Prof.dr. Eshref Ymeri/Kaliforni/
Përmes mjeteve të informimit masiv është dhënë edhe ky informacion: “Edi Eama, Kryeministri i ri i Shqipërisë, pritet që të vizitojë Beogradin gjatë muajit shkurt, në kuadër të një turneu diplomatik nëpër vendet e rajonit, ka njoftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivan Mrkiç përrmes mediave serbe, transmeton agjencia e lajmeve “B52” (Citohet sipas: “Edi Rama do të vizitojë Beogradin”. Marrë nga faqja e internetit “Tirana Observer”. 19 janar 2014).
Një informacion ky vërtet i çuditshëm. Në vend që këtë lajm publiku shqiptar ta mësojë nga zyra e informacionit e Kryeministrit Rama, ai e merr vesh nga mjetet serbe të informimit masiv.
Madje gazeta “Politika” e Beogradit e datës 17 janar 2014, paska zbuluar edhe një të vërtetë aspak ngushëlluese për publikun shqiptar të mbarë trojeve tona etnike. Ministri Mrkiç paska deklaruar:
“Beogradi e mirëpret iniciativën e Ramës të vijë në Serbi”.
Një njoftim ky që “Tirana Observer” e ka censuruar në faqen e vet të lartpërmendur të internetit.
Iniciativa e çuditshme e Kryeministrit Rama me siguri që nuk ka ngjallur ndonjë interes në Beograd, për të mos thënë që është pritur me shpërfillje, përderisa ministri Mrkiç deklaron:
“…nuk dihet data e saktë e vizitës së Ramës në Beograd, sepse Beogradi zyrtar është i zënë më çështje
të tjera të rëndësishme, disa prej tyre negociatat me Prishtinën dhe fillimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE” (Citohet po sipas faqes së mësipërme të internetit të gazetës “Tirana Observer”).
Pas kësaj deklarate të ministrit të jashtëm serb, zoti Rama, normalisht, në mbrojtje të dinjitetit te vet si Kryeministër i Shqipërisë, duhet të deklarojë për anulimin e vizitës në Serbi, meqenëse Beogradi zyrtar nuk e vlerësuaka të rëndësishme vizitën në fjalë. Kur Beogradi del me një deklaratë të tillë publike pas 66 vjetë marrëdhëniesh të tendosura me Shqipërinë, pas një gjenocidi mbinjëshekullor që ka ushtruar kundër popullit shqiptar të Kosovës, kjo do të thotë se ai, edhe pas bombardimit të Serbisë në vitin 1999, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdon të mos ushqejë kurrfarë respekti ndaj klasës politike të Tiranës. Deklarata shpërfillëse e ministrit të jashtëm serb për vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd, dëshmon se mendësia millosheshiçiane ndaj etnisë shqiptare vazhdon të mbetet mbizotëruese në formimin psikologjik të klasës politike serbe.
Po si shpjegohet që Kryeministri Rama e ka mbajtur të fshehtë nga publiku shqiptar planin e vet për të vizituar Beogradin, madje duke e ndërmarrë vetë iniciativën për një vizitë të tillë, pa pritur ndonjë ftesë zyrtare nga homologu serb?
Në këtë mes dëshiroj të theksoj disa gjëra:
Së pari, zoti Rama nuk ka respekt për opinionin publik shqiptar, sepse atë, në formimin e vet si intelektual, e mban të karfosur fort ideja sekrete enverhoxhane, sipas së cilës udhëheqësi qëndron mbi popullin, sepse populli duhet të bëjë atë që i thotë udhëheqësi, se udhëheqësi është, demek, i pagabueshëm. Kjo ishte edhe arsyeja që Enver Hoxha kishte hedhur parullën: “ç’thotë partia bën populli”. Prandaj, duke mos pasur respekt për opinionin publikun shqiptar, Kryeministri Rama nuk e quan të arsyeshme që atë ta vërë në dijeni për hapat që ndërmerr në politikën e jashtme dhe sidomos në marrëdhëniet me fqinjët.
