të jesh fanolist sot do të thotë të jesh krijues, që më parë se sa t’i artikulosh idetë, temat, mendimet a konceptet në veprën fetare, letrare, politike, kulturore a shkencore, duhet të krijosh neologjizmat, fjalët vetjake, termat shkencorë, mbi strukturën fjalëformuese e kuptimore të gjuhës shqipe, aq të munguara në komunikimin shkencor, politik e kulturor sot; të jesh nolian sot do të thotë të jesh i pakompromis në identifikimin e saktë të shqetësimeve ditore dhe t’ia çjerrësh maskën politikanit, deputetit, qeveritarit dhe uzurpatorëve të institucioneve shtetërore, arsimore, shkencore e kulturore, aq të pranishme në jetën tonë kombëtare sot; të jesh fanolist sot do të thotë të jesh i vendosur në përzgjedhjen dhe sjelljen e vlerave universale për kulturën e popullit tënd, aq të munguara në institucionet shkencore e akademike sot; të jesh fanolist sot, do të thotë të jesh i vendosur deri në shenjtëri për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në jetën tonë, pra, të besosh dhe të jesh i bindur deri në idealizëm se e vërteta dhe vetëm e vërteta e sjell fundin e lumtur të çdo gjëje: madje, të jetës dhe të vdekjes!

Të jesh fanolist sot, do të thotë të respektosh qytetërimin, trashëgiminë, besimet fetare, Lindore e Perëndimore në jetën e popullit shqiptar, e kjo do të thotë të mos e shohësh fqinjin si mysliman, katolik a ortodoks, po si shqiptar të një përkatësie, të cilën ai e ka zgjedhur brenda zemrës së tij. Të jesh nolian, në të vërtetë, do të thotë t’i japësh kuptimin kombëtar institucionit fetar në të cilin i lutesh Perëndisë, pa ndjerë nevojën që të kalosh në tjetrin për të ridimensionuar imazhin kombëtar, intelektual e kulturor vetjak.

Të jesh fanolist sot, do të thotë të mos ndalesh një jetë të tërë, së hulumtuari e studiuari veprën e Fan Nolit, sikur bëri Nash Jorgaqi dhe të vazhdosh atë rrugë sikur bën sot studiuesi Sevdai Kastrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botuesi e studiuesi Mehmet Gëzhilli në Shqipëri.

Të nderosh Nolin sot, do të thotë të botosh veprën e plotë, sa më të plotë të tij, ashtu sikur vepron fanolisti nga Tirana, Z. Mehmet Gëzhilli, duke botuar jo vetëm krijimtarinë letrare, mendimin shkencor, publicistikën, përkthimet etj., po edhe literaturën kishtare, në një kohë që edhe botuesit shumë herë më të mëdhenj se ai, kujdesen të botojnë prej tij vetëm një pjesë të Albumit, Historinë e Skënderbeut dhe shumë shumë ndonjë përkthim të Shekspirit për nevoja të lekturës shkollore.

Të jesh sot fryma e Fan Nolit do të thotë të mbrosh me dije dhe me kulturë shkencore e intelektuale Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, duke botuar liturgjinë noliane kishtare dhe ta vesh në funksion të secilës Kishë dhe lutësve të saj, ashtu sikur vepron editori Mehmet Gëzhilli në Tiranë.

Të nderosh dhe të risjellësh sot mendimin politik, shkencor e letrar të Fan Nolit në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë të punosh me dekada për të përgatitur Bibliografinë shteruese të tij, duke e vendosur deri edhe në Bibliotekën e Harvardit, ashtu sikur punoi e punon studiuesi e editori nga Tirana, Mehmet Gëzhilli.

Të jesh bartës i Frymës fanoliste sot, sot do të thotë të nderosh e respektosh demokracinë planetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë ta mbash në tavolinën e punës e ta nderosh Kushtetutën Amerikane dhe ta mbash në tavolinën e punës e ta respektosh Kushtetutën e shtetit tënd. E kjo do të thotë, ta mbash në njërën dorë Biblën a Kuranin dhe në dorën tjetër Kushtetutën dhe shpatën. Besoj, të tillë ishin fanolistët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, për të cilët vite më parë pata shkruar: Nëse moshatarët e tyre në trojet etnike ishin rritur dhe përgatitur për luftë duke lexuar Biblën a Kuranin dhe duke u vetëdijësuar për lirinë si mision njerëzor para varrit të Çerçiz Topullit e Adem Jasharit, luftëtarët e batalionit “Atlantiku” ishin rritur duke mbajtur në dorë edhe Deklaratën e të Drejtave Universale dhe duke u frymëzuar nga Shtatorja e Lirisë, e cila bashkonte konceptin për lirinë kolektive, krenarinë kombëtare dhe botën humane të tyre. E kjo do të thotë se luftëtarët shqiptarë që erdhën nga Amerika në Luftën e Kosovës ishin pasardhës edhe të frymës së Fan Nolit dhe vargjeve të tij paradigmatike “Mbahu, Nëno, mos kij frikë / Se kë djemtë n’Amerikë”.

A mjafton kjo që ta përmbyllim fjalën tonë me konstatimin se, Fan Noli me bëmat e tij në fillim të shekullit XX dhe me veprën e tij në fund të shekullit XX, e ka kryer misionin e tij kombëtar, politik, krijues, klerikal dhe human në jetën e popullit shqiptar.

Duke shkruar për Balzakun, Viktor Hygo, pati thënë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vet piedestalin e tyre, e ardhmja ngarkohet të vendosë statujën”. Fan Noli ishte i tillë. Krijoi piedestalin e tij mbi në kontinente, por statujën e kemi borxh ta vendosim edhe ne, brezi ynë.

Le të jetë kjo fryma e tij, vepra e tij dhe lavdia e tij, e cila na ka bashkuar edhe sonte!

Prishtinë, 3 qershor 2023

* Në “10-vjetori i Degës së Federatës VATRA Queens NY”, SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof. dr. Begzad Baliu

NAIM FRASHËRI E REXHEP QOSJA DHE SHPËRFYTYRIMI YNË I SOTËM

November 2, 2021 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu

Nëse Jeronim De Rada ishte rilindësi i periudhës së parë më me ndikim, sepse rrezatimi i Rilindjes Europiane u shfaq para se gjithash në koloninë e shqiptarëve të Italisë; nëse Naim Frashëri ishte rilindës i periudhës së dytë më me ndikim dhe rrezatoi para se gjithash në Jug të Shqipërisë; nëse Gjergj Fishta ishte rilindësi i tretë më me ndikim në gjysmën e  parë të shekullit XX në Shqipërinë Veriore; Profesor Rexhep Qosja ishte padyshim rilindësi më me ndikim në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në kapërcyell të shekullit XXI. Natyrisht, secili në mënyrën e tij. I pari (De Rada) vendosi themelet e romantizmit shqiptar; i dyti (Naimi) kurorëzoi iluminizmin si vetëdije gjuhësore, kulturore dhe identitare të kombit; i treti (Fishta) ridefinoi konceptet shpirtërore (gjuhë-fe-atdhe) si përbërësit e domosdoshëm të rizgjimit të nacionalizmit kombëtar në fillim të shekullit XX; i katërti (Profesor Qosja) duke shfrytëzuar përvojën historike dhe diturore të tre të parëve u vendos në krye të lëvizjes kombëtare në kapërcim të shekullit XXI, dhe me veprën diturore bëri kalimin e shoqërisë shqiptare nga diktatura në demokraci e nga kolonializmi në pavarësi.

Por, kur një ditë historianët e kësaj periudhe do të shkruajnë historinë e popullit shqiptar do të shohin dhe doemos do të theksojnë se si: De Rada përfundoi në varfëri; Naim Frashëri përfundoi me një jetë të përmasave modeste; Fishta përfundoi i përndjekur si autor dhe si frymë; ndërsa Qosja po i kalon vitet e pleqërisë duke parë se si fotografia e tij po  prehet me gërshërë nga ngjarjet historike, duke e parë se si po mënjanohet nga studiot dhe madje lajmet e televizioneve, duke dëgjuar se si veprat e tij po mënjanohen nga Komisionet e çmimeve vjetore, duke lexuar se si disa nga bashkëkohësit e tij të intervistuar në shtypin e shkruar dhe elektronik po e mënjanojnë emrin e tij sa të jetë e mundur nga rrëfimet e tyre, madje edhe atëherë kur prania e emrit dhe veprës së tij janë kusht i domosdoshëm për të thënë të vërtetën historike të një kohe a të një ngjarjeje, si dhe për të shpjeguar trajtën estetike të një gjinie e të një lloji letrar.

Asgjë e re. 

Ata që i njohin përvojat e historisë botërore, mjafton të kujtojnë fatin e Viktor Hygos dhe të kuptojnë fatin e De Radës së përjashtuar nga institucionet që i idealizoi; fatin e Naim Frashërit dhe frymës së tij në kapërcyell të shekullit XX; fatin e Gjergj Fishtës dhe përmbysjes së tij pas Luftës së Dytë Botërore, e pse jo edhe të Profesor Qosjes dhe përmasës kritike e të papërballueshme të mendimit të tij.

Nuk është larg koha kur bashkëkohësit strehoheshin rreth tij (ashtu sikur strehoheshin rreth De Radës), sepse ja kishin frikën gjenocidit serb në Kosovë apo rikthimit të diktaturës neostaliniste në Shqipëri; nuk është larg koha kur rreth tij afroheshin me nderim (ashtu sikur afroheshin pranë mësuesit të iluminizmit perëndimor Naim Frashërit) sepse e lakmonin përvojën perëndimore të koncepteve të tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare; nuk është larg koha kur rreth tij bashkëkohësit afroheshin përulshëm (ashtu sikur përuleshin pranë tij bashkëkohësit e Patër Gjergjit) sepse lakmonin lavdinë e tij në këtë botë më shumë se sa përjetësinë në botën tjetër; por pranë tij e kanë vështirë të qëndrojnë sot luftëtarët për pushtet dhe për pasuri materiale, përfituesit e të gjitha llojeve në këtë kohë tranzicioni, që nuk po i shihet fundi në dy shtetet shqiptare. 

E vërteta, më parë se sa për mendimin kritik ndaj pushteteve, përvetësimeve, nepotizmit, primitivizmit, korrupsionit, po e vëmë re se Profesor Rexhep Qosjes ja kanë frikën ata që po e shohin nga pozita e dëshmitarit të madh të historisë, ashtu sikur ia kishin frikën stalinistët Trockit.

Vitet e fundit po e shohim me habi se si historianë të letërsisë, të kulturës e të sociologjisë së mendimit shqiptar të viteve ’60 e ’70 e  këndej, në Shqipëri e në Kosovë, po përpiqen ta fshehin emrin e tij prej literaturës dhe prej dokumentimit të saj; po e shohim me habi se si ngjarjet e mëdha të viteve ’80 në Kosovë e ish-Jugosllavi, duke përfshi këtu edhe betejat e mëdha të fituara nga ai kundër inteligjencies serbe, po përpiqen t’i shpjegojnë pa frymën dhe mendimin intelektual e shkencor të veprës së tij; po e shohim me ironi se si lëvizjet e mëdha të popullit shqiptar në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, po përpiqen t’i ridimensionojnë duke e fshehur emrin dhe veprën e tij, duke përfshirë këtu edhe mënjanimin nga ballinat e faqeve elektronike dhe reklamat hyrëse të emisioneve kulturore televizive. Pra, po i lexojmë dhe po i shohim se si arritjet më të larta demokratike në Shqipëri dhe madje lirinë e Kosovës, po përpiqen t’i paraqesin pa veprën mendimore të Profesor Qosjes, i cili nga vitet ’60 e këndej e ka bërë ridimensionimin e mendimit intelektual dhe shkencor; i cili nga vitet ’70, e këndej e ka bërë emancipimin e mendimit shkencor përballë ideologjisë staliniste në Shqipëri dhe vetëqeverisjes jugosllave në Kosovë; i cili, nga vitet ’80 e këndej, me fjalën e tij, guximit qytetar i dha edhe dimensionin intelektual; i cili, me veprën dhe frymën e tij, në vitet ’90, përgatiti dhe mbrojti ndërkombëtarisht kryengritjen ushtarake në Kosovë, si një nga hapat e fundit për çlirimin e Kosovës.

