• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”- Një Përmendore nga Prof. Lazer Radit

October 5, 2020 by dgreca

Prof. Lazër Radi i ngre një përmendore ,Mësuesit tij të  nderuar dhe Reformatorit të Shquar  të Arsimit Shqiptar, në librin “Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”….

Nga Pertefe Leka- 

“Mirash Ivanajn (1891-1953) e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtëzakonshëm,qoftë kur e pata profesor  në gjimnaz,qoftë kur u shfaq si Ministri ma reformator I Arsimit Shqiptar,qoftë kur në kohën e dhunës,e pata shok vuajtjesh  e sakrificash, po edhe përkthimesh në burgun e Tiranës.” L.Radi

Kam pasë fatin ta takoj  Z.Lazër  me fisnikën e tij, Zonjën  Vitore, pasi ishin kthyer nga internimet, kur i vizituam me Dritën  Ivanaj në vitin 1993.

Kam përjetuar emocione të papërshkrueme.Isha prezent kur Z.Lazër  pas një bisede  të çiltër  e me shumë urti, I dorëzoi Dritës sendet e ruajtuna  në burg  të Axhës saj, Mirash.

Mënyra se si ia dha të jepte përshtypjen se Ai ndrydhte një ndjesi të brendshme,por  i përmbajtur, u shfaq natyrshëm përpara  Dritës për të mos e lënduar Ate.

Me pamjen e tij si burrë i qëndresës  dhe me një krenari  prej zotnije  i transmetoi Dritës  fillin e lidhjes me familjen e saj, duke hapur  para thesarin e kujtimeve.

Nuk mund ta harroj kënaqësinë, që  ndjeu  Z. Lazër, kur i dha Dritës  me dorën e vet, torbën me beze të bardhë, të ruajtur me fanatizëm ndër vite, nga Axha I saj  në emigracion dhe në burg,dhe më vonë  amanetin  të ruajtur   nga Z.Lazër  në internimet  drithëruese. I lehtësuar nga ky detyrim  moral  dhe i plotësuar se kishte  respektuar  me devocion  misionin e Besës, që profesori  dhe miku  i tij ,Mirash  e kishte aq për zemër, u përqaf me Dritën dhe shprehja e fytyrës tij foli,” vazhdo në rrugën e xhaxhait.”

Këte ngrohtësi që mori Drita në këte familje  ishte si zjarri i Zeusit,që i duhej Dritës për ta shpërndarë në vijimësi,si trashigimtare e denjë e Ivanajve.

Shkrimtari  dhe  publicisti  I shquar Prof. Lazër Radi  në librin  “Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”( është  libri I tretë  që botohet për M.I. pas “Misteret e një Ministri” L.Radi 1995, “Epopeja e Njeriut “ Perkthim i poezive të vëllezerve Ivanaj  nga L.Radi e shumë artikuj ) ka përshkruar ngjarje e fakte  reale  nga jeta e tij si  student  I  Profesor Mirashit , nga Reforma  Arsimore Ivanaj  dhe jeta e përbashkët në burg, të dy si dijetarë e  përkthyes. E kam lexuar me lehtësi librin, pasi kisha pak a shumë dijeni  për të dy personalitetet.Epiteti i hekurt të jep përshtypjen fillimisht se do të  ketë një përmbajtje të ftohtë, të trishtë, por hekurin e librit  e shkrinte fjala e ngrohtë e plot dashuri e Prof. Radit për Mësuesin dhe mikun e zemrës,Mirash. Pastërtia  e gjuhës në gegnishte, fjalitë e goditura dhe dialogjet e sinqertë  rreshqitnin me shpejtësi  në lexim,të jepnin  kënaqësi për ta asimiluar shpejt mendimin.

Jam përqëndruar më shumë në tregimin nga jeta në burg, nga ku kam nxjerrë detaje që i shërbenin kërkeses sime për  shkrimin  në fjalë.