A nuk ishte Kryeministri Rama ai që, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vjeshtën që kaloi, duke shpërfillur tërësisht opinionin publik shqiptar, pranoi të bëhej çaktivizimi i armëve kimike siriane në vendin tonë? Kjo ngjalli një valë të fuqishme zemërimi në radhët e rinisë shqiptare në mbarë vendin, e cila, me shumë të drejtë, u ngrit peshë më këmbë dhe nuk e lejoi të vihej në jetë premtimi që ai u kishte dhënë autoriteteve amerikane.
Së dyti, si kuturis Kryeministri Rama të ndërmarrë iniciativën për të vizituar Serbinë, ndërkohë që Serbia nuk ka kërkuar ndjesë publike për krimet e pallogaritshme dhe për tragjeditë e rënda që i ka shkaktuar mbarë kombit shqiptar dhe veçanërisht popullit shqiptar të Kosovës, sidomos në gjysmën e dytë të viteve ’90? Po kur të shikojnë Kryeministrin Rama duke vizituar Beogradin, ç’do të mendojnë pronarët e atyre 200 mijë shtëpive të djegura në mbarë Kosovën? Ç’do të mendojnë nënat e atyre dëshmorëve që e lanë me gjak mbarë Kosovën gjatë luftës me makinën ushtarake të Millosheviçit? Çdo të mendojnë familjet e atyre gati 2 mijë të zhdukurve pa nam e pa nishan, për të cilët Beogradi vazhdon të mos i tregojë vendgroposjet e tyre? Ç’do të mendojnë ato 20 mijë gratë dhe vajzat kosovare që i përdhunuan shtazërisht kriminelët serbë? Ç’do të mendojë popullsia shqiptare e Luginës së Preshevës që përjetoi me dhembje shkuljen e memorialit në nderim të dëshmorëve që ranë në përleshje me bandat e Millosheviçit? Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit (UÇPMB) luftoi për të drejtat e veta kundër kriminelëve millosheviçianë, por memorialin në nderim të dëshmorëve të saj, e shkuli pas 14 vjetësh kryeministri i tanishëm serb Daçiç, i cili, me këtë akt barbar që kreu, vërtetoi se është mbështetës i fuqishëm i veprës kriminale të Millosheviçit. Me veprimin barbar kundër memorialit në fjalë, çka ishte një fyerje e rëndë për mbarë popullsinë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe për luftëtarët e saj, Serbia dëshmoi se ajo gëzon një përkrahje të fuqishme në Evropën Perëndimore. Ish-Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka deklaruar:
“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16.04. 2011).
Së treti, i karfosur keq nga ideja e përngrirë (fikse) enverhoxhane në ushtrimin e pushtetit, siç e përmenda më lart, Kryeministri Rama shpërfill tërësisht mendimin intelektual shqiptar lidhur me qëndrimin paradoksal të Serbisë për mosdënimin e fajit në raport me popullin shqiptar të Kosovës. Edhe sot e kësaj dite vazhdon të mos dënohet platforma kriminale e akademikut Çubrilloviç e vitit 1938 për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta etnike. Ca më tepër, nuk ka as edhe një shfaqje të vetme të ndjesës apo të pendesës kolektive nga klasa politike serbe dhe nga mbarë opinioni publik serb për dënimin e krimeve të Millosheviçit kundër Kosovës, e cila sot është shtet i pavarur dhe sovran. Si është e mundur që Kryeministri Rama të mos e ketë parasysh mendimin e Kadaresë në këtë pikë:
“Është jashtë çdo dyshimi se do të ishte pozitive njohja pa ngurrim e Kosovës. Madje, do të kishte qenë edhe më mirë sikur Serbia do të kishte qenë e para që ta bënte një gjë tillë! Në fundin e mijëvjeçarit, në Ballkan ndodhi një dramë. Kur një dramë mbaron, që ajo të mos përsëritet, fill pas uljes së perdes, duhet të ndodhë shqyrtimi i ngjarjes. Shqyrtim do të thotë, në radhë të parë, dënimi i fajit. Procesi kulmon me shqyrtimin e ndërgjegjes, çka do të thotë, me brerjen e saj, pra me pendimin. Në rastin e konfliktit të fundit ballkanik, procesi, për fat të keq, u ndërpre në mes. U ndëshkua faji me anë të bombave, por thelbi, ndërgjegjja fajtore, pothuajse nuk u prek” (Citohet sipas: Kadare: “Serbët duhej të ishin penduar për masakrën ndaj shqiptarëve”. Marrë nga faqja e internetit “Mapo online”. 19 janar 2014).