E megjithatë, nuk habitemi kur shohim se si pushtetarë të sotëm partiakë dhe jopartiakë, grupe të interesit dhe organizata të ashtuquajtura joqeveritare, kompani private dhe kompani publike, bashkohen më lehtë, me heshtjen kundër mendimeve, në të vërtetë me heshtje kundër veprave të tij, sikur është bie fjala traktati Pushteti i korruptuar – protagonistët dhe viktimat, se sa bashkoheshin dikur patriotët rreth veprave moraliste e patriotike të Naim Frashërit. 

Asgjë e jashtëzakonshme, do të thoshte një shkrimtar yni. 

Bashkëkohësit e Naim Frashërit i bashkonte etika e lartë, vlerat universale, ndjenjat e pastra kombëtare, dashuria ndaj atdheut dhe shqetësimet për fatin e tij, dashuria për gjuhën dhe respekti për atë si njësi kombëtare përgjithësisht; ndërsa bashkëkohësit kundër veprës së Rexhep Qosjes i bashkon frika, demagogjia, korrupsioni i përbashkët, nepotizmi si kategori e gjerë shoqërore, uzurpimi dhe privatizimi i institucioneve publike, arrivizmi intelektual, akademizmi egocentrik dhe provincialist, kiçi politik dhe gjuha e panxënë, kultura krahinariste, abuzimi dhe fshehja e saj nën veladonin e fesë etj.

Duke u përgjigjur në pyetjen e studiueses Feride Papleka mbi librin e parë Episode letrare”(1967) dhe reflektimin e idesë së saj në kohën tonë, Profesor Qosja thotë: në atë vëllim “kam përmbledhur shkrimet për disa autorë nga Shqipëria shtetërore edhe për disa nga Kosova, nga letërsia e traditës dhe nga letërsia e sotme shqipe. Duke bashkuar shqiptarët e ndarë në një libër kisha iluzionin se po bashkoja gjithë shqiptarët dhe gjithë trojet e tyre të ndara! Iluzion jo modest prej të cilit nuk jam liruar kurrë dhe prej të cilit nuk dua të jem i liruar as sot kur po i shkruaj këto fjalë”.(Paplekaj, 2018: 254)

Nuk e di a është e nevojshme, të nderuar të pranishëm, të them se këto iluzione të Profesor Qosjes, të vitit 1967, i gjemë në të gjitha lëvizjet e mëdha kombëtare: te Lëvizja për Flamur e Republikë dhe te Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) e  Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972); te manifestimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1978) dhe Demonstratat e marsit të vitit 1981; te demonstratat e vitit 1989 dhe te Betimi i UÇK-së(1998) dhe nuk e di a ka nevojë të theksohet se mësimet e Naim Frashërit dhe porosia e madhe e tij, ende janë iluzion prej të cilit djalëria shqiptare e formuar në frymën e Naim Frashërit dhe Rilindjes Kombëtare nuk dëshiron të lirohet. Nuk e di a është e nevojshme të përsëris se porosia e madhe e Naim Frashërit dhe iluzionet e dikurshme të Profesor Rexhep Qosjes sot nuk janë as pikëpamje romantike, sikur u përpoqën t’i paraqesin disa intelektualë pas demonstratave të vitit 1981, as iluzion prej të cilit nuk dëshiron të lirohet Profesor Qosja. 

Porosia e madhe e Naim Frashërit është e pranishme mes nesh, si kurrë më parë dhe porosia e tij është mision!

Prishtinë-Tiranë, 21 maj 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prof. dr. Begzad Baliu

GJENDJA DHE PERSPEKTIVA E GJUHËS SHQIPE NË PERIUDHËN POSTGLOBALISTE

October 22, 2021 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu/

“… gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar” (Çabej, 1929)

Hyrje

Përsiatjet tona mbi gjendjen dhe perspektivën e gjuhës shqipe në periudhën postglobaliste i kanë nxitur tri paradigma: a) fillimi i pandemisë së Virusit Korona dhe mbyllja globale; b) shqetësimi mbi perspektivën e trashëgimisë sonë në këtë situatë, mbështetur mbi një vlerësim të Profesor Çabejt gati një shekull më parë, se “… gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”; c) si dhe deklarata e Profesor Jani Thomajt  për merakun e tij për gjuhën shqipe dhe hartimin e një Fjalori të madh të shqipes. I shkruar si përgjigje Konferencës të Institutit Albanologjik, kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Profesorit tim të çmuar, ky tekst le të jetë nderim për Profesor Jani Thomajn.

I.

Në fund të vitit që shkoi studiues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe studiues të institucioneve të tjera shkencore e arsimore në Tiranë, rikthyen në diskutim një çështje për të cilën është diskutuar, janë shprehur shqetësime dhe madje janë bërë edhe polemika, çështjen e mbrojtjes me ligj të shqipes standarde.

Autorë të këtij projektpropozimi, hartuar në vitin 2014, janë akademikët: Jorgo Bulo, Enver Hysa, Luan Omari, Eduard Sulstarova etj., që më parë se sa gjuhëtarë, juristë e studiues të letërsisë, ishin dhe janë intelektualë të përmasave kombëtare e ndërkombëtare, personalitete të mendimit shkencor e studiues me përvojë të madhe historike, në të vërtetë, studiues me vetëdije të lartë historike dhe me pikëpamje e virtyte mbarëkombëtare. Lajmi, përkatësisht projektpropozimi a iniciativa, na bëri të kuptojmë dhe besojmë se tani Tirana dhe institucionet politike, arsimore dhe shkencore urgjentisht duhet të marrin rolin prijës të ëndrrave tona për gjuhën shqipe, të cilën Prishtina nuk ka mundur ta realizonte dikur për shkaqe politike dhe nuk mund ta realizojë tani për mungesë kapacitetesh (studiuesish e institucionesh) profesionale. 

Duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat kaloi së fundmi populli shqiptar: tërmetet e pazakonshme në Shqipëri, pandeminë globale e Virusin Korona, si dhe lëkundjet afatgjata në jetën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë, nuk kemi pritur as kësaj radhe të kemi diskutime as në interes të realizimit të kësaj iniciative të përsëritur, as të kundërshtimit institucional të saj. Në këto rrethana natyrshëm nuk mund të pritej ndonjë diskutim i gjerë as aprovues as polemizues, por rrethanat nëpër të cilat po kalojmë vitin e fundit, më kanë bërë të besoj se në shkallë kombëtare pritej edhe një diskutim ndërgjegjësues rreth gjuhës, si njërën prej pasurive unike të kombit shqiptar. Kjo e dyta, pandemia globale, madje mund të ishte edhe një prej arsyeve shumë të veçanta pse për gjuhën dhe më tej trashëgiminë kombëtare, të ndërmerreshin masa të forta mbrojtjeje, sa edhe për fatet fizike, individuale e kolektive të shqiptarëve në hapësirën etnike, mërgatën dhe diasporën shqiptare.

Pa dashur të merrem me diskutimet anësore, shumë herë të zbehta dhe shumë herë irrituese, mund të them se ato u orientuan kryesisht në dy drejtime: në Tiranë me komente anësore, që të kujtojnë ankimet e shkrimtarit anglez të shekullit XVI Gjon Hart (John Hart), për “mëkatet” e alfabetit anglez, për shkak të të cilave e kishte vështirë të mësonte dhe vështirë të lexonte” (Kristal, 1997: 215), ndërsa në Prishtinë me reagime individuale, të cilat më parë se për një ligj mbrojtës të njërës prej vlerave më të rëndësishme që kemi, dëshironin që projektpropozimit t’i jepnin karakterin e një karikature, që më parë se sa të shquante gjuhën, thesarin e vetëm të popullit shqiptar, sikur do të shprehej Profesor Çabejt, donin të krijonin mjegull mbi rolin që mund të kishte mbrojtja e këtij thesari. 

Gjuha shqipe është gjuhë historike, ndërsa populli shqiptar është popull historik dhe e drejta e tij për hapësirë gjeografike europiane, identitet kombëtar dhe të barabartë me vendet fqinje e me popuj të mëdhenj të Evropës, i detyrohet para se gjithash gjuhës shqipe si dhe mundësisë së saj që të funksionojë si një standard i vetëm. Më parë se vetë populli shqiptar dhe luftërat e tij, është vepra Meshari i Gjon Buzukut ajo që i bëri shqiptarët pjesë të qytetërimit europian. Më parë se populli shqiptar dhe bëmat e tij është gjuha shqipe ajo që me të gjitha përmasat kuptimore e bëri të flas Biblën në gjuhën shqipe në fillim të shekullit XIX, në të vërtetë më parë se të bëhej populli shqiptar pjesë e qytetërimit dhe trashëgimisë së përbotshme është gjuha shqipe ajo që në projektin e Franc Boppit (1854) dëshmoi të qenit e saj degë e familjes së gjuhëve indoeuropiane, madje njëra prej degëve bazë, njëra prej dymbëdhjetë degëve të trungut të saj. Struktura gramatikore e gjuhës së shkruar shqipe, në tekstet e kohës do të dëshmojë rreth dy shekuj më parë atë që së fundi do ta konstatojë Umberto Eco; “Gjuha mëmë nuk ishte një gjuhë e vetme, por tërësia e të gjitha gjuhëve” (Eko, 2008: 342).

 Në këtë periudhë, kur çështja e gjuhës kombëtare ishte një nga çështjet e mëdha evropiane (Thiesse, 2004: 87), kur sikur shprehej Herder, “çdo gjuhë, është shprehje e gjallë, organikë e shpirtit të një populli, shuma e veprimit efikas të gjithë shpirtrave njerëzorë që e kanë përbërë gjatë shekujve (Thiesse, 2004: 44), gjuha shqipe iu përgjigj parimit “kombi ekziston, përderisa ka një gjuhë”, ndryshe nga parimi tjetër që vlente për popujt e mëdhenj “kombi ekziston, duhet t‘i jepet një gjuhë” (Thiesse, 2004: 86). 

Për më tej, më parë se sa populli shqiptar të dëshmonte përfundimisht orientimin e tij drejt qytetërimit europian, janë shkronjat e alfabetit të Kongresit të Manastirit ato që shfaqen fytyrën europiane të këtij populli; dhe së fundmi, më parë se sa populli shqiptar, populli i ndarë në dy shtete të arrinte bashkimin a tij në një shtet, është gjuha, shqipja standarde (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,1972), ai që i bashkoi në komunikimin e tyre si një popull modern dhe i vetëm. 

II.

Në këtë rrjedhë, dua që me përgjegjësinë e folësit të gjuhës shqipe, ligjëruesit të saj universitar, të studiuesit e qytetarit të shqetësuar për secilën shkronjë e për secilën fjalë të shqipes, të propozoj një orientim të ri të institucioneve akademike dhe arsimore shqiptare, kudo janë krijuar brenda institucioneve kombëtare e ndërkombëtare:

  1. Gjendja shumë serioze, që po krijohet pas mbylljes së botës, do të sjellë rivlerësime të perspektivës së popujve e të gjuhëve të tyre, e në mënyrë të veçantë fatit të gjuhëve e të kulturave të popujve të vegjël, sikur është edhe populli shqiptar. Mbyllja e sotme globale në këto përmasa, si dhe një perspektivë e mbylljes Lindje (Azi) – Perëndim në një të ardhme jo shumë të largët mund të rezultojë me një shpërthim demografik dhe lëvizje qindmilionëshe të aziatikëve drejt Europës, një përmasë që të kujton shtegtimin e popujve indoeuropianë dhe arritjes në Europë rreth 3000 vjet më parë.
  2. Mënyra se si papritmas dhe në mënyrë të shpejtë u ballafaquam me një virus me mundësi të vë në pyetje fatet e popujve dhe kulturave të tyre, na bën të mendojmë edhe për projektet e gjertanishme të institucioneve shkencore dhe të merremi urgjentisht me rivlerësimin e tyre, pasi shumica e institucioneve shkencore bëjnë punën rutinore, pa projekte afatmesme dhe afatgjata, dhe për më tej, pa projekte me karakter kombëtar e mbarëkombëtar.
  3. Situata të tilla shumë të rrezikshme nëpër të cilat po kalojmë, si dhe mundësitë që ato të përsëriten në përmasa edhe më tragjike, rrezikojnë brenda natës jo vetëm mosha të caktuara po edhe popuj, shtete e kultura të tyre. Shqiptarët, dy shtetet e tyre aspak homogjene, institucionet me nivel të zbehtë komunikimi, si dhe projektet e tyre shkencore shumë herë të përmasave krahinore, mund të rrezikohen si asnjë gjuhë e kulturë tjetër në rajon dhe Europë. Shqiptarët me tri e më shumë besime, me gjuhë standarde “ende të brishtë”, pa enciklopedinë kombëtare, pa thesarin e gjuhës shqipe në disa vëllime, sikur e kanë edhe popujt e tjerë, rrezikojnë të gjenden në provincën e zhvillimeve europiane. E popujt, gjuhët dhe kulturat provinciale, rrezikojnë të zhduken brenda natës ashtu sikur janë rrezikuar dhe zhdukur gjuhë me folës edhe më të shumtë se gjuha shqipe.
  4. Përvoja rajonale dhe ndërkombëtare na jep shembuj brilant, të rrezikut afatgjatë, organizimit e mbrojtjes së tyre, por le të sjellim vetëm dy prej tyre. Vetëm një vit pas mbarimit të luftës ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, në Kroacinë e pavarur leksikografët kroatë arritën ta botojnë vëllimin e parë të Enciklopedisë kroate.

Tregimi i Umberto Ekos për vendosjen e një tabele me vërejtje në një shkretëtirë ku do të varroseshin mbetjet bërthamore në SHBA, janë shembulli më brilant se si duhet të mendojmë ne sot për gjuhën dhe perspektiven e saj. Më 1984, – rrëfen semiotisti dhe intelektuali i lavdishëm i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, Umberto Eko, – Thomas A. Sebeok, hartoi një raport për Zyrën e Izolimit të Mbeturinave Bërthamore, në lidhje me vendosjen e shenjave gjuhësore në vendin ku do të vendoseshin mbeturinat. Por për ekspertin Thomas A. Sebeok situata nuk ishte kaq e thjeshtë. Vendosja e vërejtjeve gjuhësore nuk konsiderohej kaq e thjeshtë në një tabelë normative. “Qeveria Amerikane kishte zgjedhur disa zona të shkreta në ShBA për të groposur (në disa qindra metra thellësi) mbetjet bërthamore. Nuk bëhej fjalë edhe aq për të mbrojtur zonën nga hyrjet e të pakujdesshme sot, se sa për faktin që mbetjet bërthamore mbeteshin aktive për dhjetëmijë vjet”. (Eko, 2008: 177).

Në këtë proces bashkohej përvoja historike dhe manifestohej vetëdija historike. Në radhë të parë shquhej kujtesa historike. “Kemi parë perandori të mëdha dhe qytetërime të lulëzuara, që kanë perënduar në kohë shumë më të shkurtër, kemi parë se si disa shekuj pas faraonit të fundit hieroglifët egjiptas ishin bërë të pakuptueshëm”. 

Për të vënë më tej në sprovë vetëdijen historike: “Mund të ndodhë që pas 10000 vjetësh toka të ketë pësuar pështjellime të tilla që të banohet nga popuj, të kthyer në kohën e barbarisë por mund të vizitohet nga udhëtarë jashtëtokësorë. Si të njoftohen jashtëtokësorët që zona është e rrezikshme (Eko, 2008: 177).

  1. Cila është vepra që kemi krijuar si institucione shkencore pas Luftës Çlirimtare të Kosovës, në të vërtetë pas Çlirimit të Kosovës, dhe cilat janë veprat kolektive kombëtare të cilat janë botuar nga institucionet shkencore dhe akademike në Shqipëri, të cilat i shërbejnë një qëllimi të tillë, të largët, jo dhjetëmijë vjet, po 30-50 a 100 vjet, sa pretendojnë zakonisht botimet me karakter shoqëror? Nuk po e bëjë këtë pyetje për institucionet me karakter nacional në Maqedoni dhe Mal të Zi. Pas fjalorëve enciklopedikë, të në arritjeje modeste akademike në Tiranë dhe në Prishtinë, lajmi pothuajse i vetëm premtues që vjen është deklarata e drejtorit të Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, Profesorit Valter Memisha, se po punohet për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, në një kohë që mendjen e kemi te Korpusi i plotë i gjuhës shqipe. Një prej etërve të leksikografisë shqiptare Profesor Jani Thomai, në fillim të këtij shekulli, pasi kujtonte momentet më të rëndësishme të trashëgiminë e leksikografisë shqiptare sillte edhe disa kërkesa të domosdoshme që dalin në këtë kohë: a) “Kërkesa kryesore (…)  është rritja e cilësisë shkencore të fjalorëve, mbështetja e tyre në të gjithë përbërësit e përmbajtjes e të trajtimit  leksikografik në shkencën dhe metodat e leksikografisë bashkëkohore” (Thomai, 2017: 125); b) “ngritja e një shoqate kombëtare të leksikografëve, e ngjashme me Shoqatën Europiane të Leksikografëve (EURALEX)” (Thomai, 2017: 126); c) “regjistrimi elektronik i fondeve leksikore” (Thomai, 2017: 126); d) “Hartimi i një fjalori të madh, disavëllimësh, i gjuhës shqipe përbën një kërkesë të kahershme (Thomai, 2017: 126);  e) “Hartimi i fjalorëve të autorëve e i fjalorëve krahinorë në një shkallë” (Thomai, 2017: 127) etj.   
  2. A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse Akademitë dhe institucionet tona shkencore duhet të marrin detyra më të rëndësishme dhe më parësore, të cilat kanë për synim vjeljen, ruajtjen, sigurimin dhe regjistrimin e manaxhimin e korpuseve gjuhësore në hapësirën shqiptare, të trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore (nga njësitë leksikore e frazeologjike deri te përralla dhe eposi), përgatitjen urgjente të Enciklopedisë Kombëtare, Fjalorit (thesarit) të plotë të gjuhës shqipe e doracakët e tjerë enciklopedikë të kësaj natyre etj., me ndihmën e koordinuar të të gjitha institucioneve arsimore, shkencore e kulturore të të gjithë hapësirës shqiptare. Shembuj të orientimeve të kësaj natyre vinë nga Shën Petërsburgu dhe Pekini, por jo edhe nga Prishtina dhe Tirana. Profesor Jani Thomai tashmë ka bërë edhe hapin e parë. Ka përgatitur edhe Projektin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe (2004-2007), brenda të cilit ka përcaktuar edhe numrin e përafërt të fjalëve, parimet dhe kriteret e përgjithshme, formatin dhe vëllimet, shtresat aktive dhe pasive të leksikut të shqipes, si dhe frazeologjinë, semantikën dhe kufijtë hapësinorë e historikë, makrostrukturën e fjalorit, fondin praj nga do të vjelën fjalët, semantikën leksikore, makrostrukturën, sintagmatikën e fjalës etj. Po këtu Profesor Jani Thomai ka sjellë edhe projektin e funksionalizimit të tij me institucione dhe emra konkret, si dhe metodën e punës në Fjalor. (Thomia, 2017: 165-173).   
  3. Brezat që do të vinë nuk kanë asnjë arsye të na kuptojnë as të na mirëkuptojnë nëse ne vazhdojmë në këtë mënyrë t’ju lëmë arritje individuale e klanore, arritje institucionale e krahinore. Brezat që do të vinë nuk do të na kuptojnë kurrë dhe nuk do të na mirëkuptojnë, kur të shohin se si kemi krijuar universitete, fakultete, institute dhe projekte, publike e private, të cilat përsërisin njëra – tjetrën me revista, konferenca jubilare, tema të shteruara ndër dekada, ide e nocione të harruara në hapësirën europiane. Brezat që do të vijnë nuk do t’i kuptojnë projektet tona, nëse prej tyre nesër nuk mund të krijohen tërësi shkencore me interesa kombëtare, dhe me të cilat nuk mund të marrim pjesë në hapësirën e dijes europiane. Brezat që vinë do të pyesin pse brezi ynë nuk ishte pjesë e projekteve rajonale, ballkanike, europiane dhe planetare, në të cilat janë diskutuar temat historike, pasuria leksikore dhe frazeologjike, zyrtarizimi i ojkonimisë në dokumentet me njohje ndërkombëtare, përfaqësimi i ngjarjeve, personaliteteve dhe njësive onomastike në leksikonët dhe enciklopeditë europiane dhe ndërkombëtare. E ne për brezin e sotëm dhe të ardhshëm ende nuk kemi krijuar ekipet, të cilat duhet të punojnë urgjentisht në këto projekte, e ne do të duhej sa më parë të krijojmë Qendrën e Leksikografisë Kombëtare, nëse nuk mund ta përshtatim ndonjërën prej këtyre që instituteve që i kemi. 

III.

Të rikthehemi edhe njëherë te gjendja, trashëgimia gjuhësore dhe perspektiva postglobaliste e saj. 

Gjuha shqipe në Shqipëri, përkatësisht në dokumentet zyrtare sigurisht zë një vend të nderuar, por në jetën shoqërore, kulturore, fetare dhe madje akademike, nuk e ka përmasën moderne të studimit, të cilën do të duhej ta kishte. Gjuha shqipe në Kosovë jo vetëm nuk e ka vendin e duhur në dokumentet shtetërore për 90% të popullatës, e cila e përdor me shkrim dhe me gojë, po ajo gjithnjë e më shumë po e humb pozitën e saj në dokumentet ndërkombëtare, duke e vënë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, dhe gjithnjë e më shumë po e humb hapësirën e saj të studimit e mësimit të saj, edhe me numrin e orëve në institucionet shkollore. I është dashur një kryengritje e armatosur dhe i janë dashur shumë beteja politike kombëtare e ndërkombëtare popullit shqiptar në Maqedoni, që gjuhën shqipe ta bëjnë gjuhë të përmasave shtetërore, sikur është maqedonishtja, dhe kjo luftë vazhdon pikërisht për zbatimin e saj në raport me institucionet qendrore dhe rajonale. Një shkallë ngritjeje dhe vlerësimi e përdorimi sot gjuha shqipe ka fituar edhe në dokumentet juridike të shtetit të Malit të Zi e të Serbisë.

Pas rënies së sistemit komunist përmasa e vlerësimit dhe studimit të gjuhës shqipe u zgjerua edhe në hapësirën Europiane e Amerikane, pa humbur asgjë edhe në hapësirën Lindore të Globit, përkundrazi duke e zgjeruar përmbajtjen modeste të vendit të saj që e kishte më parë. Gjuha shqipe sot ligjërohet si dije për nxënie arsimore, përkthimi për nevoja administrative, sigurie e diplomacie, si dhe për kërkime shkencore në kontekstin kontrastiv e krahasues, në shumë shtete dhe në shumë institucione shkencore, por gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk e ka vendin e duhur të saj në faqet e botimeve shkencore dhe enciklopedike, si kusht i domosdoshëm për pamjen e saj të sotme në botën globale, dhe si kusht i domosdoshëm për Shqipërinë dhe Kosovën në diplomacinë, sigurinë, ekonominë dhe perspektiven e përbotshme. Le të shohim shembujt e disa prej modeleve të shteteve të dala nga Kampi Socialist: Polonia, Bullgaria etj., po edhe të shteteve të tjera të rajonit, si: Greqia, Italia etj., të cilat duke ndjekur zhvillimet politike dhe strategjike të kohës, përdorën trashëgiminë institucionale në fushë të shqipes dhe zgjerimin e mësimdhënies së saj për përdorimin e tyre jo vetëm për albanologjinë, si dije shkencore po për nevojat ditore: sigurinë, ekonominë, tregtinë etj. 

Nëse pamja, përkatësisht vendi i gjuhës shqipe dhe vendi i Shqipërisë dhe Kosovës në botimet enciklopedike kombëtare dhe ndërkombëtare është posaçërisht i zbehtë dhe posaçërisht i varfër e shqetësues, ky sigurisht nuk është vetëm faji i institucioneve dhe editorëve të këtyre botimeve, ky është faji i institucioneve tona shkencore, të cilat ende nuk kanë botuar vëllime enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, që botuesve nëpër botë t’u ofrojnë informacione të sakta dhe të plota. Shembujt, të enciklopedive, të cilët i kam theksuar në një nga studimet e mia Shqipëria, Kosova dhe gjuha shqipe në botimet enciklopedike (2012: 89-112), dëshmojnë njëkohësisht edhe për fajet tona, pse gjuha shqipe nuk paraqitet si gjuhë e njësuar, përkatësisht standarde po si gjuhë e dy dialekteve.

A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse obligimet ndaj gjuhës shqipe, njohjes, dokumentimit dhe obligimeve që kemi ndaj saj t’i bëjmë të ligjshme dhe të obligueshme për institucionet tona kërkimore dhe shkencore. A nuk është kjo një prej arsyeve pse gjuha shqipe të mbrohet edhe me ligj!

Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë. 

Në Republikën e Kosovës dy dekadat e fundit janë miratuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetërore shumë ligje dhe rregullore që të bëjnë të mendosh sikur i kemi kryer të gjitha punët dhe sikur të mos ishim shteti që ka më së paku ligje në rajon dhe Europë. Në Kosovë mund të gjesh rregullore për mbrojtjen e kafshëve nga rrahja e barinjve (Komuna e Prizrenit) dhe Ligj për bletari (shih, Kuvendi i Kosovës, Ligji Nr. 02/L-111), por gjuhëtarët e Kosovës prej shumë kohësh kapin kokën me të dy duart, duke dialoguar e duke monologuar në televizionet dhe mediat e Kosovës në lidhje me propozimin e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde:

Çka do të shkruajmë në atë ligj? 

Si do të duket ai ligj? 

Kush do të dënohet me atë ligj? 

Si do të flasim pas miratimit të atij ligji apo do të kthehemi në një popull memec! 

Si do të flasim në institucione, në kafene, në rrugë e sidomos në shtëpi? 

A do të guxojmë të ligjërojmë ne gjuhëtarët në universitete e në shkolla me shqipen standarde apo me gjuhën e nanës! 

A do të arrestohemi në rrugë nga policia tek flasim me kolegët në dialekt, në variant, në të vërtetë në slleng! 

A do të na përgjojnë spiunët e gjuhës pranë dritares tek u themi nënave tona nanë e jo nënë!

Kuku nanë! 

Kuku nanë! 

Kuku nanë! 

A nuk është kjo arsyeja pse gjuha shqipe si dhe atdheu e kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!

A nuk është kjo arsyeja që të rilexojmë një nga sintezat për standardin e shqipes, shkruar nga Profesor Rexhep Ismajli, kur shqipja standarde, gjuha shqipe dhe madje folësit e saj gjendeshin para një gjenocidi shtetëror: “Kusht për funksionimin e gjuhës standarde janë rrethanat e favorshme sociale, statusi juridik dhe socio-politik, statusi sociolinguistik i gjuhës në fjalë, mundësitë e përdorimit të papenguar në të gjitha kontekstet. E ngritur në nivelin më të lartë të mjetit të domosdoshëm të kultivuar për komunikim në përgjithësi, shqipja standarde mund të funksionojë dhe të zhvillohet më tutje atje ku është në përdorim në jetën shoqërore dhe publike, në organizatat shoqërore e politike, ku ka rregullim ligjor që i garanton këto, në marrëdhënie pune, në administratë, në shkolla dhe në institucionet e kulturës dhe të shkencës, në mjetet e informimit publik, në botime, në teatër, në film etj”. (1988: 93-122). 

Me gjuhën standarde, në të vërtetë në shqipen standarde, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve. Në të vërtetë populli shqiptar me gjuhën standarde përshkruan pasurinë materiale të institucioneve fetare, kulturore dhe të kultit, si dhe pamjen estetike të tyre. Me gjuhën standarde shqiptarët përshkruajnë ligjet dhe Komentarin e tyre, dokumentet e marrëveshjeve ekonomike, dokumentet e marrëveshjeve diplomatike dhe të sigurisë kombëtare e globale, vademekumët mjekësorë etj. 

A nuk do të kërkonte ligji për gjuhën edhe zbatimin e tyre me terminologji shqipe e nocione të kuptueshme së pari për institucionet shtetërore dhe popullatën që është e obligueshme ta zbatojë marrëveshjen, në vend se të nënshkruajnë marrëveshje të kësaj natyre fillimisht në gjuhën angleze në Bruksel, në mënyrë që pas përkthimit të saj në Prishtinë, dokument, marrëveshja a protokolli, të dalë me një mesazh të tjetërsuar dhe të dëmshëm për institucionet tona shtetërore e për qytetarët e saj. 

A nuk do të kërkohej pastaj që institucionet tona të pajisen me Fjalorë bashkëkohorë terminologjikë të fushave përkatëse dhe administrata jonë të arsimohej në mënyrë komplementare me dijet bashkëkohore në fushë të kulturës gjuhësore, dhe në raport me kolegët e tyre europianë në fushë të dijes bashkëkohore në fushat përkatëse, të cilët në rrethana të tilla arsimohen e pajisen me dije përkatëse në gjuhën angleze, franceze, gjermane, spanjolle, ruse etj. 

A nuk do të kërkohej prej institucioneve arsimore që të përgatisnin programe profesionale për kulturën e gjuhës standarde dhe nivelin profesional të ligjërimit, si dhe përdorimit me shkrim të stilit administrativ, juridik, tekniko-shkencor, mjekësor, politik e diplomatik, prej të cilës do të krijohej edhe një dokumentacion i qartë dhe kredibil i pasurisë sonë private dhe publike. 

A nuk janë këto vetëm disa prej arsyeve pse përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!

Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj. Në Kosovë gjenden shumë institucione kryesisht religjioze dhe shumë objekte të trashëgimisë së antikitetit ilir, objekte të trashëgimisë bizantine, të trashëgimisë orientale e oksidentale, mesjetare e të kohës së re, të cilat janë të mbrojtura me ligje vendore dhe madje ndërkombëtare. Për shkak se ato institucione religjioze apo kulturore nuk i kemi identifikuar, përkatësisht emërtuar me gjuhën a terminologjinë e duhur, shumë prej tyre në dokumentet e administratës sonë dhe në dokumentet e diplomacisë, përkatësisht trashëgimisë ndërkombëtare kanë marrë konotacione të ndryshme dhe madje kanë përfituar statute të ndryshme, sikur ato të mos ishin objekte të trashëgimisë sonë, por të trashëgimisë së fqinjëve, përkatësisht popujve të tjerë, sado shqiptarët shumë herë ato i kanë konsideruar objekte të kultit të tyre pagan dhe madje objekte të një periudhe të largët të trashëgimisë europiane të tyre. Një gjuhë historike sikur është gjuha shqipe dhe një gjuhë standarde e përdorur drejt me termat e nocionet shkencore që i zotëron, sikur është gjuha shqipe, e përdorur drejt dhe saktë në komunikimin ndërkombëtar nuk do t’i linte këto objekte jashtë sistemit tonë juridik-shtetëror, përkatësisht jashtë thesarit tonë kulturor me përmasa sa kombëtare aq edhe ballkanike, europiane e globale. Duke shkruar për disa prej tipareve gjuhësore të shqipes standarde, sikur janë: njësimi, karakteri i mëvetësishëm, karakteri i shkruar dhe kodifikimi, etj., ai shkruan edhe për karakterin artificial, për të cilin veç tjerash thekson: “çdo gjuhë letrare (standarde), pra edhe shqipja, ndryshon në një shkallë nga idioma organike; ajo ndërtohet, normohet, kultivohet, prandaj duhet të nxihet nga të gjithë; për shqipen letrare, këtu ka rëndësi të theksohet se nuk mund të identifikohet me toskërishten letrare me një sasi, qoftë edhe më të madhe, gegizmash, ide që do të ishte shprehje e një koncepcioni mekanicist; të gjithë bartësit e shqipes standarde duhet ta nxënë atë, pa marrë parasysh shkallën e përputhjes së saj me idiomën e tyre organike ajo është vërtet mbidialektore”. (R. Ismajli, 1988: 93-122).

Europa sot në një mënyrë përfaqëson një entitet transnacional dhe mbinacional, përcjellë nga shumësi të rëndësishme vlerash, të projektuara nga etërit e kësaj ideje, filozofët, shkrimtarët e intelektualët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, spanjollë etj. Ndërsa psikologu, semiotisti dhe indoeuropianisti rus V.V. Ivanov këtij parimi të njohur i jepte përmasa universale: “Çdo gjuhë është një gjedhe e universit, një sistem semiotik i të kuptuarit të botës, dhe nëse kemi 4000 mënyra të ndryshme për të përshkruar botën, kjo na bënë më të pasur. Duhet të përkujdesemi për ruajtjen e gjuhëve ashtu siç përkujdesemi për ekologjinë. (V. V. Ivanov (1992: 4; sipas Eco, 2008: 328).

A nuk është kjo vetëm një prej arsyeve pse institucionet tona shkencore dhe arsimore urgjentisht të fillojnë identifikimin, përshkrimin dhe përgatitjen e Korpusit të plotë të shqipes, ashtu sikur kanë bërë dhe tashmë përmbyllur popujt e gjuhëve të mëdha dhe madje fqinjët tanë të vegjël. A nuk është kjo arsyeja e domosdoshme pse gjuha standarde e komunikimit tonë me shkrim dhe me gojë në institucionet tona shtetërore, arsimore dhe publike duhet të mbrohet me ligj!

Zhvillimet e fundit në fushë të teknologjisë kanë bërë që të zhvillohen më shumë dhe më shpejtë disa fusha të gjuhësisë. Lëvizjet globale, emigrimi dhe turizmi, bashkëpunimi tregtar dhe kulturor ka bërë që në plan të parë të dalë zhvillimi i leksikografisë dy e më shumë gjuhësore dhe mësimdhënia e gjuhëve të mëdha, sikur është gjuha angleze, gjermane, italiane dhe franceze e spanjolle. Shqipja hyn ndër ato gjuhë që dekadat e fundit ka bërë shumë dhe ka pasur një komunikim e zhvillim të dendur në këto dy fusha, por krahas zhvillimit të teksteve e doracakëve për mësimdhënien e gjuhëve të huaja nga shqiptarët, dhe krahas zhvillimit të doracakëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë të shqipes me gjuhët e tjera dhe anasjelltas, koha është të zhvillojmë dhe standardizojmë përgatitjen dhe botimin e doracakëve për mësimin e shqipes standarde për brezin e ri të emigrantëve shqiptarë dhe përgatitjen e botimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme për administratën shtetërore të shteteve shqiptare dhe institucionet arsimore të shkollave shqipe. Shembulli më praktik i një përvoje të madhe europiane dhe më tej është seria “Anglishtja/gjermanishtja/italishtja/… e re pa mundim”, e cila tashmë ka filluar të botohet e përshtatet edhe në gjuhën shqipe. Në ndërkohë metoda  të kësaj natyre krejtësisht bashkëkohore dhe të drejtpërdrejta në internet, si dhe me ushtrimet vetjake, e kanë zënë vendin e tyre në hapësirën internetike, përkatësisht globale, për secilin qytetar të botës, pa pasur nevojë të shkojnë në shkollë fizikisht dhe pa pasur nevojë për mësues privatë.

Zhvillimet e reja në vend dhe në botë diktojnë jo vetëm ekonomizim fjalësh, por edhe ekonomizim tekstesh, e kjo do të thotë tekste të shkarkuara sa më shumë nga karakteri akademik i njohjes dhe i të nxënit të gjuhës, të përshtatura për brezin e ri. Me logjikën e fajit të përhershëm ndaj sistemit politik që mbizotëronte në periudhën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), me logjikën e fajësimit të shqipes standarde, si sistem i pamundshëm i të nxënit, ne mund të arrijmë vetëm tek koncepti i Çomskit për ndërtimin e “gjuhëve të panxëna”, gjuhë që nuk mund të kapen nga aftësia gjuhësore, sepse në çdo rast kjo e fundit do të bënte zgjidhje të gabuara (Shih, Çomski, 2007: 150). Më në fund “planifikimi gjuhësor, qoftë edhe në forma rudimentare, ka qenë pjesë e politikave globale të perandorive, të shteteve parakombëtare ose të bashkësive të caktuara gjuhësore” (Memushaj, 2012: 13), prandaj, ky proces pse duhej të ishte përjashtues edhe për popullin shqiptar, për gjuhën shqipe e për perspektivën bashkuese të tij. Brezi i ri duhet të mësojë gjuhën që i duhet dhe jo gjuhën që duhet ta dijë. Kjo do të thotë një drejtshkrim të ekonomizuar për nxënësit, studentët, qytetarët. Siç do të shprehej Martine, “Ligji, sa më pak mundim për një qëllim të caktuar vlen edhe për gjuhën” (Martine, 2020: 149). Drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe është botuar vetëm për lektorët dhe specialistët e gjuhës, por jo edhe variante të tjera për nxënësit, mësuesit, specialistët e dijeve jogjuhësore”. Shembulli i kolegëve të Universitetit të Korçës, udhëhequr nga Profesor Ali Jashari, është modeli më brilant i përshtatjes së tij për nevojat e studentëve që përgatiten për detyrën e mësimdhënies së shqipes standarde.   

Le t’i referohemi së fundi një përcaktimi të Profesor Shefki Sejdiut, mbi raportet e gjuhës shqipe me zhvillimet globale në fillimet e tij: “zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe teknikës e krijimi i marrëdhënieve të reja shoqërore në plan kombëtar e ndërkombëtar, bënë që jeta dhe sjelljet e njeriut të ndërrojnë kualitativisht. U krijuan një botë e hapur dhe shoqëri të hapura, ku komunikimi midis njerëzve, popujve dhe kulturave u bë i domosdoshëm, andaj edhe gjuha si mjet komunikimi par excellence do të duhej t’i përcillte këto zhvillime shoqërore dhe, konform dinamikës së tyre, të gjente forma shprehëse për ta pasqyruar në mënyrë sa më të përshtatshme e racionale këtë realitet. Kjo shprehje e këtij realiteti ka mundur të bëhet efikase vetëm përmes proceseve normëzuese e standardizuese të sistemeve, të nënsistemeve e të strukturave gjuhësore mbi baza të përvojës dhe kërkesave të njeriut. Këto baza, mbi të cilat njeriu e mbështet përvojën e vet janë natyra, kultura dhe civilizimi, entitete te të cilat vërehen raporte relacionale, që, shikuar nga aspekti kognitivo-kontekstual dhe semantiko-referencial, do të përkonin me natyroren, kulturoren dhe civilizuesen, kurse nga aspekti sistemor-komunikativ do të përkonin me gjuhën /në kuptimin sosyrian/, me gjuhën letrare dhe gjuhën standarde, sisteme që shprehin shkallë të ndryshme normativiteti. (Sejdiu, 2002: 107-108). Profesor Sejdiu, me këto parime në të vërtetë u përgjigjej koncepteve të psikologut zviceran Zhan Piazhe, për të cilin “gjuha është një institucion kolektiv” (Piazhe, 1979: 278).

Kryeredaktori i revistës franceze Esprit (Fryma), dhe personaliteti me ndikim në lëvizjen paneuropiane, Zhan Mari Domanek, në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit komunist, pati caktuar dhjetë parime me të cilat duhej ndikuar kultura franceze në kulturën europiane, prej të cilave pesë të parat i takonin gjuhës dhe mësimdhënies. A nuk janë konceptet e tij një model i mirë edhe për ndërtimin e koncepteve dhe parimeve se si të mbrojmë gjuhën shqipe brenda rrethanave të reja të krijuara në këtë periudhë pasglobaliste. (Domanek, 1990: 145-146). Unë po ndalem vetëm në dy nga projektet prioritare: Qendrën e Librit Shkollor dhe Qendrën Enciklopedike Shqiptare.

Bartës të këtyre dy projekteve do të mund të ishin Instituti i Librit Shkollor, një institucion i formatit të madh kombëtar, rëndësia e të cilit sot është më e madhe se rëndësia e secilit prej Universiteteve Publike që kemi hapur nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, prandaj cilido prej tyre po të shndërrohej në Institutin e Librit Shkollor do të kishte funksionin kombëtar më të rëndësishëm se Universiteti i qenë aty. Po kështu mund të thuhet edhe për Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, e cila për nga rëndësia mund të tejkalonte interesat dhe vlerat kombëtare të dy akademive dhe instituteve albanologjike që kemi në Tiranë e në Prishtinë, Shkodër, Shkup etj.  “Në kushtet e globalizimit që ka përfshirë tërë botën, nevojat e komunikimit mes mijëra gjuhëve nuk mund të përmbushen veçse duke krijuar secila syresh fjalë përgjegjëse të fjalëve që kanë gjuhët më të zhvilluara të botës për emërtimin e koncepteve shkencore dhe të sendeve e objekteve të reja që janë bërë pjesë e jetës së përditshme të çdo vendi të globit”. (Memushaj, 2018: 25).

Këtu, në Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, do ta kishte vendin edhe Thesari i trashëgimisë gjuhësore, materiale e shpirtërore të popullit shqiptar dhe Komisioni i Mbrojtjes së Shqipes Standarde me ligj. Në këtë qendër hapi i parë do të ishte përgatitja e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe. “Fjalori pasqyron dhe përfaqëson më mirë se çdo vepër tjetër shkallën e zhvillimit të një gjuhe. Ai është libri i parë për të njohur visarin e gjuhës dhe njëkohësisht mjeti më i nevojshëm për kulturën e të shprehurit. Në fjalor njeriu rrëmon tërë jetën. (Emil Lafe/Idriz Ajeti, 1997: ) 

Dhe, a nuk është kjo një prej arsyeve që ligji për gjuhën të miratohet e të funksionalizohet në të mirë të trashëgimisë së popullit shqiptar e në të mirë të vetë gjuhës, si thesar yni i vetëm.

Prishtinë, më 15.5.2020

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prof. dr. Begzad Baliu

BABA ALI TOMORI: FRYMA NAIMIANE E NJË BAKTASHIU

October 17, 2021 by s p

Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj – Baliu

Prof. dr. Begzad Baliu

Flamur! Ja ku bëhet beja! 

mblidhe, mblidhe popullsinë! 

përparo! zgjerò Shqipërinë! 

mer Kosov’ e Çamërinë! 

të ndih Zoti në beteja!

Baba Ali Tomori

Hyrje

Zbulimi i dorëshkrimeve të Baba Ali Tomorit (1893-1948), paraqet një ngjarje të rëndësishme në trashëgiminë tonë shkencore, kulturore, fetare, shpirtërore dhe intelektuale të dekadave të fundit. Ç’është e vërteta, zbulime të tilla më të mëdha apo më të vogla, ka pasur në dekadat postkomuniste të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë etj., por zbulimet e tilla zakonisht janë përcjellë me komente të karakterit politik dhe madje ideologjik. Praninë e veprës dhe mundësisht dorëshkrimeve të tij prej rreth një çerek shekulli e kishte vënë re njëri prej editorëve, hulumtuesve dhe studiuesve më të përkushtuar të burimeve të historisë së popullit shqiptar dhe kulturës së tij, Mehmet Gëzhilli, kërkimet shteruese të të cilit tashmë janë vlerësuar jo vetëm në Tiranë e Prishtinë e Shkup, por edhe në Harvard.

Duke parë dosjen letrare të Baba Ali Tomorit, zbulimi nënkuptonte tri rrafshe dhe nënrrafshe njohëse: 

Baba Ali Tomori ishte një nga postrilindasit, i cili me veprën e tij intelektuale dhe shpirtërore, vinte nga fryma naimiane e historisë dhe i jepte brezit të tij një kulturë të re europiane të formuar fillimisht në Zosimea, e të përfunduar në Europë, atje ku Naim Frashëri theksonte se lind dielli: “Dielli lind nga perëndon”.

Baba Ali Tomori ishte një nga intelektualët shumë aktivë në zhvillimet politike, kulturore dhe fetare të kohës, i cili edhe me ato pak tekste për gjuhën, letërsinë, kulturën, folklorin, trashëgiminë kulturore, materiale e shpirtërore, historike, fetare dhe çështjet e tjera me interes kombëtar, të botuara, përfaqësonte trashëgiminë kulturore të proviniencës kulturore dhe shpirtërore të kohës.

Baba Ali Tomori, ashtu si edhe postrilindasit e proviniencës fetare katolike dhe ortodokse, u vu në shërbim të atdheut kur Shqipëria ishte e rrezikuar nga fashizmi, nazizmi dhe madje nga ideologjia staliniste që po i vinte, duke u vënë në shërbim të lirisë së saj. 

Baba Ali Tomori dhe koha e tij

Ali Abaz Skëndi, i njohur më vonë si Baba Ali Tomori, vinte nga një familje e shkolluar dhe me formim kombëtar e fetar njëkohësisht. Angazhimi i të atit në jetën ekonomike, politike dhe kombëtare e fetare sigurisht ndikoi edhe në formimin e tij shkollor, intelektual, fetar e kombëtar. Shkollën fillore e mbaroi në Berat, për të vazhduar pastaj në Zosimea, atje ku kishin mbaruar studime shumë nga etërit e Rilindjes Kombëtare, për të vazhduar në Kazan të Greqisë, dhe në Francë.

Gjurmëve të babait, Aliu do të kthehet në Shqipëri në vitet e Pavarësisë, që të merrte në dorë Teqen e Prishtës, por krimet greke në këtë fshat më 1914, ku u dogj fshati dhe u vranë edhe gratë e fëmijët, bënë që ai të largohej në Egjipt dhe të vazhdonte krijimtarinë e tij filozofike dhe kombëtare në gjuhën shqipe. 

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe sidomos pas Kongresit të lavdishëm të Lushnjës (1920) Baba Ali Tomori kthehet në Shqipëri dhe i bashkohet djalërisë shqiptare me gjithë përkushtimin e tij: duke u vënë në krye të njërit prej institucioneve fetare të Jugut, asaj të Kalmakut; duke marrë pjesë në lëvizjen më progresive qytetare; duke shkruar artikuj jo vetëm me karakter fetar po edhe kulturor, filozofik e intelektual; dhe së fundi, duke marrë pjesë edhe në organizimin e institucioneve politike-ushtarake kundër pushtimit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke u vënë në krye të institucioneve fetare  ai përmbushte një prej ëndrrave të tij e të babait të tij, që t’i shërbente komunitetit bektashi në Jug të Shqipërisë, duke dërguar atje frymën vëllazërore të këtij besimi. Me ligjërimet e tij në institucionet fetare, me tekstet e tij të botuara në shtypin e kohës, me diskutimet e tij në rrethet kulturore dhe shkencore ai krijonte një paralele gjithkombëtare të këtij shërbimi për fe e atdhe, madje do të thoshim ai krijoi një përmbysje për atdhe e fe, që në përmasa gjithëpërfshirëse ishte organizuar në Veri të Shqipërisë nga komuniteti katolik.

Baba Ali Tomori ishte  intelektual i njohur i brezit të tij, i formuar në shkollat më të mira të kohës, në Shqipëri, në Greqi, në Egjipt dhe në Francë. Ai njihte thellësisht dhe diskutonte gjerësisht për letërsinë greke e romake duke i krahasuar ato edhe me traditën lindore e perëndimore. Ai njihte mirë dhe e vlerësonte e analizonte poezinë perse, prej të cilës ishte frymëzuar aq shumë bardi i tij Naim Frashëri; ai njihte dhe diskutonte me kompetencë letërsinë greke dhe në mënyrë të veçantë veprën e Homerit, një këngë të së cilës e kishte përkthyer edhe idhulli i tij Naim Frashëri; ai kishte studiuar me përkushtim dhe njihte filozofinë iluministe e letërsinë franceze, veprat themelore të së cilës vazhdonte t’i shihte si referencë për zhvillimin e krijimet me karakter kombëtar; ai kishte studiuar, e njihte me kompetencë dhe vazhdonte ta studionte kulturën e dijen bashkëkohore franceze duke e funksionalizuar atë edhe në tekstet e tij mbi probleme të gjuhës, kulturës, besimit dhe komunikimit; ai njihte dhe adhuronte veprën e Shekspirit dhe letërsinë angleze e europiane përgjithësisht.

Baba Ali Tomori ishte intelektual i veçuar i brezit të tij, që me punën baritore vazhdonte traditën e frymës jetësore, krijuese dhe kombëtare të Naim Frashërit në institucionin fetar ku shërbente. Me ligjërimet e tij sa të karakterit fetar ashtu edhe të karakterit kombëtar, me ligjërimet e tij pranë varrit të Avni Rrustemit dhe të Naim Frashërit, me angazhimet e tij prej babai sa me karakter shoqëror aq edhe me karakter politik në vitet e vështira të atdheut gjatë Luftës së Dytë Botërore, me revistën “Djersa” të cilën e drejtonte, ai e kreu misionin e atdhetarit të frymëzuar nga tradita e trashëguar e Rilindjes Kombëtare dhe e lëruar nga brezi i tij i viteve ’20-’30.   

