Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu u prit në Vatër/
Të Shtunën, 4 Shkurt 2017, në selinë e Vatrës u prit Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu. Studiuesit të njohur të historisë ia uroi mireseardhjen Dr. Gjon Bucaj. Në takim morën pjesë edhe dy zv. Kryetarët e Vatrës Agim Rexhaj, Asllan Bushati si dhe Zef Përnocaj, Zef Balaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca.Për më shumë se dy orë u bisedua rreth cështjes Kombëtare, zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë, problematika në trojet etnike dhe qëndrimet e Vatrës. Dr. Gjon Bucaj informoi edhe për komunikimin me Departamentin e Shtetit Amerikan, para dhe pas demonstartës, që u organizua nga Vatra në Uashington. Ndërkohë u diskutua edhe për tezën më të fundit të hedhur nga Kongresisti Dana Rohrabacher për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, qe për fat të keq është edhe tezë e akademikut kosovar Rexhep Qosja. Informuan me detaje Zv. Kryetari Asllan Bushati dhe Zef Balaj, të cilët ishin në një takim te DioGuardit me Kongesmenin Dana Rohrabacher, takim që nuk kishte të bënte me Vatrën, por i organizuar nga Liga Qytetare Shqiptaro-amerikane e Joe DioGuardit. Pas debatit, ku mori pjesë edhe Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, përaqiti qëndrimin e Vatrës, e cila është kategorikisht kundër cënimit territorial të Kosovës dhe kundër shkëmbimit të territoreve. U propozua që Vatra të dalë me një deklaratë në ditët që vijnë.
Me shqetësim u diskutua cështja e Mitrovicës, për të cilën qeveria e Kosovës nuk e ka kryer detyrën, duke mos i paraprirë me masa mbështetëse lehtësimit të jetës të shqiptarëve në këtë zonë të vështirë, ku Beogradi ka stimuluar popullsinë serbe dhe i ka nxitë ata që të blejnë shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, duke ndryshuar dhe raportet etnike në Mitrovicë në favor të serbëve. Zv/. Kryetari Agim Rexhaj shfaqi shqetësim për gjendjen e krijuar në Veriun e Kosovës.
Prof. Muharrem Dezhgiu dhuroi për Bibliotekën e Vatrës librin e tij të ribotuar”Shqipëria nën Pushtimin Italian(1939-1943).