Gazeta “Mapo” ka bërë shumë mirë që e ka botuar intervistën e Kadaresë pikërisht pas deklaratës së ministrit të jashtëm serb Mrkiç për nismën e zotit Rama për të vizituar Serbinë. Fjalët e Kadaresë le t’i shërbejnë Kryeminstrit Rama si kujtesë se ka ndërmarrë një hap të pamatur.
Së katërti, me nismën që ka ndërmarrë për të vizituar Serbinë, zoti Rama e ka prezantuar veten si një politikan inferior. Dhe inferioriteti i Ramës para Beogradit, e lëndon keq çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare. Me shfaqjen e inferioritetit para Beogradit, zoti Rama ka ringjitur në skenë traditën e inferioritetit dhe të servilizmit politik të Enver Hoxhës në kuadrin e marrëdhënieve me Jugosllavinë e kohës së Titos.
Ja një fakt konkret që vërteton katërcipërisht se Enver Hoxha as që donte t’ia dinte për opinionin publik shqiptar dhe çdo vendim e merrte me kokën e vet. Në një letër që i dërgonte Titos në mars të vitit 1948, ai, me ndjenjën e inferioritetit dhe të servilizmit politik që e karakterizonte kokë e këmbë në marrëdhëniet me Jugosllavinë, ishte duke vënë në pikëpyetje pavarësinë edhe të kësaj cope Shqipërie që i kishte shpëtuar thikës evropiane të copëtimit:
“Shoku Marshall,
…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.
Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.
Enver Hoxha
Tiranë, 17 mars 1948” (Nxjerrë nga AQSH, Fondi 14/AP, dosja 4, 1948. Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 207).
Kjo letër dëshmon ditën për diell se ç’udhëheqës servil dhe pa dinjitet kombëtar ka patur në krye Shqipëria. Inferioriteti dhe servilizmi politik i Enver Hoxhës para Titos kishte arritur deri në atë derexhe, saqë ai, pasionin e vet të zjarrtë për ta bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë, kishte guximin ta shiste për pasion të popullit shqiptar.
Presidenti serb Tomisllav Nikoliç, nuk e ka pranuar ftesën e Presidentes kosovare Jahjaga për të marrë pjesë në samitin e vendeve të rajonit që do të zhvillohet në Kosovë në vitin në vazhdim. Prandaj Kryeministri Rama le të nxjerrë mësimet e duhura. Le ta dëgjojë fjalën e Kadaresë për pendesën që Serbia duhet t’i kërkojë botërisht Kosovës për krimet e rënda që ka kryer kundër saj dhe pastaj këtu jemi. Le të shkojë për vizitë në Beograd. Ne me Serbinë jemi vende fqinje, me Kosovën në mes, dhe me të dëshirojmë të jetojmë në paqe dhe me mirëkuptim, por gjithsekush në shtëpinë e vet. Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, në kushtet ekzistuese të mosdënimit të fajit nga ana e Serbisë, tingëllon si një fyerje e rëndë jo vetëm për ata që përmenda më lart, por edhe për mbarë kombin shqiptar, si brenda trojeve etnike, ashtu edhe në diasporë.
Santa Barbara, Kaliforni
19 janar 2013