Baba Ali Tomori gjatë viteve ’20-’30 me jetën e përditshme baritore dhe me krijimtarinë letrare, të cilën e shkruante kohë pas kohe, me tekstet për çështje të gjuhës, kulturës, letërsisë, folklorit dhe shoqërisë shqiptare, me të cilat merrte pjesë në diskutimet mbi filozofinë kombëtare që duhet ta ndiqte populli shqiptar për kombndërtimin dhe shtetndërtimin e tij, bashkohet me personalitetet më të shquara të brezit të tij, si: me At Anton Harapin për diskutimet e tij mbi çështjet filozofike e etike; me Ndre Mjedën për çështje të njohjes së teorive mbi gjuhësinë bashkëkohore europiane; me Tajar Zavalanin, Vangjel Koçën, Brano Merxhanin e Ismet Toton për dikutimet e tij mbi çështjet filozofike, etike e sociologjike të mendësisë shqiptare etj., me Migjenin, Petro Markon e Nonda Bulkën mbi konceptet ideologjike të së majtës, gjë që do ta dëshmojë me angazhimin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare 1939-1945 dhe doemos konceptet e Eqrem Çabejt mbi konceptet Lindje – Perëndim të kulturës shqiptare.

Vepra intelektuale, kulturore, shpirtërore dhe postrilindase e tij

E parë në tërësinë e saj, korpusi i trashëgimisë letrare të Baba Ali Tomorit përbëhet nga nëntë vepra: të botuara nga autori, të përgatitura nga dorëshkrime, apo të sistemuara nga editori dhe zbuluesi i dorëshkrimeve z. Mehmet Gëzhilli. Sigurisht as kjo nuk është gjendja përfundimtare. E pazbuluar mbetet Dosja e dënimit të tij, në vitin 1948, “si bashkëpunëtor i anglezëve”, brenda së cilës përveç vendimit për pushkatim pritet të gjenden edhe dorëshkrime të tjera me karakter kulturor, socio-politik e letrar, mbështetur në porosinë e tij të fundit: “M’i ruani dorëshkrimet”.

Vëllimi i parë i veprave të plotë të tij tani përfshin: 1. Poezi; 2. Nefeze dhe gazele; 3. Poezi (përkthime); dhe 4. Këngë popullore. Vëllimi i dytë përbëhet nga katër vepra: 1. Për gjuhën, për folklorin, për letërsinë, kujtime, publicistikë dhe tregime; 2: Naim Frashëri; 3: Xhevre ose mendime, dhe Aforizma bektashinjsh të vjetër. Vëllimi i tretë përbëhet nga dy vepra: 1. Për bektashizmin dhe 2: Historia e Bektashizmit shqiptar. 

Për natyrën shkencore të dijes dhe dhuntinë krijuese të tij në studimin tonë kanë peshën e tyre të gjitha veprat e tij letrare, kulturore, historike, shkencore dhe shpirtërore. Për gjuhën shqipe dhe leksikun e saj ato përfaqësojnë një korpus të bashkuar të intelektualit, i cili gjuhën shqipe e përdorte dhe e njihte në kontekstin kombëtar, në kontekstin e formimit shkencor në institucionet më të larta shkencore të kohës dhe në kontekstin e përdorimit të saj gjatë në një periudhë përpjekjesh të veçanta të djalërisë shqiptare për shtetin, kombin, gjuhën dhe identitetin europian të tyre.

Vjershëtori

Vepra e parë hapet me një fjalë hyrëse të Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe editorit të këtij botimi Z. Mehmet Gëzhilli. Në të parën sillet një kujtim e vlerësim brezash, përfshirë këtu edhe Baba Ali Tomorin, ndërsa në të dytin një sintezë e shkurtër e personalitetit të tij të madh, e dijes dhe koncepteve intelektuale e diturore të tij. Vëllimi i parë hapet me krijimtarinë poetike të tij, poezitë për flamurin, gjuhën shqipe, atdheun, besimin, misionin e bardit shpirtëror e fetar, Shqipërinë, ngjarjet historike, dëshmorët etj.; si: Flamurit të Shqipërisë, Hymni i Flamurit, Kombësija, Feja,  Shpresa rron!, Gjuha jonë, Përfundimi i robërisë, Zot i vërtetë, Jeta ime, Dituria e duhure, Qerbelaja, Qëndrimi ynë, Jam fajtor, Himne kombëtare në vend të huaj, Kthyerja në Atdhe, Presidentit të Shqipërisë, Shpirti i vjershëtorit tonë, Jo për fe po për Atdhe, Dasma e kombit, Bilbili, Për dëshmorë të lirisë Kristaqi e Margarita Tutulani, Konferencës së Pezës etj. 

Në kontekstin historik e shoqëror krijimtaria letrare e tij ashtu sikur edhe mendimi intelektual e diturak i tij na e sjellin mesazhin e kohës, të asaj djalërie shqiptare, që me përkushtim punonte për shtetin e ri shqiptar, për identitetin europian të kombit dhe për gjuhën e pasur e të pastër të tij, prandaj nuk është e rastit që edhe përmbledhja e poezive të tij quhej “Vjersha për djalërin e urtë”. Prej motiveve që sjellin, në plan të parë krijimtaria e tij letrare mund të quhet poezi postrilindase, poezi e ndikuar ndjeshëm nga poezia e Naim Frashërit. Në poezinë e Baba Ali Tomorit krijimtaria letrare e Naim Frashërit ka ndikuar jo vetëm me motivet atdhetare, dhe madje jo vetëm me sfondin filozofik të tyre, po edhe me organizimin e strukturës së vargut, rimariumit të tyre dhe madje përzgjedhjes leksikore të saj. 

Se pushtet ke ti o flàmur! 

shënj’ e shënjtë je o flàmur!

(…)

Zoti madh në këtë baltë

më ka bërë Shqipëtar, 

gjuhën shqip t’ëmbël si mjaltë 

mà ka fal për kombëtar. 

(…)

Kombëtar të jem gjithmônë 

kur se feja s’më ndalon, 

“shqiptarizmën” pasha-Zônë 

zemra e shpirti m’i pohon.

E shkruar në një gjendje të re shoqërore dhe kulturore dhe e ndikuar edhe prej krijimtarisë letrare të brezit të ri, krijimtaria poetike e Baba Ali Tomorit, sigurisht është pasuruar edhe me struktura të reja rrokjesore, të vargut, të rimës dhe të leksikut.

Shum’ i shënjt’ është ky flàmur,

shum’ i shtrënjt’ është ky flamur.

Apo, poezia që të kujton një nga mesazhet e Naim Frashërit për hapësirën shqiptare te “Bagëti e Bujqësia”, një porosi kjo e cila përcjell edhe te disa krijues patriotë të brezit të tij, Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni, Hilë Mosi, Mihal Grameno, etj.:

Flamur! Ja ku bëhet beja! 

mblidhe, mblidhe popullsinë! 

përparo! zgjerò Shqipërinë! 

mer Kosov’ e Çamërinë! 

të ndih Zoti në beteja! 

Apo, krijimi model i ndërndikimt të krijimtarisë së brezit të tij, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Fan Noli, Lasgush Poradeci etj.:

Ajo mëndje gjuhë-ëmbël tha: 

Kjo jetë është e vëngër 

ha e pi sa të jesh gjallë, 

kur të shkosh të mos i kesh mallë;

Nga majë e Sharrit, majë Tomorrit, 

N’atdhen’ e bukur të arbnorit, 

Dhe nga Preveza deri në Shkodër 

Fushë më fushë e kodër më kodër.

Një nga poezitë e fundit të tij është ajo për dëshmorët e lirisë Kristaq e Margarita Tutulani, të rënë në Luftën Nacionalçlirimtare. I motivuar prej aktit të flijimit të vëllait dhe motrës dhe simbolikës së tyre që rrezatoi atdhetarisht në rininë shqiptare të kohës,  ai paraqiti këtu edhe pikëpamjet e tij për një kohë të re dhe për një angazhim të veçantë për Shqipërinë e lirinë e saj, ashtu sikur i kishte shfaqur dikur në krijimet letrare dhe oratorinë e fillimeve të tij krijuese dhe intelektuale për Avni Rrustemin dhe atdhetarët e tjerë të kohës së tij.

Mbledhësi dhe studiuesi i këngëve historike

Në vëllimin e parë të veprave të plota të Baba Ali Tomorit një vend të rëndësishëm zënë edhe dorëshkrimet, në të vërtetë tekstet nga fusha e folklorit. Në punën e tij përkushtuese ndaj kulturës së popullit të tij Baba Ali Tomori, një pjesë të krijimtarisë së tij ia ka kushtuar edhe identifikimit dhe mbledhjes e botimit të folklorit, të cilën e kishte ideuar duke e vendosur edhe parathënien e tij. Për këtë ai kishte edhe vlerësimin e tij: “Një folklor përbëhet prej këngësh, proverbesh dhe legjendesh, ku pasqyrohet shpirti i Kombit që e zotnon; pjesa e këngëve popullore të Kombit tonë kësi mënyre, çfaq me madhështi si një pasqyrë tejndritëse (transparente) trimërinë, besa-besën, dhëmbshurinë dhe virtyte të tjerë, që përbëjnë karakterin arbnuer”.

Prej koncepteve teoriko-letrare që kishte për folklorin dhe trashëgiminë kulturore, materiale shpirtërore; prej përkushtimit në mbledhjen e kësaj trashëgimie; dhe prej mënyrës se si e kishte përgatitur dorëshkrimin e saj, mund të themi se Baba Ali Tomori me komentet e tij, me kërkimet mbi bazën historiko-dokumentare të këngëve, me gjurmimin në etnogjenezën e tyre, me ligjërimin mbi karakterin etnik të paradigmës së tyre etj., e bëri kalimin nga mbledhës dhe botues i letërsisë popullore në botim të specializuar të saj.

Le të theksojmë këtu disa nga këngët e këtij vëllimi që më parë se sa një botim rasti përfaqësojnë një studim rasti a një histori me rëndësi për vetë trashëgiminë e popullit shqiptar. Nëse disa prej këngëve ishin edhe më parë të njohura apo të botuara edhe në vëllimet e mëvonshme të kulturës shqiptare, si Kënga e Çerçis Topullit, Spiro Bellkameni, Smail Qemali n’Evropë etj., për veprën e tij dhe për vlerësimin tonë ato kanë rëndësi për komentet me të cilat janë shoqëruar në botimet apo dorëshkrimet e tij. 

O Çerçis ç’e bëre mirë 

që lëftove Osmanllinë; 

mblodhe djemt’ e Shqipërisë 

– i dhe shkelmin rrobërisë.

Një pjesë tjetër e këngëve posaçërisht të njohura nga historia e tij, sikur është kënga Prishja e vitit 1914, në botimin e tij zë vend të rëndësishëm për faktin se historinë e këtij krimi të bandave greke e kishte përjetuar në lëkurën e tij, prandaj e njihte dhe e komentonte secilin varg të regjistruar sigurisht më vonë, pas kthimit nga Egjipti. 

Fshatratë qajnë me lot, 

me dyfek s’ia dalin dot, 

ne me pushk’ ay me top, 

ne më pak, ay më plot. 

(…)

Sot armiku ësht’ i shumë, 

ne përrua, ay lumë, 

ne në shtigjet e kufisë 

ay në prag të shtëpisë. 

sadoqë fëmija dhëmben 

Skraparasit nuk trëmben: 

me dyfek, pa xhephane 

turren grekut si rrufé.

Në ndonjë tjetër, si ajo për Kongresi i Bektashijve më 1921 në Prishtë, do të shquhet ashtu besueshëm edhe për mesazhin që jep, me faktin se ai ishte njëri prej organizatorëve, prandaj nuk është e rastit që ai të mund të jetë edhe autori i këngës. 

Në këtë rrjedhë, ku më pak e ku më shumë të komentuara dhe ku më pak e ku më shumë të plota e me rëndësi historike, letrare e kulturore për trashëgiminë tonë kanë edhe këngët: Kënga e Tiranës, Kënga e shkrimit shqip:

   Qëkur dolli Abeceja 

   dolli në shesh mëmëdheja. 

(…)
  Shpirtmëdhenj ata q’e nxuarë 

mëndje-lart’ ata q’e shkruanë, 

në Stamboll kuvënd’ e bënë 

shkruan libra gjuhës tënë 

Vaso Pasha, Sami Beu, 

Vretoja dhe Naim Beu

Të tilla, me shënime kryesisht në fusnotë, për përhapjen e tyre gjeografike, si dhe me shënime kryesisht të karakterit leksikografik e dialektor, janë edhe këngët ku më të reja e ku më të vjetra: Kënga më e vjetër e Rilindjes t’onë Kombëtare, Kënga e pleqve, Kongresi i Lushnjes, Kongresi Kishëtar i Orthodhoksis në Berat më 1921, Kënga e Baba Tomorit, Smail Lezo Progonati, Lufta e Salih Butkës, Fejzo Arëza, Kënga e Tafil Buzit, Baba Meleq Shëmbërdhenji etj.

Të kësaj natyre, por të vendosura në një shtrat të gjerë kërkimi, vlerësimi e studimi janë edhe dy tekste të tij me shumë interes jo vetëm për përmbajtjen po edhe për natyrën e kërkimit shkencor: Këngët e popullit dhe Një këngë, një histori, të përfshirë në vëllimin e dytë të veprës së plotë të tij. Teksti i parë paraqet një kërkim sistematik me karakter monografik, krahasues dhe identifikues të ngjarjeve historike; ngjarjet më me ndikim në jetën kombëtare (Periudha e Skënderbeut, Periudha e Ali Pashë Tepelenës); temave më me ndikim në historinë e përbotshme (Periudha homerike) etj. Po kështu mund të thuhet edhe për tekstin emblematik Një këngë, një histori,  një model ky kërkimi, i cili fillon me kujtesën popullore për Ali Pashë Tepelenën  dhe vazhdon më tej, me mundësi persiatjeje e kërkimi ndër errësira të kujtesës kombëtare.       

Formimi europian i dijes linguistike të tij

Vëllimi i dytë i veprave të tij sigurisht paraqet pamjen më të plotë të vlerave krijuese dhe intelektuale të Baba Ali Tomorit. Nëse në vëllimin e parë janë përmbledhur tekstet e tij letrare (poetike dhe popullore, si dhe tekstet e shkruara në frymën e letërsisë së bejtexhinjve, qofshin ato të shkruara qofshin të përkthyera), në vëllimin e dytë është përfshirë gjithë përmasa intelektuale dhe shkencore e  kulturës së tij. Nëse me krijimtarinë letrare, si dhe përkthimet e vëllimit të parë, ai dëshmonte natyrën krijuese të tij, dhuntinë letrare të tij, si dhe njohjen e kulturës popullore, historisë kombëtare dhe letërsisë botërore të Lindjes (kryesisht perse), në vëllimin e dytë janë përfshirë tekste, diskutime, vlerësime, kumtime dhe madje studime të shkollës europiane të dijes së tij. 

Studimet hyrëse të këtij vëllimi të shkruara madje gjatë gjithë gjysmëshekullit të Pavarësisë (1912-1945), përfaqësojnë vlera të dorës së parë edhe për kohën tonë. Ato janë shkruar me përkushtimin e atdhetarit, sikur shkruanin pothuajse pjesa më e madhe e djalërisë shqiptare, por janë shkruar njëkohësisht me kërkesa të larta dijeje të shkollës europiane, të cilën nuk e kishin zënë pjesa më e madhe e bashkëkohësve të tij. Mjafton të lexohen artikujt mbi gjuhën shqipe Mbi gjuhën shqipe Gjuha shqipe, Reth Fjalorit Shqip, Ta njohim mirë gjuhën tonë!, Pak fjalë mbi gjuhën dhe të kuptojmë përmasën intelektuale, shkencore dhe kulturore të tij. 

Prej diskutimeve të tij mbi çështje të caktuara të leksikut dhe pasurinë e saj popullore, mbi trashëgiminë tonë gjuhësore dhe mbi përdorimin e saktë të saj në letërsinë artistike, mbi shtrirjen dialektore të fjalëve dhe mbi rrafshet semantike të përdorimit të tyre; mbi nevojën e përgatitjes së një fjalori të madh kombëtar dhe detyrat e tjera të institucioneve kombëtare në këtë fushë, mbi përparësinë e botimit të një fjalori kombëtar dhe ndikimin që do të kishte fjalësi i tij në ngritjen estetike të shkrimit të veprave letrare etj. 

Pasi kujton një deklaratë shpesh të përsëritur të gjuhëtarëve, letrarëve dhe intelektualëve përgjithësisht, se: “Shqipja nuk është edhe gjuhë shum’ e pasur”, vazhdon me një kundërtezë: “…nga ata që do të na dalin përpara në këtë arsye nuk është çudi se disa nëpër ’ta, mos shtojnë arsye tjetër: “Shqipja e pazhvilluar si gjuhë letrare përmes kush-e-di sa mijëra vjet, duke u lëmuar me shkrim në epokën e sotshme, ka hyrë jo-keq në fushën e zhvillimit”. Pra, sikur mund të shihet prej diskutimit të tezave të pro dhe kundër atyre që shqipen e shohin si një gjuhë të varfër dhe atyre që te gjuha shqipe shohin një pasuri të madhe kombëtare, Baba Ali Tomori, jep një mbështetje shumë të rëndësishme, madje edhe për kushtet dhe rrethanat tona të sotme. Ai i mëshonte idesë se gjuha shqipe është “latuar disa mija vjet”, pra ishte e pranishme, kishte përdorim të gjerë popullor, identifikonte mjetet e përdorimit të përditshëm, shërbente për lutje dhe përmes saj janë krijuar e ruajtur mendime të mëdha filozofike nga kohërat më të largëta deri në ditët tona.

Në këtë rrjedhë është me shumë interes të lexojmë diskutimet mbi reflektimin dialektor, semantik dhe përmbajtjesor e krahasues të fjalëve kombëtare “lëneshë”, “plakonjë”, “këndqetëz”, dhe “pjeshënim”; në vend të fjalëve të huaja “virigjinë”, “kallogre”, “manastir”, dhe “kësmet” ose “nasip” ose “destination” etj. Në këtë diskutim, si edhe në tekstet e tjera të kësaj natyre, autori reflekton me gjithë njohuritë e tij historike mbi trashëgiminë tonë gjuhësore, si dhe me gjithë diturinë e tij shkencore të nxënë në institucionet vendore e sidomos europiane. Në gjuhësinë shqiptare, tekstet e Baba Ali Tomorit sjellin një pamje të re edhe në këndshikimet shkencore të dijes shqiptare të kohës. Njohja e teorive shkencore të kohës, duke përfshirë këtu me gjasë edhe shkollën sosyriane të sapodalë në rrethet linguistike të Francës, Zvicrës etj., na bënë të kuptojmë se studimi i fjalës mbi rrafshet semantike të folësve, nuk ishte i rastit.

Megjithëse vinte nga një trashëgimi letrare dhe diturake e jashtëzakonshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe sidomos e asaj trashëgimie letrare e diturake e Naim Frashërit, e asaj diturie didaktike dhe filozofike e oratorike e Jani Vretos, e asaj dijeje enciklopedike të Sami Frashërit, e asaj dijeje historike, ushtarake e diplomatike e Pashko Vasës dhe sidomos e asaj dijeje të trashëgimisë popullore të Thimi Mitkos, Baba Ali Tomori e vlerësonte lartë, shumë lartë, trashëgiminë linguistike të Konstandin Kristoforidhit, prandaj e konsideronte shumë të rëndësishme që fjalori i tij të ishte botuar që më parë, madje për natyrën shkencore të tij, para veprave letrare të bashkëkohësve të tij.

Prej artikujve të Baba Ali Tomorit për gjuhën, për trashëgiminë historike të saj, për pasurinë leksikore e semantike të saj, sot mund të krijohet një ide e plotë e përpjekjeve atdhetare, kulturore dhe diturake të tij, për rëndësinë e forcimit të shtyllës së parë të kombit pas ndarjes nga Turqia: gjuhës, identitetit dhe shtetit. Në këtë numër të vogël artikujsh, po me shumë interes për risitë që sjell, kryet e vendit e zë lista e propozimeve të tij të emrave kombëtarë, me titull Fushata për emrat kombëtar,  tek gazeta ”Drita”, 4 prill 1937, f. 4. Intelektual me kulturë të gjerë kombëtare, me formim kulturor e shkencor për Ilirinë (që në të vërtetë ishte formim i dijes europiane) me formimin rinor për kulturën e antikitetit grek e romak, apo pellazgjik, sikur thuhej në periudhën e Rilindjes Kombëtare, me njohjen e kulturës dhe letërsisë europiane në përgjithësi dhe letërsinë frënge në veçanti, me njohjen  e trashëgimisë mesjetare shqiptare që ishte formim i tij i vonë por mjaft bashkëkohor, pra me njohjen e kulturës sa të Lindjes aq edhe të Perëndimit, Baba Ali Tomori, në korpusin e propozimeve të tij ka sjellë pasqyrën emërtuese më të rëndësishëm të kohës për brezin e ri të shqiptarëve, i cili bënte përpjekje që antroponiminë dhe toponiminë kombëtare ta vendoste si një shtyllë bashkimi e formimi etnik. 

Përcaktimin e tij shkencor ndaj trashëgimisë ilire, që përfaqëson edhe një shkallë intelektuale të ngritjes së tij kulturore, ai e ka theksuar, te manifesti i tij Gjuha shqipe: “Në kohën e robërisë së urrejtur, kur çdo njeri ndiqej pa mëshirë vetëm po të zinte në gojë fjalën Shqipëri, disa idealistë të çlirimit të popullit shqiptar nga zgjedha shekullore, këndonin larg vendit të tyre melodit e gjuhës së Ilirëve” (V. II: 14)

Le të sjellim vetëm disa shembuj, të cilët jo vetëm atëherë po edhe në vitet ’60-’90 u bënë emra emblematikë, sidomos në Kosovë e ish-Jugollavi: 

emra të periudhës antike: Akil, Ulis, Piro, Omir, Perdik, Lekë, Klito, Amind, Granik, Arjan, Mollos, Atintan, Dasharet, Dardan, Libur, File, Taulan, Dalmat etj. 

Emra të periudhës mesjetare: Muzak, Aranit, Perlat, Mois, Uran (ose Vrano), Arbanas, Golem, Tanush etj. 

Emra nga formimi i leksikut vetanak: Parmend, Shpat, Gurro, Petrit, Jetosh, Shqipo, Dijar, Mëndshor, Mundëtar, Agim, Kujtim, Shkëlqim, Dritush, Djellush, Lufto, Fortash, Bredhosh, Lisak, Ditan, Tufar, Pjellak, Njoftar, Urash, Malo, Fushan, Gazmen, Dhurash, Vërtik, Emblem, Ushëtim, Dritho, Gjakmer, Mjaltor, Kreshnik,  Dorplot, Hekur etj.

Po të bëhet një tipologji e prejardhjes së emrave sipas periudhave historike (antike, mesjetare, kohës së re etj.,); sipas hapësirave etnografike (mesdhetare, kontinentale, krahinore etj.,), dhe sidomos sipas strukturës gramatikore dhe leksikore të formimit vetjak të shqipes, nuk është vështirë të kuptohet përmasa intelektuale dhe linguistike e dijes së tij.

Kërkimet historiko-letrare

Po kështu mund të thuhet edhe për tekstet në fushë të letërsisë. Në qoftë se në librin e parë kishim artikuj kryesisht të karakterit popullarizues dhe të fazës së parë të shkrimeve të tij, në librin e dytë janë botuar tri studime me karakter eseistik dhe monografik, të cilat paraqesin njëkohësisht edhe përmasën intelektuale, kulturore, letrare, sociologjike dhe madje filozofike të tij në letrat shqipe të viteve ’30. Në këtë vëllim dalin në pah dy njësi: Duke kënduar një librë dhe Mbi dorëshkrimin shqip-bektashian të Abdyl Saidit. Studimi i parë është një diskutim brilant për intelektualin Ismet Toto, që ishte bërë shembull i madh për djalërinë shqiptare dhe librin e tij Mystika e re, e cila u bë objekt diskutimi dhe vlerësimi e polemike në shtypin e kohës. Studimi tjetër Mbi dorëshkrimin shqip-bektashian të Abdyl Saidit, është një kërkim me interes jo vetëm për lexuesin e një gazete, po një hulumtim me i thellë dhe shumëdimensional për historinë e letërsisë shqipe edhe për kohën tonë. Pa dashur të merrem gjerësisht me të dhënat që sjell autori për dorëshkrimin e Abdyl Saidit në studimin e tij, sot mund të themi kërkimi i këtij niveli këmbëngulës i mungon dijes historiko-letrare shqipe.

  Një hapësirë të gjerë të vëllimit të dytë të Baba Ali Tomorit përfshin publicistika e tij, e cila më shumë se prej tekstesh bashkëkohore përbëhet prej tekstesh me karakter historik. Në të vërtetë për aq sa publicistika e tij është memoaristike ajo është njëkohësisht edhe e letrarizuar dhe për aq sa është publicistikë bashkëkohore ajo është e pasuruar me përbërës dokumantarizues e historik. Në këtë vëllim publicistikën e tij në të gjitha rrafshet e bashkon dhe i integron kultura dhe diskutimi intelektual i saj.

Le të theksojmë këtu artikujt Diogjeni Haritos nd’ Athinë, Kur erdhë grekërit në Prishtë, Fjala e At Ali Tomorrit, Një vizitë përmbi Fronin e Nalt’ të Shqiptariës, Për monumentin e Themistokli Gërmënjit, Fati i kombeve, Kujtime t’ ëmbla e të hidhura pas tridhjet e një vjet!!, Kur do të flasin psikologët, Shtegëtime të rrezikshme, Mbi edukatën shoqnore bektashiane, Kujtime të kohës 1914–1932, Një bisedim mi ngjarjet e Shqipërisë nër vitet 1821-1852, Kujtime nga vitet 1914-1916,  Letër Mit’hat Bej Frashërit etj., në të cilat shfaqet një anë tjetër e komunikimit të Baba Ali Tomorit me bashkëkohësit dhe historinë.

Vepra për apostullin e shqiptarizmës

Në vëllim e dytë botohet edhe kryevepra e tij e karakterit letrar dhe filozofik për Naim Frashërin, e cila ndonëse nuk e ka strukturën e një monografie mund të quhet një vepër e kësaj natyre. Vepra për Naim Frashërin hapet me një poezi kushtuar Naim Frashërit, vazhdon me studimin sigurisht më të mirë të kësaj natyre deri më tash Spiritualizma shqiptare, një ese kjo brilante për Naim Frashërin; trajtesën Naim Frashëri dhe bektashizmi, brenda të cilës si rrallë kund trajtohen raportet e tij me filozofinë panteiste bektashiane; si dhe përmbyllet me fjalimin e tij pasionant e nderues për misionarin e kombit, babain e gjuhës moderne, me titull Apostulli i shqiptarizmës, lëronjësi i gjuhës amtare, predikonjësi i vëllazërimit Naim Frashëri, 

Në pjesën e dytë të kësaj vepre naimiane  Baba Ali Tomori ka botuar gjashtë studime të përqendruara në gjashtë poezi të zgjedhura, në të vërtetë në gjashtë poezi, të cilat atë kohë dhe më vonë, deri në ditët tonë do të përfshihen pothuajse në të gjitha antologjitë më të mira të letërsisë shqipe. Zor të gjenden studime më shumë për poezinë e Naim Frashërit sa për poemthin “Bukuria”. Poezitë e zgjedhura për studim në veprën e Baba Ali Tomorit përfaqësojnë shembuj tipik për kërkimet naimiane atëherë dhe përfaqëson shembuj të tillë edhe për kërkimet e sotme. 

Në këtë vëllim sikur mund të shihet, janë përmbledhur studimet: Naim Frashëri duke kënduar “Jetë”-n te “Lulet e verësë”; Naim Frashëri në këngën “Dita e re” te “Lulet e verës”, si shprehet te kënga “Besojmë” në librin “Lulet e verësë”; Naim Frashëri në “Lulet e verësë” si e këndon “Bukurinë”; Naim Frashëri në “Lulet e verësë” qysh ligjëron te kënga “Zëmëra”; Naim Frashëri si e hymnon “Ujët e bekuar” në “Lulet e verësë”, kënga “Fyelli”; Naim Frashëri dhe kënga e shënjtë “Perëndija” në “Lulet e verësë. 

Le të kujtojmë këtu se portreti i parë i Naim Frashërit dhe poezia e parë e botuar në Kosovë (1949) është “Bukuria”, ndërsa studimi i parë i thelluar mbi filozofinë letrare dhe raportet e tij me bektashizmin është bërë nga Profesor Rexhep Qosja në vitin 1961. Nuk e dinte autori i këtij studim (Profesor Qosja) atëherë dhe nuk do ta dijë më vonë kur e botoi monografinë më të mirë të Naim Frashërit (1986) deri më sot, se poezitë “Zëmëra”, “Jeta” dhe “Bukuria” ishin zgjedhur poezi përfaqësuese për studim në veprën e tij për Naim Frashërin, kur i zgjodhi t’i përfshinte në rrethin e nëntë poezive më të bukura për Antologjinë e lirikës shqipe (1970) dhe nuk e dimë nëse Baba Ali Tomori, i ka studiuar dhe i ka përgatitur për botim edhe poezitë e tjera të kësaj natyre.

Prej kohës dhe revistës ku janë botuar nuk është vështirë të vihet re edhe një veçori e tyre: të gjitha të botuara në revistën autoritative “Tomori i vogël” dhe të gjitha gjatë vitit 1942. Nuk e dimë nëse artikuj të tjerë të kësaj natyre do të ketë shkruar edhe për poezi të tjera dhe nuk e dimë nëse kishte planifikuar të shkruante artikuj të kësaj natyre dhe për poezi të tjera të veprës  më të mirë të Naum Frashërit “Lulet e verës” apo për vepra të tjera me karakter filozofik, sikur janë Fletore e Bektashinjvet  dhe sidomos poemën e madhe “Qerbelaja”. 

Edhe sot, pas shumë studimeve, Naim Frashëri dhe vepra e tij hyjnë në rrethin e shkrimtarëve me bibliografinë më të pasur studimore, është vështirë të gjendet një autoritet shkencor, që e ka sjellë në veprën e tij zanafillën krijuese të poezive dhe veprave të Naim Frashërit, në ato përmasa që e ka bërë Baba Ali Tomori.  

Misionari   

Në vëllimin e tretë janë botuar dy veprat e tij: Vepra Për bektashizmin dhe vepra  Historija e Bektashinjvet.  Në të parën ashtu si edhe në të dytën, Baba Ali Tomori ka sjellë një pasuri të madhe intelektuale dhe kulturore të tij për trashëgiminë botërore të bektashizmit si lëvizje historike, kulturore, materiale e shpirtërore në Shqipëri dhe në botë. 

Vepra e parë Për bektashizmin përfshin kryesisht artikuj të botuar për zhvillimet historike, kulturore dhe fetare të bektashizmit në Shqipëri, në Ballkan dhe madje Europë e Azi; për organizimin e tij institucional, sikur është artikulli Kongresi i Përgjithshëm Bektashian në Teqe të Prishtës;  për personalitetet e saj më me ndikim në jetën shpirtërore të vendit; për orientimet konceptuale të disa prej personaliteteve dhe institucioneve bektashiane; për reformat fetare e institucionale brenda kësaj lëvizjeje; për dokumentet dhe veprat më me ndikim në jetën shpirtërore të besimtarëve të saj etj. Mjafton të theksojmë këtu artikujt e shkruar me kompetencë profesionale dhe përkushtim prej bardi të këtij besimi për shërbimin e madh të bektashinjve shqiptarë në Turqi, kontribut të cilin vetëm tash së fundi e kanë vënë re madje më shumë studiuesit e huaj se ata shqiptarë; artikullin mbi vendin e myslimanizmit në Orient, një artikull krahasues mbi bektashizmin në shoqërinë turke dhe atë shqiptare, tekstin për rolin e besimeve në botën anadollake, dhe atë ballkanike; për rëndësinë institucionale, shpirtërore dhe kombëtare të riorganizimit të bektashinjve të Shqipërisë; për rolet e besimeve në jetën ballkanike; për përhapjen e bektashizmit në Europë dhe Afrikë; për institucionin fetar të kishës, xhamisë dhe teqesë në jetën shqiptare; për rëndësinë e reformave fetare, me theks të veçantë riorganizimin e bektashizmës shqiptare dhe pavarësisë së saj; për misionarët e bektashizmës shqiptare: Gjyshin Ahmet Baba Turanin, Mymin Dedejen e Qerbelasë, Shemim Babanë e Krujës, një misionar i madh ky në përhapjen e bektashizmit në Shqipëri, si dhe rolin patriotik të klerit në Shqipëri etj.

Pjesa e dytë e vëllimit të tretë të veprave të Baba Ali Tomorit paraqet edhe një vepër të përmasave pak të njohura dhe pothuajse të papërsëritshme edhe në kushtet dhe rrethanat e reja të kohës sonë. Bektashizimi, si lëvizje e madhe kulturore dhe shpirtërore ka pasur historinë e tij dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri po edhe në Europë dhe më gjerë. Vepra Historija e Bektashinjvet është pothuajse e vetmja vepër e tij e përmbyllur në përmasa të një monografie. Ajo hapet me disa studime thelbësore të cilat paraqesin karakterin kombëtar të bektashizmit si doktrinë, institucionin e organizmit kombëtar të tij, reformën dhe rrolin e saj në Shqipëri, perspektivën e tij etj. 

Pjesa e parë e kësaj vepre ka karakter historik dhe paraqet anën e brendshme të organizimit të Bektashzmit si lëvizje dhe si ide universale. Pjesa e dytë, Historia e Bektashinjvet përbëhet prej hyrjes, njëmbëdhjetë krerëve dhe një shtojce mbi gjendjen e bektashizmit dhe institucioneve të saj pas Luftës së Parë Botërore. Vepra përfshin një format të gjerë të dhënash historike, kulturore dhe shpirtërore të bektashizmit si rilindje e brendshme dhe si strukturë e organizimit të jashtëm. Mjafton të shihen kapitujt mbi periudhat para lindjes së bektashizmës, mbi faqen spirituale të historisë së Haxhi Bektashit, mbi përhapjen e bektashizmës në Europë dhe Afrikë, mbi bektashizmën në Gjirít dhe në Shqipëri, mbi përmbysjen madhe të bektashízmës në kohën e Sulltan Mahmutit, mbi gjendjen e bekashizmës pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, mbi qëndrimin nacionalist të bektashinjve shqiptarë, mbi aktivitetet e teqeve pas mbledhjes së Frashërit dhe krimet greke të vitit 1914 etj. Le të thuhet gjithashtu se në këtë vepër janë përmbledhur, janë sistemuar dhe janë ridizajnuar idetë filozofike, diskutimet e karakterit historik dhe publicistik, konceptet shpirtërore dhe fetare të autorit, të cilat kur më pak e kur më shumë i kishte thënë në disa nga artikujt e ligjëruar apo botuar edhe më parë.

Përfundime  

Përmbledhja e veprave të plota në tri vëllime, të njohura deri më tani, që na e jep zbuluesi dhe editori i shtëpisë botuese “Argeta” z. Mehmet Gëzhilli paraqesin një ngjarje të veçantë në jetën tonë kulturore në disa rrafshe:

e para, brenda këtyre veprave krijohet portreti kryesisht i panjohur i njërit prej intelektualëve të rëndësishëm të gjysmës së parë të shekullit XX;

e dyta, e njohur kryesisht përmes disa artikujve të botuar në shtypin e kohës, vepra e tij tani shfaqet me gjithë përmasën gjuhësore, oratorike, polemizuese, letrare, intelektuale, krijuese, historike, fetare dhe shkencore;

e treta, studimet e tij mbi apostullin e shqiptarizmës, sikur e quan Naim Frashërin, në këto vepra paraqiten të plota. Në këto vëllime ajo reflekton njëkohësisht edhe vlera të larta shkencore.

e, pesta, studimet mbi bektashizmin dhe lëvizjen kulturore e shpirtërore në Shqipëri dhe në botë, të njohura kryesisht në artikujt e botuar në shtypin e kohës, tani paraqiten si një tërësi problemore dhe madje monografike.

Për të gjitha këto dhe arsyet e sipërthëna, veprat e Baba Ali Tomorit sot paraqesin sa një monument të karakterit fetar po edhe kombëtar. Autori, me jetën dhe veprën e tij, në këtë vepër plotësojnë njëri-tjetrin, ashtu sikur plotësonte dikur e jep shembullin e tij edhe sot, apostulli i tij e apostulli i shqiptarizmës, Naim Frashëri. A nuk është kjo arsyeja pse vepra e tij, ashtu si edhe jeta e tij, në këtë vepër shfaqen si frymë naimiane e kohës së tij, e njëkohësisht edhe kohës sonë.

Prishtinë, më 18 gusht 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Prof. dr. Begzad Baliu

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT