• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pak fjalë për Prof.Dr.Lazër Radin

October 1, 2020 by dgreca

Nga Bajame Hoxha – Çeliku–

          Vërtet, ai kurrë nuk mori atë çka meritoi, por asnjëherë nuk u trishtua për atë që nuk ndodhte… Lazër Radi, njeriu enciklopedist, për të gjithë ne të internuarit e kampit të Savrës, ku unë kam jetuar për më shumë se 30 vite së bashku me të, mund të them pa droje, se na dha shumë nga vetja dhe pa kursim. Ai ushtroi profesionin e edukatorit si profesor ilegal, për dekada të tëra, me shumë dashuri e përkushtim, dhe pse frika ishte e madhe, askush prej ne  nxënëseve të tij kurrë nuk e tradhtoi mësuesin, dhe ai pa as më të voglin shpërblim, na dhuroi atë çka ia njihte më mirë vetes: Kulturën. Nuk besoj të ketë mbetur njeri në kamp, që s’i kërkoi një mendim e s’u konsultua me atë njeri të ditur, të dashur, të papërtuar, qoftë për ndonjë problem a hall familjar, qoftë për ndonjë çështje shtetërore. Unë, për vete i ndjehem tejet në borxh, por edhe mirënjohëse ndaj tij, sepse njëkohësisht falë atij profesori të pa zhurmshëm, po të madhërishëm, këmbëngulës po edhe babaxhan, i kujdesshëm por i paepur e që brenda shpirtit të tij jetonte një mendim ndryshe! Dhe ishte përplot me dritë e dashuri për njeriun për vlerat e çdonjërit prej nesh… Ishte ai që më mësoi italishten mua dhe shumë të tjerëve… sigurisht me njëmijë sakrifica dhe nën përgjim të vazhdueshëm. Duke qenë se ka kapërcyer 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, dhe shkuarjes në përjetësi, nga thellësia e zemrës i nis një bekim: Qoftë i buzëqeshur në parajsë! Dr. Lazër Radin s’duhet ta braktisim, e ta lënë mbas krahëve, pikërisht tani që ka shkuar në amshim. Ne, nxënësit e tij, të paktën s’duhet ta harrojmë kurrën e kurrës atë portretin e tij që lëkundej lehtas dhe atë buzagazin e tij të sinqertë, atë njohësin e shumë gjuhëve, dhe vlerësuesin e traditave shqiptare. Atdhetarin e shkallës së lartë, që mbasi mbaroi studimet e larta për drejtësi, letërsi në Itali, dhe me aq përkushtim punoi në gazetari…. djaloshi që kthehet i vetëdijshëm, dhe i përgatitur si mjaft prej atyre që e deshën vendin e tyre dhe erdhën me dije e kulturë të gjerë ti shërbenin atij… Entuziast nga natyra, për të qenë i vlefshëm e për t’i shërbyer drejtësisë në Atdhe ai shpejt do të bëhej viktimë e padrejtësisë. Rrota e historisë, në Shqipërinë komuniste në vend të ecte përpara, ajo mori udhën mbrapsht dhe një pjesë të madhe të intelektualëve shqiptarë i hodhi pa i kursyer në greminë apo u caktoi nga një vend në ferr!! Kështu e pësoi edhe Profesori ynë, njerëzori i paepur, i dënuar fillimisht me 30 vjet burg, e që pësoi një kalvar 47vjeçar. Të mos të harrojmë, se brenda atij burgu të egër, mendjen e tij të ndritur e shfrytëzuan të pagdhendurit dhe autorësinë e përkthimeve, ia përvetësuan e ia ngjishnin kushedi kujt partiaku, që dinte të punonte në favor të diktaturës, duke mikluar atë!! Pjesën tjetër të jetës, e ngrysi nëpër kampet çnjerëzore të diktaturës, në punë krahu të detyruar, e pikërisht në moshën e tretë, kur i kishte kapërcyer të 60-at! Arsyeja: s’i kishte plotësuar vitet e punës për pension, sepse vitet e burgut nuk ia konsideronin. Sot, mund të duket si asgjë, por kampet punës së detyruar, kanë qenë tmerri, një ferr kaluar penës së Dantes. Kur mendon se sa vjet e kohë duhet që njeriu të përgatitet aq sa Dr. Profesori Lazër Radi, e të përfitojë dije sa ai, të vjen të mbytesh në një pikë uji, kur rrugët ishin të mbyllura nga censura. Kam menduar gjithnjë, edhe kur isha fare e re: një mendje aq të ndritur si mund ta izoloje, si mund ta dënoje, si mund ta robëroje, si mund ta ndrydhje për mos të shpërndarë shkëndija drite dhe kulture, kur kishte për të nxjerrë plot të tjerë si vetja e tij, talente të përkushtuar dhe jeta do evoluonte përmes diturisë dhe paqes. Por ja, lindja e largët ruse na ofroi një kohë mynxyre, ku nuk nevojitej mençuria, po veç të hapej e të mbushej me viktima të përndritura gulagu shqiptar. Shumica e popullsisë duhej të mbetej anadollake dhe e çorientuar: të mësonte vetëm vijën e partisë e ta donte atë mbi atdheun dhe mbi familjen. Për iluministin tonë, e quaj tonin, se vërtet mbeti vetëm i yni, pasi historia hipokrite e Enver Hoxhës kërkon ta varrosë me heshtje heroin tonë, që qëndron ballëlartë midis heronjve iluministë të shekullit XX, e që unë besoj se çdo njeri i ndershëm do ta kujtojë me respekt dhe nderim. Dhe unë di ta kujtoj profesorin ilegal edhe pas largimit të tij në amshim. Ai ndihmoi edhe jashtë punës së rëndë, të gjithë ata që dëshironin të mësonin e të studionin në fusha të ndryshme, dhe ai si mjeshtër i vërtetë e i pa lodhur, s’u kursye asnjëherë, edhe pse në ato kohëra dija jashtë propagandës së partisë kishte kosto të lartë… Profesorit bujar, s’i mungoi asnjëherë guximi që Savra e internimeve mos të ndrydhte rininë, prandaj jepte shumë më të mirën nga vetja. I shpërndante dijet pa rezerva, na i jepte ne “të pa ngopurve” për dije e kulturë. Natyrisht, që në ato kohëra e kemi vlerësuar dhe admiruar të gjithë, pse ishte përhapës i diturisë, i kulturës dhe arsimit, ishte njeriu që punonte e luftonte pa u lodhur për përparimin dhe zhvillimin e një shoqërie të izoluar, në betejë kundër errësirës dhe prapambetjes brenda telave të izolimit. Prandaj e them me kurajë që gazetari, mendimtari, shkrimtari dhe poeti, Lazër Radi, s’duhet të harrohet, s’mund të harrohet. I vonuar shumë është për t’u dëgjuar që emri i tij, kontributi i tij të jetë i derdhur në bronz. Ishte ai që punoi në ilegalitet të plotë për një zhvillim shoqëror ndryshe, edhe pse tërë jetën e internuar me këmbëngulje e zell të palëkundur. Edhe në moshë të shtyrë ai buzagazi i tij na vinte si një agim pranveror, ndaj e ndjeja se do të mbetej legjendë e pathyeshme ndër shekuj. Zhytem ndër ato vite dhe më duket se ende kemi nevojë për praninë e fjalën e profesorit, për kulturën dhe qetësinë e tij.  Për të gjitha ato dekada që vendit tonë i mungonin gjithnjë e më shumë personalitete të këtij niveli. Por, fisnikëria mbeti fisnikëri në shpirtin e tij, aq sa s’e mposhtën dot as ortekët e luftës së klasave, nëpër vitet e atij persekutimi barbar 47 vjeçar, kur atë e gjeje kudo mes nesh, dhe ashtu mbeti përgjithmonë: udhërrëfyesi ynë nëpër terrin e diktaturës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha(Çeliku), Prof.Dr.Lazer Radi

Shtjefën Kurti*

April 14, 2020 by dgreca

NJE DESHMI E PROF.DR.LAZER RADI PER I LUMI DOM SHTJEFEN KURTI /

Nji pjesë e rinisë katolike dhe e nxansave të shkollës fillore të qytetit banim pjesë në korin e kishës, njifarë “scuola cantorum”, ku mësoheshin kangë kishtare, të cilat këndoheshin në meshat solemne dhe në të kremtet fetare. 

Drejtues i atij kori ishte nji klerik me emën, i quejtun dom Shtjefën Kurti, i cili kishte zbritë me shërbye në qytetin e lindjes, mbasi kishte krye me sukses studimet e nalta  fetare diku jashtë dhe qe shugurue prift. 

***

Dom Shtjefni nuk qe thjesht nji prift që kish veshë veladonin me predikue fenë kristiane. Jo! Nën zhgunin e priftit qe atdhetari e kët ndjenjë, në kushtet e vështira kur po instalohej regjimi i Beogradit, ai do të shfaqej haptas dhe pa asnji rezervë si njeri i shqiptarizmës. Ashtu i ri dhe entuziast, as nëpërmend s’i shkonte se veprime të tilla 

shqiptarie ishin të dënueshme, dhe mund ta paguente shtrenjtë edhe aty në Mbretninë e  sllavëve të jugut. 

Dom Shtjefni i ri, i posardhun prej studimeve jashtë Shqipnie, nisi me folë haptas për “fe e atdhe”. Shpesh, gjatë përgatitjeve të festave, ai na mblidhte e na shpjegonte se  shpirti liridashës i shqiptarve ishte gjallë; se bjeshkët ishin përplot me luftëtarë lirie; se Azem e Shote Galica bashkë me qindra trima ishin veç nji shembull, se plumbat e shkjeve mundeshin edhe me na vra, po kurrë s’do mundeshin me na zhdukë e me na nënshtrue si popull. Ai na shpjegonte se serbët po kërkonin me na mohue gjitha të drejtat, e me na kthye në nji koloni të tyne. Ata e donin Kosovën veç për pasunitë dhe begatinë e saj, për asgja tjetër… 

Krahas predikimit, dom Shtjefni ishte edhe nji mjeshtër i harmoniumit. Në kujtesën time ka mbetë e freskët mënyra si ai e shartonte fenë me shqiptarizmën, si mbrenda nji ligjërate mundeshe me gjetë edhe ungjillin edhe atdheun, dhe si në mbyllje të çdo kange  fetare ai gjente mënyrën me i bashkangjitë kangën patriotike. Te ai njeri unë s’mbrrita kurrë me kuptue se ku mbaronte përkushtimi ndaj fesë e ku niste dashnia për atdhe. Nuk di pse shumëkujt prej atyne që ndiqnin predikimet e tij, u pëlqente me e quejtë: Boletini me veladon. 

Çdo fillimdhjetori ishin përgatitjet e festës së Shën Kollit. Kori kishte punue për ditë me rradhë, kangën e mrekullueshme kushtue atij shenjtori: 

Deadati djalë dishiri 

kje grabitë e çue n’gurbet 

vjen Shën Kolli prej Misiri 

për hava e çon n’shpi t’vet… 

E ndërsa kanga jehonte, ai na nxiste me këndue me pasion dhe me zà sa ma të plotë, duke na shpjegue se fati i Deadatit ishte si fati i fëmijve të Kosovës; të cilët Zoti përmes figurës së Shën Kollit, kërkonte jo vetëm ai, po të gjithë ne, që nji ditë të ktheheshim te familja te atdheu e të ndjeheshim ma në fund si në shpinë tonë…

Mbasi ndigjonim fjalën e tij, atëherë kanga merrte edhe ma tepër zjarr e kumbim.Të gjithë ishim të angazhuem me shpirt. Entuziazmi e vrulli na përfshinte të gjithëve e na bante me u ndje me flatra. Dy vargjet e fundit të kangës përsëriteshin disa herë, fillimisht me tone të lehta e të ambla, mandej gjithçka ngjitej drejt nji shpërthimi të fuqishëm koral, i cili na krijonte përshtypjen sikur nga çasti në çast do të binin krejt muret e kishës nga rezonanca në bllok e atij kori të ekzaltuem. Nuk di pse ndjenim nji  vlim në shpirt, nji dëshirë që na rrëmbente të tanëve, nji emocion të papërshkrueshëm; nuk di pse midis Deadatit, heroit të Biblës dhe çdonjenit prej ne fëmijve aty, kishte diçka të ngjashme. Nuk di pse ne duhej të ishim “gyrbetçi në tokë tonë”, pse duhej të frikeshim për kangët tona, për festat tona, për gjuhën tonë, për traditat tona!? 

Në pushim të provave, të gjithë bashkë me dom Shtjefnin në krye delnim në çardakun e kishës. E kur futeshim mbrendë na pyeste: 

-A i mbyllët dyert djema? 

Mbasi sigurohej vetë se në kishë s’mund të futej askush na thonte: 

-E tash a nuk e ndërrojmë avazin; në vend të kangës së Shënkollit le t’u kthehemi kangëve tona.Kush nuk asht dakort le ta çojë dorën? 

Po ku kishte dorë që çohej! Mbas asaj pyetje të gjitha duert tona ishin të këputuna. 

Kur vendosej qetësia, ai niste me i ra harmoniumit, vegël të cilën e zotnonte mjeshtërisht. Mbas hymjes, i pari ishte ai që ia niste kangës. Mbas zanit të tij ngjitesh kori i zanave tonë. Nji hov i fuqishëm dukej sikur kërkonte me i shpërthye muret, po dora e dom Shtjefnit, me at lëvizjen karakteristike vazhdimisht i qetësonte shpirtnat tanë të trazuem. 

“N’kambë pra nipat e Kastriotit 

me lidh besë, me lidh besë 

me lidhë besë me armët ngjeshë” 

Eh, sa me qejf e sa me shpirt këndohej. Eh, si na vlonte gjaku e si na regëtinte zemrakur kanga mbrrinte kulmin. Entusiazëm djaloshar: vrulle të ndrydhuna, energji të gatshme me i dhanë flakë lirisë… Kishte romantizëm dhe mister aty midis nesh.Na dukej sikur ashtu në ilegalitet po banim nji punë të madhe e të vyeme; sikur prej atyne kangëve e prej shpirtit tonë mund të gatitej çlirimi i Kosovës së shtrenjtë prej bishave serbosllave. 

Natyrisht dinakëria e autoriteteve serbe, përmes hafijesh përpiqesh me depërtue jo vetëm atje ku kishte organizime fetare e shoqnore, po edhe mbrenda familjeve shqiptare. Ata ishin të interesuem me marrë vesh gjithçka, e ma mbas me gjetë mënyra e mjete me i luftue dhe shkatërrue organizimet tona. Qe e pamundun që guximi dhe veprimtaria e dom Shtjefnit mos t’u shkonte në vesh autoriteteve serbe. Ai vetë s’kishte as ma të voglin dyshim se po i shtrëngohej laku për me e kapë me “presh në dorë” e me ia gjetë rrfanën dhe me e burgosë. Në k’si rastesh, kur veprimtaria intelektuale përbante nji “rrezik për të ardhmen e mbretnisë” nuk përdorej burgu, po metodat e vjetra bizantine të eleminimit fizik të kundërshtarëve. 

Shpesh regjimi gjente njerëz të paguem, me vra e me zhdukë figurat ma të njoftuna e ma me reputacion në popull. 

Autoritetet lokale serbe, milicia dhe xhandarmënia, prej kohësh ndiqnin me vëmendje aktivitetin e dom Shtjefën Kurtit. Përmes nji rrjeti informatorësh e kishin vu në shenjestër emnin e tij. 

Kët ia tha nji ditë nji dashamir i tij, i cili jo vetëm e vuni në dijeni, po i kallzoi me hollësi pse jeta e tij ishte në rrezik.Po dom Shtjefni s’qe prej atyne që tremben e thyhen kollaj.Ai ishte i gatshëm me pague çfardolloj takse për lirinë e Kosovës, qoftë edhe jetën po ta lypte nevoja. Edhe pse e ndjente atmosferën e kërcënimit dhe survejimit, ai vazhdonte me programin e vet si të mos kuptonte asgja. Ne fëmijët që ishim në kontakt të përditshëm me të e shifnim fytyrën e tij që bahej përditë e ma e trishtë, e ma vrazhdë, po mbetej e paepun e burrnore.Nji ndjenjë dhimbjeje nisëm me ia lexue në sy. Shumë shpejt u mor vesh se ipeshkvia kishte vendosë transferimin e tij.Po dom Shtjefni, prift i ri, qe lidhë shpirtnisht me qytetin e tij të lindjes, qe lidhë me ne, nxansat e tij, dhe ai transferim i papritun nuk ishte i lehtë dhe as thjesht nji fjalë goje për të.Ndamja me dom Shtjefën Kurtin qe e dhimbshme. 

Lotët e tij mbetën ndër faqet tona po edhe lotët tonë lanë nji shije të hidhët dhimbjeje në faqet e tij.Transferimi i ngjante nji braktisjeje. Ai qe i bindun se ne kishim nevojë për të, ashtu si edhe ai kishte mjaft nevojë për ne.E kët gja ai do ta vuente si askush tjetër: largimin pa kthim prej Prizrenit! 

Kështu,nji ditë u nis me krye detyrën e priftit, me shërbye në vise të tjera, ku e kishte caktue kisha e tij… 

Dom Shtjefni iku, po figura e tij mbeti mes nesh.Mbetën mes nesh kangët e tij,shpirti i tij atdhedashës.Ma vonë morëm vesh se dom Shtjefën Kurtin e kishin transferue në Rumani. Shumë shpejt do të niste edhe atje bashkëpunimin me shtypin e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ku botoi nji varg artikujsh të randsishëm, ku me fakte të gjalla paraqitesh gjendja e Kosovës dhe vuejtjet e popullit kosovar nën sundimin serb. 

Artikujt e tij, nji pjesë e të cilëve u botuen në frengjisht, banë përshtypje të madhe në opinioni ndërkombëtar për ndriçimin e së vërtetës shqiptare. 

Pionerët e atdhetarisë shqiptare, ndër të cilët ban pjesë edhe dom Shtjefën Kurti, kishin mundësi krejt të pakta e rreziqe tejet të mëdha në misionin e tyne. Ata shpesh paguenin edhe me jetë idealet e tyne kombtare. E megjithatë, pa u epun ata luftonin me mbajtë gjallë frymën e lirisë dhe atdhetarinë, shpirtin rrebel të shqiptarit dhe flakën e dijes: at flakë drite, të cilës i qenë turrë mija bulshi stuhie me e shue njiherë e përgjithmonë, po që kurrë nuk ia kishin me ia mbrritë! 

*Marrë nga Libri “Mjegullnaja e nji kohe të largët. (Prizreni) Fq. 196 – 202 

Filed Under: Politike Tagged With: dëshmi, I LUMI SHTJEFEN KURTI, Prof.Dr.Lazer Radi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT