Nga Bajame Hoxha – Çeliku–
Vërtet, ai kurrë nuk mori atë çka meritoi, por asnjëherë nuk u trishtua për atë që nuk ndodhte… Lazër Radi, njeriu enciklopedist, për të gjithë ne të internuarit e kampit të Savrës, ku unë kam jetuar për më shumë se 30 vite së bashku me të, mund të them pa droje, se na dha shumë nga vetja dhe pa kursim. Ai ushtroi profesionin e edukatorit si profesor ilegal, për dekada të tëra, me shumë dashuri e përkushtim, dhe pse frika ishte e madhe, askush prej ne nxënëseve të tij kurrë nuk e tradhtoi mësuesin, dhe ai pa as më të voglin shpërblim, na dhuroi atë çka ia njihte më mirë vetes: Kulturën. Nuk besoj të ketë mbetur njeri në kamp, që s’i kërkoi një mendim e s’u konsultua me atë njeri të ditur, të dashur, të papërtuar, qoftë për ndonjë problem a hall familjar, qoftë për ndonjë çështje shtetërore. Unë, për vete i ndjehem tejet në borxh, por edhe mirënjohëse ndaj tij, sepse njëkohësisht falë atij profesori të pa zhurmshëm, po të madhërishëm, këmbëngulës po edhe babaxhan, i kujdesshëm por i paepur e që brenda shpirtit të tij jetonte një mendim ndryshe! Dhe ishte përplot me dritë e dashuri për njeriun për vlerat e çdonjërit prej nesh… Ishte ai që më mësoi italishten mua dhe shumë të tjerëve… sigurisht me njëmijë sakrifica dhe nën përgjim të vazhdueshëm. Duke qenë se ka kapërcyer 20 vjetorin e ndarjes nga jeta, dhe shkuarjes në përjetësi, nga thellësia e zemrës i nis një bekim: Qoftë i buzëqeshur në parajsë! Dr. Lazër Radin s’duhet ta braktisim, e ta lënë mbas krahëve, pikërisht tani që ka shkuar në amshim. Ne, nxënësit e tij, të paktën s’duhet ta harrojmë kurrën e kurrës atë portretin e tij që lëkundej lehtas dhe atë buzagazin e tij të sinqertë, atë njohësin e shumë gjuhëve, dhe vlerësuesin e traditave shqiptare. Atdhetarin e shkallës së lartë, që mbasi mbaroi studimet e larta për drejtësi, letërsi në Itali, dhe me aq përkushtim punoi në gazetari…. djaloshi që kthehet i vetëdijshëm, dhe i përgatitur si mjaft prej atyre që e deshën vendin e tyre dhe erdhën me dije e kulturë të gjerë ti shërbenin atij… Entuziast nga natyra, për të qenë i vlefshëm e për t’i shërbyer drejtësisë në Atdhe ai shpejt do të bëhej viktimë e padrejtësisë. Rrota e historisë, në Shqipërinë komuniste në vend të ecte përpara, ajo mori udhën mbrapsht dhe një pjesë të madhe të intelektualëve shqiptarë i hodhi pa i kursyer në greminë apo u caktoi nga një vend në ferr!! Kështu e pësoi edhe Profesori ynë, njerëzori i paepur, i dënuar fillimisht me 30 vjet burg, e që pësoi një kalvar 47vjeçar. Të mos të harrojmë, se brenda atij burgu të egër, mendjen e tij të ndritur e shfrytëzuan të pagdhendurit dhe autorësinë e përkthimeve, ia përvetësuan e ia ngjishnin kushedi kujt partiaku, që dinte të punonte në favor të diktaturës, duke mikluar atë!! Pjesën tjetër të jetës, e ngrysi nëpër kampet çnjerëzore të diktaturës, në punë krahu të detyruar, e pikërisht në moshën e tretë, kur i kishte kapërcyer të 60-at! Arsyeja: s’i kishte plotësuar vitet e punës për pension, sepse vitet e burgut nuk ia konsideronin. Sot, mund të duket si asgjë, por kampet punës së detyruar, kanë qenë tmerri, një ferr kaluar penës së Dantes. Kur mendon se sa vjet e kohë duhet që njeriu të përgatitet aq sa Dr. Profesori Lazër Radi, e të përfitojë dije sa ai, të vjen të mbytesh në një pikë uji, kur rrugët ishin të mbyllura nga censura. Kam menduar gjithnjë, edhe kur isha fare e re: një mendje aq të ndritur si mund ta izoloje, si mund ta dënoje, si mund ta robëroje, si mund ta ndrydhje për mos të shpërndarë shkëndija drite dhe kulture, kur kishte për të nxjerrë plot të tjerë si vetja e tij, talente të përkushtuar dhe jeta do evoluonte përmes diturisë dhe paqes. Por ja, lindja e largët ruse na ofroi një kohë mynxyre, ku nuk nevojitej mençuria, po veç të hapej e të mbushej me viktima të përndritura gulagu shqiptar. Shumica e popullsisë duhej të mbetej anadollake dhe e çorientuar: të mësonte vetëm vijën e partisë e ta donte atë mbi atdheun dhe mbi familjen. Për iluministin tonë, e quaj tonin, se vërtet mbeti vetëm i yni, pasi historia hipokrite e Enver Hoxhës kërkon ta varrosë me heshtje heroin tonë, që qëndron ballëlartë midis heronjve iluministë të shekullit XX, e që unë besoj se çdo njeri i ndershëm do ta kujtojë me respekt dhe nderim. Dhe unë di ta kujtoj profesorin ilegal edhe pas largimit të tij në amshim. Ai ndihmoi edhe jashtë punës së rëndë, të gjithë ata që dëshironin të mësonin e të studionin në fusha të ndryshme, dhe ai si mjeshtër i vërtetë e i pa lodhur, s’u kursye asnjëherë, edhe pse në ato kohëra dija jashtë propagandës së partisë kishte kosto të lartë… Profesorit bujar, s’i mungoi asnjëherë guximi që Savra e internimeve mos të ndrydhte rininë, prandaj jepte shumë më të mirën nga vetja. I shpërndante dijet pa rezerva, na i jepte ne “të pa ngopurve” për dije e kulturë. Natyrisht, që në ato kohëra e kemi vlerësuar dhe admiruar të gjithë, pse ishte përhapës i diturisë, i kulturës dhe arsimit, ishte njeriu që punonte e luftonte pa u lodhur për përparimin dhe zhvillimin e një shoqërie të izoluar, në betejë kundër errësirës dhe prapambetjes brenda telave të izolimit. Prandaj e them me kurajë që gazetari, mendimtari, shkrimtari dhe poeti, Lazër Radi, s’duhet të harrohet, s’mund të harrohet. I vonuar shumë është për t’u dëgjuar që emri i tij, kontributi i tij të jetë i derdhur në bronz. Ishte ai që punoi në ilegalitet të plotë për një zhvillim shoqëror ndryshe, edhe pse tërë jetën e internuar me këmbëngulje e zell të palëkundur. Edhe në moshë të shtyrë ai buzagazi i tij na vinte si një agim pranveror, ndaj e ndjeja se do të mbetej legjendë e pathyeshme ndër shekuj. Zhytem ndër ato vite dhe më duket se ende kemi nevojë për praninë e fjalën e profesorit, për kulturën dhe qetësinë e tij. Për të gjitha ato dekada që vendit tonë i mungonin gjithnjë e më shumë personalitete të këtij niveli. Por, fisnikëria mbeti fisnikëri në shpirtin e tij, aq sa s’e mposhtën dot as ortekët e luftës së klasave, nëpër vitet e atij persekutimi barbar 47 vjeçar, kur atë e gjeje kudo mes nesh, dhe ashtu mbeti përgjithmonë: udhërrëfyesi ynë nëpër terrin e diktaturës.