Prof. Iljaz Gogaj në librin e tij “Mirash Ivanaj ” e ka nxjerrë të përkryer figurën morale dhe intelektuale të Ivanajt duke i dhenë përmasat e një gjeniu shkencëtar, me një përkushtim ndaj kultit të Punës dhe me idetë e tij antikonformiste të palëkundura.Gogaj  e ka realizuar çdo gjë nepërmjet dokumenteve,korrespondencave, nga bisedat me njerëzit që ruanin kujtimet për mesuesin,drejtorin,juristin,publicistin,humanistin etj. Ndërsa Prof. Radi,  i ka sanksionuar  superlativat e kolegëve  duke e përshkuar karakterin e tij, nëpërmjet filtrave të vuajtjeve dhe vështirësive të njohura nga afër, aty , kur ishin  në izolim, ku shkruan:”Mirash Ivanaj,ishte nga ata që në vështirësitë më të egra  dhe mungesash të mëdha,  shkëlqente  si të ishte fitimtar në ndonjë  betejë të rëndësishme.”L.Radi 

Nga kjo shprehje e Prof. Radit mora një nxitje për të  argumentuar historikisht,betejat e rëndësishme jo vetëm të  Mirashit por edhe të paraardhesve të fisit Ivanaj që kontribuan  me armë në dorë apo me rrugë diplomatike për Lirinë,Pavarësinë dhe në përgatitjen e njeriut të ndërgjegjshëm  me dashuri dhe sakrificë për Atdheun.

Fisi i Ivanajve  asht i dokumentuar që nga viti 1944.Prof. Radi e përmend  origjinen e tyre nga Bëkaj e Trieshit,Malësi e Madhe.Njihen si njerëz me kontribute për qeverisjen e vendit,për ruajtjen e zakoneve të mira  e  të gjuhës shqipe edhe pse te rrethuar prej elementit të huaj etnik.Kanë mbetur në histori  të njohur për trimëri  e mençuri, si pjesëmarrës  në ngjarje të  rëndësishme të Malësisë Madhe. Babai i Martinit e Mirashit, Doda, ishte dënuar tri herë me vdekje nga pushtuesit otoman,

Xhaxhai,Leka ishte përfaqësues  i Malësisë në “Lidhjen e Prizrenit “.Me 4 Prill 1880,Krerët e Maleve në  marrëveshje  me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër i drejtuan ambasadorëve të fuqive të mëdha një protestë  për mbrojtjen e trojeve shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi. Midis nënshkrimeve ishte  edhe  ai, i Lekë Ivanajt.Si aktiv në çështjen kombétare, Leken e vranë Malazezët në pabesi në Shkodër me 1884.Ai ishte i përmendur jo vetëm për Trimëri, zgjuarësi e humanizëm por edhe si veprimtar i dalluar në pajtim gjaqesh.Për të gjitha meritat populli e therriste Kapedan dhe për marrëdheniet e mira vëllazërore në Triesh e Grudë përmenden si “Leka e Doda” ashtu si edhe sot “Martini e Mirashi”

Edhe Nikë Bardh Ivanaj  ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje. Si luftëtar  i njohur në luftë kundër malazezëve, për te,ka shumë episode se si i ka shpëtuar ndjekjeve  të tyre në pabesi.

Në faqen 65 të librit  në fjalë, prof. Radi  ia kushton  edhe  një figure tjetër të rëndësishme  të Ivanajve, Nikollës edhe  ky, nga Bëkaj e Trieshit. I lindur  në Grudë, i rritur në Pdgoricë, i shkolluar në Beograd,Vjenë,Zagreb…

Me gamen e veprimeve të tij, si pjesëmarrës në kuvendin e Greçës, mund të konsiderohet ambasador i kryengritësve shqiptarë,në rrethet Evropiane, në prag të shpalljes së Pavarësisë.Merr  pjesë  në shumë konferenca të organizuara në Romë,Paris,Londër,Boston  e tjere …..Duke qenë aktiv në lëvizjen ilegale italiane të Mazzinit, u përpoq të ndikonte në Shqipëri me idetë e tij,duke marrë drejtimin e një lideri të lëvizjes Nacional Shqiptare.

Fillimet e këtij ndikimi u dukën në Shkodër me 1905, ku ishin ngritur disa komuna sociale  të vogla por qe ranë ne sy te qeverise turke të cilat i shkatërruan që në embrion.Për t’i dhënë më shumë forcë këtij ndikimi, Nikollë Ivanaj,botoi në Raguzë,Trieste e Romë,  gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”  ku propagandoheshin idetë  e Mazzinit, të përshtatura  për 

Shqipërinë e tre besimeve me divizën  e Pashko Vases,  një mazzinian i fjalës dhe i aksionit, “Feja e Shqyptarit asht  Shqyptaria.”

Ka mbetur në histori fjalimi i zjarrtë i N.Ivanajt ,me 26 Janar 1911, përpara shoqatës së shtypit italian në Romë,në prag të kryengritjeve  të mëdha të veriut dhe të një aktiviteti të dendur politik  e diplomatik.Atehere kur Kristo Dako kishte ardhur në Shqipëri  me Charles Richard Crane,i cili lobonte  për Shqipërinë në Qeverinë Amerikane gjatë Konferencës së Londrës 1912-13.(Crane i njohur si sponsorues i Robert Kolegjit në Turqi, ku studiuan shumë studentë shqiptarë  me sponsorizimet e tij, si motrat Qirjazi  po ashtu edhe sponsor i shkollës së Dakës . Crane, duke qenë këshilltar i Woodrow Wilson, bëhej ndërlidhës i shqiptarëve me Presidentin Amerikan, për çështjen e mbrojtjes së Pavarësisë.)

Me oratorinë që e karakterizonte, N. Ivanaj   bënte thirrje në ndihmë të Atdheut:”Po ju sjell,o njerëz të lirë, jehonën e thirrjeve kryengritëse të Atdheut tim të robëruar…”Fjalimi  u botua  në Romë pas një viti,kur Shqipëria fitoi Pavarësinë.

Me 10 Nëntor 1999 Fondacionet  Ivanaj,me insistimin e Drita Ivanajt, e botuan këte dokument të rëndësishem “An Albanian Revival” në përputhje me kërkesat e kohës, kur Kosova me Luftën e saj të drejtë,po shkonte drejt Lirisë e Pavarësisë.

Për këte aktivitet,Nikollën, së bashku me shumë arbëresh dhe patriotë të  tjerë të aktivizuar për çështjen shqiptare, i dëbuan nga Italia. Atëhere u vendos në Francë,ku takoi me bashkëluftëtarë të Garibaldit  dhe me Leninin, një takim shumë i përfolur dhe i publikuar gjatë periudhës së  diktaturës në Shqipëri,sepse me 1917 Lenini kishte denocuar traktatin e fshehtë të Londrës, ku likujdohej Pavarësia e Shqipërisë”.

    Ne gusht të vitit  1912, merr pjesë në një konferencë të rëndësishme në Sofje për të cilën shkruan  gazeta franceze “La Temps ” deklaratën e N.Ivanajt  me dy qellime kryesore: Aktivizimin e ndergjegjës Kombëtare  në mes të popullit dhe paraqitjen e problemit shqiptar perpara Europës me rrugë diplomatike ( një dokument i përkthyer dhe i publikuar nga Aurenc Bebja )

Me rëndësi është  pjesëmarrja e tij në Kongresin Shqiptar të Triestës, 1913,të organizuar  nga Faik Konica dhe  Sotir Kolea….për njohjen politike dhe ekonomike  të Pavarësisë  së Shqipërisë drejtuar fuqive të mëdha.(e dokumentuar edhe në librin “Shpresa e Shqypnisë “ ,”Shpnesa e Shqypennis” me autor Paolo Muner,simbol i shqiparizmës)…

I pandarë nga qyteti i Shkodrës, Nikolla, organizon atje  klubin  “Lidhja Kombëtare ” dhe gazetën me të njejtin emër,  ku shtronte  pikëpamjet   e vetëqeverimit shqiptar, në mbrojtje të drejtave të popullit tonë.Mirashi  nga ana tjetër edhe  pse   më I ri  në moshë së Nikolla,po me këte vrull dhe kurajo civile, organizon protesten me studentët  e Romës në Shkurt të 1917. Kur profesori  i Universitetit të Romës Dr.Oracio Pedroci, kishte mbajtur një konferencë  historike në sallën e Universitetit, për të mbrojtur  të drejtat Italiane në Dalmaci  dhe ndër të tjera kishte  mbështetur   pretendimet e Serbëve për dalje në Detin Adriatik me anën e Bunës,Shengjinit  e Durresit. Mirashi, si studiusi i historisë së lashtë  të popullit shqiptar, nuk mund ta kalonte lehtë këte incident, ndaj mblodhi studentët me aktiv, si Demir Vila, Lef Nosi,Teofik Mborja, etj.në një protestë kolektive për ta botuar në një gazetë të Romës ku shprehte indinjatën, kundër pikëpamjeve të padrejta që  iu servirën opinionit publik.Ky qëndrim  I  studentit atdhetar përforcohet në korrespondencën me  Ideologun e Levizjes Kombëtare,Mit-hat Frashëri.

Më 1919,  N.Ivanaj si   delegat i “Partisë Politike” shqiptaro -amerikane  merr pjesë në “Konferencën e Paqës në Paris” së bashku me Kristo Dakon,i cili e drejtonte ate Parti dhe kishte kontaktuar dy herë me Presidentin Wilson për t’i spjeguar aspiratat e popullit shqiptar.

Letrat e N.Ivanajt, dërguar Kristo Dakos më 1920, pas Konferencës së Paqës në Paris,ishin urgjente, sepse Italia vazhdonte pretendimet për Vlorën dhe Greqia për Shqipërinë e jugut “Popullin Shqiptar nuk duhet ta komandojë as Italia,as Greqia  dhe as cilido mandat tjetër  kushdo qoftë”.Atëhere duhej  nxitur  opinioni  i diasporës dhe fuqia e një autoriteti siç ishte Presidenti Wilson,të cilit i drejtohet me letër :

 “Unë apeloj në të mirë të popullit tim shqiptar, përfaqësues i të cilit jam në të drejtat e mija të njeriut dhe në principe që përfshihen në 14 Pika të Pres.Wilson duke u  lutur se shqiptarët  nuk mund të lëshojnë shtetin e vet,  kërkesave të Italisë  e Greqisë” 

Viti 1923,ishte viti i një pune intensive, për Mirashin.Ai po përgatiste  tezën e Laurës së dytë, kur lajmërohet prej Nikollës se kishte blerë një shtypshkronjë.Pa asnjë hezitim,iu përvesh punës  dhe  me 24 Tetor 1923 doli  në Shkodër numri i parë i gazetës javore “Republika” me termin e së cilës shikonte fillimin e një levizjeje  për një trajtë rregjimi që rridhte nga idetë demokratike,sipas shprehjes se M.Ivanajt :”Të të gjitha klasave që përbajnë nji shtet”. Artikujt që shumica dilnin nga Mirashi por edhe nga Nikolla e Martini shpalosnin idetë e Lirisë,Demokracisë dhe te Shqiptarizmit.

Zgjodhen publicistikën, si fusha më e përshtatshme për të dhënë  kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare,ku shfaqeshim mendimet  politike e shoqërore.Edhe gazeta “Bashkimi”  e përditshme  në Shkodër,e drejtuar prej tyre, ishte për të ndihmuar shtetin e asaj kohe për të zgjidhur problemet që i përkisnin popullit,sidomos arsimimi  në shkolla  shtetërore të kontrollueme prej qeverisë.”Besimet do të hyjnë vetëm sa i përkasin  historisë e jo të marruna si  bazë ekskluzive  të një morali të caktuar.”

Kur ishte drejtor shkolle në Gjimnazin e Shtetit  në Shkodër,Prof.Mirashi, përveç punëve organizative,edukative,mësimore,kulturore, në normalizimin e anarshisë dhe  në strukturën e shkollës (kur krijoi  degën  normale),  përsëri shikonte se faktorët e jashtëm ishin pengues e dëmtues   për gjimnazin e shtetit.Për këte evidentonte shkollat private,  propaganden klerikale dhe ate të shteteve fqinj. Synimi ishte të nxirrte qytetar të devotshëm me mendim të njësuar nacional.Në programin mësimor  përveç kërkesave  shkencore pedagogjike  i dha prioritet formimit kombëtar mbi themele shqiptare për ecurinë  e përparimit  të shkollës  në dobi  të vendit .    Ngjarja e demostratës në  Shkodër, në festën e Flamurit 1927  është një provë e mirëfilltë  për qëndrimin  patriotik të Prof.Mirashit. Flamuri shqiptar, në Bankën e Shtetit,  ishte vendosur në të majtë, ndërsa flamuri  italian në të djathtë. Studentët duke parë këte nënvleftësim, të flamurit  shqiptar,demonstruan të bashkuar  për këte qëllim,ndërsa grupi i studentëve që ishin në prag të maturës,(Jahja Domnori,Jup Kazazi,Jahja Baçe,Agustin Shestani ..marrë nga libri M.Ivanaj I Iljaz Gogajt) u përpoqën,me anë të një shkalle, ta hiqnin  flamurin italian, por nuk arritën sepse i arrestoi policia.Pas këtij aksioni,Drejtori  i mblodhi  studentët, i këshilloi ëmbëlsisht  dhe  ndër të tjera  u tha :”Ju tashmë jeni të rritur  dhe dini  vetë si të veproni” Kjo  këshillë sipas Dr.Milajt ishte më shumë se aprovim.    Prof.Radi këte  moment e ka paraqitur,në f.165  por   personi  M.T.i shkruar në libër nuk është në dokumentin historik  të shkollës. 

Pyetjes së prof. Radit, drejtuar Mirashit  (f.209) në lidhje  me studentët  i përgjigjet :M.I.—-“Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës  që edhe sot i kujtoj me respekt ” ( Ata janë :Qamil Golemi,Jahja Domnori,Rexhep Berdica,Xhemal Lopçi, Refik Shpuza,Ahmet Ashikja, janë edhe  në  foton e vitit 1928  ku mes tyre hijeshon ,Drejtori Mirash Ivanaj ,P.Leka )Në bisedë e sipër,  përveç atyre  evidenton edhe shumë të tjerë,si Abaz Ermenji,Vasil Konomi,Gafurr Çomo,e sidomos Jakov Milajn  të cilin  e konsideronte si inisiatorin e “Shoqërisë Besa” .  Kanë mbetur edhe sot emblematike  në këte  Gjimnaz, fjalët  shpresëplote  të Drejtorit Ivanaj,  kur po përgatiteshin për provimet e maturës së parë  në gjuhë shqipe: “Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë, indipendenca  në  fushën arsimore  të kombit”

Një vend të rëndësishem në libër (67-91) Prof.Radi ia kushtoi rëndësisë së Reformës Arsimore të Ivanajt  për të cilën thotë se mori dimensionet e një shkolle kombëtare .Në Gjimnazin e Shkodrës ishin regjistruar nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë  edhe nga Kosova e Çamëria.Reforma  ishte  për forcimin e shtetit shqiptar, sepse ndërhyrjet e huaja,  qoftë nëpërmjet shkollave apo 
kulturat e  ndryshme politiko-ekonomike,realizonin synimet  lakmuese të fqinjëve .Në shkollat e minoritetit  thekson Prof.Radi këndohej “Flamur me kryq ,me kryq,//Një dy,një dy//Vra shqiptar,Vra Shqiptar//”Nga Ana tjetër   Fashistët italian nuk e kishin harruar disfatën e Vlorës 1920,siç shkruan Radi, Musolini donte La Rivinta (hakmarrje)  Situatë  të cilën edhe të huajt,miq të Shqipërisë,  e kishin  nuhatur se ku po shkonte vendi  me kreditë  e shumta të Italisë. Vepra e Telford Erickson “Little kingdom,what next “(“Mbreteria e vogël, por më pas çfarë do të ndodhë “)një ndër pesë veprat të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit” Parashikon  katastrofën që do të sjellin kreditë e shumta dhënë Italisë. Në këto kushte, reforma,për mbylljen e shkollave të huaja, nepërmjet tyre dhe të influencave të huaja u mirëprit nga elementi patriotik përparimtar.  Mund të themi se Dr.Martini  i kishte   paraprirë i këtij vendimi i cili,  që me 1930 kishte shfaqur mendimin se shkolla fillore  duhet të jetë  tagër vetëm e shtetit:”Shkolla fillore ka ate mision  historik ku unjisohen të gjitha forcat  morale dhe politike  që ka kombi”   Ajo që pritej erdhi ,Viti 1939. Prof. Radi i ka përshkruar  vëllezërit   si  djemtë e traditës   në mbrojtje të Atdheut me armë në dorë.”Ditët e fundit të Mbretërisë shqiptare, vëllezerit Ivanaj  e në mënyrë të veçantë Mirashi,bënë përpjekje  për  të organizuar një repart ushtarak  në mbrojtje të kufijëve të Atdheut .Me nji karabinë në krah, i kishte ra kryq e tërthor Tiranës, por në rrugët e boshatisura nuk kishte takuar asnji grupim të organizuar të armatosur.”f.   263 Për ta përforcuar këte mendim, shton edhe  përshkrimin e  Dr. Milajt “Shokët e mij më kanë thënë se janë çuditur ,kur  me 5-6 Prill  kanë parë Profesor Mirashin  me të vëllanë, që kishin lënë zyrat  dhe bashkë me turmen ,brohorisnin rrugëve ,Duam pushkë,Duam pushkë,duke shkuar  para M.P.B.,Komandës së  Mbrojtjes  dhe Pallatit Mbretëror ”  Të ndodhur në këto rrethana,si antifashistë  dhe nëpunës të lartë të shtetit  u larguan nga Shqipëria . Pohimet e Mirashit në hetusi dhe në bisedat me Radin  në burg f.140 “Në Stamboll  nuk kemi formuar ndonji organizatë ….Kemi  ba disa akte dhe mbledhje  kur ka filluar Lufta Italo-Greke, kemi  ba nji protestë  në lidhje me fjalimin e Çurçillit  dhe nji herë tjetër kundër Greqisë,kur kërkonte  viset tona  të Korçës dhe të Gjirokastrës .Nuk kam pasë lidhje me asnji  organizatë  jashtë Shqipnisë, sa për   Sterling- u,   unë nuk e kam  takuar kurrë.  Duke u nisur  nga gjithë  ky aktivitet, me një patriotizëm të shkallës më të lartë,po të mos i ndërpritesh hovi i punës, të vazhdonte  me ate guxim qytetar, me ate kulturë të pasur, me  ate karakter të fuqishëm , Mirash Ivanaj do të ishte një  Lider që do ta çonte  vendin  në udhën e përparimit evropian. Prof Radi, i përkushtuar  që  të nxirrte në dritë, se  Ivanajt e donin Atdhenë  duke u përballë me të vërteten, i jep vlerë  universale   betimit të Malësorëve “Për Qiell e për Dhe” Mbi çdo gjë Dheu  dhe Liria .Mbi bazën e kësaj filozofie popullore  janë ngritur shtyllat  e kontributit tyre  së bashku me mendimin e veprimin si Mazzinian, të  cilët  e mbajtën  të  gjallë   thënien  profetike të  Mazzinit ,kampioni i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento “(Riperteritja)  me  frazën e tij  Apostolike : “Patriotizmi  si një detyrë, dashuria per  Atdhe si  njé  mision  hyjnor “.Gjithë ky ndikim patriotik e filozofik  është  pasqyruar edhe  në veprat e Ivanajve,edhe pse studiuan nepër shkolla te huaja ,ata e shkruanin gjuhën shqipe perfekt pa  barbarizma, bile gjuhë  shqipe të të gjitha krahinave,  që kërkon një vëmendje të veçantë. Studimi i teorisë Pellazgjike nga Mirashi,për  të  pasuruar sa më shumë historinë e lashtë të popullit tonë  apo tema e Laurës  “Historia e gjuhës shqipe në marrëdhënie me gjuhët e vjetra “, Temat e hartimeve qe jepte në shkollë”Atdheu nuk madhnohet me fjalë por me vepra “,”Secili shtetar në çdo situatë që të ndodhet mund t’ i shërbejë Atdheut .  Ato  pasohen me tezën e Laurës së Martinit nga Kanuni i maleve dhe me vepren e Nikollës “Historia e Shqypnisë  së Re” duke shtuar publicistikën,fjalimet,veprat letrare,   që   bëjnë së  bashku  një monument Atdhetarie  dhe  fashisin çdo insinuatë apo thashemnajë  ndaj  tyre, si bolshevikë,mason,antifetar  etj.  Për  këte Prof.Radi  e ka evidentuar me një dialog  Mirash dhe Gjergj Bubani f.205 Gjergji–A keni ardhur  nga mërgimi  vetëm për hatër të librave ?   M.Ivanaj—Jo o Gjergj — nuk asht ashtu!  Librat mund të jenë  nji nga arsyet, por jo kryesore.Unë  erdha në Shqipni, në Atdheun tim, Zani i këtij Atdheu asnjëherë nuk rreshti së thirruri, këtij Zani iu binda .   ndër të  tjera thekson: “Midis  dorëshkrimeve  kam pasë  dokumente  origjinale  dhe një korrespondencë të bollshme , po të gjënden do të sqarojnë  disa momente  të rëndësishme të historisë së Shqipnisë. Kam një shpresë  të zbehtë mos ndoshta  një pjesë e këtyre materialeve i janë dorëzuar arkivit të shtetit,po të jenë atje, diçka e mirë prej tyre do të dalë në Dritë.”                                                   Me keqardhje mund të shprehem, se gjithmonë  pushtuesit, kanë synuar të shkatërrojnë  trashëgiminë kulturore të një populli, kanë  djegur   bibliotekat. Kur e bënë ate edhe  vetë shqiptarët  komunistë me bibliotekat e Ivanajt, Lef  Nosit, apo biliotekën dhuratë të Konteshës Carnarvon  me 1928 “Biblioteka për Djelmërinë “që ia kushtoi birit të saj,mikut të  madh të shqiptarëve,mbrojtësit të të drejtave  të shqiptarëve Sir  Abrey  Herbert 1880-1923 , e sa e sa të tjera kjo  eshtë fatale.Këtu qëndron  merita e Dritës,mbesa e Prof. Mirashit e cila sapo  ka vënë këmben  në  Shqipëri ,interesimi më i madh për te ishte, për të kërkuar  trashigiminë kuturore  të familjes Ivanaj, dokumente dhe studime historike   të tyre,  për t’ia  lënë trashigimi  një Instituti  studimesh  për Rininë Shqiptare  të  cilën  e realizoi pas një  maratone   të gjatë  me  themelimin  e Fondacioneve  “Martin e Mirash  Ivanaj ,Institut” në Tiranë e N.Y..Ky institucion është sot një qendër kulturore ,ku realizohen projekte bashkëkohore, Konferenca Jubilare,Promovime Librash , (siç u realizue  edhe libri në fjalë ),aktivitete shkencore për rininë ku janë  bashkuar  shumë të  Rinj Vullnetarë  të etur për dije .

Filed Under: Histori Tagged With: Mirash Ivanaj, Pertefe Leka, Prof. Lazer Radi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT